Nga Dr. Nikoll Loka
Pjesa e njëzeteshtatë
“PRENGË BIBË DODA, DRITËHIJET E NJË BURRËSHTETASI”
Memorie.al / Libri më i ri “Prengë Bibë Doda, një fenomen në jetën politike shqiptare”, i studiuesit Nikollë Loka, jo vetëm zgjeron fushën e studimeve historike mbi Mirditën, Derën e Gjonmarkajve dhe figurën e Princit mirditor, Prengë Bibë Doda, por është edhe një kontribut, në historiografinë kombëtare. Lënda shumë e pasur arkivore, literatura e shfrytëzuar apo e konsultuar, gojëdhënat etj, e bëjnë këtë libër, një thesar të vërtetë studimor, duke i dhënë shkencës së historisë një monografi shkencore, që pasuron njohuritë tona mbi Mirditën, kapedanët e saj, traditën, historinë etj. Të studiosh një figurë sa të rëndësishme dhe komplekse, siç është figura e Prengë Bibë Dodës, është përgjegjësi e lartë shkencore që, jo çdokush e merr përsipër. Nikollë Loka, ka bërë një punë të madhe hulumtuese dhe trajtim prej studiuesi profesionist, duke na e dhënë portretin e Princit dhe gjeneralit mirditor, me konturet e vërteta. Dr. Loka, i është përmbajtur fund e krye hapësirës dhe kohës, në të cilën janë zhvilluar ngjarjet shumëdimensionale dhe protagonistët e tyre.
MONOGRAFIA “PRENGË BIBË DODA, NJË FENOMEN NË JETËN POLITIKE SHQIPTARE”, NJË STUDIM SHKENCOR ME VLERË QË PASURON FONDIN E STUDIMEVE TONA HISTORIKE
(Nga Mr. Sc. Murat Ajvazi, mars 2017, Zvicër)
Princi Bibë Doda, kishte mbledhur në Shkodër kryetarët e Kosovës, Elbasanit, Tiranës, Toskërisë dhe Shkodrës për të diskutuar në lidhje me qeverinë. (578) Për shkak të pengesave nga ana e ndërkombëtarëve, në Shkodër nuk u arrit të merren vendime për çështjen në fjalë. Në ato përpjekje që shqiptarët po bënin për të mbijetuar nga lufta, organizohet në Elbasan mbajtja e një Kongresi Kombëtar. Ahmet Zogu, që ishte kryetar i Komitetit Organizator, e fton me emër Prengë Bibë Dodën që së bashku me dy delegatët nga Mirdita, të merrnin pjesë në këtë Kongres, që do të mbahej në Elbasan me 5-18 mars 1916. (579)
Letra
Shk. Tija Prenk Bibdodë Pashës
Shkodër
Marrim nderin me ju lajmrue se u vendos me u mbledhë këtu në Elbasan, më 5/18 Mars, nji Kongres Kombëtar për me bisedue mi punët e Shqipniës.
Lutem urdhëroni e na nderoni, me dy delegatë nga Mirdita.
Elbasan 3 mars 1916
Kryetari i Komisionit
Ahmet Muhtar Zogolli. (580)
Nuk dihen arsyet e mospjesëmarrjes së Prengës në atë Kongres, sidoqoftë, ai e kishte vlerësuar ftesën dhe kishte caktuar si përfaqësues në atë vend të tij, Nikoll Ivanaj.(581)
Shkresa Përfaqësimi
Fort i dashtun Zotni Ivanai
Unë s’kam muit me shkue në Mirdit, për do sebebe çi asht desht me i spjegue, për kët sebeb s’munem me temnue veçilin e Merditës, por po t’emnoi veçilim t’em, çi për gjith shkah t’jet e mira e Shkypnis e, hairi i vatanit, ke me fol m’emnit em, se e gnof atdhenin e zi, atë e di çi veç pun ndere, del prej teje.
Shnette shum e shum e te m’dish si gjithmon.
Më 2/15 Mars 1916
Miku yt i vietri, P. Bibdoda (582)
Mbarimi i Luftës së Parë Botërore, me fitoren e fuqive të Antantës, solli sërishmi pushtues të huaj për Shqipërinë. Edhe pse e kishte fituar pavarësinë më 1912 dhe i ishte njohur me akt kolegjial prej Fuqive të Mëdha, më 29 korrik 1913, shtetet fituese të luftës, e ndanë Shqipërinë në 4 zona të ndryshme pushtimi. Nuk ka pasur tjetër vend me një territor kaq të vogël, që të jetë ndarë atëherë midis fuqive kaq të shumta. (583)
Shkodra u internacionalizua prej detashmenteve franceze, britanike dhe italiane, nën komandën e kolonelit francez De Furto. (584)
Ndërkohë, Prengë Bibë Doda, vazhdon projektin e krijimit të një qeverie gjithëkombëtare. Për këtë qëllim, ai donte të mbante një kongres në Shkodër, por komandanti i ushtrive aleate, francezi B. Furto, nuk e lejoi mbajtjen e tij. Kjo mbledhje u arrit të bëhej në Lezhë, më 9 dhjetor 1918 dhe në të merrnin pjesë; Prengë Bibë Doda, Fejzi Alizoti, Luigj Gurakuqi dhe Avni Dabulla, por mbasi nuk pati pjesëmarrjen e dëshiruar, u vendos që kongresi të mbahej në Durrës. (585)
Zëvendëskryeministër i Qeverisë së Durrësit
Në një mbledhje që u bë në Tiranë nga patriotët shqiptarë pas tërheqjes austriake dhe pushtimit të vendit nga ushtria italiane, u bisedua gjerë e gjatë nevoja e domosdoshme për mbledhjen e një kongresi, për të biseduar e vendosur drejtimet e politikës kombëtare. Me gjithë kundërshtimin e italianëve,u vendos të zgjidhet jo një Komitet, por Qeveri. Ai kongres u mbajt në Durrës. Në librin “Dokumente historike 1912-1918” të Lef Nosit, shkruhet: “Sekretari z. Sif Nosi, këndoi urdhrin e ditës që vijon, paraqitun prej Namik Bej Delvinës e Riza Danit, mbi formimin e nji Qeverie të Përkohshme:
“Delegatët e të gjithë visevet të Shqypniës, të mbledhun në qytet të Durrësit, në Mbledhje Kombëtare të Përgjithshme:
“Tye pasun besim të plotë mbi diftimet e bamuna prej Qeverivet të Mëdha të Marrëveshjes, mbi mbrojtjen e të drejtave të kombevet të vegjël;
“Tye u-themeluem sidomos mbi vendimin e Konferencës së Londrës 1912-1913, qi njohu e prokllamoi nji Shqipnië të lirë e të pa-varme, me formën shtatore të caktueme prej saj; z. z. Mehmet Bej Konica e Myfid Bej Libohova, mbi nevojën e krijimit të nji organi kombëtare; vendojnë me zana të plota, themelimin e nji Qeverrie të Përkohshme, për me u bamum ballë nevojavet të sotme t’Atdheut.
“Për kryetar të kësaj qeverie, zgjidhet Shkëlqesia e Tij Turhan Pasha, e për nënkryetar, Shkëlqesia e Tij Prenk Bib-Dodë Pasha e për anëtarë, zgjidhen z. z. Sami Bej Vrioni, Emzot Luigj Bumçi, Myhid Bej Libohova. Dr. M. Turtulli, Mehmet Bej Konica, Luigj Gurakuqi, Mit’hat Bej Frashëri, Lef Nosi, Fejzi Alizoti, Mehdi Bej Frashëri, Pjetër Poga, Mustafa Kruja. Nga këto pjesëtarë, disa do të mbronin drejtat e Shqypniës etnografike, në Konferencën e Paqes, e të tjerët do të mbeten në veprim përbrenda”. (586)
Delegatët e qeverisë së Durrësit, kërkuan rishikim të kufijve të vitit 1913 që; Prizreni, Gjakova, Peja, Prishtina, Mitrovica, Shkupi, Tetova dhe Dibra, të përfshiheshin në shtetin shqiptar. (587)
Qeveria u nda më dysh: delegatët e jashtëm për në Konferencën e Paqes, të kryesuar prej Turhan Pashës, me anëtarë Imzot Bumçin, Mehmet Konicën, dr. Turtullin, Luigj Gurakuqin e ku më vonë aderoi edhe Mehdi Frashëri. Në këtë delegacion, Pater Gjergj Fishta, merrte pjesë si ekspert. Delegatët e tjerë, merreshin me punët e brendshme të Shqipërisë. Prengë Bibë Doda, si zëvendëskryeministër, kishte përgjegjësinë e drejtimit të vendit. (588)
Qeveria e Durrësit, kishte shumë elementë pro italianë në përbërjen e saj. Nga delegatët e brendshëm: Myfit Libohova, Fejzi Alizoti, Mehdi Frashëri, Sami Vrioni e Mustafa Kruja ishin për politikën italiane. Ndërsa Nënkryetari i Qeverisë, Prengë Pasha, ka qenë i pakënaqur nga italianët dhe italianët prej tij. Prengë Pasha, në fillim të vitit 1919, i dërgon një letër Mark Kapidanit, ku i thoshte: “Italianët, kanë ndërmend të dërgojnë një kompani ushtarësh në Orosh, për të sominuar Mirditën”. Më vonë u muar vesh se kjo letër, kishte rënë në duart e italianëve … Kjo gjë, përveç arsyet të tjera, ka shtuar zemërimin e italianëve kundër Prengë Pashës, gjë që përfundon me komplotin e vrasjes së tij, me 22 mars 1919. (589)
Në mars të vitit 1919, Salih Vuçiterni, inspektor i Arsimit në Mat dhe mik personal i Zogut, vjen në Durrës, ku e gjeti Prengë Bibë Dodën, shumë të mërzitur. Pasha i propozoi Sali Vuçiternit, që të shkonin së bashku në Mirditë, për bashkëpunim, në qoftë se do ta donte nevoja. Sali Vuçiterni nga fjalët e Pashës, e kishte kuptuar se ai kishte pasur ndërmend të zhvillonte një aktivitet kundra italianëve. (590)
Vrasja e Prengë Bibë Dodës
Në luftën Ballkanike, Shkodra zbrazet prej ushtrisë turke dhe merret në dorëzim nga fuqitë ndërkombëtare, në pranverën e vitit 1913. Në atë kohë në Lezhë, emërohet si nënprefekt Gjeto Coku, një prej parive të Bregut të Matës. Prengë Kolë Brunga, prej Blinishtit të Mirditës, i lutet Prengë Pashës, t’i gjente një punë të përshtatshme. Prenga, me një letër rekomandimi, e dërgon te Gjeto Coku, i cili e emëron xhandar në Shëngjin.
Prengë Kolë Brunga, bën një faj e si dënim, i merret pushka prej post-komandantit Pjetër Lleshi. Pas kësaj ngjarje, ai e quan veten të koritur dhe nën ndikimin e zakonit, për të larë shtrenjtë turpin që iu bë, e vret nënprefektin. Familja e Gjeto Cokut, këtë vrasje ia vesh Prengë Pashës, mbasi vrasësi kishte qenë i rekomanduar prej tij, kurse Prengë Pasha, s’ka pasur as më të voglën dijeni, për çfarë do të ndodhte. Me 22 mars 1919, Prengë Bibë Doda, në fillim kishte dashur të udhëtonte për në Shëngjin, me anë të detit. Sa herë që dilte në Shëngjin, zakonisht shoqërohej prej malësorëve të Shkrelit, që banonin në rrethet e Shëngjinit, të cilët e përcillnin Pashën deri përtej Drinit. Atë ditë, me 22 mars, Komanda italiane, thërret në mëngjes Sadri Zekën prej Shkreli, banues në Shëngjin. Kur ky paraqitet në Komandë, i thonë që të vinte pasdite, me qëllim që ta pengonin, t’i dilte përpara Prengë Pashës.
Kur Sadriu shkoi në pijetore, për të pritur kohën që të paraqitej në zyrë, Prengë Gjeto Coku, i biri i Gjeto Cokut të vrarë, vjen në pijetore…! Ndërkohë, aty vjen edhe komandanti Italian, që e njofton se Pasha ishte nisur për tokë. Prengë Gjeto Coku, niset menjëherë në vendin e pritës, për t’i dalë përpara Pashës. Sadri Zeka, menjëherë lajmëron Mano Begun, kryetarin e Bashkisë, i cili telefonon në Shkodër, për një veturë, për ta nisur Sadri Zekën që ta priste Zëvendëskryeministrin, por kur vetura mbërriti, puna ishte kryer. (591)
Kur kalojnë urën mbi lumin Mat, vetura qëllohet nga prita. Prenga ngrihet në këmbë dhe bërtet: “Më vritni mue, e mos qitni mbi të huajt, se asht kundra zakonit tonë”. Në veturë ndodhej edhe ndihmës konsulli anglez. Me Prengën, u vranë edhe Zef Ugashi, Ndoc Bardhi dhe Nexhipi. U plagos ndihmës konsulli anglez Eden dhe Hamëz Koçi, prej Shkodre.
Vrasja jepet me hollësi në një artikull të gazetës “Populli”:
Me 23, ditë t’marcit, ka shtatë sahati, ndërmjet Spitenit dhe Zejmenit, ndolli vrasa e shëmtueme e Shëndetësisë së Tij, Prengë Bibëdodë Pashës, tue ardhë prej Qeveris t’Durrcit. Karabiniert e Itales, mbas lajmit që u kje dhanë, atë natë shkuan e barte trupin e Prengë Pashës, t’Zef Ugashit, t’Ndoc Bardhit e t’Nexhipit e t’shituemin, Vice-Korcullën e Inglizit, e Hamz Koçin prej Shkodre, e me automobile i çuene n’Lesh. Gjindja qi nganë n’poterë t’pushkëve, Prengë Pashën e gjetne ene pa marue, veç fjalë s’mund epte, edhe s’ngiati e diq. Zef Ugashin, e gjetne t’forte e me gojë, e ma se nji sahat ka rrnue, por pa i dynun prej andej edhe ai maroi. Dy tjetër i kanë gjet t’dekun. Të hanen me 24, kjo ploimë u përhap në katër anët. Ali Fehmi Begu, Prefekt i Krahinave t’Shkodrës e Nënprefekti i Lezhës, Zef Shantoja, dërguene letrat për Mirditë, për me lajmue Derën e Gjomarkajve, për këtë ndodhi t’vajtueshme, e n’shumë vende tjera.
T’marten, ia mrrini prej Durrcit, nji kushri i Prengë Pashës, Kapidan Marku i Gjonit. S’bashku me të erdhën edhe z. Fejzi Bej Alizoti, Ministrë i Financave, çue prej Qeveris s’Durrcit e Kolonel Lodi prej anës s’Komandës Rregjnore Italiane n’Durrcë. Kapidanat e Mirditës, ia mrrinë n’Lesh t’mërkurrën, me 26 n’agim t’dritës, me 50 vetë prei Mirdite, të cillët e panë Princin e vet t’përgjakun e t’shëmtue prej njerëzish, që patne briët n’kupë t’qiellës se jena shqyptarë, por kët emën, e paskan bajtun kot, se burri veç për fjalë t’shekullit, se ban kët ploimë, t’u e ditë se kush ia vrau t’anë, e se pse. Atëbotë, Kapidanat ene Mirdita, e pane me zemër t’plasme, se mirfilli paska prenue nji yll i Derës s’Gjo Markut. Me 8 sahati frangjisht, ia mrrini prej Barbullushi, Gjenerali i Itales, De Negri.
Masi u renduene ushtria e oficerat n’rreshtim nderimi, e mirditasit i bajnë trupat; filloi daullja e Itales, vajin për Princin e Mirditës, e tu u sjellë rrotull Lezhës, kur mbrritën te kisha e Shën Nkollit, pranë mëkamet e vajtueshme.
N’fushë të kishës ishte gatue lteri, para tij, rreshtue trupin e Prengë Pashës e t’Zef Ugashit. Trupi i Ndoc Bardhit, kje nisë për Mirditë qysh përpara, e i Nexhipit, çue me automobile. Afër trupave t’rreshtue, rrishin Kapidanat e, Mirdita rrotull ktyne. Oficerat e ushtria italiane. Vendi tjetër ishte mbushë me njeri.
Meshën e dha Dom Nikoll Kimza, Mkamtari i Ipeshkëvis s’Lezhës, tu i nimue At Severin Lushaj, famullitari i këtij qyteti. Ku sot 452 vjet, iu dha mesha e dritës ma t’madhit shqyptar, Skënderbegut, m’at kishë e m’at truell, ju dha dhe Preng Bibë Dodës, Princit t’Mirditës. Mbas meshet bani nji bisedë t’flakët e t’shtëngueshme, zoti Fejzi Bej Alizoti. N’e mram, edhe trupin e Preng Pashës dhe të Zef Ugashit, i çitën n’automobil, tuj u dhanë Kapidanave e mirditasve, automobile të posaçëm e u nisne për Shkodër, ku mrrinë kah 11 sahati frangjisht.
Si kaluene Urën e Bahçallëkut, Shkodra e diftoi se kush kishte kenë Prengë Bibë Doda, se m’rrugë e m’i rrugë, vlojte njeri i panjhshëm, t’u i kallxue me nji heshtim t’përvajshëm se ç’zii e mnershme, i kish ra të gjithë vendit marë. Kjo mori popullit, s’u nda kurkund e, shum ma tepër u shtuen kur sosen n’Saraje t’Pashës, kullot, e valë e brimë, përshkoi e their zemrat e Shkodrës, sikur plumet kishin përshkue, ther zemrat e atyne tre trupave, qi m’at sahat hijnë aty t’dekun.
Vrasja e Preng Bibë Dodës, asht nji dam i madh fort për Shqypni, tue e pas dashtë si vogjlia, si paria e, gjithë komit t’ynë. E njimend, sa fjalë e punë kishte Shqypnia, për t’mkamun e përparim t’vetin, pa ju pranue Preng Bibë Dodës, as s’u fillote e as s’u marote. E fjala e tij n’popull, ishte nji urdhën qi pak kush e thete, se kur folte përnjimend, gja për dije s’i shkojte, e pranej populli e nigjojte. Aristokracia ase Paria Shqyptare, dijen e tij e t’rrafmen me shekull, si mbrendë si jashtë, gjith nduersh e kish provue e pikërisht, për kë arsye prej Tij, si në punë t’vshtira, nerreshin gjithherë drejtime kshillimit. E sot, ke i njeri kaq i nevojshëm, as vogjlia as Paria Shqypatre, ma nuk ka.
Vrasë rrëngçare edhe asht për Shqypni, prej t’përpjekunash qi komi ynë ka me komb e Mretni si t’afra si t’largta, se të gjitha e kan pas njoftun. E pranej anmiqt e Shqypnisë shumë mirë e dijshin se në gjygje e t’parruga Preng Bibë Doda muite me u kundërshtue, sidomos me miç t’fort qi kishte pas e sot edhe i kishte. Ndër ma t’parat miç qi pat di njifet Franca. E njimend kjo Mretni fisnike, prej ma t’shumëve leqe e rreziqe, qi anmiqtë i ngrehne për me e hupë, qysh se kje i vogël e pruejti dhe e pshtoi, e për me i diftue se do t’i dilte zot gjithherë, Mret Napoleoni III, n’vjetë 1868, dërgoi veçilin e vet, Korculën e Francës për ta maitë në krezmim. Me kujdesin e Korculit të Francës, Gabrielit Aubaret, e për shej t’kumarisë e t’porositmit t’Napoleonit, i çoi famullit t’vet, shpatën e florinit qi Preng Pasha e ka.
Miku i dytë i Preng Bibdodës, kji Ingliterra, Mreti i së cillës, Eduardi VII, n’vjetë 1904, fort u përkujdes për të. E njimend, tuj u marr vesht Eduardi me Sulltanin, Abdyl Hamiti, e xuer prej Kastamunit dhe e pruni n’Stamoll, prej t’cillit Kryeqytet s’ngiati e, ja mrrini n’Shqypni. I treti mik i Tij, kje Italia, se mreti i saj, Viktor Emanueli III, tu e njoft Preng Bibdodën, se përnjimend ishte shejtuar n’të gjithë fiset e Shqypnis, e priti si nji Princ Europet, e u përkujdesue ndër t’pvetuna tu i dhan besën e, për pajtim t’shpis vet, e për dobi t’Shqypnis marë, tue e nderue dhe n’vjetë 1914, me nishanin “Il Grand Cordone della Corona d’Italia.
E sod Shqypnia, kët njeri kaq t’njohun e t’nderue e, me miç kaq t’fortë, mjerisht s’e ka. Prengë Pasha maroi, por emni i tij, jeton e vjetë e kohë kan për t’kalue e, nuk do të harrohet. Me dekën e Tij, ora e Shpis Gjomarkut, dekë nuk ka, se sikur prej kësaj Dere fisnike, kanë dalë njerëz të përmendun në histori, qi m’vjetë 1511, edhe sod e mbrapa, dielli i sa ka me shnritun nëpër fise t’Shqypatrve.
Ta din pra Shqypnia e gjithkush, Preng Pashën e desht, miqtë qi e nderuen e për të u përkujdesën, se Dera e Gjomarkut, as me Preng Bibëdodën, nuk ka fillue, as me dek tij, s’ka me marue. (592)
“Muneella” (pseudonimi i Dom Nikollë Kimzës).
Ndërkohë në muret e Shkodrës, ishte vënë ky njoftim:
“Në kohën kur Shqypnia ma fort se kurrë, ndjen nevojën për njerëz të mëdhenj, të përmendun e dijetarë, për me përba lidhnin vëllaznore, gjind mizorë e të pashpirtë e, të pa ndisi komtare, trathtisht këputën jetën e të ndritshmit Prengë Bibë Doda, Princit të Mirditës, i cili fuqinë e vet, e përdori gjith herë me butësi, tuj u ba ndërmjetës për pajtime gjaqeshe e anmiqsish,
e Shkodra përmi gjith tjera, ndër kohë t’vshtira t’vetat e ndjeu mirësinë e tij.
Masi asht i njoftun prej të gjithë gjytetsave, për mos me e çue për gjithë derë, po epet ky lajm i përgjithshëm gjytetsave, si kristian si muhamedan, se nesër në orën tetë paradite, trupi i Tij ka me u përcjellë te vorri, Shpia e Shëmtueme e tija.
Shkodër 25 mars 1919. (593)
Prengë Bibë Doda, u varros me nderime të mëdha në Fushë të Rrmajit në Shkodër. Vrasja e tij, tronditi Shqipërinë. Mirdita humbi birin e saj më të shquar dhe u mbeti për një kohë të gjatë jetime, për një burrë të atyre përmasave. Asnjë mirditor tjetër, nuk mundi të sillet ai me të mëdhenjtë e vendit. Ai ishte i barabartë në mes tyre dhe vetëm vdekja e ndaloi…!
Nderimet
Princi Preng Bib Doda Pasha, mbante këto dekorata: Kordon i Madh i Mexhidies; Komandant i Osmanies nga Perandoria Osmane.
Komandant me Yll i Urdhrit Papnor të Shën Gregorit të Madh nga Vatikani.
Kordoni i Madh i Urdhërit të Kurorës së Italisë, nga Mbreti i Italisë.
Me dekret sulltanor, Prengë Bibë Dodë Pashës, i qe dhënë grada “Mirymerallëk”, një gradë e barabartë, me atë të Gjeneralit të Brigadës. (594) Memorie.al
- Populli, 14 prill 1915; Dielli, 27 prill 1915
- Lef Nosi, Dokumente historike 1912-1918, f. 251
- Lef Nosi, Dokumente historike 1912-1918,…f. 251
- Lef Nosi, Dokumente historike 1912-1918, … f.252
- Lef Nosi, Dokumente historike 1912-1918, ….f.252
- Muin Çami, “Studime historike”, v. 1978, nr. 4, f. 61.
- Blendis Kraja, Lëvizja arsimore-kulturore në Shkodër në vitet 1912-1920, -tezë doktorature, Tiranë 2013, f.42-43
- Sejfi Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri,… f.128
- Lef Nosi, Dokumente historike 1912-1918,…. f.291-292
- Dusan T.Batakovic, Qeveria serbe dhe Esad Pashë Toptani, Botimet IDK, Tiranë 2012,f.54
- Sejfi Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri, f.109
- Mehdi Frashëri, Kujtime, f.62
- Sejfi Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri, f.112
- Sej Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri, f.112
- Gazeta “Populli“,12 prill 1919
- AQSH, Fondi Prengë Bibë Doda, Dosja1, f.2
- 24 korrik 1876. Fondi Bibë Doda, dosja1,f.1
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016