Nga SAMI REPISHTI
Pjesa e trembëdhjetë
Sami Repishti: – Në Shqipni, nuk ashtë dokumentue e ndëshkue krimi komunist i së kaluemues, nuk ashtë ba “spastrimi shpirtnor”, rrëfimi i ndërgjegjshëm e denoncimi i kriminelëve ordinerë komunistë! –
‘Nën hijen e Rozafës’
Memorie.al / Gjatë viteve ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluem, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë, ma parë e ma vonë mbi të gjithë botën, “fati” zuni për gryke edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rinjtë, edhe unë u gjenda në nji udhëkryq ku duhej marrë nji qëndrim, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Atëherë i thashë “jo” diktaturës, e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuajse më vrau, më çliroi njëkohësisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist dhe komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makro-politikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjësova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe dëshira për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuem, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet.
Kuptova, se roli i provokimit, ishte përqafue me gëzim prej komunistëve internacionalistë, e se ata ishin të vendosun ta luajnë atë rol me nji cinizëm të pakufi…! Fjalët e fratit të pushkatuem: “Na nuk do të provokojmë, nuk asht roli jonë”, fitojshin nji randësi profetike! Mbas heshtjes sime të plotë, ai nuk foli ma. Thirri rojen me za te naltë: “Partizan”, e urdhnoi: “Dërgoje këtë qen në qeli”! Në qeli, fillova të rindërtoj bisedimin e bamë në zyrë. Isha i bindun, se nji konflikt i brendshëm, kishte fillue tek disa oficerë të Sigurimit.
A thue, se shkalla e gjanë e torturës, së përdorun kundër nesh, e intensiteti i saj, kishin prekë edhe zemrën e xhelatit?! Fakti, që mbas përgjigjes sime, ai nuk më dha nji dru të mirë, që unë të mos e harrojsha për jetë, tregonte se “ndryshimet”, ishin të mundshme në këtë bllok, në dukje graniti. Ishte hera e parë që hyjsha në qeli pa dhimbje trupi, dhe me nji ndjenjë lehtësimi nga përvoja e ditës.
Mora me dëshirë racionin e bukës thatë, e ujin që më dha roja, e fillova darkën, me nji shije të natyrshme. Bukë e ujë. Mrekulli! U mbusha me shpresë, se nata e errët që na rrethonte, nuk do të ishte e përjetshme, e se shenjat e para të agimit të dritës së re, dukeshin në horizont. Ose të paktën, kështu më dukej mue. Oh, nuk duhet shumë me ngjallë shpresën e të burgosunit…! Pranë meje, u hap nji derë qelie. Mandej, nji grahëm e fortë më erdhi në vesh. M’u duk diçka e re, megjithëse i burgosuni vuante qysh në darkë, kur u kthyen nga hetuesia.
Por, në atë çast, zani i tij më zgjoi nga dremitja, ku kisha ra. Tingulli i zanit, volumi i tij e ritmi i rregullt me erdhën si diçka e njohun. Nji grahëm e dytë erdhi edhe ma e fortë, ma e afërt, e forcoi kureshtjen ma parë, e menjiherë edhe bindjen, se diçka të njëllojtë, kisha dëshmue ma parë. Ku e kur? Para meje u hap perdja e nji bote të tanë: ajo grahëm, ishte e njillojtë me atë të babës, në shtratin e vdekjes.
I shtrimë në mes të dhomës, kokën e mbështetun mbi dy jastekë, m’u përfytyrue baba në çastet e fundit të jetës tij. Rreth e rrotull, ishte familja. Gjashtë fëmijë, qajshim me dënesë. Nana, tue përmbajt veten me vështirësi, derdhte lotët si lum, e lagët me nji shtëllungë të vogël pambuku, buzët e rreshkuna të babës, që jepte shpirt. I burgosuni pranë meje, jetonte çastet e fundit të jetës …i vetmuem! Gjatë dy muajve të parë në Sigurim, e torture të pandërpreme, kalova çaste me të vërtetë të vështira, fizikisht e shpirtnisht.
Kur vuejtja kalonte kufijt e durimit, e dhimbjet e trupit mbytshin çdo ndjenjë, urrejtja ime rritej, forcohej, përqendrohej. Figura e oficerit torturues, merrte pamjen konkrete të kësaj urrejtje, e në dritën e turbullt të syve që mezi dallojshin vijat lëvizëse të nji natyre monstruoze, ai, oficeri i Sigurimit, ishte për mue gjithçka që më luftonte, më kërcënonte, e përpiqej me më zhdukë.
Ai ishte për mue, mishnimi i asaj dukunie të mbrapshtë, çnjerëzore, demoniake, e shkatërruese të komunizmit, dhe e përçmimit që nxin vazhdimisht ndërgjegjen e njerëzimit, sa herë që nji qënie njerëzore zbret aq poshtë, sa oficeri brut që torturon, njeri pa skrupull, vegël servile e rendit të ri shtypës. Kjo qënie brut, ishte prodhimi i nji lëvizje, që trumbetoi ideale fisnike, që na përkrahëm, por që përfundoi në duart e nji mase popullore, me vlera morale të dobësueme nga jeta e vështirë, pa arsim, por dhelpnake, pasionet e se cilës, u gërvishtën prej demagogëve që udhëheqjen me slogane.
Ishte nji masë, që nuk konceptonte mundësinë e nji revolucioni bujar, e përkrahte regjimin e terrorit, deri sa u mund nga vetë terrori që ajo solli në fuqi. Në vendin tim, ky terror ishte i organizuem, efektiv, e gjithpërfshimës, dhe plotësisht i ndërgjegjshëm për punën e vet shkatërrimtare, sepse kryhej me nji ndjenjë krenarie absurde. Në vendin tim, ky terror ishte plotësisht përgjegjës për aktet e tia të përditshme, që askush nuk kontrollonte ma.
Ligji e sistemi ligjor, ishin ombrella për sunduesin, e shkopij për qytetarin pa mbrojtje. Bishat mishngranëse të Sigurimit të Shtetit, u banë vullnetarisht kriminelë ordinerë, që ni fat i egër i vuni në shërbim të “Partisë” e të “Shtetit”, dy aparate shtypës, për të cilët vrasja e të pafajshmëve, mbetej parimi i tyne mbisundues! Jam në zyrën e hetuesit. Hapet dera! Hyn nji oficer. “Shoku kapiten”, tha me nji gjest të dorës, që la me kuptue, se e ftonte me e shoqnue.
Kapiteni thirri rojën, e porositi të më ruejë, e u largue. Isha i lidhun kambë e duar. Nga dera gjysëm e hapun, ndigjova zhurmën e kambëve të nji roje, që po afrohej nga korridori, të përzieme me nji tjetër zhurmë kambësh të lehta, që m’u duk sikur ishin kambët e nji fëmije. Nuk u gabova! Në heshtjen që ndoqi, ndigjova derën e zyrës pranë, që u hap mbas nji troktije të lehtë, nji vajtim me dënesë nga nji za gruaje, e menjiherë pa pritë nji thirrje e mprehtë: “Uh! E mjera nanë”, që përshkoi gjithë ndërtesën.
Nji fërkim i trupit për drrasat e dyshemesë, më dha me kuptue se “viktima”, ishte e shtrime përdhe, e përpiqej me u ngrejtë. “E mjera unë”! përsëriste, e menjiherë nji za fëmije, “Nanë, nanë”! nuk pushonte me dënesë, që pikësonte shprehjen e dhimbjes, që e shkynte. “Mbylle derën, idiot”! bërtiti me fuqi oficeri. Unë mbeta pa gojë! I mbështetun me nji brryl në dysheme, që të mos bijsha për tokë, i hodha nji sy roje së kuqe, si me dashtë me thanë: “Ku jemi, mor djal?! Ç’bani kështu në kurrizin e këtij populli”?!
Roja kryqëzoi shikimin tim për nji sekondë, e sikur të kishte kuptue pyetjen, iu afrue derës, e shtyni atë lehtësisht e me kujdes, sikur nuk donte me thye heshtjen që ra prapë në dhomë, e tue mbështetë kurrizin për mur, nguli sytë në llampën elektrike, që ndriçonte zyrën. Rreth e rrotull saj, insektet e vogla silleshin si pa të keq, në nji botë të panjohun për ata. Dukej, se vetëm njerëzit, çmendeshin në këtë botë tonën…!
Kur u kthye, “kapiteni” ishte i zymtë. Nuk foli fare, qarkullonte më nervozitet nëpër dhomë, e thirri rojen: -“Partizan”! –“Urdhëro”! – “Merre këtë qen, e vare përjashta në pemë…”! Me duer të lidhuna shtrëngueshëm, i mbajtun për krahu nga roja, dola prej zyrës. Tue zbrit shkallët, nuk i besova veshët e mi. Pse u ndëshkojsha pa thanë asnji fjalë? Në katin përdhes, nji derë çonte në oborrin e ndërtesës, ku gjendeshin tri peme, të nji naltësie mesatare.
Njena prej tyne, ishte “pjeshka”. Roja, thirri “tetarin e rojes”, e të dy së bashku, mbasi më hoqën rrobet e trupit, tue më lanë në brekë, me lidhën me litar në të dy shpatullat, e më ngritën në ajër, derisa kaluen litarin mbi njenën nga degët e pjeshkës, dhe e forcuen. Kisha përshtypjen e çuditshme, se po ngjitesha në kryq! Atëherë, më zgjidhën duert nga para, e i lidhën përsëri nga mbrapa. Kur mbaruen këtë “operacion”, më lëshuan, e unë mbeta pezull, i varun disa centimetra mbi tokë.
Pesha e randë e trupit, e litari i ashpër, më shkaktuen nji dhimbje që nuk durova, e thirra me za të naltë: “Vdiqa, vdiqa”! “Pusho, derr!”, bërtiti roja me automatik. “Pusho, se do të dërrmoj me dru”! Por unë nuk pushova thirrjet, deri sa filluen të më mirren mendt. Dhimbja, ishte aq e fortë, sa më çmendi. Për fatin e keq, filloi nji shi i randë, që zgjati disa orë atë natë dhjetori. Duhet të kem humbë ndjenjat, ma shumë se nji herë, sepse zgjohesha vazhdimisht nga dhimbja e madhe. I lagun, kjo dhimbje bahej edhe ma e ndieshme.
Po humbsha zanin, merrsha frymë me shpejtësi, dënesat nuk pritshin njena-tjetrën, dhe nuk kisha asnji shpresë, se kjo torturë mesjetare, do të përfundonte para ardhjes së “kapitenit” në zyrë, në mëngjes. Kur mora vehten, isha në dyshemenë e qelisë sime, i shtrime e pa lëvizje. Kisha akoma duert e kambët e lidhuna me zinxhirë, por dhimbja që më çmendte, vinte prej dy sqetullave të rrjepuna nga litari. U përpoqa me lëvizë krahët, por nuk munda; dhimbja ishte nji torturë e vërtetë.
I lagun deri në kockë, i zhveshun, fillova me ndie edhe të ftohtit. Tue u dridhë, me dhimbje të padurueshme, e vetëm në atë qeli të errët, më hypi nji zemërim kundër xhelatit, që nuk e kisha pasë deri atëherë. U mbusha me urrejtje të pakontrollueshme, nji urrejtje, nga ata që në raste të veçanta, vrasin e shkatërrojnë. Nuk mujsha me u përmbajtë. Dhimbja kishte kalue çdo kufi. “Duhet të përbuzësh, duhet të përçmojsh, duhet të urrejsh, njeriun që vepron kështu,” thashë me vehte, “që të mundesh ma vonë me torturue, ashtu si bajnë sot komunistët”!
Në shoqninë e re, që “ata” kishin krijue mbi gjakun e të pafajshmit, e djersën e të shfrytëzuemit deri në palc, njerëzimit i merrej fryma para nji mendësie të këtillë, që e shtypte, e që “ata” shtypësit, nuk e kuptojshin! Si mund të nxitej ndërgjegja morale, tashti e vdekun e këtyne “udhëheqësve”, si mund të zgjoheshin ndjesitë e palosuna në krahët e gjumit të randë e të gjatë, që kishte zanë shtypësit nga dehja, që sillte krime kundër të pafajshmit?!
Nuk kisha asnji dyshim, se ashtu si në të gjithë botën, edhe në vendin tim, vetëm elementi ma i ulet i shoqnisë shqiptare, pranonte të jetë torturues, oficer Sigurimi, drejtor burgu, ose “antar partie”. Vetëm ai element që e gjente kënaqësinë në botën e vajit, dënesës, e torturës. Dhe fatkeqësisht, në fazat e vështira të poshtnimit e vuejtjes që ata shkaktojshin, ata ishin ma të fortë se viktima, e ishte kjo ndjenjë falso e epërsisë që ata ushqejshin, për mbulimin e pasigurisë së brendshme, që i mundonte.
Përreth meje, nga çdo qeli, vinte zani i të burgosunve të torturuem me ashpërsi nga oficerët e Sigurimit, roli i të cilëve ishte me përpunue “procese” rrëfimesh, për krime të pakryeme, e me zbulue “armiqtë e popullit”. Me këtë, ata provojshin tezën makabre komuniste, se të gjithë të arrestuemt ishin “fajtorë”. Xhelati, nuk pranonte të ishte gabim, e ishte i gatshëm me torturue, që të “krijohet” faji, e të denohet “fajtori”, pa faj.
Fshamja e dënesa e të rrahunve për vdekje, ose të lanun pa ushqim e pa ujë për ditë me radhë, e në pamundësi me krye nevoja biologjike, nuk pushojshin gjithë ditën e gjithë natën. Shamjet e rojeve e kërcënimet e tyne, përziheshin me zanin e të mjeruemve të mbyllun hermetikisht, krijojshin kakofoninë që rrjedhte nga dialogu absurd, në mes të dy botëve antagoniste: xhelat e viktimë. Ishte rrethi i ferrit dantesk të nëntokës! Në këtë botë të nëntokës, e përtej botës sonë, më kalojshin para sysh skenat naive të takimeve tona, diskutimet plot pasion, e frika që kishim nga dekonspirimi i mundshëm.
Ishte e qartë, se ato ditë, të gjithëve na mungonte përvoja e organizimit në grupe klandestine për veprime “ilegale”. Çdonjeni nga ne, vuente nga i njajti mentalitet naiv: sa të drejtë morale kishim na me marrë me vehte elementë të rij, studentë e nxanës, e sidomos vajzat, pa informue secilin për rrjedhimet e mundshme, që vijnë prej akteve konspirative? Sa të aftë ishim na, me paraqitë nji kuadër të terrorit të kuq, kur nuk e njihshim atë në ato ditë të veprimtarisë “ilegale”?
Asnjëni nuk kishte provue burgjet e torturat e Sigurimit! Nji mbrëmje, ndërgjegje e padurueshme na mbulonte, e ndikonte thellë mendimin tonë në ato ditë entuziazmi, e si rrjedhim aksionin tonë. Kishim hy në nji rrugë të panjohun, e nuk kishim as dëshirën, as vullnetin me u ndale, pavarësisht nga e paprituna. Por fakti, që kjo mbrëmje ndërgjegje frenonte entuziasmin ton, provonte, se nuk kishim humbë akoma, në llumin e politikës oportuniste, që nuk përbuz asnji mjet, dhe se aksioni jonë, ruente akoma etikën themelore të respektimit të jetës dhe dinjitetit të çdo personi, që na afrohej, e ofrohej me bashkëpunue.
Kjo fitore shpirtnore, që damtonte randë efektin e veprimtarisë sonë rebeluese ku ishim angazhue, mbetej përsëri për mue e shokët e mij, fitorja ma e madhe që kishim arrijtë në ato momente vendimtare. “Njeriu”, nuk duhej sakrifikue në altarin e “kauzës”, për arsye të “fitores”. Këtu ishte dhe dallimi thelbësor i qëndrimit tonë, me atë të “komunistëve”, gjatë luftës dhe ma vonë.
Logjikisht, nji qëndrim i këtillë, ishte nji rrugë pa krye në botën e aksionit, sepse bante të pamundun “fitoren” e rebelimit tonë të sinqertë, e të justifikuem. Ai qëndrim, ishte i paracaktuem që në fillim me humbë, ishte pa të ardhme. Kjo asht “logjika” e aksionit. E megjithatë, na vazhduem rrugën tonë deri në arrestimin e paevitueshëm. Naivitet fisnik! Në vetminë ku isha zhytë, gjithçka nga e kaluemja ime dukej e pabesueshme, nji andërr, që avullonte para realitetit të kësaj torture. Sa ndryshim, me komunistët e karrierës, me “profesionistët”!
Ata ishin aktivistë kambëngulës, vrapojshin me pasion mbas dëshirës e interesit të tyne. Nuk kishte skrupull që i ndalonte. Ata nuk mendojshin; ata veprojshin, ndjekshin urdhnin e “eprorit”, ose të instiktit tyne vetjak. Ata nuk bajshin pyetje, as ndiejshin nevojën për përgjegje. Ata nuk ishin tolerantë, e nuk kishin frikë nga opinionet e tjerëve. Ata nuk kishin frikë nga rreziku, sepse në brendinë e tyne, dëshirojshin nji jete të rrezikueme.
Me këtë ndërgjegjësim, ata nuk ndaloheshin para krimit të vrasjes së kundërshtarit. Ata vritshin, sepse zani i ndërgjegjes tyne ishte mbytë. Aksioni për ata, ishte amoral. Shpesh herë, aksioni i tyne ishte thellësisht imoral, por efektiv e kjo kishte randësi, sepse kjo optikë sjelltë “fitoren” e dëshirueme, pushtetin absolut! Dera e qelisë u hap e nji roje e kuqe hyni brenda, më zgjidhi kambët e lidhuna me zinxhirë, e tue mbajtë hundën nga era e qelbësinës brenda në qeli, më tha se do të më transferonte në nji burg tjetër.
Ishte nji dhomë e Kuvendit Françeskan në Shkodër, në mes nji serie dhomash në të dy anët e korridorit të gjatë, të pastër, por pa shumë dritë. Dhoma ime kishte nji shtrat, ndoshta krevati i nji frati. Më ulën në shtrat, më lidhën njenën kambë për hekurat e shtratit, e më zgjidhën prangat e duerve. Nga qelia e errët e Sigurimit, në nji dhome të pastër, ndryshimi ishte si dita me natë.
Errësina e qelisë, kishte qenë “nata” ime, për tre muej me rradhë. Dritorja, kishte kapakët e gozhduem që të mos hapej, por pjesa e sipërme, ishte prej xhami që ulej e ngrihej, e lejonte hymjen e dritës, e nga nji herë të ajrit të pastër. Kjo ishte “ditë” për mue. Nji ditë e bukur me diell! Nga dritorja, shihsha nji copë qielli pa re. Nji bukuri e pabesueshme! Shihsha diellin e ndiejsha freskinë e ajrit të pastër, megjithë ndytësinë e rrobeve të mia, mjekrën e parrueme për tre muej, e sidomos milionat e morrave të çdo rrace…! S’prishte punë; isha i lehtësuem, gati me fluturue…!
Në këtë gjendje galdimi të papritun, i thirra flladit. “O fllad! Merrmë me vehte! Në hapsinën e pafund të qiellit të kaltërt që më mohohet, më fluturo. Më dërgo atje, ku vuejtja nuk gjen banesë. Le të mbushet përsëri gjoksi im me frymën e botës pa pengesa, pa pranga. Në fluturimin tand andrroj unë sot me ty me ardhë, lirinë me shijue, vrapin tand me gëzim me ndjekë, e me kthye pa drojë në shtëpi, me pushue pa frikë, e në çaste vetmie e andrrimi, ditët e mia rinore me shijue, e afshin e zemrës që rreh me fuqi”./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm