1871 – Lindi Sulejman bej Delvina, i cili ishte nëpunës i administratës osmane, profesor i letërsisë, veprimtar i çështjes kombëtare shqiptare, kryeministër dhe ministër i shtetit shqiptar. Studimet e larta i përfundoi në Stamboll në 1898, në shkollën e mesme të administratës “Mylkie”. Ai u emërua atashe në MUP -in Osman në Shtator 1899 dhe më pas sekretar në dekretin e Kryeministrit, si dhe profesor i letërsisë osmane në shkollën adidadi në Stamboll në vitin 1901, dhe mbajti të njëjtën pozitë në Shkollën e Mesme Galatasaray në 1905. U bë shef i seksionit në Ministrinë e Brendshme dhe drejtor i përgjithshëm i vilajeteve. Ai ishte një nga figurat qendrore të klubit shqiptar në Stamboll. Së bashku me patriotë të tjerë, ai kundërshtoi politikën xhonturke dhe synimet shoviniste të monarkive fqinje ndaj Shqipërisë. Mori pjesë në Lëvizjen e Qershorit 1924 dhe në qeverinë e drejtuar nga Fan Noli u emërua Ministër i Punëve të Jashtme për periudhën nga 16 qershor 1924 – 24 dhjetor 1924. Pas dështimit të këtij revolucioni, Delvina u largua nga Shqipëria për në Itali, një disa vjet pas internimit ai mësoi se kishte një sëmundje të rëndë. Ahmet Zogu pagoi të gjitha shpenzimet e nevojshme për ta kuruar, në vitin 1928 u kthye në Shqipëri, por u sëmur përsëri në fillim të vitit 1932. Për shkak të sëmundjes shkoi në Vlorë, ku vdiq më 1 gusht 1933. U varros në qytetin e tij të lindjes ku u varros edhe vëllai i tij disa muaj më parë, Namik.
1918 – Vdes në moshën 29 vjeçare piloti dhe tenisti francez Roland Garros. Garros do të shërbente në skuadriljet ushtarake të Flotës Ajrore franceze në Luftën e Parë Botërore. Ai do të cilësohej si një ndër pilotët më të mirë, duke eliminuar një sërë avionësh gjermanë. Ai do të zihej rob dhe në kampin ku ishte burgosur, do të praktikonte sportin e tenisit. Më pas ai do të arratisej, duke u hedhur kështu sërish në radhët e forcave ajrore ku dhe do të gjente vdekjen gjatë një luftimi. Për nder të tij luhet një nga turnetë më të rëndësishme të tenisit në botë.
1945 – Në Hollywood të Los Angeles-it do të shpërthente një nga demonstratat më të fuqishme që do të godiste industrinë kryesore të kinematografisë në botë. Me mijëra punëtor të sindikatave të ndryshme, do të përplaseshin fizikisht me policinë për të drejtat e tyre. Për 6 muaj rresht grevat dhe demonstratat e fuqishme do të mbërthenin ambientet e studios së famshme kinematografike Warner Bros. Me dhjetëra do të ishin të plagosurit nga të dyja palët. Por më pas gjithçka do të qetësohej pas plotësimit të kushteve nga ana e kompanive.
1948 – Në kryeqytetin e Turkmenistanit, Ashgabat (asokohe pjesë e BRSS) do të binte një nga tërmetet më shkatërrimtarë në historinë e këtij vendi. Me magnitudë 7.3 ballë të shkallës Mercalli, ajo do të shkatërronte me mijëra ndërtesa. Dëmet në njerëz do të llogariteshin në rreth 110 mijë të vdekur, dhe 200 mijë të plagosur. Të pastrehët do të kalonin shifrën e gjysmë milionit. Ky tërmet do të ndihej edhe në shtetet fqinje të Azisë Qendrore.
1970 – Themelohet në Los Angeles një nga kanalet më të mëdha televizive amerikane. Public Broadcasting Service, i njohur ndryshe edhe si PBS, ai shumë shpejt do të revolucionarizonte botën mediatike amerikane. Disa nga serialet më të ndjekura në këtë kanal janë, Sesame Street, Antiques Roadshow, Masterpiece, dhe Big Red Dog. Kjo platformë televizive ka sot mbi 350 kanale të tjera që transmetohen nën siglën e saj. Së bashku me CBS, ABC, dhe CNN kjo do të radhitet në elitën e mediave televizive të SHBA-së.
1975 – Lind në Berkshire të Anglisë, aktorja me famë botërore Kate Winslet. Winslet gjatë karrierës së saj 15 vjeçare do të interpretonte në mjaft filma ku dhe do të linte gjurmë në rolet e saj. Ndër më kryesoret, Hamlet, Titanic, Enigma, Carnage, dhe Collateral Beauty. Winslet, do të fitonte një sërë çmimesh të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare si Academy Award, Golden Globe, BAFTA, Empire Awards, etj.
1984 – Marc Ganeau, do të bëhet astronauti i parë kanadez që del në hapësirë. Ganeau do të shërbente më vonë, edhe si inxhinier dhe Ministër Transporti. Ai do të udhëtonte në hapësirë tre herë në disa misione në të cilat konsistohej riparimi i disa satelitëve dhe anijeve aero-hapësinore. Për këto merita, ai do të dekorohej me medaljet dhe urdhrat më të larta të nderit nga qeveria kanadeze.
1986 – Shkencëtari nuklear izraelit Mordechai Vanunu, rrëfen historinë e tij në gazetën prestigjioze britanike The Sunday Times. Gjatë këtij rrëfimi, qeveria e Izraelit, u detyrua të pranojë para syve të mbarë botës zhvillimin e programit të saj bërthamor. I quajtur ndryshe edhe si Skandali Vanunu, kjo dëshmi do të nxirrte në pah të gjitha sekretet ushtarake të programit bërthamor nga ana e Jeruzalemit zyrtar. Gjatë kësaj periudhe tirazhi i kësaj gazete u rrit në mënyrë të ndjeshme.
2000 – Në Serbi do të shpërthenin demonstratat e fuqishme, dhe mos-bindja civile ndaj diktatorit Sllobodan Millosheviç. Pas përfundimit të luftës së Kosovës, një vit më vonë ekonomia e Serbisë kishte arritur pikën kritike, duke shkaktuar shumë pakënaqësi në popull. I quajtur ndryshe edhe si Revolucioni Buldozer, do të shkaktonte rënien e qeverisë së Millosheviçit, dhe arrestimin e tij disa muaj më pas. Por megjithëse ky revolucion do të rrëzonte qeverinë e tij, qasja e përgjithshme e serbëve për Kosovën nuk do të ndryshonte.