Nga Stavri J. DAJO
Pjesa e parë
-Misioni i dështuar sekret i zbuluesit shqiptar Koço Kazanxhi në Greqi, arrestimi dhe dënimi i tij me vdekje (1948-1951) –
Sipas fashikullit gjyqësor
– Kuadri historik-
Memorie.al / Pas Luftës së Dytë Botërore dhe takimit konspirativ Churchill-Stalin, në tetor 1944 në Moskë (që shënoi ndarjen e zonave të influencës lindje-perëndim) u vendos që Greqia të kalonte në orbitën perëndimore. Partia Komuniste Greke (PKG) nuk u pajtua me këtë vendim të Fuqive të Mëdha dhe u orvat ta uzurponte pushtetin me dhunë, pa pranuar rendin parlamentar dhe zgjedhjet e lira. Reagimi i saj i dhunshëm shkaktoi përleshjet e përgjakshme të dhjetorit 1944 që formalisht sollën moratoriumin armëpushues ose, thënë ndryshe, Marrëveshjen e Varkizës (12 shkurt 1945), kushtet e së cilës, përfundimisht, u dhunuan nga palët ndërluftuese. Si pasojë, në Greqi shpërtheu një luftë shkatërrimtare vëllavrasëse, e cilësuar si Luftë Civile (1946-1949), me mijëra viktima nga të dyja palët, nga Ushtria Demokratike Greke (UDG), e formuar nga komunistët dhe nga Ushtria Kombëtare Greke (UKG) –ushtria qeveritare–, por dhe nga civilë të thjeshtë e të pambrojtur.
Ekonomia kombëtare u rrënua dhe vendi shkonte drejt një kolapsi fatal. Stalini, ndërsa kinse dhe botërisht deklaronte i paanshëm dhe dënonte dhunën vëllavrasëse, në prapaskenë kishte organizuar një makineri të fuqishme dhe të padukshme për furnizim me armë, municione, ushqim dhe veshmbathje për gueriljet grekë të UDG-së që kishin ngritur krye maleve dhe kërkonin zaptimin e pushtetit me dhunë.
Shqipëria më së shumti (sidomos pas konfliktit Stalin-Tito, 1948), Bullgaria dhe Jugosllavia, u shndërruan në stacione furnizimi për kryengritësit grekë, sipas imperativit të Kremlinit. Madje, sipas disa treguesve, morën pjesë dhe skuadra të ushtrisë shqiptare bashkë me formacione të UDG-së në luftimet përgjatë kufirit dhe në brendësi të territoreve greke. Kjo vinte në rrezik sovranitetin kombëtar të Shqipërisë dhe tërësinë e saj territoriale, por Enver Hoxha, nuk mund ta kundërshtonte vullnetin e Stalinit.
Në këtë suazë, Sigurimi i Shtetit gjeti rast të dërgonte, të infiltruar, të kamufluar dhe me legjendime dhe kombinacione të ndryshme të përpiluara në fillim nga jugosllavët dhe pastaj nga sovjetikët,–më së shpeshti ordinere dhe qesharake– dhjetëra zbulues (shqiptarë ose formacione mikse me komunistë grekë që hynin e dilnin lirisht nga kufiri jugor) me misione sekrete për veprimtari zbuluese brenda territorit grek, të cilat ishin të destinuar të dështonin mirëfilli, pasi autoritetet greke të ndjekjes me organizim amerikan, kishin informacion të saktë për qëllimet, lëvizjet dhe protagonistët nga burime të ndryshme dhe të sakta. Ndër zbuluesit e parë që u nisën në Greqi ishte togeri i Sigurimit të Shtetit, Kosta (ose Koço) Kazanxhi, në gusht të vitit 1948.
Kush ishte zbuluesi Kosta Kazanxhi?
Më 17 dhjetor 1951, Gjykata e Përhershme Ushtarake e Athinës dënoi me vdekje togerin shqiptar të Sigurimit, Kosta (ose Koço ose Konstantin) Dhimitër Kazanxhi, akuzuar për veprimtari zbuluese kundër Greqisë, i cili, dy ditë pas Krishtlindjeve të vitit 1951, u ekzekutua. I arrestuar në fshatin Kastori (Kastania) të Peloponezit më 6 tetor 1949, në zonën operative të UKG-së, u dërgua fillimisht në Tripoli (Peloponez) në proces parahetimor dhe më pas në Athinë, i marrë nën akuzë.
Kush ishte Koço Kazanxhiu?
Në fashikullin gjyqësor të tij, Koço Kazanxhiut i evidentoheshin këto të dhëna: Lindur në Durrës të Shqipërisë më 6 prill 1923, nga nënë me origjinë greke (sipas deklaratës së tij para organit të akuzës) dhe baba shqiptar (më saktë me origjinë vllahe). Njihte, pos shqipes, dhe italisht, vllahisht (gjuhën arumune), ndërsa komunikonte pa vështirësi edhe në greqisht (nuk dinte shkrim) dhe kuptonte sllavo-maqedonisht. E ëma e tij, Pandora, me mbiemër atëror Koxha (ose Goxha), kishte origjinë nga Monastiri i Serbisë së atëhershme (Maqedonia e Veriut sot).
Babai i tij, Dhimitër Kazanxhi punonte në kompaninë italiane “Singer” në Tiranë që nga viti 1935, ndërsa dajoja i tij, Sterjo Koxha, vëllai i së ëmës, jetonte në Durrës dhe ishte tregtar i pasur stofrash, me pasje të madhe dhe autoritet në Durrës. Mirëpo, në vitin 1938, kur Kosta ishte vetëm 15 vjeç, i ati vdiq dhe e gjithë familja, e shpërngulur në Tiranë, u kthye në Durrës.
Në vitin 1941, gjendet nxënës në Shkollën Tregtare të Vlorës, ku jepte mësim Mihal Prifti (zëvendësministri i Jashtëm i mëvonshëm), nga fshati Gjat i Gjirokastrës, kthyer në Shqipëri pasi kishte kryer studimet e larta ekonomike në Athinë (kishte jetuar atje që së vogli), i cili mezi fliste shqip atëherë, siç deklaronte në hetuesi Kosta Kazanxhi. Pas dy vjetësh, Kosta Kazanxhi ndërpreu studimet dhe në vitin 1943, pas kapitullimit të Italisë, integrohet në strukturat e Frontit Nacionalçlirimtar.
Në shkurt të vitit 1945, çmobilizohet dhe deri në tetor të po atij viti, punoi në një kooperativë bujqësore të Durrësit, si drejtor financiar. Në tetor 1945, emërohet oficer në Drejtorinë e Mbrojtjes së Popullit (formuar më 14 dhjetor 1944) në seksionin e Durrësit, ku shërbeu deri në gusht 1946, kur thirret në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) dhe transferohet në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit, që ishte formuar më 2 prill 1946, si pasardhëse e Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit. Disa ditë më vonë, më 19 gusht 1946, me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes, gradohet nëntoger.
Mban tituj të ndryshëm, nder të cilët, me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor nr. 4061/ 27.09.1965 dhe “Urdhrin e Trimërisë” pas vdekjes, me motivacionin “Për qëndrim revolucionar para organeve hetimore e gjyqësore të monarko-fashistëve grekë, për besnikëri deri në vdekje ndaj Republikës Popullore të Shqipërisë”. Në dosjen e tij personale, cilësohej si njeri me rezistencë ndaj vështirësive dhe ndershmëri të lartë. Në prill të vitit 1946, kur u vendos transferimi i tij nga Durrësi në Tiranë, shefi i Degës së Sigurimit të Durrësit, Vilson Pecani, shpresonte në një evoluim të shpejtë si zbulues të togerit Kosta Kazanxhi.
Ishte anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare (më vonë PPSH) që në vitin 1944. Në bisedat e para me Koci Xoxen (prill 1946) Kazanxhiu u pyet, për shkak të origjinës së nënës së tij, nëse dinte greqisht për të ndërmarrë një mision të fshehtë zbulimi, në kuadër të operacioneve të ndihmës së vendeve lindore për komunistët grekë të UDG-së. “Mallkoj orën dhe momentin që më gjetën mua, për të kryer këtë mision”, deklaroi Kazanxhi në Greqi, disa ditë pas arrestimit, në tetor 1949, para autoriteteve ushtarake greke.
Si përshkruan Shqipërinë para organit të akuzës?
I gjendur nën akuzë dhe në izolim të plotë, për shkak të interesit që paraqiste rasti i këtij zbuluesi, u lejua një gazetar grek që të komunikonte me të dhe një pjesë e akteve hetimore, dolën publikisht në dritë duke shkaktuar një jehonë të madhe dhe indinjatë për qëndrimin komplotues të Shqipërisë, në bashkëpunim me vendet e tjera të Lindjes, në dëm të interesave kombëtare të Greqisë. Përndryshe, në letrat që i drejtoi familjes disa ditë para ekzekutimit (dhjetor 1951), i gjendur në burgun e Kalitheas në Athinë, Kazanxhiu i përmbys këto deklarata nistore – të pohuara në vjeshtë 1949 – dhe lë insinuata se; pohimet fillestare të pyetësisë, nuk ishin gjë tjetër veçse produkt i metodave torturuese të hetimit.
Sidoqoftë, në këto pohime e cilësoi Enver Hoxhën si vegël të paguar të Kremlinit, të cilin e ndihmuan britanikët (ose, të paktën, nuk e penguan) të ngrihej në pushtet, pas Kongresit të Përmetit. Shpura e tij (e Enver Hoxhës) si vrasës të krimit ordiner, pleq pijanecë, të paaftë, të cilët, sipas deponimeve të tij, nuk hodhën asnjë pushkë (Abaz Kupi, thotë, ishte i vetmi që ushtroi rezistencë ndaj Italianeve, por u shpall armik), u bënë titullarë shërbimesh publikë, ose ofiqarë partie. Por Enver Hoxha si bukëshkalë, thotë Kazanxhiu, ktheu fletë.
Parullat “Rroftë Churchill”! “Rroftë Roosevelt”! u hoqën gradualisht si dhe simbolet e aleateve dhe në vend të tyre, u ngritën parulla si: “Rroftë Stalini!” dhe “Rroftë Tito!”. Ndërkohë u ndryshua vija e partisë, u ndryshuan edhe parullat e përdorura nga propaganda komuniste dhe titujt e bujshëm gazetareskë. Propaganda komuniste çirrej se kapitalistët anglo-amerikanë nuk mund të pajtoheshin me idetë socialiste të vendeve demokratike dhe të bashkëjetonin në mënyrë paqësore me popujt e këtyre vendeve.
U shtetëzuan me përdhunë pasuritë bujqësore të fshatarëve, u shtetëzuan punishtet, fabrikat dhe njësitë prodhuese të zejtarëve të cilat në vijim iu dhanë një kaste politikanesh, të cilët u pasuruan menjëherë. Pronarët e vjetër u thirrën të paguanin taksa të larta. Regjimi ishte despotik, tiranik dhe diktatorial. Çdo fshatari i takonte 18 gr. bukë në muaj, pjesën tjetër duhet t’ia jepte shtetit. Kush rezistonte, burgosej. Por rezistenca ishte e madhe, sidomos në Veri.
Dy titullarë të lartë të sistemit komunist, Mehmet Shehu dhe Nesti Kerenxhi, i shtypën mizorisht lëvizjet antiqeveritare, duke vrarë protagonistët, ndërsa ata që arritën, u detyruan të arratiseshin. Viktima të Enver Hoxhës nuk ishin vetëm armiqtë dhe kundërshtarët e tij, por edhe shokët e tij të idealit, ata që përbënin bërthamën e “demokracisë së shokëve”. Koçi Xoxja, para të cilit ne dridheshim sepse urdhëronte si dhe kur të donte eliminimin e çdokujt që guxonte ta kundërshtonte, ishte nga viktimat e para të Enver Hoxhës.
Serbët, thotë Kazanxhiu, janë pronarët absolutë të Shqipërisë, bëjnë ç’të duan pas Konventës së 9 korrikut 1946. Pasuria minerare e vendit shkon e tëra në Serbi. Administratën shtetërore dhe pasurinë kombëtare e kanë shtënë në dorë Jugosllavët. Një teknik jugosllav shpërblehet me 15.000 lek në muaj, ndërsa për të njëjtën punë tekniku shqiptar, shpërblehet me 2.000 lek. Jugosllavët sillen me brutalitet dhe fodullëk. Në shërbimet tona, gjegjësisht në Sigurimin e Shtetit, çdo ditë kishte denoncime nga shtetas shqiptarë për emisarët jugosllavë, të cilët, ndër të tjera, deheshin, shanin dhe çirreshin se Shqipëria do të shndërrohej në republikë të shtatë të Jugosllavisë.
Shqiptarët i urrenin për këtë sjellje, përditë kishte incidente, sharje dhe rrahje publike mes shqiptarëve dhe jugosllavëve. Por histeria propagandistike komuniste, i lavdëronte duke thëne se Shqipëria nuk mund të jetojë pa Jugosllavinë, e cila është mirëbërësja e popullit tonë. Pas kolapsit të miqësisë me jugosllavët brenda një nate ata u thirren “renegatë” dhe “tradhtarë” ndërsa dy ditë më parë ishin “shpëtimtarët” e Shqipërisë. Populli u mpi, madje dhe ne punonjësit e Sigurimit nuk dinin ç’ qëndrim të mbanim.
Na thanë se Tito ishte agjent i amerikanëve dhe atëherë populli gjeti guximin dhe u shpreh kundër tij me mllef. Dhe ndërsa gjendja po merrte të përmirësuar, erdhën sovjetikët, të cilët në vend të jugosllavëve uzurpuan zyrat, zaptuan ministritë, Shtabin e Përgjithshëm të ushtrisë dhe drejtimin e Sigurimit të Shtetit. Një lukuni mësuesish zëvendësuan serbët dhe në shkollë u fut me detyrim rusishtja në vend të serbishtes.
Në prill të vitit 1947 Kosta Kazanxhi transferohet në zbulim e ushtrisë në kufirin me Greqinë (Korçë-Ersekë) me mision të posaçëm promovimin e ndihmës me ushqim dhe municione për UDG-në, udhëhequr nga Nikos Zaharadhis dhe Markos Vafiadhis, ardhur nga vendet e Evropës Lindore me urdhër të Stalinit. Misioni ishte tepër sekret për shkak të komisioneve të hetimit të OKB-së që monitoronin kufirin.
Më 20 prill 1947, Kazanxhiu u paraqit te shefi i personelit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe brenda pak ditësh takoi një grek “të shëndoshë dhe mjaft të gjatë”, me emrin Ilias, i cili fliste mirë greqishten, por dinte edhe rusisht dhe serbisht, i cili ka qenë anëtar i KQ të PKG. Ilia e ngarkoi Kazanxhiun, të siguronte harta të mëdha zbulimi të Greqisë, nga ato të përdorura nga italianët gjatë luftës. Brenda pak ditësh, Kazanxhiu kishte siguruar harta të tilla.
Më 3 maj 1947, ai u urdhërua të përgatitej për një mision sekret në zonën më të gjerë të Korçës, të cilin e drejtonte majori Myftar Tare, kreu i shërbimit të kundërzbulimit, nën kujdesin e të cilit funksiononte makineria e dhënies së ndihmës grekëve dhe një rrjet i dendur spiunazhi kundër Greqisë, siç e pranon në kujtimet tij edhe ambasadori i mëvonshëm i Shqipërisë në Greqi Ksenofon Nushi (që pat punuar në zbulimin e ushtrisë në vitet ‘50). Përveç Kazanxhiut në Korçë, ishte instaluar edhe vetë Tare, Ilia dhe toger Gaqo Mborja.
Kazanxhiu, ngaqë dinte gjuhën greke, ishte ngarkuar me rolin e ndërlidhësit. Nga Durrësi vinin sasi të mëdha municionesh, ushqimesh, dhe pajisjesh mjekësore, ilaçesh, një pjesë e madhe e të cilave plaçkitej nga vetë guerilët grekë gjatë transportit me automjete ose mushka pa arritur ende në destinacion. Pika e furnizimit ishte Dardha e Korçës, nën ruajtjen e magazinierit Ali Korbi bashkë me një togë ushtarësh. Furnizimi kryhej në kushte fshehtësie të plotë, kryesisht natën. Nëse binte në sy të ndonjë fshatari lëvizja më e vogël e dyshimtë e ushtrisë, arrestohej në vend, burgosej ose internohej për të mos dalë sekreti.
Konspiracion i plotë. Por, megjithatë, sekreti kishte dalë nga të arratisurit politikë shqiptarë në Greqi dhe nga vetë dezertorët e UDG-së, si dhe nga burime të tjera të shërbimeve të vendeve të perëndimit. Kazanxhiu monitoroi dhe hyrjen në Shqipërisë të fëmijëve grekë (një pjesë rrëmbyer me përdhunë nga UDG-ja për t’u bërë jeniçerë të ardhshëm të saj) të grave dhe të të moshuarve, që përbën një nga njollat më të zeza të Luftës Civile Greke.
Pas operacioneve të dështuara të UDG-së në pranverë 1947 dhe verë 1948, një pjesë e madhe luftëtarësh të UDG-së por edhe robër të UKG-së zënë prej komunistëve, u futën në Shqipëri të cilët u trajtuan me agresivitet dhe në kushte të rënda fushimi në Domosdovë afër Përrenjasit. Për shkak të kushteve mjerimi nëpër këto kampe, disa luftëtarë grekë vranë me sëpatë dy ushtarë shqiptarë kufiri dhe u arratisën për në Greqi nga kampet e përqendrimit. Rebelët nëpër kampe frymëzoheshin nga priftërinjtë grekë që ishin marrë me dhunë dhe ishin sjellë atje si robër.
Misioni fatal
Më 5 qershor 1948, ndërsa po shërbente në një postë kufitare në Korçë, Kosta Kazanxhi u informua për misionin e tij të ri sekret në Greqi dhe për këtë arsye duhej të paraqitej urgjentisht në Tiranë. Do të komunikonte me Giannis Ioannidis, numër dy i PKG-së të cilit, meqë ishte i “sëmurë” i ishte akorduar një vilë komode në Tiranë, ku jetonte si pasha. Në këtë vilë në fazën përgatitore para nisjes, Kazanxhiu takohej dhe me krerë të tjerë të PKG-së, si Marko Vafiadhis (komandat i UDG-së) me pseudonimin “Trimi”.
Ioannidis i tha troç dhe me pak fjalë se misioni i tij, do të ishte një udhëtim me anije nga Durrësi për në Peloponez, i ngarkuar me furnizime të ndryshme dhe materiale ushtarake, me një ekuipazh prej pesë anëtarësh të përbërë nga guerilët grekë të UDG-së. Memorie.al
*Doktor i Shkencave të Historisë të Universitetit
“Aristotelis” Thessaloniki
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016