Nga SAMI REPISHTI
Pjesa e gjashtëmbëdhjetë
Sami Repishti: – “Në Shqipni, nuk ashtë dokumentue e ndëshkue krimi komunist i së kaluemues, nuk ashtë ba “spastrimi shpirtnor”, rrëfimi i ndërgjegjshëm e denoncimi i kriminelëve ordinerë komunistë! –
‘Nën hijen e Rozafës’
Memorie.al / Gjatë viteve ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluem, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë, ma parë e ma vonë mbi të gjithë botën, “fati” zuni për gryke edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rinjtë, edhe unë u gjenda në nji udhëkryq ku duhej marrë nji qëndrim, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Atëherë i thashë “jo” diktaturës, e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuajse më vrau, më çliroi njëkohësisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist dhe komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makro-politikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjësova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe dëshira për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuem, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet.
U përpoqa me rrmue sa ma thellë në mendjen time, e me gjetë kuptimin e këtyne akteve monstruoze. Ç’ka mund të justifikonte nji qëndrim të këtillë, nji veprim të këtillë? “Në emën të popullit”, të “revolucionit proletar”, “të klasës punëtore”? Ishte nji seri përrallash nxitëse, e jo bindëse. Dyshimet e mia, se “komunistët” në Shqipni, kishin humbë humanitetin e tyne, humanitetin që përshkonte ideologjinë e propagandën e ditëve të luftës, forcohej ma shumë nga ngjarjet që dëshmojsha, sidomos gjatë ditëve të burgimit; ishin gozhdat e fundit në arkivolin ku shtrihej pa jetë shpresa për nji ringjallje morale, e si rrjedhim, nji orientim të ri politik të “pushtetit”, që fitoi me forcë e, mbahej në kambë vetëm me dhunë. Nji armatë fanatikësh, që me dashje, ose pa kuptue, kishte përqafue frymën e programin e “Partisë Komuniste të Shqipërisë”, ma vonë “Partia e Punës së Shqipërisë”, marshonte me hap të rregullt në fushatën e vet për shkatërrimin e botës së vjetër, e ndërtimin e “nji botë të re premtuese”.
Në këtë ecje marramendëse, turmat e indoktrinueme shkelshin mbi të drejtat ma të shenjta të shumicës së popullsisë, që vuante efektin e punës shkatërruese, e digjej në zjarrin e ndezun nga “revolucionarët”, që tashma ishin thjesht militante të bindun, arrogante, hakmarrës, të pakulturuem. Përfytyrojsha Qemal Draçinin në torturë, dhimbjet, britmat, ndoshta edhe lutjet e drejtueme oficerit hetues e xhelat, që ta bindte për pafajsinë e tij, e dridhesha nga frika, që më kishte pushtue mbas sesioneve të torturës së randë. Si ishte e mundun që njeriu të zbresë aq poshtë, sa të torturojë nji tjetër qenie njerëzore, me nji sadizëm të këtillë?! Cila ishte ajo doktrinë, që këshillonte e aprovonte dhunën ekstreme kundër kundërshtarit të konceptuem si “armik”, me qëllim që të avancojë parimet e veta “përparimtare”? Çfarë njeriu zbret poshtë vullnetarisht në botën e nëndheshme, ku njerëzit detyrohen me u çnjerëzue, e shkojnë deri në atë pikë sa të vrasin “armiqtë” me drue, hekur, zjarr, litar, me çdo mjet që konkurron me shkaktue nji vdekje, sa ma të egër që të jetë e mundun? E natyrisht, si asht e mundun që shqiptari të vrasë shqiptarin me aq lehtësi, e aq egërsi?!
Oh, sa pakuptim më dukej shprehja, “vllazën e motra shqiptare”, që mësuem aq herët, e përdoruem aq shumë. Andrrat e mia për nji komb shqiptar, të bashkuem e me nji ideal të përbashkët, të ndërtojmë atdheun tonë, të shpëtojmë popullin tonë nga vuejtja, uria, paditunia, e vorfnia që e mundojshin, po mbyteshin në pellgun e gjakut të burgjeve komuniste, në lumin e lotëve që rrjedhte çdo ditë në çdo shesh qyteti, e çdo rruge katundi të Shqipnisë së martirizueme. As kangët e altoparlantëve zyrtarë, as thirrjet histerike të udhëheqësve partiakë e shtetnore, nuk mbulojshin dënesën e përgjithshme, e vajin e familjarëve në shtëpitë e të vramëve, e të burgosunve, që mbushnin burgjet e kampet e dëbimit të shpërndamë, që nga Konispoli deri në Vermosh. Shqipnia e veshun në të zeza, nuk më lente të qetë, e thirrjet histerike të “pushtetarëve”, paralajmojshin ardhjen e ditëve edhe ma të vështira…! Shqipnia, ishte inondue nga paditunia, mashtrimi, urrejtja, hakmarrja instinktive, e dhuna masive e organizueme e legjioneve të kuq, të pamend e të pazemër!
Në qeli, dita pa dritë kalonte pa u kujtue, ashtu si nata e errët në gjumë. Ishte nji lloj vdekje e ngadalshme, e ndërpreme nga sulmet e rojeve të kuqe, mbi të burgosunit “që flasin me zë të lartë”, ose mbi ata që ktheheshin të dërrmuem nga zyrat e hetuesisë. Në mëngjes, ngriheshim nga nji trokitje e fortë në derën e qelisë, e zhurmës së çizmes, ose grushtit partizan. Pa marrë frymë mirë, dera hapej, roja na zgjidhte kambët, e me duar në pranga, dy nga dy, rrëmbejshim kovën e urinës, vrapojshim si të çmendun drejt nevojtores, zbrazshim kovën e mbushun, kryejshim nevojat tona së bashku, e me nji thirrje të çmendun të rojes, ngriheshim e vrapojshim përsëri deri në qeli. Shpeshherë, roja e lodhun nga shërbimi i natës, largonte mërzitjen me shkopin ose, zinxhirin që mbante në dorë, e na binte pa mëshirë. Gjatë ditës, roja hapte dritoren e hudhte në shesh tre racione buke. Nuk kishte ushqim tjetër, as edhe çaj. Uji jepej nji herë në ditë. Çdo komunikim me të tjerët, ishte plotësisht i ndaluem. Nuk lejohej pastrimi. Nji herë në muej, berberi i prumë nga jashtë, qethte flokët e rruente mjekrat e rrituna, gjithherë në mbikyqyrjen e rojeve. Ushqimi nga familja ishte i kufizuem, nji herë në javë. Ndajshim gjithçka njeni me tjetrin; ishte e natyrshme.
Me gjithë atë pisllëk, mbijetojshim; pis në trup, pis në rrobe, pis në vendin ku gjindeshim, ndërsa era e urinës na merrte frymën. Çdo ditë ndigjojshim dënesa e gjame. Disa ishin të sëmurë. Askush nuk vriste mendjen për ata. Të tjerë vijshin nga hetuesia, të ndjekun me drue nga rojet shoqnuese nëpër korridoret e Kuvendit-burg. Asgja tjetër nuk ndigjohej, e kur binte heshtja, ajo ishte e plotë, heshtje prej varri! Nuk kisha masën e kohës, as nuk dijsha sa ditë kisha kalue në këtë gjendje. Por, mungesa e hetuesisë së matejshme më dha me kuptue, se mbas nënshkrimit të “procesit”, po afrohej koha e “gjykimit”. Plagët e infektueme përmirësoheshin çdo ditë, derisa u mbyllën tue lanë gjurmët e pashlyeme për jetë. Nji ditë nandori, roja urdhnoi me mbledhë leckat, e pa më dhanë kohë me u përshëndetë me shokët e dhomës, më zgjidhi kambët, më lidhi dy duert fort me zinxhirë kafshësh, më kapi për krahu e filluem të ecim me rrobet e ngarkueme në kurriz. Jashtë, në oborrin e Kuvendit-burg, priste nji makinë e Sigurimit. Brenda, ishin edhe tre të tjerë, që nuk njihsha.
Pesë minuta ma vonë u shkarkuem në oborrin e Sigurimit, nga ku të burgosunit merren në “hetuesi”. Frika e torturës në nji hetuesi të re, pothuejse më paralizoi. Përsëri i mbajtun për krahu nga roja, u përplasa në nji qeli të vogël me nji dritore hekurash të kryqëzueme, që lejonte pak dritë e ajër. Përsëri vetëm. Nga oborri i jashtëm ndigjoheshin zanet e rojeve, oficerëve e kambët e tyne. Kishte nji lëvizje të pazakonshme. Në qeli, isha vazhdimisht në mendime. Kur pushojsha, nji boshllëk i madh krijohej rreth e rrotull meje. Ngrihesha në kambë, fillojsha me qarkullue në nji përpjekje të dëshprueme me rikapë fillin e mendimit të humbun. Shpeshherë, kalojsha orë të tana në përpjekje me marrë masën e objekteve përreth, muret, derën, dritoren, llampën, dyshemenë e tavanin, e me i krahasue me të tjera të jetës së përditshme, në nji përpjekje me lidhë kontaktin me botën e lanun mbas vehtes. Te nesërmen, roja më pruni rrobe të pastërta nga familja, e më urdhnoi me u veshë menjiherë. Me gjithë frikën e madhe të hetuesisë, mendova se rrobet e pastërta, tregojnë diçka tjetër, ndoshta transferimin në nji burg ma “njerëzor”.
Kur u kthye, më tha ta shoqnojsha në oborrin e jashtëm, ku më priste berberi që më hoqi flokët e mjekrën e rritun. Në atë gjendje të mjeruem, ai gjeti nji fjalë që theu monotoninë: – “Qenke i ri…!”, më tha. – “Po”! përgjigja. “Jam student”! nuk foli, më pruni në qeli, më lidhi duert shtrëngueshëm, mbylli derën me shul, e u largue. Fillova me ecë poshtë e nalt, me shlodhë kambët e zgjidhuna nga zinxhirët mbas kaq kohe, por vetëm për pak minuta, sepse dera u hap përsëri, e nji roje e panjohun më mori për krahu, kaloi nëpër oborr, e hyni në ndërtesën e Sigurimit. Nuk kuptova gja. Trokiti në derën e nji zyreje, hyni brenda, përshëndeti oficerin, e u largue. Në zyrë, oficeri më shikoi me vëmendje. Ishte nji fytyrë e re e jashtëzakonisht e pakandëshme. Më urdhnoi me u ulë në karrige. Më pyeti emnin, mbiemnin, e pa fjalë tjetër shtoi: – “Sot mbasdreke, do të dalësh para Gjyqit të Popullit. Aty do të japësh llogari për krimet e bame, që janë të rreshtueme në ‘procesin’ tand. Due të paralajmoj, se para gjyqit nuk ke të drejtë me mohue as edhe nji fjalë nga ‘procesi’. E kupton? Përndryshe, ti dhe unë do të kemi seanca të gjata, shu-u-më të gjata…. Më kupton”?
“Po”, përgjigja shkurt. – “Tashti, do të takosh avokatin që ka zanë familja”. Oficeri i ra zilit. Roja pruni avokatin në zyrë, nji burrë rreth katërdhjetë vjeçar, me syza, u paraqit në zyrë. E njoha si fytyrë, por nuk dijsha emnin e tij. Ai më përshëndeti njerëzishëm, më njoftoi se familja kishte kërkue nga ai, me ba mbrojtjen time legale, e se ishte gati me më ndihmue. – “Do të mbrohemi së bashku”, më tha. “Kam lexue procesin tand”. – Nuk mund të mbrohemi së bashku”, përgjigja pa mendue…! “Ti nuk je i akuzuem”! – “E kuptoj, – më tha, – po ka disa aspekte teknike të ‘procesit’, që duhet t’i sqarojmë bashkë, para se të dalim në gjyq sot mbasdreke”. Pa mbarue mirë fjalën, oficeri i ra zilit, urdhnoi avokatin me dalë përjashta, e tue m’u drejtue me nji inat të papërmbajtun, më tha: – “Po të fillosh me lodrat tuaja para gjyqit, mos harro se këtu do të kthehesh…! Shpirtin do të marr…! E kuptove? Tashti ktheu në qeli…”! Rreth orës së drekës, nji oficer më dorëzoi kopjen e akt-akuzës, që përmbante njimbëdhjetë pika. Si mbas kësaj akuze, unë kisha ba përpjekje “për të rrëzuar pushtetin popullor me forcë”, në lidhje me “agjentë të fuqive të huaja”.
Shumica e akuzave, ishin fallsifikime të thjeshta, që nuk kishin asnji lidhje me mue. Njena nga ata, ishte veçanërisht e rrezikshme, sepse kishte të bante me fatin e Kosovës, e veprimtaria ime kishte “dëmtuar rëndë miqësinë vllazërore me Jugosllavinë e shokut Tito”. Moslejimi i të akuzuemit me folë, me u shprehë, me shpjegue e me justifikue veprimtarinë e vet, don të thotë me dënue njeriun, jo aktin. Ishte pikërisht ky, qëllimi i udhëheqjes komuniste në Shqipni? Zot të gjendjes së brendshme, ata paraqiteshin si agjente të nji obsesioni monstruoz, që kërkonte me justifikue “vijën e Partisë”, me shue çdo za të lirë, me eliminue çdo njeri të lirë…! Në këtë gjendje mendore, në orën dy mbas dreke, më nxorën nga qelia. Nji orë ma vonë, filloi seanca gjyqësore e Gjykatës Ushtarake Speciale në Shkodër.
XIII
20 nandor 1947. Grupi jonë kishte njizetedy të burgosun, të lidhun me zinxhirë, dy nga dy, e të rrethuem nga dy rreshta partizanësh të armatosun. Dy të parët ishin klerikë: nji frat françeskan e, nji imam. Të tjerët ishin katundarë, tregtarë, dy studentë e nji Ipeshkev shqiptar, katolik. Porsa dolëm jashtë derës së Sigurimit, që gjindej në rrugën kryesore, nji turmë histerike filloi thirrjet: “Trathëtarë! Trathëtarë! Plumbin ballit! Plumbin ballit”! Asnjeni prej nesh nuk foli, as që u trondit nga kjo çoroditje qytetare. Në mesin e mijëra personave, qe mbushnin trotuaret e rrugës që çonte në sallën e gjyqit, shumica ishin të heshtun.
Karvani jonë ecte ngadalë e dinjitoz, sikur të mos ishte i ndërgjegjshëm për aktin komik të gjykimit, të cilit po i nënshtrohej pa kondita. Përkundrazi, na dukej sikur merrshim fuqi nga shikimet plot dhimbje, heshtjen respektuese, e gjestet e fshehta të inkurajimit. Gjithçka tek këto shikues të frikësuem, tregonte admirimin e brendshëm të masës, që nuk gjente guximin me folë.
Nga vuejtja e gjatë e përshtypja e fortë që më bani turma mbas nji izolimi afër katërmbëdhjetë mujor, nuk isha në gjendje më njohë njeri. Të gjithë më dukeshin fytyra të panjohuna në këtë skenë, sa të dhimbshme, aq edhe të urrejtshme. Zanet e çjerruna të elementit komunist e ndjekësve të tyne, mbulojshin çdo zhurmë tjetër rreth e përqark. Natyra e tyne e mbrapshtë, i jepte edhe ma shumë dinjitet kortezhit të viktimave, që ecte me hap të rregullt drejt Gjykatores, ku do të vendosej “vdekja” e tyne me pushkatim…!
Para meje, i lidhun shtrëngueshëm me zinxhirë, si të tjerët, ecte nji plak i plagosun në kambë. Mosha e kalueme, vuejtjet e burgut e dhimbja e plagës, i krijojshin vështirësi të mëdha. Sa herë që shikojsha në profil, këtë fytyrë të rrudhun nga mosha e puna e randë, e buzën që ai kafshonte me dhambë që të mos lëshonte as fshamje, as ankesë, vrejsha ballin e tij, të mbuluem pjesërisht me nji shami ngjyrë të zezë, pika djersë në këtë ditë nandori. Vetëm ai grusht eshtnash të thatë, e dinte dhimbjen që e përshkonte! Kryenalt, shenjt pafajnie, për ma shumë se shtatëdhjetë vjet, në nji vend që vetëm kërkoi e mori nga ai, ky malësor i heshtun dukej plotësisht i vendosun, mos me u dhanë kënaqësi shikuesve, atyne fytyrave të zgërdhime, qoftë edhe me nxjerrjen e nji zani të vetëm, që do të tradhtonte dobësinë trupore të viktimës.
Rreth e rrotull meje pashë fytyra, e përsëri fytyra: të panjohuna, të errëta, misterioze, të pashprehje, fytyra që pyesin, fytyra të çorodituna nga fryma e urrejtjes, fytyra…! Ishte nji monstër e vogël e botës shqiptarë të asaj kohe: guxim, indiferencë, frikë, shpresë, urrejtje e persekutim…! Kjo turmë të shtypunish, që shikonte viktimat e luftës për lirinë e tyne, e që nuk gjente guximin me shprehë solidaritetin me ata që sakrifikoheshin, më vente në nji dilemë. Si t’a gjykoj këtë masë të paralizueme, vllaznish e motrash të mia?! Mëshirë apo dënim?! Kisha frikë, se nga kjo gjendje pa lëvizje, pa jetë, vetëm vdekja mund të vijë, vdekja e nji shoqnie…! Shoqnimi i të burgosunve me roje të armatosuna, e parakalimi i tyne para masave që kërkojshin vdekjen tonë me nji përsëritje refreni, e tërbimit të qenve që u tregohet copa e mishit e, u mohohet, njëkohësisht. Vetëm pamja e figurave të shëmtueme që thrritshin “hakmarrje, hakmarrje”, me za e gjeste histerike, mjaftonte me coptue zemrën e cilitdo, që mendonte e ndiente për nji tjetër qenie njerëzore. Nuk më besohej se vllaznit e motrat e vendit tim, ishin aq të etshëm për gjakun tonë. Atë ditë pashë me sytë e mi! Çfarë rreziku shkaktonte studenti njizetë e dy vjeçar, që kërkonte vetëm të drejtën me jetue i lirë?
Salla e kinemasë së qytetit, ishte kthye në sallë gjyqi. Njizet e dy karriga ishin rreshtue në vendin ku zakonisht rrinte orkestra. U ulëm si mbas urdhrit të rojeve, tue pritë në heshtje ardhjen e trupit gjykues. Larg nga trupi, ishin tryezat e avokatëve, që nuk lejoheshin me marrë kontakt me “klientët”. Rreth e rrotull grupit, qëndrojshin me armë në dorë rojet e kuqe. Nji polic kontrollonte mikrofonat. Të tjerë shkojshin e vijshin, sikur ishin të zanë me punë të randësishme. Salla ishte e mbushun plot me aktivistë, të zgjedhun me kujdes nga “pushteti popullor”. Ata përfaqësojshin “popullin”, në emën të të cilit, nji Gjykatore Ushtarake Speciale, e “popullit”, gjykonte aktet tona “kriminale” kundër “popullit”. Ende pa hy në sallë, ndigjova nji kor zanesh të çjerrun, që përsëriste parrullat pro-qeveritare, kangë partizane, e herë mbas here, sikur të ishte nji orkestër e drejtueme nga konduktori, shpërthente me thirrje: “Poshtë trathëtarët”! “Kriminelët në litar”!
Rojet shikojshin e buzëqeshnin me kënaqësinë e idiotit, që i pëlqen zhurma rreth e rrotull vetes. Në pozitën e vet, roja e kuqe e armatosun qëndronte në kambë, simbol i forcës brute që ushtrohej pa mëshirë e pa ligj kundër nesh, e buzëqeshte. Shikoj turmën e çmendun nga urrejtja, e të dehun nga fryma historike, që bashkimi i zaneve të qindra idiotëve prodhonte në sallë, dhe nga era e gjakut tonë që kërkojshin. Njoha disa nga ata ma të zashmit. Ishin familjarë të dëshmorëve të ramë gjatë luftës. Nuk ishte hera e parë, sepse të njëjtat fytyra delshin në skenë, çdo herë që manifestohej në qytet, ose në “gjyqet e popullit”. Ishte e zakonshme që turma të këtilla të zhurmshme të ndjekshin rreshtat e të burgosunve, e sidomos kur në mesin e grupeve kishte klerikë katolikë, objekti ma nevralgjik i propagandës komuniste në Shqipni. Fyemje, shamje, pështyma e përpjekje me i rrahë gjatë rrugës, ishin ba të zakonshme, gjithherë me urdhën të “autoritetit”. I ulun në mes dy katundarësh, bujq nga Postrriba, kisha nji ndjenjë të çuditshme. Si ishte e mundun, që urrejtja të mbushte zemrat e nanave, e familjarëve të “dëshmorëve”, deri në atë pikë, sa me kërkue gjakun e të panjohunve, me shue dhimbjen e humbjes së tyne?!
Si ishte e mundun, që nana e “dëshmorit”, ish-shoku i im i rinisë, e për të cilin unë kisha derdhë lot dy vjet ma parë, kur mbeti i vramë, sot çirret para meje, tue përsëritë: “Vdekje tradhtarëve”! e tue me shikue drejt në sy, mue, shokun e djalit të vramë?! Kjo çoroditje shpirtnore, që kultivonte me kujdes propaganda komuniste në Shqipni më trishtonte, sepse nuk premtonte asgja të mirë. E unë gjendesha në qendër të stuhisë! Me hymjen e trupit gjykues – tre gjykatës dhe nji prokuror publik – hyni edhe grupi i katër avokatëve, që do të mbrojshin njizetedy të akuzuem. Disa nga grupi jonë, katundarë e dy klerikët, nuk ishin avokatë mbrojtës. U ngritëm në kambë, e u ulëm përsëri me urdhën. Në fillim, prokurori lexoi nji akt-akuzë të përgjithshme, ku përfshiheshin akuzat ma absurde e të përbashkëta për grupin tonë, thellësisht heterogjen.
Si mbas prokurorit, grupi jonë, që nuk njihte njeni-tjetrin, kishte konspirue me rrëzue “pushtetin popullor”, me ndihmën e “reaksionit ndërkombëtar, anglo-amerikan” dhe se kjo veprimtari ishte zbulue me kohë, nga “vigjilenca revolucionare e Partisë dhe popullit”. Gjuha e prokurorit, që na cilësonte të gjithëve si individë të poshtër, pa karakter, në shërbim të të huejit dhe tradhtarë të atdheut, nuk ishte e re. E kisha ndigjue sa herë ma parë në emisionet radiofonike të qytetit e kryeqytetit, gjatë nji rreshti të gjatë procesesh gjyqësore, të zhvillueme sidomos në Shkodër, kundër “reaksionarëve” e “Klerit Katolik”. Por të ndigjojsha fjalimet e pafund të prokurorit që përsëritën, e subjekti i sulmit isha unë, me “shpatën e Demokleut” mbi kokë, ishte nji përvojë tmerruese, jo vetëm për rrjedhimet katastrofale, që mund të ndiqshin, por edhe për tronditjen e bindjeve të mia politike, të rrugës sime të zgjedhun me ndërgjegje, e vendosmërisë sime me vazhdue.
Të shqiptueme me solemnitetin që krijohet zakonisht në sallat e gjyqit, fjalët e prokurorit, me gjithë përmbajtjen e tonin e tyre propagandistik, bajshin efektin e vet. Koncepti im për sistemin gjyqësor, si mbrojtës i të drejtave qytetare, ishte akoma i fortë, por skenari që përjetojsha atë ditë, e dërrmoi atë plotësisht. Dy shokët e mij përreth, nuk kuptojshin gja nga frazeologjia e përdorun, e kërkojshin shpjegime, që u mundova me përmbledhë, tue dhanë thelbin e akt-akuzës me pak fjalë. Ata ulën kokën. Njeni lutej në heshtje, krejtësisht i shkëputun nga ajo që ngjiste në sallë. Tjetri, shikonte prokurorin e, përpiqej me kuptue diçka. Të burgosunit e tjerë, ndigjojshin në heshtje akt-akuzën e përgjithshme. Çdoherë që prokurori ngrente zanin, si me urdhën, salla shpërthente me thirrje: “Poshtë tradhtarët”! “Plumbin ballit!”.
Ishte nji komedi makabre, që zgjati ma shumë se nji orë, me përsëritje e ripërsëritje të së njajtës temë…! Fjala e prokurorit u prit me duartrokitje frenetike e të gjata e, me kërkesën e dënimit tonë me vdekje. Turma ishte ngritë në kambë, e me nji ovacion përshëndeste prokurorin, që buzëqeshte me nji kënaqësi të veçantë. Kur thirrjet pushuen, rojet na nxorën nga salla. Autoritetet, të shqetësueme nga heshtja e shumicës së madhe të popullit, gjatë kalimit tonë në rrugët kryesore, na vunë në nji kamion ushtarak të mbyllun, larg syve të masës, që priste jashtë. Kjo mënyrë transportimi, u mbajt deri në fund të gjykimit. Ishte prova e dështimit të propagandës qeveritare, në popull. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm