1920 – Lindi në fshatin Gllaviçicë (Shëngjon-Kokaj) afër Pejës, Mark Krasniqi, profesor, akademik, politikan dhe shkrimtar shqiptar Prej 1961-1981 ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, kur pushteti antishqiptar serbo-komunist e përjashtoi nga procesi mësimor. Ka qenë disa herë prodekan e dekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik. Ka qenë nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1970) dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (1993). Është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ka botuar më se 20 libra shkencorë, letrarë, publicistikë e tekste shkollore dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje poezish nga serbishtja e sllovenishtja në gjuhën shqipe. Mark Krasniqi ndër të tjera është edhe autor i përmbledhjes së poezive për fëmijë “Posta e porositur”. autori shkruan poezi për fëmijë dhe të rritur, po ashtu merret me studime shkencore në lëmit e gjeografisë dhe etnografisë.
1921– Kryeministri portugez Antonio Granjo do të vritet së bashku me disa politikanë të tjerë në atë që do të quhet “Nata e Përgjakur”. Gjatë këtij grushti shteti, përpos eliminimit të Kryeministrit, do të vriteshin edhe një sërë politikanësh dhe deputetësh, nga disa oficerë dhe ushtarë të Forcave të Armatosura të Portugalisë. Trupat e tyre u transportuan me një kamion dhe u hodhën në lumin Lisbona. Kjo do të jetë një nga operacionet ushtarake më të përgjakshme në historinë e këtij vendi, që nga themelimi i tij. Një grusht shteti me përpjesëtime më të vogla Portugalia e provoi pas 53 vitesh.
1935 – Liga e Kombeve të Bashkuara, vendos sanksione të ashpra ekonomike ndaj Italisë, për shkak se kjo e fundit sulmoi Etiopinë. Gjatë Luftës Italo-Abyssine, trupat fashiste të komanduara nga Emilio De Bono, shkelën hapur Konventën e Paqes së Gjenevës, duke sulmuar madje edhe me armë kimike Abisininë. Për këtë arsye një sërë shtetesh nga mbarë Bota vendosën sanksione të ashpra ekonomike ndaj qeverisë së Benito Mussolini-t. Por Italia fashiste, jo vetëm që e përballoi me sukses këtë gjë, por arriti deri aty sa ta pushtonte të tërë Etiopinë duke kryer masakra të mëdha mbi popullsinë e atij vendi. Ajo u furnizua ekonomikisht dhe ushtarakisht nga Gjermania naziste.
1937 – Vdes në Cambridge në moshën 66 vjeçare fizikanti britanik Ernest Rutherford. Rutherford, do të bëhej i njohur në mbarë botën në vitin 1908, për fitoren e Çmimit Nobel në Fizikë. Kontributi i tij në këtë fushë ishte se ai, zbuloi përfshirjen e elementëve kimikë në substancat radio-aktive. Për të gjitha zbulimet dhe shpikjet e tij, Rutherford-i, do të dekorohej nga qeveria britanike, duke u cilësuar si një na shkencëtarët më të mëdhenj të shek XX. Emrin e tij sot e mbajnë një sërë shkollash dhe kolegjesh në Britani dhe më gjerë.
1950 – Gjatë Luftës së Koresë, trupat ushtarake të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, korrin një fitore të rëndësishme në Pyongyang. Pas një sërë kundër-ofensivash të vazhdueshme forcat amerikane dhe ato të aleatëve të tjerë nën flamurin e OKB-së, thyejnë trupat koreano-veriore brenda kufirit të tyre. Beteja e Pyongyang-ut do të cilësohej si një ndër më kryesoret në fushatën e luftimeve në gadishullin Korean. Luftimet do të zgjasnin katër ditë dhe do ti kushtonin të dy palëve, qindra viktima.
1954 – Lind në Dudley të Anglisë, futbollisti dhe trajneri i famshëm Sam Allardyce. Ai do të spikaste si mbrojtjes me ekipet e Bolton-it dhe Sunderland-it në vitet 70-80. Më pas karriera e tij do të kulmonte si trajner me skuadrat e Newcastle-it, West Ham-it, dhe Everton-it. Gjithashtu Allardyce do të drejtonte kombëtaren angleze në Europianin e Francë 2016. Ai sot konsiderohet si një prej trajnerëve më të paguar dhe më të suksesshëm në Kampionatin Anglez të Futbollit, Premier League.
1984 – Prifti Katolik polak Jerzy Popieluzsko, vritet me paramendim nga tre agjentë të Sluzba Bezpieczenstwa-s (shërbimi informativ polak). Vrasja e Popieluzsko-s u krye, pasi ky i fundit ishte angazhuar gjerësisht në lëvizjen anti-komuniste të Solidarnost-it. Ai u torturua për vdekje nga të tre agjentët e Sigurimit polak dhe trupi i tij u hodh në ujërat e ngrira të lumit Wistula, për tu gjetur pas disa ditësh. Në funeralin e tij morën pjesë me mijëra persona, të cilët e kthyen atë në një demonstratë të madhe kundër regjimit. Të tre agjentët u arrestuan dhe u dënuan për këtë krim, ndërsa Popieluzsko u shpall shenjt dhe martir i Kishës Katolike polake.
2000 -Ndërron jetë Mahir Domi, gjuhëtar, akademik shqiptar ishte filolog, pedagog dhe akademik shqiptar. Studimet e mesme i nisi në Normalen e Elbasanit dhe i vazhdoi e përfundoi në Liceun Kombëtar të Korçës më 1937. Ndoqi studimet e larta për filologji klasike dhe u diplomua në Universitetin e Grënoblës në Francë më 1941. Po atë vit filloi punën si mësues e më pas si drejtor në Normalen të Elbasani. Prof. M. Domi ka dhënë një kontribut të shquar në fushë të arsimit si drejtor i Shkollës Normale të Elbasanit dhe si drejtues e pedagog në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Ai punoi me përkushtim e dha ndihmesën e tij të çmuar si mësues e pedagog në hartimin e planeve dhe të programeve të reja të shkollës sonë si edhe me librat e gjuhës dhe të letërsisë që hartoi për nevoja të niveleve të ndryshme parauniversitare e universitare të shkollës. Veç punës së tij të gjerë në fushën e mësuesisë, prof. M. Domi dha një kontribut të shquar në shumë fusha të dijes albanologjike në të gjitha shkencat filologjike e letrare shqiptare, Ai nderohet e vlerësohet nga studiues të ballkanologjisë e të indoevropianishtes. Në shumë kongrese e konferenca ndërkombëtare e kombëtare ku ka marrë pjesë ka thënë fjalën e tij me peshë për problemet e shqipes, duke e përfaqësuar denjësisht shkencën shqiptare. Krahas veprës së tij të gjerë shkencore, ai ka lënë kujtimin e një shkencëtari të palodhur erudit, me horizont të gjerë, të njeriut të ndershëm e fisnik, i cili një pjesë të jetës së tij, me dashamirësinë dhe zemërgjerësinë që e karakterizonte, ia kushtoi përgatitjes së brezit të ri.
2003 – Nënë Tereza lumturohet nga Papa John Paul-i i II-të. Misionarja më e famshme në botë me origjinë shqiptare, fillon kështu procesin e lumturimit nga Vatikani pasi, nëpërmjet dëshmitarëve u vërtetuan plotësisht tre mrekullitë e saj. Ajo do të futet kështu përfundimisht në radhët e dhjetëra misionarëve të krishterë të cilët për veprat e tyre, janë shpallur shenjtorë nga Papa i Romës. Anjeze Gonxhe Bojaxhiu do të jetë e para kolerike shqiptare që fillon procesin e shpalljes shenjtore në botën e krishterë.
2009 – Ndërroi jetë Dhimitër Xhuvani, shkrimtar shqiptar. Studioi letërsi në Tiranë dhe në Institutin e Letërsisë “Gorki” të Moskës. Dhimitri pas shkollës së mesme mjekësore punon në spitalet rurale të Gramshit, Librazhdit, Cërrikut, Peqinit. Shkëputet nga mjekësia dhe vazhdon studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë dhe më pas studion në Institutin “Gorki” të Moskës. Krahas punës së shkrimtarit, ushtroi edhe profesionin e mësuesit, gazetarit, redaktorit, montatorit, elektricistit, saldatorit. Është fitues i shumë çmimeve letrare si dhe laureat i “Çmimit të Republikës”, proza e tij është përkthyer në disa gjuhë si në italisht, frëngjisht, anglisht, rusisht, në gjuhën kineze dhe japoneze.