Nga Thanas Gjika
Pjesa e katër
–Portret-biografi, kushtuar Dino Thanas Martikos–
Memorie.al / Gjatë historisë kombëtare të popullit shqiptar, janë shquar shumë burra e gra, për guximin me të cilin i kanë kundërshtuar padrejtësitë dhe urdhrat e padrejta të sunduesve të huaj ose vendës. Kjo dukuri, ka qenë e përhapur në shekuj, por edhe gjatë viteve 1944-1991, kur sundoi diktatura komuniste. Mirëpo politika terrorizuese dhe propaganda e partisë-shtet, e detyronte popullin që të vlerësonte si trimëri, servilizmin ndaj partisë e pushtetit. Qëndrimet e guximshme të atyre që kundërshtonin politikën e Partisë, ose veprime të gabuar të kuadrove të Partisë e të pushtetit, dënoheshin me burgime, internime, pushkatime, etj.
Arrestimi dhe burgimi i dytë, shuarja e Dinos…!
Pas fejesës së djalit, Dinua ndjehej shumë i kënaqur dhe shpesh midis miqve, thoshte atë shprehjen e gjyshit të tij Mitro: “Sikur të vdes tani, do të isha njeriu më i lumtur në botë”. Mirëpo fejesa e Robertit, për Sigurimin ishte një ngjarje që duhej goditur. Vjehrri i tij, pensionisti Vllasi Jorgji, si komunist i vjetër që ishte, nuk duhej të bënte krushqi me armikun e klasës. Vllasi ishte i zgjuar e guximtar, i ngjante mjaft Dinos në karakter. Si i thonë fjalës: Ngjan krushqia pa bëhet. Ai nuk i ndërhyri vajzës dhe fejesa u krye për bukuri. Më 1 qershor 1979, në Kongresin e Frontit Demokratik, diktatori Hoxha shpalli dhe një herë me forcë: “Luftë armikut të brendshëm”.
Për nënkryetarin e Degës së Vlorës, famëkeqin Muhamet Hila, një vlonjat i ulët, këto fjalë kishin kuptimin që të dënoheshin për herë të dytë ish-të burgosurit e dikurshëm. Dinua ishte njeri i pjacës, banor i vjetër i Vlorës që prej vitit 1948, i cili me gjithë dënimin e pare, gëzonte respekt. Ai kurrë nuk ishte interesuar se kush u bë kryetar Dege, shef Policie, Prokuror, etj., dhe nuk e kërkoi kurrë miqësinë e tyre. Ndjente neveri dhe ndaj pensionistëve servilë dhe spiunë, gjë që kuptohej nga qëndrimi i tij larg tyre. Kjo sjellje e Dinos, e kishte zemëruar prej kohe shefin Muhamet Hila. Kafja që pinte pensionisti Dino te Hotel Turizmi i Vlorës, për nënkryetarin e Degës, ishte kapardisje e karshillëk i padurueshëm. Për guximin e këtij ish-të burgosuri, tregoheshin dhe historira nga koha e luftës dhe pas saj…!
Shef Hila, kishte kohë që po punonte për arrestimin e Dinos, por deshte ndonjë shkak. Dhe ja fjala e udhëheqësit të Partisë, ishte rast shumë i mirë. Pas dy ditësh, më 3 qershor 1979, ai arriti të realizonte arrestimin e dytë të Dinos, tashmë pensionist 65 vjeçar. Krushku, Vllasi, për t’u treguar Sofisë e Robertit, se nuk ndryshonte mendim për fejesën, u tha: “Unë nuk do të veja në Degë, të merrja leje apo të pyesja se me cilin të fejoja vajzën time”. Sigurimi e dinte se Dinua, nuk do të ishte një i arrestuar i lehtë që mund të nënshtrohej kollaj, prandaj dy muaj para arrestimit të tij, i hodhi prangat një ish-të burgosuri, i cili pasi kishte kryer 20 vjet burg, po vijonte të vuante internimin në një fshat të Vlorës. Gjatë arrestimit dhe hetuesisë së parë ai nuk ishte thyer. Mirëpo tani pas arrestimit të dytë, gjatë torturave në hetuesi, nuk rezistoi dot. I kërkuan të akuzonte Dinon, se të dhënat e fermës ku ai punonte dërgoheshin prej Dinos në Greqi, dhe ai pranoi. Krahas këtij i nxorën Dinos në gjyq edhe tre dëshmitarë të tjerë. Midis tyre ai njohu vetëm një ish-avokat, nga Himara.
Gjyqi u zhvillua në Vlorë me dyer të mbyllura, në datën 4 shkurt 1980. U lejuan të merrnin pjesë shumë pak veta, kuptohet sigurimsa dhe komunistë. Sofia dhe Roberti, u lanë të rrinin në korridor, ku do të kalonte i akuzuari para se të hynte në sallën e gjyqit. “Kishim disa orë që po prisnim në korridorin e ftohtë akull. Kur ja u shfaq grupi me gjykatësit, dëshmitarët, policët, babain dhe prokurorin. Nëna ma tregoi në një farë distance, por unë mezi e njoha. Ishte dobësuar shumë”, tregon Roberti dhe vijon: “Nuk e kuptoja ku i qëndronte shpirti. Por si unë dhe nëna nuk donin që ai të kuptonte habinë tonë për pamjen e tij, prandaj mbërthyem në fytyrat tona, nga një si buzëqeshje për t’i treguar se ne ishim mirë dhe të mos kishte merak për ne”.
Në fund të procesit, gjyqtari Reshat Polovina, vendosi që Dinua të dënohej me 23 vjet heqje lirie, për tradhti ndaj atdheut dhe agjitacion e propaganda, edhe pse mungonin faktet dhe i akuzuari nuk kishte pranuar asgjë gjatë procesit në hetuesi. (Roberti, pas vitit 1992, kur i pa dokumentet e mbushura me akuza false të të dy gjyqeve, vuri re se ato ishin të pa firmosura prej të dënuarit). Dënimi i Dinos me 23 vjet burg pa pasur asnjë fakt real, tregonte se Sigurimi kishte vendosur ta eliminonte përgjithmonë. Karakterit të diamantë të tij, hetuesit nuk mundën t’ia ndërronin formën, as ta thërrmonin për ta përdorur si donin, prandaj e flakën në burg të përjetshëm, ku e keqtrajtuan dhe ia morën jetën para kohe. Kështu Sigurimi dhe Partia, e varfëroi Shqipërinë nga trimat, për ta mbajtur të trembur e të nënshtruar popullin e vet…!
Mos thyerja e Dinos gjatë hetuesisë së dytë, duhet vlerësuar më shumë se mos thyerja e tij gjatë hetuesisë së parë, sepse e dyta zgjati jo pesë muaj e gjysëm, por nëntë muaj, kur ai ishte 65 vjeçar dhe jo 40 vjeçar. Kësaj radhe u përdorën kundër tij dhe ilaçe, për ta bërë të ndjehej pa fuqi, që të dorëzohej. Mirëpo ato ia dobësonin forcën fizike, por jo forcën morale. Ai mbeti shembull i njeriut, që nuk u thye deri në fund. Donika, nusja e Robertit, gjatë kohës së hetuesisë nëntë mujore të Dinos, me gjithë presionet e mëdha që i bëheshin, me gjithë stresin e fortë psikologjik që përjetonte, nuk u nda nga i fejuari i saj. Një javë pas dënimit të Dinos ata të dy u martuan. Autoritet e Vlorës e “mbajtën fjalën” që i thanë Donikës dhe babait të saj se, nëse ajo martohej me djalin e armikut të klasës, do ta largonin nga Vlora, ku punonte si mjeke.
Vërtet, pas martesës, Donikën e hoqën nga Ambulanca e Qytetit dhe e dërguan të punonte në Qendrën Shëndetësore të Akërnisë, ku punonte dhe Roberti. Mirëpo dashuria midis dy të rinjve ishte e shëndetshme. Donika dhe Roberti me vullnetin e tyre, përballuan vështirësitë e punës larg qytetit. Shumë shpejt iu shtuan familjes së re Martiko, dy djem të shëndetshëm, për rritjen e të cilëve kujdesej nënë Sofia. Mundimi i fëmijëve i jepte asaj gëzim duke i ulur stresin dhe mërzitjen. Njësoj si gjatë burgimit të parë ajo u kujdes me një përkushtim të rrallë për bashkëshortin e burgosur. Me gjithë moshën e madhe ajo përshkonte distancën e gjatë vajtje-ardhje në këmbë nga shtëpia te burgu e anasjelltas për ta vizituar të shoqin dy-tre herë në muaj.
Skenën e takimit të fundit me babain e tij, shkrimtari Robert Martiko ma ka përshkruar me këto fjalë: “Ishin ditët e fundit të jetës së tim eti. Fizikisht e shihja se ishte duke u shuar, por vështrimi i tij ishte i qetë dhe mjaft i përqendruar. Polici që ishte i pranishëm, nuk ja ndante sytë. Ishte çudi e madhe për mua fytyra me pamjen e mësipërme. Dalloja sikur për Dino Martiko në ato çaste, nuk ekzistonin hekurat, policët, diktatura, tonelatat e betonit të burgut. Ndonëse fizikisht i robëruar dhe një hap nga vdekja, dalloja në sytë e tij një lloj lirie shpirtërore, që janë në gjendje ta shfaqin vetëm shpirtrat e jashtëzakonshëm. Nga leximet e mëvonshme mësova se të tillë liri shpirtërore, kishin përjetuar në burg edhe Pjetër Meshkalla me disa intelektualë klasi”.
Dinua u shua në burg, brenda spitalit burg të Tiranës më 1985, në moshën 71 vjeçare. E kishin sjellë nga kampi i punës i fshatit Zejmen të Lezhës, në një gjendje shëndetësore të rënduar. Ai kishte pësuar infarktin e pare, në burgun e Ballshit, dy tre muaj pasi kaloi hetuesinë e rëndë e torturuese në Vlorë. Mbrëmjen që e kishin shpënë nga Zejmeni në spitalin burg të Tiranës, për të u kujdes mjekja Meri Kriqi Gjinushi, bija e mjekut Lefter Kriqi, e cila e mori vullnetarisht shërbimin e rojës atë natë. Por me gjithë kujdesin e saj, u shua afër agimit. Dy zakone humanë të cilët populli ynë i respektonte prej shekujsh, ishin dhënia e ndihmës ndaj njeriut që binte në vështirësi dhe pjesëmarrja në ceremoninë e varrimit, të një të njohuri të vdekur. Mirëpo, si më ka treguar Roberti, komshinjtë dhe të njohurit e familjes Martiko në Vlorën e kohës së diktaturës, u rrinin larg, silleshin me të gjithë familjarët e të burgosurve për agjitacion e propagandë, sikur u kishte rënë ‘kolera’.
Për turpin e Partisë dhe të Sigurimit, që ushtronin terror ndaj popullit, edhe zakoni i përcjelljes së të vdekurit me biografi të keqe tek vorrezat, kryhej me pjesëmarrjen e vetëm familjarëve, sepse të njohurit kishin frikë mos u prishej biografia. Varrimi i ish-të dënuarve politikë, madje dhe i kryeministrit të vrarë Mehmet Shehu, ishte kryer pak vjet më pare, me pjesëmarrjen në procesin e varrimit vetëm të disa familjarëve të tij. Por ndaj Martikove, Sigurimi u tregua dhe më kriminal. Nuk i njoftoi për vdekjen e Dinos dhe nuk ua dha kufomën për t’ia bërë nderet e fundit. Trupin e këtij të vdekuri, e varrosën disa punonjës të Sigurimit. Djali i tij, Roberti, mbas një vit kërkimesh, mezi e gjeti vend-varrimin e të atit. Dino Martiko, vdiq 71-vjeçar, i tretur nga keqtrajtimet dhe nuk u kujtua e nuk u vlerësua kurrë gjatë regjimit komunist, për të cilin dha ndihmesën e vet gjatë Luftës dhe pas saj. Madje dhe qeveritë demokratike, mezi e vlerësuan më 2011 me çertifikatën: “Qytetar nderi i Komunës së Lukovës”, e pas saj më 2012 me medaljen “Martir i Demokracisë”, firmosur prej Presidentit Bamir Topi.
Sofia, grua dhe nënë trime e durueshme deri në legjendë
Të shumta dhe të mëdha i pati vuajtjet dhe qëndresën burrërore Dino Martikua, por, po aq të shumta dhe të mëdha, i pati vuajtjet dhe po ashtu e pati qëndresën e saj dhe burrnesha Sofie Gribizi Martiko, bashkëshortja e tij. Gjatë jetës së saj në Shqipëri, që nga dita që u martua dhe la prindërit në Korfuz më 1942 dhe derisa u rikthye pranë prindërve e vajzës së sëmurë më 1989, Sofia përjetoi vetëm disa ditë të gëzuara dhe mijëra ditë të hidhura, të mbushura me vuajtje, fukarallëk e tronditje shpirtërore. Në vitin 1944, Sofia lindi fëmijën e parë vajzë, Merin, e cila për fat të keq, pa mbushur dy vjet, u sëmur nga polimeliti. Ishte viti 1946, kur në Sarandë kishte mungesë ilaçesh dhe shërbim mjekësor. Dinua, iu lut disa shokëve me detyra të larta në Tiranë, për t’i dhënë lejë që ta shpinte vajzën bashkë me nënën e saj në Korfuz, për ta kuruar. Shpenzimet do t’i hiqte gjyshi i vajzës dhe nëna do të kthehej shpejt. Kaluan gjashtë muaj, pa marrë asnjë përgjigje pozitive. Një ditë problemi i lejës për të shpënë vajzën në Korfuz, u zgjidh nga kryetari i ri i Degës së Sarandës, ish-shoku i Luftës, Nuri Luçi.
Nuriu ishte i ri në moshë dhe njeri dinamik. Kur mori vesh se sëmundja e vajzës ishte e pashërueshme në Shqipëri, i tha Dinos: “Pse nga ata të Tiranës pret ti, të mbarosh punë? Thuaji gruas sot pasdite, sa të perëndojë dielli të jetë gati së bashku me vajzën për të shkuar në Korfuz”. Dhe kështu në perëndim të diellit, u realizua nisja e anijes dhe kur mbërriti në afërsi të Korfuzit, anija lëshoi disa herë sinjale dritash dhe një anije e vogël peshkimi me dy peshkatarë grekë, erdhi pranë anies shqiptare. Sofia dhe vajza u hodhën me kujdes tek anija e peshkimit dhe vijuan lundrimin për Korfuz, kurse Dinua me Nuriun dhe motoristin, u kthyen në Sarandë. Vlen të shtojmë se oficeri i Sigurimit, Nuri Luçi, pas disa vjetesh u transformua në një oficer plotësisht i nënshtruar, ndaj urdhrave të Partisë dhe shefave të tij dhe kreu shumë krime si shef Dege, në rrethe të ndryshme. Sofia me vajzën në darkë vonë, arriti te shtëpia e prindërve të saj. Mirëpo të nesërmen, ende pa gdhirë mirë, u arrestua nga policia greke.
Ishte koha kur marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë ishin të acaruara. Pyetjes se kush e solli në Greqi, Sofia u përgjigj thjesht, se; nuk i njihte personat. Ajo sqaroi se bijë e kujt ishte dhe se kishte ardhur për të shëruar vajzën. Pas tri ditëve, i ati arriti të siguronte lirimin e saj. Kur Sofia mësoi se shërimi i vajzës ishte i vështirë dhe do të zgjaste shumë kohë, kërkoi të kthehej në Sarandë, pranë burrit. Vajzën nuk e pa më, derisa iu lejua riatdhesimi në vitin 1989 bashkë me familjen e Robertit. Pati vite të tëra, si në vitet 1954-1957 dhe 1979-1985, gjatë burgimit të parë e të dytë të Dinos, kur Sofia ndërpreu dhe korrespondencën me babanë, nënën dhe vajzën e vet të sëmurë, për të mos i dhënë shkak Sigurimit Shqiptar, që të jepte dënime të tjerë. Gjatë atyre viteve, asaj nuk i erdhi as ndonjë ndihmë financiare, apo pako me veshje nga Greqia. Për të mbijetuar me djalin e vogël dhe për të siguruar ushqimet që duhej t’i shpinte Dinos, gjatë burgimit të parë, ajo i siguronte të ardhurat nga një profesion, që filloi ta krijonte vetë. Për herë të parë në Vlorë, ajo filloi të qepte çorape grash dhe t’i meremetonte syçkat që shthureshin, me anën e një makine të vogël primitive qepëse, që e kishte prurë në pajë.
Kuptohet se durimi dhe këmbëngulja e saj për të përballuar këtë jetë të tensionuar në Vlorë, kanë qenë të jashtëzakonshëm. Në atë qytet ajo nuk kishte askënd nga fisi i vet, madje asnjë mikeshë të besuar, për t’i qarë hallet. Ndonjë nga ish-shoqet e punës, i propozonte që të ndahej nga Dinua, për të siguruar të ardhmen e djalit e të vetes. Por në mendjen e saj, një zgjidhje e tillë ishte e papranueshme, madje neveritëse. Këtë zgjidhje ajo nuk e mendoi as më 1946-ën, kur u ndodh në Korfuz me vajzën pranë prindërve. Që në kohët e lashta, vajzat e trevave greke dhe iliro-shqiptare, kishin marrë një edukatë sipas së cilës, u ishte ngulitur kodi moral se ato lindnin e rriteshin në shtëpinë e prindërve, por ato u përkisnin përjetësisht shtëpive të burrave ku i shpinte fati. Ky lloj kodi moral ishte i ngulitur dhe në koshiencën e Sofisë, prandaj ajo nuk mund ta braktiste shtëpinë e burrit, fatin e saj, edhe pse bashkimi i saj me Dinon ishte bërë me shkuesi dhe jo me dashuri. Dashuria midis tyre lindi më vonë, kur ata e njohën njëri tjetrin në momente të këndshme dhe në momente të vështira.
Gëzim të madh përjetoi vjehrra Sofi, kur pa se dhe nusja e djalit, ndoqi po këtë rrugë zgjidhjeje, pa e detyruar kush, madje në një kohë kur nuk kishte ende fëmijë. Pikërisht ky veprim i nuses, bëri që dashuria e Sofisë për të të forcohej aq sa, mjaft nëna biologjike, nuk i donin vajzat që kishin pjellë vetë. E tillë ishte Sofia, grua pa fjalë, që nuk u ankua kurrë për vështirësitë dhe fatkeqësitë që i ranë mbi kokë, por i kapërceu me durim e këmbëngulje, falë karakterit të saj, të ngjashëm me karakterin e burrneshave të maleve shqiptare. Dhe Zoti ia shpërbleu qëndresën, me kthimin në Korfuz, së bashku me familjen e përtërirë të Robertit. Sofia Gribizi Martiko, u nda nga jeta e gëzuar, tre vjet pasi jetoi në Korfuz pranë prindërve dhe pa djalin, nusen dhe dy nipërit, të përshtatur në jetën e re…!
Në botën e lirë ka mundësi të shumta
Muri i Berlinit, ende nuk kishte rënë, por pasardhësi i diktatorit Hoxha, Ramiz Alia, për të treguar se ishte tolerant dhe se po ecte drejt liberalizimit, filloi të bënte disa lëshime, duke dhënë viza, për riatdhesim të mjaft kryefamiljarëve që kishin kombësi dhe shtetësi të huaj. Ishte një pasdite e bukur korriku e vitit 1989, kur familja Martiko, me Sofinë, Robertin, Donikën dhe dy djemtë e tyre, po lundronin drejt Korfuzit. Ëndrra e lirisë, që u ishte dukur e parealizueshme, po realizohej. Po i afroheshin Korfuzit, me pasaporta e viza të rregullta të akorduara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Shqipërisë dhe nga Ambasada Greke në Tiranë. Kaq i madhe kishte qenë terrori që kishte ushtruar shteti i diktaturës komuniste mbi këtë “familje me biografi të keqe”, sa Roberti ka shkruar në kujtimet e tij se, nuk i besohej që do të arrinin te bregu korfiot. Derisa anija, ku kishte hipur familja e tij, nuk kishte hyrë ende në ujërat greke, mendja e tij ishte e pushtuar nga ankthi. I dukej sikur nga minuta në minutë, do të mbërrinte urdhri nga Tirana, për të anuluar vendimin e largimit të tyre.
Kur hyri anija në ujërat greke, nënë Sofia bëri kryqin dhe tha nën zë: “Faleminderit o Zot”! Kur zbritën në tokë, u bëri përshtypje pastërtia në veshjet dhe fytyrat e njerëzve, rrugët pa plehra, madje dhe qielli iu duk më i kaltër. Turistët e huaj dhe vendasit, dalloheshin vetëm nga gjuha që flisnin. Takimi i Sofisë me vajzën dhe me prindërit, te salloni i shtëpisë së bukur në breg të detit, ishte një skenë prekëse, që do të mallëngjente çdo pjesëmarrës. Lufta e Ftohtë, i kishte ndarë për 43 vjet nënën Sofi, nga vajza Meri e sëmurë dhe bijën Sofi, nga prindërit e saj. Pas dy ditësh, erdhi për të takuar Sofinë, motra e saj profesoreshë, në degën Anatomi-Patologji në Universitetin e Athinës…! Roberti dhe Donika, ishin 41 dhe 35 vjeçarë, jo aq të rinj sa të të përshtateshin rrufeshëm me jetën e re, por nuk ishin as të moshuar, sa të mos përshtateshin me punët e rëndomta si u ndodh emigrantëve mbi 50 vjeçarë të cilët, kur nuk e dinë gjuhën e vendit ku emigrojnë, mbeten për gjithnjë të punësuar në punë të rëndomta, pastrimi e shërbimi. Për mësimin e greqishtes, Roberti i është mirënjohës babait, i cili me durim i dha mësimet e para. Më tej puna eci lehtë përmes bisedave familjare midis të treve, dëgjimit të radios dhe shikimit të kanaleve të Radio-Televizionit Grek.
Populli grek i Korfuzit, i mirëpriti të ri ardhurit, jo vetëm Martikot që kishin lidhje të vjetra, por dhe shumicën e emigrantëve që shkuan atje pas vitit 1991. Në gjithë Greqinë, popullsia vendësa, u dha veshje, ushqime, punë, strehim, madje atyre që merreshin me pastrim shtëpish, u dhanë në duar edhe çelësat e shtëpive. Midis emigrantëve ata që kishin qenë anëtarë të PPSh-së, ose që i kishin shërbyer si informatorë Sigurimi, rrinin kokulur e më njanë, punonin pa rënë në sy dhe nuk donin të shoqëroheshin me shqiptarë e as me grekë. Donin vetëm punë jo shoqëri, ose përpiqeshin të gjenin njëri tjetrin. Kishin frikë se mos i njihnin dhe mos i spiunonin te policia greke. Disa kishin vrarje ndërgjegjeje. Kurse Roberti e kishte ndërgjegjen të qetë dhe shoqërohej me këdo që e lidhte puna dhe që i pëlqente. Ashtu si i ati edhe ai, nuk kishte pranuar të përfitonte të mira në kurriz të të tjerëve. I kishte kundërshtuar dhe nuk u ishte dorëzuar kërkesave dhe presioneve të shefit të Sigurimit të repartit ku kreu shërbimin ushtarak, për t’u rekrutuar si informator i Sigurimit. E falenderonte Zotin, që i kishte dhënë forcë për ta kundërshtuar shefin e Sigurimit edhe pse ai e kërcënonte për të ardhmen e tij…! Po të ishte implikuar në një veprimtari të tillë, shqiptarët që filluan të vinin me shumicë pas vitit 1991, do ta kallëzonin tek organet e Zbulimi grek dhe ai do të keqtrajtohej si keqbërës.
Kur e pyeta sesi arriti të punësohej, Roberti më sqaroi se Donika filloi punë e para, në një qendër shëndetësore në qytetin e Korfuzit dhe nuk e nxiste atë që të fillonte çfarëdo pune. Qëndroi ca kohë pa punë dhe kur kishte përvetësuar përdorimin e kompjuterit guxoi ta provonte veten për krijimin e një pune private. Greqia si vend i Bashkimit Europian e stimulonte dhe e stimulon iniciativën private. Për të arritur sukses. mjafton gjuha, njohjet profesionale, guximi dhe ca para. “Fillova të krijoja me një kompjuter të madh, tabela reklamash. Programin e krijimit e studiova në një libër voluminoz në anglisht”, sqaron Roberti dhe vijon: “Brenda pak vitesh, munda të hapja edhe magazinën time, të cilën tani vonë e ka zgjeruar djali im i vogël, Akilea, i cili ka mbaruar studimet e larta për Inxhinieri Elektrike, në universitetin e qytetit Patra. Kurse djali i madh, Kosta, ka kryer shkëlqyeshëm studimet në Itali për Mjekësi me specialitet kirurg i shtyllës kurrizore. Roberti e kapi si duhet biznesin e tij, mbasi Korfuzi, duke qenë qytet turistik i klasit të parë, kishte dhe ka shumë nevojë për reklama, tabela dyqanesh e zyrash, shpesh herë dhe në gjuhë të huaja.
Vuajtjet dhe fatkeqësitë e thellojnë njohjen e botës reale. Dëbimi nga jeta normale, pra emërimi me punë larg shtëpisë dhe në punë jashtë profilit që kishte marrë në shkollë, ishin për Robertin një lloj izolimi, një lloj fshikullimi, që i dha mësime të ashpër, por përmes kësaj me fshikullima, me mungesa të mëdha, ai mësoi shumë gjëra, që nuk ua dha jeta shokëve të tij, që e kaluan jetën me përkëdhelitë e partisë e të shtetit diktatorial.
Pikërisht, jeta me vuajtje, shpesh herë i ngacmon njerëzit e përvuajtur, që të synojnë për tu bërë shkrimtarë e poetë, për t’ua zbuluar njerëzve ndjenjat e botën e tyre të brendshme. Edhe Roberti, mbas të njëzetave filloi të lakmonte krijimtarinë letrare, por nuk po guxonte të shkruante, sepse e dinte se për shkak të biografisë së keqe, krijimet nuk do t’i botoheshin. Një ditë e pyeti Dinon, se çfarë mendimi kishte për shkrimtarët e poetët dhe a do të ishte mirë që djali i tij, të merrej me krijimtari letrare.
“Shiko Lasgushin, si e theu penën dhe merret me përkthime nga letërsia e huaj, sa për të jetuar. Mos u merr me sporkerira” (gjëra të ndyra). Kështu iu përgjigj Dinua, për t’i treguar se nuk ia vlente të shkruante vepra të realizmit socialist, që e lustronin realitetin në përputhje me politikën e partisë. Kështu Roberti, nuk iu fut krijimtarisë letrare në rini, sepse krijimtaria që do të synonte të krijonte, do ta shpinte shpejt a vonë në burg, ose internim dhe familja do të përvëlohej për djalin e saj të vetëm. Pas vitit 1992, kur u kthye një herë në Shqipëri, Roberti ndjeu dëshpërim, pa një shoqëri të lirë por në anarki, ku kishte manifestime bajraktarizmi në nivelet e larta të shtetit. Ai kishte jetuar dhe shijuar demokracinë në Greqi, demokracia shqiptare i dukej shumë e dobët dhe me shkelje të shumta, prandaj e kundërshtoi propozimin e një shokut të tij që e këshilloi ta vinte emrin, në listën e kandidatëve për deputet i Partisë Demokratike.
Qyteti dhe ishulli i Korfuzit, si vend shumë piktoresk dhe që gjatë muajve të dimrit nuk kishte shumë punë, e shtyu Robertin të mendonte se erdhi koha të rikthehej tek ëndrra e vjetër, për të krijuar letërsi artistike. Deri sot, ai ka shkruar gjashtë romane, por thotë se nuk është i kënaqur prej tyre. Ai mendon se iu fut krijimtarisë pak me vonesë, por dhe në një kohë kur i mungonte formimi i duhur filozofik e letrar. Në veprat e tij, ai gjen shpesh përdorim të fjalës, pa saktësi maksimale, gjë që e pengon prirjen natyrore, talentin e tij të arrijë atje ku ai pati synuar. Po ashtu, ai mendon se duke qenë se ishte formuar në shkollën shqiptare të kohës së diktaturës, i kishte munguar formimi i duhur në fushën i filozofisë, sepse pa këtë bagazh, ai kishte dhënë aty këtu, interpretime naïve për dukuritë e jetës shoqërore. Jo rastësisht, thotë ai, krijuesit e mëdhenj të artit, si; Mikelanxhelo, Da Vinçi dhe personalitete të tjerë të Evropës Perëndimore, morën gjatë jetës mësime në fushën e filozofisë. Ai sugjeron që të gjithë shqiptarët që duan të merren me krijimtari letrare, është e nevojshme të njohin para se t’i futen kësaj rruge, të përvetësojnë mendimin e kualifikuar perëndimor, sepse në Shqipërinë komuniste, si dhe sot mendimi perëndimor, që bëri Karl Marksin filozof, nuk mësohej e nuk mësohet nëpër shkolla.
Përsëri sipas Robertit, një nga të metat e arsimit dhe mendimit të kualifikuar intelektual në Shqipëri, është se nuk tregohet kujdes për modelet më të larta morale shqiptare, apo “Mbinjeriut”, sipas termit të Frederik Niçes. Ai thekson se bota Perëndimore, nuk u zhvillua me modelin e mesatares, as më atë të më së mirës, por me idenë e “Më të Lartës”. Në këtë pikë Roberti, krahas admirimit të mendimit të kualifikuar teorik, tregohet edhe praktik. Vë në dukje se; njerëzit që mund të vlejnë si modele superior, janë ata që, me ndershmërinë e shpirtit, i rezistuan pa u thyer komunizmit, në bankën e provave reale të hetuesive të Sigurimit, në kohën e tre milion duartrokitësve të frikësuar. Heronjtë e jetës që mund të frymëzojnë shoqërinë janë pikërisht Mbi njerëzit. Ky model i lartë shpirtëror, në mënyrë të paevitueshme, përmban në vetvete ndjenjën e kujdesit ndaj të tjerëve. Dhe pikërisht te kujdesi ndaj të tjerëve, ai sheh pikën e fillimit ku mund të ndryshojë shoqëria. Evropianët, sidomos veriorët, nuk mund të përfytyrohen pa ndjenjën e “Kuptimit të Tjetrit, të së Huajës, të së Ndryshmes”. Ky bazament, pra “kuptimi i tjetrit, i së huajës, i së ndryshmes”, nuk erdhi te mendimi shoqëror shqiptar, si i erdhi mendimit evropian gjatë Rilindjes. Rilindja shqiptare, ishte me mungesa nga kjo pikëpamje, sepse ajo u zhvillua vetëm si lëvizje për çlirimin kombëtar, nga zgjedha e rëndë obskurantiste turke dhe si lëvizje për bashkim kombëtar, mbi dallimet fetare dhe krahinore.
Atëhere i sugjerova Robertit, se për të krijuar një roman të ri me modelin e “Mbinjeriut”, ai e ka materialin të gatshëm pikërisht te prototipat e babait dhe nënës së tij, të atij vetë e të Donikës, mjafton që ta ritregojë artistikisht jetën e tyre. Por ai tha se, kjo do të tingëllonte si mburrje. Në romanin e fundit që ky krijues ka në dorë, përveç modelit të “Mbinjeriut”, trajton edhe temën, se përse disa shoqëri kanë shkuar përpara dhe të tjerat kanë mbetur pas, ndonëse stadi fillestar i tyre ka qenë i njëjtë, dalja nga shpellat. Romani i ardhshëm i Robert Martikos, do të jetë një thirrje për vetë qeveritë, klasën tonë politike, arsimin e kualifikuar, intelektualët me mendje të hapur. Sipas këtij shkrimtari, për të krijuar një brez të ri të denjë për të marrë në dorë fatet e vendit tonë, duhet trajtuar “modeli shpirtëror i më të lartës”, dukuri që duhet të shërbejë si pikënisja e proceseve shoqërore politike e morale. Kam bindjen se jeta e Dinos, Sofisë dhe pjesëtarëve të tjerë të kësaj familjeje, do të frymëzojë shpejt a vonë shkrimtarë dhe artistë, për të realizuar vepra të shquara arti. Po ashtu dhe bashkëpunëtorët e “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar”, është e nevojshme që ta pasurojnë ribotimin e këtij fjalori, me artikuj (zëra) përkatës për të tillë njerëz dhe ta pastrojnë këtë vepër të rëndësishme, nga artikujt ku jepet jeta e bëmat e disa servilëve të partisë dhe diktaturës, politika e të cilëve dështoi me turp. Memorie.al
Marrë nga zemrashqiptare.net