Nga Alma Mile
– Dëshmia e rrallë e piktorit nga SHBA-ës, i biri i kompozitorit të njohur të këngës ‘Lule borë’, i burgosur nga regjimi komunist, që u detyrua të ndërmerrte aventurën e rrezikshme, me 12 pjesëtarët e familjes! –
Memorie.al / Pas arratisë së bujshme në janar të vitit 1988, që vuri në alarm gjithë shtetin shqiptar, njëri prej 12 shqiptarëve, që u bënë pjesë e kësaj aventure, rikthehet në atdhe. Jo se nuk ka ardhur më parë, por kësaj here George (Gjergj) Pali kthehet artistikisht. Kthehet me një ekspozitë, të titulluar “Udhëtimi”, kuruar nga artisti Vladimir Myrtezai, që rrëfen rrugëtimin e tij si artist në këto 26 vite mungese. Si një shqiptar i suksesshëm jashtë vendit, Palit iu dorëzua edhe trofeu i “Albanian Excellence”. Në ekspozitë janë paraqitur rreth 70 vepra, plot ngjyra të gjalla, që ngërthejnë bashkë të shkuarën dhe të tashmen e tij. Kujtimet e fëmijërisë, lidhja me muzikën, imazhi i zadrimoreve që i kalonin para porte, atje tej në Amerikë, ku jeton, ngrenë krye dhe përthyen në forma dhe ngjyra. Po kaq e gjallë për të është edhe ajo ditë e ftohtë janari e vitit 1988, kur bashkë me kunatin e tij, asokohe shef i Prapavijës në Degën e Brendshme në Shkodër, Minella Andoni, vajzën e tij të vogël, nënë Florencën e të tjerë njerëz të afërt, plot 12 veta, thyen kufirin shqiptar, duke dalë në Malin e Zi. Një njeri plot humor dhe me një optimizëm të lexueshëm lehtë, Gjergji, i biri i Zef Palit, që ka shkruar tekstin e këngës “Luleborë”, nuk do të ndalet shumë në detaje. “Nuk ishte edhe aq e tmerrshme, mjaft të mposhtej frika”, thotë ai.
Z. Gjergj (po ju thërres me emrin shqiptar dhe jo George si ju thërrasin në Amerikë), ktheheni në Shqipëri pas 26 vjetësh mungesë, pse pritët kaq gjatë?
Kam ardhur në Shqipëri gjithnjë për sebepe familjare, por tani është hera e parë artistikisht. Ika me zhurmë dhe po përpiqem të vij sërish me një farë zhurmë. Është kënaqësi të kthehesh në vendin ku ke nisur rrugën…! Sigurisht që një ditë do të vija, por kjo periudhë 26-vjeçare, mori kohë për t’u kthyer denjësisht si artist. Që të hapësh një ekspozitë të këtyre dimensioneve me rreth 70 punë, duhet pak kohë. Kjo është arsyeja e “vonesës”.
Por m’u duk normale. Zhvillimi im i pesë viteve të fundit, i ka kaluar caqet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe, kur e kalon këtë cak, do vish patjetër në vendin ku ke lindur, për të treguar se kush je, çfarë ke bërë dhe për të dhënë edhe lajmin e mirë që; “unë jam një nga ju”. Nuk mendoj se jam njeri special, por besoj se kushdo me shkollim dhe me shumë punë, mund të arrinte ku kam arritur edhe unë.
A e shoqëroi kthimin tuaj një lloj droje artistike, për shkak edhe viteve të shumta të largimit?
M’u duk sikur e kisha lënë Shqipërinë vetëm një ditë më parë. Takova këtu shokët e mi, Ladin, Sadikun dhe nuk pata kurrfarë droje dhe asnjë lloj pengese, për shkak të viteve të largimit. Madje, kjo të bën edhe më mirë, se shton kuriozitetin. Kjo periudhë “mungese”, kaloi më shpejtë nga ç’e mendoja.
Në shumë punë tuajat ndihet lidhja e fortë që keni me muzikën…?
Nga klasa e parë deri në të tetën, kam studiuar në shkollë muzike dhe më vonë fillova t’i shpreh reagimet e mia, përmes ngjyrave. Por muzika do të më ndiqte pas, në të gjithë udhëtimin tim (ashtu si edhe quhet ekspozita “Udhëtimi”). Pasi vendosa kalimin tim drejt pikturës, fillova të merresha seriozisht me të dhe të merrja pjesë në ekspozita të kohës. Një shtysë të fortë, më kanë dhënë Danish Jukniu e Ismail Lulani.
Më pas do të konkurroja në Institutin e Lartë të Arteve…! Por lidhja ime me muzikën vazhdoi të mbetej e fortë, vazhdimisht kujtesa ime më sillte imazhe nga e shkuara, kur i bija violinës në Shtëpinë e Pionierit dhe shkonim për koncerte, nëpër fshatra e kooperativa. Janë kujtime shumë të bukura, që kanë zënë vend tek unë. Ashtu si zadrimoret e veshura me veshjet karakteristike e, me gjerdanë në kraharor, që vazhdimisht unë i rimarr në tablotë e mia.
Një tjetër temë e parapëlqyer duket edhe ajo që lidhet me përmbytjen e madhe, në Bibël, mendoni se është koha për një “ripërmbytje”?
U bënë katër vjet që unë e trajtoj këtë temë, që lidhet shumë me librin e Gjenezës, në Bibël, që ka të bëjë me korrigjimin e botës dhe për mua piktura është një lloj korrigjimi, pasi ti i kthehesh, e ripunon, derisa ajo vjen aty ku e do ti. Kështu edhe shoqëria njerëzore. Në Dhiatën e Vjetër, thuhet se bota kishte shumë agresivitet dhe Zoti tha: duhet ta rregullojmë këtë problem. Kështu ndodhi përmbytja e madhe.
Tanimë e dimë të gjithë historinë e arkës së Noes, por unë nuk doja të bëhesha një ilustrues i kësaj fabule, por shpesh kam menduar: janë 16 mijë specie, si kanë hyrë të gjitha këto në një arkë?! Çfarë ka ndodhur me të vërtetë?! Unë e lë të hapur përgjigjen, duke i dhënë udhë fantazisë dhe duke e përfytyruar ashtu si e mendoj unë. Artistët mundohen t’i gjuajnë këto mundësi dhe mua më duket se kam “gjuajtur mirë”.
Fakti që ju ndoqët rrugën e artit nuk është edhe aq rastësore, babai juaj ka qenë poet dhe përmes një tabloje tuajën na tregoni se është autori i tekstit të këngës së famshme “Luleborë”. Shumë variante ka për këtë këngë, cila është historia?
Ishte viti 1947. Asokohe të gjithë ishin të entuziazmuar për çlirimin e vendit. Të gjithë kishin ëndrra dhe shpresa të mëdha për të nesërmen. Simon Gjoni, i thotë babait tim: “Zef, a mundesh të ma bësh një tekst”? Im at ishte korrespondent i Shkodrës, gazetar e poet. Kur shkonte të çonte lajmin në Tiranë (vetëm dy makina në vit kalonin për në Shkodër), mbi zarfin ku mbyllej shkrimi, një nga ato zarfet kafe, lidhur me spango, shkroi tekstin e “Luleborës”, që unë e kam imituar në punën time. Kështu lindi teksti, i cili u pëlqye shumë dhe mbeti një perlë e kulturës sonë, e gëzimeve tona.
Po “Lulebora”, i kushtohej një vajze, apo jo?
Kënga i kushtohet nënës sime. Ajo ishte daktilografiste në atë kohë dhe një nga arsyet pse i kishte bërë përshtypje tim eti, ishte se nuk bënte asnjë gabim, në të shkruar. Gjithmonë kishte pyetur veten, se kush ishte ajo vajzë, që s’i hiqje dot asnjë presje…! Kështu lindi idili mes tyre.
Përse autorësia e tij u mbulua nga harresa?
Sigurisht, kjo për shkak të burgosjes së tij, në vitin 1980. Iu hoq emri dhe thuhej; “popullore”. Pas një periudhe të gjatë, emri i tij u përmend sërish, si autor teksti.
Përse u burgos babai juaj?
Isha në vitin e parë të Institutit të Arteve, kur ai u arrestua. U dënua me 4 vjet me akuzën; “për shpërdorim të postit zyrtar”, edhe pse atëherë nuk kishte post zyrtar. Ishte më shumë një eliminim i shpejtë i tij, e gjitha një farsë politike. Në vitet ’80-të, filloi një eliminim i të gjithë atyre që kishin dalë nga lufta dhe zëvendësimi i tyre me njerëz të tjerë. Kur filloi të ngrihej pyetja, se cilët janë këta që po na zëvendësojnë, nisi edhe eliminimi i tyre.
Pas kësaj ndodhi një thyerje dhe represioni sa vinte dhe shtohej edhe ndaj ne fëmijëve. Ne të gjithë ishim të shkolluar. Vëllai i madh ishte doktor, shef i Radiologjisë në Shkodër, motra, ekonomiste këtu në Tiranë, vëllai i dytë, kishte mbaruar Matematikë-Fizikë dhe unë piktor…! Mua më çuan në një fshat të thellë si arsimtar, por kjo nuk ishte ndonjë tragjedi e madhe. Vazhdova të punoja dhe nuk hoqa dorë nga piktura…!
Këtu lindi edhe ideja juaj për t’u larguar nga vendi?
Pas viteve ’80-të, filloi një lloj degradimi i sistemit. Një sistem, që familja ime kishte ndihmuar për ta sjellë, por jo që të transformohej në këtë mënyrë. Jo më kot thonë se revolucioni ha fëmijët e vet dhe ai filloi të na hante ne, që e ndihmuam atë pushtet, të mbahej në këmbë dhe e ndërtuam. Ishin kushtet sociale e politike të kohës, që ne na detyruan të arratiseshin. Ndiheshim të kërcënuar. Unë nuk do kisha dashur kurrë të largohesha nga vendi im, të mësoja një gjuhë tjetër, të mësoja zakone të tjera, t’ia nisja shkollën nga fillimi…!
Dhe largimi juaj nuk ishte i zakontë, madje u bë shumë bujë. Jeni larguar bashkë me familjen mbi një kamion, apo jo?
Jam larguar në janar të vitit 1988, më një mënyrë drastike, dramatike. Shumë njerëzve u duket një aventurë, por është një tragjedi, të lësh vendin tënd, të vësh në rrezik kokën tënde, familjen. Gjithë gjërat më të shtrenjta të miat, i kisha në atë kamion që theu postën e kufirit, vajzën, nënën, gjithçka…! Ishim 12 veta. Shumë lehtë mund të ishim përshkuar nga plumbat, por falë Zotit, tashmë jemi mirë të gjithë. Kemi kaluar një provë shumë të vështirë, aq sa as mua s’më besohet dhe shpesh më duhet të pickoj veten, e të them: A jam unë?!
Si u organizua arratia dhe si arritët të mos dekonspiroheshit, pasi siç dihej Sigurimi i Shtetit kishte gjithçka nën mbikëqyrje…?
Ishte një përgatitje speciale për tre muaj e gjysmë. Ishte edhe një mesazh, që kur njerëzit lidhin fjalët, atëherë mund të bëhet gjithçka. Por nuk ishte ndonjë gjë shumë e tmerrshme (këtë mund ta them vetëm tani që jam gjallë). Për thyerjen e kufirit, ishte krijuar një mit më shumë. Ishte më shumë një frikë, që duhej hequr. Kunati im, Minella Andoni, ishte shef i Prapavijës në Degën e Brendshme të Shkodrës në atë kohë dhe kishim materialet e duhura, kishim armë, makinë. Pra, ishte gjithçka e përgatitur dhe jo nga njerëz të rastësishëm, që nuk kishin asnjë mjet për ta kryer këtë punë. E kishim menduar mirë dhe arritëm ta ekzekutonim, sepse plane mund të kesh shumë, por duhen edhe mjetet.
Ç’ndodhi më pas?
Më pas kaluam në Malin e Zi, përmes Hanit të Hotit. Kemi ndenjur plot 4 muaj në Jugosllavi.
Pati përpjekje për t’ju kthyer pas, pasi Sigurimi mund të ndërhynte kudo…?
Nuk patëm asnjë lloj problemi. Megjithatë, kujdesi ishte shumë i madh.
Më pas u vendosët në Shtetet e bashkuara të Amerikës…?
U vendosëm fillimisht në Miçigan, ku menjëherë fillova përpjekjet për të rimarrë studimet. U interesova dhe u regjistrova në Universitetin Shtetëror të Miçiganit. Atje studiova artin bashkëkohor të shek. XX-të, çka këtu tek ne nuk ekzistonte fare. Rashë në kontakt me artistët bashkëkohorë dhe shkolla që kisha bërë në Shqipëri dhe ajo në Amerikë, u bënë një konglomerat, që shprehet në punët e mia.
Raporti i Sigurimit të Shtetit mbi të dhënat e Beogradit, për arratisjen e oficerit të Ministrisë së Brendshme, Minella Andoni e 11 familjarëve të tij, në Jugosllavi, në janar 1988
Një relacion me të dhëna nga Beogradi, është dokumenti më interesant i dosjes së Sigurimit të Shtetit, për ngjarjen e 16 janarit 1988. Veç siglës “Tepër sekret” në krye (dokumentet e tjerë mbajnë emërtimin “Sekret”), e bën të tillë informacioni i veçantë, i vjelë në rrugë agjenturore nga burime të huaja. I koleksionuar si një komunikim midis Drejtorisë së Parë (Kundërzbulimit) dhe Drejtorisë së Tretë (Zbulimit Politik), relacioni për arratinë e Minella Andonit dhe 11 të tjerëve, përmban kronikën e ngjarjes, zbardhur sipas autoriteteve jugosllave, vlerësimet e këtyre të fundit për arratinë e pazakontë dhe të dhënat e përditësuara, rreth të depërtuarave nga Shqipëria.
“Familja që u arratis në Jugosllavi në datën 16 janar 1988, ka pasur me vete 6 automatikë dhe 12 pistoleta. Në momentin e kalimit të kufirit, ata kanë përdorur bomba tymuese, ndërsa oficeri ka qëlluar me automatik në ajër. Në automjetin me të cilin realizuan arratisjen, kishin ngarkuar mobilie të vjetra druri, si dhe sende të tjera, me qëllim për t’u mbrojtur nga goditjet e mundshme me armë të rojeve të kufirit. Një fëmijë i tyre ishte gjetur pa ndjenja, mbasi para kalimit të kufirit, ai kishte filluar të qajë dhe është goditur nga oficeri me dorezën e pistoletës. Në anën tjetër të kufirit, të arratisurit janë pritur pa ndonjë reagim të veçantë. Pasi është njoftuar Sekretariati i Punëve të Brendshme të Titogradit, është dhënë alarmi dhe janë kontrolluar të gjitha automjetet që lëvizin nga kufiri në drejtim të Titogradit, sepse kanë dyshuar se mund të ketë edhe shkelës të tjerë kufiri nga pika të tjera.
Ky kontroll ka vazhduar për disa ditë rresht. Për këtë ngjarje, organeve të kufirit jugosllav, u është tërhequr vëmendja që nuk kanë mundur të reagojnë, në momentin e shkeljes së kufirit me forcë dhe përdorimit të armëve nga të arratisurit shqiptarë. Aktualisht të arratisurit, ndodhen në burgun e Spuzhes në afërsi të Titogradit dhe, me përfundimin e hetimeve, do të dërgohen në kampin e Beogradit. Lidhur me këtë ngjarje, përveç njoftimit të shkurtër të dhënë në radio, televizionin dhe shtypin jugosllav, komente të veçanta deri tani, nuk janë bërë.
Nga një e dhënë tjetër e Drejtorisë III-të, thuhet se: “Grupin prej 12 vetash të arratisur me Minella Andonin, ditët e fundit i kanë çuar në Beograd. I kanë vendosur në periferi të qytetit dhe i mbajnë gjysmë të izoluar. Mendohet që atje të qëndrojnë rreth 30 ditë dhe pastaj t’i çojnë në hotel ‘Trim’ ose në ndonjë vend tjetër në qytet, ku ka edhe të arratisur të tjerë. Ndërsa nga familja e arratisur prej Vermoshit, pesë vetave u ka dalë viza për të shkuar në SHBA”. Memorie.al
Marrë nga Panorama.com.al