Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Sofokli Lulos me origjinë nga Gjirokastra i cili në vitet ’50-të studioi në Varshavë, u diplomua për Inxhinieri Ujore dhe kur u kthye në Shqipëri punoi për disa vite në tharjen e Kënetës së Thumanës, e më pas si pedagog në Institutin e lartë Bujqësor të Kamzës. Dëshmitë e Sofokliut për bisedat me shokun e tij të ngushtë, Spiro Nikollën, me origjinë nga Vlora që punonte si kryeinxhinier i parkut të Eksportit në Tiranë, si dhe me shokët e tjerë, ish-studentë në Poloni, lidhur me kontrastin e thellë që ekzistonte në mes dy vendeve dhe prapambetjen e madhe të Shqipërisë. Arrestimi i Spiros dhe Sofokliut në vitin 1974, së bashku me një “grup armiqësor” ku bënin pjesë edhe Drejtori i Kombinatit Ushqimor “Ali Kelmendi”, në Tiranë, Vedat Buzi, si dhe dy vëllezërit nga Shkodra, Adem dhe Shuaip Nurja, Faik Gojani, Xhevat dhe Ylli Alibalin etj., të cilët u akuzuan si “agjentë polakë” dhe u dënuan me burgime të gjata.
Që kur ishim me studime në Poloni në vitet 1950-të, unë së bashku me shokun tim të ngushtë, Spiro Nikollën, filluam të shfaqnim pakënaqësitë e para, ndaj regjimit komunist në Shqipëri dhe këto biseda i bënim kur dilnim në shëtitje në kohën e lirë. Ne shihnim fare mirë gjendjen ekonomike të mjeruar ku ndodheshim dhe bënim krahasimin me Poloninë e vendet e tjera të Lindjes, që ndryshonin aq shumë me ne. Nisur nga kjo, gjatë një takimi që Pilo Peristeri bëri me ne, që studionim në atë kohë në Varshavë, unë u ngrita dhe i thashë se: nuk na dilte dieta dhe me atë kuotë që na jepte shteti shqiptar, nuk plotësonim as nevojat më elementare që i duheshin një studenti, për të vazhduar universitetin. Këto biseda ne i vazhduam edhe pas kthimit nga Polonia, ndonëse Spiro ishte në detyrën e kryeinxhinierit të Parkut të Tregtisë në Tiranë, kurse unë isha pedagog në Universitetin Bujqësor të Kamzës. Kështu e kujtonte Sofokli Lulo, periudhën kur ai ishte me studime në Poloni dhe bisedat me “spec” që bënte me shokun e tij, lidhur me gjendjen e prapambetur ku ndodhej Shqipëria e asaj kohe. Ish-pedagog i Universitetit Bujqësor të Kamzës, rrëfen të gjithë historinë, se si në fundin e vitit 1973, ai së bashku me gjashtë shokë të tij, që kishin mbaruar studimet në Poloni, u arrestuan dhe u dënuan me burgime të rënda, duke u akuzuar si “agjentë të polakëve”.
Sofokliu, student në Poloni
Sofokliu u lind në vitin 1933, në qytetin e gurtë të Gjirokastrës, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Duke qenë se Sofokliu ishte më i madhi nga vëllezërit e motrat e tij, pas mbarimit të shkollës së mesme në qytetin e lindjes, ai kishte dëshirë që të vazhdonte studimet e larta dhe të punonte për t’i ardhur në ndihmë familjes. Lidhur me këtë Sofokliu dëshmon: “Pas mbarimit të gjimnazit në Gjirokastër, në tetorin e vitit 1953, fitova një bursë shtetërore, për të vazhduar studimet e larta në Poloni. Në fillim më dërguan në qytetin e Krakovit ku ndodhej Fakulteti i Inxhinierisë Minerare, meqenëse mua më kishin premtuar se do të më dërgonin, për Inxhinieri Ndërtimi, i bëra një letër ambasadorit shqiptar në Varshavë, Petro Papit. Pas asaj letre, mua më erdhi përgjigja pozitive dhe më tërhoqën që andej e më dërguan në Universitetin e Varshavës, ku fillova studimet në Fakultetin e Përmirësimeve Ujore. Në atë fakultet unë studiova, për shtatë vjet dhe në vitin 1961, mora titullin Magjistër në Inxhinieri. Gjatë asaj periudhe, unë për një vit drejtova dhe organizatën bazë të partisë, të studentëve shqiptarë që ishin në Poloni, për arsye se unë isha anëtar partie që në Gjirokastër. Në atë kohë që ishim në Poloni, na vinin për të na vizituar e bënin takime me ne edhe funksionarë të lartë të shtetit shqiptar, si Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Mihallaq Ziçishti, Pilo Peristeri etj”.
Ankesa te Peristeri për kushtet
Sofokliu tregon: “Kur shkuam në fillim në Varshavë, ne studentët shqiptarë u gjendëm përballë një situate të vështirë, sepse dieta që në kishte akorduar shteti shqiptar, ishte mjaft e ulët dhe nuk plotësonte as nevojat më elementare, që i duheshin një studenti për të vazhduar fakultetin. Nisur nga ky fakt, disa prej studentëve filluan të flisnin me njëri-tjetrin dhe të ankoheshin, për pamundësinë e vazhdimit të studimeve në ato kushte. Në këtë kontekst fillova të flisja edhe unë me shokun tim Spiro Nikolla, i cili në atë kohë vazhdonte studimet për Inxhinieri Mekanike po në Varshavë. Spiron e kisha shok të ngushtë dhe ne bisedonim me njëri-tjetrin si miq. Kishim shumë rezerva ndaj regjimit komunist në Shqipëri, ku punëtorët dhe fshatarësia, nuk kishin as bukë për të ngrënë, nuk po shikohej as një shenjë perspektive për të ardhmen dhe njerëzit, dënoheshin për një fjalë. Ne bënim krahasimin e Polonisë dhe vendeve të tjera të Lindjes me Shqipërinë dhe shikonim se ndryshimi ishte i madh. Këto biseda unë me Spiron i bënim gjatë kohës së lirë, kur dilnim shëtitje rrugëve të Varshavës, sepse ishim të sigurt që për ato fjalë, mund të përfundoje në burg, apo të paktën i përjashtuar nga fakulteti. Në atë kohë na erdhi në Varshavë, Pilo Peristeri dhe gjatë një takimi që ai bëri, me ne studentët shqiptarë të Polonisë, unë përfitova nga rasti dhe ia bërë prezent gjendjen tonë të vështirë, duke i thënë se nuk na dilte dieta dhe me aq sa na jepnin, nuk mund të shkonim dot në Fakultet, njëlloj si studentët e tjerë. Pas meje u ngritën dhe disa studentë të cilët parashtruan të njëjtat probleme dhe në fund të takimit Pilo Peristeri, premtoi se ato do t’i bënte prezent, sapo të kthehej në Tiranë. Pas atij takimi, na i ngritën kuotën mujore të dietës, dy studentë shqiptarë që kishin ngritur të tilla probleme, u përjashtuan nga Fakulteti dhe i kthyen në Shqipëri. Njëri prej tyre vazhdonte fakultetin për Arkitekturë dhe ai gjatë bisedave me shokët e tij, kishte lavdëruar arkitekturën Perëndimore e kishte shprehur rezerva për arkitekturën që aplikohej në vendet e Lindjes”.
Arrestimi i “grupit agjenturor”
Pas diplomimit në vitin 1961 në Varshavë, Sofokli Lulo u kthye në Shqipëri dhe u emërua në Kantierin e Ujerave të Mamurrasit, ku asokohe kryheshin punimet për bonifikimin e fushës së Thumanës. Lidhur me këtë, Sofokliu kujton: ” Në kantierin e Thumanës punova deri në vitin 1964 dhe më pas më emëruan si pedagog, në Institutin e Lartë Bujqësore të Kamzës. Gjatë asaj kohe që punoja në Institut, vazhdoja shoqërinë me shokun tim Spiro Nikollën, që punonte si kryeinxhinier i Parkut të Tregtisë në Tiranë. Përsëri tema e bisedave tona ishte gjendja e vështirë ekonomike dhe politika e izolimit të vendit, nga regjimi komunist në fuqi. Spiro kishte më shumë mllefe se unë, ndaj regjimit komunist, sepse ai që gjatë kohës që ndiqte studimet në Poloni, ishte martuar me një vajzë polake dhe shteti jonë nuk e lejoi që ta sillte nusen e tij në Shqipëri. Kjo gjë Spiros e acaroi dhe pas kthimit në Shqipëri, ai herë pas here i bënte lutje Kuvendit Popullor, që t’ia lejonin nusen e tij polake, për të ardhur në Tiranë. Por edhe pas gjithë atyre kërkesave të Spiros, Kuvendi Popullor i solli vetëm përgjigje negative. Në verën e vitit 1974, kur unë vazhdoja të jepja mësim si pedagog, në Universitetin Bujqësor të Kamzës, Sigurimi i Shtetit e arrestoi Spiro Nikollën dhe që nga ajo ditë, dy punonjës të Sigurimit më ndiqnin edhe mua, nga pas në çdo hap që bëja. Survejimi im nga Sigurimi i Shtetit, nuk vonoi shumë dhe më 15 dhjetor të vitit 1974, më arrestuan edhe mua. Akuza ndaj meje ishte: agjitacion e propagandë, kundër pushtetit popullor dhe përhapje informatash, që përbëjnë sekret shtetëror. Kjo akuzë, kishte të bënte me kohën që isha student në Poloni, në momentin e ndarjes me disa nga shokët e mi, u kisha thënë atyre të kishin kujdes e të mbyllnin gojën, se për ndryshe do të përfundonin në burg. Teksa unë dhe Spiro Nikolla, ndodheshim të izoluar në hetuesinë e Tiranës, (Rep. 313) Sigurimi i Shtetit, kishte arrestuar dhe disa të tjerë që kishin mbaruar studimet e larta në Poloni”.
Dënimi i “grupit agjenturor”
Cilët ishin personat e tjerë që u arrestuan pas Spiro Nikollës e Sofokli Lulos dhe për çfarë akuzoheshin ata? Lidhur me këtë Sofokliu kujton: ” Ishin Vedat Buzi, Adem Nurja, Faik Gojani dhe vëllezërit Ylli e Xhevat Alibali, si dhe dy kushërinj të Spiro Nikollës nga Vlora. Të gjithë pjesëtarët e këtij grupi kishin mbaruar studimet e larta në Poloni dhe disa prej tyre, mbanin funksione të larta, si Vedat Buzi që ishte Drejtor i Kombinatit Ushqimor “Ali Kelmendi” në Tiranë. Sigurimi i Shtetit, na etiketoi ne si grup armiqësor, që ishim vënë në shërbim të agjenturës polake. Për ta bërë sa më të besueshme këtë akuzë, hetuesit donin të më implikonin mua, duke thënë se i kisha dhënë shërbimeve sekrete të Polonisë, informacione rreth ushtrisë shqiptare. Sipas tyre, këtë informata, unë ia kisha dhënë Spiro Nikollës dhe ai me anë të një shoferi që punonte në parkun e Eksportit në Tiranë, do t’i çonte ato në Poloni. Pas disa muaj hetuesie, në muajin gusht të vitit 1975, filloi procesi gjyqësor ndaj nesh, i cili u zhvillua në Tiranë nga Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë. Akuza ndaj nesh ishte paraqitur si grup agjenturor që ishim vënë në shërbim të agjenturës polake. Si kryetar të “grupit tonë”, Sigurimi i Shtetit, akuzonte Spiro Nikollën, kurse si nënkryetar më konsideronin mua. Gjatë ballafaqimit që u bë, në një nga seancat gjyqësore, shoferi i Parkut të Eksportit, nuk pranoi të kishte marrë informata sekrete nga unë dhe Spiro Nikolla, por ai tha se Spiro i kishte dhënë vetëm shtatë dollarë, për t’i blerë një orë dore në Poloni. Gjatë gjyqit që zgjati tre ditë, me përjashtim të Ylli dhe Xhevat Alibalit, të gjithë ne të tjerët e pranuam që kishim bërë agjitacion e propaganda, kundër pushtetit popullor dhe e mohuam, në mënyrë kategorike vënien në shërbim të agjenturës polake. Ndonëse akuza ndaj nesh për veprimtari agjenturore nuk u vërtetua qoftë dhe pjesërisht, trupi gjykues dha dënime të ashpra për të gjithë ne. Kështu Spiro Nikolla u dënua me 22 vite, unë me 15, Vedati po me 15, kurse Adem Nurja, Faik Gojani e Ylli me Xhevatin, me nga dhjetë vite burg. Pas dhënies së vendimeve, ne nuk na lanë të flisnim dhe kur unë protestova për këtë, ata na thanë të mbroheshim vetë. Pas kësaj unë iu drejtova trupit gjykues duke u thënë: Na mbroni ju se ne nuk ka kush të na mbrojë”.
Inati i Enverit me Poloninë
Pas dhënies së dënimeve, tepër të rënda për të ashtuquajturin grup agjenturor në shërbim të polakëve, të gjithë pjesëtarët e tij, u dërguan për të vuajtur dënimet në kampet e burgjet e ndryshme që kishte asokohe në Shqipëri. Lidhur me këtë Sofokliu kujton: “Pas dhënies së dënimit, mua dhe disa nga pjestarët e të ashtuquajturit grup agjenturor, na dërguan në kampin e Ballshit dhe më vonë në atë të Qafë-Barit. Pas dënimit tim si “armik i popullit”, pati konsekuenca edhe familja ime. Kështu bashkëshortja ime, Irini, që ishte arsimtare në Yzberish dhe Kamëz, u hoq nga puna dhe për dy vjet u la e pa punë. Gjatë asaj kohe, ajo mundi që t’i ushqente dy fëmijët e vegjël, vetëm në sajë të ndihmës që i jepte nëna e saj, Ollga Nako, e cila ndante pensionin e pakët të saj. Unë e vuajta pothuaj të gjithë dënimin dhe munda të lirohesha nga burgu, vetëm në marsin e vitit 1987. Nga të gjithë pjesëtarët e grupit tonë, vetëm Vedat Buzi, nuk mundi ta shijonte më lirinë, pasi vdiq në burg. Pas shembjes së regjimit komunist, në vitin 1995, unë bëra një vizitë në Poloni, pas një ftese që më bëri, ish miku im polak, Jozef Ostrovski. Ai u habit kur mësoi mbi dënimin e grupit tonë, pasi të gjithë ne kishim qenë anëtarë të Partisë së Punës, kur studionim në Poloni”../Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016