Nga Agim Musta
Pjesa e dytë
Memorie.al / Në përvjetorin e katërt të ikjes nga jeta të historianit, studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Agim Musta, (24 Korrik 2019), ish – i burgosur politik, vajzat e tij Elizabeta dhe Suela, i dhanë të drejtën e eksluzivitetin për botim, medias online Memorie.al, të një prej botimeve më të spikatura të autorit, siç është ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’. Kjo vepër, mban të dhëna, dëshmi, fakte, statistika dhe argumente të shumta e të panjohura për publikun e gjerë, mbi krimet dhe terrorin komunist në Shqipëri, veçanërisht ndaj intelektualëve, në periudhën 1945-1991. Botimi për herët të parë të pjesëve të këtij libri, në platformën Memorie.al, është dhe realizimi i një prej amaneteve të historianit Agim Musta, i cili, që nga fillimi i vitit 1991 e deri sa ndërroi jetë, për afro tre dekada u angazhua me të gjitha fuqitë e tij, duke punuar për ngritjen e kujtesës kolektive, përmes botimeve me libra dhe publikimeve në shtypin e përditshëm. E gjithë ajo punë voluminoze e z. Agim Musta, e konkretizuar në disa libra, është një kontribut me vlera të mëdha, për zbardhjen e krimeve të regjimit komunistë të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Një pjesë e mirë e botimeve të z. Agim Musta, është e përkthyer dhe në anglisht. Duke falenderuar dy vajzat e të ndjerit Musta, që zgjodhën Memorie.al, për të përkujtuar babanë e tyre, nga sot, po fillojmë publikimin pjesë pjesë, të ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.
-Burgjet e shtetit komunist shqiptar-
(1945-1991)
- Burgu ferr i Burrelit
Këtë guxim, ai e pagoi me tre muaj izolim në qeli, që më vonë i shkaktoi vdekjen. Ne këtë burg, vdiqën intelektualët e shquar; Xhevat Korça dhe Gjergi Kokoshi, ish-ministra të arsimit; shtatmadhori, Xhavit Leskoviku dhe gjeneralët e njohur, Abaz Fejzo, Gjin Marku dhe Vaskë Gjini; mjekët Aleksandër Kalivopulli dhe Miço Konomi; dramaturgu i parë shqiptar Ethem Haxhiademi, linguisti poliglot, Arqile Tase e shumë të tjerë, politikanë, patriotë dhe intelektualë të të gjitha fushave.
Edhe ky burg i tmerrshëm i diktaturës komuniste, që u quajt “frontoja e intelektualëve shqiptarë”, u shpërthye me 2 gusht të 1967-ës, nga djelmoshat trima dhe guximtarë: Sazan Hadëri nga Gjrokastra, Dhori Gernjoti nga Korça dhe Adem Allçi nga Tropoja.
Sazani u vra nga breshëritë e armëve të rojeve të burgut, disa hapa pasi kaloi rrethimin me tela me gjemba, ndërsa dy të tjerët, Allçi dhe Gërnjoti, u kapën më pas të plagosur dhe u ri dënuan me nga 25 vjet burgim. Ky burg, u mbyll nga shteti diktatorial shqiptar më 1990, disa ditë para ardhjes në Shqipëri të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, zotit Peres De Kuelar.
- Burgjet e Shkodrës
Shkodra, si prefektura me elementë më të shumtë antikomunistë në Shqipëri, renditet në vendin e parë për numrin e madh të burgjeve dhe qelive të krijuara në qytet, nga fundi i vitit 1944, gjer më 1949. Në fund të vitit 1944, numri i të arrestuarve në Shkodër, arrinte në 1800 veta, kurse mbas Kryengritjes së Postribës, në shtator të vitit 1946, numri i të ndaluarve, arriti deri në 3000 veta.
Gjyqet ushtarake, gjatë periudhës 1945-1948, bënë kërdinë dhe çdo ditë dënoheshin me dhjetëra veta me burgime të rënda e me pushkatim. Burgjet ishin mbushur me malësorë të thjeshtë, studentë, tregtarë, ish-ushtarakë dhe klerikë, të të gjitha besimeve. Shkodra ishte kthyer në një burg të madh. Të gjithë qytetarët, jetonin në ankth për të nesërmen e pasigurt. Ndër burgjet që kanë ekzistuar gjatë kësaj periudhe, përmendim:
1) Burgu i Madh i Prefekturës, me një kapacitet deri në 300 veta. Ky burg ka qenë qysh në kohën e Mbretërisë Shqiptare.
2) Burgu i Gestapos, gjatë pushtimit nazist gjerman, shkolla “Skënderbeg”, ishte kthyer në burgun e Gestapos dhe vazhdoi si i tillë deri në vitin 1947.
3) Burgu i Kuvendit të Fretërve. Kuvendi i Fretërve Françeskanë, u kthye në burg në fund të vitit 1944.
4) Qelitë e Degës së Punëve të Brendshme.
5) Burgu i adaptuar te dyqanet e Ulqinakut.
6) Burgu në shtëpinë Briotil.
7) Burgu në shtëpinë e Faslli Ademit.
8) Burgu në bodrumet e shtëpisë së Dr. Karamitrit.
9) Burgu në shtëpinë e Cekajve (Serreq)
10) Burgu në Kuvendin e Murgeshave.
11) Burgu në shtëpinë e Çurçive.
12) Burgu në konviktin “Malet tona”
Në këto burgje, u përdorën tortura nga më çnjerëzoret e si pasojë e tyre, humbën jetën disa dhjetëra intelektualë shqiptarë, midis tyre, po përmendim: avokatët Muzafer Pipa, Pal Zefi, klerikët; Fratel Gjini, Patër Pal Doda, Patër Aleks Baçli, profesor Qemal Draçini e shumë të tjerë.
- Burgu i Peshkopisë
Në prefekturën e Dibrës, para vitit 1944, ka qenë një burg i vogël pranë Komandës së Xhandarmërisë. Gjatë pushtimit fashist italian, në këtë burg, u ndërtuan një numër qelish, ku mbaheshin të ndaluarit për motive politike. Në fund të vitit 1944, burgu ndodhej në shtëpinë private të Ymer Maliqit dhe kishte një kapacitet prej 50 vetash. Në fillim të vitit 1945, dy kazerma të ish-ushtrisë italiane, u përshtatën në qelira dhe burg.
Numri i të arrestuarve për motive politike, arriti në 400 veta. Me të burgosurit e Dibrës, u zhvilluan një numër i madh procesesh gjyqësore të përshpejtuara nga gjykatat ushtarake, ku disa qindra të arrestuar, u dënuan me burgime të rënda dhe ekzekutime, për idetë e tyre nacionaliste, si; profesor Edip Tërshana, etj. Torturat në qelitë dhe në burgun e Peshkopisë, ishin nga më mizoret.
Atje u përdor dhe tortura e prushit të ndezur, ku të ndaluarit, detyroheshin të shkelnin me këmbë zbathur në prush të ndezur. Me anën e torturës, organet e Sigurimit të Shtetit, kërkonin të merrnin pohimin nga malësorët e arrestuar, se kishin marrë pjesë në luftime kundër partizanëve shqiptarë dhe maqedonas. Burgu i Peshkopisë, u mbyll në vitin 1950 dhe të burgosurit e tij, u detyruan të vuanin dënimin në kampet me punë të detyruar.
- Burgu i Artizanatit, Tiranë
Burgu i Artizanatit, i vendosur në periferinë e Tiranës, në një godinë të ndërtuar nga italianët gjatë Luftës së Dytë Botërore, u hap në vitin 1950. Ky burg kishte karakteristikat e një burgu të mbyllur, por me punë të detyruar artizanale.
Në këtë burg, punonin rreth 300 të burgosur, burra dhe gra, të ndarë midis tyre. Atje punohej pothuajse krejtësisht për dikasterin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Burgu i Artizanatit, kishte disa reparte si: rrobaqepësi, zdrukthëtari, axhusteri, jorganxhi etj. Në repartin e kartonit në këtë burg, janë asgjësuar me dhjetëra mijëra dokumente dhe libra me vlera të pallogaritshme.
B. Kampet me punë të detyruar të bonifikimeve
- Kampet e Maliqit. Me vendimin e Byrosë Politike të Partisë-shtet, në vitin 1946, u ligjërua puna e detyruar si për të burgosurit politikë, ashtu dhe për të dënuarit ordinerë. Atë vit në rrethin e Korçës, u hapen tre kampe me punë të detyruar për të burgosurit politikë, të sjellë nga të gjitha burgjet e Shqipërisë, që do të punonin për tharjen e Kënetës së Maliqit.
Rreth 2000 të burgosur, të ndarë në tre kampe pune: Nishavec, Vloçisht dhe Orman Pojan, punonin si skllevërit e antikitetit, në kushte aq çnjerëzore, sa ua kalonin dhe kampeve naziste të punës. Të burgosurit, punonin tē zhytur deri në kërthizë, në baltovinat e kënetës.
Kallamishtet iu prisnin këmbët dhe gjakun ua thithnin shushunjat. Për gabimin më të vogël, të burgosurit torturoheshin mizorisht, duke i futur në gropat e fekaleve, ose duke i mbytur të gjallë në llucën e kënetës, siç ka ndodhur me të rinjtë: Elmaz Libohova dhe Vyrtit Giylbegu.
Mjaft të burgosur, për t’i shpëtuar punës skllavëruese dhe mizorive të padurueshme, bënin vetëvrasje, duke u hedhur në telat me gjemba të rrethimit të jashtëm të kampit. Disa sëmundje, si tifua e zorrëve, dizenteria dhe parazitët, bënin kërdinë ndaj të dënuarve.
Të burgosurit, megjithëse punonin nga 10 orë në ditë, ushqeheshin vetëm me 600 gram bukë misri të mykur dhe supë me patate të kalbura. Urija kishte arritur kulme të padëgjuara. Thuhet se; gazetari Koço Semini, laururuar në Sorbonë të Francës, u vërsul si i tërbuar, për të ngrënë të vjellët e një të burgosuri, të sapoardhur.
Kampioni shqiptar i bukurisë, farmacisti Alfred Ashiku, gati humbi jetën nga goditja me hekur në kokë, nga një gardian, se guxoi të hante një rrepkë gjithë baltë, për të shuar urinë. Të burgosurit e rraskapitur, që nuk mund të realizonin normën, goditeshin për vdekje me hunj, nga policët, që i’u qëndronin mbi kokë dhe trupat e tyre pa jetë, mbuloheshin nga llumi i kënetës. Komandanti i kampeve tē Maliqit, ishte Tasi Marko, një xhelat i pashpirt, (vëllai i anëtarit të Byrosë Politike, Rita Marko), i cili ishte udhëzuar që, krahas punës pēr tharjen e kënetës, tē punonte edhe për shfarosjen e një pjese nga ata 2000 fatkeq, që vuanin dënimin aty. Si rezultat, 62 veta gjetën vdekjen ose u groposën të gjallë në kënetën e vdekjes, kurse me dhjetëra të tjerë, bënë vetëvrasje dhe vdiqën nga sëmundjet.
Ata që mbetën gjallë nga ky ferr, kur u kthyen në burgjet nga kishin ardhur, nuk u njohën as nga familjarët e tyre. Diktatura komuniste, ekzekutoi me varje në Maliq edhe inxhinierët që projektuan dhe punuan për tharjen e kënetës: Abdyl Shara, Kujtim Beqiri, Andrea Mano. U pushkatuan sllovenia Zyrika Mano, italiani Euxhenio Skaturo dhe inxhinieri shqiptar, Mirush Përmeti. Krimi dhe terrori, kishin arritur në apogje. Punimet për tharjen e kënetës, vazhduan deri në fund të vitit 1951.
Për bonifikimin e ultësirës perëndimore të Shqipërisë u ndërtuan një numër i madh kampesh me të burgosur politikë, në të cilat vazhduan punimet, deri në fillim të viteve gjashtëdhjetë. Puna në këto kampe ishte rraskapitëse, e ngjashme me ato të kampeve të Maliqit, por trajtimi i të burgosurve nga ana e komandave të kampeve ishte më pak mizor. Kjo kishte ndodhur si pasojë e shkëputjes së Shqipërisë nga tutela e Jugosllavisë titiste, në qershor të vitit 1948.
Duhet theksuar se në të gjitha kampet e punës së detyruar që merreshin me bonifikimet e fushave, përdoreshin herë pas here, dhuna dhe torturat, si: lidhja e të burgosurve nëpër shtylla deri në humbjen e ndjenjave, rrahje deri në thyerjen e gjymtyrëve, lidhja me hekura gjer në paralizën e duarve, qepja e xhepave në stinën e dimrit, e të tjera tortura, që janë përmendur më sipër.
Në këto kampe, për një periudhë 15 vjeçare, kanë punuar rreth 10.000 të burgosur politikë, prej të cilëve kanë gjetur vdekjen 620 vetë. Shumë të tjerë, vdiqën më vonë nga sëmundjet dhe pasojat e torturave. Të vetmet mjete pune që përdoreshin në tharjen e kënetave dhe hapjen e kanaleve, ishin: kazma, lopata, beli dhe karroca e dorës.
Përveç kampeve për tharjen e kënetës së Maliqit, përmendim kampet e tjera të bonifikimit, sipas shtrirjes gjeografike, nga Jugu, në Veri të Shqipërisë.
- Kampi i Llakatundit. Në këtë kamp kanë punuar rreth 600 të burgosur politikë, në periudhën mes viteve 1949-1952. Ata hapën një kanal 12 km. të gjatë, për të marrë ujë nga lumi Vjosë, që do të vadiste fushat e fermës së Llakatundit.
- Kampi i Levanit. Edhe në kētë kamp, vazhduan punimet gjatë viteve 1952-1954, për të hapur kanale të dyta dhe të treta, për të ujitur fushat e Myzeqesë. Kampi ka pasur një efektiv, prej 500 të burgosurish.
- Kampi i Varibobes. U ndërtua në perëndim të qytetit të Fierit. Këtu punuan 700 të burgosur, gjatë periudhës tre-vjeçare, 1953-1956, për bonifikimin e kënetës së Hoxharës.
- Kampi i Radostimës. U ndërtua në fshatin Radostimë të rrethit të Fierit, me një efektiv prej 450 vetash, duke hapur kanale të dyta dhe të treta në fushën e Myzeqesë dhe pjesërisht, në atë të Mallakstrës.
- Kampi i Vlashukut. Në këtë kamp, u grumbulluan rreth 1000 të burgosur nga të gjitha burgjet e Shqipërisë. Punimet filluan në vitin 1948 dhe mbaruan më 1953. Në fillim. kampi u ndërtua në fshatin Kozarë ku u mgonte uji i pijshëm dhe higjiena ishte në kushtet e mizerjes.
Të burgosurit që ishin aty, punuan për çeljen e një kanali 15 km. të gjatë, që do të çonte ujët e lumit Devoll, në fushat e Kuçovës dhe të Lushnjës. Terreni ishte kodrinor dhe thellësia e kanalit, arrinte deri në 12 metra. Në këtë kamp ra dhe epidemia e kolerës, që mori 30 jetë të burgosurish, por nga komanda e kampit, u quajt diare dhe asnjëherë nuk u tregua e vërteta mbi të vdekurit.
- Kampi i Terbufit. Ky kamp, u ngrit për tharjen e kënetës së Tërbufit me një sipërfaqe 8000 hektarë. Këtu punuan rreth 900 të burgosur, gjatë periudhës 1955-1957, Mbi 15 të burgosur, humbën jetën në këtë kënetë, ndërsa shumë të tjerë, u infektuan nga ushunjzat e kënetës dhe mushkonjat.
- Kampi i Gosës. Ky kamp u ndërtua 12 km. në jug të qytetit të Kavajës. Në të u grumbulluan afro 600 të burgosur. U punua për ndërtimin e kanalit vaditës; Peqin-Kavajë, 55 km. të gjatë, dhe për hapje kanalesh të dyta, në fermën e Gosës. Punimet në këtë kamp, vazhduan për tre vjet, 1949-1952. Në këtë kamp, nga puna e rëndë dhe sëmundjet, kanë humbur jetën 15 të burgosur.
- Kampi i Lekajt. Ky kamp në fillim u vendos në afërsi të Rrogozhinës dhe më vonë u shpërngul në fshatin Lekaj të Kavajës. Të burgosurit, punonin për hapjen e kanalit vaditës; Peqin-Kavajë dhe të kanaleve të dyta në fushën e Kavajës. Kampi kishte një efektiv prej 700 të burgosurish dhe punimet vazhduan gjatë periudhës 1952-1957.
- Kampi i Bedenit. Ky kamp u ndërtua në jug-perëndim të qytetit të Kavajës dhe kishte një efektiv rreth 1000 të burgosurish. Këtu punohej për hapjen e një kanali vaditës, 15 km. të gjatë, në periudhën kohore 1950-1952. Në këtë kamp, nga komanda u përdorën dhuna dhe tortura ndaj të dënuarve, si në kampet e tharjes së Kënetës së Maliqit.
Kështu, të riun mirditor, Nikollë Bardhoku e rrahën egërsisht dhe e lidhën në një shtyllë, derisa dha shpirt. Komandanti i kampit, Haxhi Pela, me urdhër nga lart, përgatiti një plan për asgjësimin e 15 të burgosurve intelektualë, por të burgosurit e nuhatën planin kobzi dhe në minutat e fundit, bënë që ai të dështonte. Në këtë kamp, kanë gjetur vdekjen nga sëmundjet, torturat dhe aksidentet në punë, rreth 40 të burgosur.
- Kampi i Jubës. Ky kamp i hapur në rrethin e Durrësit më 1946, është një nga kampet e para me punë të detyruar. Të burgosurit, rreth 500 veta, punonin për hapjen e një kanali kullues 5 km. të gjatë, në një tokë moçalore. Puna ishte rraskapitëse dhe për ushqim, jepej vetëm 600 gram bukë misri. Nga puna e rëndë, ushqimi i keq dhe torturat, në këtë kamp gjetën vdekjen 25 veta.
- Kampi i Thumanës. Në këtë kamp, kanë punuar rreth 500 të burgosur, gjatë periudhës 1960-1963. Nga Mamurrasi, deri në buzën e Adriatikut, (zona e bregdetit ndërmjet Patokut dhe Kepit të Rodonit), u hapën 100 km. kanale kulluese, duke bonifikuar plotësisht Fermën e Thumanës. Komandanti i kampit, ishte famëkeqi Vangjel Rëmbeci.
- Kampi i Gjadrit, ose kampi i Zadrimës. Ky kamp ishte ndërtuar afër katundit Kakarriq. Këtu kanë punuar rreth 900 të burgosur politikë, gjatë periudhës 1955-1958. Punohej për sistemimin e lumit të Gjadrit dhe për bonifikimin e fushës së Zadrimës. Puna ishte tepër e rëndë dhe në kushte shumë të vështira. Shumë të burgosur, vdiqën nga puna e stërmundimshme dhe vetëvrasjet. Në këtë kamp, kishte dhe një aneks me të burgosur, qytetarë grekë.
- Kampi i Skrofotinës. Ky kamp ndodhej 5 km. në veri të qytetit të Vlorës, afër rrugës nacionale; Tiranë-Vlorë. Kampi i Skrofotinës, nuk ishte kamp bonifikimi, por atje punohej për ndërtimin e kripores më të madhe dhe më moderne të vendit. Puna në këtë kamp, filloi më 1967-ën dhe mbaroi në fillim të vitit 1972. Këtu u ndërtua një argjinaturë 8 km. e gjatë, që ndante kriporen nga pjesa tjetër e Kënetës së Nartës. Në mbarim të argjinaturës, u ndërtua në vendin e quajtur Pish-Poro, një hidrovor i fuqishëm.
Në të tria këto objekte, punonin rreth 700 të burgosur politikë. Të gjitha vaskat e kripores ndaheshin nga njëra-tjetra me argjinatura 8 m. të larta. Argjinaturat, ndërtoheshin duke hedhur me bel e lopatë, baltën dhe llucën, derisa të arrihej kuota e caktuar. Puna ishte rraskapitëse dhe zgjaste jo më pak se 10-11 orë në ditë, ku temperatura në diell, (gjatë muajve të verës) arrinte 40°-45 C. Shumë të burgosurve, i’u binte të fikët nga pika e diellit.
Ujin për të pirë, e sillnin me fuçia nafte, të ngrohtë, si shurrë kali, që dhe zhabat e kënetës po ta pinin, do të ngordhnin. Por më të padurueshme, ishin mushkonjat. Nga ora 10 e mëngjesit, ato vinin si re e zezë dhe s’linin vend në trupat e të burgosurve, pa pickuar.
Nga fytyrat dhe duart e tyre kullonte gjak nga të kruarit. Kjo ishte torturë mbi torturat, e pashënuar në kodin e torturave të diktaturës. Terreni ishte llucë dhe po të mos ecje me kujdes, mund të zhyteshe në të dhe tē mbyteshe, ashtu siç i ndodhi shkrimtarit Kin Dushi, që vetëm rastësia e shpëtoi nga vdekja e llahtarshme.
Shumë të burgosur u sëmurën nga ulçera dhe sëmundje të lëkurës. Pati dhe vetëvrasje si ajo e Lake Butkës, që bëri “hara-kiri”. Në këtë kamp, drejtoria e burgjeve dhe e kampeve, me Sulejman Manokun në krye dhe komisarin e kampit Kiço Gjonçin, organizuan estradën e kampit, me të burgosur të lëkundur dhe frikacakë, të cilëve iu premtuan lirim dhe ulje dënimi.
Estrada parodizonte “imperializmin amerikan”, “revizionizmin sovjetik”, “armikun e brendshëm” dhe ata bashkëvuajtës, që nuk kryenin dot normën e detyruar, me anën e kësaj estrade, ata mendonin të denigronin pjesën e shëndoshë të të burgosurve politikë, por dështuan me turp dhe estrada u shkri, si kripa në ujë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016