Nga Fadil Paçrami
Pjesa e katërmbëdhjetë
Memorie.al / Ç’është burgu? Është vendi ku mbahen ata që janë dënuar me heqje të lirisë, do të thoshim duke lexuar çdo fjalor. Por kaq është pak. Burgu dhe liria – dy të kundërta. Më parë: ç’është liria? Me pak fjalë: të jesh i lirë do të thotë të bësh atë që do, të mendosh e të veprosh sipas dëshirës në ushtrimin e përmbushjen e lirive e të drejtave të tua, si njeri e si shtetas, por gjithmonë pa cënuar e dhunuar të tjerët. Përsërit: të mendosh e të veprosh. Fjala është për liritë demokratike, nga ajo e fjalës, e shtypit, e tubimit dhe e organizimit në partira e shoqata të ndryshme, sigurimin e kushteve, ku të gjejnë shprehje e konkretizim idetë, kërkesat e vullnetet njerëzore, nga ato të planit biologjik-lidhur me vetë qenien, tek ato të planit social, lidhur me mënyrat e të jetuarit.
NE PËRGJIGJE TE AKUZAVE TE PAQENA….
(Shënime për një analizë rreth disa fakteve e ngjarjeve të hedhura në burg). U hartuan jo shumë pas vdekjes së Enver Hoxhës, si shënime për një analizë rreth disa fakteve e ngjarjeve të ndodhura e të lidhura me mua, në përgjigje të akuzave që më qenë bërë, por që nuk i dërgova kund, atë kohë-m’u duk pak si shpejt; po kështu edhe më vonë, me gjithë plotësimet që u bëra, – m’u dukën jo të plota. Kështu mbetën në copa fletësh si shënime, të hedhura pjesë – pjesë. Nuk kisha përcaktuar edhe ku do t’i nisja: në Komitetin Qendror ose….. do të mbetnin te unë, deri në ditën…! Kur? Me të parë e të bërë.
Mendova të hedh këto shënime në përgjigje të akuzave që më janë bërë dhe t’ua dërgoj. Është folur shumë nga të tjerët, të flas edhe unë. Mbase do të më quhet marrëzi. Por në qoftë se për të thënë të vërteta, u dashka të jesh i marrë, atëhere: rroftë marrëzia! Diç me shtynë dhe me të drejtë, jo thjesht vetë mbrojtja. Po shpjegohem: Ndjek me vëmendje gjithë sa ndodhin e sa shkruhet në shtyp, kuptohet aq sa më është e mundur, nga vendi ku ndodhem – burgu famëkeq i Burrelit.
Prej kohësh më ngacmojnë e s’më lënë të qetë një tok të vërtetash, që janë mbuluar e shtrembëruar, por që zhvillimet e sotme, i bëjnë më të qarta. Nuk shoh edhe ndonjë predispozitë që të thuhen. Pse kështu? Deri kur? Deri tani s’kam patur mundësi as unë, e kam patur të vështirë më parë: në Plenumin e IV-ët e pas tij, edhe më vonë. Të tjerë heshtin, pse tremben ose ngase nuk duan. Atëhere si? Nuk duhet?! Jo, duhet. Është koha.
Secili nga ata që e jetuan atë kohë të viteve ’60-të dhe fillimet e ’70-ës, ngjarjet e zhvillimet e ndodhura në tërësi dhe për raste të veçanta, kanë shumë për të thënë. Për çfarë jo: bëmat e mos bëmat, të vërtetat e jo të vërtetat, të thënat e jo të thënat. Aq më tepër sot, Pse sot? Se e sotmja na thërret, na i kërkon. U bënë vite, ka rrjedhur shumë ujë.
Është grumbulluar edhe një e keqe, që, po s’u pa drejt e në sy, nuk u njoh si e tillë dhe nuk u flak sa nuk do të jetë tepër vonë, do të vijë duke u thelluar e nuk do t’i dihet fundi. Dhe këtë duhet ta bëjnë të gjithë – kuptohet, kush më shumë e kush më pak, pasi edhe njohja nuk është e njëjtë, edhe bëmat ashtu rëndojnë, edhe barrët ashtu mbahen. Unë kam edhe një arsye më shumë: për çfarë nuk jam akuzuar, është një e drejtë e imja kjo mendoj.
Thuhet: bota është dollap. Në kuptimin: sillet ajo majtas e djathtas, lart e poshtë, ose në të kundërtën. Tjetër: shihet ajo nga majat e Olimpit, ku jeni ju sot (isha edhe unë dikur), edhe nga rrafshi ku gjenden të shumtët, edhe nga rrethi i nëntë i ferrit, ku jam sot. Dua të them: është mirë të dëgjohen sa më shumë zëra, pse jo edhe prej këtej. Mbase për rastet kur dal mbi ato vetjake, do të më thuhet: s’ka ç’të duhen ty këto punë. Ja që nuk mundem.
Nuk do të qe as e drejtë. S’ka monopole, kur bëhet fjalë për fatet e vendit. Ose edhe kjo: nuk mbeti të merren mend prej andej, sesi dhe ç’duhet bërë! Ja që është një kënd të pari edhe ky, madje shumë i ndjeshëm, ndaj stuhive e erërave që fryjnë lartësive. Janë e mbeten lapidarë këto fjalë të Shekspirit, të vëna në gojën e Mbretit Lir, për burgun:
“Atje do t’marrim vesh nga të burgosur
Se ç’ngjasin në pallat, do bisedojmë
Se kush fiton e kush humbet dhe kush
E ka fuqinë sot dhe kush e humbi.
Në burg do t’shohim se si vinë e zhduken
Tarafet e lavditë e të mëdhenjve,
Që hipin e që zbresin sipas hënës”.
Analogjitë e precedentët, mbeten tregues që vlejnë të mbahen parasysh, në zhvillimet historike. Por të kalojmë te ku e nisëm: të shumtë janë ata që kanë për të thënë. Unë do të flas për ato që di e kujtoj, kanë lidhje më të drejtpërdrejtë me mua. Kështu pjesë – pjesë, arrihet te e tëra. Pjesët plotësojnë kuadrin e të tërës, janë pamje e pasqyrë e saj. E njohur: edhe në një pikë uji, reflektohet horizonti. Po filloj.
1.
M’u desh të lexoj gjithë sa munda të gjej, në fjalimet e shkrimet e tjera të botuara nga thëniet e Enver Hoxhës, para e pas ’73-së, për mua. Disa edhe nuk i dija. U habita: si shumë vend më ka kushtuar! Përse? Bëhet e qartë: goditja synonte jo të një Fadil, një Todi, a cilido tjetër, por më larg e më gjerë; e dyta, me sa duket, nuk e ka patur lehtë t’i bindte të tjerët, pasi operohej në sfera të ndjeshme të kulturës e të inteligjencës.
Po e them që në fillim: janë thënë shumë të paqena, janë shtrembëruar fakte, ngjarje e biseda, është mbuluar e fshehur e vërteta, nuk është thënë thelbi, shkaqet e qëllimet. Pra edhe nuk mund të heshtë. E di: mos ngacmo të fuqishmit se zemërimi i tyre është me pasoja, i thonë një fjalë. Por, e vërteta mbi të gjitha – nga kjo nisem, pra edhe e hedh këtë hap. Në këtë vështrim, sa do radhit më poshtë, janë edhe mbrojtje, edhe protestë, po më shumë akuzë. Po e nis nga viti ’60-të, për të arritur te ’73-ja, se si filloi e mbaroi kjo historia ime (e dyta pas asaj të ’47-s). Atë kohë ndodhesha në Moskë, për studime.
Megjithëse në shtator kishin filluar mësimet, u thirra në Tiranë në Plenumin e Komitetit Qendror, ku u diskutua e u morën masat që dihen ndaj Liri Belishovës e Koço Tashkos. Vura re se ato të ambasadës, në mënyrë të veçantë të Sigurimit atje, u interesuan shumë e më njëfarë shqetësimi, derisa u nisa për në Shqipëri. Me sa duket meqë ndodheshin me mua edhe gruaja e fëmijët, që kishin ardhur ato muaj të verës, paskësh lindur dyshimi, se mos nuk do të kthehesha për fare. Për këtë u binda nga si u prita dhe nga ndonjë bisedë.
Siç arrita të kuptoj më pas, në njëfarë mënyre edhe dëshirohej një gjë e tillë, që të mund të përdorej si; “argument”, për “armiqësi”, e akuza të tjera. Kishin ndodhur të tilla më prapë, duke i shtyrë njerëzit deri në vetëvrasje, si në rastin e Nako Spiros, ç’ka i bëri më të lehta e mashtruese, akuzat që iu bënë. Edhe më pas janë përsëritur, ndodhi si këto. Por unë s’e bëra, atë që pritej dhe erdha, nuk rashë në atë kurth. Kjo qe disi befasuese dhe e bëri të vështirë zbrazjen e akuzave, siç qe menduar. U hoq dorë dhe nuk u ngacmova. Mirëpo hija e dyshimit, nuk m’u nda, më ndiqte nga pas, me rrethonte gjithandej dhe shfaqej në një formë ose tjetër.
Shkurt fjala, në atë kohë jam ndodhur e përplasur në mes dy të vërtetave, nga një anë, isha për liberalizimin e gjithë veprimtarisë partiake e shtetërore, që u kërkua e filloi të shfaqej pas goditjes së kultit e vijës së ashpër të Stalinit, nga se kish ushqyer dogmatizmin, dhunën e terrorin, ndrydhjen e mendimit, mohimin e lirisë e të drejtave të njeriut, burokratizmin, centralizimin e skajshëm e tjerë, pra të ecej si në vendet e tjera të Lindjes: nga ana tjetër, isha për shkëputjen nga ai lloj paternalizmi, diktimi e mendjemadhësisë të padurueshme, që shfaqnin sovjetikët dhe kishte çuar në një kufizim të dukshëm të pavarësisë së vendit, mospërfilljen e dinjitetit e të krenarisë kombëtare.
Në këtë dilemë, janë ndodhur shumë nga intelektualët e njerëzit e ndershëm në ato vite. Nga shumë faktorë, ndër të cilët një vend parësor, kanë zënë ndjenjat kombëtare (si një vend shtetformues i vonë, nuk qemë ngopur akoma me pavarësinë), pat një prirje të theksuar për të dytën. Kjo, edhe pse nuk u analizuan e u kuptuan thellë dhe në fillim shkaqet, motivet dhe pse-të e tjera, që çuan në prishjen që ndërmori Enver Hoxha, me Bashkimin Sovjetik, kampin socialist e Traktatin e Varshavës. U ngjall shpresa se mbase erdhi koha e çlirimit nga tutela e despotizmit sllavo-rus, që pasonte atë bizantin e otoman, të dikurshëm. Mirëpo nuk ndodhi kështu. Shpejt erdhi zhgënjimi. U kuptua edhe loja që nga viti në vit, bëhej më e qartë.
E pra, kushtet e mundësitë qenë për hedhjen e këtij hapi të shkëputjes. Kishin kaluar vite nga ajo kohë, kur në Jaltë vendi ynë u la nga të mëdhenjtë, në Bllokun e Lindjes, nuk ishin me aq të ngurta ndarjet e detyrimet e atyre viteve të para. Fenomeni jugosllav në ’48-ën, e kishte treguar këtë. Nuk flas për rrugën e qëllimet e Beogradit, as për ndjekjen e ndonjë shembulli nga kushdo qoftë, po për mos detyrimin ndaj ndarjes së zonave të influencës, të bërë nga të mëdhenjtë e kohës, pa përfillur vullnetet e të interesuarve. Edhe mundësitë ishin. Pse të mos vendoste në të mirë të vet, ky vendi ynë, në kushtet e krijuara?! Për më tepër se nuk kishim as kufi të përbashkët, me ndonjërin nga vendet e Traktatit të Varshavës, pra nuk qe edhe rreziku për ndërhyrje të armatosur me tanke nga Moska, siç kish ndodhur në ‘56-ën me Hungarinë, ndodhi edhe në ‘68-ën, me Çekosllovakinë.
Por siç doli qartë më pas, tani edhe më shumë, armiqësimi me Nikita Hrushovin dhe kundërvënia ndaj Moskës, kishte baza e qëllime të tjera. U nxorën në plan të parë dhe iu mëshua fort, sa nacionalizmit e krenarisë kombëtare; aq edhe kundërshtive ideologjike: luftës kundër revizionizmit, tradhtisë e kapitullimit ndaj imperializmit, etj., kurse në të vërtetë, ishte frika për humbjen e vendit drejtuese, në krye të partisë e të shtetit, siç kishte ndodhur me të shumtët e udhëheqësve të vendeve të tjera të Bllokut Lindor, nën presionin e makinacionet e njohura – disa duke i rrëzuar me vendime plenumesh, të tjerë duke i përcjellë në atë botë.
Kësaj ia pati frikën Enver Hoxha. Se ç’tregohej edhe një histori helmimesh, me ngatërrim vendesh, gjatë një darkë në Kremlin, lidhur me një udhëheqës të një partie tjetër, i cili, pa kaluar shumë ditë, vdiq.
Shpesh është vënë pyetja: pse nuk ndodhi edhe te ne, atë kohë, si me të tjerët? Kjo shpjegohet me pafuqinë e forcave anti-staliniste e anti-diktator të vendit (goditjet e njëpasnjëshme që, siç dihet, patën ndodhur me kujdes për ta lënë vendin pa forca të afta e figura politike e kishin dhënë rezultatin e tyre), si dhe me aftësitë e rralla demoniake, me të cilat u veprua.
Për këtë ndihmuan edhe prirjet hegjemoniste që u shfaqën hapur, pikërisht aty ku në Partinë Komuniste të Kinës, për rolin prej lidershipi të Mao Ce Dunit në lëvizjen komuniste, e që u shfrytëzuan nga të dyja palët, në dobi të vet. Ato nuk sollën gjë të mirë për Shqipërinë. U krijua kështu një konjukturë e mpleksur, me shumë të papritura e paradokse:
-Nga një anë, Shqipëria u shkëput nga Blloku i Lindjes, doli de fakto edhe nga Traktati i Varshavës (më vonë edhe de jure), hodhi tej edhe zgjedhën ruse, që kufizonte sovranitetin e vendit, prandaj ky hap i ndërmarrë në ‘61-‘n, gjeti e siguroi një mbështetje të gjerë në popull dhe të forcave demokratike krijoi shpresa tek ata, që gjithnjë i kishin parë me mosbesim diktaturën dhe lidhjet me Moskën…!
Nga ana tjetër, kundërvënia me hrushovianët, ruante rrezikun e frenimit të liberalizmit dhe të thellimit në rrugën e stalinizmit, shoqëruar këto në ekstremizmat e prirjet centralizuese ekonomike e kulturore, vendosjen regjimit të terrorit dhe të mbylljes e izolimit të mëtejshëm të vendit, etj., siç edhe ndodhi.
– Nga një anë, çliroheshim prej asaj lloj varësie të maskuar me një frazeologji tërheqëse, plot premtime për të ardhmen, prandaj edhe përshëndet e u përkrah fillimisht nga të shumtë…! Nga ana tjetër, u shfaq rreziku i kalimit nën një varësi tjetër, të po atij tip zgjerimi i marrëdhënieve me Kinën, një vend tjetër aziatik me mbetjet e një despotizmi feudal, të shartuara me ambiciet për sundim të një shteti të madh.
– Nga një anë, krijohej mundësia që, duke qenë të lirë e të pavarur, të hynim në marrëdhënie me të gjitha vendet mbi bazën e barazisë, respekt reciprok e të interesave dy ose shumëpalëshe, siç u mendua dhe u prit të arrihej…! Nga ana tjetër, pati regres dhe u kalua në armiqësi me të gjithë, e ndarje me botën në dëm të zhvillimeve të vendit.
***
Mund të thuhet gojë plot, se nuk u përdor me dobi rasti, mungoi qartësia, po më shumë vullneti e gatishmëria, dhe të gjitha këto, sepse pikënisja, qëllimi dhe pikëmbërritja, qenë të tjera – u vunë interesat e ngushta vetjake e partiake mbi gjithçka.
Shkëputja nga Blloku i Lindjes, u përshëndet e u mirëprit nga vendet e Perëndimit. U krijuan kushtet për marrëdhënie të tjera, më të gjera me të gjithë dhe në sferat më të ndryshme, patjetër edhe ato ekonomike, për tërheqjen e Kredive e të ndihmave për çka ne kishim nevojë dhe ata mund të ofronin. Kuptohet jo për sytë e bukur e simpati të veçanta – nocione të tilla në politikë, e aq më pak në lëmin ekonomik, nuk janë përcaktuese, por një Shqipëri me pozitën e saj gjeografike në brigjet e Adriatikut, me dalje në Mesdhe, qoftë edhe asnjanëse, ishte me interes për ta. Dalja nga Traktati i Varshavës, çmohej si diçka me shumë rëndësi, vendi ynë nuk ishte më e nuk mund të kthehej në bazë detare, e aeroplan-mbartëse për atë.
NATO-ja pa fjalë, që ishte e interesuar për këtë. Jo pak shpenzime bënte ajo, për ndërtimin e mbajtjen e bazave ushtarake e flotën e saj të Mesdheut, aeroportet dhe poligonet e raketave në Itali, veç të të tjerave. Tani këto edhe mund t’i pakësonte, ose të mos i shtonte më tej. Pra ndihmat ndaj nesh, edhe thjesht si kompensim, do të qenë vogëlima në këtë rast. A dihej kjo? Them se po. E kisha dëgjuar në një rast Enver Hoxhën, të fliste me mburrje se; diku në një mbledhje të NATO-s, qenkësh folur se kjo pozitë e Shqipërisë, as andej as këtej, qoftë edhe kaq, qe e favorshme për atë, pra të mos ngacmohej, përkundrazi, edhe të nxitej për më tej, në atë rrugë.
Atëherë pse nuk u përdor? Hë, pse nuk u përdor? Veç politike nuk qe ajo, si mund të shpjegohet?! Mbase një ditë mund të thuhet diçka më konkrete, në bazë edhe të dokumenteve që do të dalin në dritë.
Vendi u dëmtua edhe me tej me vetizolimin nga bota- as Lindje as Perëndim, theksimin e këmbënguljen në atë që u quajt dhe u fry aq shumë; “me forcat tona” – diçka krejt absurde, (dritë-shkurtër), mendjemadhe e jo reale, me rrjedhoja të rënda për ekonominë e, në të gjitha fushat. Ato u dukën që në vitet e para dhe me gjithë sa rrodhën në vitet ’60-të. Pasojat u zbutën ca me ndihmat nga Kina, pa të cilat do të qenë ngritur duart shpejt, mirëpo në vitet ’70-të, këto ardhën duke u pakësuar, derisa u prenë fare. U hëngrën edhe rezervat e fundit. Më pas, çdo të bëhej?
Ngjarjet që ndodhën në vitet ’60-të, vërtetuan sa u thanë më lart. Vendi hyri në një rrugë pa krye. Njerëzit panë se shkëputja nga Lindja qe fiktive. Ranë edhe iluzionet e të gjithë atyre që pritën një frymëmarrje më të lire, e të shëndetshme. U ndje kjo shumë shpejt. Më dukshëm, u shfaqën zhgënjimet në rrethet intelektuale. Këtë e vuri re Enver Hoxha dhe ndërtoi një politikë të përafërt, me atë të vitit ‘48-të, kur u prenë marrëdhëniet me Beogradin, njihet si e kulaçit dhe e kërbaçit, me demagogji e frikë njëherësh. Pak shumë (në ‘62-në, në mos e ngatërroj) bëri një mbledhje të gjerë me intelektualët e kryeqytetit dhe foli para tyre, për gjendjen e vendit dhe të jashtme. Mori pjesë më pas edhe në një mbledhje me shkrimtarët e artistët. Në të dy rastet edhe i mori me të mirë, duke ngritur lart rolin e tyre, por edhe i kërcënoi e i paralajmëroi, të kishin mendjen.
Ky dyzim në ëndërrimet e bëmat që pasuan, u ndie fort nga të shumtë në radhët e intelektualëve dhe të krijuesve, në të dy pamjet. Po më poshtë, do të qëndroj te disa çështje e ngjarje, të ndodhura me mua.
– Në vitin 1965, u emërova ministër i Kulturës e i Arteve, por edhe u kritikova në Byronë Politike nga Enver Hoxha, kur u thirra për të më njoftuar vendimin, duke vënë theksin në tri çështje, për të cilat ai nuk të falte e, që përbënë thelbin e shqetësimeve të kohës, lidhur me intelektualët: mosnënshtrim mendimin e lirë, krijimtarinë e mirëfilltë, jashtë kornizave zyrtare. Pra edhe m’u drejtua: “Na radhë të parë, dua të them që në zbatimin e vijës së Partisë, te ti nuk duket ajo gjallëri, ai kujdes dhe ajo këmbëngulje, që duhet të ekzistojë te një kuadër me kulturë dhe i vjetër në punë…! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016