Nga Petraq Xhaçka
Pjesa e nëntëmbëdhjetë
Memorie.al /Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkte me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e gazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.
Përsëri punë e tensionuar ditë e natë, me kritika të shumta e të padrejta nëpër mbledhje, konferenca, aq sa dhe jeta u bë më shumë se e padurueshme. Udhëheqja e shtetit vazhdonte t’i hiqte sytë nga realiteti i vendit, që me atë intensitet të lartë kërkimi do të shtereshin objektet e mundshme perspektive për naftë e gaz. Në kongresin e partisë të vitit 1981, ata trumbetuan se nafta do të vijë duke u rritur shumë dhe prodhimi do të arrijë nivelin e tre milionë tonëve në vit, dhe kuptohet asnjë nga specialistët, nuk mund t’i kundërshtonte këto shifra të pabazuara, sepse dhe vetëm për metrazhin që morën nisiativën disa specialist, për të thënë një të vërtetë, përfunduan si armiq burgjeve dhe internimeve.
Dëshmi e terrorit në të cilën jetonin e punonin specialistët e naftës, ishte dhe jeta fatkeqe e shokut tim të ngushtë të shkollës së mesme, nga grupi i teknikëve të parë gjeologë në Shqipëri, ajo e inxhinierit Tomi Kristo. Ai punoi shumë vjet si pedagog në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Gjeologji-Minierave dhe ishte një nga pedagogët më të aftë, më të komunikueshëm me studentët. Në një kohë ai u fut në listën e gjeologëve që duhej të qarkullonin në bazë. Përveçse një njeri i ndershëm, Tomi ishte një specialist mjaft i zgjuar. Zotëronte dy gjuhë të huaja, anglishten dhe rusishten, kishte një kulturë e horizont të gjerë e sjellje shembullore. Sipas disa kritereve absurde dhe të dëmshme që u vendosën për qarkullimin e kuadrove, duhej që pas dhjetë vjet pune në një institucion, kuadri të lëvizej në një punë tjetër.
Sigurimi i Shtetit, e përfshiu fatkeqësisht Tomin në grupin e ekspertizës, për të mbledhur materialin që do të argumentonte sabotimin e specialistëve dhe kuadrove, që tashmë ishin arrestuar në aktivin e naftës në Patos në vitin 1975. Ky grup u krijua nga Sigurimi i Shtetit dhe hetuesia, pas arrestimit të tyre për të ndihmuar hetuesinë, qe do të gjente fajet dhe veprën e krimit sipas stilit diktatorial. Ishte e natyrshme që këto grupe të ngritur, pasi personat e caktuar fajtorë ishin arrestuar, do të bënin çmos, disa me dëshirë e disa me frikë, të gjenin ndonjë fakt argumentues. Ose do të nxiteshin të keq interpretonin ngjarje reale, që t’i paraqisnin si vepra sabotimi. Rruga e tyre ishte one-way. Për kthim as që mund të bëhej fjalë, ndryshe edhe ata viheshin kollaj në bangën e të akuzuarve.
Tomi ishte i ndryshëm nga pjesëtarët e tjerë të grupit të ekspertizës, të cilët më pas u bënë bashkëpunëtorë të përhershëm të Sigurimit të Shtetit në këto grupe dhe madje e shijonin kënaqësinë e kësaj pune të pistë. Këta shfaqnin tendenca keqdashëse, e linin anash drejtësinë dhe i jepnin fakteve disa interpretime të padrejta, subjektive, duke mos i parë gjërat në tërësi, në vartësi të kohës kur kishin ndodhur e mundësive që ekzistonin realisht për të vepruar ndryshe. I vinin detyrë vetes, që të shfajësonin sa më shumë udhëheqjen e partisë në veprën e saj kriminale kundër specialistëve të naftës. Hidhnin pa kursim baltë mbi kolegët e tyre, kur në mjaft raste kishin qenë të pranishëm edhe vetë në miratimin e pikave, që tani i cilësonin puse të sabotuar, ngaqë ishin shkelur orientimet e partisë! Për cilindo lindte pyetja normale, përse këta specialist, nuk i thoshin rezervat e tyre gjatë mbrojtjes, por i miratonin ato puse pa asnjë vërejtje?
Ata nuk e kishin patur fare atë bindje, se nuk i frenonte askush që ta shfaqnin. Përveç kësaj, në më të shumtën, gjykonin mbi thënie të mbajtura jo saktë në proces-verbalet. Këtë në e ndjemë edhe mbi kurrizin tonë. Pas shembjes së diktaturës, dy persona të ekipit të ashtuquajtur të ekspertizës, për veprimtarinë e grupit tonë, erdhën e më kërkuan falje, për ato që shkruan e vunë firmën. Ata u shfajësuan se kishin qenë të detyruar, edhe pse vetë ishin të bindur, që akuzat kundër nesh nuk qëndronin dhe nuk ishin të vërteta. Ne natyrisht e kishim kuptuar fare mirë se si bëheshin këto lodra. Nuk u mbajtëm mëri këtyre kolegëve që patën kurajën të thoshin të vërtetën, e të kërkonin ndjesë.
Nga kjo punë e pavullnetshme që bëri Tomi në grupin e ekspertizës, filloi të vuante shpirtërisht, se e kuptonte që ishin akuza të trilluara dhe si pasojë e kësaj lufte të brendshme, u sëmur rëndë në sistemin nervor.
U mjekua në spital, por megjithatë sëmundja po e vinte poshtë. Brerja e ndërgjegjes ishte e jashtëzakonshme dhe ia rëndonte sëmundjen. Pasojë e menjëhershme ishte edhe tek Tomi, deliri i ndjekjes dhe i persekutimit nga Sigurimi i Shtetit, gjë që ne, shokëve të afërt, na e thosh hapur. Arriti deri aty, sa disa herë a tha dhe vetë punonjësve të Sigurimit: “Ju po më ndiqni. Përse?” Në këtë fazë të sëmundjes, ai vendosi të prishte fejesën e tij më një vajzë studente. Zhaneta, ime shoqe, e takoi Tomin një ditë në rrugë, në Tiranë. – “Përse e le të fejuarën, Tomi?! Ne u habitëm, – i tha Zhani. – Ajo ishte një vajzë shumë e mire”. Ai iu rrëfye gruas sime: -“Pikërisht ngaqë ishte vajzë shumë e mirë, e ndava. Unë e desha aq shumë, sa vendosa të mos e dëmtoj jetën dhe të ardhmen e saj. Unë, Zhani, nuk i kam mirë punët”.
Pas ca kohësh, tek po punonte në zyrën e tij, në katin e tretë të Institutit, ai tentoi të hidhej nga dritarja. Në kohën që po tentonte, për fat të mirë, hyri në zyrë një kolegu i tij dhe e pengoi ta bënte këtë vepër tragjike. Më njoftuan ç’kishte ndodhur dhe unë e takova e qëndrova gjatë me të, pa ia zënë në gojë tentativën e vetëvrasjes. Iu luta një shoku të zyrës, që të mos ia ndante syrin e ta ruante gjatë gjithë kohës, se mos bënte ndonjë përpjekje të dytë. Pastaj vumë në dijeni spitalin dhe me takt të madh e nisëm tek mjekët, në spitalin Psikiatrik të Tiranës, ku bëri mjekimet e nevojshme. Ndërkohë unë bëra menjëherë përçapje në organet e nomenklaturës dhe ata u bindën dhe ndihmuan që Tomi të kthehej përsëri pedagog në Universitetin e Tiranës. Patëm shpresën e shërimit të tij të plotë. Kështu Tomi Kristo punoi më shumë se një vit. Por një ditë fatkeqe të vitit 1980, pasi u pat dhënë leksion studentëve, i gjori Tomi u kthye në dhomën ku banonte dhe i dha fund jetës me helmim.
Kësisoj inteligjenca e re shqiptare humbi një nga bijtë e saj, të talentuar, të ndershëm dhe të pafajshëm, që nuk mundi dot të përballonte dhunën e terrorin, që fatkeqësisht i njohu nga afër, me grupin e ekspertizës të grupit të krijuar artificialisht si armiqësor nga diktatura komuniste shqiptare. Sipas rregullave dhe normave të vendosura nga partia në Shqipëri, aktet e vetëvrasjeve dënoheshin ashpër, kështu që dhe varrimi i shokut tonë fatzi, u bë pa asnjë respekt nga organet shtetërore. Pushtetarët, mbasi e shfrytëzuan mirë, nuk u kujdesën aspak që ta varrosnin me nderime. Megjithatë gjene mirë që nuk arritën deri në atë shkallë, sa ta dënonin si armik, sepse dhe kjo ndodhte shpesh dhe mund të ndodhte edhe në këtë rast, fare kollaj. Një tjetër viktimë e këtij regjimi totalitar, ishte dhe inxhinieri mekanik, Niko Goxhobashi, që për shkak të origjinës së tij pasanike, u fut në listat e të përjashtuarve nga Instituti në vitin 1975. Tre vjet më vonë, e arrestuan për agjitacion e propagandë, sepse gjatë një bisede shoqërore me një kolegun e tij të punës, pati thënë se Pali Miska, anëtari i Byrosë Politike, i këtij organi më të lartë të piramidës, nuk ishte i aftë.
Shoku i tij, e kishte denoncuar vlerësimin për drejtuesin partiak dhe Goxhobashi u arrestua e u dënua me dhjetë vjet burg politik. Tani edhe në vendin tonë, kjo ngjarje duket në kufijtë e të pabesueshmes, por është tërësisht e vërtetë. Kjo atëherë ndodhte jo rrallë në Shqipëri, megjithëse qytetarët e botës së lire, as atëherë nuk do të arrinin, jo më ta kuptonin, por ta përfytyronin. Dhe e gjithë kjo masë dënimi, bëhej ndaj një specialisti të rritur në vitet e të ashtuquajturit pushtet popullor, një pionieri të shërbimit gjeologjik shqiptar, që pa e tepruar, kish mijëra herë më shumë vlerat e atij që shau. Si inxhinier mekanik i diplomuar, Niko Goxhobashi, u shqua për punë të pastër me kontribut të madh në zgjidhjen e projekteve mekanike, në luftën me rrezik jete, në shuarjen e fontanave.
Në atë periudhë ndodhën edhe turbullira të mëdha në majën e piramidës së diktaturës komuniste. Udhëheqësi i partisë, Enver Hoxha, dënoi gabimet e rënda të shokut të tij të armëve, kryeministrit Mehmet Shehu. Nga shtypi partiak u njoftua me komunikatë, se Shehu vrau veten, por më vonë në zhvillimet demokratike në vend u dhanë në shtyp disa versione tregimesh nga persona që kishin punuar në këto rrethe qeveritare. U tha se ai nuk u vetëvra, por e vranë, gjë për të cilën unë nuk them dot asgjë të saktë. Kryeministri gjithsesi, u cilësua si; “spiun i imperializmit amerikan”, gjë që u rropatën ta dokumentojnë e nuk e arritën kurrë.
Paranojaku Enver Hoxha, luante me të gjithë këta si macja me miun. Ai, si edhe herë të tjera, ngrinte njërin kundër tjetrit. Kështu ngriti Kadri Hazbiun, të dënonte veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut, ndaj partisë e vendit dhe më vonë, edhe vetë këtë ish-ministër të Punëve të Brendshme e ministër të Mbrojtjes për shumë vite, një nga figurat më të njohura të partisë, e arrestuan dhe e dënuan me vdekje, si armik e tradhtar të atdheut, vetëm një vit pas Mehmet Shehut. Ishte i katërti ministër i Brendshëm që pushkatohej si tradhtar i atdheut, natyrisht besoj pa qenë të tillë, sepse asnjëherë për më shumë se gjysëm shekulli, nuk u paraqit asnjë dokument i vërtetë, për këto akuza. Shumë e vështirë të besohet që të gjithë këto kuadro kryesorë të shtetit, të organit më të rëndësishëm të diktaturës, që kishte bërë gjithë ato persekutime në popull e njerëz të pafajshëm, të ishin armiq të Enverit.
Me ministrat e Brendshëm tek ne, ndodhte saktësisht si me ministrat e Stalinit dhe fatet e tyre ishin lidhur me të fshehtat e tmerrshme qe dinin dhe binin vetvetiu viktima të politikes së zhdukjes së dëshmitarëve. Ata më mirë se kushdo e dinin se si diktatorët u bënin varrin shokëve të vjetër për ta mbushur Politbyronë, me njerëz të rinj pavlera e pa personalitet. Në popull, këto ngjarje u pritën me habi, sepse ishin figurat më me autoritet gjatë Luftës partizane dhe më vonë gjatë pushtetit komunist, për dekada të tëra. Të gjithë kuadrot e vjetra që kishin drejtuar Lëvizjen Nacionalçlirimtare ishin shpartalluar: disa pushkatuar, disa burgosur përjetësisht, të tjerë vuanin internime të rënda. Ishin vetëm dy a tre ushtarakë, që hanin prej vitesh ca pensione të mjeruara të parakohshme. Mbas kongresit të partisë të vitit 1981, vjen në industrinë e naftës për disa ditë, për t’u njohur me punën që bënin institucionet e këtij sektori, një nga këta njerëzit e rinj të Byrosë Politike, Besnik Bekteshi.
Ne kujtimet e tij për Enver Hoxhën, ky mburravec shkruan se; kur pat shkelur në naftë, me “gjenialitetin” e tij, kuptoi atë që mijëra e mijëra punëtorë, teknikë, specialistë të lartë naftëtarë, nuk e kishin kuptuar dot: që në industrinë e naftës, kishte vërtet sabotim. Bekteshit i duhet njohur vetëm merita, se duke e patur në gjak spiunimin, kur diktatori e dërgoi në sektorin tonë, ai ia lexoi të “Sëmurit të Madh”, dëshirën e fabrikimit të sabotatorëve në naftë. Ai vetëm sa hodhi benzinë në këtë zjarr, që mbante prej kohësh ndezur udhëheqësi.
Kuptohet pra që nuk ishte përfundim i vet, por ideja e atij që e ngriti Bekteshin nga hiçi, në majë të piramidës. Kujtdo, veç Bekteshit, do t’i binte ne sy se sa absurde dhe idiote është, të thuash që për tre katër ditë, pa e ndarë prapanicën nga vetura, ai arriti në këtë përfundim të madh. Ne të burgosurit e fundit naftëtarë, gjatë burgimit dëgjuam histori për të, nga shumë të burgosur të tjerë, të cilët vinin nga kampi i kantierit të Laçit, ku dikur pat punuar si inxhinier, Besnik Bekteshi.
Ata tregonin se; kur vinte ky për të parë punën e kryer, të burgosurit kishin më shumë frikë inxhinierin, se sa operativin e kampit. Ishte kjo arsyeja pse ky njeri, i cili për mbi dy vjet iu shmang punës së vështirë të hidrocentralit, çuditërisht u zgjodh në Byronë Politike! Po tani, kur kanë kaluar afro njëzet vjet pa u zbuluar asnjë vend-burim i ri nafte, çfarë thotë vallë ky besnik i diktaturës?! Apo edhe kompanitë e huaja vazhdojnë sabotimet?! Ky pjesëtar i këtij krimi, në dënimin e grupit të naftëtarëve të pafajshëm, në periudhën e demokracisë, çuditërisht nuk u dënua as edhe “për shpenzimet e vogla të kafeve”, si kolegët e tjerë të tij?! Mos vallë disa politikanë nuk i kanë lexuar këto kujtime mburravece “bekteshiane”?! A nuk ndalen njëherë këta që sot bëjnë politikën në Shqipëri, të bien në mendime për tërë ato familje që vuajtën nga persekutimi për vite të tëra nga që kishin njerëzit e tyre në burgjet e tmerrshme të diktaturës? A nuk u vjen keq për artistin e talentuar të karikaturës, naftëtarin e ndershëm Enriko Veizi, i cili u sëmur në burg nga kushtet e këqija dhe u nda nga jeta para kohe?!
Xhaçka mund të arrestohet, por ai nuk di gjë!
Në vitin 1983, më shkarkuan nga detyra e drejtorit të Institutit dhe me caktuan të punoj po në Institut, si specialist i thjeshtë. Ishte momenti më i përshtatshëm për të më plotësuar të vetmen kërkesë, që kisha bërë për vite të tëra, për të më lënë të lirë të kaloja me punë si pedagog. Ishte koha që më në fund të rikthehesha në Tiranë, në qytetin tim të dashur të lindjes, ku kalova fëmijërinë e rininë. Burokratët shtetërorë, përsëri nuk ma dhanë këtë kënaqësi! Ëndrra ime për të kaluar një pleqëri pranë të afërmve të mi në Tiranë, tashmë u shuan tërësisht. Të gjithë shokët që më rrethonin, e dinin dashurinë time për Tiranën, megjithëse jetova mbi tridhjetë e pesë vjet larg saj. Unë vazhdova të jem një simpatizant i flaktë i skuadrave sportive të Klubit “17 Nëntorit” dhe ky mbeti deri në fund si premtim besnikërie për vendin me kujtimet më të bukura. Dhe djali im, Genci, e ruajti këtë “trashëgimi” dhe ndiqte me pasion të tërbuar skuadrat e këtij klubi.
(Dhe tani në moshë të rritur, djali, i cili përfundoi studimet e larta për inxhinier për shkencat kompjuterike në Amerikë, vazhdon të mbajë në piknikë e vrapime gjimnastikore, një kostum të mirë sportiv, të cilin mundi ta sigurojë tani së fundi nga sport-klubi i kryeqytetit). Megjithatë, shkarkimi nga detyra e drejtorit, nuk sillte asgjë të keqe për mua, përkundrazi! E prita me gëzim këtë, se mendova që do të isha më i qetë në punë dhe do të më krijohej mundësia, të merresha më shumë me studimet shkencore, që ishin pasioni im. Deri në atë kohë, unë kisha hartuar tre libra për studentët universitarë për fushën e përllogaritjeve të rezervave të naftës, ku qysh në vitin 1974, kisha nxjerre edhe një formulë timen.
Për herë të pare, botohej në literaturën e huaj, formula e një shkencëtari shqiptar. Ajo u përligj tërësisht shumë vite më vonë edhe me metodat e modelimeve matematikore, të bëra nga profesorë të Universitetit të Tiranës për vend-burimet e naftës të vendit tonë. Nga literatura për naftën në Shtetet e Bashkuara te Amerikës, u botua pas afro dhjetë vjetësh, një artikull ku nga shkencëtarë të këtij vendi të madh industrial, arrihej pothuajse në të njëjtin përfundim. Por jo, mjeshtrit e së keqes, nuk më shkarkuan se u dhimbseshin planet e mia. Ata kishin në kokë plane të tjera, të cilat unë as që mund t’i përfytyroja, duke e menduar veten të mbrojtur nga rezultatet e mia, të larta gjatë një jete të tërë me punë.
Njeriu e ka vështire të flasë për veten e tij, por për rrethanat dhe akuzat e pabaza që m’u bënë më vonë nga udhëheqja komuniste, jam i detyruar të them në vetëmbrojtje, disa aspekte. Kështu gjatë mbrojtjes që i bëja temës së disertacionit tim, një nga gjeologët e vjetër me eksperiencë dhe me kontribut të madh në forcimin e punës në kërkimet e naftës, midis të tjerash, në adresë time, theksoi: “Ishte një fakt i pamohueshëm që duke filluar nga viti 1960, e deri tani, në vitin 1980, ne kemi zbuluar vend-burime të rinj nafte e gazi, vetëm gjatë kohës që shërbimin gjeologjik të kërkimeve të naftës e gazit, e ka drejtuar Petraqi. Çdo vend-burim i ri, mban djersën, kontributin shkencor të shquar të tij, ka orientimin e drejtë e të argumentuar shkencor të vendeve të përhapjes dhe kryerjes së punimeve gjeologo-gjeofizike, e të projektimeve të puseve. Në çdo studim, është ndikimi i madh i tij, me konsulta e diskutime shkencore.
Kudo është firma tij, e pikënisjes dhe miratimit të studimit. Ai kurdoherë ka treguar jo vetëm në gjeologji, por dhe në nxjerrjen e naftës, një përgatitje të lartë shkencore dhe i ka dhënë a zgjidhje të drejta shumë rasteve e momenteve të vështira e delikate, në sektorin e naftës”. Këtë kontribut, ishin detyruar a pranonin edhe ata që në fakt nuk më deshnin. Në këtë libër kujtimesh, jam detyruar që të jap vetëm pak aspekte të rëndësishme të kontributit tim. A do të mjaftonin vetëm ato, për të vërtetuar ndershmërinë dhe punën time të frytshme, për vendin tim. Dua të përmend se edhe kur kam vajtur në disa shtete të tjera për shkëmbim përvoje, apo në konferenca e kongrese ndërkombëtare, jam munduar të mbroj me dinjitet, nivelin shkencor të naftëtarëve shqiptarë.
Po përmend vetëm dy raste prej tyre: Në vitin 1964, një grup prej pesë vetash, shkuam si delegacion nafte në Kinë. Ne aty shkëmbyem përvojën e dy shteteve tanë, me veprime reciproke. Një dite, drejtuesit e gjeologjisë së ministrisë së këtij shteti, po më tregonin për punimet e tyre kërkimore, jo të shumta në shkëmbinjtë gëlqeror, ku deri në atë kohë kishin patur vetëm rezultate negative. Ishte një strukturë, ku ata kishin shpuar dy apo tre puse dhe nuk kishin zbuluar as naftë, e as gaz. Pasi më informuan me detaje në bashkësi me hartat përkatëse, mendimi i im ishte që ata, nuk i kishin vendosur drejt puset e kërkimit dhe si rrjedhojë, i parashtrova mendimet e mia.
Me vështirësi mbaj mend vitin, por duhej të ishte rreth viteve 1973-‘74, kur në Shqipëri erdhi një delegacion i naftëtarëve kineze, me në krye zëvendësministrin Tan Ke. Në një banket që u shtrua për nder të tij në vendin e bukur turistik të Dhërmiut, në fjalën e vet të përshëndetjes, midis të tjerash, ai tha:
– “Në emër të qeverisë kineze, falenderoj krye gjeologun e kërkimeve të naftës shqiptare, shokun Petraq Xhaçka, për kontributin e shquar që ka dhënë gjatë vizitës së tij në vendin tonë. Sipas këshillave të tij, ne shpuam dhe zbuluam vend-burimin e parë të naftës në shkëmbinjtë gëlqerore në Kinë.
Një herë tjetër, ishim një delegacion i gjerë i Institutit të Naftës, në Kongresin Ndërkombëtar të Studimeve Stratigrafike, në Greqi. Patëm rastin të njiheshim e të bisedonim edhe me disa drejtues, e gjeologë grekë.
Ne një nga këto takime me Krye-gjeologun e Korporatës Publike Greke, pranë Ministrisë së Ekonomisë, doktorin e shkencave gjeologjike, Dionysios Monopolis, ai me informoi dhe për një pus që kishin shpuar në Patras – 1. Ky kishte rënë në avari dhe tani ata do të shponin pusin e dytë. Rastësisht, ai me bëri të ditur dhe shkaqet e avarisë. Me qenë se pala greke, kishte rënë dakord me interpretimin e bërë nga pala rumune, për shkaqet e avarisë, në përputhje me kriteret e kontratës, kur avaria ishte objektive, shpenzimet e pusit të dytë, do t’i paguante pala greke. Unë e quajta të padrejtë e të gabuar përfundimin mbi shkaqet e avarisë: “për motivin e shpërthimeve të vetvetishme të nëndheshme”, dhe i shpjegova doktor Dionysiosit, se në ato kushte, nuk ndodh ai lloj shpërthimi, por kërkohen kondita të tjera. Kryegjeologu u interesua shumë për këtë mendim që i shfaqa dhe m’u lut mua, që të takoheshim përsëri të nesërmen. Unë u tregova i gatshëm për t’ia plotësuar kërkesën. Të nesërmen, si edhe ditën e parë, edhe si zakonisht, në shoqërinë e Sekretarit të Ambasadës tonë, shkova në zyrën e drejtorit të përgjithshëm të korporatës, (DEP). Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016