Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, ku ndodhet dhe fondi personal, i ish-sekretarit të parë të Komitetit Qendror të PPSh-së, prej të cilave kemi shkëputur disa pjesë nga ditari i tij politik që i përket një periudhe kohore që nga fillimi i janarit të vitit 1979, e deri në shkurtin e 1982-it, ku në fokus të shënimeve të tij, janë ngjarjet e zhvilluara në Iran, ku forcat kryengritëse islamike të udhëhequra e të frymëzuara nga Ajatollah Kohmeini që arritën të rrëzonin nga froni Shahun Reza Phalevi, i cili duke pasur mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u detyrua që të largohej me avion nga vendi, duke mbërritur fillimisht në Kajro, ku u prit si mik personal nga Presidenti Janvar Sadat e gjithashtu, edhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zhehrar Ford, (që ndodhej ato ditë për vizitë në Egjypt), për t’u larguar më pas drejt SHBA-ës. Pas rrëzimit dhe kargimit nga vëndi të Shahut Reza Palehvi, në fund të janarit të vitit 1979, në Tehran mbërriti Ajatollah Kohmeini, udhëheqësi shpirtëror fetar i iranianëve shiit, që thuhej se drejtonte revolucionin për rrëzimin e dinastisë së Palehëveve, që nga Parisi, ku qëndronte prej vitesh. Si i ka përshkruar të gjitha ato ngjarje, në ditarin e tij politik, udhëheqësi i Shqipërisë komuniste, diktatori Enver Hoxha, i cili midis të tjerash shprehet: “Shahu, për t’u mbrojtur nga populli, kishte blerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një sasi të madhe armatimesh nga më modernet që kanë shitur këto jashtë, kishte krijuar një ushtri prej qindra mijë vetash, me të gjitha llojet e armëve, me avionë, me tanke, me mitraloza, me raketa nga më modernet, kishte ndërtuar shumë aerodrome. Të gjitha këto, bëheshin për të mbrojtur pasuritë e amerikanëve në Iran dhe pasuritë e shahut, si dhe për ta mbajtur popullin në mjerim. Natyrisht, një gjendje e tillë, nuk mund të vazhdonte tërë jetën, megjithëse ndihma materiale ushtarake e politike Shahut, i vinin nga të katër anët e botës. Përveç të tjerëve, edhe perandoria e re kineze, i hodhi trëndafila Shahut. Vetë Hua Kuo Feni, shkoi në Iran dhe me përzemërsinë më të madhe, bisedoi për një: “miqësi madhe e të shëndoshë”, me Shahun e Persisë dhe i uroi jetë të gjatë këtij furnizuesi të fuqishëm me naftë, të miqve të mëdhenj të Kinës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kapitalizmit botëror”.
Ditari politik i Enver Hoxhës
E MARTË 16 JANAR 1979
SHAHU U SHPORR NGA IRANI
-FITORE E MADHE HISTORIKE MBI MONARKINË-
Agjencitë e lajmeve njoftuan se Shahu Muhamed Reza Pahlevi, u shporr nga Irani. Froni i Monarkut feudal, i agjentit të imperializmit amerikan, u shemb nga kryengritja e madhe popullore e popullit iranian dhe e proletariatit të tij të naftës. Kjo është një fitore e madhe historike. Me këtë rast, shokut Ramiz Alia, i dhashë tezat për një artikulli në gazetën “Zëri i popullit”, ku të vihen pikat mbi i, të tregohet forca e popullit, forca e proletariatit në luftën kundër Monarkisë, kundër feudalizmit e imperializmit dhe për fitoren e demokracisë, fitore e cila duhet të shkojë deri në fund.
Populli, të theksohet, duhet të vazhdojë me këmbëngulje luftën, që, nëpërmjet reformave të thella, të arrijë fitore akoma më të mëdha. Natyrisht, që të arrihen këto do të duhet kohë, por lufta duhet të vazhdohet. Pavarësisht se kush e udhëhoqi këtë kryengritje popullore, duhet thënë se; ata janë elementë progresistë të borgjezisë, që janë hedhur në luftë kundër Monarkisë feudale brenda dhe kundër imperializmit amerikan, kundër kapitalizmit shfrytëzues të popullit iranian dhe se kjo kryengritje, ka në bazë popullin dhe proletariatin.
Në këto ngjarje partia marksiste-leniniste, nuk është faktor subjektiv, por, sigurisht, ka pjesën e vet, ndonëse akoma të dobët. Populli dhe proletariati duhet ta vazhdojnë luftën për reforma të gjera e të thella demokratike dhe për një vigjilencë të madhe kundër imperialistëve të ndryshëm, të cilët nuk do të heqin dorë nga planet e tyre djallëzore kundrejt Iranit dhe me gjithfarë intrigash e njerëz të ndryshëm ata do të përpiqen të manovrojnë me forma të reja për ta mbajtur kurdoherë nën zgjedhë këtë vend e për ta shfrytëzuar përsëri atë dhe pasuritë e tij.
Proletariati dhe populli iranian duhet të jenë vigjilentë si ndaj imperializmit amerikan, anglez, francez, ashtu edhe ndaj social-imperializmit sovjetik, sepse atje partia “Tudeh”, sigurisht, do të gjallërohet dhe do ta mbështetë Bashkimin Sovjetik në infiltrimin e Influencës së tij në Iran. Shtetet e Bashkuara po ashtu do të kthejnë fletë dhe do të përpiqen të gjejnë në Iran, në mos Baftjarin, një tjetër si ky, që të vijë në fuqi me një qeveri “demokratike”.
E ENJTE 18 JANAR 1979
FITORE E MADHE HISTORIKE E POPULLIT IRANIAN
Në gazetën “Zëri i popullit”, nesër do të botohet artikulli me titull: “Fitore e madhe historike e popullit Iranian”, me të cilin ne përshëndetim largimin e Shahut nga Irani si rezultat i kryengritjes së popullit Iranian, kundër monarkisë feudale të Pahlevëve.
E MËRKURE 24 JANAR 1979
KINA HESHT PER NGJARJET NE IRAN
Në Iran vazhdon kryengritja. Masat e gjera të popullit po i zgjerojnë më tej demonstratat në rrugët e Teheranit e të qyteteve të tjera. Gjithashtu, po vazhdon greva në fushat e naftës. Shahu u largua nga vendi, ose më mirë me thënë iu vu fshesa. Ai shkoi në Egjipt, në Asuan, ku pati kontakte dhe bisedime të gjata, bile pesëditëshe me Sadatin. Sadati ardhjen e Shahut, nuk e konsideroi si një ndërhyrje në punët e Iranit, sepse gjoja nuk e priti për të treguar se po e mbështeste, por si një mik personal, që kishte marrë anën e tij në luftën që Egjipti bënte kundër Izraelit.
Të gjitha këto janë përralla. Si për çudi “qëlloi” që po në këtë kohë, kur shahu ndodhej në Egjipt, mbërriti atje edhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Fordi, i cili gjoja edhe ai s’paskësh ardhur për shahun. Po “meqë u ndodh” atje, u nis për në Asuan, dhe atje, në hotelin e madh rezidencial, ku ndodheshin Sadati dhe Shahu, kokë më kokë, biseduan dy-tri ditë me radhë. Fordi iku. Thuhej se Shahu, pas qëndrimit prej pesë ditësh në Egjipt, do të kalonte në Mbretërinë sherifiane të Marokut, si mik i Hasanit II-të, dhe prej andej, do të shkonte në Shtetet e Bashkuara, ku do të kalonte gjoja pushimet e përkohshme.
Ardhja vërdallë e shahut në Egjipt, në rajonet afrikane, ndoshta më vonë vajtja edhe te mbreti i Jordanisë, përmban në vetvete njëfarë rreziku, por në një përqindje jo të madhe, për një ndërhyrje ose turbullirë brenda në Iran. Në Iran, situata është e tillë: qeveria e Baftjarit vazhdon të qëndrojë në këmbë dhe të Vetëquhet; qeveri konstitucionale. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e mbrojtën Shahun me sa mundën: më shumë se një herë vetë Karteri, foli në radio, por, kur pa se çdo gjë ishte e humbur, për sa i përket personit të Shahut, atëherë ato menduan se duhej të shpëtonin të ardhmen, dinastinë, që do ta kishin në shërbim të tyre.
Prandaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me presidentin e vet, e mbështetën fuqimisht e vazhdojnë ta mbështetin kryeministrin Baftjar. Manovra amerikane dhe e përkrahësve të Shahut, ishte që me ikjen e këtij të fundit, në Iran të krijohej regjenca, që u krijua, e cila mundësisht të qetësonte gjakrat dhe pas një kohe, pas disa ndryshimeve false, pas disa të drejtave false demokratike, që do të shpalleshin, të rikthehej në fuqi jo shahu, por djali i tij. Me fjalë të tjera, Shtetet e Bashkuara të Amerikës të riktheheshin të plotfuqishme në Iran dhe të ruanin koncesionet e mëdha të naftës. Baftjari e ka pasur dhe e ka çdo ditë e më të vështirë situatën, pra edhe atij po i vjen fundi.
Vala e madhe kryengritëse e popullit e ka mbyllur atë në pallatin presidencial dhe që andej, nëpërmjet Radios së Teheranit, kërcënon opinionin iranian, popullin, që, në rast se nuk vendosen qetësia dhe rregulli, atëherë do të japë dorëheqjen dhe do të njoftojë ushtrinë, e cila nuk është më e lidhur me betimin karshi pushtetit të regjencës dhe qeverisë që ka dalë nga kjo regjencë. Me fjalë të tjera, kërcënon se kasta ushtarake perandorake, mund të bëjë një puç ushtarak në Iran. Në fakt, ky kërcënim që i bëhet popullit iranian është një ekspedient për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat tentuan shumë veprime, por nuk u dolën.
Duhet të dimë se Shtetet e Bashkuara kanë në Iran një numër shumë të madh specialistësh e këshilltarësh ushtarakë dhe njerëz të tjerë të maskuar me petkun e specialistëve të naftës ose, të organizatorëve të shoqërive të ndryshme. Prandaj brenda në Iran, ekziston një forcë prej afro 40 mijë amerikanësh, pa sa për ato që thonë gazetat amerikane, se gjoja ikën një mijë, apo dy mijë amerikanë, këto s’janë gjë. Të vijmë tash te lideri mysliman i sektit shiit, Khomeini. Qëndrimi i këtij ka qenë dhe është kundër shahut të Iranit. Ai ka deklaruar se është kundër imperializmit amerikan dhe kundër çdo imperializmi tjetër, se ai të premten që vjen, domethënë pasnesër, do të kthehet në Iran dhe, me një konsensus të madh popullor, do të rrëzojë qeverinë e Baftjarit dhe këshillin regjencës dhe do të deklarojë krijimin e një republike islamike.
Pra Ajatollah Khomeini, duket se ka një mbështetje të madhe në Iran. Në fakt ai ka edhe një organizatë. Kjo do të thotë se borgjezia e madhe kapitaliste dhe feudale, këtë herë e shkëputur nga regjimi i Shahut, është e organizuar në një front kombëtar, por me tendenca të theksuara fetare. Khomeini, me anë të këtij organizimi, që ne nuk e dimë konkretisht si është dhe sa i fortë është, ka arritur të eliminojë pushtetin e çoroditur të Shahut dhe të Baftjarit dhe, sipas lajmeve, janë krijuar komitetet islamike, komitete të pushtetit, si me thënë, të cilat kanë marrë rolin e drejtuesit të jetës së vendit dhe të administratës, kurse ushtria, qëndron akoma në pritje.
Çfarë do të bëjë ajo me ardhjen e Khomeinit në Iran? Do të godasë, do të bëjë grusht shteti, apo do të vihet në shërbim të Ajatollah Khomeinit e të organizatës së tij islamike? Kjo duhet parë. Por ka mundësi që goditja të evitohet. Përse? Për arsye se imperializmi amerikan ka frikë nga një luftë civile në Iran. Një luftë civile në këtë vend, do të ishte në disfavorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të të gjitha fuqive të tjera imperialiste. Ajo do të ishte një zjarr tjetër i madh në pellgun e Lindjes së Mesme. Për këtë arsye, gjoja në mënyrë private, shkoi në Francë, ish-sekretari amerikan i Drejtësisë, Klark, i cili, pas një bisedimi mjaft të gjatë me Khomeinin, u kthye përnjëherë në Uashington. Pra Fordi, në njërën anë, ish-sekretari i Drejtësisë në anën tjetër. Siç duket e siç mendoj unë, teza që ushtria e Shahut t’i nënshtrohet Khomeinit, do të ketë më tepër posibilitet.
Shtetet e Bashkuara do të vënë në lëvizje njerëzit e vet, agjenturën e tyre të madhe në Iran dhe do të përpiqen të depërtojnë në organizimin shiit të Ajatollah Khomeinit; Shtetet e Bashkuara do të pranojnë, duke e këshilluar, çka do të vendosë Ajatollah Khomeini, i cili deklaroi që nga Parisi, se nuk do të formojë asnjë qeveri ku të marrin pjesë të majtët, komunistët, por vetëm element progresistë popullorë, që janë për reforma etj. Me fjalë të tjera, duket se Ajatollah Khomeini ka nën drejtimin e tij një parti mjaft të fortë e të organizuar, në ilegalitet, por që tash ka dalë në dritë dhe që mund të mos pranojë, sidomos në drejtimin e shtetit, elementët e partisë “Tudeh” që është nën influencën e sovjetikëve.
Partia “Tudeh” doli edhe ajo me deklarata e me pankarta dhe gjatë demonstratave nëpër rrugë tregoi se pranonte pikat e programit të Ajatollah Khomeinit e se do ta mbështeste atë në veprimtarinë e vet. Prandaj ka mundësi të kërkojë nga Ajatollah Khomeini që të marrë pjesë edhe ajo në pushtet. Do ta pranojë a nuk do ta pranojë Ajatollah Khomeini, natyrisht, këtë gjë do ta shikojmë më vonë, në jetë. Për sa u përket marksist-leninistëve, domethënë atyre që frymëzohen nga Partia Komuniste e Punëtorëve dhe e Fshatarëve, që njihet edhe me emrin “Tufan”, ose grupe të tjera rreth kësaj partie marksiste-leniniste, siç flasin agjencitë e lajmeve, dhe ata kanë dalë në demonstrata nëpër rrugë dhe parullat e tyre janë të drejta.
Ata e mbështetin kryengritjen popullore dhe kërkojnë që kjo të thellohet, që populli të luftojë për reforma të thella demokratike borgjeze, për likuidimin total, që nga themelitë, të regjimit monarkik fashist të Shahut dhe regjimi i ardhshëm të jetë një regjim me tipare të shëndosha demokratike. Ndaj kësaj revolte, kaq të fuqishme në Iran, e cila ka pasur dhe ka një reperkusion të madh në botë, Kina e Hua Kuo Fenit dhe e Ten Hsiao Pinit, qëndron memece, e ka mbyllur plotësisht gojën. Ajo as ka ç’të flasë, as nuk di ç’të flasë, sepse ka qenë haptazi në mbrojtje të shahinshahut të Iranit dhe kundër kryengritjes popullore.
Ne e dimë se Hua Kuo Feni, kur u kthye nga Beogradi, ndaloi në Teheran, ku u takua, bisedoi e hëngri bukë me Shahun e Iranit, në momentet kur në rrugët e Teheranit, bëheshin demonstratat madhështore të popullit, kundër të cilit lëshonin breshëri plumbash, mitralozat e gardës perandorake të Shahut.
Tash Kina e Hua Kuo Fenit, përgatitet të dërgojë Ten Hsiao Pinin në Uashington. Agjencitë e huaja dhe gazeta “Nju-Jork Tajms” në artikujt e tyre kryesorë, thonë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Karteri do t’i bëjnë Ten Hsiao Pinit, një pritje madhështore, po aq të madhe, sa ajo që i bënë Hrushovit. Do ta presin me lule dhe me letra, që do të hidhen nga grataçielet.
Prandaj Kina “s’ka kohë”, të flasë për luftën dhe për revoltën e popullit iranian!
E SHTUNE 27 JANAR 1979
NE IRAN, GJENDJA ËSHTË E KOMPLIKUAR
Në Iran gjendja vazhdon të jetë e turbullt dhe nuk po gjen akoma stabilitet. Ajatollah Khomeini, i cili deklaroi se të premten do të ndodhej medoemos në Iran, nuk e realizoi dot këtë vendim të tij, për arsye se qeveria e Baftjarit, i mbylli të gjitha aerodromet e vendit dhe deklaroi se të paktën për tri ditë Ajatollah Khomeini, nuk mund të kthehet në Iran. Pra, atje aerodromet kudo janë zaptuar nga ushtria dhe gjatë kësaj kohe, natyrisht, po bëhen kombinacione në mes qeverisë së Baftjarit dhe Shahut, i cili vjen rrotull në parqet e Mbretit të Marokut e thuhet se, do të rikthehet në Egjipt te miku i tij, Sadat.
Sekretari i Departamentit të Shtetit Amerikan, siç njoftojnë agjencitë e lajmeve, është kthyer në Uashington.
Të gjitha të dhënat tregojnë se veprimet e qeverisë së Baftjarit komandohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Baftjari deklaroi se brenda katër muajsh do të bëjë zgjedhjet legjislative për Asamblenë Kushtetuese dhe nga këto zgjedhje do të dalë nëse populli do të zgjedhë regjimin republikan apo monarkinë kushtetuese. Natyrisht, — thotë Baftjari, — atëherë do të vendoset nëse mund të falet e mund të vijë, ose mund të mos lejohet të vijë edhe Khomeini. Pra, gjatë gjithë kësaj periudhe do të luhen një mijë e një intriga. Për sa i përket Ajatollah Khomeinit, ky ka deklaruar që nesër, të dielën, do të niset me avion për në Teheran.
Si mund të zbresë ai atje kur aerodromet e Iranit, janë të mbushura me tanke? Duhet të pëlcasë lufta civile, domethënë përleshja në mes forcave ushtarake dhe popullit, sepse që t’i zaptojë aerodromet, populli duhet të mposhtë ushtrinë e Baftjarit. Vetëm kështu mund të kthehet Ajatollah Khomeini.
Mbetet një rrugë tjetër, ajo ilegale që është edhe e mundshme, por edhe e pamundshme. Nga ana e Arabisë Saudite, Ajatollah Khomeini, nuk mund të shkojë, sepse kjo nuk e lejon, mbasi është pro Shahut dhe sepse sa më shumë të vonohet vënia në lëvizje e puseve dhe e rafinerive të Abadanit, aq më mirë është për të.
Edhe për Irakun, po ashtu. Mbetet rruga sovjetike, por Ajatollah Khomeini ka deklaruar se s’është as me sovjetikët, as me amerikanët, prandaj vajtja në mënyrë ilegale e Ajatollah Khomeinit në Iran, do të jetë shenja e fillimit të një lufte civile. Në qoftë se Khomeini është i vendosur ta bëjë këtë, nuk do të veprojë keq, veç kjo nuk duhet bërë me anë të sovjetikëve.
Sidoqoftë revolucioni, duhet të ecë përpara dhe ta mposhtë gardën e armatosur ku mbështetet borgjezia imperiale e Shahut dhe CIA!
Çështja është mjaft e komplikuar. Është fakt se gjatë këtyre kohëve populli vazhdon të dalë nëpër rrugë e të demonstrojë kundër regjimit të shahut, kundër qeverisë së Baftjarit, kundër shtetrrethimit, kundër ushtrisë dhe po vritet. Çdo natë ka me dhjetëra të vrarë, lëvizje të mëdha ka në studentët e punëtorët, të cilët janë në grevë. Tash se si do të zhvillohet situata, do ta shohim, pse zhvillimi dhe rruga që do të marrin ngjarjet në Iran kanë një rëndësi të jashtëzakonshme në situatën aktuale ndërkombëtare.
E HËNE 12 SHKURT 1979
FITORE E RE E POPULLIT IRANIAN
U njoftua se qeveria iraniane e Shapur Baftjarit, që caktoi Shahu përpara se të dëbohej, si dhe regjenca që la pas, u rrëzuan. Kjo është një fitore e re e luftës së gjatë të, popullit Iranian, për likuidimin një herë e përgjithmonë të dinastisë së Pahlevëve dhe, në të njëjtën kohë, të influencës së imperializmit amerikan në këtë vend. Është njoftuar formimi i një qeverie të re. Gjendja është shumë e nderë, por revolucionare në të gjitha qytetet iraniane. Ka pasur përleshje të përgjakshme, me repartet policore e ushtarake besnike të Shahut.
E MARTE 13 SHKURT 1979
REVOLUCIONI I POPULLIT IRANIAN TRIUMFOI
Revolucioni popullor në Iran triumfoi, Monarkia feudale e Pahlevëve u rrëzua. Dje dha shpirt qeveria e shahut, e kryesuar nga Shapur Baftjari. Ra përdhe regjenca e vendosur për manovrime kundër popullit dhe e famshmja gardë imperiale u shpartallua. Po ashtu u shpartallua SAVAK-u, Sigurimi famëkeq i shahut. Ky është një triumf i madh i masave të gjera revolucionare popullore iraniane, të cilat me këmbëngulje, me trimëri, me vetëmohim luftuan vite me radhë dhe këta tre-katër muajt e fundit, i dhanë grushtin vendimtar Monarkisë së urryer fë shahut Muhamed Reza Pahlevi. Ky revolucion antifeudal e anti-imperialist i popullit Iranian, ka të theksuar frymën e mullahëve shiitë, me Ajatollah Khomeinin në krye, vazhduesin e Ajatollah Kashanit, i cili në kohën e Musadekut, ishte udhëheqësi i sektit shiit në Iran.
Nuk mund të mohohet fakti që këta kanë influencë, por kjo influence e tyre, sido që e veshur me petka gjoja demokratike, nuk është veçse rrjedhim i një filozofie idealiste retrograde, po aq mesjetare sa edhe ajo e regjimit monarkik. Tani koha ua do që nën këtë petk dhe nën këtë filozofi, të vendosin në Iran një të ashtuquajtur republikë islamike, e cila, në mos sot, nesër mund të forcojë bazat e një pushteti reaksionar dhe të vendosë lidhje, natyrisht të reja, në forma disi më të favorshme për Iranin, me imperializmin amerikan dhe me imperialistët e tjerë.
Në këtë lëvizje, ku vendimtare është forca e popullit, manovruan shiitët e Ajatollah Khomeinit, por kishte edhe forca të tjera. Partia “Tudeh”, që, nga sa dimë ne, është nën influencën e sovjetikëve, nuk qëndroi duarlidhur. Në këtë revolucion elementi përparimtar antiimperialist dhe marksistë-leninistët nuk mundën të ishin një forcë e madhe. Ata ishin akoma të paformuar si duhet, por gjatë këtij revolucioni mësuan si të luftojnë. Tash detyra e tyre është që të konsolidohen e të ngulin këmbë nëpërmjet masave të gjera të popullit që ky revolucion me karakter demokratiko-borgjez të ecë përpara dhe, pak nga pak, të largohet nga ideologjia idealiste shiite.
Pra të jenë ata të parët që të shpronësojnë pronat e feudalëve e të kapitalistëve, duke i bërë ato prona të të gjithë popullit, të kryejnë reformën agrare, por një reformë agrare jo sa për të thënë, por në interesin e fshatarëve të varfër e të mesëm të Iranit. Po ashtu ta thellojnë revolucionin, duke shtyrë përpara forcën e madhe revolucionare të proletariatit iranian, të punëtorëve të naftës dhe të sektorëve të tjerë të industrisë, sepse në Iran imperializmi amerikan ka investuar kapitale të mëdha, ka ndërtuar rafineri moderne, ka ndërtuar, gjithashtu, edhe uzina të tjera të ndryshme, ku punon një klasë punëtore e madhe në numër.
Pra përpjekja e marksistë-Ieninistëve, e revolucionarëve dhe e elementëve përparimtarë iranianë duhet të synojë që, pa u futur përnjëherë frontalisht në luftë me lëvizjen shiite, e cila, siç po duket, ka një influencë më të fortë në Iran, ta përballojë filozofinë idealiste të kësaj lëvizjeje, pse që tash shohim se këta fetarë kanë hyrë në veprim. Xhamitë atje po bëhen qendra kryesore indoktrinimi dhe Ajatollah Khomeini bën thirrje që populli, për çdo gjë, të vejë në xhami, ku, përveç udhëzimeve që jep vetë Khomeini, hoxhallarët do ta këshillojnë se ç’duhet të bëjë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016