Nga MICHELE BRONDINO & YVONNE FRACASSETTI
-Shqipëria e Hoxhës: një vepër e pashërueshme-?
Memorie.al / Një vend ballkanik vetëm 70 km. larg brigjeve italiane, Shqipëria ra në vëmendjen e italianëve në vitet 1990 – ‘91, me valët tronditëse migratore të shqiptarëve në kërkim të lirisë dhe shpresës për një jetë më të mirë: Italia ishte “AMERIKA” si regjisori Giani Amelio e përshkroi mirë në filmin e tij. Sot rreth 500,000 shqiptarë janë integruar në shoqërinë tonë, ndërkohë që Shqipëria po kalon një rimëkëmbje të plotë ekonomike, sociale dhe kulturore. Pra, çfarë kishte ndodhur në Shqipëri, një vend i panjohur dhe misterioz deri në vitet tetëdhjetë, që mburrej se ishte i vetmi vend i Diktaturës së Proletariatit, një vend i paarritshëm për të huajt?!
Për dy vjet, në vitet 1982-1984, patëm rastin, më shumë të rrallë sesa unik, të jetonim këtë përvojë të “kampit të kuq”, të ngritur nga Enver Hoxha, pasi ishim dërguar nga qeveria italiane, për të hapur marrëdhënie kulturore me Shqipërinë, më parë inekzistente. Në ato vite, sistemi hermetik i Shqipërisë, i mbyllur për botën, ishte në krizë të plotë dhe ndjeu nevojën për të dalë nga izolimi.
Italia kap shenjat e para të krizës dhe nis procedurat për vendosjen e marrëdhënieve kulturore. Për të zbutur goditjen e kësaj hapjeje të parë të Shqipërisë me botën, vendosja jonë si Atashe Kulturor i nënshtrohet nga regjimi komunist i Tiranës, një kushti me efekt të madh simbolik: kthimi në Shqipëri, nga Italia, i kokës së skulpturës së perëndeshës Dea të Butrintit, i vjedhur gjatë pushtimit fashist dhe i dhuruar Benito Musolinit.
Ishim në një pozicion të privilegjuar: statusi diplomatik na mbronte, i vetmi rrezik serioz, ishte dëbimi i menjëhershëm nga vendi. Padyshim që përditshmëria jonë, kishte shumë kufizime, si pamundësia për t’i dërguar fëmijët tanë në shkollat shqipe, të mos shoqëroheshim me shqiptarë etj., megjithatë më e vështira ishte ndjenja e të qenit “të lirë” në një kafaz hekuri. Shqipëria komuniste, na u shfaq si një kamp i madh pune të detyruar, ku njerëzimi humbi në lodhjen shtazarake të punës fizike dhe brutalitetit moral.
Ndikimi ishte mbresëlënës. Imazhi i parë i skenarit që u hap në sytë tanë, ishte në postën kufitare me ish-Jugosllavinë, (Hani i Hotit), një portë me tela me gjemba të elektrizuar, që një ushtar i armatosur me një “Kallashnikov” me një yll të kuq në kapele, e hapi dhe e mbylli, duke na lënë të shtangur dhe disi të tronditur: kishim hyrë në Kalanë e Shqipërisë! Fotografitë që ne arritëm të bënim ishin të gjitha “të vjedhura”, të marra në mënyrë të fshehtë me rrezikun tonë.
Zbuluam një botë rurale ku rruga i përkiste njeriut dhe njëkohësisht edhe kafshëve, ku nuk kishte makina (rreth 400 në të gjithë vendin, të rezervuara për nomenklaturën dhe policinë), ku shfaqej kudo përpjekja njerëzore e një bote, në të cilën nuk kishte ende mekanizim.
Mbërritja: arat e mbushura me gra që gërmojnë tokën, me karroca bujqësore të tërhequra nga qetë ose kuaj; ndërsa në rrugën nacionale, tufa me bagëti, mushka e gomarë, i vetmi mjet transporti, burra e gra me kurriz të përkulur nga ngarkesat me dru, sanë, misër, fëmijë këmbëzbathur që kujtojnë vështirësitë e “Pemës së nallave”.
Në qytet, një kontroll i jashtëzakonshëm policie, që mban larg një populli memec dhe të tmerruar nga ideja për t’u përplasur, për një fjalë a shikim më shumë, me grushtin e hekurt të “Sigurimit të Shtetit (Policisë sekrete)”.
Si mund të ishte arritur kjo në zemër të Evropës, në mesin e shekullit të XX-të?! Pra, çfarë kishte ndodhur në Shqipëri, një vend i panjohur dhe misterioz deri në vitet tetëdhjetë, që mburrej se ishte i vetmi vend i Diktaturës së Proletariatit dhe i ateizmit, i paarritshëm për të huajt dhe që e shpallte veten “vendi i lumturisë”, siç bënte çdo ditë Radio e Tiranës!? Na duhen disa të dhëna historike, për të kuptuar Shqipërinë e kësaj periudhe. Ne i përmbledhim ato në tre pika thelbësore:
1) Shqipëria, një vend i nënshtruar, për shekuj me radhë, ndaj dominimit të huaj dhe një vend i rezistencës identitare ndaj të huajve (shqiptarisë): më i gjati nga dominimet, ishte ai turko-osman, që zgjati pesë shekuj, nga viti 1417 deri në 1912, viti që Shqipëria fiton pavarësinë e saj. Lufta për të mbrojtur atdheun dhe identitetin, filloi në shekullin e XXV-të dhe personifikohet nga heroi i madh kombëtar, Skënderbeu, statuja e të cilit, spikat kudo.
Më pas Franca dhe Italia, ndërhyjnë në Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore. Në vitet e pasluftës së paqëndrueshmërisë politike që pasuan e do të përfundojë me pushtimin e Italisë fashiste (1939-43), pasuar nga ai nazist, që do të përfundojë më 29.11.1944, me fitoren e Rezistencës Shqiptare, nga e cila del Partia Komuniste Shqiptare (PKSH) nga Enver Hoxha.
Duke bërë thirrje për dashurinë e popullit të tij për vendin, Hoxha, qëndron si një hero kombëtar, në të njëjtin nivel me Skënderbeun, ai i bën thirrje masave popullore, duke premtuar një shoqëri të lirë dhe të begatë përmes komunizmit.
2) Krijimi i nacional-komunizmit
Është një nacional komunizëm, i bazuar në identitetin shqiptar dhe jo në internacionalizmin komunist. Një komunizëm i themeluar mbi Diktaturën e Proletariatit, me një vulë staliniste, siç tregohet nga statujat e Stalinit, të pranishme në qytetet kryesore.
Në fillim, rezultatet janë mbresëlënëse. Kujtojmë një episod që na goditi shumë atëherë: na foli një shqiptar i vjetër, ish-partizan (anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare), i takuar rastësisht në rrugicat e Pazarit të vjetër të Krujës, duke na dëgjuar të flisnim italisht.
Një gjë e nxituar dhe e ndaluar, por ne ishim larg syve kureshtarë dhe ai, kaq i moshuar, nuk kishte më asgjë për t’u frikësuar. Fjalët e tij ishin ndriçuese: “Në Shqipëri – na tha – mund të jemi të lumtur. Komunizmi na çliroi nga tre plagë të mëdha: nga i huaji (tani jemi të lirë në shtëpi), nga injoranca (analfabetizmi që ishte 90% në fund të luftës, por, sigurisht, pasi plotësohen nevojat themelore, njeriu kërkon më shumë.
Përkundrazi, shtrëngimi i regjimit komunist dhe mbyllja në çdo fushë, po e çonin progresivisht Shqipërinë, në vitet ‘60-’70-të, në një izolim total, ku të gjithë të huajt shpallen armiq. Populli shqiptar, është ushqyer me psikozën e armikut ndaj vendit të tij dhe për të mbrojtur veten, është i mbushur me bunkerë.
3) Izolimi dhe autarkia
Në fakt; historia e Shqipërisë së pasluftës, është një histori çarjesh e konfliktesh të njëpasnjëshme me miqtë e ngushtë të saj: fillimisht me Jugosllavinë e Titos në 1948, pastaj me BRSS-ën, pas vdekjes së Stalinit dhe në fund, me Kinën e Mao Ce Dunit, në vitin 1978. Duke filluar nga fundi i viteve shtatëdhjetë, Hoxha vendos izolimin total mbi vendin, me moton; “Shqipëria do të mbështetet në forcat e veta”!
Në vitet ’80-të, Shqipëria është tashmë një “kamp i kuq”, populli shqiptar është skllav i një regjimi të hekurt, i nënshtruar një indoktrinimi që e çon në krye, nga lindja në vdekje: duke bërë që Enver Hoxha të propagandojë më të madhe se: “Partia është zemra dhe truri i Njeriut të Ri”. Aq sa edhe emrat e fëmijëve të porsalindur, duhet të frymëzohen nga modeli komunist: Shpresa (shpresa), Drita (drita), Përparimi (përparimi), etj.
Shkurt, doktrina komuniste është bërë feja që zëvendëson fetë e tjera: që nga mesi i viteve ’60-të, Shqipëria është një vend zyrtarisht ateist, i kompletuar me një muze të ateizmit, ku të gjitha objektet e kultit (grekë ortodoksë, myslimanë dhe katolikë), jo vetëm që janë mbyllur dhe shkatërruar, por janë përdorur si magazina, etj.
Një propagandë obsesive ndjek vështrimin dhe mendjen e “Njeriut të Ri”, për të rrënjosur besnikërinë ndaj atdheut dhe partisë, lartësimin e komunizmit dhe liderit suprem, (Enver Hoxhës), forcën dhe përgatitjen e burrave dhe grave, me parulla e postera, që të kujtojnë qartë propagandën fashiste.
I inkuadruar kështu fizikisht dhe mendërisht, populli shqiptar ka pësuar “një fyerje të pashërueshme”, për të cituar shprehjen e përdorur nga Primo Levi, kur përshkruan dekurajimin e të burgosurve të zënë në grackë, teksa hapeshin portat e Aushvicit. Ne flasim për një vepër të pashërueshme, sepse rënia e regjimit, hap një boshllëk:
ka pasur gati pesëdhjetë vjet edukim për qytetarinë, demokracinë, lirinë, sensin kritik; vlerat dhe aftësitë thelbësore, për menaxhimin e epokës së re që po hapej, për të ditur se si të rivendosni një etikë të re, për menaxhimin e lirisë, konsumit dhe të mirës së përbashkët, për rindërtimin e marrëdhënieve ndër personale, të helmuara nga dyshimi dhe frika.
Nga njëra anë, ne besojmë se është detyra jonë të zbulojmë kushtet katastrofike në të cilat u gjend Shqipëria kur ra regjimi, pikërisht sepse asnjë vlerësim sot nuk mund të anashkalojë pikënisjen nga e cila u rimëkëmb vendi, nga ana tjetër nënvizojmë se; Shqipëria e sotme, në rindërtim të plotë, pavarësisht kufizimeve të shumta të një zhvillimi kaotik dhe të nxituar (ndërtim spekulime, korrupsion, anarki të përgjithshme), transmeton një entuziazëm që shikon përpara, bartëse shprese për shumë të rinj të privuar shumë gjatë nga liria dhe dinjiteti.
Për këtë arsye, pasi kemi parë përparimin befasues të bërë në 20 vjet, duhet të themi: “Diktatura e Enver Hoxhës, po, ishte një ofendim i thellë, por jo një ‘vepër e pashërueshme”.
Ky dinamizëm dhe kjo ndërgjegjësim janë të pranishme në çdo aspekt të shoqërisë së sotme, madje edhe në art, siç dëshmohet nga ekspozita e Artan Shabanit (“Peizazhe të reflektuara”, në Santo Stefano në Mondovì nga 12 mars deri më 3 prill), një artist i ri që mbërriti në Itali së bashku me një nga valët e para të migrimit dhe u ndal për 12 vjet në Torino, ku u stërvit dhe ku piktura e tij u vendos.
Sot është drejtor i GKA (Galerisë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë) të Tiranës, dëshmitar i një Shqipërie të re, i sigurt në të ardhmen e saj dhe bartës i një projekti që quhet “Albania”, kur shprehet: “Mendoj se Shqipëria ka nevojë për lehtësi sot,…ne nuk kemi një marrëdhënie të mirë me të kaluarën.
Pas 20 vitesh demokraci, mënyra jonë e të parit të botës, kushtëzohet nga demokracia e parasë dhe kjo vlen edhe për sistemin e artit. Sot bota nuk ka nevojë për diktatura të reja, sepse në realitet ajo tashmë i është nënshtruar një sistemi të tillë, pa e kuptuar atë” (Ekspo-arte 2010). Memorie.al
Përkthyer nga Sara Molla
Shënim: Michele Brondino – Historian i Mesdheut, drejtor i Enciklopedisë së Mesdheut (EDM, Jaca Book). Ai ka botuar studime të shumta për zonën e Mesdheut, në veçanti:
“Algjeria, vendi i revolucioneve të përshpejtuara” Torino 1981, “Kolonializmi dhe neokolonializmi”, Milano 1987; “Magrebi i Madh: miti dhe realiteti”, Milano 1988, përkth. frëngjisht 1990; “Shtypi italian në Tunizi” – Historia dhe shoqëria– Milano 1999, përkth. frëngjisht 2004; “Mesdheu sheh, dëgjon, shkruan” dhe “Mesdheu: figura dhe takime”, Milano 2005, përkth.frëngjisht 2009. “Afrika e Veriut digjet në hijen e Evropës”, Milano, Jaca Book, 2011; “Mesdheu i shekullit XXI: peng i histories”, “Rrënjët e racionalitetit kritik”, Mimesis, Milano, 2015.
Për kërkimet e tij mbi Mesdheun, ai u nderua me Çmimin Kombëtar për Shkenca Sociale nga Accademia dei Lincei.
Yvonne Fracassetti – eksperte franceze, ajo ishte pedagoge e italishtes në Universitetin e Algjerit, atashe kulture në Institutin Italian të Kulturës në Tunis dhe drejtoreshë e shërbimeve kulturore në Konsullatën Italiane në Lion dhe më pas në Nicë. Ajo ka botuar ese të ndryshme mbi kulturat mesdhetare, duke përfshirë: “Mario Scalesi, précurseur de la littérature multiculturelle au Maghreb”, (me A. Bannour), Publisud, Paris, 2002; në bashkëpunim me Michele Brondino: “Mesdheu sheh, shkruan, dëgjon”, Milano, Jaca Book, 2005; “Mesdheu: figura dhe takime”, Milano, Jaca Book, 2005; “Afrika e Veriut digjet në hijen e Evropës”, Milano, Jaca Book, 2011. “Albert Camus, i biri i Mesdheut”, dhe Spigolatori, Mondovì, 2012; “Albert Camus, Mémoire et dialogue en Méditerranée”, CNR-ISEM, Cagliari, 2015.
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016