Nga SAMI REPISHTI
Pjesa e gjashtë
Sami Repishti: – “Në Shqipni, nuk ashtë dokumentue e ndëshkue krimi komunist i së kaluemues, nuk ashtë ba “spastrimi shpirtnor”, rrëfimi i ndërgjegjshëm e denoncimi i kriminelëve ordinerë komunistë! –
‘Nën hijen e Rozafës’
Memorie.al / Gjatë viteve ’30 dhe ’40-të të shekullit të kaluem, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë, ma parë e ma vonë mbi të gjithë botën, “fati” zuni për gryke edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rijt, edhe unë u gjenda në nji udhëkryq ku duhej marrë nji qëndrim, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Atëherë i thashë “jo” diktaturës, e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuajse më vrau, më çliroi njëkohësisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist dhe komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makropolitikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjësova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe dëshira për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuem, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet.
VII
Shenjat e para të agimit u dukën në Lindje, ndërsa nga Perëndimi, shiheshin dritat akoma të ndezuna në terrin e tokës, që premtonte të mos ishte larg. U afruem. Ishte porti i Brindisit. Dalja në tokë u ba shpejt, si dhe kontrolli i dokumenteve. Madhësia e qytetit, zhurma e jetës, e sidomos stacionit hekurudhor me nji numër të madh trenash të rreshtuem në binarë të ndryshëm, më banë përshtypje të madhe. Blemë biletat “e studentit”, e zumë vend në vagonët e fundit.
Treni kalonte nëpër fusha të gjana të punueme me mjeshtri. Shtëpitë e katundeve që pamë nga dritaret, ishin mjaft të mira. Kudo shiheshin njerëz në punë të ndryshme, sidomos buqët në ara. Koha ishte e mirë, e ndiejsha nji kënaqësi të veçantë nga kjo pamje bukolike e natyrës tërheqëse. Ishte e pamundun të mos bahej krahasimi me katundet e vendit tonë, me mjetet e tyne të punës, me banesat e tyne dhe me mënyrën e jetesës së tyne, shumë të vështirë. “Sa larg është Shqipnia e pazhvillueme nga bota e Perëndimit”, mendojsha me vete, “e megjithatë, sa afër saj”!
Udhëtimi ishte i gjatë e mbas nji nate syçelë në anije, më zuni gjumi i mbështetun në xhamin e dritares së trenit. Nuk më trazuen, derisa zani i konduktorit, filloi të përsëriste: “Roma, Roma, Stazione Termini, Roma”. U zgjova, mora valixhen e kalova në binarin e trenit për Firenze. Tre orë e gjysëm ma vonë, hymë në stacionin e ri të qytetit të vjetër e artistik, që do të më strehonte për nji vjet shkollor. Pritja e ngrohtë e studentëve shqiptarë në klubin e tyne, ishte ogur i mirë për mue. Ata më treguen restaurantët e lirë për studentë, e gjetën ma vonë nji “pensione”, ndërsa për ditët fillestare, njeni nga ata më ofroi nji krevat në dhomën e tij. Atmosfera e ngrohtë që më rrethoi, ndihmoi shumë për adaptimin tim pa vështirësi, e dha mundësi me fillue klasët e caktueme menjiherë.
Sallat e mëdha universitare ishin impozante e qetësia e tyne, sikur u jepte nji pamje solemne. Brezni mbas breznie, në këto salla ishte edukue rinia italiane, tue rritë potencialin krijues e shkencor të popullit italian. Këtu duhet të jetë sekreti i përparimit. Në ndërtesën pranë, gjendej biblioteka e universitetit, që fillova të ndjekë me këmbëngulje e orë të gjata, për mungesë të hollash me ble librat. Megjithatë, vullneti im nuk lëkundej. Studimi, deri në njifarë pike, po zëvendësonte edhe boshllëkun që më kishte krijue largimi nga aksioni politik në Shqipni. Takimi i parë politik, u ba në nandor, me rastin e festës së pavarësisë. Ma shumë se dyqind studentë shqiptarë, u mblodhën në sheshin “Michelangelo”, në nji kodër që mbikqyrte qytetin. Ajo që më tërhoqi vërejtjen, ishte grumbullimi i nji numri kaq të madh studentësh, pa ra në sy të policisë fashiste.
Celebrimi u kthye shpejt në nji manifestim politik. Fjalimet e zjarrta ndoqën njeni-tjetrin. U shpalos flamuri i pastër kuq-e-zi e u këndue hymni kombëtar. Me gjithë entuziazmin e përgjithshëm, dukej qartë se ky tubim spontan, nuk ishte monolit. Edhe këtu ishim të ndamë! Kuptova lehtë frymën që paraqitën dy rrymat e mëdha politike të vendit, e përpjekjet e folësve me bindë ndigjuesit. Përvoja më la nji shije të hidhet. Kur u shpërndamë, me evitue ardhjen e policisë, unë u largova së bashku me Qemalin, nji koleg që kisha njohë në liceun e Shkodrës.
Ai ishte ma i vjetër dhe padyshim, njeni nga studentët ma të përgatitun dhe ma të aftë. Gjatë rrugës anësore që zbriste në qytet, i tregova shqetësimin tim. Ai buzëqeshi në fillim e ma vonë më tha me nji ton zemërimi të papërmbajtur: “Unë i njoh shumë mirë ‘ata’, e kam bashkëpunue me ‘ta’. Zhgënjimi im nuk ka kufij. Mos u ban viktimë. Ke ardhë për studime? Po. Atëherë ndjek studimet me seriozitet. Vendi ka nevojë për kuadër të edukuem në Perëndim. Sa për fashizmin, për mue asht nji kalë i ngordhun. As këtu në Itali, nuk ka zanë rranjë. Ashtë nji formë qeverisjeje e imponueme me forcë, e që do të rrëzohet me forcë. Por kjo asht nji detyrë politike, e vetë popullit italian…”!
I tregova Qemalit pjesë të përvojës sime në Shqipni dhe gjendjen time shpirtnore. Tregimi ishte i dhimbshëm për mue. Megjithatë, më lehtësoi shpirtnisht, e ndjeva sikur kisha shkarkue nji barrë të randë. Ai më ndigjoi me vëmendje, e mbas nji heshtje të shkurtër, më tha: “Nuk je i vetëm. Shumë prej nesh kemi kalue nëpër atë fazë. Tashti, kushtoju studimeve! Mos harro se vendi jonë, nuk do të jetë kurrë i lirë, përsa kohë që nuk do të ketë nji klasë intelektuale të formueme e të ndërgjegjshme. Kjo klasë, asht ndërgjegjja e kombit. Ajo drejton ose mashtron nji popull. Por pa atë, nji popull nuk ka perspektivë”!
Në kontaktet e përditshme me kolegët shqiptarë, shkëmbejshim mendime mbi situatën në Shqipni. Shumica ishin të bindun se lufta do të përfundonte shpejt, e Italia do të largohej nga Shqipnia. Por pak ishin ata që kishin nji ide të qartë, se çka do të bahej mbas largimit të pushtuesit. Ishte nji enigmë që krijonte frikë.
Me kolegët italianë, nuk kisha shumë diskutime. Shumica dërrmuese e tyne, jetojshin nën fashizëm, pa e njohë atë dhe pa asnji influencë nga ai. Kur zihej me gojë emni i Duçe-s, shoqnohej me fjalë vulgare, ose tallje. Nuk dëshirojshim diskutime, as edhe për të ardhmen. Kujdesi kryesor i tyne, ishte mbarimi i luftës, heqja e triskave të ushqimit e rrobave, e fillimi i nji jetë të re. Por nuk shtrohej pyetja se si do të përfundonte lufta, megjithëse ishin të bindun se Italia, kishte humbë. I gjithë ky proces, tregohej me njëfarë mosinteresimi, që më lente me gojë hapët.
Nji ditë, nji student italian i klasës, m’u afrue, përshëndeti njerëzishëm, e pyeti: – “Albanese”? – Si! – përgjegja. Biseda që vijoi u suell rreth mësimit të ditës. Në mbarim të orës, ai më ofroi të dalim së bashku, e gjatë ecjes, pa asnjë parathanie, më tha: “Si e shikoni okupacionin italian në Shqipni”? Në fillim, nuk dijta çka të thojsha. Kisha frikë nga provokacionet e policisë. Por dalëngadalë, djaloshi italian më frymëzoi nji mirëbesim, pothuejse të parezistueshëm. Tue përfitue nga pyetja, i thashë: “Çdo okupacion asht i papranueshëm”! Ai buzëqeshi.
U ulëm në nji kafe. Pritsha diçka ma shumë prej tij, sepse kureshtja nuk e lente të qetë. Me qëllim që të fitonte besimin tim, ai më tregoi se baba i tij, ishte i internuem në Ventottene si antifashist, e se ai me nanën, jetojshin në Fiesole, nji qytet i vogël afër Firenzes. I besova të gjitha! Mbas asaj dite, u afruem, e për çdo ditë, ai më jepte lajmet e transmetueme nga BBC-ja e Londrës. Të dy së bashku kalojshim orë të tana, me diskutime të karakterit politik. Nga ai mësova se në tre kryeqytetet e fuqive aleate, ishin lëshue deklarata që konfirmojshin pavarësinë e Shqipërisë, mbas mbarimit të luftës. Gëzimi im nuk njihte kufij e, horizonti politik u zgjanue me lindjen e shpresës së justifikueme, për nji të ardhme ma të mirë, në nji atdhe të lirë e të pavarun.
Për fat, kisha gjetë nji shok me të cilin mund të flitsha hapët. Ai më rrëfeu se kolegët italianë, i rrijshin larg, nga frika e “kompromentimit”. Filluem studimin e përbashkët. Vizituem qendra kulturore e artistike të qytetit e jashtë qytetit, që ai i njihte mirë. Nga ai mësova se në nji teatër të vogël, mund të shiheshin shfaqje nga aktorët ma të mirë, e me çmime studenteske. Kur, me kërkesën e tij, vizitova nanën, nji zonjë e vërtetë me flokë që po zbardhoheshin, e veshun në të zeza, që ajo i mbante qysh nga dita e arrestimit të burrit të saj, u prita me nji përshëndetje jo të zakonshme: “Faleminderit zotni që shoqnoheni me djalin tim”! “Signora!”, i thashë. “Djali juej asht i mrekullueshëm”!
Zhvillimet ushtarake në Afrikë e Europë, tregojshin qartë se koalicioni aleat anglo-amerikan, kishte marrë inisiativën e se përfundimi i luftës, ishte nji fitore e plotë kundër fashizmit. Forcat e Boshtit, do të mundeshin. Kolegu im e unë, fluturojshim prej gëzimit. Megjithatë, nuk ndërpremë studimet tona e përgatitjet për provimet e qershorit. Në këtë kohë, pritej invadimi aleat i Italisë. Kalimi i Adriatikut, ishte ba i rrezikshëm, por ishte e vetmja rrugë kthimi në atdhe. Shqetësimi jonë rritej çdo ditë. Ishte mendimi i përgjithshëm që, Italia fashiste, do të fillonte tërheqjen e trupave nga Shqipnia, në rast të invadimit aleat në Siçili. Të gjithë dëshirojshim kthimin, me shpresën e lirimit të vendit. Qershori u tregue nji muaj i tensioneve të pandërprerë: studime të vazhdueshme, raporte me shkrim, provime me gojë, projekte e mbi të gjitha, problemi i kthimit, me të gjithë të papriturat që do të përballojshim.
Në këtë tension, kolegu italian më ftoi për drekë, në shtëpi të tij. Mbas nji diskutimi të gjallë e të frymëzuem nga zhvillimet politike e ushtarake, zonja e shtëpisë, më pyeti për planet e mia, mbas kapitullimit të Italisë. I përgjegja se do të kthehesha në atdhe, menjëherë mbas provimeve të qershorit. Ajo heshti. Të gjithë heshtëm. Zonja u ngrit, u afrue, vuni dy duart mbi supet e mia, e tha me nji za plot autoritet: “Mos u shqetësoni! Në çdo situatë kritike, këtu tek ne, keni shtëpinë tuej. Mbasi të qetësohet situata, mund të ktheheni në Shqipni. Tashti, kthimi asht i rrezikshëm”.
Nji ofertë e këtillë, në nji çast aq kritik për mue, krejtësisht e papritur, bani efektin që nuk e pritsha. Ideja se nuk do të ballafaqohesha me nji situatë kritike, në nji vend të huaj, më ngriti shpirtnisht. Megjithatë, qëndrimi në Itali në nji kohë, kur të tjerët ktheheshin në atdhe, më dukej i papranueshëm. Falenderova zonjën bujare e kolegun tim, por isha i vendosun me u kthye. Çlirimi i shpejtë i atdheut, ishte i parezistueshëm! Pak ditë ma vonë, me përfundimin e provimeve vjetore, u ktheva në atdhe, me anijen e fundit që lundroi nga Italia në Shqipni, që u çlirue gjatë kthimit në Itali. Ma shumë se pesëqind udhëtarë, shumica shqiptarë, humbën jetën…!
VIII
Kthimi në Shqipni, ngrohu votrën familjare, e qetësoi prindët e shqetësuem për fatin tim. Për disa ditë me radhë, u mbusha me dashuni të sinqertë, e kënaqa kureshtjen e tyne me tregime nga vendi i largët i studimeve. Gjendja në Shqipni, kishte ndryshue rrënjësisht. Para së gjithash, krijova përshtypjen se vetë “shoqnia” e qytetit, kishte pësue ndryshime të pabesueshme. Politizimi i plotë i luftës kundër pushtuesit, kishte shkue aq larg, sa ishte e vështirë me takue nji qytetar që nuk kishte marrë qëndrim politik. Para largimit, ky qëndrim ishte pothuajse nji privilegj i studentëve. Angazhimi në rezistencë ishte i thukët e emocional. Nji përqafim i këtillë i kauzës, e kishte nda popullsinë e qytetit në dy kampe, tashmë kundërshtarë. Elementë antifashistë, por jashtë Lëvizjes Nacionalçlirimtare, “nacionalistët”, shikoheshin me dyshim nga “komunistët”. Nga ana e tyne, “nacionalistët”, shikojshin “komunistët”, si shërbëtorë të “pansllavizmit” dhe “këlysh të Rusisë”, dy epitete negative, të fuqishme në Shkodër. Epitete tjera të pabesueshme, hidheshin pa numër e pa mendue.
Mundësia e dialogut nuk ekzistonte. Çdo njeni shpresonte se, me kapitullimin e Italisë, që pritej çdo ditë, do të merrte në dorë drejtimin e shtetit të ri shqiptar. Njena palë bante lidhje, bashkime, aleanca me grupe e individë “me emën”, tue përfshi edhe “qeveritarët” e kompromentuem, me qëllim që të rritej përfaqësimi në nji “koalicion”, të luftohej “komunizmi”, të ruheshin “kufijtë etnike”, të vendosej “demokracia” që, në ato ditë, ishte sinonim me vendosjen e “pushtetit partiak”, ose të nji dore të fortë. Pala tjetër, vazhdonte propagandën intensive e të organizueme të monopolit të rezistencës, demaskonte të gjithë ata që nuk e përkrahshin, kryente akte violente për frikësimin e popullsisë, evitonte debatin për të ardhmen, tue u përqendrue në “luftën kundër okupatorit” e sidomos, premtonte nji rend të ri shoqnor: “bukë e paqe, edhe liri!” – reforma thelbësore, dhe eliminimin e “padrejtësive” të së kaluemes.
Propaganda në dy binarë, kombëtare e shoqnore, kishte gjetë nji terren të përshtatshëm, sidomos në “proletariatin” urban, i paktë, pro aktiv e të organizuem. Organizimi i kësaj klase punëtorë, e thirrun me luftue e përmbysë sistemin shoqnor të së kaluemes, “borgjezinë shtypëse”, ishte arma e tyne ma e fortë. Aksionet individuale, nuk inkurajoheshin nga frika e dalje jashtë kontrollit të “partisë”. Bindja e plotë, disiplina, aksioni i autorizuem: nji ushtri e vërtet, militantizëm i armatosun, me nji ideologji revolucionare! Para luftës, në Shqipni, “shteti” ishte “bashkësi” e disa familjeve, me të gjithë atributet e familjes patriarkale, ma shumë se shoqnimi vullnetar i qytetarëve të lirë. Në Shqipni, autoriteti i “të parit të shtëpisë”, kishte mbetë, në përgjithësi, i naltë. Roli i gruas kufizohej brenda mureve të shtëpisë, dhe kalimi i vjetëve të rinisë nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të prindit, ishte krejt i natyrshëm.
Logjika e prindit, kërkonte gjykimin e çdo revolte, thelbin e formën e saj. Në këtë ambient statik. Të papërshtatshëm për revolucion, në dukje jeta sillej “e qetë”. Por themelet e saj, u treguan të paaftë, me përballue nji goditje që vinte nga jashtë, nga nji botë, jashtë ndikimit familjar. Kjo goditje erdhi nga lufta e rrjedhimet e saj. Njena prej tyne, ishte propaganda e aksioni “komunist” në vendin tonë. Vazhdimi i traditës patriarkale, u ba i pamundun.
Ngjarjet e rrëmbyeshme të ditës, nuk lejojshin nji evolucion paqësor të konflikteve të linduna në shoqni. Dhuna e përdorun e shpejtësia e goditjeve të njimbasnjishme, krijuen atmosferën e nji thymjeje të plotë të rendit shoqënor, tradicional, të familjes shqiptare. Nga nji bashkësi familjesh, që ishte “shteti”, filloi të ngrihet nji klasë e re individësh, të organizuem në nji “parti” e, që reklamojshin me forcë të drejtën e “shtetit”, dhe pushtetin që ai sjellte.
Në këtë konfuzion mendimesh, aksioni violent, i ashpër, luftarak, revolucionar, gjeti nji lami të përshtatshme për zhvillim. Thirrjet për “luftë kundër të huejit”, tingëllojshin fuqishëm si meloditë, asnjiherë të harrueme, të nji populli që nuk pushoi luftën për mbijetesë. Kur lamshi i krijuem në kaos filloi rrokullisjen, ai eci me nji shpejtësi marramendëse, që habiti masat e gjana, deri atë ditë të mbrueme me frymën e nji shoqnie vendnumëro. Nji element i ri e vendimtar, kishte ndërhye në jetën politike të vendit. Ishte prania e Fuqive të Mëdha, në tragjedinë që mbërtheu Shqipninë.
Që nga deklaratat “aleate” të 28 nandorit të vjetit të kaluem, me njohjen e pavarësisë së Shqipnisë, kjo prani “aleate”, në vend që të frikësonte shoqninë shqiptare, si në të kaluemen, ajo zgjanonte historinë e saj, naltësonte ndjenjat, me idenë e pjesëmarrjes së kombit në dyluftimin, për jetë a vdekje, me agresorët e Boshtit. Dyluftimi i viganëve, kishte marrë përpjesëtime pothuajse kozmike: nji botë e tanë ishte me ne, ose kundër nesh. Shqiptarët ishin agjentë aktive të historisë, që shpalosej para syve të tyne.
E shqiptarët qëndrojshin! Qëndresa merrte karakterin e dyluftimit që kalonte kufijtë e pozitës sonë lokale, ose kombëtare. Ajo merrte karakterin e dyluftimit për ruejtjen e vlerave universale të qytetnimit perëndimor! Nga takimet e para kuptova se “nacionalistët”, elementët e rezistencës jo komuniste, ishin vullnetmirë, të dedikuem “çështjes kombëtare”. Por ata nuk kishin organizimin, udhëheqjen revolucionare që kërkonte koha, ose përgatitjen ideologjike. Në ditën e luftës, kur të gjithë shikojshin me besim nji bote tjetër, të ndryshme nga ajo e paraluftës, por ma të mirë, ma paqësore e ma të drejtë, këta element, nuk kishin vizionin e nji drejtësie shoqnore. Ata adhurojshin “liritë politike” të botës së vjetër europiane, që kishte falimentue në mbrojtjen e kontinentit, nga murtajat fashiste e naziste në Europë. Horizonti i tyne ishte i kufizuem e në diskutimet e vazhdueshme, kapeshin mbas idesë së “Shqipnisë etnike”, që nxiste emocionet popullore, por nuk i mobilizonte për veprim. Platforma e tyne, ishte nji dëshirë, ma shumë se program pune, ose plan aksioni.
Në anën “komuniste”, bajshin pjesë edhe mjaft elementë antishoqëror, të rij, që, në kushte normale, nuk kishin gjetë nji vend të denjë në shoqni. Megjithatë, për hir të pjesëmarrjes në “Luftën Nacionalçlirimtare” e, të vetë natyrës së kësaj “lufte”, të parimeve mbi të cilat ajo mbështetej e, që ajo mbronte, këta elementë të njohun nga të tjerët, si “negative”, visheshin me nji rrobe të re, paraqitshin nji fryme të re, dhe gatishmëria e tyne, me luftue për dinjitet e liri, u siguronte nji pozite të privilegjueme në shoqni, mbulonte në harresë të kaluemen e tyne, i transfiguronte në simbole të nji të ardhmeje, plot premtime…! Pjesëmarrja në luftë kundër pushtuesit, në mënyrë të pashmangshme, kishte diçka të pazëvendësueshme, që asgja tjetër e realiteti të atyne ditëve, nuk kishte fuqinë magjike me e kundërpeshue.
S’ka dyshim që diçka fisnike, kishte zanë vend në zemrat e pjesëmarrësve në rezistencë, diçka që i bante thirje pjesës së tyne ma të mirë, të mobilizonte anët pozitive, e mbulonte, të paktën gjatë kësaj epoke frymëzuese, monstruozitetin e instikteve të disave prej tyne, të pakontrollueshëm ma parë. Nuk kishte dyshim se, në rezistencë, ata jetojshin konkretisht, nji andërr, ndoshta të mjegullueme, por sigurisht, të dëshirueme me gjithë shpirt. Për të mirë a për të keq? Gjatë atyne ditëve, pyetja nuk shtrohej për ata. Rezistenca, mundësia me veprue pa kufizim, ishte aty, e gjallë, e fortë, e magjepsëse: në atë moment, rezistenca ishte përgjegja e çdo “pyetjeje”, ajo ishte në vetvete, e vërteta e madhe dhe përfundimtare.
Këtë gjendje shpirtnore, e shikojsha veçanërisht tek nji grup të rijsh, djelmosha të familjeve të njohuna shkodrane, por të rrënueme ekonomikisht, që e ndiejshin veten të lanun mbas dore. Ramja nga pozita shoqnore e privilegjueme, ishte në themel të revoltës së tyne. Boshllëku i krijuem nga ramja ekonomike, u kujtonte atyne se, ishin zhveshë nga posedimi i çdo kapitali dhe si të këtillë, ata e ndiejshin veten të lirueme nga çdo pengesë, që mund t’i përmbante në vrapin e marrun.
Kësaj ndjenje i shtohej edhe dëshira me u hakmarrë kundër nji shoqnie që zhvillohej pa ata, e që u mohonte shpresën e ushqyeme të rifitimit të nji statusi të privilegjuem, në rendin shoqnor ekzistues. Ky rend paraqitej çdo ditë ma pak bindës, sepse zhvishej nga sensi i moralitetit, që impononte lufta kundër pushtuesit të huej. Ishte nji rend i mbajtun në kambë, nga oportunizmi ekonomik, e nga dhuna policore. Vrapimi mbas pasunimit të shpejtë, që erdhi si rrjedhim i shpenzimeve të pakontrollueme për nevojat e luftës, kishte dehë klasën e privilegjueme, me të mira materiale e kapital, të fituem pa djersë. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm