Nga Kosta Papa Tomorri
Pjesa e dytë
Memorie.al /publikon librin “Barbaritë greke në Shqipëri të Jugut” – në vitet 1913 – ’14, të shkruar Kosta Papa Tomorri, i cili ka qenë prift ortodoks shqiptar, me origjinë nga Leusa e Përmetit. Si dëshmitar i masakrave greke gjatë Luftës së Parë Ballkanike, ai shkroi të libër, apo më saktë një vëllimth, duke ia kushtuar Mehmet bej Konicës dhe u botua më 1917-ën. Prifti Kosta Papa Tomorri, ishte një dëshmitar i kohës së sulmeve dhe barbarive greke të viteve 1913-1914, që i përjetoi ngjarjet tragjike mbi popullsinë shqiptare të pambrojtur në Jug të vendit, të cilat më pas i përshkroi në atë libër. Dëshmitë e tij janë tronditëse, edhe për faktin se ai ishte një vëzhgues i saktë i atyre ngjarjeve dhe në kronikat e tij, ndriçon shumë ndodhi dhe ngjarje që hedhin dritë mbi barbarizmat e pushtuesve grekë. Ai libër është një ekzemplar i veçantë, ndoshta i vetëm, që iu kushtohet atyre ngjarjeve, nga një dëshmitar okular. Libri i Kosta Papa Tomorrit, përshkruan ngjarje rrëqethëse, dhe dëshmon me hollësi, historinë tragjike të banorëve të atyre anëve, ku shërbeu autori në ato vite. Libri është një akuzë që u bëhet nga një prift dhe duke shfletuar fletët e tij, shikojmë se në mes të tjerash, ai shprehet: “Shqiptarë! Juve djemtë tanë, brez pas brezi, kur të zini në gojë fjalën grek, mos harroni therjet, djegiet dhe çnderimet”! Këtë porosi e jep prifti, Kosta Papa Tomorri.
Ju Shqipëtar’ me vllazën jinni tuj vra, En’nj qint çeta jinni shpërda. V.P
BARBARITË GREKE NË SHQIPËRI
Prej
COSTA P. TOMORI LEUSA
JOURNAL PRESS
FRAMINGHAM, MASS
1917
KUSHTON 35 C
DELEGATIT TË SHQIPTARËVE T’AMERIKËS MEHMET BE KONITZA QË PËRPIQET T’A SHPËTOJNË SHQIPËRINË NGA MJERIME TË NESËRME SI ATO TË KËSAJ LIBRE
KËTË VEPËR JA DEDIKONJ NJË USHTAR I TIJ
Një shkrepëtihmë, pastaj natë,
O e bukur Fluturakë.
Më 16, Gusht 1913, Mitropolia ndau ca zëdhënjë ku ftontej gjithë djemtë dhe burrat të vërsëj 18-45, dita e mbledhjes që dita e Diel, në shesh të Mitropolisë gjithë kështu bënë dhe në viset e tjera që kish zaptuar ushtria Greke. Pas urdhrit Mitropolisë, ditën e Diel u mblodh gjithë në sheshin e Mitropolisë. Shuma kapërzente nga 800 shpirt.
Pas pak minuta, dual nga Mitropolia (iethniqi amina) Kryepolicia dhe Kryedivizioni I-rë ushtrisë Greke Z. Malama.
Del përpara Z. Malama dhe thotë këto:
Djem (tis miteras elladhos), një gas të math ndenj kur shikonj se vrapuat të gjithë në thirjen tonë. Qëllim’i thirjes është ky.
“Me hidhrim të math, dot’u lajmëronj që fuqitë’e mbëdha kanë ndër mënt që tu ndajnë nga gjiri (tis mitros elladhoj), dhe do t’u prishin fenë, dot’u çnderojnë dhe do të vuani më keq se në kohën e tiranisë turke, prandaj sot u thirëm, që t’u organizojmë për luftën e nesërme. Dot’u japim pra të gjithëve armë, dhe do të bëni gjimnastikë tri herë në javë.
Kështu pra të ini të gatitëshme për ditën e nesërme, që të ini të zotë t’u bëni ballë barbarëve Shqiptarë, kur neve do të jemi të shtrënguar, t’a zbrazim këtë vent. Besimin e kemi të plotë në ndjenjat tuaja patriotike. Mos u dëshpëroni pra, se neve nuku do të lemë vetëm, do të dalim nga porta, dhe do të ryjmë nga deriçka, do të dalim kurdoherë në krahun e djathtë tuaj”.
Pas fjalët këtij, folë dhe të tjerë; pasi mbaruan fjalët, zunë duartrokitje të pareshtura, duke thirur. (“Enosis i thanatos”) “Bashkim ose vdekje”.
Pastaj të gjithë siç qenë, u drejtuan për në policinë dhe të gjithë me radhë, shkruheshin dhe mernin nga një dyfek me 50 fishekë. Si muar armët, u përndanë nëpër shtëpira. Kur vinte ora e gjimnastikës, binin kambanat dhe të gjithë mblidheshin më një shesh jashtë qytetit dhe bashkë me ushtrinë Greke, ushtroheshin 4 orë në ditë.
Më 1 të vjeshtës parë, muar lajmin zyrtarisht, që këto vise, Konferenca e Londonit, ja la Shqipërisë.
(I ethniqi amina) gjendej me një dëshpërim të madh. Zun’e mblidheshin në Mitroploi dit’e natë e, mentoheshin ç’rrugë të zinin. Përndanë më çdo fshat, bashkë me 6 kolla kartë të mbëdha, çdo kollë kartë, shkruantej përsipër Gërqisht dhe Frengjisht; (Lunion ou la mort) “Bashkim ose vdekje”. Në këto 6 kolla kartë, duhej të shkruanin emërat e, të gjithëve sa gjendeshin atje dhe ata që gjendeshin në mërgim dhe kur t’i mbaronin, t’i dërgonin prapë në Mitropoli. Si i mblodhi këto Mitropolia, i dërgoj me të 6 Fuqitë e Mbëdha, si dokument që vendi nuku aksepton vendimin e tyre dhe janë gati që të vdesin.
Më 15 të vjeshtës, iu dhanë urdhër gjithë fshatrave, që të diel më 16 të këtij muaj, të vinin të gjithë në Përmet, burrat me armë, gra djem dhe gjithë priftërinjtë. Gjithë ky urdhër, u dha edhe në Gjinokastër, Delvinë, Tepelenë dhe Leskoviq. Dit e Diel, ardhi dhe njerëzia si mizat po mblidheshin në shesh të Mitropolisë. Numur’i njerëzisë kapërzentej nga të dy mijat, oficerët vunë vullnetarët të gjithë me sere, pas pak minuta duall nga Mitropolia (I ethniqi amina) dhe gjithë priftërija. Priftërija hynë në Kishë dhe u veshën me petkat e shenjta, duall jashtë dhe kryetar’i (ethniqis amina) dha urdhër që të drejtoheshin për në vend të shënuar, i cili qe një shesh i math jashtë qytetit.
Pas urdhërit, të gjithë me regulla u nisën për në vend të shënuar. Harinë te vendi, atje ushtria Greke, kish rethuar tërë sheshin, në mes të sheshit qe një tryezë mbuluar me flamurin e Greqisë. Mbi tryezë qe Ungjilli shenjtë. Mësonjësit kishin radhitur djemt’e shkollës me nga një flamur të Gërqisë në dorë. Gjithë kështu dhe mësonjëset kishin sjellë çupat e shkollës, të mveshura me nga një blluzë të kaltër dhe nga një çarap të shkruar në gjoks, me shkrime të arta; “Bashkim ose vdekje”. Pranë tryezës qëndronte Veqil Mitropoliti me gjithë priftërinjtë dhe (I ethniqi amina). Pas pak aritnë dhe zyrtarët e Qeverisë Greke.
Zuri Dhoxollogia për Mbretn’e Greqisë. Ushtria e regullshme, bashkë me vulnetarët, qindronin për nder arm. Pasi mbaruan Dhoxollogjinë, Veqil Mitropoliti, nisi një fjalë të gjatë. Po unë këndonjësve do t’u them, vetëm kupëtimin e fjalës. Vëllezër tha, sot çfaq hidherimin tonë, se Fuqit’e Mbëdha, Evropa e qytetëruar, na dënojnë neve që jemi fjesht Grekër…dhe na japin ndër duar të barbarëve Shqiptarë!
Ndë qoftë pra se neve unjim kryet tona ndër ata, ta dini që feja tone, do të na prishet, gratë dhe motrat tona, do të na ç’nderohen, dhe do të jemi robër për jetë! Fundi i fundit a do t’i akseptojmë të gjitha këto të këqija? Jo them kurrë, se gjaku tonë grek, po lëviz nëpër rembat tona dhe cili do prej nesh, do të vdesë me pushkë në dorë dhe kurrë nuku do ta akseptojmë, që të hyjnë barbarët Shqiptarë, në athenë tonë Greke…! Të gjithë bërtitnë; “Jo, kurrë, duam bashkim ose vdekje”!
Atëhere sot në këtë protestim të sotmë, duhet të betohemi mbi Ungjillin e shënjtë, që do të derdhim dhe pikën e gjakut të fundit dhe në duart e shqipëtarëve, nuku do të jepemi dhe në qoftë se nuku’i bëjmë ballë kësaj gjemë, ahere dot’u vemë zjarrë shtëpivet tona,, që kështu Shqipëtarët, të gjejnë vetëm gërmadha. Të gjithë bërtasin; do t’i djegim. Veqil Mitropoliti, thiri; do të betohemi? Të gjithë u përgjegjë, betohemi. Që të gjithë u betuhan.
Pastaj morri fjalën qeveritari Grek, dhe përhiron gjindjen për ndjenjat Greke, dhe u thotë; “Që, sido të jetë (I mitera Elas) nuku do t’i lerë vetëm, po do tu jetë gjithënjë pas. Me të mbaruar fjalën Qeveritari, populli u përnda. (Ethniqi amina), u drejtuan për në telegrafanë ku telegrafisnë me të gjashtë Fuqit’e Mbëdha, dëshirën e popullit, që duan bashkim me Greqinë ose vdekje, dhe një tjatër telegram Mbretit Greqisë, Konstadinit, që të mos t’i lerë ndër duar të Shqipëtarëve.
Shkuan tre muaj që po përpiqeshin të mjerët me protestime, me telegrame, me Delegatë në London, po më kot. Vendi është i Shqipërisë. Fuqit’e mbëdha i dhanë notën Greqisë, që të zbrazë vendin e Shqipërisë dhe ta dorëzonjë zyrtarisht në organizatorët e Xhandarmërisë Shqiptare, të cilët u urdhëruan Ollandhezët.
Qëllimi që të bënin kryengritje, e kishin Grekomanët, dhe gjithnjë po bënin mbledhje, për planin e kryengritjes, po qeveria greke, sa po mori notën e Fuqive Mbëdha, e bëri të njohur këtë notë në (ethniqi amina) që pas urdhrit Fuqive Mbëdha, shtrëngohem që ta zbraz vendin me rregull, dhe t’u a dorëzonj zyrtarisht. Përandaj juve, do mos dekllaroni dot kryengritjen, gjersa ushtëria tonë është brenda; se po ta eqim ushtrinë, do ta çpallin kryengritjen, pas programit që do t’ju japim. Për të holla, për ushtri dhe për municione, mos kini qeder se kemi neve.
Grekomanët u dëshpëruan pak, se kishin ndërment ta dekllaronin kryengritjen, pa ikur ushtria Greke.
Pas tri ditë, qëkur se qeveria Greke ju tha këto grekomanëve, bashkë me qeverinë Greqe, e ndryshuan këtë vendim dhe vendosnë që të mbanin një mbledhje në Gjirokastër.
Dita e mbledhjes qe më 27 Janarit dit’e Diel. Dhespoti Konices, qe kryetar’i mbledhjes; në këtë mbledhje, dërguan delegatë këto qytete: Preveza, Isnina, Konica, Paramithia, Voshtina, Leskoviku, Kolonja, Korça, Përmeti, Tepelena, Gjinokastra, Himara dhe Delvina, Përmeti dërgoj këta delegatë; Veqil Mitropolitin, Vasil Stefani dhe përhapnë vendimin e mbledhjes, që kryengritja do të deklarohet këto dit.
Më 4 të Shkurtit, qeveria greke dorëzoj zyrtarisht Korçën dhe Frashërin, pastaj Kolonjën dhe me 10 të këti muaj, do të dorëzontej dhe Permetin. Kur ardhi ushtria Greke nga Frashëri, një zi e madhe mbuloj qytetin, këmbanët po tingullonin për vdekje! Friftëria po jepnin emernin, duke kallur frikë popullit që Shqipëtarët, do të na prishin fenë. Pastaj hapën një tjatër lajme, që Shqiptarët kur hynë në Frashër, vanë në kishë dhe thyhen gjithë korat e kishës.
Kur digjoj populli këtë lajme, u egërsuan më keq dhe zun’e thrisnin kundër Konstandinit dhe Venizelos, që i shiti ndër Shqiptarët! Më 6 të shkurtit, Mitropolia ndau ca zëdhënje në gjithë fshatërat ku u thoshtej këto: Sonte të mblidhi të gjithë në kishë dhe të bëni (Panihidhe), të fali të tërë natën dhe në mëngjes, të kongoni për herën e fundit, se ardhi fundja tonë dhe e fesë. Kështu pra që të gjithë u mblothënë për kishët e tyre dhe kunguan…!
Të shtunë mbrëma, vjen një telegram nga Zografua, ku urdhërontej Permetin, që të Diel në mëngjes, të deklaronin kryengritjen dhe i këshëllontej që të mos dëshpërohen se do ta fitojnë. Kur mësuan këtë lajme, një gaz i math mbuloj popullin dhe ushtrinë Greke, oficerët po pinin nëpër kafenetë dhe thrisnin (Zito i epanastasis). Të Diel pas kishe, vendosnë që të deklaronin kryengritjen. U muar vesh me guvernën Greke dhe u dhanë zëh gjithë fshatërave, që të Diel në mëngjes, të vinin me armë në Përmet.
DEKLARATA E KRYENGRITJES
Mbledhja e Ipirotëve që u mbajt në Gjinokastër, nënë kryesinë e Dhespotit Konicës, që përfundoj Kryengritjen, zgjodhi një guvernë provizore; Kryetar, Kristaq Zografon dhe ministrinë e luftës z.Dhuli. Z. Dhuli qe një oficer Grek, i cili gjoja nuku digjoj këshillat e guvernës tij, po u bë kaçak, dhe u bashkua me Zografon. Kryeqytet bënë Gjinokastrën, arkë Athinën dhe municionet vinin nga Fjorgoçati, e cila qe qëndra e ushtrisë Greke.
Zografua është Shqiptar i lindur në Qesarat të Gjinokastrës, është shum’i pasur dhe ditën që e zgjodhë Kryetarin e Guvernës Autonome, Zografua dhuroj (dhia ton agona), thridhjet’e dy mije lira. Të lumtë or tradhëtor! Grekun që e do shumë ky kafshë, shkaku është ky: Greku si dinak i ka krehur bishtin, i ka dhënë punëra në qeveri të Athinës, dhe me këto dinakëri, e bënë Zografon fjesht Grek. Zografua, kur ardhi koha e Shqipëria, mëma e tij, dërmoj zinxhirat e tiranie prej pesëqint vjet robërije, hapi krahët e saj të lira, që të pushtonej fëmijen e saj, po u gënjeve e mjera Shqipëri!
Sa këta djem që u ritën nga gjiri yt, t’u bënë si alë në syt. Këta djem muar zinxhirat me të forta nga të parat, që të të lithnin për jetë. Po pse mor Zografo, u bëre tradhëtor i mëmës tënde dhe nxive emërin t’ënt, në historin e Shqipërisë?! Që djemt e Shqipërisë, kur do të zënë emërin t’ënt në gojë, do të dridhen dhe do të të mallkojnë me fjalë më të poshtëra, që janë në botë.
Të shtunën mbrëma ardhi nga Gjinokastra në Permet, një oficer Grek i quajtur Joanidhi, mveshur me petka politike. Sa po ardhi mblodhi (tin ethniqin amina) dhe u shtroj programin e kryengritjes. Më orën 8 p.d., u nis nga Përmeti me ca ushtarë Grekër dhe vate mblodhi djemt’e këtyre fshatarëve: Malëshovë, Brezhan, Argova dhe Buhal. Të gjithë këta djem me armë, të Diel në mëngjes rrethuan Përmetin me flamurin e Autonomisë, e cila kish ngjyrë të kaltër, me një shqiponjë me dy krerë dhe e ngritën në Bolëngë. Bolënga është si kala mbi Përmet.
Atë mëngjes, njerëzia po mblidheshin në kishë të Mitropolisë që quhet Shën-Kolli. Të gjithë ata që qenë me armë, rrethuan kishën; në kishë mbrenda hynë ata që s’kishin armë, priftërinj gra, pleq, djem dhe vajza. Priftërinjtë u mveshnë me petkat e shënjta dhe zunë lavdërimin për Mbren e Greqisë. Si u mbarua lavdërimi, Veqil Mitroploiti, del në der’e bukur me një kryq në dorë dhe thotë: “Vëllezër, mbledhje e sotme këtu në kishë, është mbledhje vajtimi. Këtë kryq të cilën kemi kaqë shekuj që po e mprojmë, sot me dashjen e Fuqive të Mbëdha, po na e hedhim poshtë, po na e ç’nderojnë, duke dhënë nder duart e Shqipëtarëve barbare!
Në këtë mbledhje të vajtishim, dua ty pyes për herën e fundit, cilën nga të dyja do të zgjithni, vdekjen apo rojtjen? Të gjithë thirrë rojtjen! Ahere në duam të rojmë me nder, në duam që të mos ç’nderohen fëmija jonë, në duam që këtë kryq që e kemi mbajtur gjer më sot me nder dhe i cili na ka shpëtuar nga shumë rrëzike në duart’e Turkut dhe të cilën do ta kemi mbrojtës kurdoherë, duhet të marrim armët ndër duar dhe të mos të jepemi ndër duart e barbarëve…!
Mos u dëshpëroni, se Krishti është me ne. Të gjithë thirrë, do të vdesim me armë ndër duar dhe nder Shqiptarët nuku jepemi”! Ahere sot është dit’e Kryengritjes, sot dekllarojmë Autonomin’e viseve që u gjykuan nga fuqt’e pa mëshirëshmet dhe ja dhanë Shqipërisë…!
Rroftë flamur’i Autonomisë!
Dhe n’zori flamurin e Autonomisë, që e kishin ngreur në tribunë të shenjtë.
Të gjithë thirë, ‘rroftë”!
Veqil Mitropoliti, qe nga viset e Shqipërisë nga fshati Hlomo Kaza Gjinokastrë.
Sa Veqil’i besës, sa Veqil i Krishtit, ashtu të thotë Krishti or judhe? Merr Kryqin dhe deklaro kryengritje brënda në Kishë! Vrasje, therje, ç’nderime grash, e mijëra të liga të tjera. Mjerë popull’i paditur që i iqni si arinë me allkë ndër undë dhe se kanë kupëtuar edhe që t’ua rrëmbejnë atë kryq që mbani në dorë dhe t’ua thyenj pas kokë, se atë kryq që mbani ju, nuku është i Krishtit po i shejtanit. Gjer kur or popull i ngratë, do të përmendi nga ky gjymë i thellë? Dhe të shpëtoni nga këta korba, që u kanë ipnotisur dhe zdini seç bëni dhe ju bënë vegla, për të mbaruar dëshirat e tyre djallëzore.
Po mejtoni, për cilin’i muart ato armë ndër duar? Kundër Kujt? Kundra mëmës tuaj, kundra atdheut dashur, kundra Shqipërisë…! Zgjojuni sa më shpejt, pendojuni se mallëkim’i mëmës tuaj, do t’u zërë. Buza tuaj nuku do tu qeshnjë, ndërgjegja tuaj nuku do tu lerë të qetë, hija e mëmës tuaj, do t’u ç’faqet kurdoherë, kudo që të ini, nga do që të vini e ç’veshur, me lot ndër sy dhe do t’u thotë; përse ju djemt e mi, me katandistë në këtë shkallë? Nuku jam nënja tuaj? Ajdeni prapë në gjir’im, se jam nënja tuaj, ini djemt e mi, prapë u dua më dhimbet për ju, se u kam ritur.
Cila zemër do të jetë ajo kur do të mësonjë ngjarjet e Shqipërisë dhe shkakëtarët e mjerimeve të jenë vetë Shqipëtarët, e të mos copëtohet? Besonj që dhe armiqtë tanë, do të derdhin no një lot mëshirë.
A, or fat ynë! A o Zot! Kur e ndinje që neve Shqiptarët do ta nzinim historinë, përse të na nzirnje fare në botë? E nuku na linje në herësirën Plutoniane….?!
Pas si mbaroj fjalën Veqil Dhespoti, muar fjalën këta zotërinj: Llambro Dhonato, Pappa Vasil, Vasil Dhaskali, Mihallaq Kriqe. Subjekti i tyre që gjithë ay Veqil Mitropolitit. Me të mbaruar fjalët, të gjithë duall jashtë, me flamurin e Autonomisë.
Qeveria Greke, e cila e dintej seç do të ngjistej, kish dërguar policën, me ushtarë të rregullshme sfungjitarë dhe kishin zënë portat e kishës, që të mos t’i linin gjoja të dilnin Kryengritësit.
Kryengritësit pasi u vunë me radhë nga katër e nga katër, në krye qindroj Veqil Mitropoliti, dhe u sulë që të dilnin jashtë nga porta. Policia Greke, ju thotë, qindroni. Ata qindruan, policia pyet Veqil; ku vini? Veqili ju përgjeq; puna tonë është se ku vemi. Policia u thotë; kemi urdhër nga qeveria e Athinës, që të most ë bëni nonjë lëvizje të tillë, po të përndahi. Veqili kthehet nga populli dhe u thotë; vëllezër, policia na urdhëron që të përndahemi, ju ç’thoni?
Të gjithë me një zë thirrë; vdesim këtu dhe nuku përndahemi, po përpara! Përpara! Zun’e po shtytnin njeri tjatërin, policia me ushtarët dhe me qeveritarë, po mundoheshin të varfërit që t’i ndalonin, po nuku muntën! Se kryengritësit u dhanë nga një të shtymë dhe i hodhë m’u në vijë ku shkontej ujët. Unë që ndodhesha atje, më erdhi keq se u vranë të mjerët…!
Po, or dinakë me këto djallëzi, doni t’i mbuloni dinakëritë tuaj? A mbulonen kurrë qiejtë më pilaf? Kurrë! Ju po të donit me të vërtetë ta ndallonit kryengritjen, jo me sfungji të vinit, po me nga një shufre në dorë. Popull’i mjerë, nukë tundej nga vendi, po ju i ngrit or barbarë, ju me pahir.
Kështu pra kryengritësit, duall faqëbardhë se poshtëruan qeverinë Greke. Zyrtarët e qeverisë Greke, si e panë pisk nga kryengritësit, u përndanë. Kryengritësit duall jashtë, u mblodhë dhe të tjerët që kishin rrethuar qytetin, u bashkuan të gjithë tok, dhe zunë të sheshtinin rrugat e qytetit, duke kënduar këngë Gërqisht (mavr’i nikta sta vuna!) dhe duke thirrur; poshtë Shqipëria……!
Grekërit i shikonin këto gjëra për së largu dhe u gëzonej shpirti, se u vunë frenë kafshëve dhe po i lonin si të donin.Pasi mbaruan së shetituri, u mbledh prapë në Mitropoli dhe ngrinë flamurin e Autonomisë, se në gjykatore ishtej zyrtarisht flamuri Greqisë, dhe nuk’ju jeptej dorë Grekërve, që ta ngrenin në gjykatore, se ahere dukej faqeza bashkim’i Greqisë me kryengritësit.
Me të mbaruar kjo komedi, Veqil Mitropoliti, ju tha kryengritësve që të përndahen dhe me të nesërmen, të mblidheshin prapë në Mitropoli. Si u përndanë kryengritësit, u mblodhë në Mitropoli (ethniqi amina), në këtë mbledhje mori pjesë dhe qeveritari Grek, Z. Dasho. Qëllimi i kësaj mbledhje, që për të zgjedhur një guvernë Autonome dhe u zgjodhë këta: Qeveritar Veqil Dhespoti! Sekretar, Dhamë Prtheni, arkëtar, Qako Gerxhe, policë, Mihallaq Kriqe, sekretar i policies, Illi Apostoli, gjithëkështu u zgjodhë dhe kujdestar të ngrënjeve, këta; Kryetar Manthno Nana, sekretar, Lipe Hristidhi; ndihmës, Dhjonis Jani dhe Ngjeli Sofroni.
Gjithëkështu, u zgjodhë dhe nga viset e tjera, Gjinokastër, Delvinë, Tepelenë dhe Leskovik, se Korça ato dit u dha zyrtarisht ndër Shqipëtarët dhe nuku aritnë të bënin Kryengritjen. Kryetarët e ushtrive, më të gjitha viset qenë këta:
Gjinokastër……… Kolloneli Grek, Dhuli.
Delvinë……… Oficeri Grek, Joanidhi.
Përmet………. Kolloneli Grek, Mavroidhi
Tepelenë……… Kolloneli Grek, Zirra.
Leskovik……… Kolloneli Grek, Leondokanaki.
Të diel mbrëma 15 Shkurt 1914, ardhi një telegram nga Janina guvernës Autonome, ku ju thoshtej që të Hënën, të pritni 500 ushtarë Grekër (lipotakte) me 10 oficerë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016