Nga Shpendi Topollaj
Memorie.al / Rruga për në Fllakë, vërtetë ishte plumb e drejtë, por gropat e pafund sepse të kujtonin bombardimet e luftës. Që të shkoje atje, duhej t`i bëje mirë llogaritë, pasi jo vetëm zorrët nga troshitja, të vinin te goja, por duhej të duroje edhe të sharat e shoferëve që nevrikoseshin kur shihnin se po u dëmtohej motorri e gomat. Vetë qyteza e Fllakës (në mund ta quajmë të tillë), ishte një vend i thatë dhe gjithçka zhuritej për ujë. Aty edhe ujë të pijshëm vështirë të gjeje. Ata pak puse që e mbanin, ashtu të qelbur e jeshil siç ishte, gjatë verës shterronin fare. Pulat e pa ushqyera, tërë ditën ku nuk futeshin duke kakaritur me gojën hapur. Kurse qentë, më së shumti me nga tri këmbë, zinin ndojnë hije fiku që nuk ia kishte parë kush kokrrat dhe s`ndiheshin. Një gomar gërdallë, me qimet e rëna, i palëvizur dhe i menduar, përherë do ta gjeje mbi ca bajga, te zyrat e sektorit, thuajse kërkonte të ankohej për ndonjë padrejtësi që i ishte bërë.
Ca fëmijë aty pranë, luanin me një top lecke mes pluhurit dhe bërtisnin mesa kishin në kokë. Në kanalet buzë rruge, të mbytura nga ferrat dhe bari i thatë, dëgjohej kuakja monotone e bretkosave. Ditën, mizat dhe sa binte mbrëmja dhe mushkonjat, nuk i linin njerëzit asnjëherë të qetë me zukatjet dhe pickimet e tyre.
Dhe përherë, në qendër, para klubit ku kishte vetëm kafe surrogato, ndonjë shishe konjak me etiketë të zverdhur dhe ca kuleç që i quanin ingranazhe, syri do të të zinte Seitin, një mesoburrë, i parruar dhe i paqethur që asnjëherë nuk u mor vesh në ishte budalla apo i zgjuar.
Se ai, pasi shfaqej me atë xhaketën ushtarake që nuk e hiqte kurrë nga trupi, si në dimër, ashtu dhe në verë, thoshte disa gjëra që edhe ata që mbaheshin se kushedi ç`ishin, nuk guxonin t`i thonin. Deti ishte nja dy kilometra larg, por njerëzit nuk kishin kohë të shkonin atje për të bërë plazh. Punët e shumta në Fermë, i rraskapitnin aq shumë sa nuk u binte mendja për të.
Ja, këtë vend, kishin zgjedhur për të dërguar ndonjë të internuar ata të qeverisë. Këtë fat kishte pasur edhe Ademi, një burrë i pakët nga trupi që dikur kishte luftuar me fashistët, por më pas, se kush qe kujtuar se kishte një vëlla të arratisur qysh para çlirimit. I qe nënshtruar fatit Ademi dhe në këtë vend të mallkuar, kishte ndërtuar, ashtu si kishte mundur, jetën e tij. Ishte martuar me vajzën e një tjetri si ai, që kishte vite atje, vetëm e vetëm, pse kishte qenë i pasur. Se nuk ishte pa rëndësi kjo; pushtetin tani e kishin proletarët, domethënë bythë grisurit.
Dhe sa më troku të ishe, aq më shumë të nderonin. Ata, nuk shihnin hallin që i kishte zënë dhe mjerimin që i kishte pushtuar, por gënjenin veten se kishte ardhur dita e tyre dhe kënaqeshin që borgjezëve u kishin treguar vendin. Dhe, ashtu, me barkun bosh siç ishin, përsëri, se ku e gjenin gjithë atë zell, për t`ua nxirë atyre jetën, akoma më keq. I shihnin si armiq dhe jo vetëm që nuk u shkelnin në derë, por edhe vaktin mezi ua jepnin. Për Ademin, kjo ishte e padurueshme. Se fundja të varfër ishin të gjithë, por përbuzjen e kishte të rëndë.
Edhe kur futej ndonjëherë në klub, si për të shkëmbyer ndonjë fjalë, përsëri ndihej keq, se nuk i afrohej njeri. Si mbetej, veç të qeraste Seitin dhe të qeshte nga zori me fjalët e tij që ishte i sigurt, se nuk ia merrte njeri për të keq. Kthehej në shtëpi i mërzitur dhe kërkonte ndonjë sebep për t`u zënë me të shoqen, por si kalonte një copë herë duke vërtitur ndër duar gazetën që nuk harronin ta sillnin gjithmonë në të njëjtën orë, kujtohej se fajin nuk ia kishte ajo.
Pastaj, me atë gazetë dilte te pragu, me shpresë se kalimtarët do ta shihnin që ai lexonte shtypin e partisë dhe do mendonin se sidoqoftë, ky është i yni. Por, s`ishte e thënë. Ata, as që ia hidhnin sytë, as atij dhe as asaj gazetës dhe jo më ta pyesnin për ato që shkruheshin në të. Edhe fëmijët e ndienin ftohtësinë dhe atë e mundonte mendimi, se ai ishte shkaku që ata përbuzeshin, qoftë dhe në shkollë. Boll mësonte i biri, Ardi, por askush nga mësuesit, nuk guxonte t`ia vendoste fotografinë në tabelën e nderit.
Një të diel, mori rrugën për Durrës. Deri atje ku mund t`ia hipte autobusit urban, vendosi të shkonte me biçikletën e tij shkatarraqe, se kot të priste; aty rrallë kalonin makina në ditë jave dhe jo më ditën e pushimit. Si eci nja një gjysëm ore, vuri re se përballë tij po vinte një makinë e vogël, nga ato që i quanin GAZ – 69.
Ajo dukej që së largu, ngaqë ngrinte një re të dendur pluhuri. E kuptoi se duhej të ishte dikush i rëndësishëm, ndaj instinktivisht, ndaloi. Mori biçikletën për dore dhe bëri mënjanë. Kur makina iu afrua, ndaloi dhe që nga dritarja e hapur një oficer, ai te të pesëdhjetat, pasi e përshëndeti, e pyeti:
– “Nga dilet për te rezervati shtetëror”?
Ademi pak i hutuar, nga që e njohu atë oficerin, pyeti dhe ai:- “Shoku Dane”?
– “Po. Ku më njeh ti mua”?!
– “Jam nga fshati yt, djali i Temes. Pastaj, kemi qenë dhe partizanë bashkë. Të kujtohet? Ti ishe komandant batalioni. Në betejën e Tendës së Qypit, ishim në të njëjtin pozicion. Kur na plasi ajo gjylja, desh u vramë të dy”.
– “Po ku je mor Adem? Sa kohë kemi pa u parë. Pastaj, ç`ne këtu? Dhe kur nuk e pret tjetrin…”?!
Tha këto fjalë Dania dhe si hapi derën e makinës, zbriti dhe e përqafoi shokun e luftës.
– “Jam me ministrin e Brendshëm, shokun Kadri”, – sqaroi.
Ndërkohë, ministri kishte zgjatur dorën dhe Ademi ia shtrëngoi fort duke thënë: – “Gëzohem. Gëzohem shumë”.
Dhe i lumtur, shtoi: – “Epo puna e do t`u them, të na urdhëroni nga shtëpia. Me shokun Dane, kemi kushedi sa vjet pa u takuar. Ejani…! Me atë që na ndodhet. Pula shyqyr kemi plot”.
Kur dëgjoi për pula fshati, ministrit menjëherë iu mbush mendja: – “Po ja Dania, e ka në dorë”.
Dhe Dania që siç duket, kaq deshi, aty për aty e preu: -“Do vijmë patjetër. Kemi shumë gjëra për të biseduar. Është një jetë kjo…”! “Po ti ke biçikletën”?
– “Nuk prish punë biçikleta. Po ua le këtyre rojeve të misrit dhe ma sjellin ata në darkë”
Kështu bëri Ademi dhe si u tha rojeve kureshtarë se po i vente në shtëpi, vetë ministri i Brendshëm, shoku Kadri, hipi në makinë. Kur mbërritën në Fllakë, pas nja dhjetë minutash, ai hodhi sytë rreth e rrotull, në e pa njeri dhe u priu miqve për nga shtëpia e tij.
– “Grua! – thirri te dera me zë të lartë, që ta dëgjonin të gjithë. – Dil se kemi mysafir, vetë ministrin e Brendshëm, shokun Kadri. E shoqja që s`arriti të hiqte përparësen, u dha e trembur te dera duke thirrur dhe ajo:
– “Mirëse na erdhët! Mirëse na erdhët”!
Ademi, tani që e kishte mbledhur veten, zuri të japë urdhra:
– “Shpejt se nuk kemi kohë. Fillo e ther pulat. Zjarrin e ke të ndezur”?
– “Për një gjysmë ore, çdo gjë është gati, mos ki merak mor burrë”.
– “Angazho dhe fëmijët”.
– “E di unë atë punë. Ti shiko jepu muhabet mysafirëve. Ja po e sjell rakinë”.
Ademi, edhe pse ishte i sigurt se ajo do nxirrte rakinë më të mirë, përsëri, nuk iu ndenjtë pa i thënë:
– “Atë të zierën dy herë, e di ti”.
– “Po, po”, – u dëgjua zëri i së shoqes që humbi andej nga kuzhina, për t`u kthyer pas pak, me shishen dhe gotat e rakisë.
Gratë janë të çuditshme: edhe në kohë e skamjes më të madhe, se nga i nxjerrin disa mezera të shijshme për mysafirët e rrallë. U mbush tryeza me gjizë, qepë të njoma, hudhra, vezë të ziera e rrush të verdhë dyll, gjersa u skuqën copat e pulës. Hëngrën e pinë ata burra, së bashku me shoferin dhe shoqëruesin e ministrit dhe ngritën dolli pa fund për partinë dhe ‘Komandantin’ që; “Na sollën këto të mira”, sa vonë, vendosën të mos shkonin fare, atje ku ishin nisur, por të ktheheshin në Tiranë.
Kur po ndaheshin, e shoqja e Ademit, u futi në makinë dhe pulat e fundit që kishin, të therura dhe të mbështjella me kujdes. Ministri dhe Dania, pasi falënderuan të zotët e shtëpisë për mikpritjen, u përqafuan me ta dhe shkuan. E tërë Fllaka, kishte dalë dhe qenë grumbulluar për të parë e përshëndetur ministrin autoritar. Kur makina ishte larguar, duke lënë pas, atë shtëllungën e pluhurit, përgjegjësi i sektorit, një qeros që lahej një herë në dy muaj, iu afrua Ademit dhe si me inat i tha:
– “Po ti, duhej të na lajmëroje ne mor mik. Nuk bëhen kështu këto punë”.
– “Si t`u lajmëroja. Ju nuk më vini as për të uruar Vitin e Ri, e mezi më flisni në rrugë dhe unë duhet t`u lajmëroja se po më vinë shokët e vjetër të luftës”?!
Kaq u desh dhe gjithçka ndryshoi në jetën e familjes së Ademit. Nisën hamendjet: Aha! Ata i nderon vetë ministri i Brendshëm. E paskan mik dhe nuk na e ka thënë. Kushedi sesi është puna. Ky të hiqka nga detyra po të dojë. Një fjalë e tij, në vesh të Perëndisë. Po përse ta kenë lënë këtu vallë? Hajde merre vesh, sesa të ngrohta do kenë shkuar bëmat tona, atje lart.
Që atë ditë, të gjithë silleshin ndrysh me Ademin dhe familjen e tij. Njerëzit tani shkonin vizita kohë e pakohë tek ata. Ademit, i uleshin të gjithë në tavolinë, kur shkonte të pinte kafen në klub. Sa herë e shihni me gazetën në dorë, e pyesnin me rrënjë e me degë për të rejat dhe bënin sikur gëzoheshin shumë për arritjet e socializmit.
Ardit, ia vunë fotografinë, në tabelën e nderit të shkollës. Dhe shpesh, ashtu si pa dashur, qerosi dhe sekretari i partisë, e hidhnin fjalën se ministri i Brendshëm ishte burri më trim dhe më besniku i partisë dhe sidomos i ‘Komandantit’. Edhe një punë më të lehtë i dhanë Ademit.
Mirëpo, kjo nuk zgjati shumë, pasi një ditë të bukur u hap fjala, se në një Plenum të Komitetit Qendror, ministri ishte kritikuar rëndë dhe ishte shpallur armik. U mblodhën komunistët e sektorit dhe aty sekretari, deklaroi se ai ishte arrestuar dhe do gjykohej me grupin tradhtar që ishte zbuluar. Pas nja dy ditësh filluan mbledhjet. Njëri, në një të tillë, kishte thënë:
– “Edhe neve si organizatë, na ka munguar vigjilenca revolucionare. Kemi rastin e Ademit, armikut të fshehur, i cili duke qenë i internuar, ka pritur dhe ka përcjellë ish ministrin”.
Kaq deshi qerosi – “Po të ishte ish ministri burrë i mirë, vinte tek unë dhe jo tek Ademi”?!
– “Qoftë edhe te unë – shpejtoi sekretari i organizatës bazë. – Apo, pulat tona, nuk i shijonin atij”.
Ademi, e ndjeu se përsëri ishte kthyer ndaj tij ai qëndrimi i parë. Në fillim, u hoq fotoja e të birit nga tabela e nderit. Pastaj, nisën të mos i flasin atij në rrugë.
Vizitat në shtëpi u ndërprenë e kështu me radhë, gjersa e çuan tek ai vendi ku kishte qenë me punë, pra në lopatë. Pastaj, e thirrën ata të Sigurimit dhe nisën ta pyesnin se ç`e lidhte me atë armik. Pse i kishte vajtur në shtëpi? Çfarë kishin biseduar? Betohej i ziu Adem se çdo gjë ishte rastësore dhe se vetëm shëndete për partinë dhe komandantin kishin ngritur atë ditë, por nuk e besonte kush.
Tani mik i kishte mbetur vetëm Seiti. Me atë e pinte kafenë mëngjeseve. E vërteta është se edhe ai gomari i rrjepur, vazhdonte të qëndronte stoik, mbi bajga, para zyrave të sektorit. Dhe kur ai e humbi durimin dhe pëlliti mesa pati në kokë, Seiti, u ngrit në këmbë dhe si rregulloi atë xhaketën ushtarake që s`e hiqte kurrë nga trupi, duke nderuar me grusht, thirri:
– “Të na rrojë partia. Pa të tjerat, venë e vinë. Apo jo, mor shoku….”?! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016