Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e tretë
Memorie.al /Ndërsa akrepat e orës shënonin 01.30 minuta, të datës 2 tetor të vitit 1986, qetësinë e asaj nate të ftohtë vjeshte aty në skajin më verior të Shqipërisë, në zonën e Vermoshit, e prishën disa krisma arme automatike, të cilat u pasuan nga një pistoletë shënjëhedhëse, që ndriçoi të gjithë vendin në atë shpat të Malit të Bojës dhe më pas, të lehurat e një qeni e, thirrje e britma njerëzish…! Ishin ushtarët e postës kufitare Bashkim që, bashku me forcat vullnetare të asaj zone, (apo siç njiheshin ndryshe “pushkatarët”), të ardhur në përforcim, si dhe forca të tjera të reparteve të Ushtrisë, Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Shkodrës dhe Batalionit të Kufirit që mbulonte atë zone, të cilat, që prej afro dhjetë ditësh, kur ishte dhënë një situatë alarmi, ndodheshin në pozicionet e tyre, duke bllokuar vijën e kufirit që ndodhej vetëm 400-500 metra larg nga aty, në pritje për të kapur të gjallë apo asgjësuar, dy shkelës kufiri, që thuhej se vinin nga thellësia, me qëllim për t’u arratisur dhe për të dalë në Guci të Malit të Zi, (pjesë e Jugosllavisë së asaj kohe). Vetëm disa sekonda pas asaj batareje “Kallashnikovi”, që u dëgjuan në vendin e quajtur “Stanet e Shurdhit”, ushtari i njësitit kufitar që hapi zjarr, së bashku me një pjesëtar të forcave vullnetare, u afruan në drejtim të siluetës së një njeriu, të cilin e gjetën duke rënkuar dhe të larë në gjak, nga plumbat që e kishin përshkruar tej e tej trupin e tij.
Pak minuta më pas, ushtarët e atij njësiti kufitar dhe forcat e tjera vullnetare që u afruan me të shpejtë në vendin e ngjarjes, dëgjuan të lehurat e qenit të kufirit që shoqëruesi i tij e kishte vënë në gjurmë, për të bërë të mundur kapjen e shkelësit tjetër. Nuk vonoi shumë, kur qeni i kufirit, u hodh mbi një shkurre, ku qëndronte i strukur përmbys një person tjetër, të cilit ia nguli dhëmbët në kurriz, duke i grisur e shqyer xhaketën ushtarake që ai mbante veshur. Pas thirrjes; “duart lart, mos lëviz se do të qëllojmë”, njësiti kufitar, iu afrua duke e lidhur me duar prapa dhe menjëherë u afruan te grupi tjetër me ushtarë e oficerë, të cilët qëndronin në këmbë rreth shkelësit tjetër të kufirit, që dergjej i shtrirë në tokë, pa shenja jete, pasi kishte mundur të shqiptonte vetëm dy tre fjalë, duke u thënë se; quhej Sokol Vreshti dhe ishte nga fshati Bajzë. Gjë të cilën e konfirmoi edhe shoku i tij, që u kap i gjallë pak metra më larg, i cili u tha se; quhej Gjelosh Gega, nga fshati Bogë i Malësisë së Shkodrës dhe bashkë me Sokolin, ishin ushtarë në një repart në Vërmik të Vlorës.
Pas kësaj, sipas urdhrave të shefave e kuadrove kryesorë të Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, që prej një jave, drejtonin atë operacion kërkimi nga reparti i Batalionit të Kufirit, Gjelosh Gegën, e lidhën me pranga me shokun e tij, Sokol Vreshtin (tashmë të vdekur), dhe pasi i hipën në karrocerinë e një automjeti “ZUK” të Degës së Brendshme, i nisën për në Shkodër, të shoqëruar nga shumë forca të kufirit. Për këtë ngjarje të pazakontë, të ndodhur gati 37 vjet më parë, përveç disa mbledhjeve të reparteve të Batalionit të Kufirit që mbulonte atë zonë dhe atyre të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Shkodrës, ku kufitarët që kishin asgjësuar dhe kapur të gjallë dy shkelësit e kufirit, u përgëzuan, shpërblyen (me leje të jashtëzakonshme) dhe u dekoruan nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, nuk dihet asgjë më shumë dhe gjithçka ka mbetur e mbuluar me mister.
Një version të saktë mbi vrasjen e Sokolit, nuk mund të japë as shoku i tij, Gjelosh Gega, (tashmë 58 vjeç) që u kap i gjallë nga forcat e kufirit dhe ato vullnetare, (i cili u dënua me 16 vjet burg, “për tradhti të lartë ndaj atdheut”), pasi ajo ngjarje, ndodhi në ora 01 e 30 të natës dhe në mes të pyllit, ku ai s’ka pasur mundësi të shihte asgjë! As familja Vreshti dhe as Gjeloshi, nuk mund ta japin një version të saktë, nëse; Sokol Vreshti, u qëllua pa paralajmërim nga njësiti kufitar, apo atë e qëlluan dhe e vranë, pasi iu kërkua të ngrinte duart lart, por ai ngaqë ishte i plagosur në njërën dorë, ngriti vetëm dorën tjetër dhe në atë moment, ushtarët e kufirit e qëlluan. Po kështu ata, ende nuk kanë një informacion të saktë dhe nuk e dinë rrjedhën e ngjarjes, pra; si dhe kur, Sokoli me Gjeloshin, bënë plane dhe vendosën që të arratisen nga Shqipëria, si e kaluan ata periudha afro dhjetë ditore, duke u endur maleve në zonën e Vermoshit, në tentativë për të kaluar kufirin për në Guci, kush ishin dy njerëzit që ata takuan rastësisht në pyll (në Vukël e Lëpushë) dhe që lajmëruan menjëherë organet e kufirit, për t’u vënë në ndjekje të tyre, kush ishin personat që udhëhoqën atë operacion kërkimi për kapjen e tyre dhe mbi të gjitha, cili ishte njeriu që qëlloi mbi Sokol Vreshtin, duke e lënë të vdekur?!
Lidhur me këto dhe të tjera, bëhen të ditura nga një dosje nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, (dosja formulare, hetimore dhe gjyqësore), ku është e sqaruar me detaje, gjithçka nga ajo ngjarje tragjike e ndodhur afro 37 vite më pare, në zonën e Vermoshit.
DËSHMIA E KUJDESTARIT TË POSTËS SË KUFIRIT, BASHKIM, NËNOFICER VASEL GJEK SMAJLAJ, PARA HETUESIT SOKOL PUTO, TË HETUESISË SË SHKODRËS
Proces-verbal i pyetjes së dëshmitarit Vasel Gjek Smajlaj, i datëlindjes 1960, vendbanimi Rrapsh, me detyrë kujdestar në postën kufitare Bashkim
Në lidhje me çështjen, shpjegoj si më poshtë: Posta jonë kufitare kishte dy ditë që ishte në alarm për një situatë që ishte dhënë. Pardej unë kam qenë në kërkim në krahun e majtë të kufirit, kurse dje kisha dalë në shërbim në Malin e Bojës. Rreth orës 21.00, unë kam dalë në shërbim në krahun e djathtë të shpatit të malit. Rreth orës 23.00, unë isha në faqe të malit, kur poshtë meje dëgjova krisma arme në drejtim tim. Unë jam kthyer dhe kam dalë në drejtim të krismave nga ana tjetër.
Kur jam afruar te lëndina me fier, kam takuar në njësitin e shërbimit me ushtar D.M. dhe një civil. Pak më lart ishte edhe komisari i postës. Unë kam vënë qenin në gjurmë dhe kemi gjetur një person të shtrirë pak më sipër nga aty kam vënë qenin në erë dhe 7-8 metra më sipër, kemi parë një ushtar tjetër, të shtrirë përmbys. Unë me komisarin e kemi kapur dhe e kemi kthyer me fytyrë lart dhe pamë që ishte gjallë. E kemi marrë dhe e kemi shoqëruar në postë. Rrugës kemi mësuar se ai quhej Gjelosh, kurse i vrari, Sokol Vreshti. Tjetër gjë nuk kam. Procesin e lexoj dhe e firmos.
Dëshmitari Hetuesi
Vasel Gjek Smajlaj Sokol Puto
DËSHMIA E N. GJ., KOOPERATIVIST NGA FSHATI VUKËL, E DHËNË PARA HETUESIT SOKOL PUTO, TË HETUESISË SË RRETHIT TË SHKODRËS
Proces-verbal i pyetjes së dëshmitarit, N.Gj., i datëlindjes…, me 8 klasë, kooperativist nga fshati Vukël.
Në lidhje me çështjen, shpjegoj si më poshtë: Ditën e premte, unë në ora 7.00, isha nisur për në punë, ku atë ditë së bashku me brigadën, do të mblidhnim qepujkë. Kur jam afruar tek burimi që quhet “Burimi i Radoshit”, kam hasur përball meje dy ushtarë. Unë jam përshëndetur me ta dhe i kam pyetur nga vinin dhe ku shkonin. Ata më janë përgjigjur se vinin nga Boga dhe do shkonin në Lëpushë, tek Gjergj Toma. Unë i kam pyetur se nga ishin dhe njëri prej tyre, që ishte më i shëndoshë, më tha se ishte nga Bajza, kurse ai tjetri që ishte më i dobët dhe që kishte një si pikë të bardhë në syrin e majtë, më tha se ishte nga Kosani.
Unë i kam pyetur se ku ishin më shërbim dhe ata më thanë në Bogë. Unë i kam pyetur edhe për letër-njoftimet dhe lejet e tyre dhe ata më thanë se nuk kishin. Njëri prej tyre, ai që më tha se ishte nga Kosani, kishte në dorë gjysëm buke gruri të zezë. Në këto rrethana, unë dyshova për këta persona. Kur ata më kanë pyetur se nga ishte rruga për në Qafën e Bordolecit, unë u kam treguar rrugën që të nxirrte pikërisht në qafë, tek reparti ushtarak. Pasi ata janë larguar, unë kam njoftuar sekretarin e partisë, të cilit i kam treguar ngjarjen. Në këtë kohë, aty kanë ardhur dy ushtarë të pikës kufitarë Janës, dhe bashkë me ta jemi vënë në ndjekje të dy ushtarëve.
Pasi kemi ecur një copë rrugë të mirë, i kemi parë përpara të dy ushtarët në një distancë, rreth 1 km. larg. Njëri nga ushtarët që ishte me mua, i ka thirrur që të ndalen, por ata nuk janë ndalur dhe atëhere ushtari i ka qëlluar me armë. Në këtë moment, të dy ushtarët ishin në majë të malit dhe pa u futur pas majës, na janë zhdukur nga sytë dhe nuk i kemi parë më. Të nesërmen, unë kam marrë vesh nga nusja e vëllait tim, Gj. Gj., se ajo i kishte hasur të dy ushtarët rreth orës 9.00, dhe se e kishin pyetur atë se nga ishte rruga për në Qafë të Bordolecit dhe Gjystja i kishte drejtuar nga pika kufitare e Janës.
Por ata, e kishin kuptuar dhe kishin ikur me vrap dhe ishin fshehur në pyll. Ditën e enjte në darkë, në datë 2.10.1986, unë isha në Qafën e Bordolecit dhe aty kam marrë vesh se shkelësit ishin kapur, njëri i vrarë dhe tjetri i gjallë. Tjetër gjë nuk kam për të thënë. Proces-verbalin e lexoj dhe e firmos.
Dëshmitari Hetuesi
N.Gj. Sokol Puto
DËSHMIA E F. L. NGA VERMOSHI, ROJE NË EKIPIN E GJEOLOGJISË, E DHËNË PARA HETUESIT SOKOL PUTO, TË HETUESISË SË RRETHIT TË SHKODRËS
Proces-verbal i pyetjes së dëshmitarit, F.L., i datëlindjes 1957, vend-banimi Vermosh, me arsim fillor, me detyrë roje në ekipin e Gjeologjisë në Gropat e Ujit në Vermosh.
Në lidhje me çështjen, mund të them si më poshtë: Unë jam roje në ekipin e gjeologjisë në vendin e quajtur “Gropat e Ujit” në Vermosh. Kjo pikë është rreth 1.3 km. larg vijës së kufirit shtetëror. Më datën 1.10.1986, si zakonisht, unë dola për të marrë shërbimin në pikën gjeologjike, rreth orës 15. Duke u ngjitur në pikë, dëgjoj shtatë krisma pushke. Ne ishim në dijeni se janë në ndjekje dy personave që duan të arratiseshin dhe unë menjëherë kam ecur me vrap në drejtim të pikës së gjeologjisë, për të parë se çfarë po ndodhte. Kisha me vete edhe pushkën. Kur shkova në pikë, gjeta aty Luigj Tanezin dhe Martin Kronin.
Këta më tregojnë se kishin parë dy ushtarë përmbi pikën e gjeologjike, i kishin thirrur të ndalonin dhe i kishin pyetur se kush jeni. Ata i kishin thënë se jemi dy shokë dhe kishin ikur me vrap në drejtim të pyllit në krahun e majtë, në drejtim të “Përronit të Bojës”. Më treguan se i kishin qëlluar shtatë herë më pushkë dhe se u ishte bllokuar arma. Unë pastaj u thashë se po vihem në ndjekje, në fillim qëllova katër herë me pushkë për të bërë alarm dhe u nisa për të zënë shtigjet. Kam ecur deri në vendin e quajtur “Bregu i Shtudicës” dhe aty kam zënë pozicion. Aty kam qëndruar deri në ora 24, kur kanë qëlluar me raketa dhe me breshëri automatiku.
Kuptova se kanë rënë në përpjekje ushtarët e kufirit me shkelësit dhe kam ikur nga ai vend dhe kam shkuar e kam zënë pozicion rreh 150 metra larg kufirit, mbi Qafën e Lipovacit. Mbas gjysëm ore kam dëgjuar një breshëri automatiku, që kanë rënë në Guci, në Jugosllavi. Më vonë kanë qëlluar nga posta e Seferçës. Kan shtënë edhe me një raketë posta e jonë dhe me breshëri automatiku. Unë ka qëndruar në atë pozicion deri në mëngjes dhe pastaj kur ka dalë drita, kam zbritur në pikën gjeologjike. Atje mora vesh, se njërin e kishin vrarë ushtarët tanë, ndërsa tjetri, ishte kapur i gjallë. Gjë tjetër nuk di. Proces-verbalin e lexoj dhe e firmos.
Dëshmitari Hetuesi
F.L. Sokol Puto
DËSHMIA E SOTIR DEMA, KOMISAR BATALIONI I REPARTIT USHTARAK NË VERMIK TË VLORËS, KU KRYENIN SHËRBIMIN, SOKOL VRESHTI DHE GJELOSH GEGA, E DHËNË PARA HETUESIT SOKOL PUTO, TË HETUESISË SË RRETHIT TË SHKODRËS
Proces-verbal i pyetjes së dëshmitarit, Sotir Lili Dema, i datëlindjes 1949, vend-banimi Vlorë, me arsim të lartë, me detyrë komisar batalioni, në repartin ushtarak 8977, Vermik
Në lidhje me çështjen, shpjegoj sa më poshtë. Unë jam Komisari i Batalionit, në repartin ushtarak, ku kanë kryer shërbimin ushtarët Sokol Vneshti e Gjelosh Gega. Lidhur me këta dy ushtarë, kam për të thënë se; që të dy këta, kanë qenë ushtarë me probleme dhe kanë sjellë shqetësime për repartin dhe neve si komandë, jemi ndalur disa herë për qëndrimet e tyre. Kohët e fundit, tek neve ka rënë në sy se këta dy ushtarë, rrinin gjithë kohën bashkë, gjë e cila, kishte rënë dhe në sy të efektivit.
Nga mesi i muajit shtator, na ka ardhur një telegram nga Dega Ushtarake e Shkodrës, ku thuhej se; ushtar Sokol Vneshti, datë 21.9.1986, do të martonte motrën. Neve si komandë batalioni, nuk i kemi dhënë leje, por Sokol Vneshti, ka shkuar në Vlorë, në Komandën e Regjimentit, ku i kanë dhënë leje ata, për t’u kthyer në datë 19.9.1986, në darkë vonë, ka ardhur në komandën tonë, një telegram me këtë tekst: “Gjelosh Gegës i ka vdekur vëllai. Varrimi bëhet në datë 21.9.1986. Fran Gega”. Unë e kujtoj se telegrami ishte bërë nga qyteti i Shkodrës.
Unë, kam njoftuar ushtar Gjeloshin dhe i kam thënë që të marri leje, pasi kishte vëllain shumë të sëmurë. Për këtë ne, të nesërmen, e kemi nisur me leje, rreth 10 ditë dhe ai duhet të vinte në repart, në datë 21.10.1986. Në datën 24.9.1986, në darkë, ushtar Sokol Vneshti, nuk kishte ardhur nga leja, pasi atë ditë i skadonte afati dhe ne për këtë, kemi njoftuar Komandën e Regjimentit në Vlorë. Pas kësaj, në datë 3.10.1986, na kanë njoftuar se të dy ushtarët, ishin kapur në kufi në tentativë për t’u arratisur jashtë shtetit, ku njëri prej tyre, Sokol Vneshti, ishte vrarë, dhe Gjelosh Gega, ishte kapur i gjallë.
Lidhur me qëllimin e tyre armiqësor, neve si komandë, nuk kemi konstatuar gjë. Për ushtar Sokol Vneshtin, e dinim që kishte vëllain e arratisur jashtë shtetit, kurse për Gjelosh Gegën, nuk dinim gjë, nëse kishte njerëz të arratisur jashtë shtetit. Gjë tjetër nuk kam për të thënë. Procesin pasi e lexova, e firmos.
Dëshmitari Hetuesi
(Sotir Dema) (Sokol Puto)
DËSHMIA E NDUE LUK VRESHTI, BABAI I USHTAR SOKOL VRESHTIT, QË U VRA NGA KUFITARËT E POSTËS BASHKIM, NË TENTATIVË PËR T’U ARRATISUR NGA VERMOSHI, E DHËNË PARA HETUESIT SOKOL PUTO, TË HETUESISË SË RRETHIT TË SHKODRËS
Proces-verbal i pyetjes së dëshmitarit, Ndue Luk Vreshti, i datëlindjes 1928, autodidakt, vend-banimi Jaran-Bajzë, kooperativist.
Në lidhje me çështjen, shpjegoj sa më poshtë: Unë banoj në fshatin Jaran, bashkë me familjen time, ku kam gruan time, e cila nuk punon, pasi është e sëmurë, kam katër vajza të martuara, kam dhe një djalë të martuar, që quhet Pjetër, dhe që është i ndarë prej meje. Gjithashtu, kam dhe një djalë tjetër, që quhet Nikoll Vneshti, dhe që është arratisur në Jugosllavi, në vitin 1964, në moshën 16 vjeç. Me këtë djalë, neve kemi letërkëmbim, dhe e di që banon në Kaliforni të Amerikës. Veç këtyre, kam pasur dhe një djalë tjetër i quajtur Sokol Vneshti, i cili ka ikur ushtar vjet dhe ushtrinë e ka kryer në Vlorë.
Lidhur me këtë të fundit, kam për të thënë se; në datën 20.9.1986, Sokoli, më ka ardhur me leje nga ushtria në shtëpi, pasi me datë 21.9.1986, unë martoja një vajzë, pra motrën e tij. Në shtëpi ai, ka ndenjur deri ditën e mërkurë dhe në këtë ditë nga ora 10.00, na tha se do të nisej për në repart dhe pasi jemi përshëndetur me të ai, ka ikur. Gjatë gjithë ditëve që ka qenë me leje Sokoli, ka ndenjur në shtëpi, pa shkuar kurrkund përveçse deri në Bajzë. Unë, nuk e di që, gjatë kohës që Sokoli ka ndenjur në shtëpi, të ketë ardhur e ta ketë kërkuar njeri.
Ditën që ka ikur ai, na ka thënë që; do të nisej për në repart e nuk na ka thënë asgjë tjetër. Në datën 2.10.1986, unë kam marrë vesh se djali im Sokoli, ishte vrarë në kufi, duke dashur që të arratisej jashtë shtetit. Për këtë më vjen çudi, se ai nuk na ka dhënë asnjë shenjë, dhe në atë drejtim, nuk ka qenë kurrë. Për veprimet e tij, nuk ka ditur gjë, asnjëri nga familja jonë. Shtoj se; djali im që është arratisur, ka një djalë që quhet Rudi, i cili edhe ky na ka shkruar letër neve.
Pyetje: A keni njeri të njohur në zonën e Kelmendit?!
Përgjigje: Unë nuk kam asnjë të njohur në zonën e Kelmendit, dhe nuk kam qenë asnjëherë në atë zonë. Tjetër gjë nuk kam për të thënë. Procesin pasi e lexova, e firmos.
Dëshmitari Hetuesi
(Ndue Vreshti) (Sokol Puto)
DOKUMENTI ME PRETENCËN E PROKURORIT USHTARAK TË KOLEGJIT PENAL TË RRETHIT TË SHKODRËS, MYRVET SHEHU, NDAJ TË PANDEHURIT GJELOSH GEGA
P R E T E N C Ë
Shoku Kryetar, Shokë Gjyqtarë.
Sot dha llogari i pandehuri Gjelosh Gega, i cili akuzohet për krime të rënda, tradhti ndaj atdheut në formën e arratisjes jashtë shtetit në bashkëpunim, të mbetur në tentativë, si dhe i është shmangur përgjithmonë shërbimit të detyrueshëm ushtarak, vepra këto të parashtruara nga nenet 47/gj+13+11 dhe 139+13 të Kodit Penal.
Veprat penale të kryera nga i pandehuri, sidomos ajo e tradhtisë, paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Këtë të pandehur e gjykojmë, në një kohë kur zhvillohen punimet e Kongresit të 9 të PPSH-së, ku të gjithë punonjësit e vendit tonë, duke përfshirë dhe ushtarakët e forcave të armatosura, janë mobilizuar si kurrë ndonjëherë për të vënë në zbatim vendimet e këtij kongresi. Duke dashur të arratiset jashtë atdheut i pandehuri, ka shkelur betimin ushtarak, ligjet, dhe rregulloret ushtarake.
Ti, i pandehur, do të arratiseshe jashtë atdheut, por siç na e ka bërë të qartë Partia, në vendet rreth e rrotull nesh, dhe në të gjithë botën, ka miliona të papunë, dhe miliona të tjerë s’kanë ç’të hanë. Ka me mijëra njerëz që dalin nga kasollet dhe nga shtëpitë në mëngjes, dhe nuk janë të sigurt nëse do të kthehen në mbrëmje, kurse tek ne nuk është kështu. Veprimet e të pandehurit, të cilat janë të dënueshme rreptësisht si moralisht ashtu dhe penalisht, s’kanë asgjë të përbashkët me ushtarakët e forcave tona të armatosura, radhët e të cilave janë të pastra si qelibari, sepse i drejton Partia me një kujdes të posaçëm.
I pandehuri është i deklasuar prandaj me trup është në Shqipëri, por me mëndje dhe me zemër është në Jugosllavi e gjetkë. Megjithatë, ne e kemi për detyrë që nga kjo tribunë gjyqësore, t’ja bëjmë të qartë dhe ndonjë tjetri, i cili në embrion, mund të ketë shfaqje të tilla, se i pandehur tashmë e ke të qartë se, kufirin e kemi gardh, dhe kush do të guxojë të tentojë të arratiset, do të marrë të njëjtin shpërblim si dhe i pandehuri, në mos edhe plumbin ballit. Partia dhe Diktatura e Proletariatit, kurdoherë i ka goditur me grusht të hekurt, dhe i ka hedhur në koshin e plehrave, të gjithë tradhtarët e vendit, të çdo natyre qofshin.
Të gjithë vigjilentë dhe me grushtin gati, do të qëndrojmë në çdo moment. Ku qëndron përmbajtja e veprimtarisë kriminale të këtij të pandehuri?! Cila është brendia e formave të përdorura prej tij për realizimin e veprimtarisë kriminale?! Këtyre pyetjeve, ju përgjigjën më së miri, një numër i madh faktesh, një sasi e mjaftueshme provash, përfshi dhe deponimet e vetë të pandehurit. Nga hetimi dhe gjykimi, rezulton sa vijon: I pandehuri Gjelosh Gega, duke pasur predispozita armiqësore, pasi atje ka pasur të arratisur xhaxhain e tij, të quajtur Nik Gega, ka tentuar që edhe vetë të arratiset. Kështu, ky i pandehur, duke qenë ushtar pranë repartit ushtarak nr. 3205 në Vlorë, ka biseduar disa herë me ushtar Sokol Vneshtin, për tu arratisur, dhe për këtë kanë rënë dakord.
Në datën 19.9.1986, ushtar Sokol Vneshti, ka shkuar pranë familjes, dhe po atë ditë ka nisur një telegram urgjent, në adresë të pandehurit Gjelosh Gega, sikur i kishte vdekur vëllai i tij. Në këto rrethana dhe të pandehurit Gjelosh Gega, i është dhënë leje nga komanda e repartit, për të shkuar pranë familjes së tij. Kur i pandehuri ka shkuar në shtëpi, ka takuar dhe Sokol Vneshtin dhe pas disa bisedave, vendosën që të takoheshin të mërkurën pasdite. Këto ditë, në datë 24.9.1986, i pandehuri Gjelosh Gega, është takuar me Sokol Vneshtin në Koplik dhe pasi kanë blerë bukë, janë nisur në drejtim të Bogës, me qëllim për të dalë në zonën e Kelmendit, pa kaluar nëpërmjet pikave të kontrollit kufitar.
Pasi kanë fjetur dy net jashtë, i pandehuri, së bashku me Sokol Vneshtin, ditën e premte në mëngjes, kanë qenë në fshatin Vukël në Kelmend, ku kanë takuar dëshmitarin, N. Gj., të cilin e kanë pyetur për drejtimin e Qafës së Bordolecit, pra drejtimin e kufirit shtetëror. Ky dëshmitar, duke dyshuar për sjelljet dhe ëndërrimet e tyre, i ka treguar rrugën por dhe njëkohësisht ka njoftuar organet përkatëse dhe vetë është vënë në ndjekje të tyre. Të dy ushtarët, kur e kanë kuptuar se po ndiqeshin, janë larguar me vrap dhe janë fshehur në pyll. Në këtë mënyrë, për disa ditë, i pandehuri Gjelosh Gega së bashku me ushtar Sokol Vneshtin, i janë shmangur kërkimit, duke u fshehur në pyll, dhe të vendosur në qëllimin e tyre kriminal, vazhdonin të kërkonin rrugën në drejtim të kufirit, për të realizuar qëllimin e arratisjes së tyre jashtë shtetit.
Në datën 1.10.1986, të dy shkelësit, kanë qenë duke ju ngjitur malit të Bojës dhe në afërsitë të vendit të quajtur “Gropa e Ujit”, kanë hasur në rojet e pikës gjeologjike, të cilët i kanë qëlluar me armë, duke dhënë alarm. Midis tyre, ishte dhe dëshmitari F.L. I pandehuri Gjelosh Gega, së bashku me Sokol Vneshtin, janë larguar me vrap në errësirën e natës, duke u futur në pyll. Prej aty ata, duke parë dritat e qytetit të Gucisë, janë nisur në atë drejtim. Por, duke zbritur faqen e malit, në distancë 500 metra, larg vijës së kufirit, në vendin e quajtur “Stanet e Shurdhit”, aty kanë hasur në njësitin kufitar, me përgjegjës dëshmitarin D.M. Ky i fundit, ka kontaktuar shkelësit që i janë afruar, dhe ju ka kërkuar të ndalen, duke qëlluar me armë në ajër.
Në këtë moment, i pandehuri bashkë me Sokol Vneshtin, kanë tentuar të largohen në pyll, por dëshmitari Myfit, ka hapur zjarr në drejtim të tyre. Nga të shtënat e para, ka mbetur i vrarë ushtar Sokol Vneshti, kurse i pandehuri, duke mos pasur mundësi të largohet, ka ndenjur i shtrirë, derisa është kapur i gjallë nga dëshmitarët; Rifat Çokaj, D.M., dhe Vesel Smajlaj, të cilat e kanë shoqëruar për në postën kufitare. Në këto rrethana, i pandehuri Gjelosh Gega, duke dashur që të arratiset jashtë shtetit për në Jugosllavi, njëkohësisht ka konsumuar dhe elementin e veprës penale, të shmangies përgjithmonë nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak dhe për këtë arsye, ai duhet të përgjigjet edhe ndaj veprës penale, të parashtruar nga neni 139 i Kodit Penal.
I pyetur në hetuesi, i pandehuri Gjelosh Gega, e pranon akuzën që i bëhet dhe jep shpjegime rreth saj, si në hetuesi, ashtu edhe sot në gjyq. Gjithashtu kjo akuzë, provohet dhe nga thëniet e dëshmitarëve të tjerë si Rifat Çokaj, D.M., Vesel Smajlaj, N. Gj., etj., si dhe të gjitha provat e tjera të administruara në dosjen hetimore. Kush janë shkaqet që ky i pandehur degjeneroi dhe kaloi në krim?! Shkaqet, duhet t’i kërkojmë në këto drejtime kryesore: Në faktin se i pandehuri, ka përbërje të keqe politike, pasi ka një xhaxha të arratisur jashtë shtetit. Ky ambient jo i shëndoshë familjar i të pandehurit ka ndikuar shumë tek ky, që ti kryejë këto krime. Po kështu tek ky i pandehur, ka ndikuar dhe presioni i vazhdueshëm imperialisto-revizionist, që zë vend në mendjen dhe zemrën e njerëzve të paformuar, e të prirur për veprime kriminale, sikurse i pandehuri.
Nga ky gjyq, duhet të nxjerrin konkluzione të gjithë pjesëmarrësit, pasi siç na porosit Partia, armiqtë qofshin të jashtëm apo të brendshëm, nuk flenë, por punojnë në forma të ndryshme, të na dëmtojnë. Prandaj, siç na ka mësuar shoku Enver, të gjithë në çdo moment, të jemi zgjuar, vigjilentë, shumë kompaktë, shumë të disiplinuar, e me grushte gati. Mendoj, se në kushte të tilla, do të ishte e tepërt, të sillnim argumente e fakte të tilla, pasi, e gjej plotësisht të provuar, fajësinë e të pandehurit. Në kërkesën time, për masën e dënimit ndaj këtij të pandehuri, mbaj parasysh këto rrethana: Rrezikshmëria e theksuar e veprave penale të kryera nga i pandehuri, sidomos, ajo e tradhtisë ndaj atdheut, në formën e arratisjes së ngelur në tentativë, afërsinë e ardhjes së pasojës për tentativën e arratisjes, pasi për afro 500 metra, e kalonte kufirin shtetëror.
Rrezikshmëria e theksuar e vetë të pandehurit, është fakti që ka përbërje të keqe politike. Për sa më sipër, si dhe i mbështetur në bindjen juridike socialiste, kërkoj: Të deklarohet fajtor i pandehuri Gjelosh Gega, konform nenit 150 të Kodit të Procedurës Penale, për të dy akuzat dhe të dënohet si vijon:
1 – Për tradhti ndaj atdheut në formën e arratisjes jashtë shtetit, në bashkëpunim të mbetur në tentativë, i është shmangur përgjithmonë shërbimit ushtarak, vepra këto, të parashikuara nga neni 47/gj+13+11 i Kodit Penal dhe të dënohet me 14 vjet heqje lirie.
2 – Për shmangie nga reparti, të parashikuar nga neni 139/1-13 të Kodit Penal dhe të dënohet, me 2 vjet heqje lirie.
Përfundimisht, duke bërë bashkimin e dënimeve, konform nenit 35 të Kodit Penal, të dënohet me 15 vjet heqje lirie. Memorie.al
Shkodër 6.11.1986
Prokurori Ushtarak
(Myrvet Shehu)
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016