Nga DALIP GRECA
Pjesa e parë
Memorie.al / Nelo Drizari, editori i “Dielli”-t në vitet 1937-‘39, kryetar i degës së Shoqërisë “Vatra” për Neë York më 1928, ishte themeluesi i Seksionit shqip të ‘Zërit të Amerikës’, ishte gazetari i parë shqiptar në SHBA-ës i diplomuar në Columbia University dhe professor ne atë Universitet, sekretar i Shoqërisë “Përparimi” dhe kryetar i “Lidhja e Studentëve Shqiptarë në Amerikë”. Drizari u dallua si gazetar, romancier, gjuhëtar, studius dhe piktor. CV-së së tij, duhet t’i shtojmë edhe një fakt: Drizari, qe i pari që futi gjuhën shqipe në programet shkollore të Columbia University-t, ku ish-studenti u rikthye si pedagog i gjuhës shqipe. Në vitin 1934, ai do të botonte fjalorin e parë Anglisht-Shqip dhe më 1947, Doracakun; ‘Shqipja e folur dhe e shkruar’.
SEKRETAR I SHOQËRISË “PËRPARIMI” DHE KRYETAR TEK “LIDHJA E STUDENTËVE SHQIPTARË”
Nelo Drizari, është ndër intelektualët më përfaqësues të shqiptarëve të Amerikës në shekullin e shkuar. Emri i tij ndeshet që nga fletoret (gazeta) e para të shoqërive shqiptare në Amerikë e, deri tek The New York Times. Në shtypin e shqiptarëve të Amerikës, emri i Drizarit gjendet që në vitin 1916. Në numrin e parë të revistës së përmujshme “Përparimi” me editor Vangjel D. Nasse, që kishte nisë botimin në New York më 1916, mësojmë se Zenel H. Drizari, ishte emëruar sekretar i saj. Nelo është përftim nga emri i tij i lindjes; Zenel.
Detyrën e sekretarit të Shoqërisë “Përparimi”, duket se nuk e mbajti gjatë. Nuk dihen arsyet e largimit të tij si sekretar, por në numrin e shtatorit 1916, nuk e gjejmë emrin e Nelos si sekretar. Ndërkohë që në numrin e shtatorit, botohet një njoftim, që përcjell shënimin se; “ish sekretari i ‘Përparimit’ z. Zenel Drizari, përfaqëson ‘Përparimin’ në Watertbury, Connecticut. U lutemi shqiptarëve të atjeshëm, t’i dorëzojnë pajtimet tek ai dhe të merren vesh me përfaqësonjësin tonë, për çfarë do marrëdhënie me ‘Përparimin”.
Nelo Drizari, në kohën që kryente studimet, ishte tepër aktiv në jetën shoqërore. Ai ishte pjesë e shoqatës të krijuar nga studentët shqiptarë të Amerikës, “Lidhja e Studentëve Shqiptarë”, e krijuar që më 22 shkurt 1918 dhe i pranishëm me shkrimet dhe këshillat e tij, në revistën “Studenti”, organ që kishte botim stinor, pra një numër në çdo stinë.
Shoqata, që e kishte qendrën në American Int. College, Springfield, Mass, kishte për nisiator Qerim PanaritiN, editori më jetëgjatë i “Dielli”-t. Panariti ishte nisatori i takimit themelues dhe kryesues i mbledhjes themeluese, i ndihmuar si sekretar nga i biri i patriotit të madh, Petro Nini Luarasi, Skënderi. Pareshqevi Qiriazi, e pranishme në mbledhjen themeluse, ish- editore e “Yllit të Mëngjesit”, u zgjodh kryetare nderi e shoqatës së studentëve.
Në kronikën nga mbledhja themeluse, revista “Studenti”, veçon diskutimin e Nelo Drizarit, i cili qe shprehur se; ishte detyra e studentëve, që ta forconin këtë shoqatë, e cila do të jetë shumë e dobishme për djalërinë shqiptare’. Nelo Drizari, u zgjodh nënkryetar i “Lidhjes së Studentëve Shqiptarë”, me shumicën e votave në Kuvendin e parë, ndërsa në Kuvendin e dytë, atë të vitit 1919, u zgjodh kryetar, ndërkohë që Lumo Skëndo (Mithat Frashëri) ishte kryetar nderi, në vend të Pareshqevi Qiriazit.
Nelo ishte një nga kontribuuesit kryesor me shkrime. Në numrin e parë të revistës, që botohej katër herë në vit, në botimin e Stinës së Dimrit, Nelo Drizari prezantohet me essene “Bëhu mjeshtër i vetes sate”, ku zbërthen idenë se përparimin e njeriut në jetë, e ka në dorë vetë njeriu, edhe pse fati ka pjesën e vet.
Përveç kësaj, gjejmë dhe një artikull shkencor të Nelos nga fusha e Astronomisë, ku në dy faqe të revistës, sjell interpretimin e ndërtimit të gjithësisë, të planetit tonë Tokë dhe marrëdhëniet me planetët e trupat e tjerë të gjithësisë. Bie në sy interpretimi shkencor dhe shpjegimi i qartë dhe i shpjegueshëm për çdo lexues. Ja si e shpjegon ai ndërtimin e tokës: “Dheu është rrumbullak në formë portokalle. Sikur të bësh një shpofkë përmes Dheut, do të gjejmë se Dheu është afro 8000 mila i trashë.
Dheu rrotullohet pas boshtit të vet rreth 19 mila në një sekondë ose, 50 herë më shumë se plumbi i manxerrit…”! Për Hënën, shkruan se ajo është 2.200 mila e trashë dhe vozitet prej fuqisë së Dheut…! Dielli është 50.000 mila i trashë, ose 110 herë më i madh se Dheu, është 93 milionë mila larg Dheut”. Me këtë gjuhë te kuptueshme spjegon edhe qiellin, yjet dhe gjithçka që na rrethon në afërsi, ose në largësi të padukshme.
Duket se në këtë numër të pare, Nelo ka mbajtur peshën kryesore të revistës, pasi ka dhe një shkrim, që edhe pse është me tjetër emër, i përket atij për nga stili dhe gjuha. Artikulli botohet në rubrikën; “Pjesa satirike” dhe nënshkruhet nga N (Nelo) Suloi (mbiemri i tiji vërtetë- Sula). Artikulli titullohet; “Ambicja”. Në rreshtat e kësaj reviste, gjejmë gjurmët edhe të një libri, që deri më tash nuk gjendet, por që vetë Nelo, e paralajmëron.
Librin e kishte gati, madje ai cakton dhe numrin e faqeve të librit, 150). Libri kishte në focus “rregullat e mbledhjeve bashkë me disa nome”, që u përkasin shoqërive me sistem parlamentar. Libri, – paralajmëronte Nelo, – është i nevojshëm për çdo shqiptar, veçanërisht për anëtarët e shoqërive dhe për pjesëtarë të qeverisë.
ISHTE FËMIJË KUR MORI RRUGËN “PRAPA DIELLIT”
Pat lindur në Drizar të Mallakastrës, më 1902. Kur ishte vetëm dhjetë vjeç, merr rrugën drejt emigrimit në vendin e largët, “prapa diellit”, siç shpreheshin vetë emigrantët e parë të ardhur nga Shqipëria. Shpjegimi i shprehjes; “Prapa Diellit”, nuk vinte aq shumë nga largësia, se sa nga pozicioni i udhëtimit, kur vapori që i mbartëte, çante përpara dhe Dielli mbetej pas. Si çdo emigrant tjetër, Nelo, që ishte kërthi, ende i parritur, fillimin e pat tepër të vështirë. Si mund ta nxirrte jetesën me punë krahu, një fëmijë shëndetlig?!
Provoi punë të vështira, që qenë tepër të rënda për djaloshin e parritur, për të cilin edhe shëndeti qe problematik. Emigranti i ri, kaloi çaste tepër të rënda me shëndetin. Madje kaloi deri në paralizë të gjymtyrëve, ç’ka paraqitet edhe në një libër të tij autobiografik. Kjo qe periudha më e vështirë e tij, ku përballoi depresionin e shkaktuar nga sëmundja, por në këto rrethana, i gjendet pranë i vëllai, që e ndihmoi pa u kursyer.
Kjo duhet të ketë qenë edhe periudha, ku ai u rikthye në Shqipëri, shkoi në Drizar dhe pas një pushimi pranë familjes, rikthehet në Amerikë. Endrra e tij për thurej rreth shkollimit në shkollat amerikane. Merr një hap të vështirë; te kryej studimet në një nga Universitetet me emër, atë të Kolumbias. Studio për gazetari dhe me një vullnet të jashtëzakonshëm, përballoi programin mësimor dhe arriti të diplomohej.
Padyshim është gazetari i parë shqiptar, i diplomuar në një universitet amerikan. Në kohën që studionte, Nelua nisi të sigloj me emrin e tij, artikujt e parë në shqip dhe anglisht. Emri i tij ndeshet gjithnjë e më shpesh, në faqet e gazetës “Dielli”, e cila aso kohe kishte editor Akile Tasi dhe kryeredaktor Faik Konicën. Ajo që bie në sy në artikujt e Nelos, është stili i veçantë; gjuha e pasur dhe e pastër, si dhe një raport i baraspeshuar mes fakteve dhe interpretimit.
Nelo, nuk është nga ata që endin lumë fjalësh e s’thonë asgjë, përkundrazi, artikujt e tij, dallojnë për gërshetimin e fakteve me analizën. Me interes është një esse e botuar në tre numra, të “Dielli”-t me titullin; “Tri shtete”. Esseja nis të botohet në “Dielli”-n e 15 majit 1926, vazhdoi me 18 maj dhe përfundoi me 22 maj. Në konceptin e tij, baza e shtetit është shtëpia, ku lind dhe rritet fëmija. Për të shtëpia ka qenë dhe mbetet themeli i çdo shteti. Këtë pjesë të parë të essesë, ai e titullon; “Shtëpia”.
Në numrin pasues, botohet pjesa e dytë e saj, me titull; “Shkolla”, ku Drizari e sheh shkollimin si mjet bazë për përparimin dhe bashkimin e Kombit, nën frymën e Rilindasve. Pjesa e tretë e essesë është ajo me titull; “Shteti”. Që në fillim, autori shtron pyetjet: “Sikur të mos ketë frikë njeriu nga varja dhe burgu, a mund t’u përgjigjet kanuneve të shtetit? Me një fjalë, sikur të hiqet fuqia e qeverisë, a mund të mos vrasë një vrasës dhe të mos vjedhë një kusar”? Nelo Drizari ishte idhtar i një shteti të fortë, ku ligji vë rregull. Ai ishte ithtar i Mbretit Zog dhe mbeti i tillë.
Nelo e vazhdon bashkëpunimin me “Dielli”-n dhe merr përsipër që të ndikojë në edukimin e shqiptarëve të Amerikës, shumica e të cilëve, ishin të pa arsimuar. Në një shkrim me titull; “Përshesh me mejtime”, botuar në numrin e qershorit 1926, Nelo e vlerëson “Dielli”-n, si gazetën më të përparuar të kohës. Gjuha që përdoret te “Dielli” s’është e trazuar si ndonjë përshesh i qelbur, me fjalë të marra nga gjuhët e huaja.
“Dielli” është rritur me kujdes aq të matur dhe delikat, sa kujdesia e një nuseje të stërvitur, për foshnjën e mjeshtrit të gjuhës”. Ky koncept i tij për gazetën, e bën atë të dedikuar dhe bashkëpunëtor të rregullt. Është adhurues i Faik Konicës dhe përcjell gati të gjitha veprimtaritë publike, kulturore të Ministrit të Shqipërisë në Washington dhe i komenton ose i përshkruan në faqet e “Dielli”-t.
VATRAN DHE EDITOR I “DIELLIT”
Në Federatën “Vatra”, Nelo Drizari është anëtarësuar në qershor 1921 dhe ka vazhduar deri në tetor të vitit 1940, pa i ndërprerë kontaktet deri në fund të jetës së tij. Për saktësimin e këtyre datave. na ndihmoi një letër e lëshuar nga sekretari i “Vatrës” në shtator 1942, një letër zyrtare që ruhet në arkivin e e Federatës.
Kjo letër duhet të jetë kërkuar nga zyrat amerikane, siç është rregulli kur dikush punësohet në zyrat e shtetit. Është koha kur atij iu besua krijimi i seksionit shqip të Radios “Zëri i Amerikës”, detyrë që e mori nga viti 1942 deri në vitin 1948. Po në atë letër, është saktësuar se Nelo, ka kryer edhe detyrën e Editorit të gazetës “Dielli”, nga maji i vitit 1937, deri në dhjetor 1939.
Drizari ka kryer dhe detyrën e kryetarit të degës së Federatës “Vatra” në New York. E dëshmon këtë edhe letra që i drejtoi editorit të Gazetës, The New York Times dhe që u botua aty me 23 shtator 1928, letër që mban titullin: “Shqipëria e sheh Mbretin e ri Zog, si uzurpator dhe si patriot”, dhe gazeta vendos si nëntitull: “Uzurpator e konsiderojnë ata që kërkojnë trazira, thotë udhëheqësi shqiptar, këtu në Amerikë (kupto Nelo Drizari), i cili e sheh Monarkun si Skënderbeun modern”.
Letra në fund, është nënshkruar nga Nelo Drizari, me funksionin e kryetarit të degës së “Vatra” të New York-ut. Ka dhe një dëshmi tjetër që vërteton se Nelo Drizari, ishte aktiv në “Vatër”, madje ishte zgjedhur edhe delegate i Kuvendit të “Vatrës” për vitin 1922.
Për këtë dëshmon një protestë e tij e mëvonshme, botuar në “Dielli”-n e 16 marsit 1978, pak muaj para se të ndërronte jetë, ku ankohet për mungesën e emrit të tij si delegat, në një fotografi të Kuvendit të vitit 1922, ku ai Drizari, ishte delegate që përfaqësonte përveç degës së New Yorkut, edhe dy degë në Ohio dhe Indiana.
Drizari i mbajti lidhjet me “Vatrën” edhe pse detyra e tij ishte specifike. Në vitin 1969, e gjejmë në veprimtaritë tri ditore të “Vatrës” me rastin e 60 vjetorit të Gazetës “Dielli”, ku ai mbajti një ligjëratë dhe ishte në panelin drejtues të ngjarjes së madhe, që mblodhi bashkë shqiptarët e Amerikës dhe ata të Italisë, përfshi arbëreshët.
DËSHMI E DRIZARIT: KONICA NUK ISHTE KUNDËR LUFTËS SË VLORËS
Është thënë shpesh se Faik Konica, nuk e kishte të lehtë të pranonte një ngjarje të rëndësishme Kombëtare, ku ai vetë s’kishte marrë pjesë. Kështu është thënë, jo vetëm për Kongresin e Manastirit, për Shpalljen e Pavarësise, por edhe për Luftën e Vlorës, Kongresin e Lushnjës, etj. Po sjellim dëshminë e Drizarit, dëshmi e cila ka vlerë të dyfishtë; vërteton se ai ishte aktiv në “Vatër” që në moshën studentore, por edhe dëshmon se Konica, nuk ishte kundër Luftës së Vlorës, siç ështeë shkruar shpesh.
Nelo boton në gazetën “Dielli”, të 16 marsit 1978, letrën, ku shpreh pakënaqësinë e mos përmendjes të emrit të tij, si delegat në Kuvendin e vitit 1922. Ja çfarë shkruan ai, citoj: “Në ‘Dielli’-n e 16 janarit 1978, Barney Kirka, përmendte një numër të vogël delegatësh në Kuvendin e motit 1922. Edhe më në fund, bënte këtë shënim: Mungojnë emrat e të tjerëve’. Vura re se një nga emrat që mungon, është imi. Natyrisht të gjithë emrat janë radhosur në raportin zyrtar dhe duhet të ndodhet në koleksionin përkatës të ‘Dielli’-t.
Atë mot, me gjithë që isha student në Columbia University dhe ndodhesha pa ndonjë përvojë aq shumë të shquar në sheshin politik, vendosa që të përfaqësoja tri degë të ‘Vatrës’; degën e madhe të Nju Jork-ut, si dhe dy degë të tjera në shtetet Ohio e Indiana. Kriza ekonomike që kish lënë shumë anëtarë pa punë, i kish shtrënguar disa degë të largëta, të bënin kursime. Bisedimet e zjarrta e zgjatën atë Kuvend historik, më shumë se kurdoherë më parë.
Një nga ngjarjet kryesore, ndodhi kështu: Një grusht delegatësh, të frymëzuar keq nga përsëritjet të nën rrogosta, si dhe nga informata të çala, ishin kthyer çuditërisht kundër Faik Konicës. Kundërshtimet e tyre bazoheshin kryesisht në një intervistë që Faik Konica kish dhënë kur ish në Evropë. Editori i revistës italiane, pa ndonjë shkak ose tjetër, kish dhënë të kuptohej, sikur gjoja udhëheqësi shqiptar, kish lëvduar ushtrinë sunduese italiane, gjatë çlirimit të Vlorës.
Dhe kur Hasan Bitincka, disa të tjerë, dhe unë, propozuam që Faik Konitza të zgjidhej kryetar i «Vatrës», salla e Kuvendit buçiti me kundërshtime të ndezura, si dhe me brohoritje të përzemërta. U kuptua pra se këtu, po mbillej fara e përçarjes, ndërkohë që Shqipëria ndodhej në rrezik, nga kombet lakmuse të Ballkanit.
Pasi menjëherë e shpjeguam se editori i revistës i kish shtrembëruar fjalët e Faik Konitzës, bisedimet kundërta u kthyen në bisedime të buta bashkimi. Faik Konitza, u zgjodh kryetar i “Vatrës” dhe kryeditor i “Diellit”. Andon Frashëri, me pëlqimin e tij u zgjodh editor dhe Aqile Tasi, ndihmës editor. Edhe disa muaj më vonë, kur «Vatra» dhe «Dielli» kishin marrë udhën e mbarë nën kryesin’ e tij, disa prej nesh, ishim mbledhur rreth tryezës së bukës në Boston.
Atë mbrëmje, me gëzim se “Vatra” ishte forcuar aq shumë sa i dëgjohej zëri kudo në botë, për të mirën e Shqipërisë, darka mbaroi me kënaqësi të madhe. Gjithashtu, në ziafet e sipër, kryetari i «Vatrës» përsëri lëvdoi çlirimtarët e Vlorës, duke përmendur me një bukuri të endshme letrare, disa këngë kreshnikore që pasqyronin trimëritë e trashëguara të popullit shqiptar.
Një nga këngët legjendare, që përmendi ish dhe kënga e Mallakastrës (11 fshatra historike, sipër lumit të Vjosë), që nis kështu:
«O more Rrapo Hekali
Kur thërret sa tundet mali,
Tundet mali, tundet fusha,
Ja vure pallën te gusha… » !
Nelo komenton: Mallkastriotët, me Rrapo Hekalin përpara, i kishin shpallur luftë një pashai, i cili egërsisht u kishte zaptuar mallra shumë të çmueshme. Gjithashtu edhe me çlirimin e Vlorës, labërit dhe mallakastriotët, me armët e tyre në duar dhe me gunat e dhirta, u vërsulën me trimëri kreshnikore përmbi gardhet e telta e të elektrifikuara, të ushtrisë zaptuese dhe ia vunë pallën te gusha armikut” !
KUR INTERVISTOI ALEKSANDËR MOISIUN
Nelo Drizari, pati fatin që të takonte dhe të intervistonte aktorin e madh me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu, gjatë turneut, që trupa e teatrit të tij bëri në ShBA-ës. Po ndalemi gjatë tek përshkrimet e Drizarit, pasi sipas shkrimit, zbulohet adhurimi që ai kishte për aktorin e madh. Pritjen e ngrohtë që i bënë amerikanët, aktorit me origjinë shqiptare, Nelo e përcjell me një ndjenjë ngazëllimi:
«Kur erdhi për të parën herë Aleksandër Moisiu në Amerikë, nëntor 1927, bota tha se erdhi vetëm për katër javë. Por lojërat e tij autoriale, muarën bujë të madhe. Populli kërkonte kohë dhe rast që të shihte këtë aktor të famshëm. Programi i Reinhardit, ishte që të loste një dramë në javë, që ashtu të mbeste vent për të tjera. Kërkimi i popullit e shtrënguan, që ta zgjaste kohën dhe ta mbajë protagonistin deri më 8 të këtij muaji (shkurt 1928)».
Duke e përcjellë atmosferën që e rrethonte aktorin e famshëm gjatë shfaqjeve, Nelo shkruan për lexuesit e «Diellit»: Moisiu është me të vërtetë njeri i dashur. Tri herë që e kam takuar back-stage pas lodrave, jam habitur me sjelljet e admironjësve të tij. Shumë njerëz, shumica përbëhej prej grashë, suleshin si turma të tërbuara, për t’i shtërnguar dorën Moisiut. Të tjerë lotin rolin e gjujtsave, për dhurata (Souvenr hunters). Të fundit kërkonin nënshkrimin e tij, mbi programe, fytyra ose libra që kishin lidhje me Moisinë.
Aktori i madh i priste me buzëqeshje dhe kalorësi të shquar dhe u mbushte dëshirën, kur nuk nxitohej për të shkuar gjëkundi. Këto sjellje të këndshme, kjo kalorësi e shquar, së bashku me talentin tij, kanë fituar miq të ngushtë dhe admironjës të shumtë. Me gjithë që thonë disa, se Moisiu është i sertë, natyra e tij m’u duk si e butë. Moisiu ngjanë sikur është nga raca nordike: nga raca anglo-saksone, ose Teutonike. Ata që nuk e dinë se edhe në Shqipëri, ka plot njerëz të këtij tipi, s’e besojnë se të atin e kishte shqiptar dhe të ëmën italiane.
Kjo është e vërtetë. Moisiu u lind në Trieste më 1890. I ati ishte Kostandin Moisiu, nga Durrësi, i cili kishte tregti në Vienën dhe më vonë në Fiume në Hungari. Foshnjërinë e tij Aleksandër Moisiu e shkoi në Shqipëri.Në Durrës ky vajti në shkollë dhe më parë se të nisej për në Vjenë, dinte shqip mirë.Që kur e dërgoi i ati në Vjenë, në shkollë, s’pati rast të përdorte gjuhën e Atdheut, gjuhën shqipe. Ashtu që sot mban mend vetëm disa fjalë të rralla. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm