Nga Josef Jakoel
Pjesa e parë
-IZRAELITËT NË SHQIPËRI, NGA SHEKULLI XIX, DERI NË PRAG TË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE-
-Kronika e ardhjeve dhe formimi i bashkësive-
Memorie.al / Për izraelitët në Shqipëri ka pak njoftime për periudhën e kohës që shtrihet nga fillimi i shekullit XVIII-të e deri në fillimin e shekullit XIX-të. Në Shqipëri kanë ardhur izraelitë të veçuar, por këta s’kanë hedhur rrënjë dhe as kanë formuar bashkësi të qëndrueshme. Në zërin “Avlona” të enciklopedisë Eshkol (Berlin 1929) thuhet se Ali Pashë Tepelena, sundimtar shqiptar i Janinës, kishte shumë izraelitë në këshillin e tij, por prapë gjendja ekonomike e izraelitëve ishte e ulët. Për shkak të persekutimeve të tij, shumë izraelitë u arratisën nga Janina dhe u vendosën në Avlona (Vlorë), por Ali Pasha e shtriu pushtetin e tij edhe mbi Avlonën. Pasi ky sundimtar tiran, u ekzekutua në vitin 1822, këta izraelitë u kthyen në Janinë.) Profesor Fejzi Hoxha, shkruan se qysh nga viti 1839, u vendos në Shqipëri një mjek austriak, doktor Auerbach, i cili e ushtroi mjekësinë në Vlorë, në vitin 1867, si mjek i karantinës. Më vonë ai shkoi në Gjirokastër, ku punoi deri rreth viteve 1881-1882.)
Më poshtë profesor Hoxha, shkruan për një doktor tjetër me emër Auerbach, të cilin e cilëson “minor”, për ta dalluar nga i pari, por këtë e quan me origjinë gjermane dhe bir të doktorit të sipërpërmendur, i cili e bëri këtë djalë me gruan e tij himarjote. Auerbachu i ri, vazhdon profesor Hoxha, e ushtroi profesionin në Gjirokastër dhe pastaj në Himarë, ku vdiq në vitin 1940. Siç del nga shënimet e mësipërme, profesor Hoxha e ka quajtur doktor Auerbachun, me origjinë austriake, kurse të birin, me origjinë gjermane. Në të vërtetë shënimet e tij duhet të plotësohen nga dëshmia e Niqita Averbahut, që është pasardhësi i fundit i familjes Averbah dhe që sot jeton në fshatin Dhërmi, të rrethit të Vlorës.
Sipas tij, Doktori Averbah (senior) ka ardhur në Shqipëri nga qyteti Has i Austrisë. Bashkë me të erdhi edhe vëllai i tij, i cili ishte konsull. Njëkohësisht, vëllai merrej edhe me tregtinë e drurit për llulla, që eksportonte në Angli. Ndër punëtorët që merreshin me nxjerrjen e drurit, ishte edhe një vajzë nga Dhërmiu, e cila ishte tepër e bukur. Konsulli ra në dashuri me të dhe e mori për grua. Doktori nuk u martua. Vdiq në 1867. Konsulli banonte në Vlorë deri kur vdiq në vitin 1866. Nga martesa e tij lindën 4 djem. I katërti i tyre, u bë doktori minor. Ky u martua në Gjirokastër. Punoi 3 vjet në Vuno dhe 5 vjet në Gjirokastër, më vonë shkoi në Izmir (Turqi). Në vitin 1922, u kthye në Janinë, ku edhe vdiq në 1927.
Një nga nipërit e konsullit, u martua me Shullë Nenien nga fisi Pilovoglaj i Vunoit. Shkues i martesës, ishte i ati i Leks Thanit, i cili Shullën e kishte nga fisi i vet dhe, kur bëri shkuesinë, e dinte që Auerbachu, ishte me origjinë izraelite. Sidoqoftë, pasardhësit e Auerbachut, tashmë janë plotësisht të asimiluar dhe nuk ruajnë asgjë nga veçoritë izraelite.
Në Shqipëri, kanë punuar përkohësisht edhe mjekë të tjerë izraelitë. Ndër këta ishte edhe mjeku Salomon Efendi, mjek ushtarak me gradën kapiten, i cili punoi këtu në vitet 1896-1897. I ardhur në Shqipëri nga Janina, u vendos në Libofshë të rrethit të Fierit më 1905, doktor Moisi Kofina, si mjek i familjes Vrioni. Ai shërbeu si mjek privat, jo vetëm në Libofshë dhe në fshatrat përreth, por shkonte shpesh edhe për konsultime në Fier. Më 1913 u kthye në Janinë.
I pari sipas radhës, i cili u vendos definitivisht në Shqipëri, ka qenë Solomon Menahem Jomtov. Ky erdhi nga Janina në vitin 1850 dhe u vendos në Delvinë, me gjithë gruan, Astro Negrin. Nga martesa e tyre lindi një djalë, Menahem Solomon Jomtov. Ky u martua me Rakela Samuilidhi, me origjinë nga qyteti Trikalla i Greqisë. Rakela ishte izraelite, me prejardhje nga Spanja, por në shtëpinë Jomtov flitej greqisht, sepse anëtarët e tjerë të familjes, nuk e flisnin spanjishten. Nga kjo martesë lindën 6 vajza dhe 2 djem. Nga vajzat, e madhja vdiq gjatë barrë-lindjes së saj të vetme, tre janë martuar në Greqi, me të rinj izraelitë, ndërsa Viktoria u martua me doktor Jani Melon dhe sot jeton në Fier, kurse më e vogla, Ana, u martua me Agim Sinën. Ana ka vdekur dhe është varrosur në Krujë. Nga djemtë e Menahemit, i dyti Sami (Samuel), vdiq në Sarandë më 1937, dhe tjetri Solomoni (Tovi) Jomtov, deri në muajin mars 1991, banonte në Vlorë, dhe këtej po atë muaj u kthye në Izrael.
Në fillim familja Jomtov, i mbajti të forta lidhjet me Janinën nga ku kishin ardhur. Kështu, kur vdiq plaku Solomon dhe e shoqja Astro, ata i varrosën në Janinë. Po ashtu, në Janinë u varros edhe djali 17-vjeçar, Sami. Të tjerët janë varrosur në Vlorë dhe në Krujë. Përafërsisht po atë vit, më 1850, në Gjirokastër erdhi dhe u vendos Jakov Ilia Vituli, edhe ky nga Janina. Në vitin 1885, lindi aty djali i tij Ilia, i cili u martua me Aneta Macën nga Janina. Nga kjo martesë, lindën 4 vajza e 2 djem. Nga vajzat ka vdekur dhe është varrosur në Tiranë, Fortunia, e cila kishte qenë internuar në kampet naziste të shfarosjes dhe kishte shpëtuar. Tri vajzat e tjera – Rashela Jakoel, Sandra Gani dhe Ester Prifti, janë gjallë. Rashela dhe Sandra, në muajin prill 1991, u shpërngulën në Izrael, ndërsa Esteri jeton në Tiranë. Nga djemtë, njëri, Heimi vdiq në Tiranë dhe është varrosur aty, kurse Zhaku, i martuar, (me 2 djem e një vajzë), jetonte në Tiranë dhe u shpërngul në prill 1991 në Izrael.
Në vitin 1860, erdhi nga Janina dhe u vendos në Vlorë, Josef Matathia me vëllanë e tij, Isak (shkurt Cako). Josefi u martua me Riketa Romanon, nga izraelitët e Korfuzit. Në vitin 1885, u lindi djali i pare, Mateo, pastaj me radhë binjakët; Samuel dhe Stela Levi, Davidi, Sara (e quajtur Sandra), dhe i fundit, Isaku (shkurtimisht Zakino). Vetë Josefi, vdiq në Korfuz dhe është varrosur atje. Në Vlorë, vdiq gruaja e tij, Riketa, dhe fëmijët Mateo, David dhe Isak. Isaku vdiq i pamartuar. Samueli vdiq në vitin 1945, në ferrin e një kampi nazist, bashkë me gruan e tij, Sara (Sarina), kurse Stela Levi, u martua me Nesim Levin. Ajo vdiq në Itali, në vitin 1936 dhe është varrosur në Milano.
Mateo, i martuar me Rakela Kofinan, ka lënë dy djem, Josefin që rron në Natania, Izrael, dhe Davidin (Xhon), i cili jetonte në Fier dhe, në mars 1991, u vendos në Izrael. Mateo ka lënë dhe një vajzë, Riketa Gani, e cila jetonte në Tiranë, e martuar me Elio Eliasaf Gani, dhe u vendos familjarisht në Izrael në mars 1991.
Samueli ka lënë dy djem. Më i madhi Pepis, rron në Zvicër, kurse i dyti, Rafael, vdiq në Athinë më 1986. Davidi ka lënë tri vajza. Vetë vdiq në Vlorë, nga gripi i quajtur spanjoll, në vitin 1919, kurse nga vajzat, dy, Matilda dhe Zhaneta, rrojnë në Athinë, ndërsa më e madhja, Keti, e martuar me Josef (Pepe) Levin, ka vdekur dhe është varrosur në Vlorë. Sandra Matathia, është martuar me Rafael Jakoel, ka lënë tri vajza dhe dy djem. Vajza e parë, Eftihia, e martuar në Korfuz, u shfaros bashkë me të shoqin Rafo dhe me dy fëmijët e saj, Niso, 5 vjeç dhe Lina, 2 vjeçe, në kampin nazist të Birkenaut, në vitin 1944. Vajza e tretë, Eftimia, vdiq në Tiranë më 1987; (vajza e saj, Matilda Levi jeton sot në Karmiel, Izrael), dhe vajza tjetër, Riketa Jomtov, e shoqja e Tovi Jomtov, banonte në Vlorë me gjithë familje deri në mars 1991, kohë në të cilën shkoi e u vendos në Izrael.
Nga djemtë, Viktori (i quajtur edhe Haim), vdiq në Vlorë në vitin 1954 dhe është varrosur atje, kurse Josefi (shkurtimisht Cefi) rron me gjithë familje në Tiranë (dhe në vitin 1991, së bashku me të shoqen Aliqi dhe dy vajzat, Feliçita dhe Ksenia, u zhvendosën në Izrael). Stela Levi ka lënë tre djem dhe një vajzë. Tre djemtë, Pepja, Rafaeli dhe Moisiu janë gjallë dhe rrojnë në Izrael. Vajza Ana, martuar me Marko Osmo, jetonte në Athinë dhe vdiq atje në vitin 1989. Sikurse u përmend, Isaku (Zakino), djali i vogël i Josef Matathias, vdiq në Vlorë i pamartuar në vitin 1932 dhe u varros atje. Vëllai Josef Matathias, Isaku (Cakua), u martua me Sarina Jakoel nga Janina dhe nga kjo martesë lindën katër djem e dy vajza. Cakua vdiq në fshatin Tragjas të Vlorës dhe fillimisht u varros atje. Vendi ku ishte varrosur, quhet ende nga vendësit; “Varri i Cakos”.
Nga djemtë, dy shkuan në Amerikë dhe vdiqën atje. Vajzat u martuan në Greqi dhe vdiqën atje. Në Vlorë kanë jetuar Moisiu (i quajtur Sino) dhe Marko (Mordo). Moisiu (Sino) u martua me Stametan, nga Volo, në Greqi, dhe pati katër djem. Nga këta, tre kanë vdekur: Ilia Matathia, dentist që është varrosur në Tiranë, Davidi (Xhoni) vdekur dhe varrosur në Vlorë, si dhe Isaku, vdekur dhe ai e varrosur në Vlorë. Jeton vetëm djali i tretë, Josef, i cili jetonte në Vlorë dhe tani rron në Izrael. Në vitin 1868, erdhi dhe u vendos në Vlorë, Moisiu (Mushon) Kantozi, i cili ishte martuar me Mazaltonë, mbesën e Josef Matathisë. Nga kjo martesë, lindën dy djem e tri vajza. Nga vajzat, Eftimia Solomoni, e shoqja e Jako Solomonit, vdiq dhe është varrosur në Vlorë, ndërsa e treta, Krisulla, është martuar në Athinë dhe vdiq atje. Në Vlorë, vdiq dhe vajza e tretë, Reveka, e shoqja e Salomon Ilia Salomon.
Djemtë e Mushonit, Biro dhe Josef Kantozi, fillimisht jetonin në Vlorë dhe aty nga viti 1915, u transferuan në Fier me gjithë familjen. Biro Kantozi, ishte martuar me Sarina Avram Ganin, dhe nga kjo martesë, lindën tre djem e dy vajza. Biro dhe Sarina janë varrosur në Tiranë. Nga vajzat, më e madhja, Fortunata, u martua në Korfuz, nga ku u depërtua në kampet e shfarosjes dhe vdiq atje bashkë me burrin, Isak, dhe një fëmijë, vajzën Ester. E dyta, Malká, e quajtur edhe Rexhina, ishte martuar me Jesulla Jakov Batinon në Tiranë dhe rron sot e ve, në Izrael. Nga djemtë, më i madhi, Moisiu, vdiq në Tiranë, duke lënë të shoqen, Xhulia Aser, dhe të bijën, Fortunata. I dyti, Avrami (i quajtur Mimiko), shkoi në Izrael, me gjithë familje, po ashtu edhe i treti, Josef, i quajtur Pepe.
Josef Kantozi, ishte martuar me Mazalo Saretën. Pati një vajzë, Rakelën, e cila vdiq në moshën 18-vjeçare në Fier dhe është varrosur në Vlorë. E shoqja e Josefit, vdiq në Vlorë, dhe vetë Josefi në Kavajë, ku edhe është varrosur. Në vitin 1882, erdhi dhe u vendos në Delvinë, Josef Kohen, bashkë me gruan e tij, Gracia. Të dy erdhën nga Janina. Të dy vdiqën në Vlorë, ku ishin transferuar familjarisht, në vitin 1947. Nga martesa e tyre lindi një djalë, Shemo Koheni, i cili vdiq në Vlorë. Ai ishte martuar me Zhyli Kohen, dhe nga kjo martesë, lindën një djalë dhe dy vajza. Djali, Josef, shkurt Pepo, u transferua në nëntor 1990 nga Vlora, në Amerikë, bashkë me të shoqen, Anna Nesim Joseko dhe fëmijët. Po ashtu dhe vajza e madhe, Gracia, e cila u martua me Menahem (Minush) Jakov Solomonin, dhe vajza e dytë, Eni, e cila është martuar në Kavajë me Orest Margariti.
Në Shkodër, banojnë edhe sot pasardhësit e familjes Arditi. Familja Arditi, ka ardhur nga Spanja në Selanik, këtej shkoi në Dibër dhe më vonë në Shkodër. Në familje flisnin spanjisht. I pari i kësaj familje, që erdhi në Shqipëri nga Selaniku, ishte Zhak (Jak), i cili lindi në Selanik në vitin 1877. I ati ishte mjek, kurse ai vetë, mbaroi studimet universitare në Stamboll, për farmacist. Fillimisht hapi farmaci në Stamboll, ku u martua me Luna Russon, nga familje izraelite edhe kjo me prejardhje nga Spanja. Aty nga viti 1900, Zhaku u transferua nga Selaniku në Dibër të Madhe, ku hapi farmaci. Rreth vitit 1910, u transferua në Tiranë, ku edhe këtu hapi një farmaci. Në Tiranë qëndroi deri në vitin 1918.
Deri në vitin 1925, jetoi në Napoli të Italisë dhe po atë vit erdhi në Shkodër, ku familja u vendos përfundimisht, dhe qëndroi deri në mars 1991. Zhak Arditi, pati gjashtë fëmijë, katër djem dhe dy vajza. Nga këta fëmijë, Virxhinia vdiq aksidentalisht. Moisiu, më i madhi, banonte në Shkodër, kurse sot rron në Izrael, ndërsa pjesa tjetër e familjes së Zhakut, nuk rron më dhe për këta do të flitet më poshtë. Moisiu punoi përkthyes, pastaj në vitin 1934, së bashku me dy shokë, hapi zyrë përfaqësish në Durrës, por këtë punë e la, sepse tregtia me Italinë në kohën e pushtimit Italian, nuk bëhej me anë përfaqësish, por drejtpërdrejt midis fabrikave dhe tregtarëve. Pas çlirimit, ai u kthye në Shkodër, ku punoi si farmacist. Ndërkohë në vitin 1941, u martua me Stela Mark Feuerstein, edhe kjo izraelite me origjinë polake, si nga i ati ashtu dhe nga e ëma.
Moisiu ka dy vajza dhe një djalë. Vajza, Silvia, lindi në vitin 1942, jetonte në Tiranë dhe sot rron e martuar në Izrael, me Moisi Haim Batinon dhe ka dy djem. Vajza e dytë, Elena, lindi në vitin 1943 dhe rron e martuar në Tiranë, me Xhoxhi Konën dhe ka një djalë e një vajzë. Në vitin 1948, Moisiut i lindi i biri, Xhoxhi, i cili rronte në Shkodër, i martuar me Sara Jessulla Batino dhe ka dy djem. Qysh nga viti 1991, familja Arditi e zgjeruar jeton në Izrael. Të ardhur nga Janina, në vitin 1910 u vendosën në Gjirokastër, Jakov Batino dhe gruaja e tij, Sara (e quajtur Sarina). Fillimisht ata shkuan në Leskovik, pastaj, pas një kohe të shkurtër, erdhën dhe u vendosën në Gjirokastër. Kjo familje, përveç prindërve, përbëhej nga pesë djem. Më i madhi nga këta, Haimi, u martua me Eftihia Maca, izraelite nga Janina. Kanë dy djem dhe një vajzë, Zhak, Moisi dhe Sara (e quajtur Sandra) e martuar kjo me Avram Elissaf Ganin, dhe kanë një fëmijë. Haimi është gjallë, ndërsa e shoqja, ka vdekur më 1980.
Djali i tretë i Jakov Batinos, David (Xhon) Batino, i martuar me Esterin, izraelite nga Janina, vdiq në Tiranë më 1980, pa lënë fëmijë, kurse e shoqja rron në Izrael. Edhe djali i katërt, Jesullai, i martuar me Malká (të quajtur Rexhina) Biro Kantozin, ka vdekur dhe ka lënë dy vajza, Florën dhe Sarën, që është martuar me Xhoxhi Arditin në Shkodër. Djali i fundit, Menahemi, i martuar me Malká (të quajtur Rexhina), Eliasaf Ganin, deri në mars 1991, banonte familjarisht në Tiranë. Kanë një djalë të martuar, të quajtur Zhak (shkurtimisht Zhakuli). Kanë edhe një vajzë, të martuar në Vlorë me Moris Kuretan. Një nga vëllezërit, Marku, djali i dytë, pas Luftës u kthye nga Gjirokastra në Janinë, ka vdekur dhe ka lënë atje të shoqen, Nina Josef Jakoel, të birin, Pepo Batino, dhe një vajzë, Ana, të martuar në Selanik.
Në fillim të shekullit, i ardhur nga Preveza, në Vlorë ka banuar për njëfarë kohe, David Kabiliu, i cili më vonë ia dorëzoi dyqanin nipit të tij, Nesim Jakov Levi. Ky thirri dhe prindërit të cilët, pasi jetuan në Vlorë disa vjet, vdiqën dhe u varrosën aty. Rreth vitit 1910, erdhi në Vlorë në fillim provizorisht Rafael Jakoel, i cili punonte si komisioner, midis Janinës dhe Vlorës. Më vonë, gjatë Luftës së Parë Botërore, ai u martua në Vlorë me Sara (Sandra) Josef Matathinë, kështu që, pas një periudhe të shkurtër, gjatë së cilës vetë rrinte në Vlorë dhe familjen e mbante në Janinë, vendosi të qëndrojë përfundimisht në Vlorë. Sikurse u përmend më sipër, ata kishin pesë fëmijë: Eftihia, Josefi, Eriketa, Eftimia dhe Viktori.
Për familjet e Nesim Levit dhe Rafael Jakoelit, u fol kur u dhanë hollësi për fëmijët e Josef Matathisë, sepse i pari mori për grua vajzën e madhe dhe i dyti vajzën më të vogël, Sara (të quajtur Sandra). Rreth kësaj datë, nga Preveza erdhi në Vlorë, Elisaf Avram Ganiu, i cili pruri me vete edhe prindërit, të ardhur nga Napoli, prej ku donin të largoheshin për shkak të humbjes në moshë të re, të djalit të tyre, Nesim. Ai u martua me Ester Ilia Jakoel, lindën tre djem, Avramin, Elion dhe Nesimin, dhe një vajzë, Malká (Rexhina), të martuar me Menahem Jakov Batinon, që jetonin të gjithë në Tiranë e në Lezhë, kurse në mars 1991, u vendosën në Izrael. Familja Kofina, e përbërë nga vëllai i madh Matathia (Mato) dhe nga më i vogli, Samuel, e nga motra e tyre, Reveka, u vendosën në Gjirokastër nga Janina në vitet 1916-1917. Ata qëndruan përfundimisht aty. Mato u martua dhe pati një djalë, Solomon, i cili rron sot në Gjirokastër, dhe një vajzë, Beba, që jeton në Tiranë. Motra, Reveka, është në Tiranë, e martuar, pa fëmijë. Samueli vdiq në Gjirokastër, i pamartuar.
Në vitin 1923, u vendos në Vlorë i ardhur nga Janina, Jehuda Sareta. Ky u martua me Refko Ilia Solomon. Nga kjo martesë lindën katër vajza dhe dy djem. Njëri nga djemtë, Ili, ka vdekur dhe është varrosur në Vlorë, ndërsa i dyti, Rodolfi, deri në prill 1991, banonte në Vlorë me të shoqen Keti, e familjen e tij, dhe këtej u transferua në Izrael. Këtu është vendi për të nderuar kujtimin e Jehuda Saretës, i cili ka ushtruar funksionet e “hazzan”-it, për më shumë se 40 vjet. Vështirë është të kujtohen festimet fetare, martesat apo varrimet, pa pasur para syve të izraelitëve të Vlorës, imazhin e figurës së thjeshtë, të përunjur, por madhështore të tij. Nga katër vajzat, dy jetuan vejusha në Vlorë, njëra edhe ajo në Vlorë, së bashku me familjen, kurse e madhja, u shpërngul përfundimisht në Janinë.
Më 1925 nga Preveza erdhi në Vlorë, Jakov Ilia Batino dhe pas tij, vëllezërit Haim dhe Samuel Batino. Kur vendosën të qëndrojnë në Vlorë, sollën aty të atin, Ilia, dhe nënën, Malka. Këta erdhën në Vlorë në vitin 1925 dhe vdiqën e u varrosën në varrezat e vogla izraelite, të qytetit. Jakov Batino vdiq në Vlorë, i pamartuar. Haimi u martua me të bijën e Jehuda Saretës, të quajtur Lika, e cila deri në vitin 1990, jetonte në Vlorë, nga ku u transferua në Janinë. Haimi ka vdekur, dhe nga martesa ka pasur dy djem dhe një vajzë. Samueli u martua me vajzën tjetër të Jehudës, të quajtur Ana. Kjo rron, ndërsa Samueli ka vdekur dhe është varrosur në Vlorë. Ai nuk ka lënë fëmijë.
Jakov Ilia Solomoni, me vëllezërit e tij, Nesim Joseko dhe Moisi, erdhën nga Janina në Vlorë, në vitin 1919. Fillimisht Jakovi, ishte këpucar, prandaj ia kishin ngjitur nofkën; Jako Kundraxhiu. Më vonë ai dhe vëllezërit e tij, u morën me tregti.
Jakov Solomoni, u martua me të bijën e Mushon Kantozit, Eftiminë. Jakovi vdiq në vitin 1946, në Beograd, ku kurohej, dhe u varros atje. Ai pati katër djem, e një vajzë. Vajza e quajtur Zhaneta (Neti), vdiq në moshën 17 vjeç në vitin 1936. Djali i madh, Ilia (i quajtur Bohor, shkurt Hori, pikërisht si më i madhi), është martuar me Zoi Kabili nga Janina dhe ka dy djem e një vajzë, të gjithë të martuar dhe me fëmijë. Djali i dytë i Jakovit, Moisiu, është martuar me Zhaneta Davidin nga Janina, ka një djalë të martuar, me një fëmijë, dhe deri në mars 1991 jetonin në Vlorë, nga ku shkuan në Izrael. I treti, Menahem (Minush) është martuar me Gracia Kohen, të bijën e Shemo Kohen, dhe në 1990, shkoi në SHBA-ës. Vëllai më i vogël, Leoni, është martuar dhe jetonte me gruan e dy vajza në Vlorë, deri në mars 1991. Në këtë datë u kthye familjarisht në Izrael. Nesim Joseko Solomoni, është martuar me Xoja Negrin dhe kanë një vajzë, Ana, të martuar me Pepo Shemo Kohenin. Vetë Nesimi, ka vdekur në rrethana tragjike në vitin 1944, ndërsa e shoqja rron në Izrael.
Moisi Solomoni, është martuar me Ninën, ka tre djem dhe një vajzë. Moisiu vdiq në vitet ’30-të, duke i lënë fëmijët jetim. Ka qenë meritë e gruas së tij, që u rritën përmes sakrificave dhe ia dolën mbanë. Vajza, Zhani, është martuar me David (Xhon) Moisi Matathia, i cili ka vdekur. Ka dy djem të martuar që jetonin në Vlorë. Nga djemtë, më i madhi, Ilia, ka vdekur në vitin 1989; i dyti Avram (Mimiko) është martuar me Mirela Solomonin, kurse i treti, Danieli, rronte edhe ai i martuar në Vlorë. Katër fëmijët e Moisi Solomonit, në mars 1991, u kthyen në Izrael. Të gjithë kanë fëmijë. Një tjetër vëlla i Jakov Solomonit, i quajtur Solomon Ilia Solomon, ka vdekur shumë kohë më parë. Ai la një vajzë, që u martua në Athinë, si dhe dy djem. I vogli humbi në Luftë. I madhi, Ilia Solomon, jetonte në Vlorë bashkë me gruan, Sarica Negrin. Kanë dy vajza të martuara.
Aty rreth vitit 1900 erdhi në Delvinë Beniamin Levi nga Janina. Kishte dy djem, Baruhun dhe Josefin. Kishte dhe dy vajza. Nga këto, e madhja, Esteri, vdiq në vitin 1942, ndërsa e dyta, Eftihia, u martua në Korfuz dhe u deportua tok me izraelitët e atjeshëm, në vitin 1944. Ajo humbi në kampet naziste të shfarosjes me të shoqin dhe një vajzë. Baruhu u martua me Esterin, të bijën e tretë të Jehuda Saretës dhe pati një djalë e tri vajza, të cilat të martuara jetonin në Vlorë. Në mars 1991, të gjithë kaluan në Izrael. Josefi, vdiq pa lënë fëmijë. Në vitin 1930, erdhi në Tiranë si agjent i shoqërisë së lundrimit “Cunard Line Mark Feuerstein”, lindur më 1878 në Zbavash (Zbavacs) të Polonisë, së bashku me gruan, Françeska Wetzler, nga Krakovi (Poloni). Mark Feuersteini, u emërua në vitin 1931, Konsull Nderi i Suedisë. Në ato vite mori shtetësinë shqiptare.
Çifti Feuerstein pati vetëm një vajzë, Stelën, e cila e filloi universitetin në Vjenë në vitin 1932 për filologji dhe i vazhdoi studimet në Gjenevë (Zvicër). Për shkak të luftës, erdhi në Tiranë pranë prindërve dhe u martua me Moisi Zhak Arditin. Mark Feuesteini vdiq në Tiranë, në vitin 1939 dhe e shoqja në Shkodër, në vitin 1954. Nuk dihet me saktësi data e ardhjes në Shqipëri, të doktor Lazlo Kalmarit nga Hungaria, por dihet se në revistën “Jeta e Re”, (faqe 65 e vitit 1930), ai ka shkruar artikullin; “Kurimi klimatik i tuberkulozit në Shqipëri”. Në vitin 1939 iku në Jugosllavi, vendlindje e së shoqes, prej nga u kthye në vitin 1941 në Prishtinë, ku e priti doktor Spiro Lito. Doktor Kalmari erdhi në Shqipëri për shkaqe që nuk kanë lidhje me përndjekjet racore. Ai punoi për një kohë të gjatë si mjek fiziolog. Në vitin 1965, tashmë në moshë të thyer dhe veçanërisht i nderuar dhe i vlerësuar nga qeveria, për shkak të punës së tij të kualifikuar dhe të ndërgjegjshme në Shqipëri, ai u kthye në Jugosllavi dhe qysh nga ajo kohë, nuk kemi marrë më lajme për të.
Isak Kohen, me origjinë nga Selaniku, erdhi për punë në Korçë në vitin 1925 dhe në vitin 1935 u vendos në Durrës, ku solli edhe familjen e tij, të përbërë nga e shoqja, Matilda, vdekur në vitin 1941 në Durrës dhe varrosur në Vlorë. Kishte edhe një vajzë, Hrisin, të martuar në Vlorë me dentistin Ilia Moisi Matathia dhe deri në mars 1991 banuese në Tiranë. Kishte edhe të birin Mino, i cili pas çlirimit, në vitin 1946 iku dhe u vendos në Haifa, Izrael, ku është edhe dhe sot. Edhe Isak Koheni iku nga Shqipëria për në Izrael në vitin 1962 dhe vdiq atje. Rreth atyre viteve erdhën nga Janina në Vlorë dhe u stabilizuan atje Aneta Negrin dhe djali i saj Moisi. Në vitin 1952, Aneta shkoi në Izrael dhe vdiq atje. Moisi, martuar me Fortunata Solomon, krijoi familje në Vlorë dhe deri në mars 1991 banonte aty, nga ku u kthye e u vendos në Izrael. Pothuaj në këtë kohë, rreth vitit 1935, erdhi në Vlorë familja e Ilia Kohenit, e përbërë nga e shoqja Aneta, e bija Nina dhe i biri David (Xhon). Në vitin 1965, pasi vdiq kryetari i familjes, kjo familje u shpërngul pjesërisht në Greqi dhe pjesërisht në SHBA-ës. Memorie.al
Marrë nga voal.ch
Vijon numrin e ardhshëm