Nga Petraq Xhaçka
Pjesa e tridhjetë e dy
Memorie.al/ Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkt me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e qazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.
Unë pata rastin të njihem me njerëz, që përveç bamirësisë nuk i kishin sjellë asgjë të keqe këtij vendi, këtij populli apo qoftë edhe atij sistemi. Të tillë ishin disa priftërinj katolikë të burgosur me akuza false, për mbajtje armësh të fshehura në kishë. Ata na tregonin se si oficerët e Sigurimit, i vendosnin vetë armët nëpër altare dhe i detyronin këta shërbëtorë të fes, të dilnin në fotografi në mes të këtij arsenali, që një ditë më parë me siguri kishin qenë në magazinat e Degëve të Punëve të Brendshme. Midis tyre, njoha At Zef Pllumi, e plot të tjerë.
Ata dalloheshin për kulturën e tyre të gjerë, për ndershmërinë, për sjelljen e fisme plot edukatë dhe ne kishim kënaqësi të bisedonim me ta, për çështje të ndryshme. Asnjë dhunë, asnjë vuajtje nuk mundi të largonte dot nga zemrat e tyre, besimin e madh tek Zoti dhe ta zbehte gatishmërinë e tyre për të qenë shërbëtorë të Tij. Për të vënë në jetë skenarët e tyre imagjinarë, për të dënuar e zhveshur nga popullariteti, ndonjë person me rëndësi në detyrat partiake apo shtetërore, Sigurimi dhe hetuesia, arrestonin e dënonin më parë disa të vegjël, të cilët i shtrëngonin të pillnin “fakte”, mbi veprimtarinë armiqësore të kundërshtarit politik që asgjësonin. Këto më tregonte për veten e tij, drejtuesi i grupit të sigurimit personal të kryeministrit Mehmet Shehu.
Ai qe dënuar me dhjetë vjet burg, sepse kur paskej udhëtuar në shoqërim të kryeministrit për të vajtur në New York, nuk na paskej raportuar, që Shehu ishte takuar ilegalisht me Titon, i cili udhëtonte në të njëjtin vapor. Në fakt, ky ish-oficer më tregonte mua, se ai nuk kishte qenë fare në vapor dhe, bile, as kishte qenë ndonjëherë në Amerikë. Por kjo ishte pengesë e parëndësishme në rrugën e hetuesisë. Kur e arrestuan, atë e kërcënuan, duke i shtuar alternativën që; ose të shfaqej si dëshmitar okular i takimit të Mehmet Shehut me Josip Broz Titon, ose ata do ta ngarkonin edhe me mëkate të tjera, e do ta shpinin para skuadrës së pushkatimit. Natyrisht, ai zgjodhi rrugën e denoncimit të gënjeshtërt, që i kursente jetën, duke shpresuar se këto çmendurira të përgjithshme, një ditë do të ndalnin.
Dhe gjatë gjithë burgut, kryesorja i Mehmet Shehut, ishte i detyruar ta mbante të fshehur të vërtetën. Vetëm pasi krijoi bindje në ndershmërinë tonë, i shtyrë disi edhe nga frika e vdekjes, kur pati disa probleme me zemrën, nxitoi t’ia besonte këtë të fshehtë një njeriu dhe më zgjodhi mua. Prej meje, nuk e mori vesh asnjë njeri, gjatë kohës së burgut. Tani që ai vetë e ka shpallur këtë histori botërisht, unë po e rreshtoj edhe në këto kujtimet e mia, për hir të ngjashmërisë me dramën tonë.
Ai pushtet nuk kursente asnjë njeri, qoftë të madh në detyrë, apo qoftë të vogël, qoftë të thjeshtë apo shkencëtar, qoftë veteran lufte, apo hero të popullit, qoftë artist apo shkrimtar, qoftë beqar apo familjar, mjafton që ai të qe i nevojshëm për skenarët e udhëheqjes së tij. Atë e dëshmon vetë parulla “partia mbi të gjitha”, që përkthehej; “Enver Hoxha mbi çdo gjë”, në kundërshtim me tërë qytetërimin që ka devizën e njëllojtë, “atdheu mbi të gjitha”. Atëherë do të vihej re, se në çdo këngë i këndohej Hoxhës e Partisë, e jo Shqipërisë, aq sa shqiptarët vegjetonin pa fije patriotizmi.
Ende sot ata nuk dinë fjalët e himnit kombëtar. Atë e kishin zëvendësuar me këngët për udhëheqësin, veçanërisht vitet e fundit, me këngën; “Enver Hoxha, tungjatjeta”. Vini re, edhe tani në një sallë ku janë mbledhur shqiptarë dhe kërkohet të këndohet himni i flamurit, një pjesë belbëzojnë, se nuk i dinë fjalët e krye këngës. Humbi nocioni komb, popull, atdhe.
Atë e zëvendësoi parulla; “Enver-Parti”. Kushdo që jeton e shikon ngjarjet politike, përkujtimore apo sportive në Amerikë, kurrë nuk vë re të hyjnizohet presidenti, por atdheu, Amerika. Kudo në fund të fjalimit, dëgjon shprehjen; “Zot, beko Amerikën”‘. Dhe një popull e vend me edukim të tillë, shkon gjithmonë përpara. Në Amerikë, më kollaj gjen një karikaturë për presidentin, se sa një artikull, që ta mburrë atë. Amerikanët e respektojnë të parin e tyre, por nuk e vendosin kurrë përmbi atdheun e tyre. Ky është tipari i demokracisë, ndërsa e kundërta është tipari i diktaturës.
Në kamp-burgun tonë, gjendej i burgosuri legjendar Sami Dangëllia
Në ato ditë, ai ishte i sëmurë me kancer dhe kërkonte me letra deri tek presidenti Alia, që ta lironin e t’i jepnin një mundësi të fundit, të vdiste pranë familjes. Ramiz Alia, nuk iu përgjigj dhe Dangëllinë nuk e liruan të vdiste i lirë, deri sa ai dha shpirt në burg. Ju duhet pa tjetër ta dini, që me dyzetë e dy vjetët e tij në pranga, Sami Dangëllia, është njeriu që ka thyer rekordet e burgjeve politike, jo vetëm në Shqipëri, por pa asnjë dyshim, në të gjithë botën.
Një ditë i vajtëm pranë krevatit, ku lëngonte nga sëmundja e pashërueshme dhe e pyetëm, përse po i kalonte këta dyzetedy vjet në burg?! Ai na tregoi se kish pasë qenë me partinë e “Ballit Kombëtar” dhe vetëm për këtë e patën dënuar me njëzetë vjet. E liruan pas këtij afati, por meqenëse nuk po i jepnin punë dhe ai nuk kish as ku të hante, e as ku të flinte, vendosi të arratisej për në Amerikë.- “Nuk kisha rrugëzgjidhje tjetër”! – tha midis të tjerash Samiu.
E kishin zënë në kufi, tamam atë ditë kur mbushte tre muaj nga dita e lirimit. Për këtë tentativë arratisje, pa vrarë njeri, pa kryer ndonjë akt tjetër kriminal, pa asnjë lëvizje për të rrëzuar pushtetin, e dënuan me vdekje. Më vonë ia ulën dënimin në njëzetë e pesë vjet. Pra vetëm për këto motive, ai kaloi jo pak, as dyzetë e dy javë, as dyzetedy muaj, por plot, dyzetedy vjet burg, duke e tejkaluar edhe Mandelën e tashëm edhe me vite, por sidomos me kushtet më mizore që mund të kenë provuar ndonjëherë burgjet e botës. Kohë gjatësia e burgimit, duhet të trondiste edhe zemra të akullta, si ajo e Ramiz Alisë. Por kjo nuk ndodhi dhe Sami Dangëllia nuk u lejua të dalë, pa i shlyer edhe ditët e pakta të dënimit që i kishin mbetur…! Atij nuk deshën t’ia plotësonin qoftë edhe këtë dëshirë të vetme, atë që të vdiste në krahët e njerëzve të tij.
Siç thashë më lart, në Zejmen, afër Lezhës, mbaheshin të mbyllur mbi 300 vetë, kryesisht të moshuar dhe të sëmurë, të pa aftë për të punuar në miniera. Ushqimi në kamp, ishte shumë i dobët. Unë e shokët e mi, ishim tepër të uritur nga hetuesia e gjatë, por Nikoja, na u ndodh shumë afër dhe sa pa filluar të na vinin ushqime nga familjarët tanë, shoku ynë na ndihmoi, duke ndarë me ne gjithë ushqimet që i sillnin nga shtëpia, si dhe duke blerë në dyqanin e burgut me të hollat e tij, nga ato ushqime të pakta që shiteshin aty.
Në kamp punonte si doktor, një i dënuar për agjitacion e propagandë. Ai tregohej i kujdesshëm me të sëmurët dhe me kompetencë e ndërhyrje të guximshme me mjete shumë primitive, që nuk do të besoheshin po t’i përshkruaja, u zgjaste jetën të sëmurëve, të cilët ishin të shumtë në atë kamp. Ai, pasi vuri re shëndetin tim mjaft të rrënuar, u përpoq me miqtë e tij, të përgatiste ushqime të veçanta, që më ndihmuan për të ripërtërirë gjendjen shëndetësore, brenda një kohe relativisht të shkurtër, në bashkësi me ndihmat që na dha Nikoja.
Vetëm pas takimit me familjen, unë pata mundësinë të marr ushqime nga shtëpia si dhe një ndihmë të vogël në para, të cilat si rregull, duhet t’i ruanim pranë arkës së kampit. Familjet tona bënë sakrifica të mëdha, duke ruajtur për në vezët, mishin, djathin e, asortimente të tjera që atyre u jepeshin me racione fare qesharake, mujore. Të mitë i kursenin për të m’i sjellë mua dhe unë mezi i kapërdija, me vështrimin ngulur tek majat e opingave, teksa mendoja se vajza dhe djali, ishin në atë moshë të njomë, që rriteshin e kishin nevojë për ushqim të mirë në sasi dhe cilësi.
Familjet tona na qëndruan nga afër dhe nuk na lanë të vuanim urie, siç vuanin disa të burgosur, të cilëve nuk mund t’u vinin ndihma nga të afërmit, apo rrethi familjar. Nuk më harrohet kur pashë një ditë një inxhinier naftëtar, në gjendje shëndetësore jo të mirë, që mblidhte përdhe bishtat e cigareve, për t’i ri shkriftuar, thurur në letër, e për t’i pirë. Ne më vonë nuk e lamë që ai ta bënte atë veprim dhe me ato mundësi të vogla që kishim, i blinim cigare të vërteta.
Tani ne ishim shndërruar në specie të gjalla, pa jetë, pa liri, pa familje, pa aktivitet shkencor. Mua më dukej vetja thjesht një qenie pa emër, që tri herë një ditë, i nënshtrohej numërimit për të parë praninë e plotë të burgosurve, se mos ndonjëri ishte arratisur nga burgu. Dhe ky apel, bëhej në mëngjes, në drekë dhe në darkë, përjashta në shi, dëborë e diell të fortë, të pambuluar me mushama, as me çadra, sepse ato nuk u lejoheshin të burgosurve. Në kohë me shi, rrobat tona bëheshin qull dhe uji shkonte deri në palcë, ndërsa ne, ashtu duhej të qëndronim si qen të lagur, edhe pasi pushonte shiu, ngaqë nuk kishim të drejtë të futeshim brenda në dhomat e fjetjes, për t’u ndërruar në çdo kohë.
Meqenëse ne nuk punonim, në bazë të rregullores së burgut, çdo ditë, përveç të dielës, kishim në program, katër orë mësim politik. Në një sallë të madhe, të gjithë ne të burgosurit, detyroheshim të dëgjonim leximin e veprave të Enver Hoxhës, ose rrallë edhe ndonjë artikull nga gazetat. Kjo bëhej e padurueshme! Sidomos kur përfundoi leximi i pare, e filloi përsëritja e tyre, ishte një çmenduri. Aty hera-herës, bëhej fjalë se si partia me zgjuarsi, kishte zbuluar gjithë ato grupe armiqësore. Pjesa më e madhe e viktimave të kësaj palo zgjuarsie, ishim aty, të gjallë, që mbanim vesh dhe e dinin se e vërteta lakuriqe, ishte krejt ndryshe.
Tërë ato ishin trillime dhe pasi ne në çastet e para e shijonim këtë farsë cinike, avash avash, e humbnim interesin. Të burgosurit rrinin ashtu të strukur në karrige, sy ndërsynin njeri tjetrin, e pastaj e ngulnin vështrimin në tavan. Disa pleq, shpesh nuk rezistonin dot, e i zinte gjumi. Polici që rrinte në këmbë, e kontrollonte çdo të burgosur, i qëllonte pleqtë gjumashë me shkopin prej gome, ku t’i zinte ose po të shihte që ndonjëri e tepronte me gjumë, e ngrinte dhe e çonte për një muaj në regjim të ashpër, në birucë.
Shën Vasi, Sarandë
Pas disa muaj qëndrimi në kampin e Zejmenit, të gjithë ne që ishim aty, na transferuan në fshatin Shën Vasi, të rrethit të Sarandës. Të burgosurve ordinerë, të cilët kishin ngritur gjithë plantacionet e bregdetit me portokalle, tani iu bashkuam edhe ne. Megjithatë, ne politikëve na vunë në ndërtesa të veçanta, të ndara nga ato të ordinerëve, me tela me gjemba, e pa asnjë komunikim me ta. Këtu jetesa ishte më e vështirë, sidomos në dimër, sepse në atë grykë mali, frynte një erë e fortë. E keqja tjetër, ishte se u larguam shumë nga familjet tona dhe ato e kishin tepër të vështirë, për të na ardhur deri aty, sepse vetëm një autobus i vogël, vinte rrallë nga Vlora.
Shpesh njerëzve tanë u duheshin dy ditë për të ardhur e dy për t’u kthyer, sepse nga kampi, nuk gjenin dot bileta për autobusin. U takonte të gjenin automjete të rastit, që zakonisht ishin kamionë, e kishin vende pasagjerësh, vetëm mbi karrocerinë e hapur. Disa herë motra ime, Viktoria, që i pat kaluar shtatëdhjetë vjetët, pat mbetur përjashta në fshat, por disa familje të Shën Vasisë, njerëz, mikpritës e zemërgjerë, e merrnin për të kaluar natën, pa asnjë detyrim në të holla, në shtëpitë e tyre. Ky ishte një solidaritet tepër i guximshëm, që rrallë mund ta gjejë në zona të tjera.
Përveç lodhjes, të afërmit e të burgosurve, duhej të përballonin edhe shpenzime që sa vinin e shtoheshin, për udhëtim, për fjetje nëpër hotele dhe për t’u ushqyer rrugës. Duhet patur parasysh se këto shpenzime, kërkoheshin në një kohë, që shumë familjeve të të burgosurve, nuk u mjaftonin paratë as për të ushqyer veten e tyre. Shteti e zgjidhte çdo gjë, vetëm në dëm të të burgosurve dhe të afërmve të tyre.
Nuk kishim as dy muaj në këtë kamp të ri, kur si grup na thërresin një ditë, në zyrat e kampit. Tani këtu kishim mbetur katër, se Luanin, që nga Zejmeni, e patën transferuar në Spaç. Roja na futi në një zyrë, ku na prisnin dy oficerë të Sigurimit, ardhur nga Ministria e Brendshme. Ata na pyetën në se ne dëshironim të merreshim me studime gjeologjike, për projektime pusesh kërkimi. Njëri prej tyre shtoi se; po të kishim rezultat pozitiv, ne do të na lironin nga burgu. Ishte një paturpësi tjetër e madhe, që vërtetonte hapur e qartë, dyshimet që kishim pasur mbi qëllimet e arrestimit tonë. Kjo do të thoshte që; hapi i parë me investimet për burgosjen e anëtarëve të lartë të Byrosë Politike, që kishin punuar në industrinë e naftës, qe kryer, e Sigurimi tani kish gurët në xhep.
Kështu ata po kalonin në hapin e dytë, që ishte krijimi në burg i një bërthame me specialist të përgatitur, me përvojë të madhe, që sipas logjikës së shtrembër të udhëheqjes, do të punonte skllavërisht, nën terrorin direkt të birucave, për të zbuluar fusha të reja nafte e gazi. Mendonin se duke na vënë kushtin e lirimit, ne do të bënim çmos, të zbulonim zona të reja. Pra, me një gur, ata mendonin të vrisnin dy zogj, bile tre; dënimin e kapove partiakë, zbulimet e reja dhe vërtetimin se burimet e naftës, ne armiqtë i mbanim fshehur dhe i nxirrnim ato nga mënga, sa herë na vihej vërtet litari në fyt.
Ne iu përgjigjëm negativisht, kësaj oferte. Unë fola i pari: – Unë nuk do të bëj më kurrë projektime pusesh kërkimi, sepse ju më futët në burg, si armik e sabotator. Lërmëni pra të jem i tillë tani! Si mund të na thoni, hajdeni që të projektoni përsëri puse?! Jo, kurrë jo! Ne punuam me ndershmëri, i kemi sjellë vendit miliarda dollarë të ardhura, e ju na flakët në burg! Si mund të projektoj unë pus kërkimi nafte e gazi, në këtë gjendje, kur u bë një jetë që përsëris, se nuk ka njeri në botë, që të zbulojë naftë e gaz, me pusin e parë?! Ja të themi se unë projektova një pus dhe ai nuk doli pozitiv? Ju pa vështirësi do të më thoni: “Përsëri ti armik, vazhdon rrugën e sabotimit”?! Dhe do të më pushkatoni. Jo, zotërinj! Keni menduar gabim, qysh në fillim, e gabim po mendoni akoma”!
Atëherë, njeri prej tyre m’u kërcënua: – “Po nuk pranove, ne do të të çojmë në burgun e Burrelit! Ky ku jeni tani, do të të duket lule kur të provosh Burrelin”! – Më çoni ku të dëshironi, – iu përgjigja. – Jam gati që tani, të vete atje ku thoni, por puse nuk do të projektoj kurrë më. Pas meje, me radhë, e morën fjalën edhe tre kolegët e tjerë, dhe mbajtën të njëjtin qëndrim. Ata siç duket, nuk e prisnin këtë kreshpërim dhe menduan se nga etja për të qenë të lire, pranë familjeve, ne do ta pranonim pazarin, prandaj, të nevrikosur, na urdhëruan të largoheshim.
Nuk kaluan veç pak ditë, kur një zyrtar tjetër me përgjegjësi më të lartë erdhi të na takonte. Edhe ai na vuri përpara po atë propozim. Unë përsëri parashtrova vendosmërinë tonë, për të mos pranuar të bënim projektime. Kur ata nuk janë mësuar të shohin kokë ngjeshur, një kundërshtim i tillë absolut, mund të paguhej shtrenjtë. Por ne e kishim fare të freskët, përvojën me ta, prandaj nuk e mbylla derën me kyç. -Ne si specialistë, – i thashë, – e kemi në zemër dhe e dashurojmë zanatin tonë. Ne mund të bëjmë, për shembull, studime përgjithësuese, por në asnjë mënyrë projektime pusesh. Pas takimit, kur diskutuam midis nesh, të gjithë kishim bindjen, se qëndrimi ynë ishte i drejtë, parimor dhe dinjitoz. Dita ditës që kalonte, unë prisja që ata ta përmbushnin kërcënimin, për të më çuar në Burrel, por jo!
Ishte vjeshtë e vitit 1987. Komanda e kampit na njoftoi se ne të gjithëve, do të na largonin nga Saranda, për në një kamp tjetër. Nuk na treguan aspak arsyen e lëvizjes. Na urdhëruan të dorëzojmë “pajën” e fjetjes, të mbyllnim llogarinë në kamp, e të përgatisnim trastat ku mbanim ushqimet. Në kamp, ishte një dyqan që hapej një herë në javë, apo në dy javë dhe shiste fruta, nga njëherë zarzavate, vaj, miell dhe shumë rrallë, fare pak mish. Ne blinim me kupon, sepse nuk mbanim para në dorë dhe komanda bënte llogaritë përkatëse, të hyrjeve e të daljeve. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016