Nga Robert Kostaq Cipo
Pjesa e tretë
Memorie.al / Linda ne Korçë një ditë të martë më 16 shtator të vitit 1930, në ora 10 të mëngjesit. Prindërit e mi kanë qenë, Kostaq Cipo, i biri i Simon Cipos e Agnia (Xhuvani) Cipo, dhe Margarita (Papajani) Cipo, shtëpijake, e bija e Doktor Filip Papajanit dhe i Angjeliqì (Kostantinesku) Papajani, shtëpiake. Kur linda im atë ishte profesor i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqipe si dhe i letërsive të tjera, përveç asaj Franceze, në Liceun Kombëtar Shqiptaro-Frëng në Korçë ndërsa doktor Filip Papajani ishte mjeku i vetëm i rrethit të Pogradecit deri në çlirimin e Shqipërisë, patriot i periudhës së Pavarësisë, shkrimtar dhe poet i përmendur edhe në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.
Me inaugurimin e Institutit të Higjienës dhe Epidemiologjisë, laboratori ku unë punoja, kaloi pranë këtij Instituti, diku përtej Kinostudios. Meqë kisha mbaruar kursin për mikrobiolog, u caktova në prodhimin e vaksinave, nën drejtimin e shumë të ndërgjegjshmit Dr. Eduard Shehut, i cili ishte specializuar në Kinë. Aty vazhdova edhe për nja dy vjet. Dua të shënoj se, që kur punoja te ‘Gama Globulina’ erdhi për të punuar pranë repartit tonë, edhe një kimist, me emrin Vasil Thanasi, me të cilin u miqësuam shumë edhe familjarisht. Kur ky mori vesh se zotëroja gjuhë të huaja, italisht e frëngjisht, më shpjegoi se vëllai i tij, Lefter Thanasi, ishte nëndrejtor i Zyrës së Shërbimit të Trupit Diplomatik dhe i kishte propozuar të vëllait, që nëse do të kishin ndonjë vend vakant, të më kalonte në varësi të këtij Shërbimi.
Njëkohësisht edhe Perlat Çaushi, ish-shok shkolle i vëllait dhe diplomat e punonjës në Ministrinë e Jashtme, interesohet nga ana a tij, për ndonjë vend pune po pranë ndonjë ambasade. Ndërkohë, meqenëse sekretarja dhe përkthyesja e Institutit të Higjienës, kishte dalë në pension, më caktojnë mua në këtë detyrë. Aty disponoja Bibliotekën e Institutit, si dhe kryeja përkthimet nga artikujt e revistave, apo librave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që i vinin këtij Instituti.
Pas dy vjetëve në këtë detyrë të re, vjen një ditë Lefter Thanasi dhe më njofton se, e kishin marrë parasysh aftësinë time dhe se më kishin caktuar të filloja punë, në ambasadën e Kubës me gjuhën italisht. Në këtë ambasadë, përdorej gjuha spanjolle, por vetë kubanët, kishin filluar një kurs intensiv të gjuhës italiane dhe kishin dëshirë që edhe përkthimet e shtypit, të kryheshin po në italisht. I kërkova dy ditë kohë, për t’u menduar dhe shkoj e takoj Perlatin, shokun diplomat në Ministrinë e Jashtme, i martuar me Elin, vajzën e Sali Mborjes, me të cilën kishim banuar në një ndërtesë dhe i marr mendimin, se si duhet të veproja, sepse kisha dëgjuar, se ata që punonin nëpër Ambasada, duhet medoemos të ishin spiunë të Sigurimit.
Ai qeshi dhe më tha se; jo të gjithë ata që punojnë aty, duhet të jenë agjentë të Sigurimit. Në çdo ambasadë, ka vetëm një person, që kryen këtë detyrë. Kështu ti shko, kryej punën me ndershmëri, merr atë rrogë që ke nevojë dhe mos çaj kokën. Kështu që në korrik 1976, kalova në vartësi të ambasadës së Kubës, me seli në fillim të “Rrugës së Durrësit”, aty ku sot ndodhet ambasada e Vatikanit. Kisha një zyrë të pajisur shumë mirë, me mobilie, me makinë shkrimi (në atë periudhë akoma nuk kishte dalë kompjuteri), kisha gjithashtu dhe bibliotekën e ambasadës, me një sasi shumë të madhe librash (përkthime në spanjisht nga letërsia botërore). Këto libra, shtëpitë botuese kubane, ishin të detyruara nga shteti, që çdo ambasadë kubane jashtë shtetit, duhet t’i dërgonin nga tre ekzemplare. Zakonisht, një kopje e merrte i Ngarkuari me Punë (Ambasada nuk pati kurrë Ambasador), ndërsa dy të tjerat, mbaheshin në bibliotekë.
Mbasi mësova spanjishten, fillova të marr edhe unë nga një kopje të tyre. Për pesë vjet me radhë, karshi tavolinës time, gjendej i varur në mur, portreti i luftëtarit internacionalist, Ernesto Che Gurvara. Aty lexova për jetën e tij, mora vesh se ishte argjentinas dhe se ishte bashkuar në grupet revolucionare në Kubë. Në vijim, pas fitores së Kastros, kishte qenë Ministër i Industrisë dhe kishte vizituar dhe Shqipërinë, duke takuar Mehmet Shehun, me të cilin biseda u bë në spanjisht. Nga ana tjetër, duke qenë se nuk kishte qenë dakord me politikën e Hrushovit, në lidhje me revolucionin proletar, shkëputet dhe më një grup revolucionarësh, shkon për të filluar lëvizjen në Bolivi. Aty bie në përleshje me trupat e vendit dhe plagoset. Personi që ishte caktuar për ta ruajtur, merr udhëzime dhe e vret, duke ja prerë të dy duart, e duke i paraqitur ato si provë për krimin e kryer.
Në ambasadën e Kubës, meqë kaluan dy vjet dhe duhej ndërruar drejtuesi i ambasadës, më vunë si detyrë, që duhet të filloja të mësoja spanjishten. I hyra kësaj pune në fillim me vështirësi, por meqë kishte ngjashmëri me italishten dhe me rregullat e saj gramatikore, mbas një farë periudhe shumë të shkurtër, ja mora dorën. Fillova të shoqëroj si përkthyes nga spanjishtja, drejtuesit e ambasadës, të Ngarkuarin me Punë dhe Sekretarin e Parë, në të gjitha takimet zyrtare. Aq ja mora dorën spanjishtes, saqë fillova të përkthej në formë simultane, nga shqipja në spanjisht dhe anasjelltas, si në bisedimet zyrtare, edhe në bisedimet mbi marrëveshjet tregtare, që shpesh zgjatnin deri pas mesit të natës. Gjithashtu merrja pjesë dhe në dreka e darka zyrtare, gjithmonë si përkthyes dhe shpesh më qëllonte të çohesha nga tavolina, pa futur gjë në gojë, pasi isha gjithmonë duke folur. Por mbas ikjes së të ftuarve, shkoja në kuzhinën e ambasadës dhe ja shtroja për shtatë palë qejfe.
Detyra ime, ishte të përktheja çdo ditë, artikujt kryesorë të gazetës “Zëri i Popullit”. Këtë detyrë e kryeja si në ambasadën e Kubës dhe në atë Italiane. Gjithashtu shoqëroja si përkthyes, punonjësit e këtyre ambasadave në takimet që ata kishin në Ministrinë e Jashtme, në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme, në Zyrën e Shërbimit të Trupit Diplomatik, në Zyrën për Marrëdhëniet Kulturore me Botën e Jashtme, në Bankë, etj. Kishte raste kur shoqëroja punonjësit e ambasadave, në turnetë turistike nëpër Shqipëri. Me kubanët kam qenë në Pogradec, Korçë, Fier, Lushnje, Sarandë, Shkodër e, nga këto vizita, ruaj fotografitë të dala në Pogradec. Më kujtohet se gjatë vizitës në Korçë, na propozuan për të vizituar shtëpinë muzé, të piktorit Vangjush Mio. Akoma dhe sot e kam parasysh atë shtëpi-Muzé, mbasi më la përshtypje të paharruara. Ndërsa me italianët, me sa më kujtohet, kam qenë në; Sarandë, Butrint, Apolloni, Pogradec, Vlorë, etj. Nga vizita në Sarandë, ruaj një fotografi nga amfiteatri i Butrintit.
Tashti po më kujtohet se aty nga viti 1981 apo 1982, ambasadori Gentile, u interesua për të kryer disa kalime shëtitje “ik e hajde”, në rrugën Tiranë-Fier. Këto udhëtime, të kryera vetëm me shoferin shqiptar, pa u shoqëruar nga asnjë tjetër, kryheshin vetëm çdo të shtunë. Por mbas udhëtimit të fundit, këto u ndërprenë. Por të martën vijuese, u bë njoftimi, se ishte shpartalluar hyrja në Shqipëri, me qëllim vrasjeje të Enver Hoxhës, nga diversanti Xhevdet Mustafa. Aty u tha se çdo gjë ishte planifikuar, që të kryhej me ardhjen e grupit të diversantëve, ditën e shtunë. Thuhej se për këtë kishte dijeni Sigurimi i Shtetit Shqiptar, si edhe Ambasadori Gentile, që dilte çdo të shtunë, për t’i parë ata kur të vinin. Dikush më shtiu ndërmend, se kishte mundësi që ambasadori Gentile, dilte çdo të shtunë, për të pritur ardhjen e Xhevdet Mustafës, për ta marrë me vete në makinën e tij, si rastësisht apo si i kërcënuar, për ta sjellë pa pengesa deri në Tiranë. Kur e pyeta shoferin, ai më tha se; gjithmonë e kishte çuar ambasadorin deri te kthesa e rrugës nga Lushnja për në Fier dhe aty ktheheshim përsëri për në Tiranë. “Të shtunën e fundit, – tha shoferi, – pamë një nga ata diversantët që ishte kapur dhe e kishte vënë përpara policia. Kur pa se ishte kapur diversanti i shumë pritur, më urdhëroi menjëherë, që të kthehesha në Tiranë”.
Në ambasadën Italiane, kam qenë i pranishëm në hyrjen e familjes Popa (ngjarje për të cilën, kam shkruar veçant) më 1985, si dhe në dyndjen e refugjatëve, që kërkonin të shkonin në Itali, në korrik 1990. Më kujtohet gjithashtu se në vitin 1984, qeveria Italiane, ktheu në Shqipëri kokën e Deas së Butrintit. Ambasada, për dy ditë e mbajti kokën e Deas në selinë e saj, në “Rrugën e Elbasanit” (sot Ambasada Amerikane) dhe aty kam dalë në fotografi, me kokën e Deas, para se kjo t’i dorëzohej zyrtarisht Muzeut Kombëtar (edhe nga ky aktivitet kam një fotografi dalë në Muzeun Kombëtar). Në ambasadën Italiane, kam ndërruar katër ambasadorë, duke filluar me; Tozzolin, Gentilen (që qëndroi 7 vjet), De Andreis dhe në fund, Cardilin. Dola në pension, me 1 maj të vitit 1991.
Në vitin 1992, një grup personash prej 5 vetash të armatosur, bllokuan pallatin ku banoj, gjoja për të vjedhur apartamentin që e kam në katin e pestë, dhe kur e panë se i kisha zbuluar, nuk përtuan të më qëllojnë me revolver, nga një distance 4-5 metrash, duke me plagosur në këmbë e në trup, por plagët nuk qenë aq të rënda dhe pas disa muajsh, e mora veten. Por pa kaluar akoma një vit, si rezultat i kësaj ngjarje, pësova një “ishemi cerebrale”, që më detyroi të qëndroja në shtrat për një farë periudhe, kështu që të gjitha aktivitetet e mia, pas pensionit, nuk patën sukses.
Gjatë periudhës që ishte ambasador Francesco Gentile, erdhi të kryejë funksionet e Sekretarit të Parë, Silvestro Scimonelli, me të cilin krijuam një shoqëri të ngushtë, brenda caqeve të lejueshme. Mbasi kisha dalë në pension, ai qëlloi që u kthye përsëri në Shqipëri, me një delegacion dërguar nga Roma, për një kontroll në ambasadën Italiane në Tiranë dhe kërkoi të më bëjë një vizitë në shtëpi. Kjo ishte një vizitë miqësore dhe diskutimet në shtëpinë time, zgjatën pothuaj për rreth 3 orësh, duke i shprehur mendimet e mija, mbi sjelljet prej kapadaiu të ambasadorit Cardili (të cilin ai e kishte shumë mik).
Në shumë pika nuk ramë dakord. Mesa duket mendimet e mija, duhet t’ja ketë thënë Cardilit (ky është mendimi im), dhe prandaj pas largimit të komisionit, ndodhi plagosja ime, te dera e shtëpisë, (por qëllimi kishte qenë, që të më vrisnin). Ky është mendimi i im, që as mund ta vërtetoj, por as që mund ta kundërshtoj.
Ambasadori Cardili, kishte kërkuar nga qeveria shqiptare e Leka Meksit, që t’i caktoheshin bodigardë, për ta mbrojtur. Dhe ndodhi pikërisht që ata që më plagosën mua, shtinë me një revolver ‘TT’ që përdornin forcat e Sigurimit, por që nuk u gjet kurrë, mbasi ata që më plagosën; deklaruan se “revolverin ja kishin shitur një fshatari, që nuk e njihnin” dhe me ato pare, kishin blerë një revolver tjetër, të zakonshëm (shumë e çuditshme). Personat qe kryen atentatin kundra meje, u arrestuan vetëm dy javë pas atentatit dhe vetëm njëri prej tyre, u mbajt në burg. Kështu konkluzioni im, është se ata që më shtinë, ishin pajisur me armën nga bodigardi i Cardilit dhe që pas atentatit, ja kishin kthyer përsëri të zotit.
Harrova të them se, megjithëse kisha dalë në pension, bisedimet telefonike me personelin (diplomatët) italianë të ambasadës, ishin të përditshme. Por nga mëngjesi i ditës, kur ishte planifikuar të kryhej atentati kundër meje, personelit Italian, me urdhër të Cardilit, ju ndalua në formë të prerë të kryenin çfarëdolloj kontakti me mua, dhe kjo vazhdoj për rreth dy vjet, kur i gjithë personeli i ambasadës, përfundoi periudhën e shërbimit dhe u zëvendësua me persona të tjerë, që ishin të panjohur prej meje. Edhe personi që më plagosi, u mbajt edhe dy vjet në paraburgim dhe me vendim të gjykatëses, u la i lirë. Por disa ditë mbasi ishte liruar, nga lajmet në televizor, dëgjuam se kishte kryer një krim tjetër, afër Shkodrës. Por këtu del pyetja; pse duhej që Cardili, të kërkonte zhdukjen time?
Dua të saktësoj se, me ndërrimin e sistemit politik në Shqipëri, edhe kontaktet e njerëzve me ambasadën Italiane, ndryshuan. Pothuaj përditë, vinin njerëz që kërkonin të takonin ambasadorin për probleme të ndryshme dhe unë duhet të ndodhesha aty, për të kryer përkthimet. Më shkon mendja, se në një nga këto ditët, u paraqit një person te Cardili dhe i qau hallin, se dikur rreth vitit 1942, gjyshi i tij, kishte depozituar te Dega e “Banco di Napoli” në Tiranë, një sasi shumë të madhe monedhash flori. Meqenëse pas çlirimit, më 1944, erdhi në fuqi qeveria komuniste dhe filloi t’i sekuestroje pasuritë e tregtarëve, gjyshi vuajti persekutimet. por këtë sasi të hollash, nuk e deklaroi ku e kishte fshehur.
Por tashti dëshironte të pajisej me vizë, për të shkuar në Napoli, te Banka e atij qyteti, për të shikuar mundësinë e tërheqjes së parave të depozituara. Ambasadori Cardili, i kërkoi që ai të paraqiste dokumentet, që vërtetonin thëniet e tij dhe ta studionte çështjen dhe pastaj të vendosnin. Pas disa ditëve, po ky person, u paraqit për së dyti, bashkë me dokumentin bankar.
Ambasadori kërkoi që dokumentin t’ja linte aty, pasi do ta studionte e, do t’i jepte përgjigje. Pas një jave, kur u paraqit po prapë ky person, Cardili i tha se dokumenti është pa vlerë, se ishte lëshuar një ditë të Djelë (në periudhën e luftës më kujtohet se punohej çdo ditë, edhe të dielave), kështu që sipas Cardilit, ky dokument duhet të konsiderohet fallco. Kështu që ai ishte i detyruar ta rekuizonte dokumentin dhe i lutej atij që për këtë problem të mos e bezdiste më. Këto fjalë u thanë në një formë shumë të acaruar. E mora me mend se ndërkohe Cardilin kishte rënë në kontakt me “Banco di Napoli” dhe e kishte sqaruar çështjen dhe me sa dukjen ja kishte përlarë qytetarit këto të holla që me shkëmbimin aktual, duhet të ishin disa miliona dollarë. Ky person (që fatkeqësisht nuk ja mora vesh kurrë emrin) më ndalonte në rrugë dhe më kërkonte që të ndërhyja, për një vizë deri në Napoli.
Dua të shtoj edhe diçka tjetër, që ndodhi pikërisht gjatë periudhës së shkurtër, që kam punuar me Cardilin. Një ditë hapet dera e zyrës dhe hyn vetë Cardili, shumë i acaruar dhe i trembur (kështu m’u duk) dhe më thotë se; kanë për të marrë në telefon nga Turqia, i dhashë numrin tënd të telefonit dhe do t’ju thuash se për ndihmat humanitare, të caktuara për t’ju dërguar Shqipërisë, është bërë kontratë që do të kryhej nga firma turke XXX (emrin nuk ja mbaj mend), ti kaq ke për t’ju thënë. Mbas këtyre fjalëve, ai nuk u largua nga dhoma, priti sa më morën në telefon nga Turqia, dhe mbasi unë në anglisht, ju thashë çfarë ishte për t’u thënë dhe telefoni u mbyll, vetëm atëhere Cardili doli jashtë nga zyra. Meqë qeveria shqiptare, u akuzua për allishverishe të mëdha, në lidhje me këto ndihma që u shitën jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e Maqedoni, shpesh me shkon mendja, se mund të kem qenë viktimë edhe unë i kësaj ngjarje, që nuk arriti kurrë të saktësohet, dhe për të cilat, u akuzua Kraksi në Itali dhe Nano në Shqipëri, i cili dhe u dënua me disa vjet burg.
Këto çështje, plus kapadaillëqeve të tjera të Cardilit, ja shpalosa mikut të tij, ish-Sekretarit të Parë të Ambasadës, Silvestro Scimonelit, kur më erdhi për vizitë në shtëpi, duke e akuzuar se; Ambasadori Cardili, ishte një hajdut dhe se kishte përvetësuar ai vetë, apo në bashkëpunim me drejtuesit e Bankës së Napolit, paratë e atij hallexhiut. Jam i bindur se ai ja ka referuar të gjitha mikut të tij, gjatë atyre dy-tre ditëve që qëndroi për kontroll në ambasadë. Kështu që del e natyrshme, interesi i Cardilit, për të më eliminuar dhe për të përvetësuar napolonat flori të hallexhiut shqiptar, si dhe një përqindje të të ardhurave, nga ndihmat që u shitën nëpër dyqane. Kam dyshimin se Cardili, do t’i ketë thënë turqve në telefon, se; “unë Cardili, nuk jam marrë me këtë çështje, por po u jap numrin e telefonit të punonjësit që e ndjek këtë çështje (emrin tim) dhe ai do t’ju sqarojë, për këtë problem”.
Por më e bukura ishte, se menjëherë pas plagosjes, ndërsa mua me kishin çuar të plagosur në spital, e lajmëruar për atentatin, kthehet gruaja në shtëpi, por një polic te porta e apartamentit, nuk e la të hynte brenda. Brenda u krye një kontroll i imët, që vazhdoi për disa orë nga prokurorët dhe policia, ku u kontrollua çdo gjë që mund të ishte e dyshimtë, sirtarë dollapësh, rafte e çdo gjë tjetër, ku mund të mendohej se unë mund të kisha fshehur kushedi se çfarë. Dhe gruaja, mbasi ndeji ato 4-5 orët nëpër dyert e komshinjve, vetëm atëhere, para se të largoheshin ata 3-4 hetuesit, bashkë me oficerët e policisë, e lejuan të futet në shtëpi. Çfarë duhet të mendoj për këtë? Çfarë kërkonin, dhe çfarë ishin të ngarkuar të “zbulonin”? (Jam i mendimit, se kërkonin sasitë e mëdha të dollarëve, që unë do t’i kisha përfituar nga kambistat, në këmbimin e rrogave të punonjësve italianë!!!!!)
Ata, para se të largoheshin, morën me vete (e vodhën) edhe një unazë floriri me gurë, që gruaja e kishte kujtim kur u martua, nga nëna ime. Mbas atentatit që u krye mbi mua, dola shpesh nëpër Tiranë, për të mundur ta takoja përsëri hallexhiun e napolonave flori, por nuk e pashë më. Me siguri që do ta kishin eliminuar. Në atë periudhë ndryshimesh, ndodhnin shumë vrasje.
Mbasi dola në pension, u mundova të lidhesha edhe me sipërmarrësit italianë, që kërkonin të fillonin tregtinë me Shqipërinë, por nuk më shkoi mbarë. Megjithatë, përfitova nga ndërmjetësia e sipërmarrësve italianë, pata rastin të shkoja disa herë në Itali, megjithëse Cardili, bënte ç’ishte e mundur për të mos më dhënë vizën, dhe këtë ma thanë vetë tregtarët italianë, duke më thënë gjithashtu, se nuk e kuptojmë se pse Ambasadori ndërhyn, për të mos të të dhënë vizë, pas dhjetë vjet shërbimi në Ambasadë. Ndoshta kishte frikë, se unë do të shkoja ta raportoja në Ministrinë e Jashtme të Italisë. Bëra ç’ish e mundur, që mbi bazën e këtyre miqësive, të sistemoja dy djemtë e mi në Itali.
Gjatë jetës time, pata rastin të njihem me shkrimtarët Dhimitër Shuteriqi, Nasho Jorgaqi, Xhevahir Spahiu, Moikom Zeqo, Vath Koreshin, etj. Nuk jam shkëputur nga shokët e vjetër të gjimnazit, megjithëse për disa prej tyre, kam një përshtypje të mjegulluar, e më duket sikur ndonjë prej tyre, na e ka punuar duke u lidhur dhe zbatuar porositë e Sigurimit, kundra nesh. Takohem dhe bisedojmë vazhdimisht, me Gani Karapicin, Bamir Çanon, Alfred Benusin, Agim Belegun, Petrit Bidoshin, Kostaq Xoxen dhe Rustem Çelon, i cili vdiq më 29 nëntor 2003; ndërsa me të tjerë, si; Pavllo Koja, Stefan Poga, Hysamedin Kurti, Niko Shenkolli, Perikli Mima, Selim Hoxha, si dhe me disa nga ish-vajzat e klasës, kontakti është vetëm telefonik. Me ata që jeta më ka detyruar të punoja bashkë, si në Spital, në Institutin e Higjenës, apo nëpër ambasada, nuk kam asnjë lloj lidhje dhe rrallë herë i kujtoj.
Për një farë periudhe të gjatë kohe, duke filluar nga viti 1952, deri në vitin 2000, kam patur miqësi edhe familjar, me shokët e tim vëllai, si me; Viktor Noçkën, Egon Gjadrin, Bujar Bashën, Virgjil Budën, Eqerem Karain, Pajtim Bejtjen, Aristidh (Til) Vuçanin, Ylber Fortuzin, me të cilët në raste të veçanta takohemi, ndërsa me njërin prej tyre, Til (Aristidh) Vuçanin, sa herë që shkoj në Itali, do shkoj ta takoj aty ku banon familjarisht, në Cattolica, në provincën e Riminit.
Me aktivitet sportive, fillova të merrem vetëm gjatë shërbimit ushtarak. Fillova të luaja futboll me shokët ushtarë, te fusha përpara stadiumit “Qemal Stafa”. U bëra tifoz i çmendur i “Partizanit”, duke e ndjekur ndonjëherë skuadrën edhe në ndeshjet jashtë Tiranës. U bëra shok me disa nga lojtarët e saj, e veçanërisht me Simon Dedën, të cilin e ftova dhe për darkën e martesës. Kam qenë dhe vazhdoj të jem, tifoz me Brazilin, ndërsa në kampionatin Italian, kam qenë dhe jam tifoz, me Juventusin. Memorie.al