Nga Uvil ZAJMI
Pjesa e dytë
Dëshmia e Fatmir Frashërit: “Gjatë kthimit në Beograd, na izoluan për 24 orë, se aty mbërriti për vizitë, president i SHBA-së, Nikson”!
Vijon nga numri i kaluar
Memorie.al / Ndeshja e kthimit, ajo e 30 shtatorit 1970, me “Ajaks” në Amsterdam të Hollandës, ka tjetër histori. Interesim, kuriozitet i madh i gazetarëve holandezë që e ndjekin skuadrën deri në hotel. Nuk udhëtojnë disa titullarë, skuadra është pa mjek dhe marrja surprizë e portierit Koço Dinella, nga “Skënderbeu” i Korçës. E gjithë historia e panjohur e asaj ndeshje të zhvilluar plot gjysëm shekulli më parë, ku Xhuxh Kazanxhi, refuzoi këpucët e dhuruara, udhëtimi i paharruar me skaf, pastaj kthimi në Beograd, në të njëjtën ditë me presidentin amerikan Nikson! Si e kujtonte mbrojtësi legjendar i Tiranës dhe përfaqësueses, Fatmir Frashëri, atë 90-minutësh, me hollandezin fluturues, Johan Krujf dhe historia numrit 14?! Nëse Ajaksi e nisi ciklin e madh nga Tirana, për “17 Nëntorin”, do fillonte rrënimi, deri në “kërcënimin” për të rënë në Kategorinë e Dytë.
Nisja me mungesa në formacion dhe përforcime nga ekipet e tjera!
Ekipi i “17 Nëntorit” u nis për në Amsterdam me katër përforcime, tre që luajtën në Tiranë: Medin Zhega, Iljaz Çeço e Gani Xhafa dhe bashkë me ta, u mor dhe portieri Koço Dinella, i “Skënderbeut” dhe Kombëtares, të cilin e njoftuan kur korçarët po luanin në Vlorë ndaj “Flamurtarit”, në fundjavë në ndeshjen e kampionatit kombëtar. U bashkua me grupin dhe në Holandë ai u nis pa asnjë ditë stërvitje me skuadrën. Për arsye biografie, nuk udhëtuan dhe nuk bënë pjesë e aventurës holandeze, as portierit Konomi e Habibi, por as Bixh Bytyçi, si dhe zv/trajneri Enver Shehu.
Skuadra përbëhej nga Koço Dinella, Bujar Tafaj, Fatmir Frashëri, Perikli Dhales, Gëzim Kasmi, Aali Mema, A. Nurishmi, Arben Çela, Pavllo Bukoviku, Niko Xhaçka, Iljaz Çeço, Gani Xhafa, J. Kazanxhi, Skënder Hyka, Medin Zhega, Bahri Ishka. Kurse trajner është Myslym Alla dhe përgjegjës ekipi, Jovan Bardhi dhe Mehdi Agolli. Sapo i gjithë stafi zbriti në aeroportin e Amsterdamit, një foto së bashku në grup, është i vetmi imazh fotografik, që e shoqëron skuadrën gjatë mbërritjes.
Interes i madh i medias vendase
Shumë gazetarë në aeroportin holandez kanë qenë të pranishëm dhe kanë pritur ardhjen e “17 Nëntorit”, madje duke e ndjekur e shoqëruar deri në hotel, ku skuadra do të akomodohej. Interesimi dhe kurioziteti ishte jashtë imagjinatës. Rezultati i ndeshjes së parë, kishte provokuar e nxitur mjedisin sportiv vendas, duke i shtyrë ata për t’i parë nga afër protagonistët e sfidës tiranase, rezultati i së cilës ishte surprizë për ta. Menjëherë u bënë shumë tentativa, këmbëngulje për intervista dhe fotografi nga ana e tyre, por që u refuzuan nga futbollistët e stafi shqiptar, pasi kështu ishte dhënë orientimi.
Këpucët dhuratë që Kazanxhi nuk i mori…!
Interesimi i veçantë ishte për Josif Kazanxhiun, “gjigantin tiranas”, që luajti në pjesën e dytë të ndeshjes së parë, duke realizuar golin e parë. Fillimisht e konsideruan si një veprim taktik, mos aktivizimin e tij në fillim të sfidës, pasi ishte lojtar formacioni në protokollin e arbitrit, por kur orë më vonë u informuan se cili ishte motivi, kanë shtangur, duke mos e besuar plotësisht shkakun.
Për këto arsye, ndërsa skuadra ishte në hotel, nga recepsioni, i thonë Kazanxhiut, se dikush e priste poshtë: “Ishim në dhomë me Xuxin, – tregon Pavllo Bukoviku, – kur e njoftuan se një person i ka sjellë një palë këpucë futbolli dhe e pret në holl, për t’ia dhënë. Dëshira për t’i marrë ishte e madhe, por frika sundonte mbi të gjithë, veçanërisht tek ai. Dhe Xuxi nuk zbriti, edhe për faktin se do t’i kërkonin të bënte edhe një foto me këpucët e dhuruara”, kujtonte Bukoviku.
Shëtitja argëtuese me skaf
Shumë gazetarë në aeroportin holandez kanë qenë të pranishëm dhe kanë pritur ardhjen e “17 Nëntorit”, madje duke e ndjekur e shoqëruar deri në hotel ku skuadra do të akomodohej. Interesimi dhe kurioziteti ishte jashtë imagjinatës. Rezultati i ndeshjes së parë kishte provokuar e nxitur mjedisin sportiv vendas, duke i shtyrë ata për t’i parë nga afër protagonistët e sfidës tiranase, rezultati i së cilës ishte surprizë për ta. Para takimit kishte shumë tentative dhe këmbëngulje, për intervista e fotografi nga ana e tyre, por që refuzohen nga futbollistët e stafi shqiptar, pasi kështu ishte dhënë orientimi.
Lidhur me atë ndeshje, Bukoviku kujtonte: “Ndonëse isha titullar në një dekadë të plotë me këtë skuadër, shpirti dhe kapiteni saj deri me ‘Standardin’ e Liezhit (Belgjikë), nuk më aktivizuan në ndeshjen e parë në Tiranë dhe as në të dytën në Amsterdam edhe sot nuk e di motivin”?! Ndërkohë, edhe në këtë takim Krujf nuk u aktivizua, por qëndronte në këmbë në bordurën e fushës, i veshur me një kostum të zi. “Në atë takim, Ali Memës i kam dhënë këpucët e mia, që m’i kishin sjellë nga Italia, me ato ka luajtur”, kujtonte Bukoviku.
Ndeshja e Amsterdamit, u shoqërua me një shkrim në gazetën “Sporti Popullor”, me titull të thjeshtë: “Kupa e Kampioneve. “Ajaks” i Amsterdamit – “17 Nëntori” 2-0 (1-0)”. Në atë takim, “17 Nëntori”, luajti me fanellën tradicionale, siç e tregon edhe foto para fillimit, ku janë dy kapitenët, Frashëri e Velibor Vasoviç, (jugosllav), bashkë me arbitrat e sfidës.
Në Beograd bashkë me Presidentin Nikson, të SHBA-ës
Kthimi për në Tiranë, ishte programuar me avionin e linjës dhe në Beograd, pas një qëndrimi të shkurtër, do të merrej ai i linjës për në Titograd. Por, sapo avioni u ngrit nga pista beogradase, filloi një furtunë e madhe dhe në pamundësi për të vijuar fluturimin, e detyrojnë avionin të ulet, duke e shtyrë udhëtimin për ditën tjetër. Por në Beograd, kishte një ngjarje jo të zakontë. Pikërisht më 1 tetor 1970, në vijim të turit europian, pas qëndrimit në Itali, vjen për vizitë zyrtare në Jugosllavi, Riçard Nikson, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Duke qenë se ishin marrë masa tejet rigoroze, në veçanti për kontrollin dhe lëvizjen e të huajve, një veprim i tillë “izolues”, u aplikua edhe për shqiptarët, në këtë rast skuadrën e futbollit. Lidhur me këtë ngjarje, ish-portieri bardheblu, Bujar Tafaj, tregon: “Për këtë arsye, na dërguan në një hotel 70 km. larg Beogradit, madje kemi qëndruar dy futbollistë në një krevat, ndërsa poshtë ishte kazino plot zhurmë. Kur mbërritëm, u lajmëruan edhe dy këngëtarë, e ahengu nuk pushoi deri në mëngjes. Unë me Koço Dinellën, nuk fjetëm gjithë natën. Të nesërmen u nisëm”.
Fillimi i një rrënimi pa kthim…!
Pas kthimit nga Holanda, për skuadrën kryeqytetase, do të fillonte një fazë e vështirë. Në takimet vijuese, regjistrohen disa humbje radhazi, me “Skënderbeun” në javën e dytë, “Dinamon”, e Tiranës, “Labinotin”, e Elbasanit, “Flamurtarin” e Vlorës dhe duke barazuar 1-1, me “Lokomotivën” e Durrësit. Në atë sezon, “Partizani” shpallet kampion, ndërsa “17 Nëntori”, renditet në vendin e shtatë. Nisur nga disa orientime absurde partie, ku thuhej se; “ka përfunduar cikli i kësaj skuadre dhe kërkohet rinovimi”, për disa futbollistë dhe drejtues, do të shpërthente një furtunë pezullimesh e largimesh.
Për pasojë, edhe kampionatet që vijojnë janë zhgënjyese, të shoqëruar me rezultatet jo pozitive, me paraqitje të dobët dhe renditje deri në kufijtë kritike të klasifikimit. Në sezonin 1973-1974, skuadra është parafundit me 21 pikë, aq sa “Luftëtari” i Gjirokastrës, që ishte i fundit. Për t’i ardhur në ndihmë skuadrës me traditë, Federata Shqiptare e Futbollit, “shpiku” një “play-off”, duke vënë përballë “17 Nëntorin” me “Apolloninë” e vendit të parë, në Kategorinë e Dytë. Ndeshjet u mbyllën me shifrat 0-0 në Fier, në takimin e parë dhe 2-0 në Tiranë, në atë të kthimit, rezultatet që i garantojnë “17 Nëntorit” qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar.
Ish-kapiteni bardheblu Frashëri: “Kundër ‘Ajaksit’, ndeshja e karrierës”!
Në Holandë, skuadra mbërriti dy ditë para takimit dhe u sistemua në “Muze Hotel” në Amsterdamin e vjetër. Si e kujtonte legjenda Fatmir Frashëri, ish-kapiteni i skuadrës, atë përballje, ato 90 minuta
Z.Frashëri, çfarë atmosfere gjetët në Amsterdam?
Kishte interesim të madh nga të gjithë, por veçanërisht nga gazetarë, dhe në opinion kishte njëfarë pasigurie, nisur nga rezultati i ndeshjes së parë, që ishte intrigues. Madje, kur më pyetën; “si e mendoni përballjen”, iu përgjigja “ne e pamë Ajaksin në Tiranë dhe nuk kemi frikë, ndërsa ai ende nuk na ka parë në fushën e tij”, sigurisht duke buzëqeshur. Kujtoj se përkthyese, ishte një vajzë bionde holandeze që fliste italisht dhe komunikonte me trajnerin Alla, ndërsa unë flisja në anglisht.
Thuhej se jeni dëmtuar në atë takim?
Kam luajtur me gjurin e fashuar, pas një dëmtimi kohë më parë. Por gjatë 90 minutave ndaj “Ajaksit”, u godita dhe më pas u gjakosa në mjekër. Nuk kishim mjek, as masazhator, ishte menduar të udhëtonte nga Parisi, mjeku i njohur ortoped, Panajot Boga, pasi ishte atje me studime, por nuk mundi të vinte. Ishin mjekët holandezë, që më mjekuan.
Legjenda, Johan Krujf, ai që mungoi dhe historia e numrit 14!
Lojtar i jashtëzakonshëm, vështirë të gjesh një përcaktim në aspektin taktik…! Një interpretues i vërtetë i futbollit universal. “Il profeta del goal” e ka quajtur Sandro Cioti filmin kushtuar atij. Jo një sulmues i mirëfilltë, por që ka realizuar në pafundësi, jo një mbrojtës, por nuk ka humbur asnjë dyluftim, jo një regjisor, por komandonte gjithë organizimin e lojës si askush tjetër. Ka luajtur me fanellën me numër 14 që tashmë është simbol i Klubit.
Ka qenë shoku i tij i skuadrës tek “Ajaks”, Gerrie Muhren, që e ka treguar zgjedhjen e numrit. “Zakonisht unë përdorja fanellën me numër 6 dhe Johan atë me numër 9. Para një takimi në transfertë, nuk gjenim ku ishte fanella ime dhe Johan më ofroi të tijën, duke veshur vetë atë me 14. Ndeshja ishte më shumë se një triumf dhe nga ai moment, unë mbaja gjithmonë atë me numër 9, ndërsa ai me numër 14. Këtë fanellë, ai e mbante edhe me kombëtaren, ndërsa te “Barcelona”, jo, pasi federata spanjolle, lejonte numrat nga 1 deri te 11. Krujf zgjodhi numrin 9, por nën të, ai mbante gjithmonë atë me numër 14”.
Në cikël që filloi nga Stadiumi “Qemal Stafa”!
Nga Tirana ka startuar historia e lavdishme e “Ajaksit” të Johan Krujfit dhe “ushtarakut të hekurt”, trajnerit Rinus Mishel. Në vitin 1968, “Ajaksi” arrin deri në finale, por mundet thellë në Madrid, 4-1 nga “Milani”. Ndërkohë, i kishte dhënë shenjat e një skuadre me kualitet të lartë, që e kishte filluar kohë më parë ciklin për një futboll total, bazuar në përgatitjen fiziko-atletike. Pasi ka kaluar dy turet e para, ndaj “17 Nëntorit” e zviceranëve të Bazelit, luan me “Sëlltik” të Gllazgout nwëSkoci, që një edicion më parë, ishte mundur nga “Fejnord” i Roterdamit, në finalen e trofeut. 3-0 në Amsterdam dhe 0-1 në Gllazgou.
Pastaj, 1-0 në Madrid për “Atletikon” dhe 3-0 në Holandë me gola të Keizer, Suurbier e Neeskens. Në finale ka përballë grekët e “Panathinakos”, që drejtohen nga Pushkash dhe kanë Antoniadis, golashënuesin më të mirë të turneut me dhjetë gola. Gjatë 90 minutave, publiku anglez në “Wembli” mbeti i befasuar nga taktika ofensive e aplikuar nga holandezët, një revolucion i vërtetë futbollistik. Ndeshja ishte një monolog, kur ata realizojnë me Van Dijk, golin e parë, pas pesë minuta lojë. Nuk luante i dëmtuar, Rud Krol, një mbrojtës i majtë i talentuar dhe protagonist i sezonit, por me spostimet e vazhdueshme të lojtarëve holandezë, tri minuta para përfundimit, Hari Han realizon golin e dytë dhe Kampionë të Europës.
Tashmë epoka triumfuese “ajaksiane” ka filluar dhe nëse do të kthehemi pak muaj më parë, nga Tirana e ka startin “Ajaksi” legjendar, i shoqëruar me tre titujt radhazi. Pikërisht pas barazimit 2-2 me “17 Nëntorin”, të mërkurën e 16 shtatorit 1970, për ta mbyllur atë sezon në finale e Londrës: “Ajaks” –“Panathinakos”, 2-0. “Ajaks”: Stuy, Suurbier, Neeskens, Vasoviç, Rijnders (Blankenburg), Hulshoff, Sjuart (46 Han), Van Dijk, Krujf, Muhren, Keizer, Tr. Mishels. Shumë prej tyre ishin protagonistë edhe në “Qemal Stafa”.
I N T E R V I S T A
Sulejman Starova: “Futboll i madh, i paimitueshëm”!
Si e kujton atë ndeshje dhe “Ajaksin”, ish-futbollisti dhe trajneri e specialist i njohur Sulejman Starova, i cili shprehet: “Do të ishte një mrekulli të luante Krujfi, por ishte i dëmtuar, siç na thanë më vonë. Jemi në vitet ‘70-të, futbolli ndiqet me shumë pasion. Të gjithë të dashuruar pas Ajaksit”.
Z. Starova, e keni parë “17 Nëntori” – “Ajaks”, çfarë kujtoni?
Ishim në vitin e parë të Shkollës së Mjeshtërisë dhe u caktua ekipi ynë, “Shkëndia” të kapnim topat pas porte. Nga porta veriore kam qenë, pashë nga afër Surbier, kur realizoi golin e parë. Për “Ajaksin”, ishte hera e parë që vinte në Tiranë, diçka dinim, dëgjuar, kisha parë në televizorin bardhezi të kohës, finalen e Kupës së Kampioneve, 1968 “Milan” – “Ajaks” 4-1, kur “Ajaksi”, ende nuk njihej si skuadër e madhe.
Si e mendoni se ka qenë Tirana, ndeshja e parë me “Ajaksin”, ku merr udhë futbolli total?
Këtë nuk e them unë, por historia. Kujtoj lojtarë që vraponin, një mbrojtës që shënon dy gola, në të parin vetëm kur e kemi parë Surbier, para portës tonë, aq i shpejtë ishte manovrimi, presingu që i bënë Kasmit, në mesfushë, kur e rrethuan dhe i rrëmbyen topin. Me “Ajaksin” u dashuruam të gjithë. Flokë të gjata, fizikisht, trupa të mëdhenj, elementë edhe këto, që e bënin më madhështor. Në atë sezon “Ajaksi”, pasi eliminoi “17 Nëntorin”, arriti deri në finale dhe u shpall kampion. Nga “Ajaksi” futbolli total, u transmetua edhe tek Hollanda. Një modul modern loje, që befasoi botën në atë periudhë.
Realisht, çfarë ishte ai futboll?
Do t’i referohem Ditmar Kramerit, instruktor i FIFA-s, ish-trajner i “Bayern” (Mynih), kampion Europe, kur vite më vonë, erdhi për një seminar në Tiranë. Ai dha një shpjegim, duke bërë një dallim se; “Futbolli Total”, ishte një emër që i vunë gazetarët e opinionistët. Sipas Kramerit, fjala “futboll total”, i ç’orientoi specialistët, që pyesnin çfarë është ky futboll, ku është sekreti i tij? Sipa Kramerit, “Ajaksi” ishte një skuadër e mbushur me talente, përgatitje e lartë fizike, ku në mënyrë alternative, merrnin pjesë në fazën sulmuese, të përhershmit Surbier e Krol, si mbrojtësa anësorë.
Dy mbrojtësit e qendrës, gjermani Blankenburg e Hulshof, qëndronin në rolin klasik të liberos dhe stoperit, por shpesh i shihje edhe në sulm. Pastaj mesfusha me regjinë e Han, të palodhurin Neskens, Myren, edhe këta shfaqeshin para portës. Forcën goditëse të Van Dijk, Rep në të djathë, driblimet, harkimet e Kaizer, Sjuart dhe Krujfin, leader, strateg i kudo ndodhur. E gjithë skuadra, ushtronte presion të lartë, presing në çdo sektor që i jepte mundësi të aplikonte edhe një formë të re të ofsajdit artificial. Në atë kurth, binin skuadra të mëdha, deri 5-6 lojtarë njëkohësisht. Kujtoj, kur Krujf kthehej në mbrojtje, me të famshmet sparkatat e tij.
Në edicionin e parë trajner ishte Mishel, në dy trofetë e tjera, në stol është rumuni Kovaç…?!
Nga njeriu i “hekurt” si Mishels, ideatori i atij futbolli, te “Ajaksi|, vjen një rumun, Stefan Kovaç, që fitoi dy kupa kampionesh, radhazi. Kovaç transmetoi idetë e Mishels, krijoi raporte të mira me publikun, lojtarët, në stërvitje shkonte me biçikletë, njeri i thjeshtë, një trajner grupi. Ai i dha liri veprimi lojtarëve, ndryshe nga “diktatura” e Mishels. Të gjithë bënim pyetjen; si ka mundësi kjo skuadër e madhe, me trajner rumun?!
Ka mjaft opinionistë që e konsiderojnë edhe të dështuar këtë sistem loje, nisur nga kombëtarja hollandeze, pa asnjë trofe në kulmet e saj?!
Hollanda e botërorit ‘74, arriti deri në finale me gola, lojë spektakolare, ku të gjithë shënonin, me një Krujf të jashtëzakonshëm. Por, përballë ishte një Gjermani kolosale. Historia u përsërit në “Euro 88”, kur Holanda me Mishels në stol, ndonëse pa futbollin total, të krijuar prej tij, por me të tjerë kampionë në skuadër, si Van Basten, Gulit e Rajkard, fitoi bujshëm trofeun kontinental.
Starova, pyetja e fundit për ta mbyllur: Ndonëse vite, dekada, epoka, kalojnë dhe skema e module që ndryshojnë. Thuhet se diçka i lidh ato?
Sigurisht, që ka një fije që i lidh edhe pse skemat e strategjitë ndryshojnë. Në fund të fundit, interpretimin e tyre dhe diferencën e bëjnë gjithmonë lojtarët e mëdhenj. Sigurisht që çdo taktikë, është e lidhur dhe kujtohet me skuadrën që e ka interpretuar më mirë. Memorie.al