Nga SAMI REPISHTI
Pjesa e njëmbëdhjetë
Sami Repishti: – Në Shqipni, nuk ashtë dokumentue e ndëshkue krimi komunist i së kaluemues, nuk ashtë ba “spastrimi shpirtnor”, rrëfimi i ndërgjegjshëm e denoncimi i kriminelëve ordinerë komunistë! –
– ‘Nën hijen e Rozafës’ –
Memorie.al / Gjatë viteve ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluem, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë, ma parë e ma vonë mbi të gjithë botën, “fati” zuni për gryke edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rijt, edhe unë u gjenda në nji udhëkryq ku duhej marrë nji qëndrim, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Atëherë i thashë “jo” diktaturës, e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuajse më vrau, më çliroi njëkohësisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist dhe komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makro-politikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjësova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe dëshira për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuem, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet.
Nuk kishte dyshim se, vendi im kishte hy në nji qorrsokak të modelit të fundit bashkëkohor. Shoqnia e re kishte vra me dorën e vet, ambiciet e saj morale. Ajo ishte capërtisë nga egërsia e frymës dhe e aktit shkatërrimtar, që e mbajshin në kambë. “Njeriu i ri”, ishte vetëm nji përbindësh i ri, por ma finok! Tek ai, gjithçka ishte e përqendrueshme në nji pikë: urrejtje! Tek ai, gjithçka ishte e drejtueme nga nji ndjenjë: hakmarrje! Tek ai, gjithçka ishte e frymëzueme nga nji qëllim: etja e pangopshme për pushtet absolut!
***
Gjyqet politike, të administrueme nga autoritetet ushtarake, ndiqshin njeni-tjetrin. Në kryeqytet, dënoheshin publikisht e me zhurmë, kuislingët e nacionalistët e gabuem. Në qytetet e fshatet e gjithë vendit, dënoheshin në salla të mbylluna e në heshtje, grupe qytetarësh, me akuzat ma të vogla e shpeshherë, absurde e të trillueme, tue ngjallë tmerrin e popullsisë së hutueme. Autoritetet e vendit mbulojshin gjurmët e krimit, me fjalime e manifestime publike shurdhuese. Çdo lagje krijoi “këshillin” e vet, me detyrë mbikëqyrjen e veprimtarisë së banorëve të saj.
Mbledhje politike pa mbarim, konsumojshin orët e lirë me ndigjimin e raporteve politike, të lexueme nga “agjitatorë” gjysmanalfabetë. Heshtje e duartrokitje, ndërsa frika mbulonte gjithçka. Gjatë natës së errët, ziejshin ndjenjat e zemërimit të nji popullsie të shtypun, si vullkani i gatshëm me shpërthye në rastin ma të parë. Në këtë errësirë që na mbulonte, çdonjeni i ndigjonte me zemër të ngrime prishjen e qetësisë, e tinëzisht e me ngadalë, andej kah mëngjesi, kur feksjet e para të dritës në lindje, lajmojshin ditën e re, ngrente kokën me kujdes, sikur dëshironte me pa diçka, ma përtej…!
Krisma e nji breshnie plumbash, priste fijen e gjatë të heshtjes që zente frymën, e thente qetësinë me ritëm të caktuem….e dukej sikur këpuste lulen që bien, e rikthehen në pushim të përhershëm. Ishin netët e ekzekutimeve me grupe, ku bashkë me viktimat, vritej edhe zemra e nji populli mbarë. Gjendja e padurueshme rreth nesh, krijoi sensin e nji etike të përgjegjësisë personale, sidomos ne me te rinjve e që, ma vonë, mori forma kolektive. “Grupi” ndjente nevojën e gjykimit të ngjarjeve e të akteve të sunduesve. Nga “grupi”, vinte shtymja e pakënaqësisë, thirrja për mosnënshtrim e për revoltim. Çdo ditë e ma shumë, ajo merrte nji formë konkrete me hovin shpërthyes që mundësonte aktin guximtar të përballimit të ortekut që marshonte me shpejtësi.
Ishte revoltimi kundër padrejtësisë, jo individuale, por themelore, të përgjithshme, kundër padrejtësisë së organizueme në sistem, që zhvishte qytetarët e lirë, nga dinjiteti i tyre njerëzor! Ajo që na mungonte, ishte “ideologjia”, nji sistem mendimi i përpunuem sistematikisht e veçanërisht, i dëshirave dhe aspiratave tona. Konservatorizmi i shoqnisë së mëparshme, ngrihej para nesh me të gjithë pamjaftueshmërinë e tij. Megjithatë, vendi jonë kishte nji traditë lirie, që na krenonte. Ndoshta, ishte kjo krenari që dramatizonte në sytë e mi, përplasjen në mes të botës së vjetër e asaj të re, pengu i së cilës isha unë, këto ditë.
Kjo traditë e ndërtueme me gjak e djersë, prej breznish të tana, rrezikohej me u shembë nga grushtet e vandalit të ri. Ajo tradita, duhej ushqye, që të mos lejohej shumja e saj e plotë e në heshtje. Me nji të kalueme që nuk pranojshim, me nji të tashme që përbuzeshim, nuk mbetej tjetër, veçse të idealizojshim nji të ardhme të panjohun, por të veshun me rrobat e fantazisë rinore. Këtu, fillonte lundrimi jonë në detin e gjanë, pa brigje!
***
Në këto ditë kërkimi për nji rrugëdalje, takova nji frat françeskan, Pater Gjonin, emni i të cilit përmendej me admirim nga të rijt e qytetit, e ngjallte mirëbesim. Në muzgun e nji mbrëmjeje, kalova pragun e shkollës së mesme Françeskane, në shoqni të Ndocit, nji kolegu të besueshëm, e u ngjita në katin e dytë. Në tryezën e nji sallë leximi, gjetëm fratin që na priti me gëzim. Ishte takimi im i parë, me nji klerik katolik të njohun. Ky çast vendimtar në formimin tim politik, ishte shumë i rëndësishëm. Me nji thjeshtësi karakteristike të ndjekësve të Shën Françeskut të Asizit, frati na përshëndeti. E ndjeva veten, “si në shtëpi”. Më pyeti për ngjarjet e ditës, e fola pa ndërprerje, me zemër, ma shumë se me mend.
Ai ndigjonte, buzëqeshte nganjëherë, por nuk isha në gjendje me pa mirë në fytyrën e tij, efektin e fjalëve të mia. Nga dritorja hynte e zbehtë, drita elektrike e rrugës kryesore të qytetit. Në atë dhomë pa dritë, pata ndjenjën e plotë të punës konspirative, megjithëse bisedimi jonë, ishte thjesht nji dialog, shkëmbim mendimesh që, në çdo vend tjetër, lejohej me u zhvillue në forma të lira. Por jo në vendin tim! Frati, ishte ma koshient, i seriozitetit të takimit tonë. Ishte e qartë se ai e kishte pranue takimin, si nji akt “ilegal” dhe se, e dëshironte atë. Më foli me bindje të plotë se, ditët që po jetojshim, ishin të vështira për të gjithë, por sidomos, “për organizata të themelueme mbi parime që kundërshtojnë ateizmin”.
Ai e kishte të qartë se, ballafaqimi i ideologjisë materialiste e i sistemit politik të ngritun nga “bolshevikët ateistë”, siç i quante ai, me ideologjinë idealiste të fesë e sidomos, me organizimin e Kishës Katolike, si një institucion ndërkombëtar, ishte i paevitueshëm dhe kjo e frikësonte, “jo për vete”, si tha ai, “por për të ardhmen e Kishës sonë, këtu në Shqipni”. Nuk ia shifsha fytyrën fratit që, në atë moment, duhet të kishte qenë shumë serioze. Por zani i vinte i plotë, pak i randë, megjithëse fliste me za të ulët.
Frati vazhdoi me tregue lidhjen e pazgjidhshme të Kishës Katolike, me historinë e vendit tonë, e Europën. “Megjithatë, çdo herë kemi pasë përkrahjen e Europës së krishtenë. – Sot, – vazhdoi ai, – “Europa po ndahet, e vendi jonë asht caktue me qenë pjesë e Lindjes, ku mbretnon rendi bolshevik. Sot jemi pa mbrojtje efektive nga nji qeveri e fortë. Sot jemi vetëm”! Mbas nji pushimi të shkurtër, sikur donte me sigurue veten, para sfidës që e kërcënonte me asgjasim, frati tha: “Nuk do të provokojmë; nuk asht roli jonë. Por njëkohësisht, nuk mund të heqim dorë nga feja e nga Kisha e Romës. Ata janë jeta e nana jonë. Pa ata, qenia jonë si klerikë, s’ka kuptim”.
I fola për predispozicionin shpirtnor të të rinjve që, ashtu si unë, ishim zanë robër të nji situate që kalonte fuqitë tona me e ndryshue dhe se, na mungonte “ideologjia”, nji sistem i formave të mendimit e sidomos, përgatitja e nji plan-veprimi, në kushtet e krijueme nga diktatura e re. Ai tha se e kuptonte dilemën time e të shokëve të mi, por frikësohej se, vrulli i entuziazmit tonë djaloshar, do të na dëmtonte randë. “Armiku që përballojmë”, theksoi ai, “asht shumë finok, me përvojë të gjatë në Rusinë bolshevike, dhe krejtësisht barbar. Për nji gja duhet të jeni të qartë: qytetnimi perëndimor nuk ka penetrue në Rusi; ai asht i huej për bolshevikët. Në të vërtetë, ai asht i rrezikshëm për ata. Sot kemi përleshjen e dy vigajve, me dy qytetnime, jo vetëm të ndryshme, por armiqsore deri në vdekje”.
Por frati nuk shkurajoi dëshirën tonë për veprim. Përkundrazi ai e dëshironte. Ai përpiqej me ngulë në mendjet tona, nevojën absolute për veprime të matuna, si dhe të na ndërgjegjësonte për rrezikun e madh që përballojshim. Ai na këshilloi që, çdo lëvizje e jona të jetë “e përbashkët” e sidomos, pa dallime fetare. “Kam marrë vesh,” tha ai, “se në Kroaci, lëvizja antikomuniste, përfshin nji përqindje të madhe vajzash. Jetojmë në nji bote të re, përballojmë nji armik të ri, e të vendosun me na shkatërrue. Mendoj se, edhe në Shqipni, roli i femnës duhet të ndryshojë….”! Kërkova të përdorim teknikën e gjimnazit, por ai u përgjigj: “e kanë konfiskue”.
I tregova se mendojshim me përgatitë e shpërnda nji trakt kundër “pushtetit”, natyrisht ilegalisht. Ai e aprovoi. Na këshilloi të kundërshtojmë zgjedhjet elektorale të 2 dhjetorit, që pushteti i ri do të mbante me qëllim të ligjësimit të ardhjes e qëndrimit në fuqi. I premtova se do të mbajsha kontakte të rregullta me të dhe, se do të respektojsha kërkesën e tij me mbajt sekretin e takimit, e u ndamë. Tre muaj ma vonë, nji valë arrestimesh masive të Klerit Katolik Shqiptar në Shkodër, përfshiu edhe fratin tim. Ashtu si klerikët e tjerë, ai u torturue, i akuzuem për “tradhti”, u dënue me vdekje e u pushkatue…! Ndërkaq na kishim shpërnda dy trakte ilegale, e kishim protestue me anë të nji memorandumi në gjuhën franceze, “manipulimin” e votimeve pranë autoriteteve “aleate”, që vizituen vendin ato ditë. Suksesi jonë fillestar, e kishte gëzue fratin e izoluem në Kuvend.
Mbas arrestimit të tij, grupi jonë u trondit. Të gjithë jetuem me frikën e zbulimit të kontakteve tona. Hedhja e trakteve ilegale, iu mvesh nji grupi tjetër të rijsh, që u dënue pa faj. Por nga frati, nuk doli asnjë fjalë. Ndoshta, vetëm në qelinë e errët të burgut e, në pritje të ekzekutimit, ai do të ketë mendue edhe për takimin e grupin tonë, e do të jetë lutë për ne e për punën tonë, që ai filloi me çmue. Ndoshta, në ato çaste vetmie, ku vetëm zani i ndërgjegjes ndigjohet i qartë e, ku fuqia vjen vetëm nga besimi në nji ideal të naltë, të pathyeshëm, ky bir i Shën Françeskut do të jetë ngushëllue, me mendimin se, jashtë mureve të burgut, po rritej nji rini e shëndoshë, guximtare, që nuk pranonte degjenerimin moral e nënshtrimin e turpshëm ndaj diktaturës “bolshevike” dhe se, kjo rini mbetej shpresa e vetme, për mbijetesën e kombit tonë e, si rrjedhim, e vazhdimësisë së Kishës Katolike në Shqipni.
Ky mendim e kjo shpresë duhet ta kenë ngushëllue fratin tonë, këtë Klerik Katolik Shqiptar, të dedikuem e të dënuem me vdekje, pa faj…! “Ligjësimi” i fituem me zgjedhjet e manipulueme parlamentare, u kuptue si dorë e lirë veprimesh, ligjore e joligjore. Forca e autoritetit, kaloi çdo pengesë; ajo u ba e gjithanshme, e plotfuqishme, e papërgjegjshme. Me këtë mandat, filloi mobilizimi i popullsisë, për aksione në shkalle të gjanë. Grupe vullnetarësh, sidomos të rinjsh, u mobilizuen me nënshtrue popullsinë vendëse. Nji trajtim i këtillë, ngjalli armiqësi të vjetra e kjo krijoi mundësi për hakmarrje të vjetra, “me dorë të pushtetit”. Shoqnia tradicionale shqiptare, e kodi i saj, pësuen nji goditje të randë e fatale.
Efektet e nji “mobilizimi” të këtillë u panë shpejt, sidomos në fshatrat e vendit. Me ardhjen e stinës së verës, në lamije gruni ose në qendra katundi, anëtarët e partisë, zotër të plotfuqishëm të jetës së banorëve vendës, që kishin humbë mbrojtjen e ligjit, merrshin vendime “në emër të Partisë e të popullit”. Skuadra vendëse, zbatonte me përpikmëni urdhrat e dhanun nga padroni i padiskutueshëm: aty, në ato lamije pune, rraheshin burrat me dru, ma keq se kafsha, nën sytë e grave e fëmijëve, që ulëritshin e luteshin për mëshirë, ndërsa mashkujt heshtnin nga frika. Aty, në atë shesh të katundit, pushkatoheshin, shembull për të tjerët, pleq e të rij, fajtorë, pse nuk kishin pasë guximin me vdekë me armë në dorë. Ishte koha me zgjedhë: me përballue stuhinë shfaruese, ose me pësue forcën e saj shkatërruese. Shumica e pësojshin të parevoltuem, sepse ishin të bindun për pafajësinë e tyne.
Ata nuk arrijshin me kuptue se, nuk ishte “faji” që dënohej. Ose shtyp me kambë, ose shtroju shesh për kambën, si urë kalimi për shtypsin e ri,… vuej e vdis i shtypun! Në piedestalin e perëndive, ku qëndrojshin komunistët pushtetarë, raportet me njeriun e thjeshtë, përcaktoheshin nga ngritja e zbritja e intensitetit të tiranisë që mbretnonte në vend. Para kësaj tiranie, që ushtrohej nga nji qeveri shtypëse, raportet e rebelit e të viktimës me perënditë e kuqe, rregulloheshin nga mbajtësi i pushtetit absolut. Ballafaqimi i përhershëm viktimë-xhelat, përmbante esencën e tragjedisë shqiptare të atyne viteve: heronj rebelë që vriteshin e, jetët e viktimave të nënshtruem, që shuheshin në nji heshtje mbytëse e të imponueme, nga Olimpi grykmadh, i verbët dhe i pamend!
Komunistët shqiptarë që drejtojshin të gjitha aspektet e jetës së vendit, nuk kishin kuptue as të dhanat ma fillestare. Ata nuk pranojshin parimin se, asgjë nuk justifikonte humbjen e nji jete njerëzore dhe se, çdo shqiptar, që nga malësori i pavarun i Kelmendit e, deri te labi që kërkon punë me sigurue bukën në Vlorë, të gjithë ishin qenie njerëzore, të lira dhe me dinjitet. Ata nuk pranojshin se, çdo banor i kësaj toke, që digjej me zjarr, në këtë vend që vaditej me gjak të pafajshëm, brez mbas brezi e, në mënyrë të rregullt, si të ishte “thanë prej Zotit”, çdonjeni ishte bir e bijë e këtij vendi te përbashkët, për të gjithë e, që quhej atdhe nga të gjithë, shtëpi e përbashkët për të gjithë, pa asnji dallim. Gjate vjetëve të terrorit fashist, në mes të entuziazmit të fitores mbi të huejin, i pushtuem nga admirimi për aq shumë luftëtarë që u hodhën në flakën e altarit të lirisë, nuk gjejsha qetësi nga gëzimi.
Por, kjo sasi e çmueshme vullneti për aksion çlirimtar, a kishte, në të vërtetë, vlerë sot, para qëndrimit përçmues për njerëzimin?! Cila ishte pesha e luftës së djeshme, para degradimit moral ku kishin ra sot, para përpjekjes absurde me përmirësue cilësinë e “njeriut të ri” shqiptar, me dhunë?! Cilët krahë do të ngrejshin përsëri trupat e rrëzuem për tokë, nga grushti shtypës?! Cila gjuhë do të shqiptonte përsëri fjalët frymëzuese, për veshët e shurdhuem nga krisma e armëve vrastare?! Cila dorë do të shtrëngonte përsëri e me dashuni, dorën tjetër me gishtat e këputun në torturë?!
Cila ndërtesë e landës së pashpirt, do të qëndronte në kambë, mbi themele të hapuna si vorreza kolektive?! Ata që ndërtojnë kullat e shëmtueme për qendra banimi paqësore, gabohen randë: në mesin e natës, kur çdo gja pushon, nga truelli i mbuluem ndër gurët e randë, gjama e të pafajshmëve, të hedhun dosido nga shkelmi partizan, do të ngrihet çdo natë, kumbuese si kumbona e kumtit të vdekjes. Cila ndërgjegje e randueme nga krimi, do të jetë atëherë në gjendje me pushue qetësisht?! Krymbi i krimit të kryem, nuk do të pushojë, derisa të brejë pa mëshirë dhe kandin ma të largët të ndërgjegjes fajtore. Vetëm kafshët që nuk kuptojnë vuejtjen njerëzore, vetëm ato do të mbijetojnë! Arrestimet e dënimet e pandërpreme e mbajshin popullsinë në nji gjendje të përhershme tensioni e frike. Të akuzuemt nuk ishin ma “bashkëpunëtorë” të okupatorit.
Në sallat gjyqësore, u paraqitën figura të shqueme të “Luftës Nacional-Çlirimtare” e të rezistencës kundër pushtuesit. Ishte e qartë se, regjimi i ri ishte drejtue kah nji monizëm politik totalitar, pa kondita, pa rezerva. Grupi jonë shpeshtoi takimet, por për mungesë mjetesh teknike, u kufizue vetëm në diskutime, që nxirrshin në shesh aktet e paligjshme të pushtetit të ri. Marrëdhaniet me botën e jashtme keqësoheshin çdo ditë e me qëllim, nga nji qeveri që, hap mbas hapi, hynte ne sferën e influencës jugosllave.
Prania e nji numri të konsiderueshëm instruktorësh jugosllave, përçudnimi i marrëveshjeve dypalëshe, të gjitha në dam të vendit tonë e veçanërisht, perspektiva e “federacionit ballkanik”, nën udhëheqjen e Titos, jepshin landën e duhun, për dikutime të gjata e me pasion. Jetojshim në nji atmosferë të zjarrtë, kërcënuese, por frymëzuese për veprim njëkohësisht. Çdo gja që shihej, çdo lajm që ndigjohej, justifikonte qëndrimin e qëndresën tonë.
***
Në maj të vjetit 1946, në qytet u zhvillue demonstrata e parë antikomuniste, e qetë, por e fuqishme e krejtësisht spontane, nën sytë e vëzhgimin e Sigurimit. Ishte funerali i Arqipeshkvit Katolik, që vdiq, ndërsa mbahej në gjendje arresti, në shtratin e vdekjes. Nji shfaqje madhështore e simpatisë popullore, për nji të përndjekun të regjimit, elektrizoi atmosferën e qytetit. Procesioni mortor kaloi nëpër rrugët kryesore, e rreth Katedrales qendrore, ku u banë lutjet e fundit. Turma e panumërt, katolikë e myslimanë, ndiqte arkivolin, në heshtje e dinjitet.
Shpirtët tonë ishin të ekzaltuem, mendjet tona të qarta, e dëshira jonë me tregue ndjenjat armiqsore kundër diktaturës, mundi atë ditë frikën e përndjekjes nga Sigurimi i Shtetit, që na përcjellte kamba-kambës. Atë ditë, të gjithë pjesëmarrësit, pa ndryshim besimi, u ndjemë katolikë, demokratë, shqiptarë, të bashkuem kundër armikut të përbashkët, diktaturës komuniste, në nji përpjekje me rifitue lirinë e grabitun me dhunë.
Mbi kokët tona, ngrohtë dielli pranveror i majit! Pakënaqësia ishte e përgjithshme. Kudo shiheshin shenjat e nji dëshirë me u organizue, me veprue, me përballue diktaturën që rëndonte çdo ditë, me thye hallkën e hekurt, që na shtrëngonte çdo orë e ma shumë. Si izraelitët e Europës naziste, na u gjetëm para nji psikologjie zyrtare, që mbështetej në mohimin e qenieve tona si “njerëz”. Tue fillue me parullat; “me ne; ose kundër nesh”, komunistët na thanë pa asnji ndrojtje: “Ju, nuk keni vend këtu”!
Ma vonë, kur pushteti u forcue, ata shtrënguen rrethin e hekurt: “armiqtë e popullit, në litar”! derisa hoqën maskën: “Merrni sopatën e bjerini në kokë, cilitdo që guxon të flasë…”! Ma thjesht, kjo parullë donte të thonte: “Nënshtrim ose vdekje”! Para këtij kërcënimi, vendosmënia jonë me rezistue nënshtrimin, u rrit edhe ma shumë. Ishim pjesëtarë të nji lëvizjeje të madhe e, që plotësonte kërkesat tona, emocionale e logjike.
Ishim të bindun se, lëvizja jonë ishte përparimtare, për atë kohë e për vendin tonë. Kjo na jepte mbështetje, i përgjigjej pyetjeve tona. Ishte nji lëvizje që po ndërtohej me hedhë poshtë barrën shtypëse që bante absurditetin e gjendjes sonë, ma të durueshëm. Nga koncepti i armikut të “klasës punëtore”, në nji vend pa klasë punëtore; i shfrytëzuesit, në nji vend ku të gjithë ishin të shfrytëzuem nga vorfnia që i shoqnonte si këmisha e coptueme në trup, që nga djepi, deri në varr; i shtypsit, në nji vend që për tremijë vjet shijoi vetëm shtypjen e përbuzjen e të huejit, dogmatikët e erresinës komuniste kaluen në konceptin ma konkret të “armikut të popullit”.
Cili armik?! Bujku i harruem dibran, apo çobani naiv i Lumës e Tropojës?! Skeleti i Mirditës që nuk u ngop kurrë me bukë, pse ishte e uritun për liri?! Druvari i Pukës së izolueme, apo i Dukagjinit magjepsës, që ende veshë lëkurën e dashit si rrobe të vetme, dimën e verë, sepse dëshira me jetue i lirë në krepa, asht ma e fortë se pagesa e qytetit, që e ndryn në barakat e Kirit! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm