NGA UVIL ZAJMI
Pjesa e dytë
Memorie.al / Ndonëse vitet dhe dekadat kalojnë, ende ka mister për Olimpiadën Botërore të Shahut, “Shkup ’72″. Shahistët tanë e bojkotuan këtë olimpiadë dhe arsyeja ishte se nuk donin të ndesheshin me Izraelin. Po çfarë ndodhi? Kur kishin mbetur edhe katër ture të fundit për t’u zhvilluar dhe pas një prezantimi befasues, madje tejet dinjitoz, shahistët shqiptarë, papritur u larguan duke e braktisur atë. Në numrin e kaluar, treguam se cilat ishin rrethanat “zyrtare” që u krijua ajo situatë dhe më pas arriti kulmin e tensionit prej kundërshtimit për të luajtur me Izraelin. Ra poshtë edhe propozimi i Komisionit të Apelit për një datë tjetër, shoqëruar kjo me paralajmërimin e ashpër të tyre, për skualifikim nga turneu të ekipit shqiptar.
Por a ishte vërtet ai refuzim motivi kryesor i atij kërcënimi apo gjithçka lidhet me mungesën e pjesëmarrjes në pritjen e dhënë nga Marshalli Tito, në njërën nga ditët e aktivitetit? Si e kujtojnë sot mjeshtërit Floran Vila, Vangjel Adhami, Fatos Muço dhe Aldo Zadrima, atmosferën, këmbënguljen e vendësve për të udhëtuar në Beograd, ankthi që i shoqëroi atë javë shahistët, urdhri i prerë nga Tirana, për t’u ndarë me Olimpiadën, pa e përfunduar atë.
REZULTATET E SHAHISTËVE SHQIPTARË, “SHKUP ‘72″
Ylvi Pustina (1935-2018), mjeshtër, pjesëmarrës në 4 olimpiada (1960, 1962, 1970, 1972), luajti në tavolinën e parë dhe në 17 ndeshje, mori 7.5 pikë (3F, 9B, 5H); Në tavolinën e dytë, mjeshtri Floran Vila, e dyta pjesëmarrje (“Ziegen ‘70”). Në 16 takime, grumbulloi 8 pikë (5F,6B, 5H); Vangjel Adhami, mjeshtër, në tavolinën e tretë, i dyti turne edhe për të. Në 14 takime arriti të marrë 8 pikë (5 fitore, 6 barazime, 3 humbje).
Në tavolinën e katërt, Fatos Muço, debutues në një turne të tillë: 11.5 pikë në 16 ndeshje (9 fitore, 5 barazime, 2 humbje). Mjeshtri Fatos Omari (1933-2011), olimpiada e katërt (1960, ‘62, ‘70, ‘72), si rezerva e parë, 1.5 pikë në 3 takime (1 fitore, 1 barazim, 1 humbje); Aldo Zadrima, rezerva e dytë, debutues, në katër ndeshje mori 2 pikë (4 barazime).
Në këtë olimpiadë ishin 134 Mjeshtra të Mëdhenj Ndërkombëtarë, kampionë bote, që luajtën në tavolinat e para, etj. Fitues u shpall BRSS-ja, (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike) që mori trofeun “Hamilton Resell”, emri i atij që e ideoi më 1927, e gjitha në flori. Hungaria e dyta, Jugosllavia e treta.
“JUGOSLLAVËT NUK MË BESONIN QË ISHA FIZIKAN”, MJESHTRI FLORIAN VILA: MARRËZI TË KOHËS, JA ÇFARË NA THOSHTE MEHDI BUSHATI
Mjeshtri Florian Vila, i rikthehet atij turneu me një përcaktim origjinal: “Katërshja e Shkupit, ka qenë dhe mbetet skuadra përfaqësuese më e mirë në historinë e shahut kombëtar”, shprehet ai.
Zoti Vila, cila ishte atmosfera në Shkup, atë shtator 1972?
Nisur nga informacioni i pakët dhe për rezultat e shkëlqyera që arritëm pas raundit të parë, të huajt kishin kuriozitet për të ditur diçka më shumë, nga një vend ku sportistët kanë si privilegj një 5-orësh, dhe sporti luhet në nivele amatorësh, nuk është profesionist. Madje shahistët, kanë profesione të ndryshme, një detaj ky që i habiste gazetarët apo televizionet vendëse, nga të cilët interesimi ishte i madh.
Vjen momenti i refuzimit për të luajtur me Izraelin, çfarë ndodhi konkretisht?
Në takimin me Izraelin, nuk u paraqitëm, qëndruam në kompleksin olimpik. Më pas ndeshjet vazhduan, luajtëm me Italinë, Austrinë, Kolumbinë dhe menduam se u mbyll me aq. Nuk kishin interes të na skualifikonin, sepse gjykuam se do të mjaftoheshin me një ndëshkim teknik, si dy vite më parë në Ziegen, me Afrikën e Jugut, ku gjithçka kaloi pa zhurmë dhe ne vazhduam turneun.
Çfarë kujtoni lidhur me pritjen që do të jepte Marshalli Tito në Beograd dhe pse u bojkotua ajo?
Një ditë pushimi ka qenë dhe organizatorët kishin programuar një takim me Marshallin Tito, që njëkohësisht ishte zgjedhur edhe President Nderi i Olimpiadës. Çdo delegacion duhet të përfaqësohej me një, ose dy persona. Ata erdhën dhe na kërkuan të shkonim edhe ne, duke na e përsëritur ftesën gjatë gjithë ditës, deri edhe pak para nisjes me avion për në Beograd.
Nuk e di, as sot nuk e kam idenë, motivin pse nuk shkuam, sepse nuk na u tha asgjë. Në atë turmë me të ftuar, prania jonë do të ishte krejt normale. Them se gjithçka më pas, erdhi si pasojë e bojkotit që i bëmë ftesës. Marrëzi të kohës.
Përjashtim apo skualifikim, si ta kuptojmë vendimin?
Nuk na përjashtuan, por na vunë kushtin: “Po nuk luajtët me Izraelin, duke caktuar 13 tetorin, do të skualifikoheni”. Gjykoj se kjo ishte një tjetër tentative, për të na dhënë një mundësi të dytë. Izraeli ishte delegacioni që na luftonte më shumë në këtë olimpiadë, as amerikanët dhe as rusët, të cilët përpiqeshin të mos reagonin. Kujtoj se në Lucernë, në Olimpiadën Botërore të 1982-shit, shorti na ra me rusët. Ata ndërhynë e ndryshuan shortin, nuk donin të dënoheshim dhe e shmangëm përplasjen me ta.
Z. Vila, flisni për një tentativë hapjeje, jo bojkot. Pse?
Bëhet fjalë kur në sport erdhi Mehdi Bushati, një njeri inteligjent, i cili ndonëse e dinte këtë handikap, thoshte: “…nuk luajmë, por të përpiqemi të mos na përjashtojnë, të krijojmë marrëdhënie të mira”. Pikërisht prej tij, pas viteve ’80-të, pati një tentativë hapjeje në sport, me idenë të luhej edhe ndaj Spanjës, SHBA-së, rusëve, madje deri edhe me Izraelin.
Cila ka qenë loja më e bukur në Shkup?
Ajo ndaj MND-së, kanadezit Zvanko Vraneshiç. Specialistët e konsideronin të padiskutueshme fitoren e tij, duke mos llogaritur as barazimin. Luaja me të bardha, kam zhvilluar një ndeshje befasuese, të paparashikuar dhe fitova pas 34 lëvizjesh. Ishte ai që më zgjati dorën duke pranuar humbjen. Ajo ka qenë loja më e bukur që kam zhvilluar gjatë jetës sime.
KUJTIMET E MJESHTRIT ALDO ZADRIMA: AGJENTËT NA VËZHGONIN, NE NA NDIQNIN DY FEMRA
I nisur si rezervë në atë debutim, Aldo Zadrima, arriti të marrë 2 pikë pas katër barazimeve. “Për mua ka qenë një prezantim pozitiv, inkurajues. Më mirë nuk do të kishte për një shahist të ri, për karrierën e tij. Me fat që mora pjesë në një përfaqësim të tillë, në një turne aq të madh”, kujtonte ai pas kaq vitesh
Zoti Zadrima, vetëm pak ditë para nisjes për në Shkup dhe ju nuk ishit në listë. Pse?!
Dy-tri ditë përpara, u tha se në Shkup ekipi do të përfaqësohet me 5 shahistë. Në atë listë, më i riu që nuk figuronte isha unë. Në vend të shahistit rezerve, do të shkonte punonjësi i Sigurimit të Shtetit. Mes pritjes dhe ankthit, derisa të vinte përgjigjja, ishte ministri Thoma Deliana, i cili dha urdhër që në olimpiadë, do të shkojë shahisti. Për atë të Sigurimit, të gjendej fond tjetër financiar.
Sa eksperiencë kishte shahu shqiptar, për të tillë turne?
Për mua dhe Fatos Muçon, ajo olimpiadë ka qenë turneu i parë ndërkombëtar i atij niveli. Ndonëse në Tiranë, ishim ndeshur me shahistë mjeshtër nga vendet Lindore, që vinin e merrnin pjesë në kampionatet tona kombëtare. Pra, një eksperiencë modeste ishte fituar.
Metçi final Fisher-Spaski, ndiqet edhe nga ju… Çfarë mbani mend?
Kur ishim të grumbulluar në Hotel “Vollga”, trainer ynë, Prof. Bujar Hoxha, nga radio “Luksemburg”, natën vonë, ndiqte ndeshjen, komentet, mbante shënim lëvizjet dhe ne i diskutonim të nesërmen. Ndërkohë, kur ishim në Fshatin Olimpik në Shkup, para fillimit të turneut, u fol se do të vinte Fisheri, e do të luante në atë botëror. I kishin rezervuar disa vila në kodër sipër nesh. E prisnim çdo ditë. Por, siç na thanë më vonë, ai u kishte vënë disa kushte, për ekipin amerikan, që nuk ia kishin plotësuar. Për këtë arsye nuk erdhi.
Ju kujtohet udhëtimi?
Nisja u bë nga Klubi i Shahut pranë “Estradës”, me një autobus të vogël. Na zuri nata. Vendosëm të qëndronim në Dibër të Madhe ku fjetëm në një hotel pranë llixhave, nga dukej Peshkopia. Doli i gjithë qyteti të na priste. Lajmi u përhap me shpejtësi. Ylvi Pustina kishte njerëzit e tij aty. Mall dhe shumë kuriozitet. Shqiptarët na kanë shoqëruar në Shkup, në ditët e turneut. Kujtoj kur mjaft shahistë, specialistë të pranishëm në atë turne, me keqardhje do të shpreheshin: “Sa keq që po e përjashtoni këtë ekip të mrekullueshëm”.
Z. Zadrima, gjatë turneut ishit nën vëzhgim, e dinit këtë fakt?
Kujtoj se pas ngjarjes, pra tragjedisë me atletët izraelitë në Mynih, edhe shahistët ishin nën një ruajtje absolute, të vazhdueshme e të kujdesshme. Ata ishin të vendosur në një hotel pranë sallës ku zhvilloheshin takimet. Por edhe ne ishim nën vëzhgim. Një ditë para se të largoheshim, dolëm në qytet për të blerë diçka, kur Fatos Muço më afrohet e më thotë se po na ndiqnin. Dhe ishin dy femra që na ruanin, kontrollonin çdo lëvizje tonën.
Mjeshtër, ruani një libër “Olimpiada e Shahut Shkup ‘72″, ku në faqen e pare, ka një shprehje “Gens una sumus”! Si ta kuptojmë?
Që do të thotë: “Jemi një komb” ose “Jemi një familje”. Ky ishte mesazhi që jepnin organizatorët dhe që në të tillë atmosferë donin të zhvillohej turneu. Fakti që e kanë vënë në faqen e parë të librit të kësaj olimpiade, e shpreh qartë këtë fakt. Qëndrimet politike në të tillë turne, nuk pëlqeheshin, e konsideronin kundër frymës së sportit.
“HOLANDA DHE PORTO RIKO BËNË KOMPROMIS QË NA DOGJI”, MJESHTRI ADHAMI: PENG QË NUK NA NJIHET MERITA
Pesë herë kampion i Shqipërisë, mjeshtër, konkurrimi i dytë në një veprimtari të tillë madhore, pas Zigenit ‘70, ku në tavolinën e 4-t, në 11 ndeshje grumbulloi 6 pikë (5/4/2). Nuk ishte as 20 vjeç. Një përfaqësim më se dinjitoz për Vangjel Adhamin, i cili tregon disa detaje të rëndësishme të asaj ngjarjeje.
Zoti Adhami, ndodheshit në Shkup, në qytetin ku kishte rënë tërmeti me pasoja të mëdha. Çfarë mbani mend?
Pamë Shkupin e ri, të cilin e kishin rindërtuar pas tërmetit të ’67-ës. Vetëm akrepat e orës së madhe i kishin lënë në 5.15, si simbol i orës kur kishte rënë tërmeti. U sistemuam në kompleksin e ri olimpik, me ndërtesa dykatëshe, në një lartësi si Dajti, që shikon Tiranën. Në dhomë kam qenë me Fatos Omarin. Kujtoj se Laze, quhej punonjësi i Sigurimit, ndërsa përkthyesi, një vendës, Anton quhej.
Shqipëria përfaqësohet pa trajner në atë olimpiadë, si ka mundësi?
Po, e vërtetë, as Bujar Hoxha dhe as Zef Ashta, nuk erdhën. Nuk i di motivet. Në Shkup, këtë detyrë e kreu shoqëruesi, Mit’hat Luçi, një njeri shumë i mirë, pozitiv, shpesh në rolin e mikut, trajnerit, dhe me shaka, si ish-oficer madhor, na ndante në skalione, i parë, i dytë dhe rezervat. Me Irakun më la pushim, isha i lodhur. Dashamirës, nga një telefon te tjetri, ditë e natë vraponte, fliste me Tiranën. Ndonëse ai kërkoi që delegacioni shqiptar të shkonte në Beograd, “zbato urdhrat, çfarë të kemi thënë”, ishte përgjigjja, nga qeveria shqiptare.
Në atë olimpiadë, u vendosën kompjuterët, risi e madhe për kohën?
Ndryshe nga “Ziegen ‘70”, në Shkup për herë të parë në një Olimpiadë Botërore, u vendosën kompjuterët ku parashikoheshin rezultatet e metçeve. Kujtoj se Shqipëria nga sistemi kompjuterik i parashikimeve, nuk ishte fituese në asnjë takim, por e kundërta ndodhi. Që në të parën e Grupit B, ndaj Belgjikës, ne triumfuan 3-1.
Izraeli, apo mos vajtja te pritja e Titos, cili ka qenë motivi i atij fundi konkurrues të pamerituar?
Vendimi për të na skualifikuar, nuk u mor menjëherë pas Izraelit, pasi ne vijuam të luajmë, çka tregonte për një tolerancë. Urdhri për të mos shkuar në Beograd, pas kësaj nuk kishim shpresë. Rezultatet tona ranë, prisnim largimin. Pas kthimit të tyre nga pritja e Beogradit, u duk qartë që ata kishin ndryshuar qëndrim, ndonëse ata na dhanë edhe një tjetër alternative, duke na propozuar që në mbyllje të turneut, të ri luanim me Izraelin. Por, kjo nuk do të ndodhte.
Një pyetje pak provokuese, si e kujtoni prag-sfidën me Holandën dhe sa rëndësi kishte për ekipin shqiptar?
Ajo ka qenë ndeshja e parafundit në grupin eliminator. Klasifikimi u jepte mundësi ekipeve, të renditeshin në vendin e dytë. Holandezët kishin 16 pikë, ndërsa ne, 13.5. Një fitore e jona, na dërgonte direkt në Grupin final A, pasi takimin e fundit, e kishim me Irakun. Kishin mjeshtër të mëdhenj në përbërje dhe ishin më të favorizuar edhe nga fakti se, barazimi u mjaftonte për të mos rrezikuar.
Dhe 2-2. Pas përfundimit ata u shfaqën të kënaqur. Unë kam barazuar pas 7-8 lëvizjesh lojë. Ndërsa me Porto Rikon, në takimin e fundit, holandezët bënë një kompromis të hapur. E kishin lënë në barazim dhe ashtu përfundoi, 2-2, që i siguroi atyre Grupin A.
Z. Vangjel, keni një reagim, ndonëse të vonuar, ndaj komunitetit, shtetit shqiptar?
Për pikët, Elo-të që na kanë humbur, pasi çdo rezultat i arritur në një turne për një shahist, ka vlerë të madhe në aspektin personal-profesional. Ka limite që brenda një harku kohor, pikët e grumbulluara, shërbejnë në rritjen e koeficienteve, të cilat na u mohuan pas largimit, braktisjes dhe për ne shahistët, ishte një minus i madh.
Duhej rifilluar sërish nga e para, ndërkohë që pjesëmarrjet në të tillë turne, ishin të kufizuara. Faji nuk ka qenë i shahistëve. Shteti, komuniteti i shahut, duhet të reagonte. Bashkë me Elo-të, na janë djegur edhe tituj ndërkombëtarë. Ende askush nga ne, brezi im, nuk është Mjeshtër i FIDE-s, kur në ato vite, kemi qenë shumë afër, te shifrat e 2300 pikëve.
FATOS MUÇO: NA SKUALIFIKUAN PREJ TITOS, S’E BINDËM DOT ADIL ÇARÇANIN
Fatos Muço, mori pjesë për herë të parë në një Olimpiadë Botërore dhe ishte vetëm 22 vjeç. “As tri orë nuk flija në ditë. Shahistët sovjetikë, ishin të interesuar, vinin e ndiqnin lojërat tona”, tregon ai për atë olimpiadë ku ishte debutues në një aktivitet ndërkombëtar.
Z. Muço, a mund të quhet një debutim befasues ai juaji?
Kujtoj dy ndeshje. Me bullgarin Penev, një takim i barabartë. Në cejtnot, për efekt kohe gabova. Por ndeshja më e bukur ka qenë ajo me Mjeshtrin e Madh, De Gref të Kolumbisë. Takimi u azhurnua. Deri pas mesnate, qëndronim duke analizuar disa mundësi. Ditën tjetër, sipas rregullores, lëvizja e fshehtë e kundërshtarit, ishte e futur në zarf, që do të hapej para takimit dhe ti nuk e dije se cila mund të ishte ajo. Në orën 03.00 të mëngjesit, më ka dalë gjumi. Vura shahun përpara, nuk doja të më ikte një ide, e përpunova dhe të nesërmen fitova në lëvizjen e 66-të.
Mjeshtër, cila ishte arsyeja e skualifikimit: mosparaqitja me Izraelin apo refuzimi për të vajtur në pritjen e Titos?
Mos vajtja në pritjen që organizonte Marshalli Josif Broz Tito. Kjo mendoj unë. U fol edhe me qeverinë, Adil Çarçanin, nga i cili ishte marrë urdhër i prerë që; jo. E gjykoj një gabim edhe nga fakti, se si vijuan ngjarjet. Pas refuzimit për të mos luajtur me Izraelin, komisioni e kishte shtyrë disa ditë vendimin. Dukej që nuk donin të na dënonin.
Jam i sigurt që nëse në atë pritje, do të ishte edhe delegacioni shqiptar, ata do të merrnin një vendim të zbutur. Bojkotimi e rëndoi shumë situatën dhe tensioni u rrit menjëherë pas kthimit nga Beogradi. Kësaj iu shtuan edhe pretendimet e mjaft shteteve, me të cilat ne kishim luajtur. E quanin të padrejtë që Izraeli, të merrte katër pikë. Këmbëngulnin të na përjashtonin, që edhe atyre t’u jepeshin pikët.
Nëse kualifikoheshit në Grupin A, ku ishin edhe SHBA-ja, BRSS-ja, a do të luhej ndaj tyre?
Sigurisht që jo, por rëndësi kishte kualifikimi. Të shkonim deri aty, që do të ishte një rezultat fenomenal. Se çfarë do të ndodhte më pas, tjetër histori. Dhe FIDE, ishte në dijeni që Shqipëria nuk luante ndaj disa shteteve.
Na treguat se ka një kuriozitet në përballjet me Izraelin?
Ne nuk luanim me Izraelin, për politikën që ata ndiqnin ndaj “vëllezërve” tanë arabë. Edhe drejtuesit e delegacionit arab, na falënderuan për qëndrimin që mbajtëm. Por ironia ishte se vetë arabët, kubanezët, edhe këta të deklaruar kundër tyre, luanin ndaj shahistëve izraelitë…! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016