Pjesa e katërt
Memorie.al/“Nata e zezë e 5 nëntorit 1975, është nata kur janë pushkatuar tre ushtarakët më të lartë të Ushtrisë Shqiptare”, – tha një nga kolegët tanë atëhere, me gjysëm zëri. Dhe vërtet “kjo natë e zezë”, ka zgjatur plot 11 muaj. Ajo ka filluar me datën 25 nëntor 1974 dhe ka përfunduar me datën 5 nëntor 1974. Me datë 24 nëntor 1974, në orën 10:00, në zyrën e Enver Hoxhës hyri Mehmet Shehu. Ai ishte i zverdhur dhe fliste me vete. Për dy orë rresht, ai ka qëndruar në zyrën e Komandantit. Kanë diskutuar shumë gjatë dhe kur ka dalë, i merreshin këmbët dhe dukej sikur ecte si i pirë…! Që prej datës 4 korrik 1974, Byroja Politike, ishte tronditur shumë nga themelet. Pas mbledhjes së Durrësit, ku u zbuluan për herë të parë “Tezat e zeza”, Kongresi i gjashtë i Partisë së Punës së Shqipërisë, i kishte dënuar shumë rëndë ato dhe autorët e këtyre tezave. Ata ishin Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako dhe Rrahman Parrllaku.
Kuja në familjen Balluku
Por një dramë tjetër luhej vetëm 100 metra më tutje vilës së Petrit Dumes. Po në atë orë, në vilën trekatëshe të Beqir Ballukut, (që ndodhet përballë Bar-kafe “VIP” në Bllok), ishte parkuar një makinë transporti e tipit “ZIS”, me targa të Beratit. Makina e tipit “ZIS”, i ngarkoi plaçkat e familjes Balluku, në një kohë rekord. Në orën 04:30, të mëngjesit, kishin trokitur në derë tre civilët që i paraqitën letrën, njërit prej tre djemve të Beqir Ballukut. Familja e kishte parandier. Vila e Beqir Ballukut, ishte e vetmja vilë trekatëshe në Bllok dhe ishte vila që kishte ngjallur dhe zilinë e Enver Hoxhës dhe të Mehmet Shehut.
Në fillim në këtë vilë, banonin tre anëtarë të Byrosë Politike, por me urdhër të Beqir Ballukut dhe me miqësinë e tij që kishte me Enver Hoxhën, dy u larguan, duke e lënë vilën të lirë për Beqir Ballukun. Civilët i ngarkuan në makinë në kohë rekord, pjesëtarët e familjes dhe menjëherë ata u nisën drejt Beratit. Fati i tyre ishte shumë i hidhur. Ata u kthyen në kooperativistë të dorës së tretë. Nga internimi, mundën të shpëtojnë vetëm në vitin 1990, ndërkohë që raportet në tavolinën e Enver Hoxhës, vinin në mënyrë të vazhdueshme, duke raportuar se si familjet u internuan dhe nuk u lejuan që të merrnin pjesë në gjyq. Një histori shumë e dhimbshme.
Si u transportuan trupat e tre të pushkatuarve, me një makinë-frigorifer, nga Linza e Tiranës, në Vranisht të Vlorës?
Për gati 11 muaj, tre gjeneralët u pyetën në Burgun 313 të Tiranës. Procesi i tyre, zgjati vetëm 30 ditë. Me datën 5 nëntor 1974, Gjykata e Lartë, caktoi datën e pushkatimit të tyre. Gjykata e Lartë, kishte vendosur që me datën 5 nëntor 1975, të ekzekutohej vendimi i marrë nga kjo gjykatë. Por, për shkak se të tre të dënuarit, nuk e kishin pranuar akuzën dhe i drejtuan një letër Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSh-së, që t’u falej jeta, vendimi i ekzekutimit të tyre, u shty për me datën 5 dhjetor 1975. Tre të dënuarit, pritën 30 ditë përgjigjen e Enver Hoxhës dhe të Haxhi Lleshit, që të rishikohej dënimi kapital që u ishte dhenë.
Në gjyq gjeneralët, kishin deklaruar: “Nuk jemi revizionistë, nuk jemi armiq të popullit dhe të partisë, nuk kemi hartuar asnjë lloj puçi ushtarak dhe asnjë lloj teze të zezë, për veprimtarinë e ushtrisë shqiptare”. Hito Çako, që ishte komisar politik i ushtrisë, deklaroi: “Nuk jam revizionist, por një komunist i vendosur, deri në fund të jetës sime. Revizionistët, shiko se mund t’i kesh, aty pranë vetes (Enver Hoxhës) dhe duhet t’i përcaktosh”. Ish-ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, i kishte dërguar mbi 30 letra Enver Hoxhës, nga burgu, ku ai theksonte vazhdimisht, se ishte një patriot i ndershëm që kishte marrë shtatë plagë në luftë dhe që ishte një komunist i bindur dhe i vendosur. Ai asnjëherë nuk i kishte tradhtuar idealet e Partisë së Punës së Shqipërisë.
Por në mënyrë krejtësisht të pasqaruar asnjëherë, letrat e tij nuk u morën parasysh, por përkundrazi, mbetën pa përgjigje. Letrat ruhen në Arkivin e Ministrisë së Brendshme, në Kutinë Nr.1211 dhe janë bashkë me shumë e shumë fotografi nga seancat gjyqësore të procesit të tre gjeneralëve. Po ashtu, detajet e vendimit gjyqësor dhe të rreth 20 seancave gjyqësore që u zhvilluan në harkun e 30 ditëve, duke zgjatur secila nga katër, deri në gjashtë ore, ndodhen ne Arkivin e Ministrisë së Drejtësisë, në fashikullin numër 145, të vendimeve të Gjykatës së Lartë të vitit 1975.
Enver Hoxha, respektoi formalisht afatin 30-ditor të përgjigjes, kur një i dënuar kërkonte që t’i falej jeta, por përgjigjja e datës 4 dhjetor 1975, ishte shumë tronditëse: “Të zbatohet vendimi i Gjykatës së Lartë, i datës 1 nëntor 1975. Kërkesa e tre të dënuarve, nuk merret parasysh”. Një përgjigje e tillë, dhënë nga kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Haxhi Lleshi, kishte mbërritur në tavolinën e ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu. Ministri i Brendshëm, me datën 4 dhjetor, mori të gjitha masat që të zbatonte me shumë përpikëri, vendimin e Gjykatës se Lartë, për të bërë pushkatimin e tre gjeneralëve.
Kadri Hazbiu, merr pjesë personalisht, në pushkatimin e tre gjeneralëve
Ish-kryeministri Mehmet Shehu, me datën 4 dhjetor në mbrëmje, u takua kokë më kokë me Kadri Hazbiun, në zyrën e tij kryeministrore, për mbarëvajtjen e operacionit “Voroshillov”. Operacioni u kodua kështu, pasi të tre gjeneralët, kishin mbaruar këtë Akademi në Bashkim Sovjetik. Emri ishte zgjedhur nga specialistët e Drejtorisë së Dytë të Sigurimit. Dosja “Voroshillov”, u përgatit me të gjitha detajet, nga ana e ministrit të Brendshëm dhe iu paraqit kryeministrit. Kryeministri, pasi e pa me shumë kujdes, bëri vërejtjet e rastit.
Mehmet Shehu e kishte zakon, që sa herë që i paraqiteshin dokumente nga ministrat, i shikonte me shumë kujdes, por njëkohësisht, ai bënte dhe vërejtjet e nevojshme. Po ashtu, ai ishte shumë ekzigjent në zbatimin e të gjitha detyrave që u ngarkonte vartësve. Sapo mbylli takimin me Kadri Hazbiun, ai ndoqi rutinën e zakonshme të ditës së punës. Gjeti një pretekst për të shkuar te komandanti. Por shkaku i vërtetë, ishte raporti që dorëzoi, për realizimin e vendimit të Gjykatës së Lartë, për pushkatimin e tre gjeneralëve të Ushtrisë Shqiptare. Tre gjeneralët e lavdishëm të Luftës dhe të drejtimit të Ushtrisë Shqiptare, Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Hito Çako, do të pushkatoheshin.
Pasditen e datës 4 dhjetor, Kadri Hazbiu kreu detyrën e tij të fundit. Ai së bashku me katër oficerët më të lartë të Sigurimit të Shtetit, udhëtoi drejt Malit të Dajtit. Ai bëri një xhiro të gjatë, deri në Qafën e Priskës. Ai udhëtoi duke mbajtur dritaren hapur dhe i tha shoferit të tij, që të ecte ngadalë. e cila kishte vetëm disa muaj që kishte mbërritur nga Rumania.
Ai rrugën nga Tirana deri në Qafen e Priskës, e bëri pa folur asnjë fjalë. Dy makina të tjera të tipit “XHIP”-s, kineze, e ndiqnin nga mbrapa. Ai e vërejti me shumë kujdes terrenin dhe kur mbërritën në Qafën e Priskës, bëri një takim me një grup minatorësh të turnit të dytë të minierës se mermerit. Pas takimit, ai mori rrugën e kthimit. Përsëri urdhëroi shoferin të ecte ngadalë. Gjatë gjithë kohës, ai ka kryer një rigonjicion të hollësishëm të të gjithë zonës.
Ne sediljen e prapme, ai kishte një prej oficerëve më të mirë topografë (nga Sukthi i Durrësit) që i shpjegonte me hollësi se si quhej çdo kodër, se si ishin emërtuar lartësitë, se si ishte formacioni i tokës dhe shumë e shumë hollësi të tjera. Kur ai kishte kaluar tubin e ujit të hidrocentralit “Vladimir Iliç Lenin”, te gurorja e Dajtit, urdhëroi që të ndalej makina…!
Si e organizoi Kadri Hazbiu, pushkatimin dhe varrimin e tre gjeneralëve?
Kadri Hazbiu ndaloi te kodra që ndodhet në juglindje të fshatit Linzë. Urdhëroi shoferin e tij, të kthehej majtas në një rrugë “Zetor”-ësh të Kooperativës Bujqësore të Priskës. Pasi ecën rreth 200 metra, ai u tha të zbrisnin tre oficereve që ishin në sediljen e pasme të fuoristradës së tipit “ARO”. Ndali në një lëndinë të rrethuar me shqope. Ai dha udhëzimet e fundit dhe urdhëroi që të merreshin të gjitha masat, që dënimi me vdekje, me pushkatim, i tre gjeneralëve, të realizohej në këtë rrëzë kodre.
Oficeri topograf, hodhi në hartë të gjitha detajet e realizimit të operacionit “Voroshillov”. Në orën 16.00, në oborrin e brendshëm të Burgut 313, kishin shkuar tri makinat e tipit “IFA” të Gardës së Republikës. Të tre gjeneralët, u transportuan drejt Linzës me tri makina të ndryshme. Të gjitha pikat e Kodit të Procedurës Penale, u zbatuan me përpikërinë më të lartë nga ana e ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu. Ai ishte drejtuesi i këtij operacioni.
Kadri Hazbiu, merr pjesë në pushkatimin e tre gjeneralëve
Në orën 21.00, të datës 5 dhjetor 1975, njëri prej oficerëve me të afërt të Enver Hoxhës, që i qëndroi gjatë gjithë jetës pranë, i raportoi ministrit të Brendshëm, për të gjitha urdhrat që kishte dhënë komandanti. Ai i tha se duhej të zbatohej me përpikëri çdo pike e rregullores së pushkatimit të tre gjeneralëve, të ruhej sekreti, ndërsa komandanti pranonte propozimin e tij, që të tre të pushkatuarit, të transportoheshin nga Tirana në Vlorë, për t’u varrosur në një varr të përbashkët, në fshatin Vranisht të Vlorës.
Oficeri topograf, i paraqiti ministrit hartën, me vend-varrimin e tre gjeneralëve. Kadri Hazbiu, që njihte me detaje çdo mur e çdo ledh të Vranishtit, e përgëzoi për vend-varrimin e gjetur. Është një vend i sigurt. Kadri Hazbiu, pyeti: “A janë marrë masat që udhëtimi për nga Linza në Vranisht, të kryhet natën dhe mëngjesi të na gjejë me çdo gjë të përfunduar? Mbasi mori aprovimin e oficerit të topografisë, ai urdhëroi grupin e prokurorëve, që të fillonin procedurat. Procedurat ishin shumë të thjeshta. Gjashtë policë, i mbanin për krahu tre gjeneralët, të mbuluar me kapuçon, ndërkohë që toga e pushkatimit, kishte zënë vend me kohë.
Tre gjeneralët, që ende nuk e besonin se do të pushkatoheshin, ishin si njerëz të ngrirë. Cigma e asaj mbrëmjeje, e bënte akoma më të zezë këtë natë pushkatimesh. Kadri Hazbiu, që nga viti 1954, kur kishte marrë detyrën e ministrit të Brendshme, kishte kryer më shume se 20 mijë arrestime me dijeninë e tij dhe kishte udhëhequr me qindra pushkatime. Ish-luftëtari i “Çetës Plakë” të Vlorës, e kishte erën e barutit, njësoj si era e parfumit me luksoz të asaj kohe. Oficerët e Sigurimit, thoshin që; ai e do erën e barutit, shumë herë më tepër, se erën e parfumit.
Kishte një aftësi të çuditshme. Ai mund ta dallonte me saktësi, se nga çfarë lloji gëzhoje, kishte dalë era e barutit, që çlirohej në ajër, pa e parë fare armën që kishte qëlluar. Ai ishte edhe një mjeshtër i përcaktimit të balistikës së armës. Rreth orës 22.30, të tre gjeneralët, ishin kthyer në kufoma. Ata ishin pushkatuar pa shumë bujë, në një natë të zezë shënëndreu, në një lëndinë me dhe të zi, i krijuar nga humusi i mareve, që mbulonin atë zonë.
Nga Tirana në Vranisht, me makinën-frigorifer
Në Hozrashotin Nr. 2 të Tiranës, që ndodhej te Bërryli, kishte vetëm pak ditë, që kishte ardhur një fugon-frigorifer, i cili përdorej për furnizimin me mish të tregut të Tiranës. Me datën 4 dhjetor 1975, makina ishte parkuar në oborrin e brendshëm të Ministrisë së Brendshme. Shoferit të saj, i kishin thënë se makinën do ta merrte pas tri ditësh. Një shofer i caktuar nga shefi operativ i Ministrisë së Brendshme, kishte zëvendësuar shoferin e saj. Fugoni-frigorifer, erdhi në momentin që ishte larguar toga e pushkatimit.
Ende pa kulluar mirë gjaku nga plagët e shumta që kishin marrë tre të pushkatuarit, u dha urdhri që të ngarkoheshin në fugonin frigorifer, pasi duhej të zhvendoseshin urgjentisht, drejt një destinacioni të ri. Ngarkimi i tre trupave, u bë me shpejtësi të rrufeshme. Ata u hodhën në karrocerinë-frigorifer, sikur të ishin tre qen rrugësh dhe jo tre njerëz, që kishin krijuar historinë e re të Ushtrisë Shqiptare! Ata ikën nga kjo botë, pa e ditur as vetë, se pse ishin armiq, pse ishin puçistë, ndërsa nuk u kishte shkuar kurrë mendja, për “Teza të zeza”!
Ata, thjesht kishin kopjuar rregulloret e ushtrisë sovjetike dhe i kishin përshtatur për ushtrinë dhe terrenin shqiptar. Ky ishte mëkati i tyre. Për ketë mëkat, d.m.th., për makutërinë e Komandantit, ata u kryqëzuan. Por kryqëzimi i tyre, ishte shumë makabër, shumë përçmues, shume racist dhe me 1000 pikëpyetje! Një vend i kapur për gryke nga kriza, merrej me pushkatime dhe me përçudnime njerëzore. Tre nga miqtë më të ngushtë të Enver Hoxhës, në atë natë të zezë dhe të ftohtë, udhëtonin nga Tirana drejt Vlorës…! Udhëtim i zi, i ideuar nga njerëz të mjerë, që kujtonin se; nuk do të vinte edhe radha e tyre, një ditë…!
Fugoni i tipit frigorifer, me tre trupat e gjeneralëve, udhëtoi nga Tirana drejt Vlorës, me një shpejtësi të madhe. Ishin marrë të gjitha masat, që rruga të ishte e lirë. Policia e Qarkullimit Rrugor të Durrësit, e mori karvanin e kufomave të tre gjeneralëve, në Ndroq të Tiranes dhe ia dorëzoi Policisë Rrugore të Lushnjes, në kthesën e Divjakës. Ajo e Lushnjes, e shpuri deri në Fier dhe kështu me radhë. Në orën 03:00, të datës 6 dhjetor 1975, trupat e tre gjeneralëve, kishin kaluar qytetin e Vlorës. Në orën 04:00, ata mbërritën në fshatin Vranisht. Dega e Punëve të Brendshme të Vlorës, kishte marrë të gjitha masat. Vend-varrimi ishte përcaktuar që në drekë, ndërkohë që varret ishin hapur në muzg.
Varrin e përbashkët, e ruanin ushtarët e Gardës, ndërkohe që varrmihësit prisnin diku aty afër. Sapo mbërriti fugoni, u dha urdhri për të mbuluar tri kufomat. Gjithë procedura e varrimit të tyre, ka zgjatur vetëm 30 minuta. Ata u mbuluan dhe vendi në hartë, u shënua nën dritën e një feneri me vajguri, nga ata që përdorte ushtria. Përfaqësuesi i Kadri Hazbiut, i raportoi atij me radio. Kadri Hazbiu atë nate, e gdhiu në Shtëpinë e Pritjes në Vlorë. Nga Vlora, u bë dhe raporti për Enver Hoxhën në lidhje me mbylljen e procedurave të varrimit, të tre ish-drejtuesve kryesorë të Ushtrisë Shqiptare. Dosjes iu vu numri 1230, dhe me këtë numër, ndodhet në Arkivin e Ministrisë së Brendshme.
Si u gjet varri i tre gjeneralëve në Vranisht të Vlorës, me 18 korrik të vitit 2000?!
-Ish-ministri i Brendshëm, Spartak Poçi, zbardh misteret e vrasjes së tre gjeneralëve-
Me datën 18 korrik 2000, një prej pesë varrmihësve të varrit të përbashkët të Beqir Ballukut, Hito Çakos dhe Petrit Dumes, ndihmoi familjarët e tyre që të gjenin eshtrat. Ish-ministri i Brendshëm Spartak Poçi, tregon se sipas ligjit, dosja 13-fishohej. Çdo dosje e Sigurimit të Shtetit dhe të gjitha dosjet e proceseve të bujshme të diktaturës, trembëdhjetëfishoheshin. Me fjalë të tjera, thotë ish-ministri, ato bëheshin 13 kopje.
“Ministri i Brendshëm, apo çdo funksionar i lartë i Byrosë Politike, – thotë zoti Spartak Poçi, – kishte të drejtë të dinte, vetëm vend-ndodhjen e dy kopjeve të dosjeve të procesit gjyqësor të ish-byroistëve dhe zyrtarëve të lartë të shtetit”. Sipas tij, dy, deri në tre kopje, ishin në format A3, ndërsa 10 kopje, ishin në mikrofilma, që në gjuhën e sekretit shtetëror. quhet “Xhaketa”. Një kopje e “xhaketave”, ndodhej e sistemuar dhe e ruajtur në Arkivin e Shtetit, një në arkivin e Ministrisë së Brendshme dhe një kopje tjetër, në tunelet e Mulletit.
Kur u vodh thesari i shtetit më 2001-shin, kanë humbur dhe një sasi e konsiderueshme e “xhaketave” të Sigurimit të Shtetit, por dhe një kopje e tërë e proceseve gjyqësore, duke filluar nga Koçi Xoxe, duke vazhduar me “Grupin e Deputetëve”, me Teme Sejkon, me tre gjeneralët e ushtrisë e, duke përfunduar te Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu, që janë dosjet përmbyllëse të “veprimtarisë armiqësore” në dëm të Enver Hoxhës dhe Partisë së Punës.
Në Mullet ka humbur dhe një kopje e dosjes së atentatit ndaj Ramiz Alisë, në vitin 1988 në Tropojë. Ish-ministri Spartak Poçi, sqaron se kopja, e cila ndodhet në Ministrinë e Brendshme, është një prej kopjeve origjinale. Ai kujton se; “kam harxhuar shumë kohë, nga koha jashtë orarit zyrtar, duke parë dosjet e pushkatimit të Koçi Xoxes, Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe sidomos nga dosjet e Mehmet Shehut dhe të Kadri Hazbiut. Aty janë të tëra dosjet, me të gjitha detajet dhe të ruajtura me shume kujdes”. Aty janë dhe tërë provat dhe kundër provat e proceseve gjyqësore.
Zoti Spartak Poçi, është djali i gjeneral-leijtnant Dilaver Poçit, ish-drejtorit Politik të Ushtrisë dhe ish-komandat i Korpusit të Shkodrës, i cili u anatemua dhe u internua në Belsh të Elbasanit, së bashku me grupin e ish-gjeneralëve. Zoti Poçi i kujton me detaje, të gjitha ato ditë, sidomos mënyrën se si i internonte Enver Hoxha, familjet e gjeneralëve dhe të kuadrove të lartë të Ushtrisë. Në bazë të kopjes së hartës që ndodhej në Ministrinë e Brendshme dhe me ndihmën e zyrtarëve që komandoheshin nga ministri i Brendshëm i asaj kohe, familjarëve të Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos, u është dhënë një ndihmë shumë e madhe, për të gjetur eshtrat e tyre.
U hap harta e pushkatimit, u gjeten urdhrat e transportimit të trupave në Vranisht, por ishte e vështirë që të gjendej vendi i saktë i varrimit të tyre, pasi nga viti 1975, e deri në vitin 2000 terreni kishte ndryshuar shumë. Vendi i varrimit në vitin 1975, ishte një pyll me mështekna, ndërsa në vitin 2000, gjithçka ishte përmbysur për shkak të aksionit të Enver Hoxhës, “T’u qepemi kodrave e maleve dhe t’i bëjmë ato pjellore si dhe fushat”. Pas përpjekjeve të shumta, u arrit që të identifikohej varri.
18 korrik 2000, si i njohën familjarët, eshtrat e tre gjeneralëve?
Për familjarët e tre ish-gjeneralëve, ishte një fitore shume e madhe gjetja e eshtrave. Te paktën ata do t’i merrnin dhe do t’i varrosnin të afërmit e tyre. Pas një odiseje 10-vjeçare, të tria familjeve më në fund, u erdhi dhe çasti final. U gjetën eshtrat e tre gjeneralëve, të cilat ndodheshin në një varr të përbashkët. Familjarët i njohën nga dhembët dhe nga gjatësia e trupit. Enver Hoxha, kur i kishte varrosur, nuk u kishte lënë asnjë unazë dhe asnjë shenjë tjetër. Ai nuk u kishte varur as medaljonin, që u varet në qafë në te tilla raste, atyre që pushkatohen. Në gjuhën juridike, quhet; “Matrikull”.
Enver Hoxha, për të mos u gjetur kurrë trupat e tyre, nuk u kishte vënë “Matrikullin”. Aq larg kishte shkuar ai në hitlerianizmin e tij, sa i varroste në vend-varrime sekrete. Familjarët kurrë nuk e mësonin varrin. Këtë gjë, nuk e ka bëre asnjë udhëheqës diktator në botë. Por pas 1967-ës kur ai hoqi fenë, vuri në ligj dhe vend-varrimin sekret, për të gjithë ata që pushkatoheshin. Madje ai shkoi më tej.
Nëse ishe i dënuar me burgim ordiner dhe vdisje kur të kishte mbetur akoma kohë dënimi, të varrosnin në territorin e burgut, derisa të plotësohej dënimi. Nëse kishe ndonjë të afërm gjallë, atëhere të jepnin eshtrat, në të kundërt, jo. Kështu është vepruar me shumë nga fëmijët e ish-byroistëve dhe zyrtarëve të lartë të diktaturës që vdisnin në burg. Familjarët nuk i merrnin dot eshtrat. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm