Nga SAMI REPISHTI
Pjesa e tetë
Sami Repishti: – “Në Shqipni, nuk ashtë dokumentue e ndëshkue krimi komunist i së kaluemues, nuk ashtë ba “spastrimi shpirtnor”, rrëfimi i ndërgjegjshëm e denoncimi i kriminelëve ordinerë komunistë! –
‘Nën hijen e Rozafës’
Memorie.al / Gjatë viteve ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluem, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë, ma parë e ma vonë mbi të gjithë botën, “fati” zuni për gryke edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rinjt, edhe unë u gjenda në nji udhëkryq ku duhej marrë nji qëndrim, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Atëherë i thashë “jo” diktaturës, e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuajse më vrau, më çliroi njëkohësisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist dhe komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makropolitikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjësova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe dëshira për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuem, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet.
Me kapitullimin e Italisë, vendi u pushtue nga Gjermania naziste. Armiku i ri, ishte ma i egër e ma i organizuem. Manipulimet politike të “kryeqytetit” vazhduen, por mbetën të kufizueme brenda kuadrit të disa klikave politikanësh, të “vjetrueme”. Lufta kundër pushtuesit të ri, pësoi luhatje të përkohshme. Por, dëmi i madh u shkaktue nga qëndrimi “neutral”, i forcave “të djathta”, e mos aktiviteti i tyne. Të tjerë, të gatshëm me shërbye “qeverinë”, morën rrugën e bashkëpunimit. Për meritën e tyne, “komunistët” dhe përkrahësit e tyne, mbetën përfaqësues të rezistencës aktive kundër gjermanëve. Këto zhvillime të padëshirueshme, siguruen nji qetësi të përkohshme në vend, por u paguen me nji çmim të rëndë ma vonë. Politika ndërkombëtare, ajo ku vendi jonë kishte vendosë shpresat për të ardhmen, diktonte nji luftë pa kompromis kundër nazistëve.
Europa po digjej flakë nën këmbët e tyne. Teza se, “duhet ruajtë vendi” nga lufta e shkatërrimi, quhej disfatiste e kolaboracioniste. Ishte koha për sakrificën supreme, jo të nji grupi, por të nji populli mbarë. “Komunistët” e shfrytëzuen këtë situatë edhe ma shumë, mbas ardhjes në vendin tonë të emisarëve jugosllave, e fillimit të ndihmave aleate, nga Komanda Aleate e Mesdheut. Në këtë moment vendimtar, ata fituan përkrahjen e diplomacisë aleate. Fërkimet e kontradiktat politike në vend, dhe vendosmëria e “komunistëve”, me marrë pushtetin absolut me forcë, e me kontrollue atë pa rezerva, krijuen konditat e nji luftë civile, – e nxitun edhe prej nazistëve – që shkretoi gjysmën e Shqipnisë. Ndamja mori ngjyra krahinore e, përleshjet e vazhdueshme, dukej qartë se ishin nji prelud kobzi për të ardhmen e vendit, mbas largimit të okupatorit.
Gjeta veten në nji pozitë shumë të vështirë, morale e politike. Nuk kisha dyshim se, vendi im ishte në radhët e luftëtarëve të lirisë, atje ku kisha shumë “shokë” të mi. Po isha i bindun njëkohësisht se, rruga e “shokëve” të mi, ishte thellësisht e gabueme, se kishte tone antikombëtare, për të cilat unë isha shumë i ndjeshëm, dhe se koncepti i tyne për të ardhmen e shoqnisë shqiptare, ishte shumë “teorik”, i mjegullt e i mbështetun në nji frymë urrejtje, për të gjithë e për gjithçka që nuk pranonte pa rezerva, pikëpamjet e tyne. Komunistët kishin nji ngjashmëri të përbashkët në nji pikë, kishin nji tipar të përbashkët në qëndrimin e tyne, ishin të gjithë të mbruem në frymën e urrejtjes që, si tharmi i bukës, i jepte shije gjithë aksionit, mendimit, e fjalës së tyne. Kjo dilemë, për mue e pazgjidhshme, më hodhi në nji mbyllje në vetvete, në heshtje, pasivitet, e vetizolim.
Ditët që kalojshin baheshin edhe ma të vështira, nga gjendja ekonomike e familjes që më mundonte pa fund. Disa herë rrezikova jetën me udhëtime tregtimi mallnash, për tregtarë që nuk largoheshin nga qyteti, prej friket. Por duhej bukë në shtëpi, e këtu kisha gjetë një mjet. Pranë shtëpisë, jetonte nji grue e veje e nanë e tre fëmijëve. Ishte ende e re, e bukur, shumë e vorfën e pa asnji ndihmë. Me gjithë qëndrimin e saj stoik, vorfnia e skajshme e detyronte, me kërkue lëmoshë në dyert e dyqaneve të qytetit.
Pa kalue shume kohë, ajo u ba objekt shpifjesh ma të ulëta, nga ata që e “deshirojshin” pa sukses. Ishte trupi i saj që kërkojshin e, që nuk e fitojshin. Ishte poshtnimi i fundit që “ofrojshin”! Nji ditë, kuptova se ishte ba “bazë strehimi për partizanët”. Mbas përvojës së gjatë e të hidhun në qytetin pa zemër, ajo kishte vendosë me u bashkue me elementë që e bindën se ajo ishte “diçka që vlen”, nji qenie e dobishme për “revolucion” që, për atë ishte “nji jetë me dinjitet”, nji jetë e re, ku bota nuk do ta përbuzte, nuk do ta tallte e poshtonte, ashtu si në qytetin e saj pa zemër…!
Asaj i premtohej nji botë e punës, e djersës me ndershmëni, ku ajo do të siguronte bukën, për vete e për fëmijët, nji botë ku ajo do të ishte në shoqni me “të tjerët”, si ajo. Çka mund të kundërpeshonte entuziazmin e kësaj qenie të mjerë që revoltohej e që, me pafajninë e saj, shpërthente kundër poshtnimit të pamerituem në qytetin e saj, pa zemër? Shpresa për “bukë paqe, edhe liri”! mbulonte vajin e fëmijëve të uritun e shamje të ulëta, që e shoqnojshin në qytetin e saj pa zemër, dhe e shtynte atë në rrugën e aksionit revolucionar, në kërkim të solidaritetit me “të tjerët”, si ajo. Për të parën herë në jetën e saj, ajo kishte gjetë guximin me fitue lirinë e brendshme, e vetmja fitore që vlen!
Çdo ditë sillte diçka të re. Në kaosin e qytetit, shumë të rij ishin dalldisë mbas jetës së luksit, të siguruam nga fitimet e mëdha në tregti e spekulimet e ndryshme. Shumë të reja u përfshinë në vorbullën e qytetit, që nuk flinte ma. Shkujdesja e pabesueshme ishte ba normë, për shumë bashkëqytetarë që nuk dëshirojshin me dijtë për asgja, veç dëfrimeve të jetës së tyne të shthurun. Në këtë kaos, jetonte edhe nji masë e gjanë e popullsisë që, me vështirësi plotësonte nevojet ma fillestare të jetës së përditshme.
Rritja e pafrenueshme e çmimeve nga spekulatorët, e mungesa e frontit të punës së qëndrueshme, kishte krijue nji klasë të madhe gjysëm të punësuem, ose të papunë. Veçanërisht të damtuem ishin zanatlinj e qytetit që konkurrojshin me sasitë e mëdha të artikujve industriale, të importuem e të nji cilësie të dobët. Kjo ishte e vërtetë, edhe për nëpunësit e administratës shtetnore, që përfunduen në nji grup elementësh të korruptuem. Shkollat funksionojshin ma shumë si ndërtesa grumbullimi të fëmijëve, se si qendra edukimi.
Krimi u rrit, kriminelët u shtuen, sidomos rrugëve të qytetit, gjatë orëve të natës. Ishte nji pasiguri e plotë! Jashtë këtij kaosi, ishin elementët e organizuem në radhët e rezistencës. Ata punojshin me program e, veprojshin me shpejtësi. Për hir të nji serie atentatesh, kundër funksionarëve “armiq”, ata krijuen nji atmosferë frike në qytet, e cila u dha epërsinë në marrjen e vendimeve, që kishin të bajnë me jetën e qytetarëve. Pa udhëheqje politike të besueshme e pa administratë efektive, detyra e ruajtjes së rendit, iu besue nji force bashibozukësh, shërbëtorë të financuem nga pushtuesi nazist.
Egërsia e tyne u tregue në kryemjen e masakrave kundër komunistëve, nji qëndrim që shihej me përbuzje të madhe nga popullsia e qytetit. Nga Shqipnia e Jugut, lajmet ishin ogurzeza! Nji luftë civile, zhvillohej kudo, në mes komunistëve dhe ballistëve. Egërsia e përleshjeve, kishte marrë përmasa çnjerëzore: tortura, masakra masive, djegie shtëpish e fshatrash të tana, nga shqiptarët, kundër shqiptarëve, e nga nazistët, kundër të gjithëve. Me formimin e nji “Qeverie të Përkohshme” në Berat, maj 1944, balanca në favor të komunistëve, ishte e plotë.
Prania e përfaqësuesve aleate, i jepte asaj karakter formal, pothuajse zyrtar. Shumë nga ne e pritëm mirë këtë zhvillim dhe ushqyem shpresën, se nji kthesë e madhe, ishte tashma e mundshme. “Shokët” që takojsha në ilegalitet, ishin dehë nga ky sukses i papritun. E ardhmja politike në vend, ishte e tyne! Megjithatë, nji frymë pasigurie për këtë t’ardhme, kishte kapërthye popullsinë. Sa ma e afërt bëhej fitorja e komunistëve, aq ma e madhe ishte frika, që ata shpërndajshin.
Ishte e qartë se, ata do të ishin forca e vetme politike në vend. Elementi që i drejtonte, nuk ngushëllonte popullsinë vendëse, as vlente si garanci për nji regjim normal, e të qytetnuem. Qyteti im ishte i shqetësuem edhe ma shumë nga numri i “partizanëve” jugosllavë, që ishin infiltrue në Lëvizjen Nacional-Çlirimtare në qytetin tonë, dhe pozitat komanduese që kishin marrë. Tue pasë parasysh të kaluemen e marrëdhënieve shqiptaro-serbe e malazeze, prania e tyne në Shkodër, ngjallte dyshim e frikë.
***
Në mbrëmjen e nji natë vere, ndërsa kthehesha në shtëpi, u afrue nji burrë i gjatë, me musteqe të mëdha e kokën e mbështjellun si malësorët tonë. Vuni dorën mbi supin tim, e përshëndeti. Unë u ndala! Nuk e njoha, derisa buzëqeshi. Ishte fqiu im, ish-nxanësi i shkollës fillore, që nuk vazhdoi studimet e mesme, për arsye ekonomike. U përqafuem. Kishte ma shumë se nji vjet, që nuk e kisha pa, por e dijsha se ishte “në mal”, me partizanët. E pyeta për shëndetin. Më tha se do të kalonte natën tek prindët. “Due të pastrohem”! më tha me ton shoqnuer.
Pa u ndalë, vazhduem bisedën që kaloi menjëherë në “politike”. Më tregoi për organizimin e njësiteve guerile, stërvitjet e përgatitjen me sulmue qytetin. Kishte nji entuziazëm ngjitës në fjalët e zanin e tij, sikur donte me e kalue tek unë. Ndigjojsha gjithçka me kureshtje. Por kur u ndamë, ai më tronditi me nji shprehje që më erdhi e papritun. I urova “Natën e mirë”! Ai u përgjigj me nji ton pak arrogant: “Po përgatitemi me hy në qytet…! Po mprehim thikat…! Natën e mirë”! Mbeta i ngrimë në vend. Nuk isha i sigurt se kisha ndigjue mirë. As nuk kuptojsha plotësisht qëllimin e fjalëve të tij.
Pak nga pak, e mora veten e në brendinë time, m’u përtërinë të gjitha bisedimet që kisha pasë me shokët e mi, mbas largimit nga “grupi”. “Lufta e ashpër, me gjak ose pa gjak”, që komunistët përsëritshin kaq herë, me mue e me të tjerët, fillonte me pasë kuptim, me marrë nji formë ma konkrete. Thika, arma e masakrës dhe e terrorit, përmendej pa asnji përmbajtje! Për cilin po mpreheshin thikat?! Për mue, për “bashkëpunëtorët”, për “kundërshtarët”?! Bana hapat e fundit me hy në shtëpi, por më dukej se kambët nuk më mbajshin ma.
Fqiu im, shoku njëzetvjeçar, me paralajmëronte fillimin e nji epoke të re, në vendin tonë. Nuk u frikësojsha aq shumë për veten tim. Por në mesin e shokëve tonë, kishte mjaft nga ata që kundërshtuen “Lëvizjen” me guxim, dhe mbetën besnikë të idealeve “kombëtare”, ashtu siç i kishim mësue në shkollë. Për ata, e ardhmja ishte e frikshme, e unë ndjeva erën e gjakut, që sillte me vete paralajmërimi i shokut partizan. Thika, ndante shokun nga shoku! Kalova nji natë pa gjumë.
Marrëdhëniet me “shokët”, sidomos bisedimet që kishim zhvillue, filluan me fitue nji jete në vete, sikur hap mbas hapi po ngriheshin në nji ndërtese të re, të panjohun deri atëherë, e konturet e së cilës dukeshin qartë. Elementi thelbësor që kisha vrejtë tek ata, e që më shqetësonte aq shumë, urrejtja, merrte tashti përmasa të reja, kuptim të ri, si gjaku e shpirti i lëvizjes dhe revolucionit që përgatitej. Fillova me pa ma qartë natyrën e sistemit komunist, të mbrume me urrejtje e rrjedhimet që do të ndiqnin.
Pashë veten e shoqninë time, si krijesa të pafuqishme, të pambrojtje, në rrugën e vetme nga do të kalonte uragani i hakmarrjes, të paaftë me u largue, të papërgatitur me kundërshtue. Në kujtesën time, u ripërtrinë leximet e invadimeve të Mesjetës së hershme, e ramja e Romës dhe e qytetnimit të saj: kolona të gjata barbarësh, të armatosuna me hekur e zjarr, hakmarrëse, do të kalojshin nëpër rrugët e qytetit me nji popullsi të frikësueme. Ishte kjo e ardhmja jonë premtuese?
***
Në mëngjes, vizitova familjen e Zyhdiut, kushërinit “ilegal”, e kërkova të marr kontakt me të. E takova në nji “bazë” strehimi, jo larg nga shtëpitë tona. Me gjithë ndamjen jomiqësore të disa muajve ma parë, unë e dojsha me gjithë zemër. Ai ishte rritë në nji familje me ekonomi të rregullt. Nuk kishte pasë nevojë me punue e me sigurue bukën, për vete ose për familjen. Lexonte shumë dhe kishte cilësinë e të menduemit me gjakftohtësi. Angazhimi tij në “Lëvizjen”, ishte ba me ndërgjegje të plotë dhe me dëshirë.
Ai kishte ardhë në përfundimin se; “komunizmi”, ishte e vetmja rrugë që i ofrohej nji të riu revolucionar, sidomos në ato ditë kur luftohej “fashizmi”, dhe e kishte përqafue, të paktën intelektualisht. Kjo prirje e kishte ndryshue çdo ditë e ma shumë. Nga nji ideologji e koncept filozofik i zhvillimit ekonomik e shoqnor, ishte krijue nji optikë jete, e përqendrueme dhe e vendosun në kandin e dëshiruem. Ai i shikonte lajmet e rrufeshme që vijshin gjatë ditës, me nji siguri e bindje aq të plotë, saqë më bante ziliqar.
Nji pozicionim i këtillë, i marrun definitivisht, që shikonte të ardhmen drejt në sy, pa u kujdesue për jetën që zhvillohej në të dy anët e ekuacionit, i jepshin atij ndjenjën e kënaqësisë, e të çlirimit nga dyshimet…! Ai jetonte vetëm me nxitjen nervoze që shkaktonte pritja e ditës së fitores, e ditës së plotësimit të andrrave të tij, të nji jetë të plotë në nji shoqni të përsosun, të agimit të ditës së re, që do të lindte…! Kur hyna në dhomën përdhese, kushërini me përqafoj me mall të madh. Unë u mbusha me gëzim.
Mbas ballafaqimit të fundit, kur unë nuk e njoha ma kushërinin tim, kisha dyshime se ishte ftohë me mue përgjithmonë. Gjeta të kundërtën! Me shëndet nuk ishte keq, megjithëse kishte humbë peshë. Ishte i veshun me rrobe e këpucë, sikur përgatitej me dalë. Jeta ilegale ka rregullat e veta. Në brez mbante nji revolver të mbushun, që nuk i përshtatej fare. Pak i lodhun, i zbehtë, ai kishte formue dy rrathë të zezë përreth syve me syza. Dukej sikur lexonte ose punonte shumë me laps e letër. Nuk e pyeta. Ai vete më shpjegoi se, kohët e fundit, leximi i tij ishte ma i kufizuem.
Me gjysëm shakaje, i thashë: “Ma i zgjedhun”. “Si të duesh”! m’u përgjigj. Por bashkëbisedimi po merrte nji kahe të mbarë, dhe na solli edhe te tema e leximit: formim nga librat, apo informim për nji formim, si mbas aftësive tona. Isha në dijeni të natyrës së leximeve të tij të maparshme. Libra që na i quejshim “realiste”, pjesa ma e madhe romane, me përmbajtje sociale të literaturës botnore: Balzak, London, Stainbek, Gorki, etj.
Ai e kuptonte mirë italishten, e librat në këtë gjuhë europiane, ishin të shumtë. Krahas tyne, ai lexonte edhe materiale me përmbajtje marksiste dhe nji seri përkthimesh, shumica në dispensa, të marruna nga arsenali sovjetik. Këtu e kishin burimin edhe idetë e tij “revolucionare”, që kishte përqafue me pasion. Por në bisedimin që u zhvillue, nga toni i zanit të tij, kuptova që në fillim se, nji proces seleksionimi kishte fillue e se, kushërini ishte ba ma diskriminues në pranimin ose refuzimin, e ideve që ofronte materiali i lexuem. Asnji fjalë për “diktaturën e proletariatit”, për “revolucionin botëror”, për “fitoren finale të klasës punëtore”, dhe “botën e re” që premtonte lufta kundër vendeve kapitaliste….!
Ai kishte ruajt besimin në fitoren e “Luftës Nacional-Çlirimtare” dhe drejtësinë e kauzës sociale që përqafonte. Foli me bindje për reformat që parashikonte se do të baheshin në vendin tonë. Por kësaj radhe, nuk e kishte sigurinë e parë, të plotë se, gjithçka do të zhvillohej si-mbas planit të caktuem. Gjeta tek ai nji nevojë të madhe me folë! Të ulun pranë njeni-tjetrit, zani jonë nuk ndigjohej. Zonja e shtëpisë, që hapi derën disa herë me shikue brenda, shihte dy kushërinj të lumtun e të angazhuem në nji dialog të qetë, buzëqeshte e mbyllte derën përsëri. Kishte frikë me folë haptas! Shpeshherë përdori shprehjen “në mes nesh”, e tregonte nji kënaqësi të veçantë, e me dëshirën e madhe me kuptue transformimet e brendshme që kishte pësue e që, nji nga nji, i delshin përjashta, pa qenë në gjendje me i kontrollue.
Kur e pyeta nëse diskutonte kështu me të tjerët, ai u përgjigj: “Jo! Nuk kam shokë”! Ishte i vetmuem. Më shpjegoi se natyra e punës që bante, ishte nji rutinë që, çdo ditë e ma shumë, po e çmendte. Të njëjtat mendime, të njëjtat frazeologji, kompozime të thjeshta, që i bajshin thirrje emocioneve e jo logjikës, me nji fjalor propagandistik, përsëritës e kambëngulës, ne përdorim të elementëve pa arsim…! “Nuk kam mundësi me lexue për vete librat që dëshiroj; vetëm atë që gjej aty-këtu…shumicën e tyne e kam lexue disa herë, e nuk gjej gja të re”. U mendue për nji minut, e vazhdoi: “Ajo që më çudit, asht se nuk i pëlqej…si ma parë.
Formimi im intelektual, ka vuajt nga nji mungesë kritike që, në atë kohë, nuk e kisha”, më tha “e që tashti po lind si nji nevojë e fortë, dominuese, e që ven para akuzës, bindjet e mia ma të thella….”! – I shpreh këto dyshime me të tjerët? – e pyeta. – Jo! – përgjegji e, tue më shikue drejt e në sy, shtoi – Jetoj në nji atmosferë që nuk lejon dyshimin, aq ma pak kritikën e hapët. Shokët e mi janë të papërgatitur, me shqyrtue me sy kritik, rrugën që kemi marrë. Ata binden e veprojnë. “Të tjerët” duhet të mendojnë për ta. Cilët janë këto “të tjerët”?!
Më tregoi se, në konferencat edukative të njëpasnjëshmesh, vetëm folësi “predikon” pa pushim, nji mesazh, nji porosi, nji urdhën: “Partia, shokë, i ka parashikua të gjitha”! Askush nuk pyet, aq ma pak diskuton. Vetëm aprovime, lëvdata, e premtime….! “Jam lodhë” – më tha, – “jam lodhë”! E pyeta, nëse kishte mendue të largohej nga kjo “Luftë” e, të tërhiqej në shtëpi, në botën e vet të brendshme. “Jo” – më tha, – “e quej dobësi! Tashti jemi të angazhuem në luftë…ndoshta ma vonë…mbas fitores…do të përpiqem që, edhe unë të fitoj pavarësinë time…! Jo sot”!
I hodha krahun rreth shpatullave, e ndejtëm kështu për pak minuta, si dy vllazën të dërrmuem nga fati. – E more vesh për qeverinë e re në Berat? – më pyeti. – Po! – përgjegja, – duket se fitorja e Lëvizjes suaj, asht tashma e sigurueme…! – Do ta marrim pushtetin, – më tha, – problemi asht sa kohë do ta mbajmë…! Në Lëvizjen tonë, ka mjaft elementë që nuk e aprovojnë rolin udhëheqës të Partisë Komuniste…! Nuk e di si do të zhvillohen ngjarjet! Kam frikë nga ajo që shoh e ndigjoj sot, rreth meje…! Kurdo ka nji frymë egërsie, që më shqetëson…! Flitet hapet për nevojën e “spastrimit politik”…!
Kam përshtypjen, se ka “plane” e “lista” për zbatim, mbas fitores…! Të gjithë janë të entuziazmuem, e në nji atmosferë të këtillë, mund të ballafaqohemi me të papritura të mëdha e të vështira…”! Mendoi pak e, pyeti: – Ç’kemi të re në arenën ndërkombëtare? I tregova lajmet e fundit të marruna nga BBC-ja e Londrës, si dhe lajmet që vijshin nga Shqipnia e jugut e Kosova: luftime, masakra, nga shqiptarët e nga nazistët. Ai më ndërpreu: “Kam takue “instruktorë” jugosllavë. Ata janë ma të përgatitun. “Shokët tonë janë dukshëm inferiorë e, nuk kontestojnë asnjiherë thaniet e “kolegëve” të tyne. Ata kanë problemin e Mihajloviçit, por janë të bindun se do ta shkatërrojnë. I shqetëson aleanca me anglo-amerikanët, por janë të lidhun ngushtë me sovjetikët dhe, kanë besimin e patundun, në superioritetin e Armatës së Kuqe….”!
– Ç’ka thuhet për Shqipninë…për Kosovën? – e pyeta. – Shqipnia asht aleatja e tyne e vogël, dhe e konsiderojnë nji vend ku revolucioni proletar, duhet të fitojë i pakontestueshëm. Për këtë janë të vendosun të na ndihmojnë…! Për Kosovën?! As që flitet fare…! I kujtova bisedimet e mëparshme e këmbënguljen time, në zgjidhjen e problemit “kombëtar“, si qëllim të luftës sonë. Ai buzëqeshi: “Kam qenë i bindun se internacionalizmi, do të zgjidhte problemet tona “kombëtare“. Tashti dyshoj…! Kam frikë se vendi jonë, po hyn në sferën e nji lojë politike, që tejkalon shumë kufijtë e tij…! Kam frikë nga politika e Fuqive të Mëdha…! Edhe kësaj radhe, nuk jemi të pavarun…”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm