Nga At Zef Pllumi
Pjesa e parë
-Portrete të ndryshme të burgosunish-
Memorie.al / Lexues i dashtun, që në fillim të këtij kapitulli due me deklarue se ata shka po shkruej, nuk mund jete vetë realiteti, por vetëm përshtypjet e mija personale ose, edhe të një grupi që mendojshin si un. Nuk kam ndërmend të fyej kurrnji njeri, e aq ma pak ta akuzoj. Në këtë kapitull, due me ba vetëm pjesën e nji ciceroni, që u shoqnon në nji galeri artesh figurative, sigurisht jo n’ato të Perandorëve e Mbretënve, Dukëve e Papëve që gjinden në Versaje, British Muzeum, Tetriakovski, Eskurial apo Vatikan, por në nji galeri të errët burgjesh, ku tirania, për qëllime të veta të caktueme, bashkon gjithfarë tipash njerzorë. Në të vërtetë mund ishin të panumërt, por kam zgjedhë në përshkrim, ata që i rrijnë ma afër shijeve të mija personale.
Këtu nuk kam ndërmend të përshkruej asnji prift katolik, përse të gjithë ata ishin të dalun nga shkollat klasike greko-romake, ku formoheshin tipe si të Likurgut o Mucius Scevolas, me përjashtim të ndonji firauni. Vetëm mendoj t’u shoqnoj në nji galeri t’errët, ku tirania kishte bashkue në nji vend të vetëm, me kondita të barabarta, ajkën e kulturës shqiptare, me kulmin e naivitetit të ndershëm injorant shqiptar, si dhe me të gjithë të poshtërit e jetës shqiptare. Sigurisht që nuk asht e kollajtë, por vullneti i mire, kalon pengesat.
Mehmet Isufi
– Kur e njofta së pari në Reps të Mirditës, ai ishte nji burrë i ri çalaman, me tipare fizike të njeriut dhelpnak që të kujtonte fjalën e malsorëve tonë të vjetër; “nji çalaman asht tri herë shejtan”. Kishte nji shkollë të mesme mekanike, nga e cila, kur e kishte mbarue, qe emnue drejtues i nji eskavatori “Voronezh”, t’ardhun asokohe në Shqipni. Tue kenë beqar, e kishin caktue ndër katundet e Shkodrës, ku me dashuni të profesinit, kishte punue shumë vjet. Jeta e puna në ato vende, ku hapte kanale, e kishte njoftë me shumë njerëz, me të cilët ishte lidhë me miqësi e dashuni. Nga origjina qe çam nga Konispoli, por që tashma, ishte shartue me zakonet, virtytet, veset e mendimet e fshatarëve katolikë.
Për ta kishte fitue simpati, aq sa i kishte shkue ndër mend edhe me lidhë jetën me ato njerëz. Për rrethana të ndryshme, të cilat nuk i parashikon arsyeja e zemrës, ai u martue me “shkuesi” me nji vajzë të bukur nga familjet qytetare të Shkodrës, që natë kohë, kishte mjaft fuqi në jetën politike, kështu që u sistemue në qendër të qytetit, me familjen e tij të re. Por në jetë punët nuk shkojnë gjithmonë ashtu fjollë-fjollë, sepse fryjn shpesh edhe ernat e kundërta.
Me vdekjen e Drejtorit të Degës së Punëve të Brendshme, gjeneral Hilmi Seitit, vdekje që ndodhi në rrethana shumë misterioze të Sigurimit Shqiptar, ai e pa veten të ndjekun gjurmë për gjurmë, sikur pothuej të gjithë çamët n’atë kohë. Mendoi të arratisej dhe fati ia pruni në derë. Në kohën kur filloi puna për realizimin e projektit për ndërtimin e minierës së Gjegjanit, afër Kuksit, ai shfrytëzoi rastin që ishte aty afër kufinit dhe kaloi në Jugosllavi.
Atje e burgosën si “agjent të Sigurimit” dhe mbasi i bane nji hetuesi me tortura të vështira, e kthyen në Shqipni, bashkë me ndihmësin e tij, Zijadin Fterën. Besoj se kurr nuk ka me u dijtë e vërteta mbi bashkëpunimin sekret ndërmjet Sigurimit Shqiptar dhe UDB-se Jugosllave, sepse burgjet e të dy shteteve, ishin plot e përmaje me njerëz fatzij, që kishin ra viktima të këtij bashkëpunimi sekret.
Mbas të gjitha ktyneve proceseve, gjykata këtu e kishte dënue me 20 vjet burg. Ndërkaq duhet përmendë se në çastin kur ai ishte arratisë, e kishte lanë gruen shtatzanë, dy muej para lindjes. Përmes miqve të burgosun shkodranë, dikur merr vesht se prej saj, i kishte le nji djalë, por grueja, e shtërngueme nga familja, e kishte divorcue e ishte martue me nji tjetër.
Këto ishin hallet që i randojshin ma tepër se sëmundjet, siç ishte damtimi i nji unaze të shtyllës kurrizore, shkaktue prej rrximit nga skelat e katit të katërt, si dhe sëmundja e kolitit që i jepte dhimbje të mëdha në bark. Përpjekjet e mia për te, ishin vetëm “qetësimi i dhimbjeve”, me anë të fjalëve e këshillave, sepse dhimbja e shpirti njerzor, asht shuma ma e fortë se ajo e trupit. Këtu kisha parasysh gjithmonë thanien e Hipokratit të urtësisë greke, se; “Njeriun e shëron ilaçi, thika o zjarmi ose fjala e mirë”.
Kur, mbas operacionit të stomakut pata krizën e ngatrrimit të zorrëve (illius) dhe më shtruen në infermjerinë e vogël të kampit, gjeta të shtruem edhe Mehmetin. Ai vuente vetë prej dhimbjeve, por kur më pa mue në atë gjendje e harroi veten, u çue nga shtrati, tepër i preokupuem për jetën teme e, përpiqej me çdo kusht të më zgjaste jetën edhe atëherë kur un kishem humbë ndjenjat, e nuk kuptojshem kurrgja se ç’po ndodh.
Vetëm kur u ktheva i shëruem nga spitali mora vesh gjithshka. Asht e natyrshme që qysh atë ditë fitova nji besim ma të plotë ndaj tij, të cilin e ruejta gjatë gjithë jetës që kalova në burg, mbasi shumë vjet vazhduem dënimin së bashku, tue i u gjetë shoqishojt përherë, kryesisht me ndihmë morale, sepse të dy ishim pa ndihma ekonomike. Nji ditë po më thotë:
– Gani Tartari, Kryetar i Këshillit të Riedukimit, ti e njeh, është dënuar me grupin e Teme Sejkos, më ofroi të punoj si berber i kampit. Nuk pranova, megjithëse kam shumë nevojë, mbasi ai vend pune, është shumë i favorshëm për mua dhe paguhet mjaft mirë.
– Pse nuk e pranove?
– Si ta pranoj? Ti e di vetë se punëtorët e prapavijës janë të gjithë njerëz të komandës. Këtë gjë e kam provuar tash sa vjet në burg e, nuk dua të përlyhem.
– Mendoj se mund ta bajshe mirë punën e berberit dhe nuk ke nevojë me ba edhe punën e komandës. Në se ke aq të folun me Ganinë, thueja troç: berber bahem, por spiun i komandës jo.
– Po hyra aty, do të flasin të burgosurit.
– Sigurisht që do të flasin. Ti e din mirë se nga vetë njerzit e komandës, shpërndahen fjalë vesh më vesh, për të gjithë të ndershmit: “Rueju atij sepse është spiun”.
Jo vetëm këtu në burg, por edhe jashtë, Sigurimi ka përdorë edhe këtë metodë për izolim të shumëkuj; sigurisht që përflasin edhe për mue e për ty, edhe për njerëz ma të ndershëm. Ndigjo djalo, nji fjalë e urtë thotë: “Fjalët e hallkut e birat e gardhit, nuk mbyllen kurr”. Kanë folë për Krishtin e për Zojën, e nuk do flasin për ne?! Më ndigjo mue: punën e mirë bane, por të keqen kurr. Ti e njef Ganinë? Më kan thanë se asht këpucar. Ç’punë kishte ai me Teme Sejkon?
– Eshtë çam nga Konispoli. A nuk e din ti se “Grupi i Teme Sejkos”, ashtu si u vu në skenë me gjyqin e madh, është një trillium, prej të cilit ranë viktima të gjithë çamët, ashtu edhe vllehët?
– Nuk besoj. Ballafaqimi me Bashkimin Sovjetik, nuk mund të kalohej aq lehtë. Ti e di se ç’asht KGB-ja?
– E di mirë se Bashkimi Sovjetik, është një superfuqi që nuk çante kokën as për Shqipërinë e, aq më pak për Enver Hoxhën, si nuk çau kokën as për Budapestin, e as për Pragën, por u hyri me forcë brenda. Ajo vetëm me flotën që kishte në Orikum, e zaptonte këtë vend për tri orë. Hrushovi, në takimin sekret me Kenedin në Vjenë, u angazhua që të tërhiqej nga Pashalimani, mbasi ishte një bazë tepër e avancuar e shqetësuese për perëndimin.
Këtë kompromis, Enveri e quajti tradhti. Sovjetikët u larguan vetë e nuk i nxorëm ne, për më tepër, që ta dijsh ti, ata u larguan pa iu kontrolluar asnjë valixhe dhe kështu, me rrogat e larta trifishe që kishin këtu, blenë të gjitha visaret e gurë të çmuar, unaza, bylyzykë e varse që kishin teprue në syndyqet e grave, duke e lënë këtë vend në varfëri të madhe.
Prandaj Enveri, kërkonte me doemos që Sigurimi i Shtetit, si dhe Forcat Ushtarake, të dilnin para botës me një propagandë të madhe, ku të paraqitej “Epika Shqiptare”, kundër një superfuqije. Këto sendërgjime u organizuan nga Sigurimi i Shtetit. Kam folur me të gjithë çamët e mi. Më besojnë se kanë njohur babanë tim, Azem Beun, që ishte tmerri i grekërve. Janë të gjithë të pafaj, të gënjyer e të marrë në qafë. Me sa më kanë treguar, kjo histori ka një fillim.
Me rastin e vdekjes misterioze të gjeneral Hilmi Seitit, çam edhe ky, në funeralin e tij madhështor, në Shkodër, muarën pjesë, pothuaj, të gjithë çamët. Në këtë kohë, nga organet e larta, i propozohet Admiralit Teme Sejko, një plan. Partia e Pushteti, i thanë atij, gjinden më ngusht se kurr, sepse deri më sot për të gjitha arritjet i janë lënë nderet e meritat Bashkimit Sovjetik.
Në këtë gjendje të re, kërkohet një propagandë madhore për t’i mbushur mendjen botës dhe vendit, se ishin nëna Parti e shteti që sundonin në Shqipëri dhe jo rusët. Prandaj ishte bërë plani që të akuzoheshin disa autoritete ushtarake e civile, kryesisht më afër Pashalimanit, të cilët, të lidhur me sovjetikët, kërkonin të rrëzonin pushtetin në Shqipëri. Iu tha se kjo akuzë ishte krejtë imagjinare, mbasi Partia e dinte se nuk kishte asnjë armik në Shqipëri.
Prandaj akuza që bëhej duhej pranuar, si një detyrë Partie. Natyrisht, ajo, duke e ditur të vërtetën, do të zhvillonte një proces të gjatë, ndërsa trajtimi i të “akuzuarve”, do të ishte shumë i mirë, i priviligjuar, por sekret. Do të bëhej një gjyq publik, i cili pasi të provonte “fajsinë” do të jepte vendimet, që nuk do të zbatoheshin kurr, mbasi e vërteta ishte tjetër dhe këtë e dinte Partia.
Admirali Teme Sejko, që nuk dinte edhe aq mirë se ç’ishte Sigurimi i Shtetit, pranoi që të sakrifikohej për Partinë. Atij nuk i shkonte aspak ndërmend se edhe miku i tij, të cilit i shkoi në funeral, ndoshta ishte viktima e parë e këtij plani djallëzor. Procesi filloi e në te dukeshin personazhe të tjera, me rëndësi e pa rëndësi, u paraqitën dëshmitarë të çdo lloji.
Ata që nuk pranuan, u eliminuan gjatë procesit, midis të tjerëve edhe Taho Sejko, në atë kohë drejtor i Parkut Automobilistik të Shkodrës. Ta kam treguar edhe një herë, se e kam parë me sytë e mi dhe kam lexuar letrën që ai Hoxha ynë i çamëve N.N. (kështu quhet, sepse kishte bërë studimet e larta në Rumani) dhe ishte kryeredaktor i “Zërit të Popullit“.
Letra ishte kjo: “Shokut Enver Hoxha, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të PPSH-së. Detyrën që Partia ma ngarkoi mua e kam kryer me devotshmëri. Nuk e kuptoj pse më mbani gjithnjë të mbyllur këtu etj. Etj…! Kërkoj ndërhyrjen tuaj”! A e sheh deri ku kishte arrijtë idiotësia e quajtur “ideal i Partisë”? Në këtë grup kenë edhe disa krerë, siç ishte Tahir Demi.
Për atë u kurdis një kurth i poshtër. Shihe atë Nashon, atë brigadierin e çobanëve, Nasho Gërxhon. E sheh? Si të duket? Me që çobanët i kulltonin bagëtitë deri në kufirin grek. Brigadieri i tyre, Nashua, ishte njeriu më i besuar i Sigurimit. Këtë Nashon e thirrën një ditë në Sigurim dhe i thanë: “Nasho, ti do të takohesh me kryetarin Tahir Demin”.
“Po pse unë me këtë punë! Jemi çobenj të pashkollë që nuk dijmë të numërojmë as dhëntë, e jo të flasim me të mëdhenjtë”.
“Ti je artist, or Nasho, e dimë ne që të emëruam brigadier”.
“E ç’më duhet mua ta takoj. Unë që merrem me dhentë”?
“Po jo, që duam ne, prandaj u kemi vendosur aty. A e kupton se n’ato poste mund të vendosnim edhe të tjerë”?
“Këtë e di dhe ua kam borxh”.
“Atëhere ja si do të veprosh. Ditën e hënë, ora dhjetë, do të shkosh në klubin e fshatit X. Aty do ta bllokosh klubin dhe do t’i njerrish të gjithë jashtë.”
“Të bllokoj klubin? S’kam para.”
“Po ja, ku jemi ne që paguajmë. Ja njëqind mijë lekë”.
“E ç’të bëj me to?”
“Nxirri të gjithë nga klubi. Njerzit do të ankohen. Ti rri aty e mos ia hap derën asnjërit, përveç Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv.”
“A vjen ai?”
“Vjen se s’bën. Do të alarmohet pak çështja dhe kur të vijë ai, ti thuaji se nevojat e dhënve, nuk janë si ato të zyrave, o të grupeve artistike. Kërkoji edhe ndonjë grup artistik për barinjtë. Ç’të keqe ka këtu? Je dakort”? “Po”. “Ja dhe njëqind mijë lekshin, për të bllokuar klubin për dy orë. Ama, në bisedën tënde me Kryetarin, nuk do të jetë asnjë njeri“.
Kjo skenë u realizua me të vërtetë. Përfundimi: akuza kundër Tahir Demit, e cila provohej nga dëshmitari kryesor, Nasho Gërxho i ndjekun nga 10-15 çobanë të tjerë.
Vetëm mbas dënimit me vdekje të dhënë nga gjykata, Teme Sejko e muer veten, la në një anë idealin e Partisë e, u bashkua me realitetin e jetës. Simbas procedures, ai kishte të drejtën e “fjalës së fundit”. Vetëm aty foli si duhej. Deklari se kjo ishte një detyrë që ia kishte ngarkuar Partia, se ai nuk kishte zhvilluar asnjë aktivitet politiko-ushtarak me sovjetikët, kundër shtetit shqiptar. Deklaroi se ky gjyq ishte i organizuar me kërkesën e Partisë, së cilës ne ia plotësuam edhe dëshirat e fundit, duke sakrifikuar edhe nderin si qytetar dhe anëtar Partie.
E gjitha ishte një trillim që vinte nga Partia dhe e firmosur nga ne. Kjo fjalë e fundit, kje një bombë e papritur e cila shkatërronte çdo veprim të Sigurimit. Tregohej e vërteta dhe demaskohej gënjeshtra e madhe. Mbas proklamimit të vendimit që u shoqnua me nji heshtje të madhe, të dënuemit nuk u panë ma me njani-tjetrin. Të gjithë ata që kishin ndigjue fjalën e Teme Sejkos, vuajtën pesë vjet izolim, shpesh herë tue u ba edhe “spiunë birucash”, pra tue marrë në qafë të tjerët.
Koha 5 vjeçare në izolim, do të vlente për me fshi në kujtesën e tyne, atë çka ishte thanë në atë seancë të fundit të gjyqit. Kjo ishte dredhia e madhe e Sigurimit të Shtetit. Përgjithësisht ashtu ndodhi. Gjatë atyne pesë viteve izolimi në burg u harrue ajo që tha Teme Sejko dhe mbeti vetëm ajo që serviri e shpalli Partia…! Këto ishin kujtimet e mikut tim, Mehmet Isufi.
Zhdukja e kujtesës!
Kjo donte të thonte zhdukja e së vërtetës, për me mbetë në mendjen e shqiptarëve vetëm fjala e partisë. Kështu, e gjithë historia kombëtare, ashtu si letërsia, muzika, artet figurative dhe i gjithë mendimi i njerzve duhej të idjotizoheshin deri aty sa të mos dinin tjetër përveçse gjunjëzimit servil e të devotçëm para idhullit Enver. Ky ishte, pothuej, dami ma i madh që iu ba popullit shqiptar. Po të realizohej kjo ata do tëmbeteshin heroj e na tradhtarë në kujtesën e atyne që do të vinin mbrapa.
– Këtu e ke saktë, – i thashë. – Atje në burgun e parë në Shkodër, kishim drejtor nji burrë të mirë e të ndershëm, edhe pse ishte komunist. Quhej Shyqyri Rrjolli. Mbas pak vitesh si u liruem nga ai denim i parë, ai kishte takue nji kolegun tim dhe në bisedë e sipër, i kishte thanë: “Shikjo, djalë, mos të keshë nostalgji për kohën e kalueme.
Ajo nuk kthehet ma, sepse sikur sot (bahej fjalë për vjetin 1956), na komunistat t’ua lëshojmë pushtetin në dorë, nuk u duhet gja, mbasi e kena ngatrrue ma zi se flokët e harapit. Ju do të kërkoni me i gjetë fijen, po filja nuk mund gjindet as për 50 vjet, sikur të vijnë këtu të gjithë dijetarët e botës”. Fjalë e urtë sa s’ka përtej.
Me Mehmetin u takuem përsëri mbas shumë vjetëve, në periferi të Tiranës, në fundin e vjetit 1990, kur mendohej se komunizmi shqiptar ishte në grahmat e fundit. Mendohej se ishim të lirë. Ideali ynë ishte populli shqiptar, progresi e prosperiteti i tij.
Mendoi të merrte pjesë në politikë, që në gjysën e parë të dhetorit 1990, para se të paraqitej “Partia Republikane” e Sabri Godos. Tue kenë se nuk kishte kurrfarë lidhje as me Ramiz Alinë, as me gjykatësit, etj., atij iu kërcënue jeta, prandaj zgjodhi mërgimin politik, ku vazhdon gjithnjim, tue kja me lot, i zhgënjyem, demokracinë e re shqiptare. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm