Nga Uvil Zajmi
Memorie.al / Historia e panjohur e spartakiadave kombëtare, e atyre shfaqjeve madhështore që zhvilloheshin në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, të kryeqytetit, nën vështrimin e udhëheqësit kryesor të Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha! Si organizoheshin, cili ishte qëllimi, çfarë demonstronin ato dhe nga u kopjua ai model?! “Pas kthimit të Enver Hoxhës nga Moska, u hodh ideja që të zhvilloheshin edhe në Shqipëri, shfaqje të tilla gjigante. Konsiderohej aktiviteti më i madh politik dhe sportiv i vendit. Në Spartakiadën e IV – ët, morën pjesë 300 mijë të rinj e të reja, gati një e gjashta e popullsisë. Gazeta ‘Zëri i popullit’, nuk ma shkruante emrin dhe në Korçë, më hoqën nga provat gjenerale”, tregon Petrit Qëndro, i cili bashkë me grupin dhe bashkëshorten e tij, Ana, ka drejtuar ato veprimtari, në vitet e diktaturës. Vështirësitë, përgjegjësia, dokumentacioni, fotot e rralla që ai ruan ende sot, etj., z. Qendro na i rrëfen në këtë intervistë ekskluzive për ne.
Si filloi organizimi i spartakiadave në Shqipëri?
Spartakiadat në Shqipëri kanë qenë disa: studentore, shkollore, të klasës punëtore, të fshatarësisë, të punonjësve të industrisë e minierave, ajo e të rejave, e rinisë kooperativiste, e tekstilistëve, e pionierëve, e rinisë punëtore e fshatare, Ushtrisë Popullore, etj., etj. Ndryshe ishin ato kombëtare, që në total u zhvilluan pesë të tilla. Më 1959-ën, u zhvillua Spartakiada I-rë Kombëtare, nga data 4-11 tetor 1959 në Tiranë, ku morën pjesë 10.000 fizkulturistë. Në tribunë ishte edhe Enver Hoxha. Gjatë spartakiadës u vendosën 189 rekorde dhe ekipi “17 Nëntori” i Tiranës, u shpall fitues. Spartakiada e 2-të Kombëtare që zhvillohej në prag të 25-vjetorit të çlirimit, u çel më 24 gusht të vitit 1969, po në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”.
Gjatë zhvillimit të saj, u vendosën 98 rekorde dhe ekipi “17 Nëntori” i Tiranës, për herë të dytë u nderua me flamurin e Spartakiadës. Kurse Spartakiada e 3-të Kombëtare u zhvillua në vitin 1974, e cila ishte ndarë në 4 faza. Ajo nisi më 16 shtator 1973 dhe më 9 tetor 1974, në Pallatin e Sportit “Partizani” u ngrit flamuri, kurse me 12 tetor në Stadiumin “Qemal Stafa” u zhvillua manifestimi i madh i hapjes së asaj spartakiade. Aty përsëri mori pjesë edhe udhëheqësi kryesor i Partisë së Punës së Shqipërisë, Enver Hoxha. Gjatë zhvillimit të saj, vendosën 155 rekorde dhe ekipi “17 Nëntori” i Tiranës, për herë të tretë, nderua me trofeun e fituesit.
Spartakiada e IV-ët, Kombëtare e cila u zhvillua në kuadrin e 35-vjetorit të çlirimit, u zhvillua në vitin 1979 dhe aty u aktivizuan rreth 500 mijë pjesëmarrës nga i gjithë vendi. Aty u thyen 173 rekorde kombëtare dhe triumfoi sërish ekipi i “17 Nëntori” të Tiranës. Ndërsa në Spartakiadën e V-të Kombëtare të vitit 1984, u aktivizuan rreth 750 mijë vetë dhe aty u vendosën 155 rekorde kombëtare e, përsëri, ekipi “17 Nëntori” i kryeqytetit, është fitues i saj. Për më shumë rreth zhvillimit të këtyre spartakiadave, na njeh intervista me z. Petrit Qendro, që po publikojmë më poshtë në këtë shkrim.
Profesor, fillimisht, kush është Petrit Qëndro dhe karriera juaj sportive?
Unë kam lindur në vitin 1938 në qytetin e Korçës, ku kam kaluar dhe fëmijërinë. Në vitet 1950, erdha në Tiranë si nxënës në Liceun Artistik “Jordan Misja”, dega e pikturës, me mësues skulptorin e famshëm, mjeshtrin Odhise Paskali. Më pas, studiova në në Teknikumin e Fizkulturës, po në Tiranë dhe pasi u emërova arsimtar, kam qenë mësues më 18 shkolla të Tiranës e periferinë e saj. Po ashtu, kam qenë pjesëmarrës në garat e atletikës, në rrethet çiklistike të Shqipërisë, trajner basketbolli dhe trajner i kampionëve të kërcimit me shkop, si Dh. Dhjaku, S. Fisheku, e deri sekretar i Federatës Shqiptare të Atletikës dhe Shumë sporteve. Ndërkohë që 6 vite të tjera, kam qenë edhe instruktor i përgatitjes fizike të arbitrave të futbollit.
Z. Qëndro, si lindi ideja për t’i organizuar spartakiadat edhe në Shqipëri?
Kam mendimin se ideja lindi gjatë një vizite të Enver Hoxhës në Moskë, në vitin 1949. Së bashku me Stalinin, kishin asistuar në një aktivitet fizkulturor masiv zhvilluar në stadium. Pas kthimit, Enveri hodhi idenë që edhe në Shqipëri të organizoheshin të tilla manifestime. Si karakteristikë më dalluese e Europës Lindore, këto lloj manifestimesh, gjetën zbatim edhe në vendet e këtij Blloku, veçanërisht në Shqipëri.
Të gjitha spartakiadat, janë organizuar në festa apo përvjetorë me simbole kombëtare, etj. Kontaktin e parë e kam pasur në vitin 1957. Sapo kisha përfunduar Teknikumin, kur Lame Konomi, kishte dëgjuar për mua, e ndërsa po kryeja shërbimin ushtarak në Klubin Sportiv “Partizani”, më thërret dhe bashkë me Pal Mirashin, ish-futbollistin e njohur, (asokohe mësues në shkollën “Fan Noli”), dhe na caktuan të ndihmonim grupin e uzinës “Partizani” e të Fabrikës së Këpucëve, për të realizuar ushtrime fizkulturore të klasës punëtore.
Edhe në kohën e Mbretërisë së Zogut, janë zhvilluat manifestime masive, apo jo?
Ato e kanë zanafillën në shkollën e parë shqipe të vitit 1887, kur në mbyllje të vitit shkollor në oborrin e saj, nxënësit, para prindërve dhe personelit pedagogjik, zhvilluan një ceremoni festive me ushtrime gjimnastikore, të hartuara nga mësues të edukatës fizike. Por, edhe njëra nga motrat e Ahmet Zogut, kishte marrë në patronazh për edukimin fizik të sportit. Në fotot e kohës, shihen shfaqje të tilla të organizuara te “Shallvaret”, ku shkollat janë vetëm me vajza. Nuk kishte parulla, as emra, as thirrje, vetëm lëvizje të shoqëruara me tingujt e muzikës. Edhe në shkollën “Normale” të Elbasanit ose në Vlorë, Shkodër, Durrës, Tiranë, etj., organizoheshin manifestime vjetore, me rastin e mbylljes së vitit shkollor. Pra, një traditë ekzistonte.
Në qershor të vitit 1946, u panë shfaqjet e para të njohura si “manifestime gjimnastikore-sportive”, që përfaqësonin demonstrimin më të madh fizkulturor në Shqipëri, deri asokohe. Rreth 3500 të rinj e të reja, duke manifestuar, që nga vallet, lojërat popullore, gjimnastikë mbi vegla, etj. Më 3 qershor 1949, në manifestimin fizkulturor të shkollave të kryeqytetit me rreth 3500 nxënës, për herë të parë morën pjesë tri cikle të shkollave, ato fillore me ushtrime të gjimnastikës së mëngjesit, ato 7-vjeçare, me karakter bujqësor, etj. E veçantë ishte “Bariu e baresha”, e Luigj Shalës, që u vlerësua nga shtypi i kohës. Shoqëruar me një folklor muzikor e koreografi, që u konsiderua si një hap i parë cilësor.
Ju kujtohet Spartakiada e Parë?
Ajo ishte e ndarë në dy faza. Nisi në vitin 1958, me gara dhe aktivitete, ndërkohë që në tetor 1959, u zhvillua ceremonia e hapjes me rastin e 15-vjetorit të çlirimit të atdheut. Bashkë me studentët dhe ushtarakët, ishte edhe klasa punëtore. Para stadiumit, u ngritën çadra ku qëndronin e zhvillonin ushtrimet të ardhurit nga rrethet. Një ndër ushtrimet ishte pa uniforma, vetëm bust. Për të marrë ngjyrë, ushtruesit i dërgonin në plazhin e Durrësit, ku edhe përgatiteshin. Kujtoj gjithashtu një anije në mesfushë, të realizuar me kartonë dhe pëlhurë, nga grupi i fizkulturistëve të Durrësit.
Kishte grupe edhe nga Shkodra e qytete të tjera. Bashkë me shqiptarët, ishte edhe një inspektore, një grua ruse. Unë isha vëzhgues dhe për herë të parë, pashë veshje të tilla. Në tribunë ka qenë edhe Enver Hoxha. Valëviteshin flamuj shqiptarë e sovjetikë. U mbajtën fjalime nga Manush Myftiu, Vasil Konomi, nga qytetarë e ish-partizanë, etj. Nga studentë, nxënës, punëtorë, fizkulturistë, ushtarakë, iu dërguan lule Enver Hoxhës. Po kështu edhe Spartakiada e Dytë: ushtrimet mbi një piramidë, të ekzekutuara nga nxënësit e shkollave të ciklit të ulët, apo klasa punëtore, që jepte shfaqje me elementë nga bujqësia.
Edhe lojëra popullore, si; kaladibrançe, deri me 3 kate, apo “Lokomotiva në tunel” në formë stafete, me fëmijë, etj. Kurse fizkulturistët dhe ushtarakët, demonstronin rregullin, disiplinën. U zhvilluan ndeshje futbolli, basketbolli, volejbolli, boksi, mundje, etj. Veprimtaria shoqërohej me parullat e kohës; “Lavdi PPSH”-së, “Lavdi Marksizëm-Leninizmit”, “Rroftë PPSH”-ja, “Lavdi 15 apo 25-vjetorit të çlirimit”, etj.
Si përgatiteshit, çfarë metodash kishit?
Funksiononte një Komision Qendror, pjesë e të cilit ishin Ministra e Arsimit, Komiteti Ekzekutiv i rrethit të Tiranës, si dhe Komisioni Teknik, me kuadro me eksperiencë. Hedhja e ideve në letër, ishte faza e parë e punës. Pastaj tematika e ushtrimit, kërkesa, zbatimi, si dhe grupet fillestare. Për këtë, shfrytëzonim edhe fantazinë tonë, të kombinuara sigurisht nga mesazhet politike të kohës, gjithçka mbi një skenar, që duhej vënë në skenë. Sigurisht duke e mbështetur mbi njohjen e mjedisit, situatën, duke u bazuar në lëvizje individuale e, në grup. Ushtrimet me temë nga bujqësia, realizoheshin me nxënës nga cikli i mesëm i shkollave periferike, shoqëruar me mjete figurative, si shporta, lule diellin, pambukun, grurin etj., me praninë edhe të ritmeve muzikore.
Si veprohej? A mund të na thoni ndonjë detaj të veçantë nga spartakiadat?
Provat fillonin bashkë me sezonin shkollor. Në mëngjes në oborrin e shkollës, në mesditë ato të ciklit të ulët, në stadiumin “Dinamo”, kurse të mesmet, në sheshin para Stadiumit Kombëtar, “Qemal Stafa”. Angazhoheshin të gjithë, nga ata të edukimit fizik, por edhe mësues të tjerë. Fillimisht jepej programi, punohej në grupe. Reduktoheshin orët e mësimit, gjithçka fokusohej te Spartakiada. Një javë para, niste praktikimi çdo ditë në stadium, ku secila shkollë, kishte sektorin e saj dhe çdo nxënës, student kishte numrin, vendin e tij në tablo dhe figurat.
A kishte kontrolle partiake, para se ajo të niste?
Ishte një angazhim shtetëror, jo vetëm i seksioneve sportive. Vinin nga Komiteti Qendror, Komiteti i Partisë, Komiteti Ekzekutiv, BFSSH, që ndiqnin provat. Veçanërisht ato gjenerale, që nëse kishte vërejtje, korrigjoheshin. Mendoni çfarë përgjegjësie, ankthi për mësues, nxënës, drejtues të shkollave, për ne grupin e punës, çdo gjë mund të ndodhte me atë masë aq të madhe manifestuesish. Dhe aktiviteti vazhdonte më shumë se një orë.
Ushtrimet tuaja, thuhej se i pëlqyen edhe specialistët kinezë… Si është kjo histori?
Ka qenë mbyllja e vitit shkollor, në shkollën “20-Vjetori”, ku unë isha mësues. U zhvillua një manifestim me klasat sportive. Bashkë me Mehdi Bushatin dhe Lame Konomin, kryeinspektor i sportit në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës, që kishte peshën e organizimeve të manifestimeve masive, ishte edhe një specialiste kineze. Pasi mbaroi manifestimi, më thirrën mua. Kinezja, së cilës i kishte pëlqyer aktiviteti, u shpreh se edhe pse cikli ishte i ulët, t’i shtoheshin Spartakiadës. I kishte bërë përshtypje një ushtrim me rrjetë e shirita. Ky ka qenë edhe momenti, që unë u angazhova intensivisht me spartakiadat.
A ka pasur ndonjë moment të vështirë për ju, z. Qëndro?
Ishte një ushtrim që do të bëhej me ciklin e ulët të shkollës “Labinoti”. Në prova ishte e pranishme, ministrja e Arsimit, Tefta Cami, që e pëlqeu dhe shprehu mendimin që ky ushtrim të bëhet dhe në shkollat e mesme. Nisëm përgatitjet në shkollën “Sami Frashëri”. Demonstrimi i të gjitha ushtrimeve, bëhej në Pallatin e Sportit “Partizani”. U vlerësua shumë. Pastaj në Ministrinë e Arsimit, u bë analiza, ishte i pranishëm edhe anëtari i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së dhe zv/kryeministri i qeverisë, Manush Myftiu, që kishte ndjekur provat.
Ndonëse aty u duartrokit edhe nga komisioni, ai e nisi diskutimin me ushtrimin tim. Duke qenë se figura kryesore ishte një pushkë kartoni, ai e kritikoi, duke thënë që; “Nuk mbrohet atdheu me pushkë kartoni, aq më shumë nga nxënës”! Tefta Cami, pati kurajën t’i thoshte: “Shoku Manush, e kam dhënë unë urdhrin që të bëhet, edhe me të mesmet”. Kur dolëm në pushim, dikush më preku në shpatull, kthej kokën, ishte Manush Myftiu: “Të erdhi keq, – më tha, – por ne mund ta ndryshojmë, apo jo”? “Sigurisht, – iu përgjigja, – do ta fillojmë nga e para”.
“Ke kohë?”, më pyeti. “Po”, i thashë dhe kërkova që për vajzat të më ndihmonte M. Lasku, kurse djemtë i kisha unë. Avni Mula, që ishte kompozitori, për të më inkurajuar, duke më përqafuar më thotë: “Petrit, do ta bëjmë më të mirë”.
Në Spartakiadën e Tretë, erdhi edhe ndryshimi i madh. Pse?
Dy të parat, ishin thuajse të ngjashme. E treta nisi në shtatorin e vitit 1973, e shtrirë deri në fshatrat më të largëta. Faza e dytë, prill-maj, në zona e sektorë, e treta qershor-korrik, në rreth dhe faza e katërt në Tiranë, në tetor 1974. Ishte një Spartakiadë, ku merrnin pjesë, pesë grup-mosha dhe me pesë kompozime për secilin grup. Deri edhe ushtrime për fëmijët e ciklit të ulët, drejtuar nga unë, sipas kërkesës së specialistes kineze. Por ajo që e bënte të veçantë, ishte sfondi i madh ballor, në sektorin e ri të sapo ngritur në Stadiumin “Qemal Stafa”, duke na u krijuar dy tablo, dy hapësira: në fushë e përballë.
Ishin 4.000 figurantë, që për herë të parë në historinë e manifestimeve, ku kompozojnë figuracione, parulla me shkronja të mëdha, realizojnë ushtrime të kombinuara, nga studentë, skënderbegas, shkollat e mesme, të ciklit 8-vjeçar, etj. U përdorën figura kartoni, të ardhura nga Kina. Por, ato ishin me ngjyra të forta e, nga dielli, krijonin reflekse. Sokol Morina, ndërhyri dhe nga Dekori i Tiranës, e bë ndryshimi i ngjyrave.
Emocionues ishte momenti kur 2.300 nxënës, realizuan për herë të parë, hapjen e flamurit kombëtar me përmasa shumë të mëdha, drejtuar nga autori Edvin Dashi. Por edhe kompozimi i ushtrimit të shkollave të mesme, djem e vajza, me autor Pashobell Resulin, shoqëruar nga Ana Qëndro. Mbyllja u bë me valëvitjen e flamurit, në majën e një piramide gjigante, në mesfushë. Gjithçka e gërshetuar me hyrje-dalje, pastrime të fushës etj. Unë mbaja tabelën, ku kisha emrin, numrin e studentit. Rëndësi kishte ceremonia e hapjes dhe mbylljes.
Në Korçë, thuhet se ju larguan nga provat gjenerale, cili është motivi?
Isha mësues në Baldushk, kur vjen Lame Konomi e më thotë: “Bashkë me Avni Mulën, do të nisesh për në Korçë, të përgatisësh një manifestim”. Kjo ndodhi në prag të Kongresit të Bashkimeve Profesionale, ku do të ishte edhe Enver Hoxha. Një javë, a diçka më shumë kohë, kishim në dispozicion. Një ditë para provave të përgjithshme me nxënësit e shkollave, Pirro Lako, sekretari i dytë i Komitetit të Partisë së rrethit të Korçës, më thotë: “Petrit, do të nisesh për në Tiranë”. E kuptova, biografia. Nuk duhet të isha prezent në provat gjenerale, si edhe në ditën e kongresit. Qëndroi Avni Mula me grupin e punës, unë u largova.
Dhe Spartakiada e fundit, ajo në vitin 1984…?
Nga një Spartakiadë në tjetrën, ishte fituar më shumë eksperiencë, nisur edhe nga përvoja që merrej nga Olimpiadat Botërore. Kujtoj se në manifestimin e vitit 1979, autorët Flora Toto dhe S. Bejtja, paraqitën me studentët e Institutit të Lartë të Kulturës Fizike, “Vojo Kushi”, një ushtrim shumë të bukur. Kurse Spartakiada e vitit 1984, ishte programuar nga 20-28 tetor dhe garat e ndeshjet, u zhvilluan në Stadiumin “Qemal Stafa”, Pallati i Sportit “Partizani”, pallatet e sportit në Shkodër, “Punëtori” në Durrës, poligonet e Tiranës, etj. Ndërsa takimet e shahut, në Pallatin e Madh të Kulturës në Tiranë.
Duheshin shumë elemente, veçanërisht uniformat me ngjyra si gjendeshin?
Kishte vështirësi, por një shtet ishte në këmbë. Uniformat porositeshin në Kombinatin e Tekstileve “Stalin” në Tiranë dhe Trikotazhin e Korçës. Ishte i rëndësishëm shfrytëzimi i ngjyrave të veshjeve, të harmonizuara me ato të ambientit, ndriçimin, madhësinë e sipërfaqes, dekorin, si ai ballor dhe anësor.
Si bëhej publiciteti i saj? Deri edhe te revista “Nuova Albania” arrinte fama!
Nga gazeta “Sporti popullor”, te “Zëri i popullit”, “Bashkimi”, etj., faqet e para të tyre, i bënin jehonë Spartakiadës. Sidomos kur në hapje, ishte edhe Enver Hoxha. Nga viti 1974 e në vijim, ishte edhe Radio-Televizioni Shqiptar. Deri edhe vjersha, këngë, poezi, janë krijuar nga autorë të njohur, si “Trupkalitur e zemërzjarrtë”, “Forcë dhe guxim përherë” apo “Zemër qeshur e hidhni hapin” etj., etj. Në dokumentarë shfaqeshin pjesë nga ceremonia hapëse, garat, etj. Po kështu edhe revistat, deri ato në gjuhë të huaja, propagandohej me shkrime e parulla si: “Manifestimi i hovit revolucionar të rinisë”. “Punojmë, mësojmë, jetojmë dhe kalitemi si revolucionarë”. “Manifestimi ishte një shprehje e qartë e hovit revolucionar, forcës, shëndetit dhe estetikës së rinisë sonë”, etj., këto ishin mesazhet.
Sa rëndësi kishte një medalje në Spartakiadë?
Të shpalleshe fitues i Spartakiadës ishte eveniment i madh për Klubet Sportive, individin e, për të gjitha sportet, si individuale, ashtu dhe ekipore. Për fituesit jepeshin medalje ari, argjendi e bronzi. Kur zhvillohej faza finale, ndërpritej çdo aktivitet tjetër, pasi garat, ndeshjet e Spartakiadës, ishin përfshirë në kalendarin sportiv vjetor. Nuk kishte shpërblime financiare, vetëm dekorime, me: “Naim Frashari” i Klasit të I-rë, II-të, II-të, apo ato sportivë; “Mjeshtër Sporti” apo i Mjeshtër i Merituar i Sportit”.
Çfarë kujtoni nga ato spartakiada?
Janë tri ndeshje futbolli. Në vitin 1969, “17 Nëntori” – “Dinamo” 2-2, pas së cilës kishin pikë e golaverazh të barabartë. Gjuhen penalltitë. Ali Mema realizon 5-së, ndaj 3 të “Dinamos”. Në vitin 1974, në futboll sërish, medaljen e artë do përcaktonin penalltitë, “Dinamo” – “Vllaznia”, 1-1 pas 120 minuta lojë dhe 5-3 fiton “Dinamo”. Po në vitin 1979, në finale ndeshja e futbollit “Dinamo” – “17 Nëntori”, 1-0, gol i Ilir Përnaskës.
Kujtoj një ndeshje basketbolli për femra, “17 Nëntori” –“Skënderbeu”, 103-57 dhe Bukuroshe Shtizën, realizuese të 32 pikëve. “Partizanin” e Agim Fagut, që nuk kishte rivalë, si dhe “Dinamon” e Vangjel Kojës. Pastaj atletet Marjeta Pronjari, Pavlina Evro, Marinda Preka, Rifat Deliu, Fatmir Bajraktari, Ajet Toska, Elisabeta Karabolli, Diana Mata, Klodeta Gjini, Mihalin, Kalleshi, Asim Belinovën, Zinon, Ramën, etj., etj., të më falin nuk mundem t’i përmend të gjithë.
Krahas spartakiadave janë zhvilluar edhe paradat ushtarake, për 10 korrikun, apo 28-29 Nëntorin dhe ato të klasës punëtore për 1 Majin…?!
Ishin më kryesoret dhe zhvilloheshin në Bulevardin e madh “Dëshmorët e Kombit”. Përgatitjet nga grupi, fillonin një muaj përpara, me plane konkrete, që u dërgoheshin shkollave. Rëndësi kishte demonstrimi para tribunës, ku ishte udhëheqja, Enver Hoxha, etj. Por, manifestimi me rastin e 40-vjetorit të Ushtrisë Popullore, ka qenë më i realizuari që kam bërë. Ai u zhvillua me 9 korrik 1983, në Stadiumin “Qemal Stafa”, me një sfond ku shkruhej “1943-1983 Ushtri Popullore”.
Fillimisht u mendua të zhvillohej në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Emver Hoxha”, por e merr vesh Enver Hoxha e thërret ministrin e Mbrojtjes, Prokop Murra, të cilit i thotë: “Për cilën bëhet kjo festë, për familjet e oficerëve?! Ushtria nuk është e tyre, por e popullit. Të bëhet në ‘Qemal Stafa’”, urdhëron ai i prerë. Enver Hoxha ishte edhe vetë i pranishëm. Vetëm 20 ditë kohë kishim.
Kemi dëgjuar se për t’ju nxjerrë emrin juve dhe bashkëshortes suaj në gazetën “Zëri i popullit”, ka shkuar puna deri tek Enver Hoxha! Si qëndron e vërteta e kësaj, a mundet të na e tregoni?
Pas manifestimit, pati entuziazëm të madh në stadium. Enveri ishte në tribunë, kur një gazetar i “Zërit të popullit” thuhet se e ka pyetur: “Shoku Enver, çfarë të bëjmë me këtë Qëndron, t‘ia nxjerrim emrin te “Zëri i popullit’, se dhe gruaja e tij Ana nuk shfaqet me mbiemrin Qëndro, por me të sajin, Martinian?” “Kush ju ka thënë, – iu përgjigj ai, – të mos ia vini emrin?” Këtë ma ka treguar vetë gazetari, por nuk mund të them me saktësi, se sa të vërtetë ka këtu.
Grupi i punës cili ishte, se flisni me shumë admirim dhe vlerësim?
Ishim disa miq, të njohur, mësues të edukimit fizik. M. Lasku, unë me Anën, bashkëshortët Eli dhe Sokol Morina, E. Dashi, ushtaraku Tafil Hamzai, P. Resuli, të gjithë të përkushtuar. Diskutonim, ideonim, projektonim dhe ishim ne që i aprovonim e që merrte përsipër organizimin. (Po kështu kam pasur ndihmën dhe mbështetjen e pakursyer të bashkëshortes sime, Ana, koleges, bashkëpunëtores, njeriut më të afërt në familje, punë dhe jetë, që mungesën e saj, e ndiej shumë edhe sot). Pa harruar edhe grupin e punës, të jashtëzakonshëm! Por janë edhe disa figura të rëndësishme, me kontribut të madh në këto manifestime, që dua t’i kujtoj, si Agim Zajmi, Luigj Shala, S. Shuteriqi, Ksenofon Dilo, Zef Hila, D. Lisi, E. Bushati, V. Naqi, Lame Konomi, Flora Toto, S. Bejtja, etj.
Profesor Petriti, keni një dokumentacion të jashtëzakonshëm. Si i keni ruajtur dhe si i gjykoni sot ato veprimtari?
I arkivoja pas çdo manifestimi, siç i shihni. Mbahen ende mirë. Punoja në blloqe, deri edhe 8.000 emra të skeduar kam shënuar. I dija me saktësi, emrin, mbiemrin e studentit, kuadratin që kishte. Si i gjykoj sot ato veprimtari? Vërtet që sporti nuk është politikë, por Spartakiadat, kishin vlerën e tyre! Memorie.al