Nga Ahmet Çollaku
Memorie.al / Unë nuk pata fatin të punoja me gjeologun Koço Plaku. Kur shkela për herë të parë në ekipet sizmike që bënin punime nëpër Shqipëri, së pari u njoha me specialistët Novruz Kodheli, Nikolin Leka, Siasi Koçiaj të cilët lakonin dëndur emërat e gjeologeve Koço Plaku dhe Henrik Veizi. Henriku komunikonte me Koçon me karikatura miqësore me të cilat gajaseshim të vogël dhe të mëdhenjë. Gjeologu Koço Plaku, e kishte pasion peshkimin ndërsa Henriku, i ishte qepur mirë kësaj fabule, e vizatonte atë duke biseduar dhe luftuar me peshqit, duke bërë gara kush do dilte më i fortë, sa ne këtë luftë Koços i shqyheshin edhe pantollonat…!
Këto karikatura qarkullonin nëpër ekipet sizmike shqiptare si lajmet më interesante. Ato më të bukurat shpesh herë afishoheshin edhe në tabelat e emulacionit socialist, përkrah urdhëresave të tjera të ndërmarrjes. Ah, ishte një kohe ku përziheshin shumë gjëra, të mirat dhe të këqijat! Unë gjeologun Koҫo Plakun e shikoja rrallë, sepse me të nuk më lidhte puna, nuk pata asnjë temë shkencore. Ai ishte me trup të gjatë, solid, pak i rëndë në pamje të parë.
Kur ishte në Institutin e Naftës kur ai ecte ashtu i vetëdijshëm, për aftësitë ë tij profesionale, ai shfaqej dinjitoz herë jashtë herë brenda, nëpër ata korridore të errët dhe të frikshëm si galeri miniere të asaj godine të shëmtuar. Më kujtohet se kur isha student në Rumani, akademiku Murgeani, që jepte lëndën e gjeologjisë, na tha një herë se në Shqipëri, janë dy gjeologë të mirë. Njëri nga këta ishte gjeologu Koҫo Plaku.
Gjithashtu më kujtohet edhe më mirë koha kur atë e piketuan për ta dënuar. Një ditë hyj në zyrën e kryeinxhinierit të ndërmarrjes. Brenda pranë tavolinës, ishte ulur Koҫo Plaku. Ai kishte hapur bllokun e tij të shënimeve dhe po shkruante. Ai bllok ishte i shenjtë. Nuk fliste, vetëm shkruante, me kokën lëshuar mbi bllokun e shënimeve, ai nuk shikonte kush hynte apo lëvizte aty pranë. Në atë dhomë të vriste heshtja, se kjo situatë e tij, dukej e para-ndjehej prej tij, se ishte një para burgim…! Kur dola nga zyra, vura re disa persona që nguronin të futeshin në atë zyrë.
Ndërsa më tej më zunë sytë një oficer të Degës së Brendshme të Fierit. Atë e kisha parë disa herë, finok dhe i poshtër. Vështronte dhe përgjonte. Më vonë dëgjova se atë bllok të shenjtë, Sigurimi i Shtetit, e kishte patur si dëshmi të punës armiqësore të Koҫo Plakut. Pa dyshim, ai bllok do të ketë pasur idetë për të ardhmen e naftës Shqiptare. Po, çuditërisht, ne shqiptarët, gjithmonë hamë njëri-tjetrin. Vetë-hahemi kaq shumë dhe nuk ngopemi.
Këtu ku jetoj tani mes librave kam një artikull të gjeologut Koҫo Plakut, botuar vite më parë në një revistë shqiptare të cilin ma ka dërguar miku im Fatmir Shehu. Në atë shkrim gjeologu Koҫo Plaku shkruan për “Diapirin” e Dumres, për proceset gjeologjike-tektonike të tij, dhe për perspektivën e jashtë zakonshëm për naftë. “Diapiri” i Dumres, është një aureolë me disa vendburime, Kuçova, Pekishti, dhe mjaftë të tjera të pa zbuluara akoma. Në një skemë-ide vendosur ne shkrim, gjeologu Koҫo Plaku, vizaton disa akse antiklinale, ngritje pozitive në gëlqerore, shumë perspektivë për naftë.
Ne shqiptaret jemi të marrë, ne nuk duhej t’i ishim larguar Dumres! Nuk ka fund marrëzia shqiptare! I ndjeri Koҫo, e ka dhënë me kohë perspektivën e “Diapirit” të Dumresë. Priteni, kur ky gjigant i naftës Shqiptare, t’u behet risk të huajve, t’u bëhet risk Pekishti për Tortonianin dhe për gëlqerorët, t’u bëhet risk Galushi, për të cilin do të jepja gjithҫka që pusi të shponte sa më parë, t’u bëhet risk Cërriku, apo Papërri, për të cilin unë u enda dhjetë vite…!
Ka akoma me dhjetëra gjeologë Shqiptarë nga brezi parë të pa pushkatuar me plumba nga komunizmi që shkoi, po, pa më thoni ku janë? Ku punojnë dhe jetojnë? A interesohet dikush për ta?! Asnjë!! Gjeolog Dhimitër Gjenerali është nxënës i Koҫo Plakut, po dini gjë nga behët?! Asnjë nuk di gjë! Pra, edhe ky gjeolog, është i vrarë. Ky është i vrarë nga vetë shteti shqiptarë demokratik i tanishëm, vrarë nga kjo qeveri demokratike dhe socialiste, vetëm me një ndryshim, Gjenerali është vrarë nga indiferentizmi, nga heshtja, nga përçmimi.
Kështu qëllohet dhe vritet përditë ky vendi im i bukur! Po sa gjeologë dhe gjeo-fizikantë të tillë të vrarë ka kjo Shqipëri?! Nuk numërohen! Shikoni, ҫdo qeveri shqiptare vret gjeologët e vetë. Ka një ndryshim, ata të komunizmit i fshiheshin Zotit, këta të fundit demokratë-socialistë, nuk i fshihen asnjërit, bashkë ecin krenar në Bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”. Ekuacion reversibel. Gjeologët dhe pasuritë kombëtare nuk janë reversibel!
GJEOLOGU KOҪO PLAKU, NE KUJTIMET E PROF. DR. ALI MEMES.
Në kujtimet e mia, gjeologu Koҫo Plaku ngelet specialisti gjeolog më i afirmuar i gjeologjisë së naftës shqiptare, legjendë e gjeologjisë së naftës sonë. Kontributi tij është i veçantë në kërkimet, orientimet, dhe në zbulimet e vend-burimeve të naftës. Gjeolog me përmasa të mëdha, me vështrim të thellë dhe analiza të plota të formimit të strukturave të naftës. Ai theksonte rolin e veçantë që luan flishi mbi gëlqerorët, jo vetëm si mbulesë. Po përmend disa ide të fuqishme të këtij gjeologu të madh shqiptarë, me të cilin pata një fat që personalisht, të bëja disa tema studimore.
Si autorë, ne ishim ne ndjekje të shpimit të pusit “Amonica-7”, që më vonë zbuloi vend-burimin e Amonicës. Para se pusi të takonte gëlqerorët konstatuam se këndet e rënies flishit ishin shqetësues, gjë që do të thoshte se gëlqeroret, do të takoheshin më thellë se 2500 m. Koҫua na thoshte me kompetencë; mos u besoni këndeve të mëdhenj të rënies së flishit, kur pusi t’i afrohet pakos kalimtare, ju do të shihni se këndet e rënies, do të zvogëlohen së tepërmi. Ky pohim, rezultoi i vërtetë jo vetëm në pusin “Am-7” por dhe në shumë puse të këtij vend-burimi.
Ҫ’farë konfirmonte gjeologu Koҫo Plaku? Ai shpjegonte, se forcat rrudh formuese kanë sens drejtimi nga lindja në perëndim, se flishi si masa më plastike krahasuar me gëlqerorët, i është nënshtruar gjithashtu këtyre forcave (në kushtet e një temperature dhe presioni të lartë, ku siç dëshmohet, rërat kalojnë deri në lëngëzim). Pra flishi, pohonte Koҫua, gjendet i shtrënguar si në dare, nga një anë flishi shtyhet nga lindja në perëndim, dhe nga ana tjetër pengohet nga kulmi i ngritjes gëlqerore, prandaj ai (flishi), formon harmonika të shumta (garmoshka- thënë rusisht sipas Koҫos) e me kënde rënie tepër të mëdhenj që mund të ҫorientojë dikë.
Fenomene të tilla në flish janë vënë re jo vetëm në Amonicë, por dhe në shumë rajone të tjera. Përmend këtu Mollajn, pusin me fontanë Vjosa-2 (autor Lili Thomai dhe Ali Mema) ku këndet e rënies në flish na shqetësonin, po afër gëlqerorëve ata u zvogëluan së tepërmi. Koҫo Plaku insistonte tek ne të mos trembeshim nga depozitimet e fuqishme të katit të sipërm sepse poshtë tyre ka shpëlarje dhe gëlqerorët nuk janë thellë. Ne këtë mënyrë ai rriste optimizmin për kërkime edhe në zona me mbulesa të reja në sipërfaqe .
Gjeologu Koҫo Plaku, sizmiken e vlerësonte tepër si metodë studimi kapitale, që përcakton morfologjinë në thellësi. Kjo ishte arsyeja që ai vinte shpesh në zyrën time në Institutin e Naftës në Fier në vitet 1970–1974, duke më nxitur edhe mua për shpejtimin e ndërtimeve të skemave strukturale sizmike. Gjërat thoshte Koҫua kanë kuptim në kohë dhe ato duhen vlerësuar.
Diktatura nisi t’i sjellë shqetësime të mëdha Koҫos. Unë mbaj mënd një ditë kur më tha, se në vitin 1957, (pas largimit nga Shqipëria të vëllait Panajotit), do të kisha vrarë veten, por zbulimi i vend-burimit të Gorishtit, më shpëtoi jetën. Vlerësimi i madh i sizmikës nga Koҫua si dhe fakti që në autorët sizmik unë dhe Vilson Bare, koreluam një lak sizmik, fenomen i cili në atë kohë ishte i pa njohur, na çoi në projektimin e gabuar të pusit “Rabie-4”, ku krye autor ishte Koҫo Plaku.
Pra, edhe gjenit gabojnë, por kjo nuk e errëson aspak kontributin e veçantë të gjeologut Koҫo Plaku, si zbulues i disa vendburimeve, konkretisht të Ballshit, të Visokës të Gorrishtit e me radhë dhe si shpërthyes i shumë ideve të fuqishme gjeologjike në kërkimet e naftës shqiptare.
Gjeologu Koҫo Plaku, vlerësonte tepër të dhënat faktike, sidomos ato të puseve të shpuar. Ai tregonte shpesh fabulën; “pusi është qitap, që menderos jo vetëm mustaqet e mia por edhe të kadiut”. Përmend këtu profilin gjeologjik të puseve “Fitore-5”, “Fitore-6” dhe “Fitore-3”, në zonën e Sarandës. Dy puset e fundit kishin kapur gëlqerorët e vazhdimit jugor, të vargut të Fterrës. Në perëndim të “Fi-6”, u projektua nga specialistët Dhimiter Stefa dhe Ali Mema, pusi tjetër “Fi-5” me detyrë të zbulonte një objekt të ri, ndën mbihypjen e vargut jugor të Fterrës, pra në perëndim të “Fi-6”. Pusi “Fi-5” kaloi në krahun perëndimor të “Fi-6” po deri në 2100 m. nuk e takoi objektin e pritshëm.
Në këto kushte, në mbledhjen e Drejtorisë së Institutit të Naftës, u vendos që pusi të ndërpriste shpimin. Në atë kohë në këtë pus ishte aksidentuar me vdekje një punonjës i brigadës së shpimit. Situata bëhej e rëndë. Në atë mbledhje, që do të vendosej për pusin, i pari hyri Henriko Veizi dhe pas tij unë si autor pusi. Në anën tjetër të tavolinës T, zuri vend Koҫo Plaku, që u fut duke ecur i kërrusur, sepse vuante nga nervi shiatik. Henriku, sa pa Koҫon që ecte i përkulur në drejtim të drejtorit Beqir Alisë, i tha këtij të fundit; ja servili para eprorit dhe situata e rëndë, u qetësua disi nga humori i hollë i Henrikut. Situatat e acaruara vetëm ai dinte t’i amortizonte.
Ish-shefi i sektorit, Protoko Murataj, mendonte se pusi “Fi-5” duhej të thellohej për të kapur objektin, ndërsa Koҫo Plaku, ish shefi i kabinetit i tha Protokos; “A nuk të mjaftojnë tre puse në një vijë për ta ndërprerë shpimin, a po duhet të bëjmë aty ndonjë kanal për ty”? Për Koҫo Plakun, tre puse në një linjë ishin me shumë se një qitap. Pusi ndërpreu shpimin. Koҫo Plaku dhe Henrik Veizi, ishin kolegë edhe miq të ngushtë, Koҫos i pëlqenin shumë karikaturat e Henrikut, sidomos ato ku ai e vizatonte Koҫon gjahtar, me ҫçizme që gjuante rosa.
Koҫua e njihte mirë mekanizmin e formimit të strukturave në gëlqerorë, prandaj për këtë gjë, ai bënte debatet të ashpra në Këshillin Shkencor të Institutit të Naftës në Fier. Në atë periudhë, disa specialist të Institutit, mbështesnin idenë që strukturat gëlqerore në thellësi, nuk kanë prishje në krahun perëndimor, se gëlqerorët paraqesin antiklinale e snklinale si vijim i njëri tjetrit, me tendencë mbihypje të anti-kilinalit mbi një pjesë të sinklinalit. Ndërsa Koҫua, këmbë-ngulmonte se ky nuk është tipari i strukturave tona në gëlqerorë.
Ai thoshte se gëlqerorët, nuk janë gomë që të krijojnë rrudhosje të tilla, si rezultat i mbihypjeve ata pësojnë shkëputje të mëdha tektonike në krahun perëndimor me amplitude 1.5 – 2 km. Ky është stili tektonik i strukturave tona, një kontribut tjetër i kollosit Koҫo Plaku, në kërkimet e naftës Shqiptare.
Në vitin 1974, para arrestimit të specialistëve Koço Plaku, Milto Gjikopulli, Protoko Murataj dhe Beqir Alia, Komiteti i Partisë Fier, organizoi në Institutin e Naftës në Fier, një mbledhje të gjerë për të “vjelur” gjeologët e lartpërmendura. Kontributi i madh teorik, praktik dhe shkencor i gjeologut Koҫo Plaku, bëri që specialistët; Ali Mema, Telo Velaj dhe Hasan Bakia, t’i jepnin atij vlerësimet më të larta në atë takim, duke rrezikuar veten e tyre, sepse po kërcenin në një fushë tepër të minuar.
Diktatura komuniste, gjeologun Koҫo Plaku, e “dekoroi” me plumb në ballë. Të njëjtën gjë bëri dhe me gjeologun Milto Gjikopulli. Po legjenda e hidhur, nuk mbaron këtu, atyre nuk i dhanë as varre. Ja si i varrosi komunizmi gjeologet shqiptarë, larg njerëzve, në netë të errëta, në disa gropa, fshehur edhe nga Zoti. Se mos ky është rasti parë! Diktatura kishte vrarë me kohë, një shkencëtar të huaj që punonte në Shqipëri, një mik të Shqipërisë, shkencëtarin polak, Stanislav Zuber. Po tani a nuk ishte e njëjta gjë?! Memorie.al