Nga Dr. Nikoll Loka
Pjesa e gjashtëmbëdhjetë
“PRENGË BIBË DODA, DRITËHIJET E NJË BURRËSHTETASI”
Memorie.al / Libri më i ri “Prengë Bibë Doda, një fenomen në jetën politike shqiptare”, i studiuesit Nikollë Loka, jo vetëm zgjeron fushën e studimeve historike mbi Mirditën, Derën e Gjonmarkajve dhe figurën e Princit mirditor, Prengë Bibë Doda, por është edhe një kontribut, në historiografinë kombëtare. Lënda shumë e pasur arkivore, literatura e shfrytëzuar apo e konsultuar, gojëdhënat etj, e bëjnë këtë libër, një thesar të vërtetë studimor, duke i dhënë shkencës së historisë një monografi shkencore, që pasuron njohuritë tona mbi Mirditën, kapedanët e saj, traditën, historinë etj. Të studiosh një figurë sa të rëndësishme dhe komplekse, siç është figura e Prengë Bibë Dodës, është përgjegjësi e lartë shkencore që, jo çdokush e merr përsipër. Nikollë Loka, ka bërë një punë të madhe hulumtuese dhe trajtim prej studiuesi profesionist, duke na e dhënë portretin e Princit dhe gjeneralit mirditor, me konturet e vërteta. Dr. Loka, i është përmbajtur fund e krye hapësirës dhe kohës, në të cilën janë zhvilluar ngjarjet shumëdimensionale dhe protagonistët e tyre.
MONOGRAFIA “PRENGË BIBË DODA, NJË FENOMEN NË JETËN POLITIKE SHQIPTARE”, NJË STUDIM SHKENCOR ME VLERË QË PASURON FONDIN E STUDIMEVE TONA HISTORIKE
(Nga Mr. Sc. Murat Ajvazi, mars 2017, Zvicër)
Internimi i dytë, 28 vjet
Më 22 nëntor 1880, hapësirës shqiptare, iu hoq një porti rëndësishëm në detin Adriatik dhe kombit tone, iu shkëput një zinxhir i rëndësishëm, për progresin e tij ekonomik.(317) Studiuesi Bernard Stulli, duke folur për dorëzimin e Ulqinit, Malit të Zi nga ana e Turqisë, theksonte se; Perandorisë Turke dhe Austro-Hungareze, iu shkonte për shtat një konfrontim në mes shqiptarëve dhe malazezëve; turqve për të mbajtur ushtrinë, në një kufi të tensionuar, ndërsa austro-hungarezëve, për të kufizuar depërtimin e Malit të Zi në Shqipëri. (318) Dorëzimi i Ulqinit nga ana Perandorisë Osmane, i acaroi edhe më tej raportet me Portën. Lufta e Lidhjes, tani po merrte dimensione më të theksuara, jo vetëm anti malazeze, por edhe anti-turke. Çështja e autonomies, kishte marrë karakter edhe më këmbëngulës në realizimin e saj. Që në fillim, Lidhja kishte kërkuar bashkimin e katër vilajeteve shqiptare dhe formimin e një vilajeti të përbashkët shqiptar.
Për qëllimet dhe objektivat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kishte raportuar edhe gazeta britanike, duke ngritur hipoteza, në lidhje me qëllimet dhe objektivat e saj. Sipas artikullit, kryefjalë e angazhimit të Lidhjes, ishte; “Shqiptaria një dhe e pandashme”. (319)
Me datën 10 dhjetor, Konsulli i Përgjithshëm Lippih, shtron një darkë kortezie, për trupin diplomatik të akredituar në Shkodër. Nuk kaloi pa u vënë re në atë darkë, komunikimi miqësor në mes të Dervish Pashës dhe Prengë Bibë Dodës e, humori i këndshëm i këtij të fundit, komunikim që në fund u konkretizua, me një ftesë të hapur, për të inspektuar së bashku punimet e rrugës Shkodër-Shëngjin, të projektuar nga Pashai turk, për Hodo Begun dhe Prengën.
Të dielën e 12 dhjetorit, drekuan në Lezhë dhe pasi pinë edhe kafet, Dervish Pasha, krejt papritur, i njofton se; “ishin të arrestuar”. Arrestimi i tyre, ndodhi kur zemërimi i shqiptarëve, pas dorëzimit të Ulqinit tre javë më pare, po binte gradualisht dhe të dy, po e humbin simpatinë e shqiptarëve, Hodo begu, për shkak të gradimit nga qeveria, kurse Prenga, për shkak të pasivitetit të treguar, në mbrojtjen e Ulqinit. (320)
Për shqiptarët; “arrestimi i pavend i Hodo Pashës, Prengë Bibë Dodës dhe shumë shqiptarëve të tjerë të Veriut, nga Dervish Pasha, nuk ishte bërë me qëllim për të ngjallë siguri”, (321) por lidhet me zhvillimet e pritshme, që kishin të bënin me rritjen e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, që do të çonte në kërkesat e natyrshme shtetformuese, ku të dy ata, ishin tashmë të afirmuar, si udhëheqës politikë dhe ushtarakë.
Pas arrestimit, Prengës, iu dha aq kohë sa të takonte kujdestarin e pronave të tij, në Kallmet, që kishte ardhur ta takonte dhe me këtë rast, i përcolli të ëmës lajmin e arrestimit. Nga Lezha, dy të arrestuarit, i dërguan me eskortë shoqërimi për në Shëngjin, ku i priste anija turke “Selimie”, që i çoi në Stamboll. Bashkë me Prengën, shkuan daja i tij, Staf Ajazi dhe një rrogëtar i tij, prej Mirdite. (322)
Në Stamboll, fillimisht Hodo dhe Prenga, mbahen të arrestuar në Serasqerat (Komandën e Ushtrisë), jo në gjendje të një arrestimi klasik, por thjeshtë i vendosën atje. Të dyve, iu premtuan detyra jashtë Stambollit, ndoshta funksionin e qeveritarit, në ndonjë krahinë të Azisë, që Hodo Beg Sokoli e kishte pranuar, ndërsa Prengë Bibë Doda, nuk kishte dashur që të largohet nga Stambolli. Më në fund, Prengën e kishin emëruar anëtar të Komisionit të Xhandarmërisë, të ngritur nga Beqir Pasha. (323)
Se Prenga ishte i lirë dhe i respektuar në Stamboll, na e tregon letra që Arqipeshkëvi Vinçenc, i dërgon me 16 maj 1882, Arqipeshkëvit të Shkodrës, Pashko Guerini. (324)
Imzot Vinçens (s’kuptohet vendi), i tregon Imzot Guerinit, se “Prengë Bibë Doda, është lënë i lirë; e kam pa disa herë; flitet mirë për të dhe është i nderuar nga të gjithë“. Vincens, lutet nga ana e tij, për t’i dërguar përshëndetje nënës dhe motrës së Princit, duke u thënë se, letra që i kishin dërguar, i kishte pëlqyer shumë”. (325)
Internimi i dytë i Prengë Bibë Dodës, krijoi një boshllëk të madh në mesin e mirditasve; ishte krijuar një gjendje e re, që kërcënonte rendin dhe qetësinë. Ndër Gjomarkaj, si në çdo derë të madhe, kishte luftë për pushtet. Disa Kapidanë, pranuan t’ia zinin vendin Prengë Bibë Dodës, duke zbatuar kushtet e zyrtarëve osmanë, për të ndërhyrë disi në vetëqeverisjen e Krahinës.
Gjomarkajt, gjatë mungesës së Prengë Bibë Dodës, u luhatën shumë midis detyrimit, për të mbrojtur vetëqeverisjen dhe lakmisë së natyrshme, për pushtet, por duhet thënë se ata, nuk kaluan asnjëherë plotësisht në pozicionet turke, megjithëse e zhvilluan lojën e tyre politike dhe u përpoqën të përfitonin brenda parametrave të pranueshëm të luftës për pushtet, që zhvillohej në Saraje.
Në këtë kohë, Gjomarkajt, që qenë emëruar kajmekamë nga Porta e Lartë, i shohim edhe si udhëheqës të mirditasve, në luftë kundër turqve dhe mjaftonte një situatë e volitshme, që ata të mblidheshin për të kundërshtuar sundimin turk. Në lidhje me situatën, Konsulli austro-hungarez në Shkodër, shkruan: “Në mars të vitit 1881, në Mirditë u caktua kajmekam, kapidan Kolë Prenga, por populli nuk e pranoi.
Mirditorët janë duke ruajtur qetësinë dhe duke ndjekur po atë politikë, që kishin ndjekur dhe para arrestimit të Prengë Bibë Dodës, duke mos çarë fare kokën, për urdhrat e qeverisë, por pa kaluar në konflikt të hapur. Sipas tij, Kajmekami, Kapidan Kola dhe majori i zaptive, Dodë Gega, janë totalisht të dështuar dhe nuk mund të ushtrojnë asnjë veprim qeveritar, jashtë territorit të Oroshit. (326)
Megjithëse në ato kushte të rënda të izolimit të Krahinës, krerët mirditas, nuk i humbën asnjëherë shpresat dhe bënë të gjithçka mundën, për kthimin e Prengës në Atdhe. Me 27 qershor 1895, prelatët më të lartë katolikë, Imzot Doçi dhe Imzot Troksi, i bënë lutje Papës, Leoni XIII-të, që të ndërhynte për lirimin e Kreut të Mirditës dhe kthimin e tij në Atdhe. (327)
Për ta ndërkombëtarizuar problemin e internimit dhe për të tërhequr vëmendjen e diplomacisë vjeneze, në vitin 1897, Prend Doçi, i propozoi qeverisë austriake, formimin e një “Principate Katolike të Shqipërisë Veriore”, që do të udhëhiqej nga Prengë Bibë Doda.
Sipas Abatit “kthimin eventual dhe vendosjen e tij në postin e kryetarit, mirditasit e cilësonin si të vetmin mjet, për krijimin e kushteve të favorshme për vendosjen e rregullit në Mirditë.(328)
Pas këmbënguljes së mirditasve për kthimin e Prengës, autoritetet menduan një skenar, për ta larguar fare nga skena politike, duke e inkriminuar. Ndoc Nikaj shkruan: “Në përpjekje për ta dobësuar pozitën e tij edhe në Stamboll, Valiu i Shkodrës, në vitin 1889, thirri Dodë Gegën dhe Ndoc Ndrecën, me do krerë të tjerë dhe u dha mendim; “me lëshue zaptijet e Mirditës, me djegë Bregun e Matës dhe atë djegie, me i’a ngarkue Mirditës, si veprim i bame nan nxitjen e Prengë Bibë Dodës dhe të familjes së tij. Me të shpejtë u lajmërue Stambolli, për këtë veprim, që gjoja ishte ba me nxitjen e Prengë Bibë Dodës dhe familjes së tij. Dhe Sulltani, me të marrë atë lajm dhe urdhën me e internue Prengë Pashën, në Kastamun të Anadollit”. (329)
Në shkurtin e vitit 1901, krerët e pesë bajrakëve, i parashtrojnë Valiut në Shkodër, një lutje me anën e së cilës populli i Mirditës, kërkonte kthimin dhe vendosjen e Prengë Bibë Dodës, si guvernator të krahinës së Mirditës. Valiu, ndryshe nga të tjerët, e përcolli atë kërkesë në Stamboll, por përgjigjja nuk erdhi kurrë. Në fillim të shkurtit të atij viti, mirditorët reaguan, duke prerë linjat telegrafike që kalonin nëpër territorin e Gomsiqes dhe komunikimin e Shkodrës me Prizrenin.
Në atë situatë, i deleguari i Valiut, që shkoi për të biseduar me mirditasit, ishte porositur në mënyrë të veçantë, që në rast se mirditorët do të kërkonin rivendosjen e Kajmekamit të mëparshëm, Kapidan Marka Gjonit, Porta e Lartë, do ta pranonte si të favorshme, një kërkesë të tillë. Krerët e Mirditës, jo vetëm që nuk e përmendën fare Kapedan Marka Gjonin, por i parashtruan përfaqësuesit të Valiut, tri kërkesat e mëposhtme:
- Largimin e batalionit të xhandarmërisë nga Mirdita. 2. Mbetjen në fuqi, të zakonit të hershëm të dhënies së misrit për krerët dhe bajraktarët e Krahinës. 3. Vendosja e Prengë Bibë Dodës, si guvernator i Mirditës dhe administrimi i saj, sipas traditës zakonore të vjetër. (330)
Me datën 9 mars 1901, mirditorët u mblodhën përsëri në kuvend dhe rivendosën bashkërisht, që të insistonin me forcë në kërkesën e tyre, për kthimin e Prengë Bibë Dodës dhe emërtimin e tij, Kapedan të Mirditës. Vendimi i kuvendit, iu bë i ditur Valiut të Shkodrës, nga një përfaqësi prej pesë vetash. Valiu nga ana e tij, u përsëriti vendimin e Portës së Lartë, se; “kthimi i Prengë Bibë Dodës; është tash për tash; i pamundur“. (331)
Për të mësuar më shumë rreth qëndrimit të Prengës; ndaj kërkesave të tyre, u mor vendim; për ta takuar në Kastamun të Azisë së Vogël”. Për këtë, duhej një person që mund ta takonte pa rënë në sy të autoriteteve. Në funksion të realizimit të këtyre lidhjeve, në vitin 1903, një mirditore nga Spaçi, që jetonte në Kosovë dhe që dinte italisht dhe serbisht, e quajtur Margjelë Ndoja, motra e Dom Nikollë Kimzës, ndërmori udhëtimin historik deri në Kastamun, për t’u takuar me Kapidanin. Margjela, i përcolli kërkesën e krerëve të Mirditës, që “ai të arratisej dhe të vihej në krye të një kryengritje, që do të shpërthente në Mirditë”. (332)
Por Prenga, nuk pranoi që ta ndërmerrte një hap të tillë, siç duket, pasi e konsideronte si veprim të parakohshëm. Pasi kishin dështuar me kajmekamët e tjerë, autoritetet osmane, filluan t’i emërojnë kajmekamët nga Dera e Gjonmarkajve, si rivalë të Prengë Bibë Dodës, por asnjëri tyre, nuk mundi ta ushtronte atë detyrë, pasi nuk u njoh nga populli. Ndër ta, as Marka Gjoni, nuk qe në gjendje ta kryente këtë detyrë, sepse krerët e fiseve, i kishin deklaruar hapur: “Nuk të njohim si autoritet të ligjshëm”, duke i mohuar bashkëpunimin e kërkuar prej tij. (333) Në mbrojtje të vetëqeverisjes së Krahinës, mbështetësit e Prengë Bibë Dodës, u bashkuan rreth Margjelës, që qeveriste Mirditën nëpërmes krerëve besnikë të Prengës, që nga Shkodra”. (334)
Nga viti 1883, deri në vitin 1904, Prenga, qëndroi në Kastamuni. Me ndërhyrjen e diplomatëve francezëve, austriakë dhe anglezë, u kthye përsëri në kryeqytetin e Perandorisë, ku Sulltan Abdyl Hamiti, e bëri adjutant të vet. (335)
“Në vitin 1904, kje kthye në Stamollë, ku u përsërit miqësimi me Sulltan Hamitin, i cili nisi me u këshillue me të, sidomos për punët e Shqypnisë”, shkruhet në gazetën “Populli”. Mërgimi, i kishte mësuar shumë gjëra dhe Prenga, sapo kaloi Bosforin, dijti të manovronte, midis turqve të vjetër dhe të rinj, sa kur këta erdhën në pushtet, mundi të kthehet në Shqipëri dhe në Mirditë, ku u prit me nderime triumfi. (336)
Me kërkesën e Margjelës, Ambasada Franceze në Stamboll, i kishte dërguar letër ndihmësit të Ipeshkëvit Apostolik në Shkodër dhe e kishte informuar se; “Prengë Bibë Doda në Stamboll; ishte i lirë”. Sipas tij, “ai kishte kërkuar edhe “administrimin e Zadrimës dhe kjo shihet, si njëra nga pengesat që nuk i ishte lejuar kthimi në Atdhe”. (337)
Siç duket, autoritetet osmane, kishin qenë të kënaqura nga qëndrimi i Prengë Bibë Dodës, pas kthimit nga intrenimi në Kastamun. Nuk ka si të shpjegohet ndryshe, emërimi i tij në funksione të rëndësishme në Pallatin Perandorak. Prengë Pasha, ishte emëruar njëri ndër adjutantët e Abdyl Hamidit. (338)
Po kështu, kreu dhe funksionin e Komandantit të Brigadës Shqiptare, të Rojeve të Sulltanit. (339)
Pavarësisht se për lirimin e Prengë Bibë Dodës, u interesuan qarqet diplomatike perëndimore dhe autoritetet e larta kishtare, përfshirë edhe Papën Leoni XIII, vetëm në qershor të vitit 1908, (340) Kapidani i internuar, u lejua të kthehet në Shqipëri pas fitores së revolucionit xhonturk, nga frika e ndonjë kryengritje në Mirditë. Kthimi i Prengës, kishte qëllim të mirëfilltë politik dhe autoritetet mendonin, ta përdornin ndikimin e tij, për ta mbajtur Mirditën dhe trevat e tjera katolike, në gjendje qetësie. Prenga, nga ana e tij, siç duket, e kishte pranuar këtë mision që i ishte ngarkuar, sepse siç thotë Ippen: “Duke qëndruar për 28 vjet në internim, edhe zjarr të kishte qenë, do të ishte ftohur”. (341) Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
- Stavro Skëndo. The Albanian National Awakening 1878-1912,Phoenix, Tiranë, 2000, f.70.
- Bernard Stulli. Albasko Pitanjë 1875-1882 Rad, Jugoslavenske Akademija Znanosti i Umjetnosti Zagreb,1959,f.343
- The National Libray Archive Pall Mall Gazzette, London September 8, 1880, “Council of Prisrend and “Skiptaria one and indivisible
- Historia e Shqipërisë, Vëllimi II, Tiranë 1984, f.202; Luigj Martini, Princi pa fron i Mirditës, … f.82
- FO 195/1476, Nr.26 , Relacion i konsullit britanik në Mal të Zi dhe në vilajetin e Shkodërs drejtuar Ministrit të Punëve të Jashtme Earl Greanville,Shkodër 27 qershor 1883, Dokumente historike 1883-1885, përgatiti Ethem Çeku dhe Bejtullah Destani, Instituti për Çështje Kombëtare, Tiranë 2015, f.4
- Luigj Martini, Princi pa fron i Mirditës,…, f.82323. Zhan Klod Faverial, Historia (më e vjetër) e Shqipërisë, f.447
- AQSH, Fondi Prengë Bibë Doda, Dosja 16, f.2
- AQSH, Fondi Prengë Bibë Doda, Dosja 16,f.2
- HHStA, PA-Vj.88-61, Nr.68, Relacion i Konsullit të Austro-Hungarisë Lippih për Minsitrinë e Punëve të Jashtme në Vjenë, Shkodër më 25 janar 1887
- AQSH, Fondi Prengë Bibë Doda, Dosja 16, f.4 ; HHStA-PA-Vj.42-5-554, Nr.17, Relacion i Teodor Ippen dërguar Ministrit të Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, Kontit Agenor Galluhovski, Vjenë, Shkodër 28 maj 1897
- HHSt-PA-VJ. 3-2-224. Nr. 1270, udhëzim i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë dërguar konsullit Ippen në Shkodër, Vjenë, 22 nëntor 1898.
- Dom Ndoc Nikaj, Kujtime të nji jetës së kalueme, f.50
- Luigj Martini, Abati i Mirditës Prend Doçi,…,f. 254
- Luigj Martini, Abati i Mirditës Prend Doçi,…, f.255
- Pal Doçi, Abati i Mirditës Prend Doçi,f. 67-69
- HHStA-PA-Vj.42-6-623, Nr.3, Relacion i Teodor Ippen dërguar Ministrit të Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, Kontit Agenor Galluhovski, Vjenë, Shkodër 13 shtator 1897
- Sadulla Brestovci, Marrdhanjet shqiptaro-serbo-malazeze 1830-1887, Prishtinë 1983.
- Marrë nga AMHSH, Fondi i AMPJ të Austro-Hungarisë, Vjenë 1914, f.473-479, artikull i gazetës “Shekulli XIX”, datë 8 shkurt 1914, me titull “Mirditasit dhe princi i tyre”. Romeo Gurakuqi, Shqipëria 1911-1914, botimet “UET Press”, Tiranë 2010, f.640; Gazeta “Populli” 16 prill 1919
- AMHSH, Fondi i AMPJ të Austro-Hungarisë, Vjenë 1914, f.473-479, artikull i gazetës “Shekulli XIX”, datë 8 shkurt 1914, me titull “Mirditasit dhe princi i tyre”. Romeo Gurakuqi, Shqipëria 1911-1914, botimet “UET Press”, Tiranë 2010, f.640; gazeta “Popullli”, 7 prill 1919
- AQSH, Fondi Prengë Bibë Doda, Dosja 16,f.3.
- Jovanoviç nga Cetina, Raport për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Cetiën 11 prill 1903, shih Zekeria CanaPolitika e Sebisë kundrejt çështjes shqiptare 1903-1913, Prishtinë 2006, f.4
- Gazeta “Popullli”, 7 prill 1919
- At Pal Dodaj, Ditari, shënime vrojtimesh vetjake, Hylli i Dritës Nr.2-3, Tiranë 1993.
- Pal Doçi, Prend Doçi, Abati i Mirditës, Tiranë 1997, f.67-69
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016