Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al / E lindur dhe e rritur në një familje me tradita intelektuale dhe aristokrate, si nga ana e babait (me origjinë nga Narta e Vlorës), ashtu dhe nga nëna e saj (nga qyteti i Durrësit), madje prej katër brezash të diplomuar në universitetet më të njohura të Evropës, në degë të ndryshme si; Drejtësi, Ekonomi dhe Mjekësi, edhe ajo bashkë më të vëllanë, (një nga ikonat e Mjekësisë shqiptare, prej gati gjysëm shekulli), nuk mund të “devijonin” nga geni familjar dhe rruga që kishin zgjedhur e përshkuar të parët e tyre, në rrjedhat e jetës. Madje, duke se ka shkuar pak më tej, pasi përveç mësimdhënies si pedagoge, është marrë edhe me politikë aktive, duke u zgjedhur jo vetëm si deputete e Kuvendit Shqiptar, por edhe nënkryetare e Parlamentit, ndonëse për një kohë të shkurtër, aq sa zgjati ajo legjislaturë. Duke pasur parasysh, degën ku është diplomuar dhe profesionin e pedagoges së universitetit, që ka ushtruar deri sa doli në pension, e gjithashtu edhe të vëllait, i specializuar në një nga klinikat më të mira universitare të Parisit, në fillimin e viteve ’70-të, jeta, jo vetëm nuk e ka “përkëdhelur”, por i ka sjellë edhe mjaft peripeci, në rrugëtimin e saj dhe karrierës profesionale. Për shkak të luftës së klasave, Komiteti i Partisë së Rajonit Nr. 1 të Tiranës, e pati etiketuar si: “Vajza e një avokati borgjez, që ka studiuar në Zvicër para çlirimit dhe ajo nuk është e denjë, për të studiuar…”, gjë e cila e privoi edhe nga dega që ajo kishte zgjedhur për të ndjekur. Të gjitha këto, tashmë i përkasin një kohe të shkuar, por për shkak të kërkesave tona të vazhdueshme, Prof. Dr. Margarita Qirko, është e “detyruar” që të prishi “kodin e heshtjes” që e ka zbatuar me përpikëri deri më sot, duke mos i kujtuar ato kohë të shkuara, e duke folur për herë të parë, për Memorie. al, në një intervistë, për historinë e familjes, dhe të sajën.
Znj. Margarita, pas kësaj, bëtë përpjekje si familje dhe filluat të interesoheshit, për të ndërruar degën ku do të studionit?
Po patjetër dhe menjëherë filluam të interesoheshim. Nëna ime, që kishte mbaruar shkollën Amerikane të Dakos, kishte patur shoqe klase, Qibrie Ciun, ish-zv/ministre e Arsimit dhe Kulturës, e cila atë kohë, ishte nënkryetare e Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Tiranës, ku përcaktoheshin dhe të drejtat e studimit. Nëna i shkroi asaj një letër, duke i treguar rezultatet e mia të shkëlqyera dhe me anë të një komshiu tonë që punonte në Komitet Ekzekutiv, ia dorëzoi letrën asaj në dorë.
Morët ndonjë përgjigje prej saj?
Po patjetër, ajo sa pa emrin e nënës time mbi zarf, ja mori menjëherë komshiut tonë dhe më pas, bëri lëvizjen e dosjes time, nga Agronomi, në Matematikë. Por unë, nuk isha e kënaqur, pasi matematika, nuk ishte dashuria ime. Por nuk kisha se çfarë të bëja, pasi kujtoja ato për të cilat babai im më kishte folur që në klasë të parë. Pra, që një ditë, familja jonë do të kishte probleme të tilla.
Si vendosët në familje, do ta pranoje në heshtje degën që ju dhanë, Matematikën, apo vazhduat të kërkonit Mjekësinë?
Familja ime, më këshilloi që unë duhet të ecja vetëm përpara, pra të pranoja në heshtje të plotë degën e Matematikës dhe duhet t’i nënshtrohesha një studimi të thellë e, me orë të zgjatura, degës së padëshiruar, në mënyrë që të shkëlqeja edhe aty, ashtu siç kishin shkëlqyer paraardhësit tanë, pra prindërit dhe gjyshërit.
Ky ishte miratimi im shpirtëror, para familjes time, se do t’ia dilja, duke e kryer me shumë dinjitet dhe rezultate shumë të mira, këtë degë të “dhuruar” nga sistemi ku jetonim. Kështu fillova vitin e parë në Degën e Matematikës, pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës. U njoha me pedagogët, të cilët ishin shumë të përgatitur dhe tepër kërkues.
Patët vështirësi në atë degë, pasi nuk ishte lënda juaj 4 preferuar?
Kisha shumë vështirësi në fillim, por çdo ditë, studioja deri në orët e vona të natës dhe vija re që akoma nuk isha futur tërësisht në matematikë, duke u zhvendosur me sytë e mendjes herë pas here tek Mjekësia. Lëndët zhvilloheshin gjatë semestrit me kolokiume, ku kontrollohej përvetësimi i njohurive prej nxënësve.
Erdhi kolokiumi i parë dhe unë u vlerësova mjaft mirë. Kjo ishte kthesa përfundimtare e besimit të plotë në vetvete, për suksesin në këtë degë, duke ndjerë kënaqësinë e të studiuarit matematikë, në përvetësimin me lehtësi të saj. Kështu, vitin e parë e mbylla me rezultate shumë të mira dhe isha e kënaqur me pedagogët e mi, për të cilët ruaja respekt dhe konsideratë të thellë. Në verë, pasi mbarova vitin e parë, mora të gjitha lëndët e vitit të dytë, ku çdo ditë programoja disa orë studimi me to, që ta kisha më të lehtë përvetësimin e tyre, në vitin e ardhshëm.
Po viti i dytë dhe i tretë, vazhdoi si i pari…?
Po ashtu vazhdoi, pasi unë ecja përpara me vullnet dhe rezultatet ishin shumë të mira. Në vitin e tretë, zhvillohej një nga lëndët më të vështira të Matematikës, me lektor pedagogun e njohur, Prof. Dr. Petraq Pilika, me origjinë nga Korça. Çdo orë të tij, e ndiqja gjithë kohën me takikardi, pasi ishte një leksion ndryshe nga të tjerët. Jam mrekulluar me leksionet e këtij profesori të nderuar dhe përfitoj nga rasti nga kjo intervistë, që t’i bëj një homazh, që ai të pushoj në paqen e përjetshme.
E kujtoj me shumë respekt profesorin e nderuar, Petraq Pilika, sidomos në një nga ditët e lumtura në jetën time studentore, pasi ishte vlerësimi maksimal nga ana e tij për mua, në ditën e provimit. Po kështu ishte dhe Prof. Aleko Minga, i cili do të mbetet për mua, deri në fund të jetës, si ikona dhe modeli që kam dëshiruar të imitoj, në profesionin tim në jetë, si pedagoge e Matematikës.
Kujtoj se kur fillonte leksionin Prof. Minga, të gjithë ne studentët, ishin përqendruar tek ai, siç përqendrohen pjesëtarët dhe instrumentistët e një orkestre simfonike, tek dirigjenti i tyre, pasi ai, krijonte me të vërtetë një muzikalitet në lëndën e Matematikës dhe lehtësi në përvetësimin e saj, saqë nuk kuptonim mbarimin e orës së mësimit. Prof. Aleko, ndodhej në zemrat e të gjithë studentëve, duke i’u dhënë modelin dhe forcën për të ecur përherë përpara nëpërmjet dijes së ndershme. Në këtë moment, më vijnë në mënd fjalët e arta të Viktor Hygoit: “E ardhmja e një vendi, është në duart e mësuesit të shkollës”.
Si vijuan më tej studimet dhe cilat ishin rezultatet tuaja në fakulteti?
Në fillim të vitit të katërt, Fakulteti i Matematikës, formoi grupin special, me studentët më të mirë të tre viteve, të cilët ishin me mesatare, mbi notën 9. Grupi special, do të krijohej me studentë, të cilët kur të mbaronin universitetin, ishin parashikuar nga shteti i asaj kohe, që do të punonin si pedagogë në Universitet, ose punonjës shkencor, në Qendrën e Matematikës Llogaritëse.
Sa student ishit në atë grup special?
Në vitin e parë, ishim regjistruar gjithsej 93 studentë në atë degë, dhe në vitin e katërt, në grupin special, ishim 13 studentë. Pasi mbarova Fakultetin me rezultate shumë të mira, sipas rregullave që ishin në atë kohë, duhej të kryej një vit stazh në prodhim dhe më pas jepej provimi i shtetit, për të marrë diplomën.
Ku ju caktuan ta bënit stazhin?
Mua më caktuan në Uzinën “Traktori”, ku do të punoja si Matematikane, në Byronë Teknologjike të asaj uzine. Pasi fillova punë aty, në repartin mekanik, njoha dy inxhinierë tepër të zotë, Vili Kosturi dhe Gugash Tafa, të cilët njëkohësisht, ishin edhe njohës të mirë të Matematikës. Nisur nga zelli që kisha unë për punën, ata më propozuan që të bashkëpunonim, për të ndërtuar një nomogramë, e cila do t’i shërbente repartit mekanik. Punuam së bashku me përkushtim dhe në fund të vitit të stazhit, unë botova në Buletinin Shkencor të Shkencave të Natyrës, punimin e kërkuar shkencor. Ishte një kënaqësi e madhe shpirtërore, që kisha filluar të punoja për profesionin tim dhe kisha rezultate.
Si i kujtoni provimet e shtetit, kur u diplomuat në Matematikë?
Në qershor të vitit 1975, unë dhashë provimin e shtetit e vlerësuar me notë maksimale dhe mora diplomën si Matematikane. Këtu përfundoi pjesa e shkollës dhe në këtë kohë unë po futesha në oqeanin e thellë dhe të pafund të jetës, ku këmbët, sapo më kishin prekur ujin e ftohtë të bregut. Prisja me ankth emërimin, pasi kishte dalë një ligj për të kryer 5 vjet në prodhim.
Ku ju emëruan?
Mua më emëruan në shkollën e mesme të natës, pa shkëputje, nga puna në degët “Rrobaqepësi dhe Këpucari”. Ky emërim, jo vetëm që u prit mirë nga familja ime, por ata ishin shumë të gëzuar, pasi isha pranë shtëpisë. Kur u paraqita në shkollën e mesme pa shkëputje nga puna “Rrobaqepësi-Këpucari”, më pritën mjaft mirë dhe kam kujtimet më të bukura nga kolektivi i mësuesve me të cilët punova dhe nxënësit gjithashtu.
Fillimisht, isha e shqetësuar, se si do të përshtatesha me nxënësit, që vinin direkt nga puna, të lodhur dhe me mosha të ndryshme. Ata e vazhdonin shkollën, vetëm për të shtuar kategorinë në punë, e cila do t’ju shtonte sado pak, pagën e tyre. Kishin shumë vite që kishin mbaruar 8 vjeçaren dhe nuk mbanin mënd asgjë nga matematika.
Si i’a dolët të “implementoheshit” në atë shkollë?
Gjëja e parë që bëra, kërkova ndihmën dhe këshillat e babait, i cili si gjithmonë, ndiqte shqetësimin tim dhe lexoi mendimet e mia. Dolëm bashkë për një shëtitje në bulevardin e madh dhe ai filloi bisedën, për punën e re, duke më këshilluar se nxënësit e mi, nuk ishin si gjithë gjimnazistët e zakonshëm. Ato që punonin në rrobaqepësi, ishin gra të lodhura dhe pasi kishin punuar gjithë ditën, vinin të mësonin edhe matematikë dhe gjumi mund t’i mposhte, në bankën ku ishin ulur.
“Vuajtjet e tyre – më tha ai – do t’i zbutësh me mirësinë tënde, duke i dhuruar dashuri, që të mos frikësohen nga lënda e matematikës dhe asnjëherë nuk do të ngresh në tabelë, gratë me moshë afër pensionit, por do të kryesh vetëm kontroll me shkrim, në bankat e para, për t’i vlerësuar ato me notë. Kështu do të veprosh dhe me nxënësit e Fabrikës së Këpucës, të cilët do të jenë më të ashpër si nxënës, por duke vepruar si me grupin e rrobaqepësve, do të vendosësh një respekt të admirueshëm dhe në orën e tyre”. Kujtoj mjaft mirë që këshillat dhe sugjerimet e tij, babai i mbylli më këto fjalë: “Nuk ka gjë që nuk arrihet në jetë, nëse thua që do ta bëj”.
Dhe i’a dolët…?
Them se po, madje me shumë sukses. Fillova mësimin, duke aplikuar skemën e menduar më lart dhe shumë shpejt, u gjenda mes vlerësimit dhe dashurisë së tyre. Qetësia dhe përqendrimi i tyre gjatë shpjegimit, ishin vendosur plotësisht. Erdhi fundi i semestrit të parë dhe ndjehesha e kënaqur me arritjen time me nxënësit e mi. Në atë shkollë, punova me shumë zell e pasion, për pesë vjet me radhë dhe siç thashë në fillim, kam kujtimet më të mira.
Po më pas, ku ju emëruan?
Me propozimin dhe dashamirësinë e Prof. Aleko Mingës, më 17 tetor 1980, unë u emërova asistente në Katedrën e Matematikës së Përgjithshme në Universitetin Shtetëror të Tiranës.
Si e priti familja juaj atë emërim?
Nëna dhe vëllai im u gëzuan shumë, por mjerisht babai, nuk e mori këtë gëzim, pasi kishte ndërruar jetë në vitin 1978. Familja më inkurajoi, duke më thënë se me punën time të palodhur, do të bëhesha një pedagoge, që nuk do të harrohesha nga studentët e mi. Kështu fillova punën e mësimet me studentët, pothuajse në të gjitha degët e Inxhinierisë. Grupet ishin me shumë nxënës dhe përgatitja duhet të ishte dinjitoze. Studentët ishin tepër kërkues dhe ora e mësimit kthehej në një debat të këndshëm, ku secili pa ndrojtje, jepte idenë e tij.
Cilët ishin rezultatet e para tuajat, si pedagoge e Matematikës?
Në fund të semestrit të parë, në provimin tim të Matematikës, grupet e studentëve dolën mjaft mirë dhe kënaqësia, jo vetëm zbehu lodhjen e akumuluar, por stimuloi forcën për të punuar më shumë, në rrugën e nisur. Në vitet e punës si pedagoge, kam njohur studentë të shkëlqyer, madje brilant, të cilët më shtonin dashurinë për profesionin.
Kujton ndonjë emër, kë do të veçonit nga studentët tuaj?
Një prej tyre, ishte Nausika Ahmeti, me inteligjencë të spikatur në Matematikë dhe kulturë të gjerë, në fushën e Historisë dhe Letërsisë, ku diskutimi me të, për personazhe të autorëve të mëdhenj, ishte i admirueshëm. Në përfundimin e sezonit të lëndës së Matematikës me Nausikën, ajo më takon dhe thotë: “Sot ndahemi profesor, përgjithmonë, por do të mbeteni përherë brenda meje, për mbështetjen dhe nxitjen që më keni dhënë, për të ecur vetëm përpara, në sajë të vlerave që unë mbart!
Për të mos më harruar dhe ju, unë kam shkruar vetë një kushtim për ju. Kjo dhuratë shpirtërore do të jetojë gjithmonë në shpirtin tuaj dhe sa herë do ta lexoni, unë do të jem pranë jush me mëndje dhe me zemër”. Kushtimi, mban datën 2 maj 1986. U mallëngjeva me sa ndjenjë e kishte shkruar, ku duke lënë mënjanë modestinë, unë mësova prej saj dhe cilësi të cilat, nuk i kisha vënë re më parë për veten time. Mirënjohja tek Nausika, ishte e pranishme në qenien e saj dhe sikurse e ka thënë teologu dhe filozofi Adolfo L’Arco: “Mirënjohja, është parametri i madhështisë njerëzore”.
Si vijoj më tej puna juaj si pedagoge në atë Fakultet?
Fillova punën për mbrojtjen e disertacionit. Provimet pasuniversitare, i kisha mbaruar me rezultate shumë të mira. Duhej të zgjidhja temën e disertacionit, duke ditur që në Matematikë, është e vështirë të zgjedhësh tema teorike. Duhej të gjeja një temë nga fusha të ndryshme të jetës dhe të studioja shkencërisht, nëpërmjet disiplinave të matematikës një problem të veçantë të saj. Mjekësia ishte akoma dashuria ime profesionale dhe unë temën, e zgjodha nga kjo fushë.
Patët ndihmën e vëllait tuaj. Dr. Spiros?
Patjetër, kjo ishte dhe arsyeja kryesore, që zgjodha pikërisht atë temë. Në këtë periudhë, vëllai im, Spiro, ishte kardiolog dhe ekokardiografist, e nisur nga kjo gjë, unë gjatë gjithë periudhës të punës së tij, e ndiqja çdo ditë, duke diskutuar me të, për rastet e paraqitura dhe rezultatet e arritura. Tema e disertacionit, ishte: “Disa algoritme për diagnostikimin automatik, të sëmundjeve të zemrës”!
Ishte e lodhshme si temë, ja dolët me sukses?
Puna ishte tepër e lodhshme, pasi ishte voluminoze dhe të nesërmen, më duhej të vazhdoja mësimet rregullisht në fakultet. Në fillim, bashkëpunova me vëllanë, për të shkruar të gjitha sëmundjet e zemrës dhe të afërta me to, së bashku me simptomat përkatëse. Më pas filloi “peshimi” i çdo simptome, për çdo sëmundje, duke u bazuar në teorinë “Spline Kubikëve” të lëndës Matematike, “Analiza Numerike”.
Puna eci mjaft mbarë dhe ne formuam në fund një pyetësor, të cilin do ta kryente mjeku, për të disgnostikuar të sëmurët. Të dhënat e këtyre pyetësorëve, vendoseshin në kompjuter dhe me anë të programit të hartuar, dilnin tre sëmundje në ekran, ku e para ishte e sakta. Dy të tjerat, quheshin diagnoza diferenciale.
Kjo ishte vetëm në anën teorike, apo e aplikuat dhe në praktikë?
E aplikuam në praktikë, duke testuar këtë algoritëm në 100 pacientë dhe rezultatet ishin të sakta. Punimi i këtij disertacioni, u prit shumë mirë nga kolegët dhe opinioni i Matematikanëve. Ishte korrik i vitit 1987, kur unë e mbrojta disertacionin në Këshillin Shkencor të Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe salla ishte mbushur me kolegë të matematikës. Gjithashtu atë ditë aty kishin ardhur dhe disa mjekë, për temën të lidhur me kardiologjinë. Nuk do të harroj kurrë fjalët e sinqerta, me shumë dashamirësi dhe kurajo dhënëse të Prof. Pertaq Pilikës, i cili tha publikisht: “Habitem, që studentja ime, ka arritur deri këtu”!
Mbrojtja e disertacionit me sukses, ishte një gëzim për ju?
Pa diskutim, them se ishte një nga ditët më të bukura të jetës time, pasi kreva detyrën time cilësore në profesionin tim dhe plotësova amanetin e babait dhe familjes time, për të qenë përherë e zonja, me punë të ndershme. Pas mbrojtjes së disertacionit, të cilën e kreva në kohën e caktuar, brenda shtatë viteve nga ardhja në Universitet, u emërova lektore e lëndëve matematike, në Universitet.
Kjo periudhë kohe, kur ju u emëruat si lektore në Universitetin e Tiranës, i përket fundit të viteve ’80-të, kur gjendja ekonomike e sociale në Shqipëri ishte tejet e vështirë, për shkak të varfërisë së madhe që vinte prej izolimit gati 40 vjeçar të vendit, etj. Si e keni përjetuar atë kohë ju personalisht, por edhe në familjen tuaj?
Ashtu siç u shprehët edhe ju, gjendja ekonomike në vitin 1988 ishte e rënduar, mbizotëronin tallonat për ushqimin e popullsisë dhe radhët pafund. Kushtet e studentëve në konvikte, ishin të mjeruara dhe kishte filluar njëfarë pakënaqësie e heshtur. Në vitin 1989, nisën lëvizjet kundër sistemit komunist në vendet e Evropës Lindore. Kjo lëvizje pati jehonë të madhe dhe në vendin tonë, kur më 2 korrik 1990, ndodhi ngjarja e ambasadave, ku një pjesë e madhe e të rinjve dhe e popullsisë, u futën aty dhe ikën jashtë për një jetë më të mirë.
Që në ditët e para të Lëvizjes Studentore në dhjetorin e ’90-ës, u bashkova me studentët e mi, pasi kisha një “uri” të madhe për lirinë. Gjatë jetës time, deri në vitin 1990, më dukej se nuk kisha jetuar, por thjesht, vegjetuar. Ardhja e demokracisë në fillimet e saj, ka qenë periudha më e bukur e jetës time, pasi tek mua mendimi, nuk kalonte nga truri, por nga dehja e shpirtit. Isha duke vrapuar për ta kapur atë, duke e besuar deri në qelizën e fundit të shpirtit, së bashku me shumë njerëz të tjerë të zotë, të ndershëm dhe besimplotë.
Në politikën aktive, kur u angazhuat?
Në politikën aktive unë jam angazhuar që në shtator të vitit 1991, kur u zgjodha anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Debatet ishin të shumta në Këshillin Kombëtar dhe të gjithë diskutonim me pasion, por kujtoj se dita më e bukur dhe më e artë për popullin dhe për ne të gjithë, ishte 22 mars 1992, kur fitoi Partia Demokratike dhe u zhvilluan mitingjet në gjithë Shqipërinë, sidomos në Shkodër dhe Tiranë, që kurorëzuan fitoren e thellë të PD-së, gjë e cila e solli atë në pushtet.
Gëzimi ishte i pranishëm në të gjithë Shqipërinë, njerëzit dukeshin të rilindur. Kujtoj gjithashtu Parlamentin e parë Pluralist, në vitet 1992-1996, ku kryetar i tij, ishte zoti Pjetër Arbnori, i përndjekur politik, i cili kishte vuajtur plot 28 vite burg. Grupi i deputetëve të Partisë Demokratike, ishte mjaft i përgatitur në analizën e fakteve të dhimbshme, të cilat kishin ndodhur në periudhën komuniste.
Debatet ishin të ashpra me palën kundërshtare, ku shumica e tyre ishin komunistë apo me mendësi të tilla, por Kryetari i Parlamentit, z. Arbnori, ishte njeri i ditur, i zgjuar dhe me elegancën e inteligjencës së tij dhe të përvojës së kurajos në burg, shmangte shpesh britmat e tyre, të cilët provokonin përherë zhurmën, si mjet të vetëm, për të mos u dëgjuar bëmat e tyre çnjerëzore në vite. Por natyrisht, që në ato vite u bënë dhe gabime, madje të rënda. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016