Nga Prof. Dr. Muhamet Pirraku
Memorie.al / Konteksti politik i kërkesave të demonstratave shqiptare të vitit 1968, nuk mund të kuptohen jashtë kornizave të frymës politike të “Lëvizja e së majtës së re” në Francë, në Gjermani, në Angli, me ndikim fillestar edhe në ‘Demonstratat e Beogradit, në fillim të qershorit 1968. Dallohen nga këto me frymën e qartësuar, popullsitë gjithëshqiptare të doktrinës politike gjithëkombëtare të Enver Hoxhës, të spikatur veçanërisht nga korriku i vitit 1966. Vërtet, brezi shqiptar i ’68-tës, u krijua në bankat e shkollave të mesme në qytetet e Kosovës dhe në fakultetet e Prishtinës e gjetkë në Jugosllavi, nga kapërcyelli në vitet ’60-të. Deviza politike e shoqërore e këtij brezi, mund të përmblidhet në një fjali të vetme: “Dielli lind dhe perëndon në Shqipëri”! Këtë koncept të të menduarit politik, e sollën në Kosovë veprimtarët e “Lëvizjes Irredentiste Shqiptare” të fillim viteve të ’50-të: Qerim Ukë Ozdrimi, Hysen Thaçi, Skënder Kosova, Aziz Zhilivoda, Ajet Haxhiu, Bajram Rexha, Shaban Braha, Dervish Shaqa, Salih Shatri, e të tjerë, por e fuqizuan mesazhet politike të përcjella në etër, fillimisht përmes Radio Tiranës – Kukësit dhe më vonë edhe përmes Televizionit Shqiptar.
Nga fundi i viteve të 50-ta, pikërisht më 1957, zuri themel organizimi politik ilegal shqiptar i Kosovës, pikërisht me formimin e “Lëvizjes Revolucionare për Çlirimin dhe Bashkimin e Shqiptarëve” në krye me profesor Kadri Halimin. Programi politik i kësaj organizate, u mbështet mbi platformën politike të “Lëvizjes Irredentiste” të viteve ’50-të, të ri motivuar me kërkesa të reja. Kjo tërthorazi, del edhe nga takimi Qerim Uka – Enver Hoxha, më 2 janar 1963. Hoxha, i cili për kohën ishte shteti vet, çështjen e Kosovës, e quajti plagë të dhembshme për çdo shqiptar, “e cila do të shërohet vetëm kur kjo çështje, të zgjidhet drejt, në bazë të aspiratave të kosovarëve”.
Mbështetur mbi këtë koncept që dominonte në mendimin politik të gjeneratës së re në Kosovë, në shtator të vitit 1963, u ngrit “Komiteti revolucionar”, nën drejtimin e Adem Demaçit. Kjo organizatë gjatë konsolidimit, do të riemërtohet: “Lëvizja Revolucionare për (Çlirimin) Bashkimin e Shqiptarëve”, realisht, si vazhdimësi e asaj nga viti 1957. Në nenin Një të Statutit, të aprovuar në mars të vitit 1964, midis të tjerash, saktësohej: “Qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë, asht – çlirimi i krahinave shqiptare, t’aneksueme prej Jugosllavisë dhe bashkimi i këtyne krahinave, me nanën e vet – Shqipninë”.
Kjo kërkesë, veçanërisht nga mesi i gushtit të vitit 1964, kur u privua nga jeta mësuesi Fazli Greiçevci dhe pas përfundimit të procesit gjyqësor, për “Lëvizjen e Adem Demaçit”, do të bëhet kërkesë politike jetësore e rinisë shkollore, studentore dhe e masave të gjera shqiptare, në përgjithësi. Nga mesi i vitit 1966, pikërisht me përpjekjet për demaskimin gjithë-jugosllav zyrtar të fraksionit anti-titist të Rankoviqit serbomadh, shënoi filli i gjysëmlegalizimit të kërkesës shqiptare, për të drejta të barabarta me popujt e tjerë të Jugosllavisë, mbështetur në të drejtën për vetëvendosje, të fituar me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Hapi i parë në këtë drejtim, do të bëhej me ngritjen e statusit autonomi, në statusin republikë të Kosovës, ndonëse Tirana zyrtare, ende nuk kishte guxim të mbështeste hapur këtë kërkesë, pikërisht nga frika, se mund të bashkohej reaksioni shqiptar antikomunist, i trupëzuar në kujtesën balliste, me linjën jugosllave komuniste, të trupëzuar në titoizëm, kundër rrugës revolucionare shqiptare të linjës marksiste-leniniste të trupëzuar në enverizmin popullist. Kjo qartë shihet, nga tezat e Enver Hoxhës, të 23 korrikut 1966, në artikullin “Kush përgjigjet për krimet e gjenocidit të kryera në kurriz të popullsisë shqiptare të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë”, në fund të të cilave shënoi porosinë:
“Përveç të dhënave që kemi ne, e që do t’i përdorim, të pyeten edhe shokët kosovarë, për ndodhi të veçanta për ato çështje që përmenda më lartë, për të qenë më shumë të saktë”. Zhvillimet e më vonshme, treguan se Enver Hoxha, në vijimësi, doktrinën e vet politike për çlirimin dhe ribashkimin e Shqipërisë Etnike, e mbështeti në patriotizmin e inteligjencies patriotike kosovare. Koncepti “kosovar”, për Enver Hoxhën, përfshinte shqiptarët nën robërinë jugosllave. Në direktivën e tij: “Çështja e Federatës Jugosllave, duhet të lidhet ngushtë me çlirimin e popujve të Jugosllavisë”, të datës 1 gusht 1966, midis të tjerash, saktësonte: “Shqiptarët e Kosovës, nuk duhet të gënjehen dhe të braktisin rrugën revolucionare. Kjo është e vetmja rrugë e çlirimit të tyre dhe e vetëvendosjes.
Të luftohet që tani ‘për me u bashkue me Shqipërinë’, kjo nuk të nxjerr në shteg. Kosovarët janë patriotë të flaktë dhe bashkimi me Shqipërinë, ka qenë e është ideali i jetës së tyre, por për këta, ka vetëm dy rrugë, rruga revolucionare dhe rruga reaksionare – shoviniste. E para është rruga e luftës, tok me popujt e Jugosllavisë. Kjo rrugë e çon popullin shqiptar të Kosovës, në të drejtën e vetëvendosjes dhe deri në bashkimin me atdheun, Shqipërinë.
Rruga tjetër është aventurë; në këtë rrugë, qoftë edhe duke luftuar, shqiptarët e Kosovës, do të bëhen preja e reaksionit jugosllav. Republika Popullore e Shqipërisë, nuk mund t’u vejë në ndihmë, duke i shpallur luftë shtetit jugosllav. Vetëm në rast se shteti jugosllav, atakon ose sulmon Republikën Popullore të Shqipërisë, atëherë ndryshon situate, si për ne, ashtu edhe për kosovarët dhe ky ndryshim, bëhet përsëri në rrugën marksiste-leniniste, revolucionare, pse Republika Popullore e Shqipërisë, lufton kundër agresorit”.
Vërtet, pozita e Shqipërisë në konstelacionin ballkanik, evropian e botëror, ishte tepër e keqe, ndaj Tirana zyrtare, më saktë Enver Hoxha, do të përkrah me dorëza, edhe kërkesat legale institucionale të organeve politike e qeveritare të Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë, për statusin republikë në kuadër të Jugosllavisë. Mbështetja e vakët e kësaj kërkese, vinte si rezultat i faktit se Tirana zyrtare, nuk kishte besim me mbulesë në qëndrueshmërinë, në ato kërkesa të forcave politike “titiste” të Kosovës. Kjo del, edhe nga direktivat e Enver Hoxhës, më 19 shtator 1966: “Fitorja e popullit të Kosovës, deri në vetëvendosje, duhet të vijë dhe të organizohet, në një rrugë të gjatë, plot vuajtje, mundime dhe sakrifica nga vetë populli dhe jo nga këta krerë të shitur, shqiptarë. Populli i Kosovës, mund të udhëhiqet drejt në këtë rrugë, e të fitojë të drejtat e tij të plota, vetëm nga revolucionarë të vërtetë, shqiptarë kosovarë.
Kjo është konditë absolutisht e domosdoshme, për sukses. Të dhënat që dihen janë këto: Kosova e viset e tjera shqiptare në Jugosllavi, pjesë të Shqipërisë, u shkëputën nga mëma e tyre, prej fuqive imperialiste dhe iu dhanë Mbretërisë Serbe. Kosova është shqiptare, mbetet shqiptare dhe i përket Shqipërisë”- saktësonte Enver Hoxha, dhe pasi hodhi dritë mbi rrethanat historike që ndikuan në faktin se pse, pas fitores mbi nazifashizmin, “Populli i Kosovës, nuk u pyet për të ardhmen e tij”, sikur e ri-qartësoi udhëzimin e më hershëm, për patriotët kosovarë: “Populli i Kosovës, duhet të kuptojë në mënyrë të qartë, se Republika Popullore e Shqipërisë, nuk mund ta atakojë ose, ta sulmojë Jugosllavinë. Në qoftë se Jugosllavia atakon Shqipërinë, ai është problem tjetër. Shqipëria do të mbrohet, do të luftojë dhe do të fitojmë. Atëherë edhe problemi i Kosovës, do të vihet krejt ndryshe”.
Në frymën e doktrinës politike, gjithëshqiptare, populliste të tij, Enver Hoxha u ligjëroi edhe pjesëmarrësve shqiptarë e serbë nga Kosova, në “Simpoziumin për Skënderbeun”, më 15 janar 1968, në Krujë: “Ne ju përshëndesim ju, si përfaqësuesit e inteligjencies kosovare dhe si bij të asaj pjese heroike të popullit shqiptar të Kosovës, që ne e duam shumë. Ju jeni shqiptarë dhe ne jemi shqiptarë, jemi pra një popull. Qiejt mund të rrëzohen, por e vërteta, që ju jeni vëllezërit tanë, e që ne jemi vëllezërit tuaj, pse kemi një mëmëdhe, një atdhe, nuk lëviz. Furtuna të tmerrshme, kanë kaluar mbi popullin shqiptar.
Mundet edhe nesër të bëjnë vaki gjëra të tilla, por populli shqiptar, nuk do të robërohet tani më nga kurrkush. Nuk ka forcë në botë, që ta ndalojë popullin shqiptar, të rrojë i bashkuar, i lirë, i pavarur e sovran. Këtë e kanë vërtetuar kohët e lashta dhe kohët e reja. Po ta lypin rrethanat, këtë do ta vërtetojnë edhe kohët e ardhshme. Ne nuk mund të mos i themi këto të vërteta të mëdha, ndryshe, do të bënim një krim. Këto që po jua them tash juve, ia kam thënë edhe Titos, kur u poqa me të për herë të parë, më 1946 në Beograd. Ai më dëgjonte dhe, kur mbarova, më pyeti se ç’mendoja unë për Kosovën. Unë i thashë: – Kosova është shqiptare, i përket Shqipërisë dhe duhet t’i kthehet Shqipërisë”.
Në fund të notesit, Enver Hoxha konstatoi: “Nga përshtypja që pata, më duket se ata dëgjuan me vërejtje të madhe, fytyrat e tyre ishin shumë ekspresive. Në dukje, u ndanë si të kënaqur. Një gjë është e sigurt dhe do të ngjasë, këto që thashë unë, ata do t’i përhapin në Kosovë. Kjo do të jetë pozitive”. Vërtet, ashtu dhe ndodhi. Fjalët e Enver Hoxhës, shkuan vesh më vesh, në çdo vatër shqiptare. Porosi të veçanta, udhërrëfyese politike për inteligjencien patriotike, dërgoi edhe për pjesëmarrësit nga Tirana, në Simpoziumin për Skënderbeun, në fillim të muajit maj 1968, në Prishtinë.
Ardhja e dijetarëve tiranasë, misionarë të Enver Hoxhës, për habinë e tyre, në Prishtinë gjeti shtruar sofrën e aktivitetit politik kombëtar, gjithëshqiptar unik. Ishte këtu një plejadë e intelektualëve krijues, që përfaqësonin lëmi të ndryshme: në arsim, në administratë, në kulturë, në shkencat albanologjike dhe historiografike, në media e në publicistikë, realisht të lidhur në një grup të shokëve, të një mendimi politikë intimë, të vetëquajtur: “Çeta e Bajo e Çerçiz Topullit”.
Emri i këtij grupi sot tingëllon romantik, por për kohën, ishte përcaktues ideologjik kombëtar shqiptar. Veprimtarët e këtij grupi, ishin perceptuesit dhe transmetuesit e porosive që rrezatonin nga historia e lavdishme dhe Tirana zyrtare. Grupi i “Bajo e Çerçiz Topullit”, përpos faktit, së në brendi kishte së paku një vazhdues të betuar të “Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, të Adem Demaçit, deri tashti, kishin një aktivitet mbi katërvjeçar, si lidhje e asaj që mund të quhej ilegale (rrezatim nga Tirana) me disidentizmin patriotik shqiptar, në qarqet komuniste – titoiste të Kosovës. Brenda këtij rrethi intelektualësh, u farkëtua edhe ideja për demonstratat e vitit 1968, (shih IDEJA/1 an), të projektuara si “studentore”, kurse eminenca e kaltër në këtë rreshtim, ishte arsimtari Ismail Dumoshi.
Këtu, për hir të realitetit shkencor, duhet të spikasim faktin, se: fryma shqiptare populliste e Enver Hoxhës, ishte edhe frymë disidente dominuese, edhe në diskutimet në aktivet komuniste komunale dhe krahinore si dhe në kolektivet punuese katërçipërisht Kosovës, nga gushti deri në tetor, të vitit 1968 – për ndryshimet kushtetuese në Kosovë, për Kushtetutën e Kosovës dhe për statusin republikë të Kosovës, njësi shtetërore e barabartë, me republikat e tjera në Federatën e Jugosllavisë. Kjo konsiderohej, si hapi më premtues për realizimin e vetëvendosjes së shqiptarëve, në një të ardhme më të qetë, ose më të turbullt.
Të sjellim edhe këtë fakt: Shumë nga këto që u përmblodhën më sipër, mund të vigjilohen edhe në kundër akuzat që Enver Hoxha, më 5 dhjetor 1968, ua ktheu titoistëve kosovarë e jugosllavë, lidhur me vlerësimin e tyre, se: “Demonstrata e 27 nëntorit në Prishtinë, është nxitur ‘nga jashtë”, me aludim në Tiranën zyrtare. Pa e fshehur ndikimin e Tiranës zyrtare, në zhvillimet në mbarë arealin shqiptar, nën administrimin shtetëror të Jugosllavisë avnojiste, midis të tjerash, Enver Hoxha do të konstatojë: “Demonstratat që u bënë, janë preludi i simfonisë patriotike të shqiptarëve të Kosovës.
Më kot titistët bërtasin, se po ndërhyjmë ne. Jo, ky zjarr vatrën e ka brenda në vetë Kosovën. Zjarrin e ndezin patriotizmi i kosovarëve dhe kërkesat legjitime të tyre, zjarrin e nxitin shtypja dhe robëria titiste. Fari i ndritur i Partisë Punës të Shqipërisë, nuk ka se si të mos bëhet shembull dhe udhërrëfyes, jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi, por për të gjithë popujt e Jugosllavisë, që luftojnë për çlirim. Dashka nuk dashka Titoja, shqiptarët e Kosovës, i kanë sytë dhe zemrën te Republika Popullore e Shqipërisë, te PPSh-ja”.
Atë që tashti thoshte Enver Hoxha, ishte realitet që e dinte akëcili jugosllavë. Por, duhet të konstatojmë faktin se; shpërthimi i demonstratës së 27 nëntorit në Prishtinë, Tiranës zyrtare, i gdhiu fare e papritur. Akademiku Kristaq Prifti, i cili aso kohe punonte në sektorin për Kosovën, të Komitetit Qendror të PPSh-së, në ditën që për të parën here, po e shkelte tokën e Tiranës, Papa Gjon Pali II-të (pranverë 1993), ma konfirmoi faktin: “Enver Hoxhës, iu deshën tri-katër ditë, për të ngritur qëndrimin zyrtar shtetëror të Shqipërisë, për demostratën e nëntorit në Prishtinë…”!
Në qarqet komuniste e të UDB-së jugosllave, do të qarkullojnë edhe mendime se; demonstratën e 27 nëntorit 1968, e organizuan spiunet e NKVD-së, (sovjetike), si hakmarrje ndaj Jugosllavisë, për qëndrimin e saj kundër inkursionit rus, në Çekosllovaki, që ndodhi pas demonstratave studentore në Beograd. Nga qarqet udbashe titoiste, e nostalgjikët e Titos, më vonë, u lëshuan në qarkullim, edhe pandehma se; demonstratat e 1968-ës, si edhe ato të vitit 1981, i “organizuanë” serbet, për të krijuar alibi, kundër statusit autonomi të Kosovës.
Këto pandehma ogurzeze, si për çudë, u pëshpëritën nga ish-udbashët shqiptarë titoistë edhe tashti, sapo u botua lajmi për mbajtjen e një aktiviteti shkencor për “Demonstratat e ’68-tës”. Meqë posedoj edhe fakte, nga njohja personale e rrjedhës së ngjarjes, kjo me shtrëngoi, të vendosi për të marrë pjesë në këtë aktivitet shkencor, pikërisht me këtë kumtesë, për të ndriçuar aspektet kryesore të kontekstit politik, të kërkesave të demonstratave të vitit 1968, me një përqendrim në formulimin e kërkesave programatike, të “Demonstratës së 27 nëntorit 1968” në Prishtinë. Për këtë, duhet të nisemi pak më larg. Të ritheksojmë faktin, se; mendimi për organizimin e demonstratave studentore në Prishtinë, ka nisur të lëshojë shtat, sapo u lëkund “Lëvizja e së majtës së re”, në Francë, në Gjermani, në Angli, por me shpërthimin e demonstratave studentore në Beograd, në fillim të qershorit 1968, u duk sikur po rrihte ora, për ngritjen edhe të studentëve të fakulteteve të Universitetit të Beogradit, në Prishtinë.
Autori i kësaj kumtese (arkivit për hulumtimin dhe publikimin e lëndës arkivore pranë Arkivit Shtetëror të Kosovës), asokohe për punë hulumtuese shkencore në Beograd, jo vetëm se u solidarizua me kërkesat e “Programit politik aksionar”, të demonstratave të Beogradit, por edhe kontribuoi me poezi kushtrimi, në gjuhën serbe, të cilat do të recitohen nga studentë të ndryshëm. Në fakt, autori i tyre, Çerçizi i “Çetës së Bajo e Çerçiz Topullit”, në vijimësi, me telefonata dhe me informata dora-dorës, informonte bashkëveprimtarët, që gravitonin në “Çetën…” e sipërpërmendur, pikërisht Tahir Abdylin dhe Ismail Dumoshin, e të tjerët, për rrjedhën e demonstrative, si përvojë për organizimin e demonstratave studentore në Prishtinë, sapo të përfundonin ato në Beograd.
Kthesa që ndodhi në karakterin e demonstratave të Universitetit të Beogradit, pas infiltrimit në drejtimin e saj, të profesorëve nacionalistë serbomëdhenj, të lagjes së Dobrica Qosiqit, para se të bëhej publike kjo, autori i kësaj kumtueseje, nga vendi i zhvillimeve, i informoi bashkëveprimtarët e “Çetës së Bajo e Çerçiz Topullit” dhe preferoi një pritje të zhvillimeve, në anën tjetër, ia drejtoi Titos një promemorie në disa faqe shkrimi, me kërkesa për barazi dhe liri politike e kombëtare të shqiptarëve, me të drejtën në vetëvendosje, mbi bazë të fitores së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të sublimuar në Rezolutën e Konferencës së Bujanit. Dokumenti u nënshkruar me sintagmen: “Komiteti i Rinisë Shqiptare”.
Shpërndarja e demonstratave të Beogradit me dhunë policore brutale, kërcënimi rus ndaj Jugosllavisë, me rrezikshmëri edhe për Shqipërinë, fjalimi i Enver Hoxhës në mbrojtje të Jugosllavisë dhe fillimi institucional i diskutimeve për ndryshimet kushtetuese në Kosovë, me kërkesa kombëtare publike shumë të avancuara, bëri që, intelektualët e bashkuar në “Çetën e Bajos e Çerçiz Topullit”, ndonëse dyshonin fuqimisht në fitoren institucionale, hëpërhë, t’i bashkonin përpjekjet, në kuadër të përpjekjeve, të instancave politike institucionale shqiptare të Kosovës. Kjo, siç u pa më sipër, ishte edhe porosi e qartë, e kreut të piramidës qeveritare të Shqipërisë. Kërkesa për ngritjen e statusit autonomi, në statusin republikë të Kosovës, u elaborua përfundimisht, në mbledhjen dyditore të aktivit politik të Komunës së Prishtinës, në fillim të shtatorit 1968, në të cilën mori pjesë, kreu politik policor, qeveritar dhe elita universitare e shkencore, e Kosovës.
Autori i kësaj kumtese, aty vinte nga Arkivi Shtetëror i Kosovës dhe mbajti shënime të plota, për zhvillimet. Dështimi i diskutimeve publike për statusin “Republikë” të Kosovës, që do të tërhiqte pas, edhe zgjidhjet e tjera të karakterit ekonomik, kulturor, politik e kombëtar, për të gjithë shqiptarët, nën robërinë jugosllave, ndikoi fuqimisht në rizgjimin dhe konsolidimin e disponimit anti-jugosllav, të inteligjencies dhe të masave shqiptare. Në mënyrë zinxhirore, do të shpërthejnë demonstrate, në Prizren, më 6 tetor; në Therandës, më 8 tetor; në Pejë, më 19 tetor; në Prishtinës, Besianë, Gjilan, Ferizaj dhe Mitrovicë, më 27 nëntor; në Tetovë, më 22 dhe 23 dhjetor 1968 dhe në Ulqini, në qershor të vitit 1969. Një hulumtim empirik, do të zbulonte faktet, se ku dhe në cilat përmasa, ishin të pranishëm, veprimtarët e “Çetës së Bajo e Çerçiz Topullit”.
Kërkesat e demonstrative, shkonin në mbështetje të kërkesave ekonomike, politike e kombëtare, të deklaruara në mbledhjet e aktiveve politike në Kosovë, përfundimisht mbledhjet e aktivit politik të Prishtinës. Në zinxhirin e demonstratave shqiptare të ’68-ës, ajo e datës 27 nëntorit në Prishtinë, kushtuar Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, Ditës së Flamurit Kombëtar Shqiptar, e tronditi veçanërisht opinionin jugosllav dhe zgjoi interesimin e qarqeve politike, të vendosjes në Evropë dhe në botë, për dy shkaqe më kryesore:
E para, ishte e organizuar mirë, ishte gjithëpërfshirëse – studentore, shkollore, intelektuale dhe gjithë popullore, dhe e dyta, për faktin se; ngërthente kërkesat politike programatike, për të drejtën në vetëvendosje të shqiptarëve në Jugosllavi, mbi bazën e filozofisë politike, marksisto-leninisto-enveriste, që konsiderohej si mundësi premtuese e vetme, për zgjidhjen e çështjes shqiptare, të dhunuar me vendime të padrejta të Evropës, më 1878, më 1913, më 1920 dhe me vendimet, anglo-amerikano-ruse, të Luftës së Dytë Botërore.
E ndjej për detyrë shkencore, që shkurtimisht të pasqyrojë të vërtetën historike, lidhur kërkesat politike të fjalimit të lexuar nga studenti i Fakultetit Teknik, Osman Dumoshi. Ato janë kërkesa të elaboruara gjerësisht, nga veprimtarë të veçantë të “Çetës së Bajo e Çerçiz Topullit”, me angazhimin e drejtpërdrejtë të Ismail Dumoshit. Nga mesi i nëntorit 1968, në Prishtinë u hap ekspozita “60-Vjetori i Kongresit të Manastirit”. Ishte kjo ngjarje kulturore, e pa përjetuar ndonjëherë në trojet shqiptare, nën robërinë jugosllave. Ciceroni i saj, që ishte edhe njëri nga bartësit e hulumtimit të fakteve dhe të mbarështimit të saj, si dhe shumë veprimtarë të “Çetës…”, profesorë, gazetarë e publicistë, do ta shfrytëzojnë ekspozitën, për propagandë kombëtare, midis rinisë studentore e shkollore, dhe do ta testojnë mundësin e përmasave të pjesëmarrjes së rinisë e të popullit, në një demonstratë eventuale.
Ismail Dumoshi, arsimtar e drejtor në Qendrën Shkollore në Kastriot, vazhdonte të ishte eminenca e kaltër e asaj, që do të ndodhë më 27 nëntor në Prishtinë. Së bashku me “Çerçizin”, në kafenenë “Khajami”, duke pasur para vetës “Programin politik aksionar” të 4 qershorit 1968, të “Universitetit të Kuq – Karl Marks” të Beogradit, si dhe shënimet nga Mbledhja e Aktivit Politik të Prishtinës, i diskutuan dhe i formuluan kërkesat kryesore, të cilat do të gjenin vend në fjalimin për demonstratën. Realisht, u ndoq rruga e reduktimit, të zbutjes së kërkesave të demonstratave të Beogradit dhe të mbledhjeve të aktiveve politike komuniste, në Kosovë. Ishte qëndrim i përgjithshëm, i pjesëtarëve të “Çetës së Bajo e Çerçiz Topullit”, që të kihej kujdes, për epilogun e demonstratave, pikërisht mundësia për mbrojtjen para gjyqit, të të burgosurve eventual.
Nuk kishte një qëndrim unik, që të futej në kërkesa, si pikë e veçantë, edhe e drejta e shqiptarëve për vetëvendosje, por u la të nënkuptohej, nga përmbajtja e fjalimit që do të hartohej. Me kërkesën këmbëngulëse të autorit të kësaj kumtese, Ismail Dumoshi, do të pajtohet që në kërkesat që do të theksoheshin në fjalimin programatik, të mos figuronte ajo për statusin “Republikë të Kosovës”, për faktin se ishte lakuar shumë, në diskutimet partiake shqiptare titoiste, binte ndesh me kërkesat e LANÇ, (Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare) me programin politik të ONDSH, dhe me statutin e “Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, si dhe me direktivat e Enver Hoxhës, për intelektualët, kosovarë kombëtar.
Statusi “Republikë i Kosovës” nuk e zgjidhte çështjen shqiptare përfundimisht. (= me S. Novosellan) Këtu e tutje, me të ashtuquajturin “Komiteti i Demonstratave me 27 nëntor 1968” (jo “Grupi politik”, siç u dëgjua në Konferencën Shkencore të 24 e 25 nëntorit 2008), do të punojë drejtpërdrejt, vetëm Ismail Dumoshi, por në mënyrë të padukshme ose të hapët, i ndihmuar nga Hasan Salaj, Demë Fetaj, Murat Blaku (Bajo) e të tjerë.
Studentët organizues të demonstratës së 27 nëntorit, si edhe nxënësit e intelektualët, që i organizuan demonstratat në qytetet e tjera, më herët dhe pas 27 nëntorit, nuk ishin të manipuluar nga askush, ishin të vetë parapërcaktuar, për therorë të mundshëm, të lirisë kombëtare. Ndërkaq, përmasës madhështore të pjesëmarrjes në demonstrate, do t’i kontribuojnë veprimtarët e “Çetës…” – profesorë të shkollave të mesme: Fehmi Pushkolli (në Normale), Demë Feta (në Shkollën Teknike), Ismail Dumoshi (në Qendrën Shkollore në Kastriot), Idriz Gërvalla (në Shkollën Ekonomike dhe dhe të Entit për Inkuadrim), mandej Hasan Salaj e, Xhakush Çapari, në Radio-Prishtina, Gani Bobi në gazetën “Rilindja”, Halil Alidemaj, në Komunën e Prishtinës.
Me studentët e Filozofikut, Ekonomisë e, të Drejtësisë, u morën kryesisht: Tahir Abdyli, Murat Blaku, Pirraku, e të tjerë, me studentët e Teknikut, kryesisht studentët e teknikut, të tubuar rreth Osman Dumoshit, kurse eminenca e kaltër, Ismail Dumoshi, do të merret edhe me punëtorët e Elektro-Ekonomisë së Kosovës. Lëvizja nxori në ballë edhe persona të tjerë: intelektualë, studentë e nxënës, të denjë për drejtues dhe të gatshëm për viktimizim personal, për interesa të kombit.
Të shtojmë edhe këtë: veprimtarët e “Çetës së Bajo e Çerçiz Topulli”, e bartën barrën kryesore edhe gjatë procesit gjyqësor, të drejtuesve të demonstratës së 27 nëntorit 1968, në Prishtinë. Me një pëlqim të studiuar me kompetencë, për avokat do të angazhohet beogradasi, Fila Filota, por dhe për mbledhjen e kontributeve vullnetare, për mbrojtjen. Avokati Filota, gjatë procesit të gjykimit në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë, ishte i vendosur në hotelin “Metohija” në Pejë. Mbrojtja ishte e dinjitetshme, edhe kundër vullnetit të ndonjërit nga të arrestuarit, të cilët nuk preferonin shfajësimin.
Të dhëna me shkrim, për nevoja të mbrojtjes, avokatit Filota, ia siguruan veprimtarët e “Çetës së Bajo e Çerçiz Topulli”. Autori i kësaj kumtese, i përcolli me kujdes gjykimet e organizatorëve të “Demonstratave të ’68-ës Shqiptare”, mbajti shënime të veçanta për proceset gjyqësore dhe dënimet, kurse të tjerët, nga “Çeta e Bajo e Çerçiz Topullit”, sipas afinitetit dhe mundësive, personalisht ose me anë të të besueshmëve, si edhe para demonstratave, informonin përfaqësuesit diplomatikë të Shqipërisë, e të tjerë, në Beograd, Sofje, Bukuresht, Budapest, Vjenë, Stamboll, Ankara, Selanik e gjetkë, për gjendjen në Kosovë dhe në tokat shqiptare nën Jugosllavinë.
Tashti, besoj, e kemi më të qartë kontekstin politik të kërkesave të demonstratave shqiptare të vitit 1968 në Kosovë, por e kemi më të qartë edhe shkakun pse në kërkesat me shkrim të organizu¬esve të Demons¬tra¬tave të 27 nëntorit 1968 nuk ishte futur edhe kërkesa për statusin republikë të Kosovës, por që do të brohoritet nga demonstruesit si inerci e mbetur nga diskutimet publike në aktivet politike të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës. Autori i kësaj kumtese edhe tashti është besnik i Kërkesës politike për Vetëvendosjen e popullit të Kosovës, kurse statusin “pavarësi e mbikëqyrur” të Kosovës e vlerëson dhunë ndërkombëtare, të njëjtë me statusin “Principatë e Shqipërisë” së vitit 1913. Memorie.al