Nga Agim Musta
Pjesa e pestë
Memorie.al / Në përvjetorin e katërt të ikjes nga jeta të historianit, studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Agim Musta, (24 Korrik 2019), ish – i burgosur politik, vajzat e tij Elizabeta dhe Suela, i dhanë të drejtën e ekskluzivitetin për botim, medias online Memorie.al, të një prej botimeve më të spikatura të autorit, siç është ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’. Kjo vepër, mban të dhëna, dëshmi, fakte, statistika dhe argumente të shumta e të panjohura për publikun e gjerë, mbi krimet dhe terrorin komunist në Shqipëri, veçanërisht ndaj intelektualëve, në periudhën 1945-1991. Botimi për herët të parë të pjesëve të këtij libri, është dhe realizimi i një prej amaneteve të historianit Agim Musta, i cili, që nga fillimi i vitit 1991 e deri sa ndërroi jetë, për afro tre dekada u angazhua me të gjitha fuqitë e tij, duke punuar për ngritjen e kujtesës kolektive, përmes botimeve me libra dhe publikimeve në shtypin e përditshëm. E gjithë ajo punë voluminoze e z. Agim Musta, e konkretizuar në disa libra, është një kontribut me vlera të mëdha, për zbardhjen e krimeve të regjimit komunistë të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Një pjesë e mirë e botimeve të z. Agim Musta, është e përkthyer dhe në anglisht. Duke falenderuar dy vajzat e të ndjerit Musta, që zgjodhën Memorie.al, për të përkujtuar babanë e tyre, nga sot po fillojmë publikimin pjesë pjesë, të ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.
-Burgjet e shtetit komunist shqiptar-
(1945-1991)
Qytetarët e huaj në burgjet shqiptare
Shqipëria gjatë sundimit të diktaturës komuniste, u kthye në një burg të madh, jo vetëm për qytetarët shqiptarë, por edhe për shumë qytetarë të botës. Në Shqipëri, u mbajtën peng dhe nuk u lejuan të riatdhesohen edhe pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, disa qindra qytetarë italianë, shumica e të cilëve ishin inxhinierë, teknike, mjek, etj. Një pjesë e tyre u dënuan me burgje dhe u ekzekutuan pa asnjë faj. Të tillë ishin: prof. Loci, kirurg me famë botërore, ekzekutuar në vitin 1946. Ja se çfarë tregon, Thoma Karamelo, një nga hetuesit më të rrezikshëm të asaj kohe:
“Locin e arrestuam, se në kufomën e një oficeri madhor italian, që do të dërgohej në Itali, ai kishte futur një sasi të konsiderueshme monedha ari. Arrestimi i tij u shfrytëzua për të marrë informata për personelin e misioneve anglo-amerikane, me të cilët prof. Loci, kishte intimitet. Ai respektohej prej tyre, jo vetëm si kirurg i rrallë, por edhe si intelektual me një kulturë të gjerë.
Unë kam qenë një nga hetuesit e tij së bashku me Vangjo Mitrojorgjin. Nga Loci kërkohej, që të denonconte bisedat “armiqësore” që ai bënte me anglo-amerikanët dhe opinionet e tyre për qeverinë komuniste shqiptare. Loci betohej me lot në sy, se me ata ai bisedonte për muzikën, gjuetinë, artin dhe të tjera tema apolitike. Ne nuk lamë torturë pa përdorur kundër tij, që ai të pranonte ato që kërkonte plani ynë operativ. Vdiq gjatë një seance torturash. U hartua një vendim gjyqi fiktiv dhe një proces-verbal “ekzekutimi”. Kjo është e vërteta për prof. Locin. Të tjerat janë trillime”
Një tjetër intelektual italian i ekzekutuar në Shqipëri, në vitin 1947, ishte inxhinieri Euxhenio Skaturo, që u ekzekutua në Maliq, se gjoja kishte “sabotuar” projektin për tharjen e kënetës të Maliqit. Shumë të tjerë u dënuan me burgime të rënda, si Mario Masarini dhe me konfiskimin e pasurive të tyre, të luajtshme dhe të paluajtshme. Kështu, në Shqipëri u dënuan me burgime të rënda, shumë gra ruse, polake, hungareze, greke, bullgare, etj., që ishin martuar me burra shqiptarë.
Pati edhe mjaft qytetarë gjermanë, austriakë, amerikanë dhe nga të tjera vende të botës, që janë arrestuar, torturuar, burgosur dhe ekzekutuar nga organet e diktaturës së shtetit komunist shqiptar. Më 1966, një arkeolog francez, i kërkimeve ndënë ujë, u kap në afërsi të Himarës, nga forcat kufitare shqiptare. Atë e sollën në qelitë e Sigurimit të Vlorës, për t’iu nënshtruar një hetuesie intensive. Ja se çfarë ka treguar i burgosuri himarjot, Spiro Qirici, që u gjend për disa ditë në një qeli me arkeologun francez:
“Ai ishte në një gjendje të rëndë, që më tronditi së tepërmi. Në fytyrë edhe në trup kishte hematoma gjaku. Nuk hante dhe gjithë kohën rrinte shtrirë me gjymtyrë të hapta. E pyesja në gjuhën frënge se si quhesh dhe çfarë i kishte ndodhur. Nuk m’u përgjigjët asnjëherë. Shpesh thoshte me rënkime shprehjen e Jezu Krishtit kur e gozhduan – “O Zot, O Zot, përse më braktise”. Pas disa ditësh, në mesin e natës, pati një grahmë të fortë dhe dha shpirt. I rashë me grusht derës së qelisë dhe kërkova ndihmë.
Gardianët as luajtën nga vendi dhe më kërcënuan se do të më rrihnin, po të vazhdoja t’i bija derës. Të nesërmen, erdhën hetuesit dhe më qëlluan me grusht turinjve, që e kisha lënë “spiunin francez” të vdiste”! Në vitin 1961, rojet bregdetare shqiptare, ndaluan në afërsi të ishullit të Sazanit, një jaht që mbante flamurin e Republikës Federale Gjermane. Në të ndodheshin 2 qytetarë gjermanë nga Hamburgu, që bënin një udhëtim në brigjet e Mesdheut.
Ata pretenduan se ishin në ujërat asnjanëse, por ku pyetën banditët e Enver Hoxhës, për pretendimet e tyre?! Pasi torturuan gjatë hetuesisë, i dënuan secilin me nga 5 vjet burgim dhe me konfiskimin e jahtit, se kishin shkelur ujërat territoriale të Republikës Popullore të Shqipërisë!
Në vitin 1957, kur ishte në përfundim e sipër aeroporti ndërkombëtar i Rinasit (sot aeroporti “Nënë Tereza” A.M.), i ndërtuar nga të burgosurit politikë, një aeroplan me ushtarë amerikanë, pa pritur dhe pa u diktuar, u ul në pistën e aeroportit. Piloti, një major amerikan, u mbajt në një bazë sekrete të Sigurimit në qytetin e Tiranës, duke i’u nënshtruar një hetuesie intensive, por pa u torturuar.
Me ndërhyrjen e qeverisë Sovjetike, pranë qeverisë shqiptare, piloti amerikan u lira pas dy javësh, duke e lënë avionin në aeroportin e Rinasit. Fat tragjik patën edhe 150 ushtarakë gjermanë, të dezertuar nga repartet e tyre, gjatë tërheqjes të ushtrisë gjermane, ose të zënë rob nga partizanët shqiptarë, nga fundi i vitit 1944. Ata u përdorën si skllevër pune, në ndërtimin e urave dhe nga trajtimi mizor dhe uria, vetëm 13 prej tyre, u kthyen gjallë, në Republikën Demokratike Gjermane, në fund të vitit 1950.
Një fat tragjik, pati edhe gjeologu polak, Stanislav Zuber. Ndërsa në Azerbajxhan, Iran dhe Venezuelë, atij i ngritën buste dhe monumente për zbulimet e naftës, në Shqipëri si; “shpërblim” për punën kolosale që kish bërë për zbulimin e vendburimeve të reja të naftës, e arrestuan në vitin 1946, e çmendën nga torturat dhe në fund i morën dhe shpirtin.
Qytetarë shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia, në burgjet e Enver Hoxhës
Pas prishjes së marrëdhënieve midis Shqipërisë së Enver Hoxhës dhe Jugosllavisë Titiste, në qershor të 1948-s, disa qindra kosovarë, shqiptarë nga Maqedonia dhe Mali i Zi, për motive patriotike dhe për t’iu shpëtuar ndjekjeve të U.D.B.-së jugosllave, kaluan ilegalisht kufirin dhe kërkuan strehim në shtetin amë. Ata puthnin të përmalluar tokën shqiptare dhe mendonin se vuajtjet e tyre kishin mbaruar dhe në Shqipëri do të gjenin ngrohtësinë e vatrës shqiptare.
Sigurimi Shtetit Shqiptar, sipas udhëzimeve të diktatorit, i çonte këta fatkeq në bazat e fshehta të Sigurimit, për t’iu bërë “stazhin” filtrues dhe ata që nuk rekrutoheshin për punët e zeza të diktaturës, përfundonin në kampet e fermës së Semanit, Llakatundit, ose në qelitë e errëta të hetuesive.
Shumë prej tyre nuk ju besonin syve, për ato që shihnin në Shqipërinë e ëndërruar dhe nuk ju besonin veshëve, kur dëgjonin nga hienat e Sigurimit, fjalët më poshtëruese, si: “Agjentë të U.D.B-së”, “Kulishët e Titos”, “Armiq të Shqipërisë” e të tjera nofka, që kurrë ndonjëherë shqiptari, nuk ia ka thënë shqiptarit.
Disa prej tyre, në bazë te marrëveshjes së fshehtë, i këmbenin me shqiptarë të arratisur në Jugosllavi dhe ata, që guxonin të thonin të vërtetën pa u ndrojtur, dënoheshin me dënime të rënda burgimi, me akuza të parafabrikuara. Gjatë vuajtjes së dënimit, kam njohur shumë prej tyre, midis të cilëve më kujtohen: Ismet Boletini, i dënuar me 8 vjet privim lirie, për agjitacion e propagandë, Muharrem Mazreku, që vuajti 20 vjet burgim, pse deshi të arratisej nga kampi i Llakatundit, Zek Tahiri, nga Rugova, i ardhur në Shqipëri në moshën 13 vjeçare, vuajti 10 vjet në galerat e Spaçit, Gani Demiri, që shërbeu pa u lodhur si mësues, për dekada të tëra dhe si “shpërblim”, diktatura i dha tetë vjet burgim.
Vetëm nga familja e Isa Boletinit, u vranë ose vdiqën në qelitë e burgjeve shqiptare, shtatë bij dhe nipër të tij. Kam parasysh Myrteza Bajraktarin nga Gostivari, gjithmonë buzagaz me dorë të paralizuar, nga torturat e U.D.B-së Jugosllave dhe me flokë të zbardhura, nga torturat e Sigurimit Shqiptar. Kam parasysh, Ashim Toplicën nga Tetova, i shndërruar në një skelet nga vuajtjet dhe uria, që vuajti 20 vjet burgim, në galerat e Spaçit, Haki Popovskin nga Peja, që hyri në burg i ri dhe doli i plakur, sa e sa të tjerë, për të cilët më kanë treguar bashkëvuajtësit e mi. Po përmendim: Qazim Krekën, që pasi arratiset nga qelitë e U.D.B-së, dënohet në Shqipëri me 10 vjet burgim.
Të njëjtin fat pati dhe Ruzhdi Hoti, i torturuar dhe nga U.D.B-ja, që vuajti 15 vjet në galerat e Spaçit. Nazmi Berisha nga Prishtina, erdhi në Shqipëri për t’u arsimuar dhe bëri “Universitetin” e Spaçit, për 16 vjet. Albanologu Hamit Hajdini nga Kërçova, vuajti 16 vjet burgim. Po këtë fat, pati dhe mësuesi i letërsisë, Shefqet Kaçaniku nga Ferrizaj, që u dënua me 10 vjet burgim, ndërsa Ibish Kelmendi nga Rugova, vuajti 15 vjet burgim.
Kolë Nikshi, vuajti në burgjet shqiptare 10 vjet dhe pasi lirohet, kthehet në Kosovë, ku helmohet nga U.D.B.-ja Jugosllave. Sitki Hoxha, vuajti shumë vjet në burgun famëkeq të Burrelit dhe sot i vetmuar pa familje, kalon vitet që i kanë mbetur, në një azil të Norvegjisë.
Qazim Vula, shok i atentatorit Haki Taha, që vrau në Prishtinë, Miladin Popovoçin, mentorin e Enver Hoxhës, vuajti 30 vjet burg dhe internim dhe do të kish vuajtur akoma, po të mos kish vdekur. Jetullah Gashi, nga Podujeva, erdhi në Shqipëri me plot endrra rinore në moshën 17 vjeçare dhe pasi mbaroi shkëlqyeshëm fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, u dënua nga regjimi satanik me 25 vjet burgim.
Tahir Hamza nga Lipjani, i etur për arsim, erdhi në Shqipëri për të vazhduar shkollën, dënohet me 6 vjet burgim. Kështu e kanë pësuar; Hamit Dika, Istref Kelmendi, Esat Myftari, Sadi Ahmeti, Qazim Hasarapi, Rexhë Aliaj, e qindra të tjerë, që kanë vuajtur disa mijëra vjet burgim dhe mjaft prej tyre kanë lënë kockat në kampet dhe burgjet e Shqipërisë “socialiste”. Ja pra, si “përgjërohej” Enver Hoxha për kosovarët dhe shqiptarët e përtej kufirit.
Asgjësimi i fshehtë, i ish – të burgosurve politikë
Qysh nga vendosja e diktaturës komuniste, në nëntorin e vitit 1944, janë asgjësuar në mënyrë të fshehtë, me metoda nga më kriminalet, disa dhjetëra të burgosur politikë. Me 11 dhjetor të vitit 1946, merren nga burgu i Tiranës, ku vuanin dënimin, Andrea Zisi dhe Aristidh Qendro, (ish-drejtuesit kryesorë të Grupit Komunist të “Zjarrit” në Korçë në periudhën e Monarkisë së Zogut). U fol, se shkaku i marrjes ishte dërgimi i tyre në burgun e Burrelit.
Afër Mamurrasit, auto-burgu u shmang nga rruga nacionale dhe hyri në një rrugë të dorës së dytë. Andrea Zisin dhe Aristidh Qendron, i nxjerrin nga makina dhe i ekzekutojnë me nga një plumb pas koke, duke thënë se; “tentuan të arratisen”, megjithëse ishin të lidhur me pranga, këmbë e duar. Ata kishin qenë drejtuesit e grupeve komuniste në fillim të viteve tridhjetë.
Në vitin 1949, merren nga dhoma e burgut të Burrelit, ku vuanin dënimin, ish – kryeministri i Mbretërisë Shqiptare, Koço Kota, mësuesi nacionalist, Spiro Grameno dhe ish-oficeri, Atif Gojla. Me urdhrin gojor të një oficeri madhor, të Ministrisë së Punëve të Brendshme të asaj kohe, ata i mbyllën në një qeli dhe i lanë pa bukë e pa ujë, derisa dhanë shpirt, njëri pas tjetrit.
Në vitin 1958, në spitalin e Tiranës helmojnë me një shiringë me helm, Haki Mulletin, ish – dënuar politik, (vëlla i ish-Prefektit të Tiranës, Qazim Mulleti), pinjollë të familjes së Sulejman pashë Mulletit, themeluesit i Tiranës. Reshat Petrela, shtruar në të njëjtën dhomë me Haki Mulltetin, tregon: “Haki Mulleti, ishte përmirësuar dhe pritej nga dita në ditë, të dilte nga spitali.
Një mbas dite, kur në pavijon s’kishte lëvizje, erdhi një infermiere me një shiringë në dorë dhe u drejtua nga shtrati i Haki Mulletit, Hakiu i thotë se mjeku nuk i kishte thënë të bënte gjilpërë. Ajo këmbëngul dhe pasi i bën gjilpërën, zhduket si hije. Pas disa minutash Hakiu vdes, në moshën 58 vjeç, pa thënë asnjë fjalë. Infermieren askush nuk e njihte”.
Në kohën e pluralizmit, doli në dritën e diellit, se me këtë mënyrë, infermieri i burgut të Burrelit, Kamber Lipeshani, i urdhëruar nga shefat e tij, kishte asgjësuar disa të burgosur që vuanin dënimin në atë burg.
Në vitin 1965, në kampin me punë të detyruar të Laçit, vritet Eqerem Zeko, një javë para se të plotësonte dënimin, pasi kishte vuajtur 15 vjet burgim. Një gardian i kampit, e detyron Eqeremin, të çojë një karrocë dore me mbeturina në vendin ku hidheshin plehrat. Ai zbaton urdhrin e gardianit, por kur afrohet pranë rrethimit, i shoqëruar nga gardiani, një roje nga karakolli, e qëllon pa paralajmërim, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. U tha se “deshi të arratisej”
Në kampin me punë të detyruar të Elbasanit, në vitin 1967, vritet atdhetari i shquar dibran, Ali Maliqi (Agolli), pasi kishte vuajtur mbi 20 vjet burgim. Ai po kryente ditët e fundit të vuajtjes së dënimit, por ai s’duhët të dilte i gjallë nga burgu. Një udhëheqës i Partisë-shtet, gjatë një bisede, i kishte thënë një drejtuesi lokal të rrethit të Dibrës, se Ali Maliqi, nuk do ta shihte i gjallë Dibrën. Kuptohet se udhëheqësi i Partisë-shtet, ishte në dijeni për planin kobzi, për vrasjen e Ali Maliqit (Agollit).
Në vitin 1975, dërgohet nga burgu i Burrelit, për “t’u kuruar”, në spitalin burg të Tiranës, ish gjenerali i Sigurimit të Shtetit, Halim Xhelo, i cili mbi 20 vjet, kishte punuar në detyra të rëndësishme, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë. Ai kishte qenë hartuesi i shumë planeve kobzeza të Sigurimit të Shtetit.
Kur Halimi vuante dënimin në burgun e Burrelit, shpeshherë u tregonte bashkëvuajtësve, bëmat dhe gjëmat që kishin ndodhur në Shqipëri, gjatë kohës kur ai ishte në kupolën e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ai ishte një “minierë” e pafund, ashtu siç ishin edhe krimet e ndodhura në vendin tonë.
Ajo gojë duhej të mbyllej përgjithmonë, që të mos dilnin në shesh krimet gjakatare që u tregonte Halim Xheloja, të burgosurve të Burrelit. U dërgua në spitalin burg të Tiranës me urgjencë, pa qenë i sëmurë dhe pas disa ditësh, u gjet i varur në një nevojtore. Të tilla vrasje, që janë kryer në vendet e vuajtjes së dënimit, janë të shumta dhe vazhduan, derisa nxori grahmën e fundit sistemi i urryer komunist. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016