Nga Thanas Gjika
Pjesa e parë
–Portret-biografi, kushtuar Dino Thanas Martikos–
Memorie.al / Gjatë historisë kombëtare të popullit shqiptar, janë shquar shumë burra e gra, për guximin me të cilin i kanë kundërshtuar padrejtësitë dhe urdhrat e padrejta të sunduesve të huaj ose vendës. Kjo dukuri, ka qenë e përhapur në shekuj, por edhe gjatë viteve 1944-1991, kur sundoi diktatura komuniste. Mirëpo politika terrorizuese dhe propaganda e partisë-shtet, e detyronte popullin që të vlerësonte si trimëri, servilizmin ndaj partisë e pushtetit. Qëndrimet e guximshme të atyre që kundërshtonin politikën e Partisë, ose veprime të gabuar të kuadrove të Partisë e të pushtetit, dënoheshin me burgime, internime, pushkatime, etj.
Dënimi shtrihej dhe mbi familjarët e tij, të cilët shpalleshin po ashtu “armiq e tradhtar”. Bëmat e këtyre njerëzve mbuloheshin me heshtje dhe harresë. Kush i tregonte ato dënohej dhe ai për agjitacion e propaganda, kundër partisë e shtetit. Të shumtë ishin intelektualët e formuar në Perëndim, nacionalistët, ballistët dhe legalistët, të cilët Partia Komuniste Shqiptare, i luftoi dhe i asgjësoi që gjatë Luftës Antifashiste dhe në vitet e para të pas luftës. Mirëpo, po kjo parti, asgjësoi dhe shumë komunistë të ndershëm e trima, të cilët nuk iu nënshtruan politikës së gabuar të saj.
Shkrimtari Robert Martiko, i biri i Dino Martiko!
Mbasi u ndërrua sistemi diktatorial njëpartiak me sistemin pluralist, ishte detyrë intelektuale të kërkoheshin, të vlerësoheshin dhe të popullarizoheshin zyrtarisht, ata bij e bija të popullit tonë, që guxuan të kundërshtonin politikën e partisë dhe që vuajtën dënimet e ashpra të asaj diktature. Mirëpo shumica e klasës politike të pas diktaturës, përbëhej nga ish-komunistë, ish-oficerë Sigurimi dhe shërbëtorë besnikë të klanit Hoxha. Kështu që kërkimi, vlerësimi dhe popullarizimi i të tillë trimave e trimëreshave, u s’postua si detyrë e dorës së dytë e të tretë.
Gjatë tranzicionit, ish-pushtetarë, kuadro me përgjegjësi, shkrimtarë, gazetarë dhe studiues të kohës së diktaturës, vijuan të ishin penat kryesore që mbushnin faqet e shtypit dhe kanalet televizivë. Pikërisht të tillë njerëz në pushtet, e krijuan me vonesë, Institutin e Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, të cilit i kanë nxjerrë dhe i nxjerrin pengesa të shumta në punën e tij. Madje pa turp, parlamentarë i sotëm socialistë, kanë kërkuar që ky Institut të mbyllet, me qëllim që të mos kryhet zbulimi i krimeve të diktaturës komuniste dhe të mos vlerësohen bëmat e njerëzve të ndershëm e guximtarë të asaj kohe, që kundërshtuan veprime të padrejta të kuadrove partiakë dhe politikën e partisë.
Nuk duhet humbur kohë për të kërkuar, gjetur dhe popullarizuar jetën e të tillë njerëzve të guximshëm, me qëllim që të ndihmohen institucionet përkatëse për të vlerësuar këtë aspekt të jetës sonë. Kjo punë nuk duhet lënë si detyrë që duhet kryer vetëm prej ish-të përndjekurve, sepse shumica e popullit që vijon të ndjekë median e majtë, i sheh këta me sy të shtrembër dhe nuk i vlerëson, madje as i lexon shkrimet e tyre. Prandaj është detyrë e gjithë intelektualëve të ndershëm, që të përpiqen seriozisht, për të njohur dhe vlerësuar me shkrime të llojeve të ndryshme, bëmat e këtyre heronjve, sepse shembujt e tyre do të frymëzojnë rininë shqiptare, për të krijuar larg gënjeshtrave një shoqëri të moralshme, pa të cilën populli ynë, nuk mund të ecë përpara…!
Në vijim të shkrimeve të mia, për të zbuluar e përshkruar jetën dhe bëmat e njerëzve që guxuan të kundërshtonin politikën e Partisë Komuniste gjatë Luftës dhe pas saj, po përpiqem të ndërtoj këtu një portret-biografi, për birin e denjë të Bregut të Sipërm, himarjotit Dino Themistokli Martiko, pjesëmarrës në Luftën Nacional-Çlirimtare, komunist i vitit 1942, që u dënua dy herë me burgim, më 1954 me 7 vjet dhe më 1979, me 23 vjet, kur ishte pensionist 65-vjeçar. Ky burrë trim, u shua para kohe në burg, pas një viti torturash në hetuesi dhe 6 vjet mundimesh. Për të mbledhur të dhënat e nevojshme për hartimin e këtij shkrimi, u lidha me zotin Robert Martiko, djalin e Dinos, i cili më ndihmoi duke m’u përgjigjur pyetjeve të shumta dhe pastaj duke korrigjuar e saktësuar shumë të dhëna në variantet e parë të shkrimit.
Dino Martiko, lindi në vitin 1914, në fshatin Shënvasi të Sarandës. Ishte më i madhi i tre djemve të familjes së Themistokli Mitro Martikos, e cila ishte një familje në gjendje të mirë ekonomike. Mitro (Dhimitër) Martikua, përveç shtëpisë dhe arave, ushtronte dhe tregtinë e kuajve. Ai e dërgoi djalin e tij, Themistokliun, me shpenzimet e veta, për të kryer shkollën e mesme në Janinë dhe më pas në Athinë, për të ndjekur studimet e larta për ekonomi. Kur plasi Lufta e Parë Ballkanike, në tetor të vitit 1912, Themistokliu, si shumë bashkë studentë grekë dhe arbërorë (arvanitas), e la shkollën dhe shkoi vullnetar për të luftuar kundër ushtrisë turke, për lirinë e popullit grek, që kishte mbetur ende nën zgjedhën turke. Ai mori pjesë në luftimet e Thesalisë, ku që në fillim ra në sy për guxim e trimëri në fushat e betejave. Komanda ushtarake greke, që ndiqte rezultatet e luftimeve, i dha gradën toger.
Kur erdhi në Delvinë, te sheshi i qytetit, njerëzit e ngritën në duar, duke e hedhur përpjetë me thirrje brohoritëse. I ati, Mitro Martikua, që ishte i njohur për guximin dhe zgjuarsinë e tij në Delvinë dhe në zonën për rreth, kur pa pritjen që po i bëhej djalit, iu tha disa miqve që i kishte në krah: “Sikur të vdes tani, do të isha njeriu më i lumtur në botë”! Familja e Martikove, kishte miqësi të shumta me familje të krishtere dhe myslimane. Tregtia kërkonte, ashtu si dhe sot, marrëdhënie të gjera e të shumta. Në verën e vitit 1913, Themistokliu, vendosi të qëndronte pranë familjes për të ndihmuar babain. Në vend që të shkonte në Athinë për të vijuar studimet, u martua dhe mbas një viti u bë baba, me djalë, të cilit i vuri emrin Dino (forma e shkurtër e emrit Kostandin). Mirëpo disa muaj më pas, babain e tij e vranë pabesisht në pusi. Thuhet se kali i Mitros atë ditë nuk donte të merrte udhë, por kamxhiku i të zotit, e shtrëngoi të bënte përpara.
Nuk u muarr vesh se cili ishte vrasësi…! Disa ditë para vrasjes, kishte ndodhur një skenë në Shënvasi, me disa bashkëfshatarë, që kishin bërë vjedhje në një fshat mysliman. Mitrua i shau me fjalë të rënda: “Të pabesë, maskarenj, na turpëruat fshatin”. Ata, në prani të tij, nuk nxorën gjysmë fjale, por mbas disa javësh, Mitrua u gjend i vrarë në pusi. Varrimi i tij u bë me nderime, brenda territorit të Manastirit të Shën Vasilit. Duke qenë se vrasësi nuk u muarr vesh, Themistokliu i tha nënës së vet: “Le të falenderojmë Zotin, që na dha Dinon, si zëvendësues të babait”.
Pas formimit të shtetit të pavarur shqiptar, porti i vogël i Sarandës, po merrte gjallëri, Themistokliu e ndjeu se tregtia atje do të sillte shpejt fitime të mira, prandaj shkoi e mori me qira një dyqan në atë qytezë. Familjen e la në fshat, kurse vetë gjatë vitit të pare, rregulloi një vend për fjetje në një kthinë të dyqanit. Pastaj bleu dhe një shtëpi aty pranë. Dinua, foshnjë disa muajsh, nuk kishte ndjerë dhimbje për vdekjen tragjike të gjyshit, kurse vdekja e babait, kur ishte 6 vjeç, ia cingërisi zemrën. Tronditja e asaj dite, me të qarat dhe kujet e grave, do t’i kujtoheshin sa herë do të ndodhej në momente të vështira. Si shumica e jetimëve edhe ai u rrit me trauma shpirtërore. Por me gjithë tronditjen dhe dhimbjen, ky fëmijë, qysh në moshë shumë të re, dha shenja se do të bëhej njeri i zgjuar dhe energjik.
Dinua, u shkollua në shqip, greqisht dhe italisht
Kur ishte ende gjashtë vjeç, Dinon, para se te vdiste babai, ai e merrte me vete të hënave në Sarandë dhe e kthente të shtunave. Në Sarandë, e regjistroi si dëgjues në një shkollë, ku filloi të mësonte alfabetin dhe disa veprime matematike. Në fshatin Shënvasi, nuk kishte shkollë dhe fëmija ndjeu se mund të mbetej i pashkollë. Një ditë shpërtheu, duke iu drejtuar gjyshes si i rritur: “Ose më gjeni shkollë, ose këtë avlëmend ku punon ti tërë ditën, do ta bëj copë-copë”.
Ia tha këto fjalë gjyshes, që e donte më shumë se nënën e tij. Për të, ai ndjente dashuri dhe dhembshuri, por shqetësimi se do të mbetej i pashkollë, e revoltonte, prandaj i thirri ashpër gjyshes zemërplasur. Ajo nuk u zemërua, po ngriti sytë nga qielli duke psherëtirë: “Ndihmoje o Zot dritën e syve tanë mos mbetet pa shkollë”! Dhe, sikur Zoti ta kishte dëgjuar lutjen e saj, në verë-vjeshtë të vitit 1921, u hap e para shkollë fillore në Shënvasi, ku u regjistrua dhe Dinua. Pasi përfundoi tre vitet e kësaj shkolle, për shkollimin e mëtejshëm, u interesua dajua i tij, Qirjako Vjero, te miku i familjes, Jaho Kalasa, i cili jetonte në Delvinë. Ky arriti të siguronte nga qeveria e Tiranës, një bursë për djalin jetim, për të vijuar mësimet në shkollën greke të Voshtinës, një fshat i vogël në Greqi, pranë kufirit.
Në Voshtinë, Dinon 10-vjeçar, e shpuri dajua i tij, i cili merrej me tregti kuajsh midis dy vendeve dhe e njihte drejtorin e asaj shkolle. Ky i premtoi se do të kujdesej për mbarëvajtjen e djaloshit. I caktoi Dinos një program të veçantë, për të mësuar brenda një kohe të shkurtër gjuhën greke, që të ecte paralel me nxënësit e tjerë. Dinua shfaqi aftësitë e tij dhe mundi ta kapte programin mësimor, njësoj si bashkënxënësit e vet.
I shkathët nga natyra dhe i papërtuar, ai e përballoi me sukses edhe regjimin e ashpër të jetës konviktore. Ngriheshin çdo ditë në orën 5 të mëngjesit për të rendur e bërë gjimnastikë dhe në shi e dëborë. Në Voshtinë bënte shumë ftohtë. Në janar rrugët bllokoheshin nga bora dhe hapeshin në fund të marsit.
Rezultatet e mira në mësime dhe qëndrimi i tij korrekt ngjallën respekt e simpati te bashkënxënësit dhe mësuesit, me përjashtim të mësues që jepte muzikë dhe punë dore. Një ditë kur të gjithë nxënësit këndonin, ajo pa që Dinua nuk po këndonte dhe e pyeti:
“Po ti pse s’ këndon”?!
Dinua iu përgjigj se, nuk kishte veshë për muzikë, prandaj nuk dinte të këndonte. Ajo nguli këmbë dhe i kërkoi të këndonte çfarëdo kënge që të dinte. Dhe Dinua filloi të këndonte Himnin e Flamurit. Mësuesja mbeti e kënaqur dhe donte t’i thoshte se si ke mësuar këtë këngë shqipe, mëso dhe këngë greke. Mirëpo, një bashkënxënës që ishte nga Gjinokastra, i tha mësueses se ajo këngë, ishte himni i Shqipërisë. Atëhere mësuesja i dha Dinos një pëllëmbë të fortë në faqe. Me një lëvizje rrufe, ai e goditi mësuesen me shqelm në bark.
Ajo u befasua, por nuk reagoi më tej, me goditje ndaj tij. E dënoi që të mos delte për të luajtur në oborrin e shkollës, gjatë pushimit të madh. Kur nxënësit dolën, Dinua priti disa minuta dhe pastaj e vërtiti në pozicion horizontal paisjen e sobës tek qyngji dhe pengoi daljen e tymit. Klasa u mbush me tym. Nxënësi i parë që erdhi nga pushimi, lajmëroi të njëjtën mësuese, por kjo nuk erdhi vetë, njoftoi drejtorin e shkollës. Kur ky hyri brenda në klasë, dalloi Dinon që po fërkonte sytë e përlotur dhe në vend që ta dënonte, ia plasi të qeshurit, duke thënë: “Ah, ti kokë himarjoti”!
Drejtori nuk deshi ta dënonte nipin e mikut të tij, hapi dritaret dhe u largua…! Pasi e mbaroi këtë shkollë, Dinua u kthye në shtëpi i kënaqur, se përveç programit mësimor, kishte mësuar dhe gjuhën greke. Kryetari i Bashkisë së Delvinës, Asim Kalasa, djali i Jahos, mik i familjes, e ndihmoi Dinon që të shkonte për të vijuar studimet në Vlorë, te Shkolla Tregtare, një shkollë ekonomike italiane. Gjatë studimeve në këtë shkollë, djaloshi u kualifikua si llogaritar-kontabël dhe zotëroi shumë mirë italishten. Menjëherë sa mbaroi këtë shkollë, e emëruan sekretar në Bashkinë e Delvinës, ku punoi deri më 6 prill 1939. Pushtimi fashist i Shqipërisë, solli dhe pushimin e Dinos nga puna.
Nuk më interesojnë pasojat, por varrimi i kufomës!
Në vitin 1937, plasi Kryengritja e Delvinës, kundër Mbretit Ahmet Zogu i I-rë. Këtë revoltë, e organizuan vëllezërit Et’hem dhe Ismet Totua, me simpatizantët e tyre antizogistë. Mirëpo forcat mbretërore, e shtypën kryengritjen dhe shkaktuan shumë viktima, u arrestuan dhe 400 pjesëmarrës. Midis viktimave të asaj kryengritjeje, ishte dhe toger Xhevdet Gjoleka, nipi i të paharrueshmit Zenel Gjoleka. Xhevdetin e vrau në gjumë, një mik i tij, i paguar prej Ahmet Zogut. Mbreti dha urdhër që kufoma e togerit Gjoleka, të mos varrosej, po të lihej te sheshi i Çerçizit në Gjinokastër, derisa të qelbej.
Dinua 23 vjeçar, sapo mori vesh këtë lajm, duke e ditur se tre djemtë e Xhevdetin ishin të vegjël dhe nuk do t’i dëgjonte kush po të kërkonin kufomën, u nis vetë për Gjinokastër, ku takoi prefektin. Pasi e sqaroi se i vrari ishte dhëndër i Jaho Kalasës, të cilit Dinua i detyrohej për arsimimin te Shkolla Tregtare, i kërkoi lejen për ta marrë dhe varrosur kufomën. Prefekti, si nëpunës i Mbretit, nuk guxoi dhe iu përgjigj:
“Djalosh, mos e fut veten në armiqësi me Nalt Madhninë! Do të kesh pasoja të rënda”. Dinua pa i bërë syri tër, me pamje të qetë, ia ktheu: “Nuk më interesojnë pasojat, më intereson varrimi i kufomës. Ju nuk keni ligj që të shkelni zakonin popullor për varrimin e një kufome”. Prefekti u ndje ngushtë, por e dha urdhrin për ta dorëzuar trupin e të vrarit, të cilin Dinua u kujdes dhe e varrosi te varrezat e Gjinokastrës.
Kur e dëgjova prej Robertit këtë ngjarje, më bëri përshtypje sjellja e këtij prefekti, i cili guxoi dhe e theu urdhrin e Mbretit, nën presionin e një qytetari këmbëngulës, që i tha se nuk duhej të shkelte zakonet e traditën popullore, përderisa ai nuk kishte një ligj të shkruar. Kurse gjatë viteve të diktaturës komuniste, asnjë nga kuadrot e lartë të partisë e të pushtetit, bashkë me ata të Sigurimit të Shtetit, nuk guxoi të thyente urdhrat e Enver Hoxhës për burgime, internime e pushkatime njerëzish, edhe pse këto urdhra shpesh herë nuk mbështeteshin në asnjë vendim gjyqi, ose ligj të shkruar! Për fatin tonë të keq gjatë viteve të tranzicionit, po ndodhin krime të një lloji tjetër. Tani ka ligje të shkruar, por ato shkelen prej gjyqtarëve e zyrtarëve të korruptuar.
Mos u besoni spiunëve, ata janë njerëz të poshtër, që shiten për para!
Mbas 7 prillit 1939, deri në tetor 1940, edhe Delvina përjetoi pushtimin italian, i cili u ndërpre pas dështimit të Italisë Fashiste në Luftën Italo-Greke. Ky qytet, si shumë qytete e fshatra të Shqipërisë së Jugut, u çlirua prej ushtrisë pushtuese italiane. Mirëpo ky çlirim, nuk ishte çlirim i vërtetë, sepse ushtria greke, që dëboi ushtrinë italiane, shumë shpejt filloi të sillej si ushtri pushtuese, duke shpallur herë hapur e herë nën zë, se tokat e çliruara prej pushtuesit Italian, ishin toka greke dhe i përkisnin Greqisë. Dinua nuk donte tu besonte syve, kur po dëgjonte disa shqiptarë, të krishterë dhe myslimanë, që po bërtisnin te sheshi i Delvinës: “Zito Elladha”! (Rroftë Greqia). Po përsëriteshin skenat qesharake që ishin organizuar në Durrës, Tiranë, Vlorë e Sarandë, ku disa shqiptarë të paguar bërtisnin në ditët e para të pushtimit italian: “Viva Italia, Viva Duçe!” (Rroftë Italia, Rroftë Duçja).
Dinua, ndonëse Delvina ishte e mbushur me ushtarë grekë, filloi të shante brohoritësit majtas e djathtas dhe tregtarët që po ndërronin tabelat e dyqaneve të shkruara shqip me tabela të shkruara greqisht. Nuk kaloi as gjysëm ore nga bërtitjet e tij, kur u dha aty një patrullë me tre ushtarë grekë, nga ata të shërbimit të Sigurimit grek (Asfalias). Pranë Dinos ndodhej një shqiptar mysliman, i njohur i tij. Komandanti i patrullës pyeti: “Si ju quajnë”? “Mua më quajnë Apostol, ose Toli”, – u përgjigj me ngut shqiptari mysliman, që ishte pranë Dinos. Dinua nënqeshi. Komandanti iu drejtua Dinos: “Po ty, si të quajnë? “Dino, Dino Martiko”, u përgjigj ai. Por grekët përdornin e përdorin vetëm formën e plotë Kostandin dhe komandanti mendoi se ai ishte ndonjë shqiptar i ardhur nga Çamëria ku e kishte dëgjuar këtë emër. Komandanti urdhëroi pa e zgjatur: “Të urdhërojmë të vish me ne në komandë” dhe u bëri shenjë me dorë ushtarëve ta fusnin Dinon në mes e, ta shoqëronin deri te zyrat e komandës.
Ushtaraku i lartë para të cilit e shpunë Dinon, kishte një pamje të egër, të cilën ia theksonin sytë e tij të futur në dy zgavrat e mëdha. Ky ishte i famshmi, major Petropulos, shefi i Sigurimit të Ushtrisë Greke, në zonat; Përmet-Gjinokastër Sarandë. Disa javë më vonë, po ky major, për të ngjallur tmerr në popull, e tërhoqi zvarrë të lidhur me litar pas triçiklit të tij, derisa dha shpirt, një himarjot që akuzohej se ishte agjent i italianëve. Midis majorit dhe Dinos, filloi biseda: “Çam je ti”? “Jo, jam shqiptar ortodoks”. “Ku ka shqiptarë ortodoksë, more maskara! Ortodoksët janë grekë, shqiptarët janë turq. E di ti që unë të var te rrapi i Delvinës”?! “Nuk ka nder më të madh për mua, se të më varësh te rrapi i Delvinës”! – Iu përgjigj Dinua dhe vijoi: “Po më parë duhet të dish se, gjithë spiunët e Ahmet Zogut, u bënë spiunë të italianëve dhe sot erdhën e u bënë spiunët tuaj”.
Majori u ngrit në këmbë. Ngriti një kamxhik të shkurtër për të goditur të arrestuarin në fytyrë, por Dinua, me duart e tij të forta, ia mbërtheu dorën që mbante kamxhikun dhe po e mbante të bllokuar. Në këtë moment, u hap dera dhe hyri një prift delvinjot që e njihte Dinon, i cili menjëherë iu drejtua ushtarakut: “Zoti Petropulos, ju gaboni. Ky djalosh nuk duhet arrestuar, ai ka bërë propagandë në favor të Greqisë, përpara se të vinit ju në Delvinë”. Ishte e vërtetë. Dinua, në ditët e fundit të tetorit 1940, kur sapo plasi lufta Italo-Greke, filloi të dëgjonte lajmet që përhapte radio Athina dhe i riprodhonte fjalët që thuheshin prej saj, se ushtria greke do ta çlironte Shqipërinë nga fashizmi Italian, derisa ta hidhte në Adriatik. Nga mungesa e përvojës politike dhe duke pasur parasysh faktin se, babai i tij kishte luftuar për lirinë e popullit grek në Thesali, Dinua mendonte se popujt fqinj, i gjenden njëri tjetrit në kohë nevoje. Por kur pa sesi silleshin e se çfarë thoshin ushtarët greke, pasi erdhën në Delvinë e Sarandë, u kthjellua dhe kundërshtoi hapur propagandën shoviniste dhe thirrjet e spiunëve…!
Në saje të ndërhyrjes së priftit, majori Petropulos e la të lirë të arrestuarin. Dinua, kishte hallën e tij të martuar në familjen Bamiha në Delvinë. Ajo ishte grua dinamike, sa dëgjoi se nipi i saj qe arrestuar, shtyu priftin që të ndërhynte te komandanti Petropulos. Mirëpo edhe pasi shpëtoi nga dënimi, Dinua nuk pushoi së foluri, kundër sjelljes shoviniste të ushtrisë greke. Ndërkohë, Petropullos ishte larguar me një pjesë të ushtrisë, drejt bregdetit të Himarës. Dinon e arrestuan përsëri dhe në burg u bënë gjithsej gjashtë vetë, pesë myslimanë dhe vetëm ai i krishter. Midis të burgosurve, ishte dhe çami Asim Zejno, një i njohur i tij me të cilin do të miqësohej edhe më në Vlorë, ku do të banonin afër njëri tjetrit.
Halla e tij, e cila e kishte dërguar priftin herën e parë, tani kishte bërë përpjekje të tjera për ta nxjerrë nipin e saj nga burgu, dhe ia arriti. Në fund të javës së parë të izolimit, shefi i burgut, një oficer grek, i shkoi te qelia dhe duke hapur derën thirri: “Dino Martiko dil, je i lirë”! Oficeri u çudit, sepse Dinua, në vend që të delte sa më parë, u përgjigj: “Nuk pranoj të dal nga burgu”. Pas disa minutash, erdhi një tjetër oficer dhe pyeti: “Si është puna”? Dinua përsëriti: “Nuk pranoj të dal nga burgu”. Atëhere, oficeri i kërkoi sqarime, dhe Dinua vijoi: “Përse i mbani të burgosur këta njerëz të ndershëm që i njeh e gjithë Delvina, kurse njerëzit më të ndyrë, spiunët, i mbani si miq në gjirin tuaj. Deri dje ata i shërbenin Zogut, më pas italianëve dhe tani ju shërbejnë juve. Pa liruar këta të pafajshëm, unë nuk dal”.
Oficeri u largua, por kur erdhi ditën tjetër kishte me vete vendimin për lirimin e katër të burgosurve. Mbajtën vetëm dy, që i konsideruan shkelës të ligjit. Edhe Asim Zejnua u lirua. Në vitet 1960-1978, kur pinin kafe së bashku në Vlorë, Asimi e përmendte gjestin fisnik të Dinos në prani të shumë burrave, edhe pse ai e dinte që Dinua kishte pësuar dënimin e parë me burg në vitet 1954-1957. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Marrë nga zemrashqiptare.net