Nga Gjekë Gjonlekaj
Memorie.al / Për këtë gazetë zëmadhe, kisha mësuar në shkollën e vendlindjes, ashtu siç kisha mësuar edhe për Fan S. Nolin dhe për disa personalitete tjera shqiptaro-amerikane. Pas rënies së Aleksandër Rankoviqit nga pushteti jugosllav, në Kosovë kishin filluar të botohen disa monografi të poetëve dhe shkrimtarëve shqiptarë. Në vitrinën e një librarie në rrugën kryesore të Gjakovës, ishin vendosur disa vepra të poetëve nga Shqipëria, ku bënte pjesë edhe një poemë e Nolit. Portretet dhe titujt e këtyre veprave letrare ishin për ne, një lloj frymëzimi.
Në mitingje letrare dhe poetike aktorët shqiptarë të Kosovës recitonin poezitë e Nolit më shumë se të asnjë poeti tjetër.
Elita kulturore e Kosovës gëzonte dashuri e respekt të jashtëzakonshëm për Fan Nolin. Shumë nga ata e kishin dëgjuar zërin dhe komentet e tij në Seksionin Shqip të ‘Zërit të Amerikës’, sepse Noli kishte jetuar deri në mars te vitit 1965. Ndryshe nga Konica dhe poetët e tjerë shqiptarë, që kishin qenë të ndaluar, Imzot Noli, megjithatë nderohej për veprimtarinë e tij kombëtare, fetare dhe kulturore.
Emri i këtyre dy kolosëve dhe emri i Amerikës, ishin si një trinom për brezat shqiptarë kudo në botë. Amerika për ne ishte simbol i lirisë, demokracisë dhe begatisë. Shqiptarët në Ballkan ishin të shtypur, prandaj e nderonin Amerikën jo vetëm për të mirat e saj, materiale, por edhe për lirinë dhe mundësinë që u kishte dhënë shqiptaro-amerikanëve për të vepruar në të mirën e çështjes kombëtare.
Bostoni dhe Washingtoni, ishin dy qytete të dashura për botën shqiptare. Disa ditë para se të largohesha nga Prishtina në fillim të janarit 1970, një student nga Malësia, më pyeti pse po shkon në Amerikë. Përgjigjja ime ishte sa qesharake, aq edhe profetike.
Po shkoj në Amerikë: “Për të shkruar për gaztën ‘Dielli’, për të folur në ‘Zërin e Amerikë’ dhe për t’u bërë i pasur”!?. Objektivat e mia ishin në lartësitë e Everestit dhe si të tilla, më munduan për pothuajse një gjysmë shekulli.
Drejtori i Zyrës së “Zërit të Amerikë” në New York, Al Banks, shkroi 30 vjet më parë një artikull, për gazetarët e kësaj zyre. Al Banks, shkroi gjerësisht edhe për mua në revistën “VOICE”, që ishte organ i këtij radiostacioni. Ai kishte vënë në dukje tre objektivat e mia, dy të parat të realizuara, por ai ishte optimist në shkrimin e tij se edhe objektivin e tretë, do ta realizojë, duke parë tek unë vullnetin e mirë dhe përpjekjet serioze.
Kjo revistë ishte përhapur në shumë vende të botës dhe kisha marrë disa letra sidomos nga vendet e Afrikës. Ata kishin menduar se isha i pasur, gjë që nuk ishte e vërtetë, por Al Banks, kishte parashikuar këtë, sepse në atë kohë kisha filluar investime në prona të patundshme (real estate).
Gazeta “Dielli” për mua kishte edhe një rëndësi tjetër, ngase editori i saj, Dr. Athanas Gegaj, ishte njeri i familjes sime. Në gazetën e tetorit të vitit 1970, kishte bërë një shënim për ardhjen tonë në Amerikë. Pas disa muajsh vendosëm lidhje. Ai kishte një dashuri e respekt të madh për “Diellin” dhe për “Vatrën”.
Në fillim të fillimit në Amerikë, nuk kishim asnjë lidhje tjetër me botën shqiptare, përveç gazetës “Dielli”. Në atë kohë ishte 4 faqesh por botohej një herë në javë. Në mesin e viteve ’70-të, filluam bashkëpunim serioz me “Vatrën”.
Në New York kishte shumë aktivistë vatranë ku shquhej Ymer Doda. Ai fitoi menjëherë mbështetjen tonë dhe të shumë malësorëve nga trojet shqiptare të robëruara. Ymer Doda, shkonte derë për derë duke kërkuar para-pagues të gazetës dhe anëtarë të “Vatrës”.
Dega 29 e “Vatrës” në New York, ishte shtylla kryesore e kësaj organizate. Dekada e 8-të e shekullit të kaluar ishte periudha më historike dhe tragjike e pjesë së dytë, të shekullit të kaluar.
Në pranverë të vitit 1981, filluan kryengritjet e Kosovës për liri e pavarësi. Në pranverë të vitit 1982, u vranë vëllezërit Gervalla dhe Kadri Zeka. Në atë kohë u vra ose u vetëvra Mehmet Shehu dhe tre vjet më vonë vdiq Enver Hoxha.
Të gjitha këto ngjarje ndodhën, në një distancë kohore prej 4 vjetësh. Analistët politikë shqiptarë dhe të huaj parashikonin ndryshime të mëdha në botën shqiptare. Kombi shqiptar ishte në lëvizje e sipër, për liri e demokraci.
Edhe shqiptarët e Amerikës kishin filluar aktivitetet e tyre për të mirën kombëtare. Këtu bënte pjesë edhe “Vatra” e “Dielli”. Ishin bërë tradicionale kuvendet e kësaj organizate të mbahen gjithmonë në fund të shtatorit, ose në fillim të tetorit. Kuvendi i vitit 1985, u zhvillua në Boston në fundjavën e parë të tetorit. Ne vatranët e qyteteve tjera amerikane, shkonim në Boston të gëzuar, sepse ky qytet për ne ishte një Tiranë e vogël.
Kisha Katedrale e Shën Gjergjit dhe restauranti i famshëm “Anthony Pier 4”, kishin për shqiptarë rëndësi historike dhe kulturore. Kuvendet fillonin të shtunën në mëngjes dhe vazhdonin gjithë pasditen, bile disa herë edhe të dielën para se të shtrohej një drekë e veçantë në Anthony Pier të Antoni Athanasit.
Kuvendi i atij viti kaloi mirë në fillim deri në momentin kur sekretarja e “Vatrës” Paulina Lukas deklaroi se gazeta “Dielli” nuk botohet më. Kur dëgjuan këtë lajm delegatët i kaploi një dhimbje që nuk ishte parë asnjëherë në kuvendet e kësaj organizate.
Disa nga të pranishmit, pyesnin pse po mbyllet gazeta?! Zonja Lukas, përgjigjej; për mungesë të financave. Aty ishte edhe Antoni Athanas, por nuk reagonte fare. Qeveria komuniste e Tiranës dhe ajo e Beogradit, kishin vepruar natë e ditë për mbylljen e kësaj gazete. Të dy këto qeveri, kishin miq besnikë në Amerikë.
Patriotët shqiptarë antikomunistë dhe anti-jugosllavë që fatkeqësisht nuk kishin mundësi të mjaftueshme financiare, e kundërshtuan këtë vendim. “Dielli” ç’prej vitit 1960 e deri në vitin 1985, kishte bërë punë të madhe kundër diktaturës në Shqipëri dhe kundër pushtimit jugosllav, të tokave shqiptare.
Kjo ndodhi në sesionin e parë të mëngjesit. Gjatë pushimit midis dy seancave, u këshillova me vëllaun tim, Lucë Gjonlekaj, i cili ishte i pranishëm në këtë kuvend, për mundësinë e një kontributi për shpëtimin e kësaj gazete.
Ai e mbështeti me këmbëngulje qëndrimin tim, për botimin e 12 numrave me 8 faqe për gjashtë muaj, duke filluar nga janari i vitit 1986. Çdo numër kushtonte 950 dollarë, dhe prej 1 janarit 1986 e deri më 1 korrik po të atij viti, ne paguam $ 11,400 (njëmbëdhjetë mijë e katërqind dollar).
Pas pak kohe kryetari i “Vatrës”, Dr. Andrew Elia, kërkoi një deklaratë tonën për këtë kontribut, bile edhe fotografinë tonë. Ne ia plotësuam dëshirën, duke ia shpjeguar se populli ynë, kishte nevojë të madhe për një gazetë serioze shqiptaro-amerikane.
Shqipëria nën diktaturë dhe Kosova dhe viset tjera shqiptare nën robërinë jugosllave, prisnin prej nesh ndihmën për liri e pavarësi. Do të ishte qenë mëkat për ne, sikur të kishim hequr dorë nga thirrjet e tyre për shpëtim. Mbyllja e gazetës “Dielli” në atë kohë, do të ishte një vepër e keqe. Të pranishmit e pritën mirë dhe e duartrokitën premtimin tonë, edhe pse dukej i pamundshëm.
Shumë shqiptarë të Amerikës e përshëndetën këtë akt. Kryeredaktori i “Diellit”, Xhevat Kallajxhi, botoi një editorial në këtë gazetë për këtë dhuratë, duke e cilësuar si dhuratën më të madhe në historinë e “Diellit” dhe “Vatrës”.
Ndërsa kryetari i “Vatrës” Dr. Andrew Elia, e cilësoi si një vepër të madhe patriotike. Edhe Profesor Repishti, na përgëzoi për këtë kontribut me një shkrim në gazetën “Dielli”.
Edhe shqiptarë të tjerë kanë shkruar e folur për ketë vepër. Gjatë një vizite në New York, Antoni Athanas më përgëzoi duke më thënë: “Qerrata, e mbajte fjalën, Urime”. Ndërsa miku ynë Prenkë Gruda tha: “Urime, e shpëtuat ‘Diellin’ nga varri”. Unë ruaj kujtime të mira për dy gazeta shqiptare, për gazetën “Rilindja” e Prishtinës dhe për gazetën “Dielli” të Bostonit.
“Rilindja u shua, ndërsa gazeta “Dielli” një muaj më parë kremtoi 110-vjetorin e saj. Do Zoti e kjo gazetë nuk do të shuhet kurrë, ashtu siç nuk do të shuhet kurrë as drita e diellit! Memorie.al
(Gjekë Gjonleka, ish gazetar i “Zërit të Amerikës”, aktualisht botues në New York).
Marrë nga gazetadielli.com