Nga Blendi Fevziu
Pjesa e parë
-Rrëfimi i Isuf Mullajt, si u rekrutua dhe u stërvit nga Sigurimi i Shtetit, e si u trajtua nga organet e zbulimit në Greqi?
Memorie.al / Isuf Mullaj, apo i njohur ndryshe si Cufe Mullaj, një ndër ish-njerëzit kyç të Shërbimit Sekret Shqiptar nëpër botë, rrëfen për herë të parë në “Opinion”, të gazetarit Blendi Fevziu, gjithçka për vitet e errëta të diktaturës. Rekrutimi fillimisht në Shqipëri dhe dërgimi në Perëndim, për të zbuluar sa më shumë informacione nga “armiqtë”. Dhe si i shpëtoi shërbimeve sekrete grek, pas torturave që vuajti në kampet e tyre?!
Zoti Mullaj, sa vjeç jeni?
84 vjeç i mbush tani, në shkurt. Megjithatë, sa të kemi fuqi dhe sa të kemi mundësi, do të themi ato gjëra që nuk bëjnë dëm dhe që…!
Ato që bëjnë dëm nuk i thoni…?!
Ato që bëjnë dëm, zbuluesit nuk i thonë ato.
Si u lidhët me Sigurimin e Shtetit dhe përse ju përzgjodhi Sigurimi për t’ju dërguar jashtë?
Është një histori e gjatë. Që në moshën e vogël, unë kam qenë student në shkollën Mbretërore në Tiranë, në 1938 dhe nga aty shkova në gjimnaz në Gjirokastër. Pastaj në vitin 1939, Italia fashiste atëherë sulmoi Shqipërinë, u prish edhe shkolla Mbretërore. Unë shkova në gjimnaz në Gjirokastër dhe vazhdova atje. U krijuan ato premisat që populli nuk dëshironte pushtues, duhet ta luftonin, u organizuan partitë, Lufta Nacionalçlirimtare. Unë isha simpatizues i zjarrtë i asaj lufte, si të gjithë të rinjtë atëherë, e gjithë rinia shqiptare e edukuar me historinë e rilindësve, lexonin sidomos kur ishim në shkollë, në gjimnaz, historinë e Skënderbeut, e të gjithë ne të rinjtë dëshironim të bëheshim si Skënderbeu.
Të bëheshim edhe ne të famshëm, të luftonin, pushtuesin mos ta linim që të rrinte në vendin tonë, kjo na frymëzoi që të merrnim pjesë aktive në Luftën Nacionalçlirimtare. Mirëpo, unë kisha një pengesë, pasi kisha babanë tim adhurues të Zogut edhe ishte oficer rezervë, i liruar në vitin 1935, por ishte në pension, 3 napolona flori në muaj në atë kohë ishte shumë, me një nam të madh, ne ishim si fshatar të mesëm, nuk ishim të varfër, por të mesëm. Bënim pjesë në shoqëri të lartë, babai im kishte shumë miq të njohur të asaj kohe, si ministra, kolonelë, gjeneral etj., dhe nuk shkëputesh dot më nga ajo sferë nacionaliste. Kështu që, nuk i përkrahte idetë e mia të luftës dhe me forca të majta nacionalçlirimtare.
Babai ishte kundër?
Babai im ishte kundër meje edhe unë kundër atij. Kjo ishte puna që ne ishim midis dy zjarreve, e gjithë familje, i gjithë fisi im, do të hidhej në një krah, apo do të hidhej në një krah tjetër. Përfundimi ishte se unë nuk u binda, që të isha me ato forca të djathta, farefisi im e dinte sigurisht, se i mbanin tepër iso babait, pasi ai ishte oficer, ishte i lartë, ai njihte Bahri Omarin, të tërë i kishte miq të ngushtë. Njihte prefektë, njihte edhe shumë të tjerë që anonin nga ata. Njihte Ali Këlcyrën, njihte Hasan Dostin, njihte të tërë elitën që ishte në atë kohë. Ky nuk shkëputesh dot prej tyre edhe e mbajti deri në fund këtë.
Forcat nacionalçlirimtare, duke qenë unë i biri një oficeri, kështu m’u vunë më shumë kujdes mua, u vunë me të gjitha forcat dhe mënyrat që unë të mos shkëputesha nga influenca e tyre, por të merrja pjesë aktive. Kështu u bë, ata që ishin organizues të Luftës Nacionalçlirimtare, për shembull, Dilaver Poçi, Bexhet Mema, ishin shumë nga këta, siç ishte shoku Dilaver, këto ishin më tepër të larguar, jo në Tiranë, ai pastaj u bë zëvendës-komisar batalioni në Tepelenë edhe nuk ndenji shumë në fshat. Ndërsa këto që rrinin në atë krahinë, ishte Bexhet Mema, Gani Aloçi, sekretar i celulës së Partisë Komuniste, në ilegalitet ishte atëherë, në një fshat afër nesh, e kisha shumë mik atë edhe Dilaveri që ishte komunist i ‘41-shit, shumë më donte mua, pasi unë e mbaja atje në stan, unë i jepja për të ngrënë dhe e fshihja.
Po pas luftës me çfarë u morët?
Pastaj që në 1944, vazhdoi kjo punë, këta mua aktivizuan, ma shpjeguan zbulimin sekret që atëherë.
Në cilin vit jeni futur?
Fundi 1942, fillimi ‘43-shit. Biseduam atëherë me tre katër, me Bexhet Memën, me Gani Alushin…!
Çfarë kuptohej me shërbim sekret në atë kohë?
Kuptohesh ne që të marrim të dhëna mbi italianët, mbi gjermanët, mbi lëvizjet e tyre, nga vinin e nga shkonin, të gjitha. Por, kishte edhe këtë, që të futej në prapavija të armikut, sepse ishte e zorshme, më kupton, gjurmoheshin. Ndërsa mua nuk më gjurmonin, ngaqë kisha një familje të lidhur me të. Po pra se babai, im ishte mik me Bahri Omarin, e me të tjerë, që ishim elitë dhe nuk kontrolloheshim. Kjo u shfrytëzua. Unë nuk doja të aktivizohesha në shërbime të tilla. Mirëpo, ata thanë, kjo punë që bën ti është punë e ndershme, të marrësh nga armiku, nga gjermani apo italiani, të dhëna, pasi ne nuk futemi dot atje, ti futesh në prapavijat e armikut. Kjo pati shumë rezultat, për mua, në luftë atje. Mirëpo, opinioni atje u hap që ky është një njeri indiferent, një njeri që nuk dëshiron të merret me këto gjëra, kështu që u maskova, u kamuflova në këtë mënyrë. Deri në ‘44-ën.
Pastaj këta shokët e mi, që ishin edhe ata si unë, shkuan u bënë komisar brigadash, komisarë batalioni. Por, nuk isha njësoj me ata, mund të isha edhe më i aftë. Domethënë, në terren do të rri unë, nuk mund të rrija dot më kështu, të shkelja luftë të hapur dhe këta më dërguan, e studiuan mirë këtë punë shokët e mi. Atëherë më thanë, e vendosën këtë celulat e tjerë, Ganiu, Çakalli i thoshim ne, tre-katër shokë të tjerë, më besnikët, ne do të dërgojmë në brigadë të Bicat, pasi ke edhe fshatarë të tutë, ishte zëvendëskomandant brigade atëherë, Mit’hat Koni. Do të dërgojmë atje, do të bëjmë ne një karakteristikë tonën, siç e dimë ne, të mirë, që ti të ecësh përpara shumë shpejt dhe të rikuperosh këtë kohë që ke humbur në terren. Kështu u bë. Më dërguan në brigadë dhe menjëherë më dhanë një zarf të mbyllur, nuk e hapa se ç’kishin shkruar ata brenda. E mora zarfin, u paraqita tek ai zëvendëskomandant brigade, fshatar ai, ishte edhe shefi i sektorit operativ, një Mit’hat Koni dhe fshatarë të tjerë u futën aty.
Kështu, unë vajta atje dhe vazhdova, disi e çuditshme, shef sektori operativ të brigadës, kishte një impuls që më dhanë, pasi nuk merrnin dhe i fusnin ashtu menjëherë. Vjen ai, më kap zëvendës-komisari i brigadës, që merresh me punë partie, me punë sekrete, se ato drejtonin edhe Sigurimin, zëvendës- komisarët. Më thotë, hajde këtu, më hapi atë zarfin, karakteristikat që kishin shkruar ata të terrenit. Më thotë që unë duhet të merrem me detyrë zbulimi, se ti më thotë, këtë ke bërë tërë kohën edhe kështu do të rrish. Ti je me zbulimin, më thotë mua, ti je me sektorin operativ të brigadës, mos e çaj kokën fare, se do gjej rastin më të mirë që t’i do t’u arrish shokëve të tu. Pasi unë kisha bërë një ankim, se pse ato burra mes luftërave, pse unë kështu do të rri si varfanjak qosheve, s’më pëlqente mua ajo punë, më dukej sikur nuk ishte punë. Ashtu bënë, mbaroi lufta, mua të parin dhe 100 veta të tjera, për të ngritur nga këto që kishin ngelur prapa, të terrenit. Do të shkoni thotë, në kurs për oficer në Jugosllavi. Dhe na dërguan në marinën luftarake.
Ku? Në ç’vend të Jugosllavisë?
Në Split. Na prunë në Durrës edhe zgjodhën 100 më të mirët. Një pjesë nga ata ishin edhe oficerë, në një pjesë ishim ushtar të padeklaruar, të panjohur fare. Neve për t’u bërë oficer drejtpërdrejt, pasi kishim ngelur prapa nga terreni. Ashtu na bënë, na prunë këtu në Durrës. Ishte shkurt 1946. Në shkurt erdhëm atje, Abdi Mati ishte komandant i Marinës, Abdiu burrë shumë me kulturë, e kishte mbaruar akademinë në Itali dhe ishte me kulturë të gjithanshme. Kish qenë me luftën dhe komandant flote. Kështu ndodhi. Mori ai karakteristikat të gjitha atje, sheh ai të gjitha dhe e shikon që e imja ishte si më e çuditshmja nga të gjithë. D.m.th., babai i vendosur në të kundërt, ndërsa ky i vendosur këtej nga ky krah, këtë do ta marrim, do të më bënin oficer, pasi kisha ngelur prapa në terren. Kishin dhënë tre garancitë ata që unë i plotësoja, që unë isha njeri i luftës.
Vjen komisari i kompanisë, pasi qëndruam dy muaj në Durrës. Më thotë mua, hajde këtu Isuf, do të vish të të marr sekretar, më thotë. Jo ore, i thashë unë, këtu sekretar te ty nuk vij unë. Ai ishte toger në atë kohë. More Isuf, unë po të marr për burrin më të mirë, si nuk vjen ti, unë po të marr për burrin më të mirë?! Ai atëherë edhe Spiro Kotën, e kishte karrocier. Kishte një tjetër, një nënoficer, quheshin kuisling ata. Do ta heq atë kuislingun më thotë mua, do ta heq edhe nga ky Spiro të kesh kujdes, unë ty do të marr sekretar. Jo, i them unë, unë jam nisur për të shkuar në shkollë në Jugosllavi, do të bënim karrierë në Jugosllavi. Do të vete atje, i thashë unë, nuk do të rri sekretar me ty, mblidhe mendjen. M’u lut ai. Ma ktheu mendjen, të garantoi se nuk të bëj asnjë gjë të keqe, më thotë mua, të garantoj që kur të venë të gjithë shokët e tu, do të shkosh edhe ti në Jugosllavi.
Epo meqë qenka kështu, ishte edhe shkurt, mbërdhinim, nuk kishim ku të rrinim atje në Durrës. Po mirë po vi, i thashë unë. Kisha një zyrë të vogël, një sirtar dhe një dosje të vogël, kaq ishte sekreti, e kisha atje në tavolinë. Më thotë mua, këtu në zyrë nuk do të qasësh njeri fare. Më vjen turp, i thashë unë, të vijnë shokët e mi dhe të mos i qas këtu, më erdhi zor, nuk e bëj dot këtë punë. Do ta bësh, më thotë mua, unë prandaj po i heq këta të tjerët. I ri isha atëherë, 20 apo 21 vjeç. Çfarë thotë ky, thosha unë, kaq burrë i mirë qenkam unë?! Edhe qeshja me veten time.
Po, po, më thotë ai mua, këtu. I hoqi ata. Dy muaj aty, dhe kur na vjen Spiro me marinarët me karroca, djalë i mirë ishte kështu. Edhe i them unë, Spiro, nuk do të rrish në zyrën time këtu. Pse thotë, këtu kam qenë deri tani. Më ka dhënë urdhër komisari, i them unë. Këtu vetëm unë edhe ai do të rrimë edhe….! U bë Spirua, zeher. Një çelës kishim aty, një çelës të një sirtari dhe një dosje të vogël, s’kishte gjë tjetër aty. Rregullat janë kështu të vendosura nga komisari. Tre muaj atje, shkurt, mars, prill. Kushedi, punë shteti pse na vinin atje, verifikime e të tjera. Në maj, ne në Jugosllavi. Erdhi një kaçatorr (avion) na priti, na mori drejt e në Mal të Zi.
Sa kohë qëndruat në Jugosllavi?
Dy vjet për oficer marine. Gjatë kësaj kohe që ishim atje, unë isha për ndërlidhje, se ndërlidhja ishte puna më sekrete, se ashtu i kishin bërë dokumentet ata, për ndërlidhje. Kishte profesione të ndryshme në marinë, ndërlidhje, timonier, motorist. Unë ndërlidhje dhe ma kishte qejfi dhe s’ma kishte qejfi, në lidhje sepse doja meteorolog, pasi kishte edhe pesë ose gjashtë që ishin për meteorolog aty, për të parë kohën, gjë e mirë. Unë u thashë dua meteorolog. Nuk është gjë, më thanë kjo punë, pasi e mëson edhe kështu, pa qenë në atë drejtim ta japim atë mundësi, të mësosh meteorolog. Kështu u bë. Mbaruam atë kurs atje. Mirëpo, në dy vjet ishim si student atje, nuk dinim gjë se çfarë marrëdhënie bënte shteti jonë me Jugosllavinë, këtu ishin prishur marrëdhëniet, mirëpo ne aty s’e kuptonim. I shikonim ne që jugosllavët na trajtonin keq, që të mërziteshim ne, të shpërthenim, të bërtisnim, por nuk e dinim nga se vinte kjo.
Më në fund, erdhi puna që e mbaruam kursin, nuk na dhanë as diploma, hiç, ik se i kemi dërguar në Shqipëri diplomat. Kishin bërë, ç’kishin shkruar ata, ata e dinë. Në një anije na futën ne, na morën edhe rrobat madje, u sollën keq. Ishim 5 ose 6 si marinarë, si nënoficer, pasi ne u graduam atje. Në ‘46-’47, u graduam të gjithë kapterë, të gjithë njësoj, me të njëjtët kritere. Kur të vinim këtu do të bëheshim drejtpërdrejt oficerë. Kjo punë kështu vazhdoi. Erdhëm ne si të persekutuar këtu, pasi nuk e dinim se si ishte puna, nuk dinim gjë. Kur erdhëm këtu, na prunë në Durrës, 100 veta. Të tërë ne oficerë, komunist, kandidat partie, kështu të ndryshëm. Vjen ai miku nga Tirana dhe na thotë: E di si është puna, tani ka ndryshuar.
Cili ishte?
Ishte Kadri Hazbiu, ishte kolonel. Ka ndryshuar, më thotë mua, nuk është si më përpara me Jugosllavinë edhe kemi menduar për më gjatë për ty. Çfarë për më gjatë, i thashë unë. Ashtu i kemi kopsitur ne punët, më thotë, që puna jote do të kalojë më gjatë. Po si është puna, ma thuaj, i them. Ma tregon ai që me jugosllavët i kemi prishur punët, me perëndimin po ashtu i kemi të prishura, ne kemi menduar që ti të shkosh jashtë shtetit. Ore, i them unë, nuk shkoj jashtë shtetit, do të rri me shokët. Është biseduar gjatë ajo punë, prandaj unë kam mendimin që detyrën do ta kryesh, se veç teje më të përshtatshëm, që të ketë kushtet për të shkuar atje, nuk ka. Edhe pak ma stërholloi ai, ma rriti një çikë mendjen, sikur isha unë kushedi se çfarë. Po si është, ma shpjego, i thashë. Do filloj që tani përgatitja, më thotë mua. Këta të tjerët, të tërë do të gradohen, ti s’do të gradohesh, më thotë mua. Po pse, i thashë unë, se nuk e dija mirë unë këto gjëra.
Ti s’do të gradohesh, se ti je më i graduar nga këta. Por, që të krijohet opinioni këtu në Marinë, ti je djalë i një oficeri dhe je i persekutuar. Se këta nuk i dinë punët e tjera. Mua ç’është e drejta, nuk më vinte mirë. Vajta edhe erdha kështu, do të martohesha, kisha halle të tjera, djem të rinj në, 23-24 vjeç. Cila është ajo punë që do të bëj unë, i them. E kemi studiuar ne atë punë, do të hapet terreni më përpara, do të bëni përgatitje psikologjike, që unë isha i persekutuar etj., etj., dhe do të vazhdoja shkollën e Sigurimit më vonë, natën. Do të jap shkallë-shkallë të gjitha. Po sa kohë do të rri unë atje jashtë, i thashë. Pasi ku të veja të rrija jashtë, të lija familjen, e njërën e tjetrën. Më thotë mua, pranoje se zëre sikur ishe në shkollë të Bashkimit Sovjetik.
Në cilin vit ju tha që do të ikni jashtë?
Në 1948, kur u ktheva nga Jugosllavia. Po mirë mo, i thashë unë, do të krijoj familje e gjëra të tjera. Po ec, më tha mua, se familje krijon edhe atje. Krijon familje edhe atje, i ujdisim ato punë, nuk janë të parregulluar. Mirë, i thashë unë, unë dua një gjë. Isha 21-22 vjeç. Sa vjet do të rri jashtë, i thashë unë, se tërë kohën jashtë unë nuk do të rri. Katër vjet më thotë mua, e shumta katër, zëre se ishe në shkollë në Bashkimin Sovjetik, atë shkollë që ti do ta bëje atje, do ta bëjmë në këtu. Kadri Hazbiu dhe ca shokë të tjerë, kishin bërë shkollën në Bashkimin Sovjetik, për zbulimin e lartë. Atë shkollë që bëhej 3 vjet, ata e kishin bërë për një vit e gjysmë, të përmbledhur sigurisht. Por, shkollën e lartë të sigurimit ata e kishin bërë. E kishte bërë shoku im më i ngushtë, Esat Kondi. Këto ishin 8 vetë, në një klasë të gjithë këta. Madje, ky shoku im, kishte dalë me të tëra pesa, që ishte nota më e mire.
Po pastaj si shkoi?
Më pranoi. Më thotë do ta bëjmë. Po si do të bëjmë?! Rrogën ti do ta marrësh si oficer, ashtu siç je. Por, thotë, ne do t’i bëjmë të tëra goditjet, do të lirojmë nga ushtria, do të hapim parulla false, më thotë, kështu e kështu dhe do të me çojnë në Gjirokastër. Po mirë, i thashë unë, po në Gjirokastër edhe më njohin, ku u shpëton dot atyre. Jo do ta përgatisim ne terrenin. Kështu u bë. Unë gjatë kësaj kohe u fejova, mirëpo ajo familje ishte komuniste, e devotshme atje, baza e Shefqet Peçit, më kupton. Edhe kështu e mora, pesë vjet u martova. Do ti pas një viti, u bëra me fëmijë. Mirëpo kjo kohë që në fillim, mua pastaj më liruan, më thanë që do të shkosh në Gjirokastër.
Mbanit kontakte me oficerë të sigurimit?
Po si jo. Të vazhdueshme kontaktet. Shkova atje, në Gjirokastër, më hapën terrenin atje, ky është i liruar, nuk i ka kushtet. Është i persekutuar për regjimin tonë, babanë e ka pasur oficer, përralla sa të duash dhe i mbushën të gjitha ato. Ah, thanë ato, mirë ua kanë bërë, një pjesë. Një pjesë ndryshe dhe një pjesë ndryshe. Mirë ua kanë bërë këtij, se ka dashur të futet kështu, të tjera fjalë sa të duash. E të tjera kishte, u vinte keq një pjesë që më njihnin, o po çfarë ka ky, që ka qenë kështu, pse i bien në qafë këtij, e kështu. Më hapën terrenin dhe shkova në Gjirokastër.
Nuk më jepnin punë, por rrogën e merrja unë, oficer isha unë. Vinte ai njeriu që kishte lidhje nga ministria me mua. Më në fund kaluan 6 muaj në fshat, rrija unë, as flisja, as bëja, tamam si i persekutuar. Thonë ata, ç’e mbani këtë këtu?! Por, kishte edhe njerëz që u vinte keq për mua. Jepini ndonjë punë këtij fakirit edhe ky nga ana jonë ka anuar gjithmonë, me zemër, e kështu. Ujdisnin të tjera, punë të tjera, ata si dinin fare këto punë. Po jepini se gjynah, ndonjë punë. Po mirë, futeni në punë të fusha e aviacionit. Në fushë të aviacionit 4 mijë lekë merrja unë, për tre vjet. Gjatë kësaj kohe u përgatit kursi i zbulimit natën, vinin nga Tirana.
Ku e bënit kursin?
Atje në zyrë, në zyrë time. Unë isha me tre turne te puna, isha turni i tretë, natën.
Çfarë ishte kursi, për çfarë e bënit?
Kursi ishte për zbulim, kundër Perëndimit. Çfarë kishin mësuar ata në Bashkimin Sovjetik, m’i mësonin mua të tëra. Edhe e bëra kursin për 3 vjet atje, 2 herë në javë. Një herë e bëja të dielën dhe një herë në mesjavë, kur unë e kisha turnin natën. Më merrnin në telefon ata, vinin ata nga Tirana. Por, ata ishin gjeneralë. Vinin atje dhe mësova kursin. Unë mësova të gjitha ato që mësoheshin në Rusi, në Bashkimin e madh Sovjetik.
Ju kishin thënë se çfarë misioni do të kishit?
Jo, jo. Misioni ishte zbulim në Perëndim, pa specifikë farë. Zbulim në Perëndim, po të dalë fronti i përshtatshëm, ta rrihnin veshin ata.
Nuk është se kishit detyrë specifike Mbretin Zog?
Mbreti Zog, kur erdhën rrethanat edhe atje si ndodhi, se atje kisha më tepër miq, përkrahje nga babai.
Por, nuk është se ishit nisur për Mbretin Zog?
Nuk isha nisur vetëm për atë, mund të binte edhe në një shtet tjetër që nuk kisha fare lidhje. Kështu u bë, mbarova kursin shkëlqyeshëm.
Ndërkoha familja juaj e dinte që ju ishit i persekutuar në fshat…?
Familja e gruaja, ç’kishte, çfarë e gjeti këtë, ky ka qenë edhe oficer marine, çfarë e gjeti këtë të shkretin, s’është treguar i sinqertë…?!
As me familjen nuk flisnit?
Jo ore, çfarë familje. Nuk dinte gjë familja. Atyre u erdhi keq, kur unë vajta atje me 4 mijë lekë në muaj. Por, unë para kisha se 6 mijë i merrja këndej dhe 4 mijë i merrja aty, u bënin 10 mijë lekë në muaj. 10 mijë lekë merrte kryetari i rrethit të madh atëherë, drejtor ministrie, se ashtu ishin paratë. Edhe thoshin ky i shkretë, si t’ia bëjmë…?! Mirëpo ata që duheshin për të ditur, 4 apo 5 vetë në kokë, e dinin këtë punë. Mbarova kursin shkëlqyeshëm. Mirëpo hasëm në ndërlidhje, që një gjë interesante. Për ndërlidhje ishte shumë e zorshme. Atje hasëm me pengesa të mëdha.
Përse?
Se edhe unë isha një çikë, që ngrihesha.
Po ata nuk kishin qejf që të ngriheshit?
Po ata nuk kishin qejf që të bënin shumë pyetje. Por ishe bërë me zanat, do të bëje pyetje. Erdhi puna në ndërlidhje. Këta atëherë, në ‘55-ën, nga prilli apo maji, që mbarova kursin shkëlqyeshëm edhe ishin ato tre muajt e fundit, që do përsërisnim edhe njëherë ndërlidhjet, pasi qe pjesa më e zorshme. U them unë, mirë, do të shkoj atje dhe unë kisha mësuar 4-5 lloj ndërlidhjesh, radio telegrafist i klasit të parë isha, pasi e kisha mësuar në Jugosllavi. Ato shifra, ato sekrete, katër lloj shifrash i kisha mësuar përmendësh, maskimet, si të shkruaja me letra dhe me bojë, maskimet siç i bënte Lenini në Siberi, i di edhe ato se kishim mjete, por jo siç ka tani, mjete të kohës, më të sofistikuara. Mirëpo erdhi puna që të takohemi trup me trup. U them unë, mirë, kush do të vijë që të takohet me mua.
Do të vijë më thotë mua ndonjë nga ata sekretarët e parë të ambasadave, se ata mbulonin sigurimin, ata kolonelë, me grada. Ai më thotë, ata janë shokët më të besuar, mos ki frikë fare. Ata do të ndërlidhin me ty, njeri tjetër nuk ndërlidhet me ty, se ti je i sferës së lartë. Mirë, do ta pranojë, mirë i thashë unë. Po ja, pyete prapë, nuk rashë dot unë në kontakt me të gjitha ambasadat?! Po mirë atëherë, nëse nuk do të biem në kontakt, ne do të vëmë në lidhje me një sekretar të parë, me gjeneral apo kolonel të Bashkimit Sovjetik, ti do t’ua japësh atyre dhe ato do të na i japin neve. Këtu ngeci karkaleci.
Pse? U thashë unë, këtë punë nuk e bëj dot. Por, aq dinim se ishim të rinj. U thashë unë këtë gjë nuk e bëj dot. Pse më thanë mua, ata janë më të besuar nga ne, nga ata kemi mësuar edhe ne, ata nuk tradhtojnë. Unë i besoj vetëm shqiptarit, i thashë unë, me këto të ambasadës jam dakord. Me një nga këto ju të katër që ju njoh këtu, kolonelë ishin ata, gjeneralë, po të vini ju, unë marr kontakt me ju, tjetër, unë asnjë të huaj nuk dua. I kam besuar vetëm kokës sime. I tregon ai, pse ta ha për tjetrin, unë e haj vetëm për veten, për gabimin që bëj vetë, përgjigjem edhe vetë, edhe të më vrasin, të më therin, e kam bërë vetë atë gabim edhe në rregull. Po jo ore, më thonë ata, një instruktor, një kolonel, o Isuf ata janë më të besuar, kjo ishte kur unë kisha mbaruar kursin në ‘55-ën. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Marre nga Opinion.al