Nga Agim Musta
Pjesa e katër
Memorie.al / Në përvjetorin e katërt të ikjes nga jeta të historianit, studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Agim Musta, (24 Korrik 2019), ish – i burgosur politik, vajzat e tij Elizabeta dhe Suela, i dhanë të drejtën e ekskluzivitetin për botim, medias online Memorie.al, të një prej botimeve më të spikatura të autorit, siç është ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’. Kjo vepër, mban të dhëna, dëshmi, fakte, statistika dhe argumente të shumta e të panjohura për publikun e gjerë, mbi krimet dhe terrorin komunist në Shqipëri, veçanërisht ndaj intelektualëve, në periudhën 1945-1991. Botimi për herët të parë të pjesëve të këtij libri, është dhe realizimi i një prej amaneteve të historianit Agim Musta, i cili, që nga fillimi i vitit 1991 e deri sa ndërroi jetë, për afro tre dekada u angazhua me të gjitha fuqitë e tij, duke punuar për ngritjen e kujtesës kolektive, përmes botimeve me libra dhe publikimeve në shtypin e përditshëm. E gjithë ajo punë voluminoze e z. Agim Musta, e konkretizuar në disa libra, është një kontribut me vlera të mëdha, për zbardhjen e krimeve të regjimit komunistë të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Një pjesë e mirë e botimeve të z. Agim Musta, është e përkthyer dhe në anglisht. Duke falenderuar dy vajzat e të ndjerit Musta, që zgjodhën Memorie.al, për të përkujtuar babanë e tyre, nga sot po fillojmë publikimin pjesë pjesë, të ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.
-Burgjet e shtetit komunist shqiptar-
(1945-1991)
- Kampi i Repsit Mirditë. Ky kamp u ngrit në katundin Rreps, buzë lumit Fan, atje ku ndahen rrugët për Orosh dhe Spaç. Kampi ishte ndërtuar në shpatin e malit dhe kishte një efektiv prej 300 të burgosur ish-politikë. Si komandë, Rrepsi varej nga kampi i Spaçit, ku komandant ishte Çelo Arza dhe komisar Shahin Skura. Komandanti shquhej për egërsi, kurse komisari ishte një sharlatan mburravec. Gjithë gardianët e kampit, dalloheshin për lagësira dhe poshtërsira.
Objektivi i kampit ishte hapja e tri tarracimeve në shpat të malit, ku do të ndërtoheshin 10 objekte të uzinës së pasurimit të bakrit. Puna ishte shumë e vështirë dhe punohej vetëm me kazmë, qysqi dhe vare. Era e fuqishme dhe akulli gjatë dimrit, e bënin shumë të vështirë jetën në kamp. Qysqitë dhe varetë, ngrinin në duart e dobësuara të të burgosurve. Shumë të dënuar të vjetër nga mosha, u sëmurën dhe disa prej tyre vdiqën. Punimet në këtë kamp, vazhduan gjatë periudhës së viteve 1968-1970.
- Kampi i Ballshit. Ky kamp u ngrit 2 km. në lindje të qytetit të Ballshit, në një luginë të ngushtë të rrethuar me kodra të larta. Në fillim të vitit 1972, kur nisën punimet, kampi kishte një efektiv prej 800 të burgosurish politikë. Këtu do të ndërtohej një nga veprat më të mëdha, me ndihmën kineze: “Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës”.
Punimet i drejtonin inxhinierët kinezë. Numri i të burgosurve në këtë kamp shtohej çdo ditë dhe në fillim të vitit 1974, ai arriti në 2000 veta. Meqenëse shumica e të burgosurve ishin të rraskapitur nga puna e rëndë dhe e vështirë qe kishin bërë në vitet e zgjatura të dënimit, rendimenti në punë ishte shumë i ulët. Komanda e kampit, filloi të marrë masa për t’i detyruar të dënuarit të shtonin rendimentin. Filluan torturat dhe u krijua një dhomë izolimi, për të asgjësuar ata të burgosur, që komanda e kampit i quante nismëtarë për sabotimin e ndërtimit të veprës.
Udhëheqja teknike kineze e veprës, pasi analizoi shkaqet e mos ecjes si duhet të punimeve, nxori përfundim se: një vepër si ajo e Ballshit, nuk mund të ndërtohej me kazma dhe lopata, por me makineri bashkëkohore. Në këtë kamp, që qëndroi i ngritur prej vitit 1972 deri më 1987, u grumbulluan disa qindra të burgosur, mbi moshën 60 vjeç, që vuanin nga shumë sëmundje. Ajo që nuk do të harrohet nga ky kamp, ishte kapanoni i të sëmurëve psikikë, të cilët i mbanin atje për mungesë vendesh në Spitalet Psikiatrike të Elbasanit dhe të Tiranës.
Lugina ku ndërtohej uzina, u quajt nga të burgosurit; “Lugina e vdekjes”, se në muajt e verës temperatura në diell arrinte shifra shumë të larta. Tre të burgosur, kanë gietur vdekjen nga pika e diellit. Midis të burgosurve intelektualë që lanë jetën në këtë kamp, mund të përmendim piktorin Vangjush Tushi, klerikun, Dom Marku, etj. Në këtë kamp, u vra në tentativë arratisjeje, Durim Veledi, së bashku me një shokun e tij. Parcelës ku u varrosën disa dhjetëra të burgosur, kur mbaruan punimet në uzinë, i vunë buldozerin, për të zhdukur çdo gjurmë.
Shënim: Duhet theksuar se gjatë viteve 1946-1950, me të burgosurit politikë, u ndërtuan themelet e Kombinatit të Tekstileve Tiranë dhe gjatë viteve 1962-1963, po në Tiranë, ato të Kombinatit të Autotraktorëve.
E) Kampet me punë të detyruar për ndërtimin e aeroporteve
- Kampi i Urës Vajgurore. Ky kamp u ngrit 12 km. në perëndim të qytetit të Beratit. Të burgosurit e këtij kampi, do të punonin për ndërtimin e aeroportit ushtarak të Kuçovës. Punimet i drejtonin specialistët ushtarakë të Bashkimit Sovjetik. Për ndërtimin e këtij aeroporti, punonin 2000 të burgosur politikë dhe 1000 ushtarë shqiptarë, të brigadave të punës, që nga trajtimi dhe ushqimi, ndryshonin shumë pak nga njëri-tjetri. Punimet nisën në vitin 1948.
Në fillim, të burgosurit i sillnin çdo ditë nga burgu i Beratit, por mbas një arratisjeje masive më 1949-ën, kur disa të burgosur mundën dhe të kalonin kufirin shtetëror e arratiseshin në Greqi, u ngrit kampi i Urës Vajgurore. Një pjesë e të dënuarve të këtij kampi, punonin në gurore, për të nxjerrë gurë për shtrimin e pistës, kurse të tjerët punonin për nivelimin e fushës, në hapjen e kanaleve kulluese dhe ndërtimin e pistës. Punohej 10 orë në ditë, me 600 gram bukë misri dhe supë patatesh. Një pjesë e madhe e të burgosurve, sidomos ata që punonin në gurore, u sëmurën nga silikoza, që dëmtonte organet e frymëmarrjes. Në këtë kamp, pati 30 të vdekur dhe 7 të pushkatuar për përpjekje arratisjeje, si dhe disa dhjetëra të ri dënuar. Punimet në kampin e Urës Vajgurore, mbaruan në vitin 1953.
- Kampi i Rinasit. Kampi i Rinasit u ngrit 17 km. në veri-perëndim të Tiranës, në katundin Rinas. Objekti i këtij kampi, me një efektiv prej 1700 të burgosur politikë, ishte ndërtimi i aeroportit ndërkombëtar të Rinasit, më i madhi në vendin tonë. Puna ishte shumë e rëndë, sidomos shtyrja e vagonëve të mbushur me gurë, çdo i burgosur bënte 30 km. rrugë me një sforcim të madh për shtyrjen e vagonëve 2 tonësh. Punohej 10-12 orë në ditë dhe të burgosurit nuk lejoheshin të futeshin në kapanone, para orës 20.00.
Uji ishte i racionuar, një gavetë në ditë, për çdo të dënuar. Edhe nga ky kamp, pati përpjekje për arratisje. Tre të dënuar, pas shumë peripecish, mundën të kalonin kufirin shtetëror dhe të arrijnë në SHBA-ës. Ata që kapën, mbasi u torturuan mizorisht, u ri-dënuan me 25 vjet burgim. Punimet në aeroportin e Rinasit vazhduan gjatë viteve 1953-1957. Përpara përurimit të aeroportit, kur të burgosurit kryenin punimet e fundit, një avion zbulimi amerikan, i pilotuar nga një major, u ul befasisht si një “gur meteori” në pistën e Rinasit. Hutimi dhe çoroditja e komandës së kampit, ishte aq e madhe, sa rojet filluan të shtinë në ajër, duke iu bërtitur të burgosurve, që të qëndronin të shtrirë, pa lëvizur.
Mbas pak minutash, arritën në aeroport funksionarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes. Ata e morën me vete pilotin amerikan, të cilin e mbajtën 10 ditë në një bazë sekrete të Sigurimit të Shtetit dhe pastaj e lanë të lirë të largohej nga Shqipëria, me ndërhyrjen e Qeverisë Sovjetike. Ai nuk pranoi ta merrte avionin, duke deklaruar se ishte difektoz dhe jashtë përdorimit. Më vonë, maketi i këtij aeroplani, u dërgua në Muzeun Kombëtar të Armëve në Gjirokastër si “trofe lufte”, ku vazhdon të jetë edhe sot.
F) Kampet me punë të detyruar në miniera
- Kampi i Bulqizës. Më 1946 në Bulqizë, u ndërtua kampi i parë me të burgosur politikë, për të punuar në minierë. Në fillim, kampi kishte një efektiv prej 700 të dënuar, por brenda tre vjetësh, numri i të burgosurve në këtë kamp, arriti në 1500 vetë. Punohej me tre turne, për të nxjerrë mineral kromi. Kushtet e jetës dhe ato higjenike në kamp, ishin të vajtueshme. Kaloritë që merreshin në ushqimin ditor, plotësonin vetëm 1/3 e atyre që harxhonte një i burgosur në punë në galeri. Në minierë mungonte çdo mase sigurimi teknik. Normat e punës ishin shume të larta dhe të parealizueshme për shumicën e dërrmuese të të burgosurve. Ata qe nuk realizonin normën, rriheshin nga gardianët dhe detyroheshin të punonin në galeri 16 orë, bile ka pasur raste edhe 24 orë pa pushim. Për gjendjen shëndetësore të të burgosurve, nuk tregohej asnjë kujdes. Ata i nxirrnin në punë dhe të sëmurë, edhe me temperaturë deri në 38 gradë. Me dhjetëra të burgosur u sëmurën dhe vdiqën pa u mjekuar.
Nuk kishte javë që në galeritë e Bulqizës, të mos ndodhte ndonjë aksident dhe të mos vritej ndonjë i burgosur. Në një kodër afër kampit, u krijua nekropoli i minierës së Bulqizës, ku për 45 vjet, janë varrosur 2500 të burgosur politike dhe ordinere. Bulqiza u bë sinonimi i një varri të madh për të burgosurit e Shqipërisë. Kur dikush ne Shqipëri kërcënohej nga ndonjë autoritet, në punë dhe kudo, i thuhej: “Do shkosh në Bulqizë”! Në nëntor të vitit 1956, mbas revolucionit hungarez, të burgosurit politikë i larguan nga Bulqiza, për arsye të afërsisë së kufirit me Jugosllavinë dhe nga te dhënat që kishte Ministria e Punëve te Brendshme se, në kampin e Bulqizës, përgatitej një arratisje masive. Ata i shpërndanë në kampet e tjera me pune të detyrueshme. Në vend të tyre, atje u dërguan 2000 të burgosur ordinere. Ky kamp-burg, ka funksionuar deri në vitin 1991, kur në Shqipëri u vendos pluralizmi.
- Kampi i Spaçit. Kampi i Spaçit u ndërtua nga të burgosurit ordinere, në fillim të vitit 1968. Kampi ishte ndërtuar në gropë të një shpati mali te zhveshur, rrethuar nga të gjitha anët me male, ku shikohej vetëm një kupë qielli. Fillimisht, si kapanone fjetjeje, shërbenin disa baraka të vjetra të ndërmarrjes së gjeologjisë, ndërtuar në vitin 1953. Te burgosurit e parë politikë, që u dërguan për të punuar në galerat e Spaçit, në maj të vitit 1968, për të nxjerrë nga thellësitë e tokës bakër dhe pirit, ishin nga kampi-burg i Elbasanit, që punuan dhe ndërtuan Fabrikën e Çimentos.
Ato u pritën me thirrje ne kor: “Ja u bëmë varrin! Ja u bëmë varrin”! nga të burgosurit ordinerë, që vazhdonin të rrethonin kampin e punës me tel me gjemba dhe truproje. Sigurisht, atyre mjeranëve ua kishin mësuar parullën oficerët e Sigurimit, dikasteri i të cilëve, e kishte projektuar Spaçin, si: “Varri i armiqve të Partisë dhe të popullit”! Të burgosurit, që në fillim ishin rreth 600 veta, punonin me tre turne, me mjete primitive dhe pa asnjë masë të sigurimit teknik. Për 6 muaj të vitit, atje zotëronte bora dhe akulli. Temperatura në dimër zbriste deri në minus 15° C. Në acarin e dimrit, të burgosurit që nuk realizonin normën, i lidhnin nëpër shtylla me kavo çeliku, duke i mbuluar me borë dhe akull, gjersa humbitnin ndjenjat. Kushtet higjeno-sanitare në kampin e Spaçit, ishin te vajtueshme. Të burgosurit, që kundërshtonin urdhrat e gardianëve, rriheshin barbarisht.
Një torturë tjetër që ushtrohej mbi të burgosurit e Spaçit, për çdo ditë, ishte qëndrimi në këmbë me orë të tëra, me pretekst numërimi. Kështu orari i punës ditore, arrinte nga 8, deri në 10-11 orë në ditë. Kur iu drejtoheshin të burgosurve, gardianët dhe oficerët e kampit, e kishin në maja të gjuhës thënien: “Nga Spaçi, s’keni për të dalë as të gjallë, as të vdekur”. (Kufomat e të burgosurve që vdisnin pa mbaruar dënimin, nuk u jepeshin familjarëve). Birucat e kampit, ishin gjithmonë plot me të dënuar për shkaqe nga më absurdet. Ata mbaheshin atje deri në 1 muaj me bukë thatë dhe vetëm një batanije. Para se të ndodhte revolta e 23 maj 1973, të burgosurit e Spaçiti ishin drejtuar shumë herë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe organeve të larta të Partisë-shtet, për ndalimin e dhunës pa shkak, që ushtrohej mbi ta. Kërkesat e tyre binin në vesh të shurdhër dhe dhuna vazhdonte të ushtrohej si më parë. Fillimi i revoltës së Spaçit, nisi pikërisht me shpërthimin e birucave nga i burgosuri guximtar, Hulusi Pashollari.
Ai liroi 12 të burgosur, që vuanin dënimin pa asnjë shkak serioz, më 21 maj 1973. Atje filloi dhe përleshja me rojat e brendshme të kampit, të cilët u zmbrapsën para turmës së revoltuar të të dënuarve dhe dolën jashtë kampit. Kampi i brendshëm ra në duart e të burgosurve. Revolta shpërtheu si një erupsion vullkanik. Ajo ishte kulmi i protestës, për marrjen nëpër këmbë të dinjitetit njerëzor. Puna e detyruar skllavëruese dhe dhuna e përditshme që ushtrohej mbi të dënuarit, e kishin çuar në kockë thikën e diktaturës së proletariatit. Nuk durohej më. Edhe frikacakët u bënë trima dhe u vërsulën në balle të turmës së revoltuar. Më mirë një vdekje e menjëhershme, sesa një torturë pa fund. Në kamp gjëmuan thirrjet: “Rroftë liria”! “Poshtë komunizmi”! “Poshtë diktatura”! Në mesin e kampit u ngrit flamuri kombëtar, pa yllin komunist.
Byroja Politike e Komitetit Qendror të PPSh-së, e zënë në befasi nga kjo revoltë e padëgjuar deri atëherë, urdhëroi shtypjen e saj me çdo mjet. Mbas dy ditësh, më 23 maj 1973, qindra forca speciale u vërsulën si të tërbuar brenda kampit, duke rrahur mizorisht të burgosurit e rraskapitur. U ri arrestuan 115 të burgosur, katër prej të cilëve: Hajri Pashaj, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Skënder Daja, i dënuan me vdekje dhe i ekzekutuan brenda pak ditëve; 111 të burgosur të tjerë, u dërguan në hetuesinë qendrore në Tiranë, ku iu nënshtruan torturave nga më mizoret. Ata u nxorën në një gjyq të inskenuar në Rrëshen dhe u dënuan në total, me 1.700 vite burgim.
Ky ishte fundi fatal i revoltës se Spaçit, revolta më e madhe në historinë e burgjeve dhe të kampeve me punë të detyruar në Shqipëri gjate regjimit komunist. Sipas hulumtimeve të bëra, Revolta e Spaçit, është më e madhja në të gjithë ish-vendet socialiste të Evropës Lindore, me përjashtim të ish-Bashkimit Sovjetik, për kampet dhe burgjet e të cilit, nuk kemi të dhëna të sakta. Mbas kësaj revolte, dhuna dhe terrori në kampin e Spaçit u shtuan edhe më tepër. Gjashtë vjet më vonë, në kampin e Spaçit, u inskenua një gjyq tjetër, ku u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan intelektualët: Vangjel Lezho, Fadil Kokomani dhe Xhelal Koprencka. Burgu me punë të detyruar i Spaçit, që vazhdoi për afro një çerek shekulli (1986-1990), hyri në historinë e Shqipërisë, si vendi më rrëqethës për të burgosurit politike dhe familjet e tyre. Me dhjetëra të burgosur, gjetën vdekjen në ketë kamp, nga sëmundjet, vetëvrasjet dhe aksidentet në punë.
- Kampi i Qafë-Barit. – Ky kamp filloi nga puna me 400 të burgosur politikë në vitin 1982. Kampi ishte ndërtuar 21 km. në lindje të qytetit të Fushë-Arrëzit, në një vend shumë të izoluar. Punohej me tre turne, për të nxjerrë mineral bakri në thellësinë e malit. Kushtet ishin edhe më të renda se ato të Spaçit. Dhuna dhe torturat ishin ne rend të ditës. Në punë nxirreshin edhe të burgosurit e sëmurë, me temperaturë të lartë. Dimri ishte i ashpër dhe temperaturat zbrisnin deri në minus 20 gradë C. Takimet me familjarët ishin të pamundura, për arsye komunikacioni. Të burgosurve në këto kushte, iu ishte bërë jeta e padurueshme. 11 vjet mbas Revoltës së Spaçit dhe pikërisht në 24 maj të vitit 1984, shpërtheu Revolta e Qafë-Barit.
Shkak për këtë revoltë u bë rrahja e të burgosurit Ndue Pisha, për arsye se s’kishte realizuar normën ditore. Bashkëvuajtësit e dinin se Ndue Pisha, s’i bënte bisht punës, por ishte i sëmurë dhe kishte nevoje të shtrohej në spital. Në vend që ta kuronin, gardianët filluan ta rrihnin barbarisht, në mes të kampit. Kjo sjellje mizore i revoltoi të burgosurit. Ata u hodhën në mbrojtje të shokut të tyre dhe i rrahën gardianët, që ikën të lebetitur jashtë kampit. Me urdhër të komandantit të kampit, Edmond Caja, mbi kamp u hap zjarr me pushkë dhe mitraloza. Disa të burgosur u plagosën. U dha alarmi dhe të gjithë territorin e Republikës.
Nga Tirana arriti me helikopter në kampin e Qafë-Barit, drejtori i Sigurimit të Shtetit, Agron Tafa që ishte njëkohësisht edhe zv/ministri i Punëve të Brendshme, të shoqëruar me reparte speciale sampistësh. Të burgosurve, iu dha ultimatum që të dorëzoheshin brenda 1 ore, në të kundërt, do të hapej zjarr me të gjitha armët. Të gjithë të dënuarit, do të vriteshin. Këshilli drejtues i revoltës, vendosi që kampi të dorëzohej, për të evituar një lumë gjaku. Megjithëse Agron Tafa i’u premtoi te burgosurve me megafon se po të dorëzoheshin, nuk do të merrej asnjë masë kundër tyre, premtimi nuk u mbajt dhe u arrestuan 40 veta, prej të cilëve: Sokol Sokoli, Tom Ndoja dhe Sandër Sokoli. u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan brenda pak ditëve. Kurse 14 të burgosur të tjerë, u ridënuan me burgime të rënda. Kampi i Qafë-Barit u mbyll në fund tē vitit 1990.
Spitalet burgje dhe spitalet psikiatrike për ish-të burgosurit politike
Gjatë viteve 1945-1950, për të burgosurit e sëmurë nuk tregohej asnjë kujdes. Ata kur ishin në gjendje shumë të rëndë shëndetësore, vizitoheshin nga infermierët e burgjeve, që ishin nënoficerë rrogëtarë dhe në raste të veçanta, nga mjekët e Degëve të Punëve të Brendshme. Këta mjekë ishin kurues dhe torturues, sipas rastit dhe interesimit që paraqiste i ndaluari ose i burgosuri, për organet e Sigurimit të Shtetit. Janë të panumërta dëshmitë për ndodhira të tilla. Në krijimin e kampeve me punë të detyruar, pranë ambulancës së kampit shërbenin mjekë dhe infermierë te burgosur, të cilët ishin nën urdhrat e infermierëve rrogëtare të komandës. Sigurisht, mjekët dhe infermierët e dënuar, tregonin një kujdes të veçante për bashkëvuajtësit e tyre, por mundësitë për t’i kuruar në kushtet e kampeve, ishin minimale. Duhet theksuar se ka pasur mjekë të kampeve, që kane bërë çmos për të shpëtuar jetën e bashkëvuajtësve. Te tillë kanë qene mjeket: Isuf Hysenbegasi, Miço Konomi, mjeku Jetullah Gashi me origjinë nga Kosova, mjeku grek, Serafinis dhe ndonjë tjetër.
- Spitali – burg i Tiranes:
Nga mesi i viteve ’50-të, në territorin e Spitalit Civil të Tiranës u krijua spitali-burg me disa pavijone. Megjithëse spitali ishte rrethuat me mure të larte, me tela me gjemba dhe me karakolle rojesh të armatosur gjer në dhembë, rregullorja ishte e njëllojtë me ato të burgjeve. Zakonisht në këtë spital, dërgoheshin të dënuar që punonin në kampet me punë të detyruar, të cilët duheshin kuruar për të vazhduar punën si skllevër të shekullit XX-të. Nga burgjet e mbyllura, rastet e dërgimit në spital ishin shumë të rralla dhe i sëmuri mund të dërgohej kur ishte në çastet e fundit të jetës së tij. Kufomat e të dënuarve që vdisnin ne spitalin burg, i përdornin si mulazhe (mjete mësimore për studentët) dhe ka fjalë, se një pjesë e tyre, shiteshin jashtë shtetit. Sa janë mjekuar dhe sa kanë vdekur në këtë spital? Askush s’e di dhe s’ka për t’u mësuar kurrë, mbasi të gjitha regjistrat e tij, janë asgjësuar.
- Aneksi i Sanatoriumit të Tiranës
Sëmundja e TBC-së nuk mungonte midis të burgosurve dhe kjo paraqiste rrezik për t’u infektuar të burgosurit e tjerë në kampet që punonin për të ndërtuar veprat e ndryshme të Shqipërisë Socialiste. Ne vitin 1964, në Sanatoriumin qendror të Tiranës, i cili ishte ndërtuar prej vetë të burgosurve politike, u çel një aneks për të burgosurit që vuanin nga sëmundjet pulmonare. Numri i të shtruarve në këtë aneks te Sanatoriumit, arrinte gjer në 100 vetë.
- Spitali Psikiatrik i Vlorës
Spitali psikiatrik i Vlorës; i ndërtua fill pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ishte i vetmi spital psikiatrik në Shqipëri, deri në fund të viteve ’50-të, kur filloi nga funksionimi Spitali Psikiatrik i Elbasanit. Në Spitalin Psikiatrik të Vlorës, kishte 2 dhoma për të burgosurit që ishin në gjendje shumë të rendë psikike dhe tepër agresivë. Të burgosurit e këtij spitali, mbaheshin vazhdimisht i lidhur këmbë e duar me hekura dhe nuk i’u bëhej asnjë mjekim. Ata rriheshin barbarisht nga personeli i spitalit, për të shpejtuar vdekjen e tyre.
- Spitali Psikiatrik i Elbasanit
Në fund të viteve pesëdhjetë, në Elbasan filloi të funksionojë Spitali Psikiatrik, më i madh i vendit. Disa reparte të këtij spitali, ishin vënë në dispozicion të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për të burgosurit politikë dhe ordinerë. Në Spitalin Psikiatrik te Elbasanit, dërgoheshin:
A) Të burgosurit skizofrene, tepër agresive, që pengonin punën ne kampet me punë të detyruar.
B) Të burgosur që kishin pësuar trauma të rënda gjatë hetuesisë, si pasojë e përdorimit të torturave.
C) Të dënuar për agjitacion e propagandë nga shtresat e afërta me pushtetarët, për t’iu kallur tmerrin farefisit të tyre.
Të ndaluar që Sigurimi dyshonte për identitetin e tyre. Këta pacientë i mbanin të izoluar nga pacientët e tjerë.
Spitali Psikiatrik i Elbasanit ishte një qendër izolimi misterioze, ku punonjësit e organeve te Sigurimit te Shtetit, vepronin lirisht për punët e pista të tyre. Brenda mureve të atij spitali, kishte me dhjetëra të burgosur me historira nga më dramatiket dhe misteriozet. Me dhjetëra të burgosur kanë gjetur vdekjen nga vetëvrasjet ose të vrarë nga Sigurimi me metodat më djallëzore. Spitali Psikiatrik i Elbasanit, ka qenë një minierë krimesh të pazbuluara deri më sot dhe është shumë e vështirë që ato të dalin në dritën e diellit, pasi çdo dokumentacion është zhdukur qëllimisht, për të mos u mësuar kurrë e vërteta që ka ndodhur në atë ferr dantesk. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016