Nga Fadil Paçrami
Pjesa e pesëmbëdhjetë
Memorie.al / Ç’është burgu? Është vendi ku mbahen ata që janë dënuar me heqje të lirisë, do të thoshim duke lexuar çdo fjalor. Por kaq është pak. Burgu dhe liria – dy të kundërta. Më parë: ç’është liria? Me pak fjalë: të jesh i lirë do të thotë të bësh atë që do, të mendosh e të veprosh sipas dëshirës në ushtrimin e përmbushjen e lirive e të drejtave të tua, si njeri e si shtetas, por gjithmonë pa cënuar e dhunuar të tjerët. Përsërit: të mendosh e të veprosh. Fjala është për liritë demokratike, nga ajo e fjalës, e shtypit, e tubimit dhe e organizimit në partira e shoqata të ndryshme, sigurimin e kushteve, ku të gjejnë shprehje e konkretizim idetë, kërkesat e vullnetet njerëzore, nga ato të planit biologjik-lidhur me vetë qenien, tek ato të planit social, lidhur me mënyrat e të jetuarit.
“Gjatë bashkëpunimit tonë me ty, disa herë kemi konstatuar se je mjaft subjektiv. Ky subjektivizëm të ka penguar të dëgjosh e të vlerësosh mendimet e të tjerëve. Veç kësaj, ty të ka penguar dhe të pengon mjaft prirja që ke për të shkruar drama…”! – Në një mbledhje të Sekretariatit të Komitetit Qendror më 9 shkurt ’66-të, ndër të tjera, kishte thënë:
“Është skandaloze, shokë, ajo që ndodh me Fadilin, si ministër i Kulturës dhe i Arteve. Dje mësova se po punohet për të vënë në opera, dramën e tij “Shtëpia në Bulevard”. Si është e mundur, ta lejojë një gjë të tillë ministri i Kulturës?! Kjo dramë është një vërë në ujë. Si mund të vihet në opera, një vepër e tillë që ka bëre Fadili, kur opera nuk janë bërë akoma për trimat që ranë në luftën e madhe për lirinë e Atdheut, për mësuesin që ngriti 45 shkolla në Mirditë dhe u vra nga armiqtë, për Skënderbeun etj., etj. Dhe Fadili na lejon të bëhet një opera, në mënyrë të poshtër, për një vajzë pse paska mbetur me barrë”?!
E vërteta qëndron ndryshe. Në atë kohë, as punohej as qe shkruar e kompozuar një opera e tillë, as nuk kisha dëgjuar e të isha në dijeni, se kishte në mend të merrej kush me të. Kujtohem që Mnaush Myftiu, në atë kohë zëvendëskryeministër, që mbulonte sektorët e kulturës, në një takim pas që patëm, më pyeti për këtë çështje, pa më folur si qe ngritur në Sekretariatin e Komitetit Qendror të PPSh-së. I thashë se nuk di gjë, nuk ma merr mendja të punohet kundër për të, do ta verifikoj dhe do t’ju them.
Dhe rezultoi: një baletmaestër, i kishte shkuar në mend se mund të bëhej një balet mbi bazën e asaj drame, por as qe folur, me mua jo e jo, por as me një libretist ose kompozitor, mbase me ndonjë shok të tij dhe qe raportuar nga rrjeti agjenturor. Rruga nga një ide, deri te libreti, kompozimi, miratimi që të vihet në skenë, diskutimi, ndarja e roleve dhe fillimi i punës, është e gjatë. E gjitha, pra, qe një diçka e pa qenë, por që shprehte një zemërim që rrihte diku tjetër, i shkaktuar nga motive të tjera. Po le në një anë vlerësimet për dramën dhe kuptimet për çfarë duhet të ngrihen në skenë, ky është një kapitull më vete, për të qarë e për të qeshur.
– Nga mesi i ’69-ës, u kurdis një letër anonime, ku formuloheshin akuza për një front antisocialist në fushën e kulturës e të arteve, që qenkësh krijuar e vepronte, të cilin e frymëzoja unë. Vitet që pasuan, qenë me plot ngarkesa e ngjarje nga më të rëndat, që paraprinë Plenumin e IV-ët dhe gjithë sa rrodhën prej tij. Pra, edhe do të qëndroj pak me gjatë, sigurisht në disa prej tyre, ato që quajta ndër më kryesoret.
– Në një mbledhje me shkrimtarët e artistët, në klubin e tyre, mbajti një referat Raqi Madhi, zëvendësdrejtor i Institutit të Marksizëm-Leninizmit, ku drejtonte Nexhmije Hoxha, me temën “Partia dhe letërsia”. (Se përse futej në punët e letërsisë e të arteve ky institut, nuk është vështirë të merret me mend, po nuk po zgjatem më tej, se është një çështje më vete). Atje u ndodha edhe unë si dëgjues. Ra në sy se të gjithë fjalën e tij, e përshkonte ideja se si partia, u ka qëndruar mbi kokë krijuesve dhe ka goditur shkarjet e personat bartës të tyre, që kanë vepruar në këtë fushë.
Sa mbaroi dhe do të fillonin pyetjet, bëra nga vendi këtë replikë: ‘Sipas gjithë sa folët, partia u ka qëndruar shkrimtarëve e artistëve me shkop në dorë, këtë deshët të thoni’?! Për atë dhe disa të tjerë të pranishëm, kjo qe sa e papritur aq edhe e habitshme. Pas dy tri ditëve, më thirrën Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha për këtë çështje. Shpjegova, si e çfarë kishte ndodhur. Pa mbaruar mirë, u hodh Nexhmija: “Po ne kemi një relacion nga Raqi Madhi, ku ankohet se ndërhyrja tënde s’qe me vend dhe shkaktoi pështjellim, pra ta thërresim e ta sqarojmë, si është e vërteta, ai po pret në zyrën e tij”, dhe bëri të ngrihet, për ta lajmëruar që të vinte. ‘Një minutë, – fola në çast, – ju mund të bëni si të doni, thirreni po deshët, por unë po largohem, besojini atij, derisa shpjegimet e mia, nuk ju bindin. Aty kanë qenë edhe të tjerë’. Bëra të ngrihem.
Më kërkuan të qëndroj dhe u përpoqën të më bindnin, se s’kishte asgjë me paramendim. Ngula këmbë në timen dhe shtova se; nuk isha me si i shtroi çështjet ai, sikur shkrimtarët, kanë bërë veç gabime, as edhe me metoda e veprime si këto. Kështu ai nuk u thirr dhe pas pak unë u largova. Ata qëndruan. E marr me mend, si dhe çfarë kanë raportuar, por me bindje them, se unë kisha të drejtë. Me kaq sikur u mbyll edhe kjo çështje, nuk u fol më për të. Por a u mbyll vërtetë?
-Rast tjetër. Pas disa kohe, më telefonoi një nga aparati i Komitetit Qendror, që merrej me kulturën dhe më foli diçka për nga Lidhja e Shkrimtarëve e Artistëve.
Ndërhyrja e tij m’u duk pa vend dhe u shpreha që; të mos u vihet vesh fjalamanëve të qosheve e të skutave dhe të mos u rrihet për çdo gjë, si çekani mbi kokë krijuesve edhe atyre të Lidhjes, se është mire, të hiqet dorë nga këto mënyra e forma pune burokratike. Kjo fjalë e fundit – burokratike, qe më e pakta që mund të thuhej në atë kohë. Ai kishte raportuar te Ramiz Alia dhe pa kaluar dy ditë, më thirrën në zyrën e Hysni Kapos, ku ishin edhe Ramizi me Manush Myftiun. Më kërkuan shpjegime, duke vënë theksin: “Mos do të thuash me këtë, se aparati i Komitetit Qendror, është burokratizuar”?! Unë fola për rastin konkret, përse qe fjala dhe si isha shprehur.
Hysni Kapo, vuri në dukje, se isha thirrur me porosi të Enver Hoxhës. Ndërhyri Ramizi: “Se nuk është i vetmi rast, u bënë disa deri tani”. Atë çast ju drejtova: ti Ramiz Alia, ç’ke me mua, pse më nget, ku e ke hallin, thuaje hapur?! Këtë s’e priste, as të tjerët. Hysniu i doli në mbrojtje menjëherë, duke u përpjekur të më qetësonte. Por unë ngula këmbë në timen. U bë një debat. Pas pak kur u largova, doli edhe Ramizi me mua dhe më futi në zyrën e tij. Atje më mori për qafe, e më tha: “Ç’të kem unë me ty, as të mos të shkojë në mend”! Po ky?, thashë me vete. Ndenja pak dhe dola. Si këto ka edhe të tjera, po ç’ti përmendësh, do të shkonte gjatë.
2.
Vijmë kështu te viti 1973, fjalimi i Enver Hoxhës, më 15 mars, ai në Plenumin e IV-ët të Komitetit Qendror dhe gjithë sa rrodhën më pas, për të cilat do të flas, duke qëndruar te sesi u fol, ç’janë botuar dhe si është e vërteta. Ngul këmbë se, shumë nga sa janë thënë e janë botuar në “Veprat” e Enver Hoxhës, për mua e rreth meje, nuk janë ashtu edhe si çështje, edhe si ngjarje. Po si? Të them edhe unë fjalën time, e pastaj të gjykohet. Vetëm kështu, përmes ballafaqimit, mund të formohet një mendim i saktë.
E di që kjo për të shumtët, ende është e papranueshme, por a duhet të jetë kështu, për gjithnjë?! Të vërtetave’ nuk duhet t’u shmangemi, aq më pak t’i fshehim, më pak akoma t’u kundërvihemi. Unë bëj timen, në mos tani shpejt, por një ditë njerëzit, do të mund të gjykojnë lirshëm. Për ndonjë çështje të caktuar, kam shkruar edhe më parë, në letrat e dërguara këtej nga burgu, sigurisht jo kaq hapur. (Dihet si nuk i duronte ai kundërshtimet, se zemërata e tij, nuk njihte kufi dhe që pasojat mund të ishin fatale).
Në një mbledhje të Sekretariatit të Komitetit Qendror, duke folur për Festivalin e 11-të Këngës në Radiotelevizion, të vitit 1972, shkon më tej në atë që shpërtheu më 15 mars 1973: “Besoj se më lejohet, të ngre këtu në mbledhje të Sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë, një çështje, para se t’ia them vetë Fadil Paçramit. Më raportuan që kur u bë mbledhja e shkrimtarëve dhe artistëve, për të analizuar të metat e punës me sy kritik, Paçrami është ngritur dhe, në mënyrë jo komuniste, ka thënë: ‘S’kam asnjë përgjegjësi për festivalin. Për këtë gjë përgjegjësinë e ka Komitetit Qendror i Partisë, sepse Radiotelevizioni, është një institucion qendror’!
Kur dëgjova këto fjalë, m’u kujtua sulmi që iu bë partisë dhe udhëheqjes së saj, nga trockistët jugosllavë, në Konferencën e Partisë të Tiranës. Unë, nuk e akuzoj Fadil Paçramin si trockist, as si njeri të jugosllavëve…! Si është e mundur, që Fadili, s’paska asnjë përgjegjësi për ato shfaqje liberalizmi që janë dukur në Tiranë?! Fadil Paçrami, i akuzon shokët e aparatit të Komitetit Qendror të Partisë, se gjoja janë konservatorë”.
Sa për saktësi, nuk më thirri e nuk më tha asgjë pas asaj mbledhjeje, siç tha se do të më fliste. Vlejnë të shënohen këtu, dy momente: e para, detyrohet të deklarojë:
“Unë nuk e akuzoj Fadil Paçramin si trockist, as si njeri të jugosllavëve”, sepse qëndrimin tim ndaj tyre, e dinte mirë që atëherë, para 1948-ës e më pas, dhe s’donte të ngacmoheshin gurët në atë drejtim. E dyta, formulon idenë, për; “shfaqe liberale”, që e vë në themel të gjithë si e trajtoi çështjen pas disa ditësh gjoja në një plan ideor.
– Dhe arrijmë kështu te 15 marsi, kur nisi hapur sulmin frontal kundër prirjeve demokratizuese, të cilat i quajti liberalizëm, që u shfaqën në ato vite në rrethet intelektuale, çka u ndie më dukshëm, në krijimtarinë letrare e artistike dhe në radhët studentore, prandaj edhe goditjen e parë, e dha në këto drejtime, me fjalimin që mbajti atë ditë para komunistëve në aparatin e Komitetit Qendror, ku si i xhindosur, më drejtohet mua dhe të gjithë vendit.
“Disa si Fadil Paçrami, e ndonjë tjetër, i kishte zënë meraku që të dinin se kush është rreziku kryesor aktual, konservatorizmi apo liberalizmi…?! Këta shokë, duan që të pohojmë, se liberalizmi nuk qenka armiku kryesor. Por kjo është teza e armikut. Ne bëjmë pyetjen: Ju jeni me tezat e partisë, apo me tezat e armikut”?! Gjithë si u zhvilluan ngjarjet, zhurma që filloi menjëherë me vënien në lëvizje të organizmave partiake etj., dhanë të kuptohet, se fjala kësaj radhe, ishte për diçka shumë të rëndë. Duhej ta përballoja, por gjithmonë me dinjitet, duke mbrojtur mendimet, e gjithë sa quaja të drejtë.
Kështu që të nesërmen i kërkova takim, desha të bisedoja shtruar. Më priti vetëm pas dy javëve, nga që këmbëngula dhe e përsërita kërkesën së dyti. Unë vajta për të kërkuar shpjegime dhe për t’i thënë, si qe e vërteta. Dhe ky qe thelbi i bisedës nga ana ime. Kurse vonesa prej dy javësh dhe presioni që bëhej, kërkonin nënshtrimin. Teksti i botuar më vonë (Veprat, vëll. 50-të), për sa e si u fol në atë bisedë, është i transformuar, nuk pasqyron të vërtetën.
Këmbëngulja e tij, ishte që unë të pranoja, të bëja autokritikë, siç e përsëriti disa herë, të fajësoja veten, duke folur herë si me të butë, për të më nënshtruar, e herë me arrogance, për frikësim. Ja njihja mirë të dy këto mënyra, që përbënin dy anët e tij, si personazh i tipit të Rikardit të III-të shekspirian. Kuptova se kjo i duhej, që të vërtetohej se gjithçka qëndronte siç thoshte ai: se partisë e vendit, u kërcënohej vërtet një rrezik i madh – e ky qenkësh liberalizmi (e kur? Në një kohë kur konservatorizmi, sektarizmi dhe izolimi nga bota, na kishin zënë për gryke). I duhej edhe për të përballuar e mposhtur atë valë pakënaqësie, që kishte filluar të ngrihej kundër rrugës ku qe futur vendi. I duhej edhe që të tregonte, se do të godiste me grusht cilindo, e në të gjitha nivelet, ndaj çdo kundërvënie, siç kishte ndodhur edhe herë të tjera, ndodhi edhe më pas. I duhej, pra, për të çuar deri në fund planin që kishte dhe që u zbulua më shkoqur, në vitet që pasuan.
Veç këtë, nuk mund të bëja. I dija prej kohësh metodat e praktikat në të tilla raste: pasi të thyente me autokritikën – dhe këtë e kërkonte sa më të thellë, një herë, dy-tri, e më shumë, dhe më pas, të jepte shqelmin. Jo vetëm thëniet e përgjigjet e mia, nuk janë ashtu siç janë paraqitur, në tekstin e botuar, por edhe emra personash të tjerë, as që janë zënë në gojë, në atë takim. Me sa kuptohet, janë mbledhur e shtuar më vonë, kur çështja u shtrua në organizatat-bazë. Kjo del qartë, edhe nga sa thotë se; “Të gjitha këto që po të përmend, më dolën nga proces-verbalet e mbledhjeve”. Cilave mbledhje, atyre pas Plenumit të IV-ët të Komitetit Qendror?! Sepse nga 15 marsi, kur ajo kritikë, m’u bë hapur, deri më 30 mars, kur u bë ai takim, nuk di të ketë patur mbledhje të organizatave – bazë. Por edhe po të qenë bërë, kur e si mund të kishin arritur, brenda 15 ditëve, proces-verbalet prej tyre, në duart e tij?!
Që mbeti i pakënaqur, e i zemëruar, del qartë nga gjithë teksti i botuar dhe pa të thënat si kjo: “Në qoftë se ti i rrumbullakos kështu çështjet, në qoftë se nuk i shpjegon drejt e sinqerisht ato, por flet me ton akademik edhe para meje, që partia më ka ngarkuar me detyrën e sekretarit të parë të Komitetit Qendror të saj, sigurisht e ke vështirë të korrigjohesh. Ti e heq veten si teoricien dhe mendon se mund të flasësh teorikisht, por mos i rrumbullakos gjërat”.
Kështu të paraqitura sipas qejfit, janë edhe thëniet e tjera që radhiten më pas. Por një gjë është e vërtetë: nuk mund të ecej më si më parë, jo vetëm në fushën e krijimtarisë letrare e artistike, ku prirjet përparimtare dhe kundërvëniet ndaj një realiteti, që po i rëndonte vendit, qenë më të hapura, por edhe në isha të tjera. Rinia, gjithashtu, sidomos ajo studentore, i shfaqte ato më hapur e me guxim. Pra, edhe u qëllua fort në këto drejtime. Frika ishte se mos këto prirje, që u quajtën “liberalizëm”, merrnin shtrirje në të gjitha fushat, e në shkallë gjithë vendit. -Me 15 maj të ‘73-së, në një mbledhje të byrosë së Komitetit të Partisë të Elbasanit, shprehet kështu:
“Në letërsi dhe në artet, ka patur shfaqje të liberalizmit dhe të modernizmit anti proletar, tendenca gjoja novatore, për të shtrembëruar vijën, përkrahje e grupime nga ana e Fadil Paçramit e Todi Lubonjës, të një sërë elementëve liberalë e të deklasuar, tendenca për të përhapur rrymat dekadente në letërsi, në muzikë, në teatër, në pikturë e gjetkë”.
Dhe vazhdon: “Tendenca revizioniste e këtyre elementëve, jo në rrugë partie, ka patur për qëllim degjenerimin e rinisë, të studentëve, që këta të bëheshin mbështetja e punës së tyre armiqësore”. Të gjitha këto, u çuan edhe më tej në Plenumin e IV-ët të Komitetit Qendror, me raportin që u mbajt atje nga Enver Hoxha dhe iu kushtua tërësisht kësaj çështjeje, ku u thanë aq të pavërteta si kjo dhe të tjera: “Zhvillimi krijues i realizmit socialist, ka ndeshur edhe në disa interpretime të gabuara e teorizime me prejardhje të ndryshme.
Sidomos këto janë shfaqur në trajtimin e problemeve të kontradiktave e të heroit në art. Ka ndodhur që kontradiktat e shoqërisë sonë, janë paraqitur pa rrugëdalje, me një ndjenjë të errët pesimizmi, që është tipike për konceptimet borgjezo – revizioniste…! Kjo të çon në gabime të rënda parimore, ku përpiqej ta fuste artin tonë Fadil Paçrami, kur thoshte se mjaft jemi marrë deri tani me luftën “midis nesh e armiqve”, e se këtej e tutje, duhet të flasim kryesisht për luftën “midis nesh”.
Një thënie, tjetër për tjetër. Në të vërtetë, në atë si parathënie, nën titullin: “Dy fjalë”, për dramën “Shtëpia në Bulevard”, unë kam thënë, i përmbahem edhe sot këtij mendimi: “Në skenat tona, sundonte tema historike dhe konflikti mbetej kryesisht te; ‘ne dhe armiqtë’, sikur tema e sotme, me konfliktet; ‘në mes tonë’, të mos premtonte për skenë”! Ka, pra, një ndryshim, çështja s’është vënë: ose – ose, por edhe – edhe. Mirëpo, pikërisht kësaj: trajtimit edhe të konflikteve “në mes tonë”, i trembej: zbulimit të kontradiktave luftës së të kundërtave, gërmimit në fenomenet negative bashkudhëtare, dhe ato nuk qenë pak. Pra, e quan rrezikun më të madh, që u kërcënohej letërsisë e arteve dhe e godet aq fort. Mua, kjo më bën nder, por krijimtarisë iu bë keq. Më poshtë vazhdon:
“Fadil Paçrami, për këto probleme ka patur pikëpamje të huaja, në kundërshtim me vijën e partisë, të cilat janë shfaqur edhe në krijimtarinë e tij letrare. Me pre-dispozicionet e tij të theksuara letrare, me teorizimet e huaja, ai… inkurajonte dhe përkrahte përhapjen ndikimeve e të shfaqjeve të huaja moderniste”.
Pse po i përmend këto, e po zgjatem pak? Sepse nuk jam më si jam trajtuar dhe si akuzohesha, kur gjithçka flet, për domosdonë e një të pa realist të zhvillimeve, jo vetëm në fushën e letërsisë e të arteve, por edhe në drejtime të tjera, rreth të cilave mund të diskutohej, të nxirren konkluzione me dobi për vendin edhe sot. Vonë, por më mirë vonë se kurrë, e nesërmja do të jetë me dhembje më të mëdha.
Akoma më qartë zbulohen: qoftë disa nga idetë racionale të kohës e duheshin marrë në konsideratë por që u kundërshtuam dhe u etiketuan me “izma”, gjithfarësh: qoftë mendimet konfuze dogmatike e sektare, që mbyllin rrugët e zhvillimit; qoftë edhe mënyrat e trajtimit plot hilera, e arrogancën në mbrojtjen e diçkaje jo te pastër, në fjalimin e mbylljes në atë plenum. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016