Nga Petraq Xhaçka
Pjesa e shtatëmbëdhjetë
Memorie.al /Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkte me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e gazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.
Letra e zezë
Kjo kohë e mbingarkuar me ngjarje të rënda në naftë përkoi dhe me periudhën e planifikimeve në ekonomi për pesëvjeçarin e ardhshëm 1976-‘80. Me gjithë punën e madhe që u bë në Institutin e Naftës për të larguar frikën, ajo u futej thellë e më thellë në mendjet e punonjësve. Tërë ajo gjëmë që u pa ndaj njerëzve që kishin ngrysur jetën duke punuar në puse, laboratorë, fusha e kodra, ndaj miqve e shokëve, ndaj të afërmve e familjeve të tyre, kish lënë pas vragë të thellë.
Byroja Politike e PPSh-së shtroi si objektiv që niveli i metrazhit të kërkimeve të rritej mbi gjashtëdhjetë përqind më shumë, se pesëvjeçarin e mëparshëm. Ishte një kërkesë tepër e lartë, që objektivisht nuk mund të arrihej. Sasia e strukturave perspektive në vendin tonë, vinte duke u pakësuar, si rezultat i kërkimeve të larta që bëheshin çdo vit, ndërsa sipërfaqja e territorit është e vogël. U detyruam të kundërshtojmë, po këtë e bëmë me shumë kujdes në zgjedhjen e frazave, në mënyrë që udhëheqja të mos kapej pas tyre.
Kthehesha natën vonë në shtëpi. Fëmijët i gjeja në gjumë dhe rrija qaja hallet me gruan. Vajzën dhe djalin i kam dashur shumë, por puna nuk më lejonte të qëndroja afër tyre, të bisedoja me ta t’i përkëdhelja, të jetoja me problemet e tyre. Shpesh, gjithmonë pas mesit të natës, merrja karrigen dhe ulesha përballë krevateve të tyre, u shikoja fytyrat me dashuri dhe mendoja me dhimbje se si do të më shkonte puna, e si do te ishte fati i tyre. E pse duhet t’i mendoja kaq të bashkuara këto dy elementë? A u ndodhte kjo prindërve të tjerë?
Dashuria për fëmijët ishte një nga arsyet kryesore që më largonte mendimet e zeza, për t’i dhënë fund jetës, mendime që shpesh e më shpesh endeshin nëpër udhishtat e errëta të trurit tim të mbingarkuar. Jo, i dashur lexues, pena ime është e pafuqishme të shtjellojë përjetimet magjike, të atyre kohërave. Unë humba vitet më të bukur të shoqërisë me vogëlushët e mi, vite që unë nuk i kthej dot më. Situatat e rënda nuk me lejuan të shihja se si rriteshin ditë përditë, se si loznin, se si grindeshin dhe si kërkonin njeri – tjetrin. Mua nuk më mjaftoi kurrë koha të shëtisja, të ulesha me ta e t’u përgjigjesha pyetjeve të tyre. Tri herë u shtrova në spital për shqetësime të theksuara nervore. Muaj të tërë kalova me mjekime…!
Ne paraqitëm projektin tonë në nivelin e viteve të mëparshme, domethënë rreth gjashtëdhjetë përqind më të ulëta, nga plani që na dërgoi qendra. Duhet thënë se ishte e guximshme, por ishte një përgjigje e domosdoshme. Na u deshën debate, diskutime të shumta me organet e ministrisë sonë, të Komisionit të Planit të Shtetit dhe të aparatit të Komitetit Qendror. Njerëzit e tyre, zbarkonin ditë për ditë nga Tirana.
Mbas shumë përpjekjesh, projekt-plani gjeti një ujdi nga palët, u miratua në kolektiv dhe, sipas rregullave, në organizatat bazë të partisë. Së fundi, u dërguan lart për të marrë pëlqimin. Më vonë, udhëheqja shtetërore i imponoi përsëri treguesit më të lartë nga parashikimet tona, por në masën tridhjetë përqind. Gjatë kohës që ne prisnim të vinte pëlqimi zyrtar i shifrave nga qendra, një grup gjeologësh, prej pesë vetash të Institutit, mbasi paskëshin diskutuar mes tyre, kishin dalë në një përfundim tjetër, mbi metrazhin e kërkimeve. Ata e mendonin ende më të ulët. Ishin të gjithë njerëz të besuar të partisë, por ata ishin edhe kundër shifrave të saj, bile edhe kundër shifrave që dërgoi Instituti. Dukej sikur për një çast ata harruan se ç’po bëhej dhe kishin vendosur të paraqitnin një propozim për shifra më të ulëta, nga pesëvjeçari i kaluar.
Kjo do të thoshte të përgjysmohej metrazhi dhe rezervat e parashikuara. Ata kishin menduar të nënvizonin vështirësitë, të cilat ne me të vërtetë i kishim në numrin e objekteve të rinj për kërkim dhe dolën me propozimin se; ishte më mirë të rritej volumi i punimeve seizmike për çdo objekt. Në thelb nuk kishte asnjë gjë të gabuar dhe shqetësimi i tyre, kish edhe elementet teknikë edhe realiste, por ata ishin jashtë procedurave dhe pleqësimi i tyre, ishte mjaft i mbyllur. Nuk përfillin ata as kolektiva e as organizata partie. Pas burgimesh e pushkatimesh traumatike, këta njerëz dukeshin befas, sikur zbrisnin nga planeti mars…!
-Me të përfunduar letrën, ata më vunë në dijeni për idetë që shtronin në të dhe më thanë prerë, se kishin vendosur t’i dërgonin në qendër. Unë i dëgjova, por nuk pranova të diskutoj mbi atë çështje, tashmë të përfunduar. Treguesit ishin vendosur në kolektiva dhe në organizatat bazë, dhe sipas rregullave, nuk mund t’u riktheheshim. – Ju këto t’i kishit diskutuar atëherë kur u panë në kolektiva, – u thashë. – E kuptoj shqetësimin e drejtë, por edhe ju duhet ta kuptoni, se si do të tingëllojë kjo. – Në këtë letër do t’ia nisim Komitetit Qendror të Partisë, e do t’i themi se këto janë mendimet e propozimet tona, – tha ai që ishte në krye të kësaj nisme.
Një rastësi nga ato që përmbyllin rrethe të lënë hapur, pat sjellë që në krye të hartimit të kësaj letre, të ishte gjeologu, i cili kish qenë aktivizuar dukshëm, gjatë dënimit të asaj që iu vu emri “veprimtari armiqësore”. Emri i tij ato kohë, përmendej në raporte e fjalime, si njeri nga kolonat e partisë në naftë. Ai, i bashkuar në grup dhe me anëtarë të tjerë partie, kishte bindjen dhe naivitetin e mjaftë, sa të udhëhiqeshin nga ideja se partia, i do gjërat t’i thuhen açik. Asnjëri nga ata nuk kish qenë ndonjëherë nga ana e të humburve, nuk kishin ndjerë mbi kurriz ende, asnjë padrejtësi. Të gjithë tok gjykuan, se kjo letër do të mirëpritej.
Pas bisedës me ta, duke parashikuar se këtu do të kishim të bënim me zhvillime jo të këndshme, vura në dijeni drejtorin. Dhe ai e ndjeu furtunën që do të vinte, u pajtua plotësisht me qëndrimin zyrtar të drejtë e konform rregullave që kisha mbajtur unë, por e lashë nën një tronditje të madhe. Nuk kaluan shumë ditë. Ministri i ri i Minierave dhe Gjeologjisë, Pali Miska, ia behu një pasdreke tek ne në Institut, në sallën e Këshillit Shkencor. Atë e shoqëronin përfaqësues nga aparati i Komitetit Qendror të Partisë, nga komitetet e partisë së naftës dhe të rrethit.
Pali Miska, qe emëruar ministër në vend të Koço Theodhosit të sapo pushkatuar. Më parë, Miska kishte qenë instruktor për përgatitjen e shoferëve, pastaj si rezultat i tekave të ngritjes se punëtorëve në poste kyçe, që zinin kohët e fundit udhëheqësit e partisë, Pali ish zgjuar nga gjumi, si Sekretar i Parë i një rrethi. Zgjimet e tij bëheshin gjithnjë e më të lumtura, se shumë shpejt Pali Miska, e pa veten në shoqërinë fotografore me Enver Hoxhën, si anëtar i Byrosë Politike dhe në ditët para të mbledhjes tonë në Institut, kish përfunduar ministri ynë. E dhimbshme, por duhet thënë se tashmë kish filluar që të na dukej edhe neve normale, që dikasteri kryesor i ekonomisë së vendit, të ish nën drejtim të një njeriu pa arsim të lartë, e pa qenë specialist i asnjë fushe, nga ato që mbulonte institucioni i tij.
Ai kish kryer vetëm Shkollën e lartë të Partisë “Vladimir Iliç Lenin” të Tiranës, ku mësohej filozofia marksiste, konspektoheshin mësimet e Enverit, e disa lëndë të tjera politike. Pasi vuri në dijeni pjesëmarrësit e mbledhjes për letrën që kishin hartuar e dërguar lart një grup specialistësh, Pali Miska solli nga Tirana lajmin, se Enver Hoxha është zemëruar tej mase dhe e dënon këtë letër, si të gjitha veprimtaritë armiqësore. – Kjo tregon, – theksoi Miska, duke shëtitur vështrimin nëpër sallë, – se në këtë Institut, vazhdon puna armiqësore!
Pjesa dërrmuese e të pranishmëve, u zunë të papërgatitur. Ata nuk dinin as gjë për letrën. Por e papritura u bë edhe për mua e plotë kur, duke folur me këtë gjuhë, Pali Miska filloi një sulm të furishëm kundër meje, sikur ta kisha përgatitur e organizuar unë atë letër, të cilës partia në qendër, i kish vënë emrin; “Letra e Zezë”.
Akuzat kundër meje ishin njëra pas tjetrës të rënda, të ashpra dhe më lanë vetëm mua në qendër të ciklonit. Ministri i ri dhe persona të tjerë zvarranikë të presidiumeve, kërkuan që unë t’ u shpjegoja, se përse e kisha shkruar atë dhe më qartë akoma, se ku e kisha qëllimin. Sa e tregova edhe më sipër, unë jo vetëm që nuk pata marrë pjesë në përgatitjen e letrës, jo vetëm që nuk dija se po përgatitej ajo, por drejtori më pat rrahur shpatullat, për qëndrimin e drejtë, duke mos pranuar diskutimin e saj, si shkelje të normave që patëm zbatuar ca ditë më parë.
Me sa dukej, vitet e fundit unë kisha filluar t’i tërhiqja shumë rrufetë! Në diskutimet e tyre, disa nga autorët e letrës nuk e përmendën bisedën e tyre me mua, duke menduar se më lehtësonin dhe mua dhe veten. I shqetësuar për rrjedhën që po merrte trajtimi i problemit, u ngrita dhe ia hapa kapakun gjithë historisë, ashtu siç ishte e vërteta. – Nuk e kuptoj, – iu drejtova presidiumit, me shiritin në majë të hundës. – Përse po më sulmoni mua, kur mbase duhej të më shpenzonit fjalë të mira për atë që u thashë autorëve të letrës e, që ua preva, se nuk isha dakord ta diskutoja problemin e tyre?!
Njëri nga pjesëtarët e grupit u tregua tepër korrekt. Ai vërtetoi fjalë për fjalë, ato që tregova unë: – Është e vërtetë, – tha ai. – Petraqi nuk hyn këtu. Ai as nuk kishte dijeni dhe as nuk pranoi të bisedonte mbi këtë problem. Ai na tha se procesi i miratimit pat mbaruar dhe se letra jonë, vetëm do t’i komplikonte gjërat. Kjo është e vërteta e pastër. Nuk e prisja këtë rrëfim të sinqertë, që po ma hiqte litarin nga gryka. Kishim humbur busullën e në këto mbledhje ku nafta hante kokat, nuk besonim që njerëzit të bënin gjënë me normale: të tregonin të vërtetën. Gati me vërshuan lotët e mirënjohjes.
Pas kësaj ndërhyrje, mua më fshinë nga lista e personave që do të dënoheshin për veprimtari armiqësore, por megjithatë më hoqën një vërejtje të rëndë zyrtare me shkrim në dokumenta, me motivacionin; se mbaja përgjegjësi që në Institut, ndodhnin akoma gjëra të tilla, në kundërshtim me vijën e Partisë, mua më mbeti e paqartë, se përse për këta naftëtarë, duhej të mbaja përgjegjësi unë, zëvendësdrejtori, dhe jo, për shembull drejtori apo sekretari i partisë?!
Mirë unë, që nuk më hiqej nga mendja ajo puna e fjalëve që kërcisnin gjithnjë e më shpesh rrotull meje, por përse ne të gjithë, duhej të përgjigjeshim për mendimet e ndryshme që mund të kishin të tjerët?! Malet me pikëpyetje për atë kohë të çmendur presin përgjigje e ne nuk do të kemi kohë t’u përgjigjemi, prandaj i biem shkurt: Kohë diktature! Atë mbrëmje, kur vajta në shtëpi, Zhaneta që tashmë ishte mësuar të më lexonte në fytyrë pa më pyetur, më kuptoi menjëherë. Ia tregova me hollësi tërë ngjarjen dhe teksa fëmijët flinin, për herë të parë në jetën time, unë mora shishen e rakisë dhe piva disa gota prej saj.
Duke përshkruar ngjarjen dhe njerëzit, lotët më rridhnin rrëke. Qahesha për këto padrejtësi të vazhdueshme, për atë jetë mizerabël, ku nuk gjeje gjëkund gëzime, me shpatën mbi kokë e me epitete të rënda, që nuk i meritoja aspak. Gruaja me puthte mbi sytë e mi të përlotur, e më jepte shpresë se të gjitha do të merrnin fund. Ajo e kuptonte mirë të gjithë lëmshin dhe gjente fjalë të ëmbla, më të efektshme se të gjithë qetësuesit, që më rekomandonin mjekët. E më kuroi atë natë, me fjalët e saj të ëmbla, më dha e më dha nga ky balsam, deri sa na zuri mëngjesi…!
Kjo ngjarje, përbënte goditjen e tretë për motive politike, pas asaj të vitit 1969 dhe pas paralajmërimit që më bëri Sekretari i Parë i rrethit, lidhur me akuzat që më faturoheshin pas procesit hetimor të grupit, që u dënua aq rëndë. Edhe për autorët e “Letrës së Zezë”, u organizua nga udhëheqja e lartë e shtetit, një aktiv i madh në sallën e kinemasë së Patosit. Edhe ata u dënuan për veprimtari armiqësore. Njerëzit, sapo kishin filluar të merrnin nga pak frymë, tani u vunë përsëri të përballonin një stuhi tjetër. Megjithatë, dukej që situata nuk ishte aq e rënduar, sa me grupin e mëparshëm. Gjeologu, i cili pak muaj më përpara, ishte vetë në presidiumin e mbledhjes famëkeqe, tani, një letër me përmbajtje të drejtë, po i hapte sytë dhe ai po shihte, se pa qenë aspak i fajshëm, u zhvendos në pol të kundërt me partinë e tij!
Pak muaj më vonë, në vitin 1976, gjeologu Kadri Rama, një specialist i ri, por me perspektivë në rrugën shkencore, këmbënguli në mendimet e tij, që ishin po në këto ujëra. U arrestua menjëherë nën akuza politike të gjitha llojeve dhe ndenji në burg, për shumë vite. Ndërsa gjeologët e tjerë, u përjashtuan nga Instituti dhe punuan si naftëtarë të rëndomtë, ose u internuan në vende të tjera, si punëtorë. Si një dem i tërbuar që del nga stalla e vret me brirët e tij, çdo njeri të turmës që i del përpara, ashtu dhe udhëheqja e lartë e vendit, si e etur për gjak, me të njëjtin tërbim, copëtonte çdo njeri që i dilte përpara, qoftë edhe në rrugë rastësisht, qoftë ky pro apo kundërshtar i tij, të ishte ky shkencëtar apo pijanec, të ishte ky mendimtar, apo i dështuar.
Etja e gjakut që ish e pakufishme që në origjinë të Partisë Komuniste të Enver Hoxhës, bënte që të luftoheshin armiqtë edhe kur nga ata, nuk kish mbetur më asnjë. Ajo kudo shihte armiq, ashtu siç shihte Don Kishoti hijet, njërën pas tjetrës, aq sa u vërsulej me heshtën e tij, mullinjve të erës. Enver Hoxha me Sanço Pançot e tij të shumtë, kishin sindromën e Don Kishotit. Në fushat naftëmbajtëse të Kuçovës e Sarandës, në kodrat e Patosit e Mallakastrës, natë e ditë puset e naftës, rropateshin të thithnin naftën nga damarët e tharë të Shqipërisë. Ata ngjanin me mullinjtë e erës, e këta të fundit, ngjanin me armiqtë. Vite me radhë heshtat fishkëllenin rreth tyre dhe të vrarët, ishin ata që i kishin ngritur këta puse, me djersën e ballit.
Zbaticë e përkohshme
Nga rajonet që ne vlerësuam si të dorës së pare, pas furtunave të mëdha me dënime grupesh, ishte struktura e Cakranit, për objektin e gëlqerorëve. Këtu më parë ishin shpuar puse, me qëllim që të kapnin gëlqerorët, por kishin dështuar dhe si pasojë, ishte arritur në përfundimin nga këto studime të mëparshme, se aty nuk ka strukturë në gëlqerorë dhe se shtresat që viheshin re në sipërfaqe, ishin të mbi hipura e jepnin pamje të gënjeshtër.
Nuk u pajtuam me një përfundim të tillë dhe si drejtori ngarkuam një grup, që ta ristudionte rajonin me një konceptim tjetër të ri. Për këtë planifikuam dhe kryem edhe punime seizmike plotësuese, me një volum të vogël, aq sa mund të kryheshin me vështirësi në atë terren malor. Por ato patën rëndësi se mbështetën idenë e disave prej nesh, gjeologëve, se aty kish interes dhe duhej kërkuar, jo ku ishte shpuar më parë, por pak më në lindje. U ndodhëm tani para një dileme të vështirë: të projektojmë një pus të thellë prej 4500 metrash, me një material seizmik të pakët e të dobët, gjë për të cilën para pak kohësh, ishin dënuar si sabotatorë kolegët tanë, apo të hiqnim dorë dhe kështu nuk rrezikonim veten, edhe pse do të humbnim një mundësi, për të zbuluar një vendburim të ri?
Ishte me të vërtetë një pikë kritike e veçanërisht për ne si drejtues të kësaj pune, sepse në rast rezultati negativ, nuk kishte dyshim se mbi kokat tona, do të binte dora e hekurt. Me ditë e javë flija nga fare pak. Mendohesha, ristudioja materialin faktik gjeologjik sipërfaqësor e të puseve, bëja skica e variante të ndryshme, sepse i tillë ishte materiali primar, i cili nuk të jepte mundësinë të ndërtoje një variant, pothuajse të saktë. Bindja ime e madhe, nuk më linte të qetë, prandaj vendosa të marr guximin, duke rrezikuar tërësisht jetën time, pas gjithë atyre paralajmërimeve.
U vura të inkurajoj autorët për të mbështetur variantin e shpimit të pusit të ri. Pas disa bisedash, edhe tek autorët e grupit u hoq lëkundja. Ne po merrnim një hap të rrezikshëm ndaj asaj kuçedre, që tashmë na shihte me gojën të hapur dhe nuk mbetej, veç të merrje me mend, se kë do të kafshonte.
Nisur nga mangësitë që kishte në materialin primar, gjatë diskutimeve në ndërmarrje, brigadë e Këshill Shkencor, vihej re qartë se disa gjeologë, rronin me tmerrin e dënimit në rast të një rezultati negativ. Ata u përdrodhën pak, por më në fund, nuk e mbështetën shpimin e pusit. U shtruam e i pyetëm ata se çfarë duhet të bënim, në kushtet konkrete të teknikës dhe të terrenit, për të rritur sasinë e cilësinë e materialit seizmik. Ata ngrinin supet, e nuk dinin si të përgjigjeshin. Dukej qartë: deshën të dilnin të pa lagur, në rast të rezultatit negativ.
Megjithatë, me shumicë votash, pusi u miratua në Këshill dhe në instancat më lart. Në vitin 1977, pusi Ca 9, ndeshi me shtresat gëlqerore, sipas projektit dhe zbuloi vend-burimin më të fuqishëm të gazokondesatit për vendin tonë, me rezerva të mëdha dhe me një interes të jashtëzakonshëm. Ky ishte një sukses tepër i rëndësishëm, për ekonominë e vendit. Po aspekti më triumfal, për ne gjeologët dhe gjeofizikët e Institutit ishte, se projektuam me guxim të madh, në kushte të një terrori të jashtëzakonshëm. Suksesi i pusit ishte një dalje nga ankthi apo së paku një pushim i nevojshëm, për nervat tona të tendosura. Tensioni ynë në ato kohë ishte i paimagjinueshëm. Veprimi i ynë ishte një akt heroik, por maja e piramidës diktatoriale, nuk mund ta pranonte e ta vlerësonte si të tillë.
Ishte një gëzim i papërmbajtshëm. Ishim bërë si të çmendur nga kjo fitore e arritur në kushte të atilla, që e shumëfishonin atë. Aty në kodër, rreth pusit, punëtorë e shkencëtarë, shpues dhe projektues, të rinj e të vjetër, burra thinjoshë e flokërënë, merrnim frymë të gëzuar, e ulërinim me të gjitha fuqitë që kishim: -Urra! Urra! Urraaa! Dhe brenda vetes, secili i pëshpëriste shpirtit të tij të trazuar: Shpëtuam, shpëtuam, shpëtuam!
Tani që pusi doli pozitiv, askush nuk u kujtua të na qortonte, që projektuam me një material të pakët seizmik. Festonin dhe në Tiranë. Pusi tregoi për ekzistencën e rezervave të mëdha e të mjaftueshme të gazit dhe pjesërisht të naftës. Nuk pritëm më, por projektuam puse të tjerë, për të bërë sqarimin e plotë të vend-burimit. Gazi nëpërmjet tubacioneve, filloi të shkonte për përdorim në industri, ndërsa nafta tepër e lehtë, e tipit kondesat, zgjidhi mjaft nevoja. Filluan urimet e përgëzimet e funksionarëve të partisë e të shtetit, që ne i paskëshim dëgjuar më në fund thirrjet e tyre për guxim, e zbuluam këtë vend-burim me vlera, duke u mbështetur mbi gjykime e interpretime të reja, aty ku më parë dhe specialistët sovjetikë, kishin dështuar.
Në asnjë nga përshëndetjet që na erdhën e fjalimet që u mbajtën, nuk u dënua projektimi me material të pakët gjeofizik. Ato ditë, Sigurimi i la mënjanë dosjet tona, e vendosi t’i japë vetes pak pushim. Vetëtimat e stuhisë mbi industrinë e naftës, tani feksnin larg, po bubullimat kishin rreshtur. Tani kish rëndësi që para se të miratohej pusi në këto kushte të varfra që ekzistonin, të trajtoheshin e argumentoheshin në relacionin përkatës dhe po të kishte ndokush vërejtje, apo kundërshtime, të thuheshin e të vendosej qysh në fillim, e jo të pritej rezultati i pusit, e pastaj e organet qendrore ta këndonin këngën, si të deshin.
Këtë kërkonte minimumi i një sjelljeje njerëzore, minimumi i një respekti e dhembshurie për drejtuesit e specialistët, të cilët po jepnin gjithçka, për të mirën e vendit. Ne si Institut, në çdo relacion studimor, vumë si rregull që; të thuhej edhe gjendja mbi nivelin e volumin e punimeve gjeofizike, me qëllim që të mos na dilnin më vonë keqinterpretime. E meqenëse çdo pus miratohej në ministri e, në disa raste në kryeministri, ata zyrtarë të lartë të bëheshin të ndërgjegjshëm, për atë që miratonin dhe jo të përdornin veç kartën e dënimeve, për të tjerët. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016