Nga Petraq Xhaçka
Pjesa e tridhjetë
Memorie.al/ Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkt me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e qazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.
Burgu i Ri, Tiranë
Procesi gjyqësor krejtësisht formal, mbaroi brenda disa orëve dhe me shpalljen e vendimit të paravendosur, na kthyen përsëri në Burgun e Ri të Tiranës. Mua më vunë në një birucë me Mynyrin. Për tre kolegët e tjerë, nuk dinim si ishin sistemuar, por më vonë mësuam se Enriko, ishte në një dhomë me Petritin dhe Luani qe vendosur më vete. Ndjehesha sikur kisha hequr një peshë nga gjoksi: tërë ai ankth për mundësinë e dënimit me vdekje, me kish bërë pothuaj indiferent, nëse do të më duhej të kaloja në burg, dhjetë, njëzetë, apo njëzet e pesë vjet. E mbi të gjitha, kishte marrë fund ajo maratonë e tmerrshme, afro njëvjeçare në hetuesi, midis jetës dhe vdekjes.
Mendimi i parë, pasi u njohëm me vendimet, ishte familja. Tani, më së fundi do të shihja gruan dhe fëmijët, do të merrja vesh ç’ishte bërë me ta. Sipas ligjit, duhej të na lejohej takimi me familjet, por kjo u shkel nga organet e Sigurimit dhe të burgut, dhe ne nuk i takuam ato, jo më pas pesë ditësh, as pas pesëmbëdhjetë ditësh, por vetëm pasi kaluan dy muaj.
Në këtë periudhë pritëse, për të kaluar në një kamp apo burg tjetër të burgosurish politikë, vetëm Mynyrit i pruri familja ushqime dhe ndërresa. Takim nuk i lejuan. Familja ime nuk u njoftua, e unë nuk pata ushqime gjatë dy muajve. Por ne nuk na joshte aq shumë marrja e ushqimeve, se sa takimi me ta. Ne ishim shumë të shqetësuar për fatin e tyre, prandaj kërkuam disa herë deri tek drejtori i burgut, që të zbatoheshin ligjet në fuqi e të na organizohej takimi, ose marria e letrave nga familjet tona. Asgjë! Si kudo ligjet i bënin njerëzit që drejtonin këto organe. Ligjet që shkruheshin në parlament, ishin formale e pavlerë. Dhe asnjëri nuk përgjigjej, për shkeljet që u bëheshin.
Biruca që na takoi të ndanim me Mynyr Arapin, ishte me mure të trashë. Kish një sipërfaqe rreth dy metra e ca, me tri metra e ca. Lartësinë e kish të bollshme, rreth katër metra, por ajo nuk na hynte në punë. Kish një dritare të vogël, edhe kjo pa xhama, por me një rrjetë hekurash të trashë. Që aty, herëpashere, dëgjoheshin zëra njerëzish nga jashtë.
Ishte janar dhe bënte një e ngricë e madhe. Unë kisha shumë ftohtë, e për më tepër me mungonte xhupi i trashë, të cilin e mbajtën hetuesit në Fier, ngase atyre u vinte turp që unë të dilja para gjyqit, me atë plaçkë të ndotur. Megjithëse tani e kërkoja vazhdimisht, asnjeri nuk kujtohej për të ma prurë nga Fieri. Si dukej, kur unë ankohesha deri tek drejtori i burgut e, kërkoja të më sillnin xhupin, e ftohta e madhe që më torturonte, i lumturonte më tepër ata të personelit të burgut dhe asnjë nuk më jepte shpjegim…!
Sidoqoftë, kjo fazë e re ishte ndryshe. Si shpërblim të menjëhershëm, unë kisha praninë në birucë, të shokut tim, Mynyrit. Periudha e menduar e vetmisë, pat marrë fund atje në hetuesinë mizore të qytetit të Fierit. Tani ne filluam menjëherë me historitë tona të proçesit hetimor, si ishim torturuar, si i patëm pranuar gjërat që na impononin, se si vuanim tek lodhnim fantazitë tona, për të ushqyer me fakte veprimtarinë armiqësore që na caktonin hetuesit tanë! Aty mësuam nga njëri – tjetri, se si ishin krijuar e fshirë disa here, variantet e rekrutimit si agjentë të huajve!
Për herë të parë, mbas afro një viti fytyrat tona të mavijosura nga torturat e të ftohtit, nga të pa ngrënët, nga vuajtjet shpirtërore, nisën të skicojnë buzëqeshjet e para. E qeshura në mes të kësaj mynxyre të madhe, ishte pavend, po megjithatë, ajo ishte çuditërisht e zhurmshme, mendjelehtë, sa vështirë ta besojë njeri. Shpesh ne qeshnim me lot, me marrëzitë e ndodhura gjatë hetuesisë në Fier, aq sa të vinte të besoje, se këto u kishin ndodhur disa të tjerëve, e ne vetëm po i shijonim. E tillë është jeta.
Pastaj aty për aty, fytyrat tona i pushtonte trishtimi, e ne nisnim të qanim hallet, e veçanërisht pasojat e rënda mbi familjet tona, të cilat jo vetëm do të jetonin të rrethuara nga një persekutim i egër, të izoluar nga të afërmit dhe shoqëria, ngaqë askush nuk do të guxonte t’u afrohej. Vite më pas, një ish-punonjës i Sigurimit, i cili pat qenë marrë me sektorin e naftës, më tregoi se për dy muaj, në birucën ku rrinim tok me Mynyrin, ata na kishin përgjuar ditë e natë. Interesant, çfarë deshin akoma prej nesh?! A thua merreshin me studime sociale, me sprova mjekësore, apo me plane letrare, për dramat e njerëzve me vlera shkencore e të shpërdoruar kot?!
Edhe ato pak ushqime që i vinin Mynyrit një herë në muaj, ai i ndante me mua. Vetëm tetë cigaret e normës së përditshme, nuk i ndanim të barabarta, sepse ai njihej si duhanxhi më i thekur nga mua, prandaj unë i’u luta, që ai të mbante për vete gjashtë, ndërsa mua të më jepte vetëm dy. Një ditë, kur Mynyri po merrte disa ushqime nga trasta e tij personale, tentoi fshehurazi të merrte nëntë cigare, pra një cigare më shumë. Polici e pa dhe e dënoi për atë ditë, duke mos i dhënë as cigare, e as ushqimet e sjella nga familja.
Mbas një viti, ne ndjemë erën e mishit, erën e djathit e të biskotave të mira, që ia kish përgatitur e bija Mynyrit. Ato ditë ky ende nuk dinte gjë, që e shoqja, Lumja, e tronditur nga streset e forta, pat pësuar tronditje në tru dhe kish rënë në një paralizë të përgjithshme trupore. Ajo Lume, që unë e njihja qysh në rininë e saj, në Teknikumin e Naftës në Kuçovë, femër e shkathët, mjaft e qeshur, tani kish humbur të gjitha këto tipare, të gjallërisë së saj karakteristike. Terrori e kish bëri efektin e vet, mbi këtë grua të mirë e të pafajshme.
Gjatë ditës me Mynyrin, loznim nëntësh me bishtat e cigareve. Bishtat zëvendësonin gurët. Një palë ishin bishta cigaresh me filtër, dhe pala tjetër nga cigare të zakonshme pa filtër. Katrorët i shënonim mbi batanije me një copëz të vogël sapuni, që e patëm marrë vjedhurazi në lavaman një mëngjes, pasi u lamë. Shpesh herë, tek loznim, na vinin për kontroll të befasishëm nga drejtoria e burgut. Sa ndjenim trokun e hapave të shumta, ne i merrnim bishtat e cigareve, i vendosnim në një qoshe dhe u përgjigjeshim, se i kishim mbeturina nga pirjet e cigareve.
Ndërsa kuadratet në batanije, i mbulonim në mënyrë të tillë që edhe kur e ngrinim lart atë, ata të mos i shikonin. Edhe tek loznim lojën tonë banale, ata na përgjonin dhe kështu dëgjonin bisedën për rezultatet e lojës dhe vinin për kontroll. Asnjëherë nuk u vajti mendja, që ne loznim me bishtat e cigareve. Kështu që në burg edhe loja e nëntshit, bëhej fshehurazi, me frikë, gjatë fazës që ne e quajtëm të karantinës, pas marrjes së vendimit të gjykatës, i cili për ne, ishte i formës së prerë, pa të drejtë apelimi.
E të mendosh, dy inxhinierë të vjetër naftëtarë, që dikur rrinin së bashku, shpesh herë me orë të tëra, të përkulur mbi hartat gjeologjike, për të parë mundësinë e gjetjes së rezervave të reja të naftës e gazit, tani rrinin përmbys, mbi ca viza sapuni mbi batanije në dysheme dhe loznin nëntsh, për të kaluar njëzetepesë vjet të një dënimi, pa asnjë kuptim. Kishin kaluar kështu afro tre-katër javë dhe një ditë, një polic thirri Mynyrin, i vuri prangat në duar dhe e mori me vete. E ktheu atë vetëm mbas një gjysëm ore dhe unë nuk pata mundësi të pyesja asgjë, se polici e la atë dhe më mori mua.
Në dhomën që më shpuri roja, pashë të ulur rreth një tavoline, tetë apo nëntë oficerë të Sigurimit, të veshur civilë, e në mes tyre qëndronte zëvendësministri i Punëve të Brendshme. Polici ende nuk kish përfunduar heqjen e prangave nga duart e mija, kur zëvendësministri më pyeti: – “Do që të shpiem në burgun e rëndë të Burrelit, apo në kampet e punës të të burgosurve”? Mua m’u duk një pyetje që fshihte kujdes të tepërt. – Atë e dini ju, -ia ktheva. – Tani që jam në burg e i dënuar si armik, për mua nuk ka rëndësi, se ku do të më shpini. E kuptova që më parë kishin pyetur për të njëjtën gjë Mynyrin dhe kur u ktheva në birucë, ai ma vërtetoi këtë. Vramë mendjen për një kohë të gjatë, ditë me radhë, me shpjegimin e pyetjes dhe me burrat e shumtë që ishin mbledhur, për të na e bërë atë.
Ende nuk e kishim zbërthyer enigmën, kur një mëngjes, na thanë të merrnim trastat e pista personale dhe na nxorën në oborr, në pritje për të na transferuar në një vend tjetër, të cilin ne nuk e dinim. Kishim kaluar rreth dy muaj në birucat e burgut të Tiranës. Në oborr ishin mbledhur të gjithë ata, që do t’i shpërngulnin. Ishte hera e pare, që bëheshim bashkë të pestë ne naftëtarët. Kishim kaluar bashkërisht e të ndarë, një kalvar të rëndë: hetuesia, gjyqi rrufe dhe veçimi në këtë burg, që atë ditë po e linim. Ishim hequr në fytyrë, ishim thinjur e ishim plakur.
Mbas dy ore pritjeje erdhi auto-burgu për të na marrë. Ishte një kamion i vogël “GAZ”-51, ku një çerek i karrocerisë, ishte ndarë si paradhomë për të qëndruar policët shoqërues. Kurse ne na futën në një si tunel fare të ngushtë, prej gjysëm metri gjerësi, e rreth dy metra e ca gjatësi. Aty na sistemuan që të pestë, me gjithë trastat dhe natyrisht, me prangat në duar. Ajo dhomëz, ishte veshur nga brenda me llamarinë dhe kish një vrimë fare të vogël në tavan, për ajrosje. Vrimëza ish tepër e vogël, për të na sjellë ne ajrin e mjaftueshëm dhe sapo nisëm udhëtimin, i cili në të vërtetë nuk ishte shumë i gjatë, ne filluan të na merren mënd dhe aty plasën të vjellat. Dhomëza prej llamarine, që më e drejtë ishte ta quash arkivol të madh, përveç që nuk kishte dritare për ajrosje, nuk na jepte as mundësinë, të orientoheshim se nga po shkonim. Si dukej, për ata ne vazhdonim të mos ishim njerëz, sepse bile edhe kafshët, transportohen në një kubaturë më të madhe.
Pjesa tjetër, që zinte tre të katërtat e karrocerisë, e veshur si pjesa jonë, u ishte rezervuar ca të burgosurve ordinerë, që po me atë mjet, atë ditë transferoheshin tok me ne. Aty ishin futur më shumë njerëz, dhe ne dëgjonim të bërtiturat e tyre, tek ata ankoheshin për kushtet e rënda të frymëmarrjes. Ata kërkonin ndaljen e kamionit dhe hapjen e derës për pak kohë, që të merrnim frymë e ajër të pastër, se ishin bërë helaq, nga të vjellat e shumta. Policët nuk mund ta ndalonin makinën, sepse rregullorja nuk e lejonte. Me gjithë të bërtiturat e të sharat, me fjalorin më banal që ka gjuha njerëzore, e sidomos ajo shqipe, policët vazhdonin të transportonin këto qenie të gjalla, në adresën që u ish porositur. Me duart e lidhura, ne përplaseshim brenda këtij arkivoli, në çdo kthesë dhe binim mbi njëri tjetrin, ngaqë nuk kishim ku të kapeshim. Shpesh rrokulliseshim përdhe, nga një si stol i gjatë, që kishte vetëm njëra nga anët, ngase vend për të vënë stol edhe në anën përballë, nuk kishte.
Ishte fat për ne, që në atë ditë të parë, rruga nuk zgjati më shumë se një orë e gjysëm. Por ishin të tmerrshme, rrugët e tjera, – e unë po i tregoj këtu, që të mos merrem më me udhëtimet, – kur në auto-burgje të tilla, njerëzit si ne, transportoheshin në rrugë të gjata, nga Lezha në Sarandë, për shembull. Ish një udhëtim i llahtarshëm, që zgjati mbi tetë orë, në një stinë vere të nxehtë, në afro dyzet gradë celsius, tërësisht të mbyllur, pa rrymë ajri të mjaftueshëm, për njëzet e e pesë vetë, që shihnin t’u bëheshin përshesh plaçkat, apo ushqimet që kishim me vete.
Asnjë dritë në makinë, asnjë dritare, një errësirë e plotë në mes të ditës! Vrimëza e vogël në tavan, luftonte me asfiksinë. Rrugës, shumicës i merreshin mëndtë. Që në kilometrin e pare, filluan të vjellat e të bërtiturat, ngase në atë errësirë e me duar të lidhura, të burgosurit uleshin mbi njëri – tjetrin. Papritur të vinin të shtyrat, të goditurat që të zinin ku të zinin, nga që asnjëri, nuk shikonte kujt i binte, e ku i binte. Nuk reshtnin ankesat dhe të sharat. Disa, me ndërgjegje të ulët dhe të detyruar nga skamja, ashtu siç ishin të lidhur, vidhnin ndonjë bluzë apo ushqim të tjetrit dhe ai nuk e merrte vesh fare në atë rrëmujë. Por dhe ai që rrëmbente, nuk e merrte vesh se kujt ia kish marrë.
Në këto zgavra, ne, politikët, ishim përsëri më të përmbajtur. Unë e mbusha vendin përqark meje, me trastat, këmbët e mia dhe të të tjerëve, me të vjellat kundërmuese që nuk i përmbaja dot. Disa të burgosurve, u ra të fikët. Njeri ishte në prag të vdekjes dhe kur mbërritëm, vetëm ndërhyrja urgjente dhe e guximshme e mjekut të kampit, i cili po kështu ishte i burgosur, që i çau damarët e gjakut me thika të zakonshme buke, pa asnjë lloj sterilizimi, i shpëtoi jetën këtij të burgosuri të porsaardhur, nga ky udhëtim në ferr. Ne aty brenda, udhëtonim të hedhur, siç hidhen në kazanin e madh të makinës, plehrat me përbërje të ndryshme ushqimesh, dërrasash, qelqesh e kartonësh.
Të lidhur në duar dy e nga dy, dëgjoje të bërtiturat e shpeshta, kur njëri i detyruar nga përsheshi e ngushtësia, mundohej të lëvizte trupin, apo krahun dhe kjo i shkaktonte dhimbje shokut, me të cilin e bashkonin një palë pranga. Këto ishin të vazhdueshme, gjatë gjithë rrugës, si një rropullimë që nuk ka fund dhe sidomos në kthesat që janë aq të shumta, në rrugën midis Fierit dhe fshatit Shën Vasi të Sarandës, të cilit Partia ia kishte ndërruar emrin, në: “Përparim”. Këtu ishte ndërtuar një kamp për të burgosurit, që të punonin si skllav të shekullit XX-të, për hapjen e tokave të reja, e mbjelljes me agrume. Dhe kjo ishte shumë argëtuese, për policët dhe oficerët shoqërues. Kështu ishte ndërtuar jeta në shoqëritë komuniste, ku njeri nxirrte kënaqësi, nga klithmat dhe fatkeqësitë e tjetrit.
Si ky udhëtim, unë pata edhe dy udhëtime të tjera, të njëllojta, me tortura e vuajtje. Ne shpesh bisedonim në mes tonë, që po të vinte një ditë e të shembej ky sistem, fajtorët kryesorë, nuk duheshin futur në burg, por duheshin grumbulluar e shëtitur, në ato të njëjtit auto-burgje, në rrugë të gjata e jo shumë, por dy tre ditë, në ato xhadetë tona plot gjarpërime. Vështirë që në fund të atyre udhëtimeve, të shpëtonte njeri i gjallë. Kështu që nuk kishte nevojë edhe për t’i kaluar ata nëpër gjyqe.
Ajo dite erdhi dhe ne nuk kërkuam ndëshkimin me shëtitje të tilla “Turistike”. Shteti i ri, nuk duhej të kryente akte të tilla çnjerëzore, por fatkeqësisht, ai nuk bëri aspak nga ato që i takonte të bënte. Askush nuk u përgjigj për gjithë ato faje e krime të shëmtuara, të ndodhura në Shqipëri. Në “Nurenbergun” tonë të mjeruar, arkitektët e vuajtjeve të popullit të drobitur shqiptar, u burgosën, jo për t’i ndëshkuar, por për t’i mbrojtur, brenda mureve të qeta të burgut, nga droja se mos në ato kohë të mbarsura me urrejtje popullore ndaj diktaturës, ndonjë i persekutuar, kryente ndonjë marrëzi me hakmarrje të pakontrolluar. Kapot e piramidës, nuk patën rastin të provojnë qoftë edhe një orë, e jo më shumë, dënimet me stilin e drejtësisë së tyre komuniste, siç i provuan të burgosurit politikë dhe ata ordinerë.
Shteti në erën e demokracisë, u kujdes me ngut e përparësi, që të vendoste rregullat demokratike e humane, të vendeve perëndimore, norma që unë dhe Enrikoja, patëm rastin t’i përkthenim në burg, nga librat e sjellë nga këto vende. Dhe këto, shteti i ri i aplikoi.
Po ai nuk bëri asgjë, për të rregulluar jetën e mijëra e mijëra të burgosurve e të internuarve politikë, që ende flinin jashtë në baraka, kasolle, e nën qiell të hapur, pasi kishin vuajtur nga ligjet antinjerëzore, të vendosura nga klanet e komunizmit shqiptar. Shteti post diktatorial u nxitua, bile me një shpejtësi të pashpjegueshme, të tregonte humanizmin e vet, ndaj atyre që e kishin marrë nëpër këmbë popullin, e jo ndaj atyre që ishin marrë padrejtësisht nëpër këmbë. Të gjithë u futën në një kazan me tezën famëkeqe, se nën diktaturë, të gjithë kishin qenë bashkëvuajtës, e po të gjithë bashkëfajtorë. Dhe për ironi të fatit, hetuesit e mi, e fituan menjëherë statusin e bashkëvuajtësit, ndërsa unë akoma nuk po e kuptoj, se si mund të më afishohet në ballë, statusi i bashkëfajtorit…!? Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016