Nga Agron Çuedari
Pjesa e tretë
Memorie.al / Pasi ministri më prezantoi në zyrën e tij me tre zëvendësministrat, të cilët edhe ata ishin emëruar vetëm para 5-6 muajve në ato detyra: Maqo Bleta, Faik Çina dhe Bujar Bedalli, me punonjësit e drejtorisë së bilancit e më pas në sallën e mbledhjeve, me të gjithë punonjësit e aparatit të ministrisë, shkova në zyrën ku do të punoja. Me sa më thanë punonjësit e drejtorisë, ajo zyrë kishte muaj që rrinte e mbyllur, pasi deri disa muaj më parë, aktiviteti i asaj drejtorie kryhej jashtë godinës së ministrisë. Për shumë vite, drejtor aty kishte qenë R. Shehu, një personalitet i spikatur e i vlerësuar për punën e bërë në atë detyrë.
Por disa muaj më parë, kur ai ishte ngarkuar me detyrën e zëvendësministrit, një firmë e tij për shkrirjen e disa materialeve stoqe, ishte vlerësuar shkelje e rëndë dhe jo vetëm e kishin shkarkuar, por edhe e kishin dënuar me dy vite burg. Pas kësaj, për ta patur më shumë nën kontroll aktivitetin e saj, me një vendim të veçantë të ministrit, Drejtorinë e kishin sistemuar me zyra brenda ambienteve të Ministrisë, aty ku e gjeta edhe unë. Të katër zyrat e specialistëve dhe imja, ishin në katin e parë të godinës, me shikim nga “Sheshi Skënderbej” dhe Banka Kombëtare. Drejtoria e Bilancit në organikë kishte 12 punonjës.
Shumica e tyre ishin me eksperiencë dhe kohë të gjatë në atë detyrë. Të gjithë ishin me arsim të lartë të profesioneve ekonomist apo inxhinier mekanik, elektrik, kimist e druri. Të gjithë kishin punuar në ndërmarrje brenda dhe jashtë Tiranës dhe e njihnin mirë bazën materialo-teknike të vendit dhe importit të sektorëve që mbulonim. Në ato vite, kur në fuqi ishte sistemi socialist, e gjithë ekonomia e vendit ishte e përqendruar. Si çdo gjë tjetër, edhe ndërmarrjet që mbulonte Ministria e Industrisë dhe Minierave, ishin në pronësi të shtetit. Aktiviteti i tyre ekonomiko-financiar, shpërndarja e prodhimit brenda vendit dhe për eksport, investimet dhe materialet e vendit dhe importit, miratoheshin nga qeveria.
Në ditët e para që unë fillova punë në ministri, të gjithë specialistët e Drejtorisë së Bilancit, sipas një praktike të përvitshme, i gjeta në valën e punës, të zhytur mbi dosjet e kërkesave të ndërmarrjeve për bazën materialo-teknike të projekt-planit të vitit 1977 dhe formularët tepër të veçantë me përmasat e suprinave të tavolinave të punës, duke regjistruar në kolonat vertikale emërtimin e mbi 140 ndërmarrjeve e në ato horizontale qindra emërtime e mijëra specifikime të materialeve. Pas një pune shumë të lodhshme e me orar të zgjatur nga mëngjesi deri në mbrëmje vonë, që kishte filluar në mesin e muajit shtator, në mesin e muajit tetor bilanci i nevojave për bazën materiale (për lëndët e para një për një dhe për ato të konsumit të grupuara), të vlerësuara në lekë valutë, u përfundua dhe u paraqit për miratim në kolegjiumin e ministrisë, ku morën pjesë dhe të gjithë drejtorët e drejtorive të ministrisë.
Pas diskutimeve dhe reflektimit mbi disa sugjerime që u bënë për të, bilanci u dërgua për t’u shqyrtuar e miratuar në Komisionin e Planit të Shtetit, në afatin e përcaktuar, datë 20 tetor. Në pritje për t’u ballafaquar për të në atë komision, kryespecialist i drejtorisë së bilancit (profesori, siç e thërrisnim ne në ministri), A. Çoçoli, më tha: “Drejtor, nga eksperienca që kam nga vitet e kaluara, diskutimi i bilancit në Komisionin e Planit të Shtetit, është një punë shumë e sikletshme. Përpara tyre, ne të dy do të jemi në rolin e studentëve, ndërsa ata, profesorët që do na marrin në provim. Tendenca e tyre është të shkurtojnë kërkesat që ne kemi paraqitur, nisur nga mungesa e fondeve valutore që sa po vjen e po bëhet edhe më vështirë. Për më tepër që edhe çmimet e konfirmuara nga Ministria e Tregtisë së Jashtme, çdo vit po shkojnë në rritje.
Të ngulim këmbë për të siguruar kontingjente e lëndëve të para dhe fondet për to. Ndonjë lëshim në uljen e fondeve të mallrave të konsumit edhe mund të bëjmë, duke i përballuar nevojat me gjendjet që kemi në depot e rezervave të ministrisë”. Pas një jave takime e ballafaqime të përditshme, me debate të shumta me specialistët në Drejtorinë e Bilancit në Komisionin e Planit të Shtetit, me pak ndryshime bilanci ynë u pranua dhe i kaloi për miratim qeverisë. “Nuk e besoja se do ta merrnim kaq lehtë këtë provim, – më tha Ahmeti. – Nuk e prisja që Eqerem Beci, drejtor i Drejtorisë së Bilancit në atë institucion, të mbante atë qëndrim aq dashamirës me ne”. Ishin këto fjalë të Ahmetit që më bënë t’i tregoja shumë shkurt kush ishte Eqerem Beci. Ai ishte një shkodran, që pasi kishte mbaruar studimet për inxhinieri nafte në Rumani, ishte emëruar në vitet 1950-të si specialist në Kombinatin e Naftës në Qytetin Stalin. Banoi aty shumë vite bashkë me të shoqen e prindërit e tij.
Në diplomën time si teknik i mesëm, gjendet i shkruar emri dhe firma e tij. “Me Eqeremin kemi njohje të vjetër, – i thashë, – të dy jemi naftëtarë. Ai ka qenë një nga specialistët më të përgatitur e shumë punëtor, që kujtohet me respekt nga të gjithë kuadrot e punonjësit e naftës”. Me miratimin e bilancit në Komisionin e Planit të Shtetit, ishte bërë vetëm gjysma e punës. Gjysma tjetër, po aq e rëndësishme e më përgjegjësi, e kufizuar me kohën e pakët për t’u kryer ishte: – Përgatitja e listave të specifikuara të materialeve të importit dhe dërgimi i tyre në tre ndërmarrjet e tregtisë së jashtme: Mineral-impex, Industrialimpex dhe Makina-import, sipas nomenklaturës së përcaktuar për to. – Përgatitja e listave të specifikuara të materialeve që do vinin nga importi gjatë vitit 1977, për ndërmarrjen e furnizimit materialo-teknik në Durrës dhe shpërndarja e tyre ne 140 ndërmarrjet që mbulonte ky dikaster. Nëpërmjet një pune të përditshme, të përkushtuar deri në mesnatë, në dhjetëditëshin e parë të nëntorit, në afatin e përcaktuar nga qeveria, edhe këto detyra u realizuan.
Një javë më pas, planet e specifikuara të importit u dërguan në çdo ndërmarrje, duke i porositur të lidhnin kontratat me ndërmarrjet e furnizimit materialo-teknik në Durrës. I çliruar nga kjo punë e lodhshme e i ngujuar në zyrë gjatë dy muajve, i shoqëruar nga dy specialistët e drejtorisë, A. Çoçoli dhe A. Pano, shkuam në Ndërmarrjen e Furnizimit të Industrisë dhe Minierave në Shkozet të Durrësit. Si e vetmja ndërmarrje në varësi të Drejtorisë së Bilancit, ajo ishte e madhe jo vetëm nga numri i punonjësve, specialistëve të afirmuar në sektorët që mbulonin, por edhe me ambiente shumë të mëdha, sheshe e magazina të mbushura plot e përplot me materiale, pajisje e makineri që përdoreshin në ndërmarrjet që mbulonte Ministria e Industrisë dhe Minierave. Të nesërmen, të tre së bashku, të shoqëruar nga drejtori i ndërmarrjes, shkuam në Elbasan, në Patos, në Rrëshen e në Tiranë, ku ndodheshin të tjera magazina të mallrave rezervë të kësaj ministrie.
Dy ditë para se të mbyllej viti 1976, në sallën e mbledhjeve të punonjësve të aparatit, Ministri, pasi na uroi të gjithëve vitin e ri, na dha porosi që, në ato ditë feste, çdo drejtori të mbante lidhje me ndërmarrjet që mbulonim, me synimin për ta filluar sa më mbarë ecurinë e punëve që në ditët e para të vitit të ri. Në mbyllje të takimit, më thirri në zyrë dhe më dha këtë porosi: “Në javën e parë të muajit janar, nuk do qëndrosh në zyrë. I bëhet mirë edhe punës edhe ty, që të shkosh me shërbim në disa nga ndërmarrjet që mbulon dikasteri ynë, të njihesh me drejtuesit e tyre, aktivitetin ekonomik e t’u zgjidhësh shqetësimet që do kenë për mungesën e materialeve më të nevojshme për realizimin e detyrave të muajit janar. Do takosh kryetarët e komiteteve ekzekutive, e do iu bësh të fala nga unë. Do iu thuash që të kam dërguar unë e që bashkë me shefat e seksioneve të Industrisë, do shkojmë në të gjitha ndërmarrjet e rrethi tuaj për t’i parë e ndihmuar ato në realizimin e planit të muajit janar. Shërbimin do e nisësh me rrethet e veri-lindjes. Vishu mirë se andej bën shumë ftohtë”.
Në datën 3 janar të vitit 1977, bashkë me A. Çoçolin, me një bllok autorizimesh të vulosura në çantë, hipur në një makinë “BÇ”-kineze, të parkut të specialistëve të huaj, që ishte në varësi të Drejtorisë së Bilancit, morëm rrugën për të shkuar në rrethet veri-lindore të vendit. Ishte hera e parë që po shkoja në ato treva. Ditën e parë qëndruam në rrethin e Mirditës. Në Rrëshen fillimisht takuam kryetarin e Komitetit Ekzekutiv, i dhamë të falat e ministrit dhe porosinë që më kishte dhënë për të, që së bashku me shefin e seksionit të industrisë së rrethit, të shkonim në të gjitha ndërmarrjet që mbulonte dikasteri ynë, për të parë fillimin e punëve në ato ditë të para të vitit e për të zgjidhur ndonjë shqetësim që mund të kishin për mungesën e bazës materiale. Pas takimit shumë dashamirës me të, shkuam fillimisht në minierën dhe uzinën e shkrirjes së bakrit në Rubik e më pas në të gjitha minierat e bakrit në Kurbnesh, Reps, Derven, Kaçinar, Spaç, në ndërmarrjet gjeologjike dhe ato të përpunimit të drurit.
Vonë në mbrëmje, të tre së bashku, vumë në dijeni Kryetarin e Komitetit Ekzekutiv për ecurinë e punëve në ato dy-tre ditët e para dhe zgjidhjen e shqetësimeve që kishin patur për bazën materiale që mungonte. Të nesërmen, shkuam në rrethin e Pukës. Duke ndjekur të njëjtin ritual, pas takimit me Kryetarin e Komitetit Ekzekutiv, bashkë me shefin e seksionit së industrisë, shkuam në minierat e nxjerrjes së bakrit në Qafbar, Qafmal, Tuç, në ndërmarrjen gjeologjike dhe atë të shfrytëzimit pyjor në Fushë Arëz. Ditën e tretë shkuam në rrethin e Tropojës. Me shumë vështirësi kaluam Qafmalin e më pas shpatet e luginës së Drinit, për të mbërritur në “Bajram Curri”, ku bora që kishte rënë ato ditë ishte mbi një metër. Pas takimit me Kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të rrethit, bashkë me shefin e seksionit të industrisë shkuam në Hidrocentralin e Fierzës, në minierën e Kuarcit në Kërnajë, atë të Kromit në Kam, në ndërmarrjen gjeologjike dhe atë të Përpunimit të Drurit. Të bllokuar nga dëbora në “Bajram Curri”, ndenjëm dy netë.
Ditën e pestë shkuam në rrethin e Kukësit me të njëjtin ritual; shkuam në minierën dhe Uzinën e Shkrirjes së Bakrit në Rexhepaj, në minierat Gjegjan, Golaj e Thirë, në minierën e kromit Kalimash, në Ndërmarrjen Gjeologjike dhe në atë të Përpunimit të Drurit. Pasi i raportuam në mbrëmje kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, për takimet e asaj dite, darkuam së bashku me të tek Hotel-Turizmi i qytetit. Në të katër ato rrethe, si kryetarët e Komiteteve Ekzekutive, ashtu edhe drejtorët e ndërmarrjeve, na falenderuan që u gjendëm pranë tyre në ato ditë dimri të ftohtë dhe për ndihmën që u dhamë ndërmarrjeve me bazën materiale që u mungonte, e sidomos një vlerësim e mirënjohje për mikun e tyre, ministrin Pali Miska, që kishte punuar shumë vite në ato treva si drejtor ndërmarrje dhe drejtues i lartë partie. Për të shkuar në rrethin e Dibrës, udhëtuam nëpërmjet një rruge të shkurtër, por të vështirë përgjatë luginës së Drinit, që lidhte Kukësin me Peshkopinë.
Pas bllokimit për dy orë nga dëbora në kalanë e Dodës, me ndihmën e një automjeti që na rimorkjoi 500-600 metra, në mbrëmje vonë mbërritëm në Peshkopi. Të nesërmen në mëngjes, pas takimit me Kryetarin e Komitetit Ekzekutiv, shkuam në minierën e mermerit në Muhur. Atje pashë që herë të parë si pritej mermeri për eksport në blloqe kubikë të përmasave të mëdha, sa një kioskë. Pasi shkuam edhe në ndërmarrjen e Përpunimit të Drurit, dolëm nga Peshkopia dhe morëm rrugën për në gjigantin e industrisë minerare, minierën e kromit në Bulqizë. Si një nga minierat më të mëdha në vend, në Ballkan dhe Europë, me prodhim të madh e cilësor të mineralit të kromit, i kërkuar për eksport deri në Kinën e largët, kjo minierë, ashtu si industria e naftës, ishte në vëmendjen e përditshme të ministrisë e qeverisë. Bashkë me Ahmetin, gjatë rrugës u morëm vesh që në takimin që do të bënim me drejtuesit e minierës, ta hapnim qesen e t’ju thoshim të na kërkonin ç’të donin dhe ne do t’jua jepnim, me autorizimet në dorë.
Drejtor i minierës në ato vite ishte Todo Manço, një personalitet i shquar, punëtor dhe organizator i spikatur e shumë i vlerësuar nga Këshilli i Ministrave dhe Komiteti Qendror i Partisë. Pasi shkuam edhe në minierën e kromit në Batër të rrethit të Matit, në mbrëmje mbërritëm në Burrel. Të nesërmen shkuam në ndërmarrjen e Përpunimit të Drurit, brenda në qytet e më pas në dy hidrocentralet e para të ndërtuara në vendin tonë, Ulëz e Shkopet. Në mbrëmje mbërritëm në Tiranë. Pas një jave pune të lodhshme, në palcë të dimrit, në hotele pa ngrohje, mbuluar me tre-katër batanije natën, i surprizuar nga pritjet dashamirëse të vendasve, veçanërisht kur ulur në klubet e minierave, ata na qerasnin me fërnet e proshut derri, që unë e shijoja për herë të parë, mbërritëm në Tiranë shëndoshë e mirë. Të nesërmen, shkova në zyrën e ministrit për t’i raportuar për takimet që kisha bërë në rrethet veri-lindore me kryetarët e Komiteteve Ekzekutive dhe drejtuesit e ndërmarrjeve. “S’është nevoja, – më tha Pali, – të gjithë kryetarët e komiteteve e disa nga drejtorët e ndërmarrjeve më kanë marrë në telefon.
Më falenderuan për këtë metodë të re pune që ndërmorëm, për t’iu gjendur sa më pranë atyre. Shumë mirë më folën edhe për ty. Përveçse ishe sjellë shumë korrekt, i kishe ndihmuar duke iu zgjidhur shumë nga problemet që kishin ngritur”. Në vijim të bisedës, ministri më porositi që të hartoja një grafik, ku të parashikoja takimet me drejtuesit e ndërmarrjeve në të gjitha rrethet qendrore dhe jug-lindore e në veçanti në Kombinatin Metalurgjik në Elbasan, atë Kimiko-Metalurgjik më Laç, Kombinatin e Drurit në Elbasan, Shkodër, Laç e Tiranë, në Kombinatin e Auto-Traktorave në Tiranë, minierat e Hekur-Nikelit e të Qymyrit në Librazhd, Pogradec, Korçë, Kolonjë e Memaliaj, pellgun industrial në Fier dhe Vlorë. Brenda muajit shkurt e mars, edhe këtë porosi e çova në vend. Nëpërmjet këtyre shërbimeve, përveçse m’u dha mundësia të shikoja të gjitha qytetet e Shqipërisë nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim, u njoha edhe me shumicën e kuadrove drejtuese të Komiteteve Ekzekutive të rretheve, si dhe me drejtuesit dhe kryeinxhinierit e ndërmarrjeve që mbulonte dikasteri ynë.
Me ta, jo vetëm punuam së bashku gjatë katër viteve që unë isha në atë detyrë për realizimin e planeve të prodhimit në ato degë të rëndësishme të zhvillimit ekonomik të vendit, por u bëmë e mbetëm shokë edhe në vitet më pas, kur, si unë, edhe shumë prej tyre u caktuam në të tjera detyra. Struktura organizative e Ministrisë së Industrisë dhe Minierave në ato vite, ishte ajo tip, e miratuar nga Këshilli i Ministrave: Ministri, tre zëvendësministra, tetë drejtori prodhimi, sipas degëve të industrisë dhe gjashtë drejtori funksionale, që kishin lidhje me të gjitha ndërmarrjet që mbulonte kjo ministri. Në vitin 1977, struktura organizative dhe kuadrot drejtuese të Ministrisë së Industrisë dhe Minierave, ishin si më poshtë: Ministër: Pali Miska, Zëvendësministra: Maqo Bleta Faik Çina Bujar Bedalli. Drejtoritë e prodhimit: Drejtoria e Naftës, Drejtor P. Prifti Drejtoria e Gjeologjisë, Drejtor R. Vladi, Drejtoria e Minierave Drejtor Th. Dede, Drejtoria e Metalurgjisë, Drejtor R. Zonja, Drejtoria e Kimisë, Drejtor B. Hazizi, Drejtoria e Drurit, Drejtor S. Dimoshi, Drejtoria e Mekanikës, Drejtor Dh. Thanati, Drejtoria e Elektronikës, Drejtor B. Parruca, Drejtoritë funksionale: Drejtoria e Planit Drejtor J. Zajmi, Drejtoria e Financës, Drejtor P. Xhillari, Drejtoria e Bilancit, Drejtor A. Çuadari, Drejtoria e Investimeve, Drejtor P. Nauni, Drejtoria e Kuadrit, Drejtor S. Gostivishti, Drejtoria e Organizimit, Drejtor H. Osmani.
Të tre zëvendësministrat, drejtorët e drejtorive dhe specialistët, ishin me arsim të lartë, me profesionet përkatëse sipas degëve që mbulonin, si inxhinierë nafte, minierash, mekanikë, metalurgë, përpunim druri, elektronikë, kimistë, gjeologë e ekonomistë. Të gjithë ishin emëruar në ministri pasi kishin punuar mbi dhjetë vjet në ndërmarrjet prodhuese në degët përkatëse dhe ishin vlerësuar, jo vetëm për punën e tyre si specialistë, por edhe në detyrat drejtuese dhe organizative. Sipas organizimit të punës brenda dikasterit, Drejtoria e Bilancit, e Planit dhe ajo e Përpunimit të Drurit, ishin në varësi të zëvendësministrit Bujar Bedalli. Që në takimin e parë me të, ku folëm gjatë për detyrat që na ishin ngarkuar, por edhe për jetën tonë, vendlindjet, shkollimin, vendbanimet, punët që kishim kryer dhe për dy familjet tona, krejt natyrshëm m’u krijua bindja se me Bujarin, do merresha vesh shumë mirë e do shkonim më së miri, gjatë viteve që do punonim bashkë. Gjashtë muaj mbasi isha transferuar me punë në Tiranë, në ditët e fundit të muajit mars, Komiteti Ekzekutiv miratoi kërkesën time për t’u sistemuar familjarisht me banim në Tiranë.
Shtëpia, me ambiente dy dhoma gjumi e një kuzhinë, në katin e tretë të një pallati të sapo përfunduar, ndodhej në rrugën “Gjon Buzuku”, në të majtë të “Rrugës së Dibrës”, pa shkuar tek Medreseja. Pa u vonuar, në javën e parë të muajit prill, shkova pranë familjes në “Qytetin Stalin”, ku pasi diskutuam me nënën e Donikën, vendosëm të shpërnguleshim menjëherë për në Tiranë. Pasi bëmë shkëputjen nga puna të Donikës, shkuam në Komitetin e Partisë së Qytetit për të nisur sa më shpejt dokumentet e saj në Tiranë. Të nesërmen, bëmë dorëzimin e shtëpisë në Entin Komunal. Kozetën e sistemuam në familjen e kushëririt tonë, E. Dervishi, me banim shumë pranë shtëpisë tonë, për ato tre muaj që i kishin mbetur nga përfundimi i shkollës tetëvjeçare. Me lot në sy, pasi u përcollëm me Sofijen dhe Bariun, komshinjtë e shkallës e të pallatit, familjarisht me nënën, Donikën e Albanën e vogël, që me të qarë me zor e ndamë nga vërsnikja e saj Ermonela (vajza e Th. Çaliqit), u nisëm për në shtëpinë e re në Tiranë.
Në ato tre-katër muaj në vazhdim, çdo gjë në familjen tonë shkoi mbarë. Me vendim të degës së kuadrit të Komitetit të Partisë, Donika në muajin maj filloi punë në Ndërmarrjen Mineral-Impex të Ministrisë së Tregtisë së Jashtme, në sektorin e metaleve me ngjyra, me detyrë marrjen e ofertave, lidhjen e kontratave dhe sjelljen nga importi të blloqeve, profileve e fletëve të bakrit, bimetalin për fishekët në uzinën ushtarake të Poliçanit dhe zhivën për prodhimin e polisterolit në Uzinën e Sodës në Vlorë. Kozeta, pasi mbaroi tetëvjeçaren me të gjitha dhjeta, u bashkua me ne në Tiranë në qershor, dhe në shtator, me të drejtën e studimit që mori në “Qytetin Stalin”, u regjistrua dhe filloi shkollën e mesme të Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi”, në degën anglisht. Albana, vetëm disa ditë pas mbërritjes në Tiranë, u njoh e u miqësua me vërsniken e saj Lolën, me banim dy kate më sipër dhe gjithë ditën merreshin me kukullat, duke i veshur e i zhveshur me fustanet që i qepte nëna. Në muajin shtator edhe ajo filloi klasën e parë fillore në shkollën “Kongresi i Përmetit”.
Nëna, si zonjë, bënte të gjitha punët e shtëpisë, gatuante shkëlqyeshëm, kujdesej për Albanën e bashkë me gratë e moshuara të shkallës, pinin kafe te njëra-tjetra. Transferimi dhe strehimi me shtëpi në Tiranë, veç shumë të mirave të tjera për të cilat do të rrëfej edhe më pas, na krijoi mundësinë familjarisht, të ishim më afër e të shkonim më shpesh në Shkodër, ku banonte vëllai im Iljazi, me Asijen dhe tre fëmijët e tyre: Nexhin që sapo kishte përfunduar studimet në Universitetin Shtetëror të Tiranës për Mjekësi dhe Meritën në gjimnaz. Beni, që kishte mbaruar shkollën e Ministrisë së Brendshme në degën e Sigurimit, ishte emëruar me punë në Korçë. Ndryshe nga si më parë që takoheshim më rrallë ngaqë ishim larg, herë pas here shkonim edhe pa i njoftuar e shpesh kalonim bashkë me ta të dielat. Albana e Kozeta, në muajt e verës qëndronin atje më gjatë e së bashku shkonin e bënin plazh në Shirokë apo në Drin. Pas martesës së Nexhit me Gazmorin dhe, më vonë, edhe të vajzës së dajës tim, Letës, me Bektashin, vizitat në Shkodër, jo vetëm ishin më të shpeshta, por edhe më të gjata. Pa dy netë, s’mund të largoheshe, duke qenë se nga një, ishin bërë tri familje, e duhet të shkonim tek të gjithë për dreka ose për darka.
Banorë të Tiranës para nesh ishin bërë edhe të tjera familje të trungut tonë familjar në vitet e vegjëlisë, të fisit e bashkëfshatarë, me të cilët u lidhëm me vajtje-ardhje në festa e gëzime familjare. Të shpeshta ishin ato me kushërinjtë e mi të parë, me familjet e Nesimit e Qenamit, me Majrenë e të birin Bashkimin, me fëmijët e Halitit, Enverin e Bakiun, me fëmijët e dajo Hajdërit, Skënderin e Artën, me prindërit e Asijes, Petrefin e Xhixhinë, të birin Bardhin e vajzën Letën, me Minen, kushërirën e babait, me Habipin, të shoqen Refijen e djemtë e tyre, me familjen e Tosunit, etj. Marrëdhënie dashamirëse e shumë miqësore lidhëm edhe me familjen Zaloshnja, Shkëlqimin, Artën dhe dy vajzat e tyre, Mimozën e Jerinën. Që në vogëli, nëna më kishte treguar që me trungun familjar të Hysen Zaloshnjes, që banonte në Berat, kishim lidhje fisnore e ishim kushërinj. Në vitet që unë vazhdoja shkollën shtatëvjeçare në Vlorë, gjatë rrugëtimeve të shumta vajtje-ardhje, qëndroja shumë i mirëpritur darkave në shtëpinë e tyre. E dija që përveç Qemalit e Teftës, xha Hyseni e nënë Gjyrxhia, kishin edhe një tjetër djalë, Shkëlqimin, por ngaqë ai punonte e banonte në Tiranë, nuk e kisha takuar ndonjëherë.
Pas një muaji që kisha filluar punë në ministri, sipas një tradite që praktikohej në ato vite, kur në një nga dikasteret emërohej drejtor i ri i bilancit, ngaqë puna i lidhte me njëri-tjetrin, drejtorët e bilanceve të dikastereve të tjera shkonin dhe uronin kolegun e tyre të ri në zyrën e tij dhe së bashku pinin një kafe. Midis atyre që më uruan, ishte edhe Drejtori i Drejtorisë së Bilancit të Ministrisë së Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore, Shkëlqim Zaloshnja. Pasi u ul e më uroi punë të mbarë, më pyeti nga isha me origjinë, për shkollimin që kisha bërë dhe punët ku kisha punuar më parë. Aty për aty, iu përgjigja: “Ashtu si edhe ti, jam me origjinë nga Skrapari, inxhinier mekanik, me banim familjarisht në “Qytetin Stalin”, i biri i kushërirës tënde, Refijes nga Therepeli”. Kaq u desh. I ndjeshëm e i përlotur, u ngrit në këmbë dhe më përqafoi. Pa më thënë asnjë fjalë, nga zyra, mori në telefon të shoqen, Artën dhe e porositi: “Do të bëj një surprizë. Për darkë do vij me një të afërmin tim, që e takoj për herë të parë”. Pritja që më bënë atë darkë ishte shumë dashamirëse.
Pasi iu rrëfeva gjithçka që deshën të dinin për nënën që e kishin takuar në vitet e luftës, për Iljazin familjarisht e po ashtu për jetën time të fëmijërisë, shkollimin, familjen, vitet e punës deri në ato ditë që kisha ardhur në Tiranë, hëngrëm darkën e më pas u ngrita të ndahesha me ta, për të kapur autobusin e fundit urban që të shpinte në Laprakë, ku banoja provizorisht deri në marrjen e shtëpisë. Të dy në një gojë, por më këmbëngulëse Arta, më kapën për krahu dhe më ulën ku isha. Nuk më lanë të largohesha nga shtëpia e tyre, jo vetëm atë natë, por gjithë kohën, derisa u sistemova me shtëpi në Tiranë. Kjo lidhje miqësore e dashamirëse midis dy familjeve tona vazhdoi edhe në vitet më pas. Të dy me Donikën, gjendeshim shpesh pranë tyre. Me sjelljen dhe kulturën e tyre, si dhe respektin që tregonin për ne, ishte gjithmonë kënaqësi t’ju rrije pranë. Kishte kaluar një vit që punoja në Ministri. Me eksperiencën që kisha fituar, edhe projekt-planin e bazës material-teknike për vitin 1978, bashkë me specialistët e drejtorisë, e hartuam dhe e dorëzuam në Komisionin e Planit të Shtetin, në afatin e caktuar.
Në një nga ato ditë, i befasuar nga njoftimi në telefon i dezhurnit në hyrje të godinës, se tek unë po vinte Ministri i Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore, Kristaq Dollaku, dola nga zyra për ta pritur atë në korridor. Me të ishim njohur vite më parë, kur unë punoja e banoja në “Qytetin Stalin” dhe ai ishte Drejtor i Kombinatit të Tekstileve në Berat. Në këtë vizitë të papritur, ai shoqërohej nga Drejtori i Bilancit të asaj ministrie, Shkëlqim Zaloshnja. Pasi më takoi, iu drejtua Shkëlqimit e i tha: “Po të prezantoj me një shokun tim, Agron Çuadari, për të cilin na foli aq mirë zëvendëskryeministri Adil Çarçani”. Pa i thënë ministrit që ne njiheshim e ishim kushërinj, disi i revoltuar si duket nga kritikat që u kishte bërë Adili për mos dërgimin në afat të projekt-planit, Shkëlqimi iu drejtua ministrit me këto fjalë: “Unë e njoh këtë që kur ka qenë i vogël dhe kam të bëj me të. Që ta dish ti, kur unë nisa të merrem me këto punë, ky i binte maces me lugë. Si mendon ti, që ky di e është më i zoti nga unë, që më solle këtu të marr eksperiencë”?! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016