Nga Agim Musta
Pjesa e nëntë
Memorie.al / Në përvjetorin e katërt të ikjes nga jeta të historianit, studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Agim Musta, (24 Korrik 2019), ish – i burgosur politik, vajzat e tij Elizabeta dhe Suela, i dhanë të drejtën e ekskluzivitetin për botim, medias online Memorie.al, të një prej botimeve më të spikatura të autorit, siç është ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’. Kjo vepër, mban të dhëna, dëshmi, fakte, statistika dhe argumente të shumta e të panjohura për publikun e gjerë, mbi krimet dhe terrorin komunist në Shqipëri, veçanërisht ndaj intelektualëve, në periudhën 1945-1991. Botimi për herët të parë të pjesëve të këtij libri, është dhe realizimi i një prej amaneteve të historianit Agim Musta, i cili, që nga fillimi i vitit 1991 e deri sa ndërroi jetë, për afro tre dekada u angazhua me të gjitha fuqitë e tij, duke punuar për ngritjen e kujtesës kolektive, përmes botimeve me libra dhe publikimeve në shtypin e përditshëm. E gjithë ajo punë voluminoze e z. Agim Musta, e konkretizuar në disa libra, është një kontribut me vlera të mëdha, për zbardhjen e krimeve të regjimit komunistë të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Një pjesë e mirë e botimeve të z. Agim Musta, është e përkthyer dhe në anglisht. Duke falenderuar dy vajzat e të ndjerit Musta, që zgjodhën Memorie.al, për të përkujtuar babanë e tyre, nga sot po fillojmë publikimin pjesë pjesë, të ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.
-Gjyqet politike të regjimit komunist shqiptar-
(1945-1991)
Në verën e vitit 1949, ushtria greke, e ndihmuar edhe nga forcat ajrore anglo- amerikane fillojnë operacion masiv për t’i shpartalluar përfundimisht forcat komuniste greke, të përqendruara kryesisht në malin e Gramozit në Vici, dhe Kajmakçallan. Qeveria komuniste shqiptare, në bashkëpunim me EAM-istët grekë kishte hapur tunele dhe ndërtuar depo për të furnizuar EAM-istët në sektorin e Bozhigradit, Trestenikut dhe të Gramozit. Gjithë armatimet dhe materialet që vinin nga kampi komunist lindor, futeshin në brendësinë e tokës greke nëpërmjet atyre tuneleve.
Sigurisht, që organet e Zbulimit grek kishin të dhëna të hollësishme për vendin ku ndodheshin dhe funksionet që kryenin bazat e vendosura në territorin shqiptar. Komanda e operacionit grek i kërkoi shtetit ndërprerjen e çdo ndihme për komunistët grekë, përndryshe do të ballafaqoheshin me goditjen e ushtrisë greke. I ndodhur përpara një situate të tillë, që mund të sillte rreziqe të paparashikuara, diktatori Hoxha, kërkoi ndihmë nga Moska, për të përballuar një agresion grek. Qeveria Sovjetike që i dinte mirë planet e ushtrisë greke, e qetësoi diktatorin, duke i thënë se provokacionet e ushtrisë greke nuk kishin qëllim rrëzimin e qeverisë së Enver Hoxhës, prandaj ato duheshin përballuar nga ushtria shqiptare. Një gjë të tillë e pohuan dhe këshilltarët sovjetik, pranë Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë.
“Ne do t’ju ndihmojmë por jo ushtarakisht”. Kjo ishte thënia e këshilltarit sovjetik pranë Ministrisë së Mbrojtjes Shqiptare. Ky deklarim, solli një pështjellim në radhët e anëtarëve të shtabit shqiptar dhe gjeneral Hamit Keçi, deklaroi haptazi se; ushtria shqiptare, nuk ishte në gjendje të ndalonte sulmin grek as edhe një ditë, e jo 10 ditë siç kishte deklaruar Enver Hoxha. Hamit Keçi u arrestua po atë ditë dhe u dënua si “armik i popullit”, për shprehjet disfatiste. Repartet e ushtrisë greke, sulmuan më 2 gusht të vitit 1949 dhe hynë në sektorin e Bozhigradit, pas një rezistence të dobët të ushtrisë shqiptare.
Në ditët në vijim në zonën e Korçës, u dislokuan mbi 6000 efektivë të ushtrisë shqiptare, për të ndaluar një ofensive greke në brendësinë e territorit shqiptar. Grekët, pasi shkatërruan tunelet dhe pikat e furnizimit për forcat komuniste greke, u tërhoqën nga sektori i Bozhigradit, në brendësinë e territorit të tyre.
Më 12 gusht, forcat greke hynë përsëri në territorin shqiptar, në zonën e Bilishtit, për të shkatërruar qendrat e furnizimit të EAM-istëve, që ndodheshin në afërsi të fshatit Trestenik. Në lidhje me luftimet që u zhvilluan në dyjavëshin e parë të muajit gusht të vitit 1949, në zonën e Korçës, gjenerali Hulsi Spahiu, ish-bashkëvuajtësi im në burgun e Burrelit, më ka treguar: “Ushtria shqiptare në zonën e Korçës, komandohej nga oficerë gjysëm analfabet. Ajo ishte pajisur si mos më keq, si në armatime, ashtu dhe në veshmbathje dhe ushqime. Ushtrisë i mungonte krejtësisht eksperienca e luftës frontale. Që në fillim të operacioneve greke, reparte të vogla dhe sidomos efektivat e pikave kufitare, mbetën të izoluara, pa bukë dhe municione. Kjo i detyroi disa dhjetëra ushtarë, të dezertonin dhe të kërkonin strehim politik në shtetin grek.
Gabimi më i madh u bë nga artileria jonë, e vendosur në fshatin Pojan të Korçës. Ajo për disa minuta, bombardoi gabimisht ushtrinë shqiptare në fushën e Devollit, duke shkaktuar mbi 50 të vrarë dhe shumë të plagosur. Kur provokacionet e ushtrisë greke përfunduan mbasi ishin plotësuar objektivat e tyre, Enver Hoxha, i veshur me uniformën madhore të gjeneral-kolonelit, i shoqëruar nga një shpurë ministrash dhe oficerësh, vizitoi spitalin ushtarak të Tiranës, për të dekoruar ushtarët e plagosur në “provokacionet” greke.
Atje, Enver Hoxha, mbajti një fjalim të shkurtër, duke u mburrur për “fitoren e shkëlqyer” të ushtrisë shqiptare, kundër monarko-fashistëve greke. Si gjithmonë, disfatat, Enver Hoxha i paraqiste si fitore dhe populli i mjerë, i duartrokiste. Në vjeshtën e vitit 1949, rreth 40 mijë EAM-istë grekë, të shpartalluar nga forcat qeveritare, lanë token greke dhe u futën në territorin shqiptar. Të zhgënjyer, të dërrmuar moralisht dhe fizikisht, ata u çarmatosën në Përrenjas të Librazhdit, para një komisioni trepalësh, të përbërë nga oficerë madhorë sovjetik, shqiptarë dhe EAM-istë grekë, me në krye ish-zv/kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Mehmet Shehun.
Ata u strehuan përkohësisht në Shqipëri dhe në dhjetorin e po atij viti, u imbarkuan në anijet sovjetike dhe u nisen nga Durrësi, për në Bashkimin Sovjetik, Rumani dhe në vendet e tjera të Bllokut Komunist lindor. Ndërhyrja shqiptare në punët e brendshme të shtetit grek, i shkaktoi dëme ekonomike të pallogaritshme popullit shqiptar dhe shumë jetë njerëzish, që u dhanë për llogari të internacionalizmit komunist. Qeveria shqiptare e asaj kohe, mban përgjegjësi për ndërhyrjen në luftën civile të Greqisë dhe për pasojat e shkaktuara ndaj qytetarëve grekë, si pasojë e kësaj ndërhyrjeje.
Terror dhe dhunë për grabitjen e arit dhe të bizhuterive
Ishte fundi i vitit 1946. Komisionet e tatimeve të luftës, të ngritura në çdo qendër rrethi, punonin deri natën vonë. Tregtarëve, pasi iu kishin zhvatur mallrat dhe kartëmonedhat letër, iu kërkonin të dorëzonin arin, bizhuterinë me diamante, elmaze, opake dhe të tjerë gurë të çmuar. Për grumbullimin e arit dhe të bizhuterive, ishin ngarkuar Seksionet e Sigurimit të Shtetit. Komisionet e tatimeve të përbërë në shumicën e tyre nga komunistë të devotshëm, hartonin listat me emrat e tregtarëve dhe familjeve të pasura, duke përcaktuar me hamendje dhe sasinë e arit dhe të bizhuterive që mund të kishte x ose y person. Kaq ishte puna e tyre. Për të tjerët… mendonin “shokët” e Sigurimit. Sipas listës, tregtarët thirreshin në Seksionet e Sigurimit, zakonisht natën dhe i’u kërkohej të dorëzonin urtë e butë, arin dhe bizhuteritë, të trashëguara prej vitesh.
Kërkesa për dorëzim bëhej në emër të Partisë dhe të popullit “për nevojat e popullit”. Disa tregtarë, që kishin ndihmuar komunistët gjatë kohës së Luftës, dorëzonin një pjesë të vogël të arit “vullnetarisht”, që në thirrjen e parë, duke i gënjyer mendja, se ashtu do ta hidhnin lumin pa’u lagur. Të tjerët, që nuk kishin në të vërtetë as ar dhe as bizhuteri, aq sa ju kërkohej, betoheshin për Krisht dhe për Muhamed, me sy të përlotur, se gjithçka e kishin harxhuar, për të shlyer tatimet e jashtëzakonshme dhe nuk iu kish mbetur asnjë metelik në xhepat e tyre. Kishte dhe ndonjë trim, kokëshkretë si Sul Domi, nga Elbasani, që ua kishte përplasur në fytyrë sigurimsave, duke iu thënë: “Unë arin s’e dorëzoj. Toka ma ka dhënë dhe toka do ta hajë”!
Pas fjalëve të tij, nuk mbeti torturë pa u përdorur mbi Sul Domin 70-vjeçar, deri sa ai dha shpirt në duart e xhelatëve të kuq. Floriri i Sul Domit, kërkohet edhe sot e kësaj dite në bahçet dhe ullishtat e Elbasanit. Urdhri nga Byroja Politike, për organet e Sigurimit, ishte kategorik: “Përdorni çdo dhunë dhe torture, për grumbullimin e arit dhe të bizhuterive, mos t’iu dridhet dora, para borgjezëve dhe bejlerëve gjakpirës”. Dhe huri kërciste pa pushim dhe torturat vazhdonin pa ndërprerje në 35 seksionet e Sigurimit të Shtetit. U qitën nga kopshtet teneqet me ar, të groposura gjatë viteve të largëta. U nxorën nga muret dhe themelet e shtëpive, qypat me flori të vendosura atje nga gjyshërit dhe stërgjyshërit, që s’mbahej mend, se kur kishin ndërruar jetë.
U hoqën nga gishtat e nuseve unazat prej ari dhe vathët me gurë të çmuara, nga veshët e plakave. Shqiptarët në asnjë kohë, nuk e kishin pësuar një gjëmë të tillë. S’kish ditë, që në thesarin e Bankës Shqiptare, të mos depozitoheshin arka me ar dhe bizhuteri. Drejtori i Thesarit, Sali Budua, “ankohej” se shpeshherë, e zgjonin dhe natën nga gjumi për të depozituar arin. Ari dhe gurët e çmuara, derdheshin si lumë në bodrumet e Bankës se Shtetit, Dudajve të Gjirokastrës, iu kishin marrë me hekur të skuqur 80 kg. shufra floriri, Ali Hashos po nga Gjirokastra, i kishin marrë me dajak, 10.000 stërlina ari.
Rakua i Korçës, i varur në çengela në qelitë e Sigurimit, tregoi vendin ku kish groposur 30.000 napolona flori. Dovanëve të Durrësit, iu kishin marre 160.000 monedha ari dhe 2 kasaforta me bizhuteri, Vangjel Manushi nga Berati, dorëzoi “vullnetarisht” 20.000 monedha ari dhe një qese me diamante. Rrallë kishte dhe ndonjë vetëmohues, si Mitat Ciu në Tiranë, që vari veten në birucë, për të mos treguar arin dhe sendet e çmuara. Thonë, se paraja është e dhimbsur si shpirti, e sidomos, kur atë nuk e ke të trashëguar, por e ke vënë me mund dhe me djersë.
Sami Vrionit në Fier, i morën një arkë me bizhuteri të trashëguara nga pesë breza dhe si shpërblim, i shkaktuan vdekjen nga torturat. Majori i Sigurimit të Shtetit, Pandeli Përmeti, që në atë kohë drithëronjëse ndodhej me shërbim në Shkodër, më ka treguar: “Qyteti i Shkodrës, ishte piketuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, si vendi ku do të grumbullohej më tepër ar. Unë u dërgova në Shkodër nga Ministria e Brendshme, për të mbikëqyrur operacionin e grumbullimit të arit. Megjithëse ka kaluar më shumë se gjysmë shekulli, nuk më hiqen nga sytë dhe nga mendja, ato skena të llahtarshme që ndodhin në çdo orë në qelitë e seksioneve të Sigurimit të Shkodrës. Operacioni drejtohej nga Zoi Themeli, Petro Bollati dhe Anesti Kopali. Tregtarë dhe të pasur të çdo moshe, goditeshin pa mëshirë me ura të ndezura dhe shufra hekuri të skuqur në zjarr, në çdo pjesë të trupit”.
“O floririn, o shpirtin”! Ky ishte slogani, që përdorej. Shumë prej atyre fatzinjve, iu morën edhe arin edhe jetën. Një pjesë e atyre që mbetën gjallë, përfunduan nëpër burgje dhe kampe internimi. “Ndërmjet dhjetëra mijëra monedhave ari, që iu morën tregtarit të pasur shkodran, Man Tepelisë, – tregon major Pandeli Permeti, – gjetëm dhe një monedhë të prodhuar në kohën e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë. Tek ajo binte në sy, primitiviteti i punimit, figura e Aleksandrit dhe germat e alfabetit grek. Këtë monedhë të rrallë ari, e futëm në një zarf të veçantë dhe sipër tij, shënuam germat greke që ishin të gdhendura në monedhë. Kur e sollëm arin e Tepelisë në thesarin e shtetit në Tiranë, Sali Budua, i bëri sytë filxhan kur pa monedhën me figurën e Aleksandrit të Madh dhe na porositi që atë t’ia shpinim si dhuratë shokut Enver, pasi ajo kishte vlera historike dhe shoku Komandant i Përgjithshëm, ishte shumë i apasionuar pas historisë.
Së bashku me Anesti Kopalin, u nisëm për te shtëpia e shokut Enver. Ai na priti në bibliotekën e tij, me shumë dashamirësi. Me siguri, që Sali Budua, i kishte telefonuar Enver Hoxhës, për peshqeshin që po i çonim. Në fillim të bisedës, shoku Enver na pyeti se si shkonte fushata e grumbullimit të arit? Sa për qind ishte realizuar plani i parashikuar? A bënin ndonjë rezistencë ‘shushunjat’ që i kishin thithur gjakun popullit për mosdorëzimin e arit? E të tjera pyetje të këtij lloji. Pasi i raportuam shokut Enver, se çdo gjë shkonte si në vaj dhe s’kishte asnjë problem, e informuam për monedhën e arit të kohës së Aleksandrit të Madh.
Shokut Enver, i shkëlqeu fytyra nga gëzimi dhe na falënderoi me shumë fjalë lajkatuese për dhuratën e çmuar, që i dhuruam. Pas disa vjetësh, rastisa të njihem me një specialist të arit dhe të bizhuterive. I fola për monedhën e arit të kohës së Aleksandrit të Madh, duke mos i treguar se kujt ia kishim marrë dhe cilit ia kishim dhuruar. Ai më dëgjoi me vëmendje dhe pamja e tij shprehte habi. Në fund të bisedës më tha: Një monedhë e tillë ka vlerë unikale më tepër numizmatike, se sa historike. Sot, ajo kushton miliona dollarë. Se ku përfundoi ajo monedhë ari dhe shumë të tjera, përveç Nexhmije Hoxhës, askush s’mund ta dijë”.
Natyrshëm lind pyetja: Ku shkoi gjithë ai ar dhe gjithë ato bizhuteri, të grumbulluara nga shqiptarët brez pas brezi, gjatë shekujve? Shteti komunist shqiptar, asnjëherë nuk e ka mohuar rrëmbimin e arit dhe të bizhuterive, por ka falsifikuar shumën e derdhjes në thesarin e shtetit, duke e paraqitur atë disa herë shumë më të vogël, nga ajo që derdhej në realitet. Me grabitjen e arit, nga lubia komuniste në atë kohë, merrej jo vetëm shtypi i partisë, por edhe literatura e kinematografia. Shprehja, që përdoret edhe sot e kësaj dite: “Gërmo Tare, gërmo se qenin e ngordhur ke për të gjetur”, është nxjerrë nga një film që trajton grabitjen me forcë të mallrave dhe të parave të shqiptarëve nga diktatura komuniste.
Në revistën “Në shërbim të popullit”, organ i Ministrisë së Punëve të Brendshme, të muajit gusht të vitit 1984, Nuri Mehmeti, pohon se në Shqipëri, nga shteti i diktaturës së proletariatit, janë grumbulluar 43.816.682 monedha ari, së bashku me pllakat dhe shufrat e floririt, arrijnë një peshë 320 ton, që do të nevojiteshin 100 kamionë, për ta transportuar! Këtu nuk llogaritet vlera e bizhuterive të grabitura, që mohohen, rreth 2 miliardë dollarë amerikane, me vlerë të sotme. Ja çfarë shkruan Nuri Mehmeti: “Në janar të vitit 1945, doli ligji i tatimit të jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës. Ky ligj godiste veçanërisht, atë pjesë të borgjezisë që kish grumbulluar pasuri të mëdha. Në shumicën e rasteve, elementët e tatuar nuk pranonin të paguanin shumën e caktuar, me pretekst se nuk kishin, kurse disa u përpoqën të nxirrnin arin dhe sendet e tjera me vlerë jashtë shtetit.
Veprime të vështira (nënkupto tortura, A.M.) iu deshën të bënin organet e Punëve të Brendshme dhe të policis 137, për të zbuluar arin që kishin fshehur kapitalistët dhe tregtarët. Përvoja ishte e pakët, por ndihma e popullit ishte e madhe. Ndihmuan punëtorët edhe specialistët, që kishin marrë pjesë në ndërtimin e depove, kasafortave dhe që kishin bërë fshehjen në vende të panjohura. Ndihmuan ata që kishin shërbyer si shegertë dhe argatë, pranë kapitalistëve të kalbur. U gjetën qypa me flori, jo vetëm në betonime të thella të nëndheshme e në muret e shtëpive, por edhe nën rrënjët e pemëve dhe në fund të puseve me ujë të pijshëm, si në Tiranë, Durrës, etj. Flitet se një pjesë të mirë të arit e zhvati Jugosllavia “motër” dhe Bashkimi i lavdishëm Sovjetik. Por pjesa tjetër çfarë u bë?!
Në fillim të viteve ’90-të kur u vendos pluralizmi në Shqipëri, disa gazetarë të dalë nga batakët e Partisë së Punës, si kërpudhat e helmuara, premtuan me bujë, se ari do të gjendej, se Shqipëria do të begatohej dhe lum kush do të rrojë, që të gëzojë. Si me magji, gazetarët mbyllën gojën përnjëherësh dhe çështja e arit, u kthye në tabu. Në vitin 2000, na doli në shesh se një pjesë e arit, ishte marrë nga Thesari i Bankës Kombëtare dhe ishte depozituar në zonën e Kërrabës, në disa shpella e tunele, si ato të Ali Babait në Algjeri. U tha, se disa fshatarë të zonës e kishin vjedhur thesarin dhe kishin ngarkuar disa gomarë me ar dhe e kishin nxjerrë pazareve për ta shitur. Sa të paturpshëm dhe finokë, u treguan hajdutët e popullit, që realen e kthyen në legjendë, për të mos u zgjidhur kurrë nyja e arit shqiptar…?! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016