Nga Petraq Xhaçka
Pjesa e katërmbëdhjetë
Memorie.al / Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkte me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e gazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.
Ajo ditë marsi në Patos
Specialistët e lartë të naftës kishin pësuar një tronditje tepër të fortë dhe tani po prisnin si të hutuar, se çfarë do të ndodhte me ta më tej. Kjo ishte një gjendje tensioni e paparë, por e tillë u duhej njerëzve që tani kishin rrëmbyer flamurin e pastërtisë dhe të besnikërisë ndaj Partisë së Punës. Ata çirreshin nëpër mbledhje për dënimin e drejtuesve, mbi të cilët tashmë kishin shkrepur rrufetë e prijësit të çmendur. Bile ata donin që lista e afishuar për dënim, të zgjerohej. Dhe si në ethe, donin të skuqnin deri në llërë duart, në atë kasaphane të madhe të kuadrove të naftës. Një teknik, kur pa një ditë që në Institut erdhën disa vetura dhe nga to mbërritën punonjës të Degës së Punëve të Brendshme, u doli paturpësisht t’i priste dhe me një farë kënaqësie të egër, u tha: – Erdhët për të arrestuar të tjerë? Kush e ka radhën?!
Diktatura i mësoi njerëzit të gëzoheshin në fatkeqësitë e të tjerëve, pa vrarë aspak mendjen në ishin apo jo të merituara ato fatkeqësi. Por, si duket, u vu re që u teprua shumë dhe hovi u përmbajt. Por ishte shkuar larg. Në ato ditë të turbullta tensionesh dhe intrigash, kur na thërriste edhe një punë shumë e madhe studiuese dhe organizative, mora njoftimin se të nesërmen më datën 5 mars të vitit 1975, duhej të ndodhesha në sallën e madhe të kinemasë në Patos. Aty do të bëhej një aktiv me rëndësi të jashtëzakonshme. Kur mbërrita të nesërmen në Patos, pashë se hapësira rreth kinemasë ishte mbushur me ushtar të Gardës së Republikës, të ardhur nga Tirana. Të panumërt ishin këta lloj ushtarësh, madje edhe përmbi çatitë e ballkonet e shtëpive të qytetarëve, që banonin përballë kinemasë.
Ushtarët atje mbanin dukshëm automatikë dore dhe një pjesë tjetër pas shpinave të tyre, rrinin në gatishmëri prapa ca mitralozave të rëndë. Këto pamje të kallnin frikë. Vetëm nëpër filma kisha parë pamje të tilla. Siç vura re, nga Instituti ishim ftuar shumë vetë. Hymë brenda, duke kaluar nëpër një zinxhir të vërtetë kontrollesh të dokumenteve e të armëve të mundshme. Në sallën e kinemasë, sundonte një heshtje e rëndë varri, ndryshe nga zhurmërimat, të cilat kjo sallë e shfaqjeve duhet t’i kish të zakonshme, para filmave dhe koncerteve. Shfaqja që po përgatitej atë ditë aty, kishte qenë larg, shumë larg këngës dhe zbavitjeve. E kjo ndihej nga të gjithë.
Sapo salla u mbush me të ftuar, afërsisht rreth orës nëntë, në presidiumin e mbledhjes, zunë vend njerëzit e fuqishëm që na patën thirrur atje. Ishin dy anëtarë të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë, Haki Toska dhe Koço Theodhosi, të shoqëruar nga shefat të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Sekretarë të Parë të Komiteteve të Partisë në rrethe dhe disa naftëtarë të thjeshtë. Binte kaq shumë në sy kjo bashkësi e skajshme e figurave madhore me punëtorët, sa gati na u duk menjëherë si e çuditshme, që një inxhinier nuk kish zënë vend në sallë me ne të tjerët, por qe ngjitur tok me ta.
Duke sikur ai e prishte harmoninë e kërkuar me kujdes.
Inxhinieri vinte nga Instituti i Naftës dhe vendi në presidium, si dukej, i qe dhënë si shpërblim, për zellin e tij nëpër mbledhjet e Institutit, në fushatën e madhe të demaskimit të grupit, që tashmë ish bërë e modës të quhej gojë plot; “armiqësor”. Vend qendror zinte në tryezën e gjatë të presidiumit, ai punëtori, që i pat dërguar letër Enverit, letër që shërbeu si pikënisje, për zbulimin a veprimtarisë armiqësore sabotuese në naftë, siç e quante punëtori dhe siç i vinte pas oreksit, kreut të partisë. Gjatë, patëm diskutuar me shokët, për këtë letër, që ngjante më shumë me një buri alarmi. Unë edhe sot e kësaj dite, vras mendjen: ishte vërtet, thjesht, mendimi i tij, apo dikush tjetër e pat mësuar?!
Mbase i patën thënë ta bënte këtë veprim, në mënyrë që goditja të dukej e fisme, sipas stilit demagogjik të Enver Hoxhës. Me pak fjalë, që ishin punëtorët ata që sinjalizuan Partinë, se në naftë kish një komplot shkatërrimtar. Në nisje të aktivit, u lexua letra me fjalën e Enver Hoxhës, ku dënohej veprimtaria sabotuese me emrat tashmë të njohur, që rreshtoheshin në dokument. Siç pritej, disa nga ata persona që ishin planifikuar të dënoheshin dhe kishin emrat në listë, u detyruan të ngriheshin dhe të merrnin fjalën. Fatzinjtë ishin ulur në sallë, larg njeri tjetrit, në vende të ndryshme, ndërsa pranë u kishin zënë vend njerëz të besuar të Sigurimit.
Shfajësimet dhe shpjegimet e tyre, ndërpriteshin nga ndërhyrjet e drejtuesve të mbledhjes dhe më pas, kur u kuptua se mysafirët e lartë nga kryeqyteti e pëlqenin këtë gjë, të akuzuarit pësonin ndërprerje të shumta, edhe nga njerëzit e ulur në sallë. Njerëzit e shënuar për t’u sakrifikuar, dukeshin të tronditur dhe të hutuar, deri ku nuk mbante më. Argumentet që ata mundoheshin të sillnin nuk ua pranonte askush. Jo vetëm që asnjëri nuk e kish ndërmend t’i mbështeste a t’u dilte krah, por çjerrje të padisiplinuara nga salla kërkonin t’u hiqej e drejta e fjalës. Aty – këtu ngriheshin njerëz të panjohur dhe i kërkonin presidiumit që t’i bihej shkurt: Njerëzit që përmendte Enver Hoxha, të nxirreshin jashtë dhe të arrestoheshin!
Këto ide dukeshin si të dhëna me porosi të veçanta, sepse në fakt specialistët e ngratë, sapo zbrisnin nga skena, ku qe vendosur foltorja me mikrofon, shtangeshin kur shihnin t’u hidheshin hekurat e arrestimit aty në sallë, me qëllim që t’i shikonin të gjithë, e sidomos që ta shijonin pamjen, ata që kishin për zemër. Ndihej si një çast fatal, sikur këta fatkeq, që dikur, po në këtë sallë, qindra herë patën qenë ulur vetë dhe presidiume e patën drejtuar mbledhje, tani sapo kishin kryer diskutimin e fundit të jetës së tyre.
Ishte një përmbysje tepër dramatike…!
Ja, pikërisht po në këtë sallë, jo më larg se dy muaj më parë, po këta shefa e specialist, kishin zbritur nga skena me dekoratat e larta në gjoks, të brohoritur po nga këta njerëz që sot ulërinin; “të arrestohen – të arrestohen”! Këto skena ishin plot ankth dhe njerëzit dolën nga ky aktiv i jashtëzakonshëm me mbresa, që nuk mund ti harrojnë dot lehtë. Ato u bënë pastaj të njohura në të gjithë Shqipërinë, nga tregimet gojore të njërit apo tjetrit, pasi nga gazetat e kohës, as që mund të pritej informacion. Për gjysëm shekulli, dramat më të mëdha nuk u bënë kurrë objekte të shtypit, tmerrësisht të politizuar komunist. Tani, naftëtarët e arrestuar të atij grupi sabotator, nuk ishin më as specialistët e huaj, që nga përfytyrimet paranojake të diktatorit, konsideroheshin të gjithë agjentë të shërbimeve të huaja. Nuk ishin as ballistët e as zogistët, me të cilët kish vite që diktatura i pat larë hesapet. Para syve, oktapodi shfaqi se si kish ngrënë e do të vazhdonte të hante këmbët e veta, heronjtë dhe të dekoruarit e vet. Të nesërmen zbarkoi në Institut, pjesa më e rëndësishme e atyre që drejtuan mbledhjen në Patos dhe para gjithë punonjësve, ata lexuan edhe një herë fjalimin famëkeq të Enver Hoxhës, të mbajtur në Byro. Me kënaqësinë e tyre tipike, ato autoritete politike kërkuan gjithashtu edhe një herë, për të njëzetën a tridhjetën herë, që të gjithë punonjësit, të recitonin dënimin e veprimtarisë të grupit të cilësuar sabotator.
U urdhëruam që në ditët më të afërme, të krijonim një grup specialistësh dhe të nxirrnin; “ku patën sabotuar armiqtë”, e sidomos, çfarë “konceptesh të huaja” kishin shfaqur ata në fushën e gjeologjisë dhe që natyrisht tani duheshin luftuar. Ky material, duhej t’u vlente specialistëve e gjithë punonjësve të Institutit dhe të bazës, për t’i patur parasysh në punë e, për të mos i përsëritur më. Kundër koncepteve të kuadrove të dënuara, si ndër detyrat kryesore, doli që puset e kërkimeve, duhet të vendoseshin në afërsi të vend-burimeve ekzistuese, e jo larg tyre. Kjo natyrisht, ka atë arsye që gjeologët gjithmonë, në radhë të parë, të kërkojnë në zonat e njohura, ku është vërtetuar prania e naftës dhe e gazit. Në fakt, Shqipëria është vend i vogël dhe zona e perspektivës për naftë, është jo më shumë se një katror, me dyqind e gjashtëdhjetë gjatësi dhe dyzetë kilometra gjerësi.
Dhe në tërësinë e saj, ai katror përbënte një rajon ku mund të zhvilloheshin kërkimet, natyrisht me një përqendrim më të madh, rreth vendburimeve ekzistuese. Por po ta shtrijmë në botë, absolutizimi i kësaj arsyeje, do të ndodhte që të mos ishin zbuluar as vendburimet kolosale të Siberisë, as ato në pjesën detare të Anglisë, ku nuk njiheshin më përpara vend-burime nafte e gazi, as në Alaskë, e as në shumë vende të tjera. Fati i naftëtarëve në këto vende të huaja, ishte se qeveritarët e tyre, as nuk merreshin dhe as nuk vuanin nga sindromat e shtirjes, se i njihnin të tëra fushat teknike, e as nga pasionet për t’i mësuar specialistët gjeologë, se ku duhet të kërkonin naftë e gaz. Ta shtrish këtë teze, deri në atë pikë absolutizimi dhe ta ligjërosh se; po kalove me shpime në zonat vetëm pak kilometra më larg nga vendburimi ekzistues, kryen punë armiqësore, është një tabu e dëmshme për ekonominë e vendit.
Të ndodhte kjo sidomos në vendet me përmasa të mëdha, do të kish pasoja katastrofike. Po të kishin vepruar kështu para disa dekadash vendet arabo-afrikane, edhe sot nuk do të kishin zbuluar dot ato pasuri kolosale me naftë dhe gaz. Por ja që fatkeqësisht ne, gjeologët e shkolluar shqiptarë, duhej të respektonim edhe kriteret shkencore që na hartonte partia. Të huajt, nuk besoj se e kanë as proverbin tonë popullor; “kërcen prifti nga belaja”! Kjo është në thelb dhe përparësia e tyre. Shkencërisht, gjeologu duhet të kërkojë kudo ku ai gjen elementët e favorshëm strukturorë, mbulesorë, gjeokimikë, të zhvillimit paleotektonik dhe të migrimit të naftës e të gazit në thellësi. Pikat e reja të zbulimit shërbejnë si qendër për zgjerimet e mëtejshme rreth saj, pra dhe afër tyre, por njëkohësisht kërkimet duhet të zhvillohen edhe në zona të tjera.
Përcaktimet me shifra nga shteti, nuk duhet kurrsesi të përplasen me logjikën dhe argumentet shkencore të specialistëve. Në ato kohëra, doli nga botimi dhe libri i Enver Hoxhës; “Për Naftën”. Kushdo që e lexon atë, e shikon qartë ndërhyrjen foshnjarake dhe pavend të kreut politik në një fushë, ku ai nuk pat vënë kurrë këmbën. Në atë libër, ai u hynte problemeve teknike të gjeologjisë, për të cilat nuk kishte as njohuritë më elementare shkencore. Tezat e tij në atë palo vepër, nuk ishin veçse ca zinxhirë më shumë, në punën e përditshme të shkencëtarëve naftëtarë. Në këto ditë e javë pune të ngarkuar, dolën dhe emërimet që na pat paralajmëruar kryeministri Mehmet Shehu. Mua, më komunikuan emërimin; zëvendësdrejtori Institutit Gjeologjik, si pjesë e ndarjes në dy sektorë të Institutit të vjetër. Sektori tjetër ishte ai i nxjerrjes së naftës.
Kur erdhi puna për të emëruar drejtorin, më thirrën dhe më morën mendimin: -Ne kemi ndërmend t’ju sjellim për drejtor atë punëtorin e naftës, atë që i shkroi shokut Enver. Me atë letër ai dha një kontribut të shquar, për zbulimin e grupit armiqësor, apo jo? Ne besojmë se ai do të zbatojë më së miri politikën e partisë në Institut. Si mendon ti, Petraq? Se si mund të vihej në drejtim të një institucioni, me dhjetëra e dhjetëra specialistë të lartë, njërit nga më të rëndësishmit institucione shkencore të vendit, një punëtor, që kish vetëm arsim të mesëm, pa asnjë përvojë në punët drejtuese, ngaqë pat punuar në sektorë ndihmës të prapavijës dhe që nuk njihte fare punët e naftës, këtë vetëm ata e dinin?! Megjithatë, nuk u çudita aq sa do të isha çuditur, fjala vjen, vite më parë. Kurse në ato dite dramatike, besimit politik, ata i jepnin përparësi të madhe. Deshën një drejtor polic e pikë!
Ua dhashë pëlqimin. Më kërkuan të mblidhja kolektivin, për t’ua marrë pëlqimin dhe masës së punonjësve të Institutit. Njëzëri, ua dhanë edhe ata! Me sa u duk më vonë, udhëheqja e partisë në qendër e kuptoi, se qoftë edhe nga ana formale, kjo nuk do të tingëllonte aspak mire, në opinionin shkencor të vendit. E ndryshuan mendimin e parë dhe emëruan si drejtor, gjeologun Luçi Pleqi. Marrëdhëniet me Luçin në punë, kanë qenë shumë të mira, pas ishin ndërtuar mbi respektin e njeri tjetrit. Ai kishte nderim, për përvojën e punës sime shkencore e drejtuese. Më dëgjonte e më përkrahte pa rezerva. Njeriu njihet për bukuri, në bashkëpunim e sipër. Opinionin e merr pothuaj të plotë nga studimet e tij, nga përfundimet që nxjerr e, nga zgjidhjet që ai u jep problemeve të vështira. Mbi këtë bazë është bërë vlerësimi i punës sime, si nga ky drejtor, ashtu dhe nga eprorë të tjerë e drejtues të bazës, me të cilët puna më ka lidhur ngushtë për dekada të tëra.
Ata kanë arritur në të njëjtin gjykim e vlerësim për punën time të pastër në industrinë e naftës dhe prandaj më kanë respektuar, atëherë dhe tani, që jam në vitet e pleqërisë. Për këtë u kam qenë dhe u jam mirënjohës atyre naftëtarëve të vjetër e të ndershëm, atyre kolegëve, me të cilët e kemi shkrirë tok djersën tonë, në të mirë të vendit dhe të popullit. Megjithatë, Sigurimi i Shtetit, ruante rezervat e veta për besnikërinë time ndaj Partisë dhe, siç kuptova vite më pas, vazhdonte të më mbushte dosjen me gjëra të paqena, me interpretime të shtrembra e të sajuara, që në rast nevoje, të më përdorte si ata limonët, që pasi shtrydhën, flakën pa dhimbje në koshin e plehrave. Kjo psikologji e praktikë, në historinë e diktaturës komuniste në Shqipëri, ishte e zakonshme. Kjo ndofta erdhi, edhe ngaqë unë, kurrë nuk u bëra shërbëtor i Sigurimit të Shtetit dhe po kurrë nuk gëzova besimin e tij.
Mua më mjaftoi puna ime shkencore, edhe pse me ankth të pandara, edhe pse me kushtet e mungesës së lirive të çdo lloji, në një sektor ekonomik me rëndësi të veçantë, të cilin udhëheqja e diktaturës, e shndërroi në një skëterrë të gjallë. Kjo ishte një vuajtje e thellë e brendshme, që askujt nuk mund t’ia shprehja. I vetmi person që jetonte me këto brenga, ishte gruaja ime, Zhaneta. Çdokush tjetër nga dukja e jashtme, mendonte se unë isha i gëzuar, i lumtur, se isha zëvendësdrejtor, apo drejtor i një drejtorie të vogël, apo se veja e vija në punë, me një makinë ushtarake sovjetike apo kineze, apo se disa herë kisha dalë me shërbim jashtë shtetit, apo se gjoksi po më mbushej me dekorata! Ata nuk dinin anën tjetër të këtyre të “mirave”, vuajtjen time të brendshme.
Ata nuk dinin që unë mezi i përballja ato padrejtësi, ato metoda pune nën atë diktat e terror të tmerrshëm, ku në çdo moment të kërcënohej jeta, ku ti nuk kishe asgjë në dorë, por ishe vetëm “një kafshë pune”. Nga jeta e përbashkët me Zhanetën, unë pashë se ajo ishte një grua e zgjuar, një nikoqire e jashtëzakonshme, e cila mbajti gjithë ngarkesën e familjes, ngaqë unë gjithë kohën, natë edhe ditë, ia kushtova punës. Ajo u bë një nënë shembullore, përveç një arsimtare e zonja, që fitonte zemrat e nxënësve, veçanërisht të fëmijëve të varfër, të cilëve u qëndronte afër, sepse prindërit e tyre, nuk mund ti ndihmonin. Unë vazhdimisht i qaja hallin Zhanetës, se jeta e puna në naftë, ishin shumë të rënda, se nuk mund të përballoja gjithë ato strese, atë ferr të padurueshëm, ku shembeshin jetët e naftëtarëve të mirë e të pafajshëm. Ime shoqe, merrte pjesën e saj të helmët, nga hallet e mia.
Dëshira jonë e përbashkët ishte që unë të largohesha nga ajo punë. Lodhja ishte e pamasë dhe ajo kënaqësi që ndjeva në fillim kur nisa punën si teknik apo në vitet e para si inxhinier, ish davaritur. Puna më kish skllavëruar dhe mua tani, më dukej vetja sikur punoja i shtrënguar në morsa të hekurta. Veçanërisht nisa ta ndjej këtë, kur m’u dha mundësia të shikoja, se sa të lirë e të qetë punonin specialistët e huaj në shtetet perëndimore, ku askush nuk i ndalte, që të shfaqnin lirshëm mendimin shkencor, ku askush nuk i mbante nën terrore pusesh negative, e për punën në tërësi, dhe që në jetën e tyre nuk kishin asnjë kufizim, por një demokraci dhe liri të vërtetë. Kjo vuajtje shpirtërore, atëherë u bë edhe më e madhe. Dhe gjithë këto ndjenja, duhej t’i mbaja të mbyllura në vete. Dëshira ime që të punoja si pedagog në Universitet, ku më kërkonin, nuk realizohej dot, për shkak të kundërshtimeve të organeve të rrethit të Fierit dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Naftës, që nuk më lëshonin, duke u justifikuar, se isha një specialist për të cilin ata kishin shumë nevojë.
Nga ana tjetër, Sigurimi Shtetit aktivizoi një grup të vogël specialistësh, të cilëve u vuri detyrë, të argumentonin akuzat për sabotim, që i visheshin grupit të damkosur. Mes anëtarëve te grupit, kish njerëz të cilët bënin këtë palo punë me kënaqësi të madhe, por kishte edhe individë, që vuanin për ato që ishin të detyruar të shkruanin. Hetuesia speciale e Tiranës dhe ajo e Fierit, filloi të thërriste individë të ndryshëm, që të dëshmonin për fjalë e fraza me sens reaksionar, të dëgjuara nga goja e protagonistëve, që tani ndodheshin nën hekura. E tillë ishte thënia me shaka në biseda shoqërore, e njërit prej gjeologëve, e pikërisht e Koço Plakut: “Ne hedhim kapelën. Fiuuu! Ku të bjerë ajo, aty shpojmë”.
Askush prej naftëtarëve, e sidomos prej gjeologëve, nuk e pranon të thënë seriozisht një shprehje si kjo. Por ja që edhe kjo shaka u përfshi, në materialet që u mblodhën kundër të ziut Koço vetë dhe shokëve të grupit. Aq sa qesharake është të pranosh vërtetësinë e saj, aq tmerrësisht serioze, u bë kjo thënie për fatin e atij martiri të kërkimeve shqiptare të naftës.
Midis dhjetëra e dhjetëra naftëtarëve, kuadrove drejtuese dhe punëtorëve të thirrur në hetuesi, isha shënuar të thirresha dhe unë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016