Nga Dr. Nikoll Loka
Pjesa e njëmbëdhjetë
“PRENGË BIBË DODA, DRITËHIJET E NJË BURRËSHTETASI”
Memorie.al / Libri më i ri “Prengë Bibë Doda, një fenomen në jetën politike shqiptare”, i studiuesit Nikollë Loka, jo vetëm zgjeron fushën e studimeve historike mbi Mirditën, Derën e Gjonmarkajve dhe figurën e Princit mirditor, Prengë Bibë Doda, por është edhe një kontribut, në historiografinë kombëtare. Lënda shumë e pasur arkivore, literatura e shfrytëzuar apo e konsultuar, gojëdhënat etj, e bëjnë këtë libër, një thesar të vërtetë studimor, duke i dhënë shkencës së historisë një monografi shkencore, që pasuron njohuritë tona mbi Mirditën, kapedanët e saj, traditën, historinë etj. Të studiosh një figurë sa të rëndësishme dhe komplekse, siç është figura e Prengë Bibë Dodës, është përgjegjësi e lartë shkencore që, jo çdokush e merr përsipër. Nikollë Loka, ka bërë një punë të madhe hulumtuese dhe trajtim prej studiuesi profesionist, duke na e dhënë portretin e Princit dhe gjeneralit mirditor, me konturet e vërteta. Dr. Loka, i është përmbajtur fund e krye hapësirës dhe kohës, në të cilën janë zhvilluar ngjarjet shumëdimensionale dhe protagonistët e tyre.
MONOGRAFIA “PRENGË BIBË DODA, NJË FENOMEN NË JETËN POLITIKE SHQIPTARE”, NJË STUDIM SHKENCOR ME VLERË QË PASURON FONDIN E STUDIMEVE TONA HISTORIKE
(Nga Mr. Sc. Murat Ajvazi, mars 2017, Zvicër)
Prengë Kola, Kapidani i Oroshit i shkruante nënës së Prengës: “Jam dakord me çmimin e caktuar prej tremijë napolonash, për shitjen e lëndëve të pyllit të Qafë-Mollës” (201).
Siç duket, pylli ishte në pronësi të gjithë Gjomarkajve dhe nga shitja e tij, do të përfitonin të gjithë, sipas sipërfaqes që kishin.
Për të përballuar shpenzimet e shumta, që i vinin nga vizitat e panumërta, të zyrtarëve shtetërorë, diplomatëve të huaj, krerëve të ndryshëm dhe deri te njerëzit e thjeshtë, që donin ta takonin, Prenga, shpenzonte shumë, prandaj gjithmonë kishte nevojë për para. Ai është subvencionuar, pothuajse rregullisht, nga Franca, Austro-Hungaria dhe Italia. Në periudha të shkëputura, ka përfituar rrogë dhe shpërblime nga Turqia.
Pavarësisht na shumat që merrte, ai nuk kishte aq sa i nevojiteshin, prandaj kërkonte ndihmë financiare. Në lidhje me këtë sjellje të Princit, në një raport diplomatik austro-hungarez, në mënyrë cinike, është shkruar: “Vështirë se ndonjë Pashai tjetër në Shqipëri, i përshtatet më mirë titulli, se Preng Bib Dodës, që e ka bërë të vetën devizën, se; “pa para, nuk ka dashuri për Atdheun”. (202)
Zyrtarisht, Kapidani mbështeti austro-hungarezët në betejën e tyre kundër serbëve dhe malazezëve. Ballhausplatz, i dha një pension vjetor, prej 24 mijë korona. (203) Po kështu, Italia i dha një shumë prej 50 mijë frangash në vit. (204) Ndihma financiare, ishte e kushtëzuar dhe përdorej për të bërë presion, që politikani të mbronte linjën politike të shteteve donatore. Kjo mbrojtje, nuk bëhej gjithmonë nga Prenga dhe prandaj ndonjë herë subvencionet e tij, ishin ndërprerë, për të rifilluar përsëri në një situatë tjetër.
Prenga, u përpoq të përfitonte edhe nga Serbia e Mali i Zi, por Beogradi dhe Cetina, e njihnin se; “nuk mbante fjalën, prandaj nuk e subvencionuan. Me ndërprerje subvencionesh, kanë përfituar edhe Nëna Margjela dhe motra Dava. Në mungesë të Prengës, ato kanë drejtuar veprimtarinë ekonomike të familjes. Në një dokument që gjendet në Fondin; “Prengë Bibë Doda”, del se; “Emrullah Bej Dizdari me vllazën, i kishte marr 30 napolona prej Davës, bijës së Kapidan Pashës. Datë s’ka”! (205)
Krezmimi francez, në emër të Perandorit Napoleon III-të
Kur djali u bë shtatë vjeç, Bibë Doda, mendoi që krezmimin t’ia jepte Perandori i Francës, Napoleoni III-të. Kapidani, ia paraqiti atë dëshirë Konsullit të Francës në Shkodër, i cili me ndërmjetësinë e Ministrit të Jashtëm, ia bëri të ditur Napoleonit III-të. Perandori i Francës, e pranoi me kënaqësi që të bëhej kumbara i Prengës dhe Bibë Doda, bëri përgaditjet për të shkuar në Paris, me Margjelën, vajzën dhe djalin, të shoqëruar nga 6 djem të vegjël mirditas, të veshur me rroba kombëtare. (206)
Pas helmimit të Bibë Dodës, u pa si e pamundur që Napoleoni III-të, ta mbante Prengën në krezmim dhe në vend të tij, caktoi Konsullin e Francës në Shkodër.
Meqenëse krezmimin Konsulli, e bëri në emër të Perandorit, Prenga u njoh si famull i Napoelonit III-të, i cili i kishte dërguar për atë ditë të shënuar, disa dhurata, ndër të cilat edhe një shpatë të vogël prej ari, që Prenga e ngjeshi me atë rast. (207)
Ndërkohë, qeveria franceze i dha një pension vjetor, prej 5 mijë frangash. Djali i vetëm i Bibë Dodës, ndonëse jetim, kishte mbrojtjen e malësorëve të Mirditës dhe të shtetit francez. Prandaj Porta e Lartë, i bëri mirë llogaritë për ta larguar nga vendi, duke gjetur një pretekst të pranueshëm. Po ta linin në Shqipëri, turqit nuk mund ta eleminonin nga pushteti. Duke e larguar, krijoheshin shumë mundësi, të cilat turqit nuk hezituan t’i provojnë, ndonëse pa rezultat.
Prengë Bibë Doda, u mbajt i internuar në Stamboll, me pretekst se ishte duke vazhduar shkollën. (208) Turqit, u përpoqën me masa të buta, t’i jepnin fund misionit të familjes Doda. Prenga i vazhdoi studimet, në po atë shkollë, ku mësonin dhe djemtë e Sulltanit. (209)
Në fund të shkollimit, Prenga fliste rrjedhshëm në tri gjuhë të huaja: fërngjisht, italisht dhe turqisht. Ky shkollim i zgjedhur ishte një luks i madh në kushtet e Shqipërisë së atëherëshme, pothuajse analfabete dhe e bënte djalin e Bibë Dodës të aftë, për të marrë përsipër një rol të rëndësishëm në zhvillimet e ardhshme. Natyrisht, autoritetet osmane, do të dëshironin që Prenga i ri, të bëhej një administrator osman dhe atëherë nuk do t’i mungonin privilegjet e mëdha. Jeta e tij dhe e familjes, do të ishte e qetë dhe pa telashe, por Prenga, nuk mund të tërhiqej dhe nuk mund të bënte kompromis me funksionin kanunor, që e kishte trashëguar.
Internimi i parë
Djali dhjetvjeçar i Bibë Dodës, u muar nga autoritetet dhe u dërgua në Stamboll, gjoja për studime dhe arsye sigurie. Ishte një praktikë e njohur, marrja e bijve të shquar, për t’i larguar nga mjedisi i tyre shoqëror dhe për t’i rritur me besnikërinë ndaj Sulltanit. Në letërkëmbimin, midis princeshës Elena Gjika dhe rilindësit arbëresh Jeronim De Rada, Elena Gjika, e përmend shpesh familjen Doda dhe, ndër të tjera, jep të dhëna edhe për fëmijërinë e Prengës.
Elena, që ishte në lidhje me intelektualë shqiptarë në mërgim, kishte dijeni për fatin e familjes së Bibë Dodës. Ajo i shkruan De Radës: “Për të kompensuar shërbimet e mëdha të Princit të Mirditës, ku ushtarët kishin luftuar si heronj në Silistri, e kanë dërguar nënën e tij të vjetër dhe djalin, në Stamboll, si të burgosur. Djali i Bib Dodës, Princit të Mirditës, është gjithmonë i burgosur në Konstadinopojë, ku gjyshja e tij, e internuar me të, ka vdekur. Ndarjet i ndëshkojnë shqiptarët, duke i bërë të pafuqishëm, pavarësisht aftësive të tyrë. (210)
Ky internim, nuk nënkuptonte sjellje çnjerëzor, apo keqtrajtime edhe pse ato u përdorën. Synohej vetëm që një kundërshtar potencial, të thyhej “me të mirë”, duke provuar mbi vete “përkujdesjen” e qeverisë dhe të Sulltanit. Zakonisht, fëmijët që dërgoheshin në “internime” të tilla, tjetërsoheshin, ndërronin fenë dhe identitetin, harronin prindërit dhe edukoheshin në frymën e patriotizmit osman. Kjo praktikë, në rastin e Prengës, dështoi sepse ai, e kishte formuar vetëdijen e origjinës së tij. Ai kishte mësuar shumë gjëra rreth vdekjes së babait, ndoshta edhe për planet turke, rreth dërgimit të tij në Stamboll.
Ai qëndrim i mëshirshëm i autoriteteve, do të ishte kuptuar si sjellje aristokratike, po të mos ndodhte sterilizimi, që ai të mos mund të linte pasardhës. Pra kemi një kombinim të metodave të buta, për ta mbajtur larg me metodat barbare, për ta bërë të parrezikshëm dhe të pavlefshëm për kauzën e tij. Ndodhnin atëherë në Oborrin Osman, çudi të tilla: në njërën anë të shkollonin, të jepnin tituj dhe dekorata të larta, të jepnin edhe poste, megjithatë të trajtonin si armik potencial, që duhet çarmatosur, për t’u bërë i parrezikshëm.
Në rastin e Prengës, synohej që ai, nga një simbol i autonomisë tradicionale, të kthehej në simbolin e integrimit, në strukturat e pushtetit. Nëse Kreu i Mirditës, do të pranonte funksione qeveritare, atëherë krerët e tjerë, nën shembullin e tij, do të bënin të njëjtën gjë dhe autonomisë tradicionale të Mirditës, si pa u ndjerë, do t’i vinte fundi.
Po a ka qenë i kënaqur Prenga, me trajtimin që i bënë autoritetet? Duke e marrë në tërësinë e vet, sjelljen e Prengës, pas kthimin nga internimi i parë, rezulton se; djali i Bibë Dodës, nuk ushqente një qëndrim armiqësor dhe pranonte që të bashkëpunonte me autoritetet, me kushtin e vetëm që ata të respektonin autonominë e Mirditës. Pavarësisht nga mosbesimi i madh që treguan, Prenga, fillimisht ndoqi rrugën e kompromisit. Prengë Pasha, nuk ishte kundërshtarë i lindur i turqve, dhe as armik i betuar i tyre, por ishte mbrojt i betuar, i autonomisë së Krahinës që kryesonte.
Edhe zyrtarët turq, nuk ishin armiqtë personal të djalit të Bibë Dodës, por kundërshtarë të autonomisë së Mirditës. Ky keqkuptim, e kishte çuar në Stamboll dhe kishte lënë larg nënës dhe motrës së tij. Prengë Bibë Doda, e la Mirditën për 8 vjet, në gjendje të pa qeverisur, kur rrëmuja, ngatërresat dhe amullia, mbretëronin kudo. Por gjatë gjithë këtyre viteve, nuk pushoi zëri i krerëve mirditas, të cilët nuk reshtën së kërkuari, kthimin në Atdhe të djalit të Bibë Dodës dhe premtonin se, me vendosjen e tij në Krye, gjithçka do të rregullohej.
Mirditasit ishin armiq realë të shtetit osman dhe përbënin rrezik të përhershëm, sepse mund të bashkoheshin, sapo t’u jepej rasti, me armiqtë e Perandorisë Osmane. Për t’i dalë të keqes përpara, Porta e Lartë, kërkoi t’i hiqte autonominë Krahinës. Ky proces, kishte qenë i pasuksesshëm, në të gjallë të Bibë Dodës. Por me vdekjen e tij, u duk se erdhi rasti i volitshëm. Heqja e autonomies, nuk varej krejtësisht nga autoritetet osmane, sepse ajo ishte rrënjosur thellë, në bindjen e çdo mirditasi, vlerë thelbësore e tyre. Ata nuk kishin ndërmend të bënin kompromis me lirinë, për të cilën, kishin sakrifikuar aq shumë.
Prandaj mosmarrëveshjet, midis Portës së Lartë dhe Mirditës, vazhduan gjatë dhe mirditasit, shpesh kaluan në mosbindje dhe, kur e gjetën rastin, kërkuan me ngulm vendosjen e Prengë Bibë Dodës, si Kapidan të tyre. (211)
Me datën 26 mars 1876, ata dërguan një përfaqësi në Shkodër dhe i bënë të ditur Portës së Lartë, vendosmërinë e popullit të Mirditës, në kërkesën e tyre të përsëritur, për kthimin në Atdhe të Prengë Bibë Dodës dhe emërimin e tij, si Kajmekam. Por edhe kësaj here, Valiu i kundërshtoi kërkesat, me pretekstin se Prenga, po vazhdonte studimet. Si kundërpërgjigje, mirditorët kundërshtuan të pranonin dy kajmekamë, të emëruar nga Valiu i Shkodrës. (212)
Pastaj kërkuan përsëri, djalin e Bibë Dodësa dhe premtuan se po të lirohej ai, ata do të formonin një xhandarmëri lokale, të paguar nga qeveria, siç kishte qenë në kohën e Bibë Dodës. Por autoritetet osmane të Shkodrës, në vend që të reflektonin, sollën si Kajmekam, Hajdar Agë Belegun, i cili nuk mundi të qëndronte në Orosh dhe nuk pati një qendër të përcaktuar. Në ato kushte, zëvendës i tij, me qendër në Orosh dhe me rrogë njëmijë grosh në muaj, u emërua Kapidan Gjoni. Kapidanët e tjerë dhe shumë krerë të fiseve, në mbarim të vitit 1873, morën tituj dhe kështu, siç duket, nga qeveria turke, u ngarkuan vendasit me influence, për ta administruar Mirditën, në bazë të kanunit të atjeshëm.
Megjithatë kjo “zgjidhje”, nuk funksionoi, se banorët u mobilizuan, zunë shtigjet, për të mos lejuar asnjëherë të vetme, shkejljen e Krahinës, nga kajmekami turk. (213)
Mirditasit u mblodhën në Kuvendin e tyre, në Grykë Orosh, me 3 dhjetor të vitit 1873, dhe iu drejtuan Portës së Lartë e, konsujve të Austro-Hungarisë, Italisë dhe Francës, me kërkesën që të zbatohet vetëqeverisja tradicionale dhe të kthehet nga internimi, Kreu i tyre. Më 3 dhjetor 1873, 400 mirditas, i dërguan Portës së Lartë dhe konsujve të huaj në Shkodër, një shkresë, me anën e të cilës, luteshin që të prishej zyra e Kajmekamit dhe të kthehej kryetari i tyre, Preng Bib Doda, ose së paku, të emërohej zëvendësi i tij, pastaj të lihej zbatimi i lirë i Kanunit dhe, së fundmi, të thirrej një mbledhje e përgjithshme e popullit të Mirditës në Shpal, me qëllim që populli, të ishte në gjendje të formulonte dëshirat e tij.
Meqenëse nuk u erdhi përgjigje, ata sipas zakonit, pushtuan edhe një herë rrugën, midis Prizrenit dhe Shkodrës. Ahmet Rahsimi, i rregulloi të tëra çështjet me Mirditën, duke i lënë mirditasit të lire, të vinin në treg dhe duke i liruar të gjithë të arrestuarit nga Shefqet Pasha, me përjashtim të djemve të kapidanëve, Gjon dhe Kolë, që u mbajtën të arrestuar, derisa të paraqiteshin etërit. Më 16 mars të vitit 1874, të burgosurit sulmuan rojen dhe ikën në Mirditë.
Gjatë verës së vitit 1874, Ahmed Rahsim Pasha, mundi t’u dërgonte fshehtas krerëve më të rëndësishëm të Mirditës të holla dhe, kështu, midis Mirditës dhe qeverisë, u zhvilluan disa marrëdhënie, që mund të quheshin të mira. As ndërhyrja e dytë në interes të Preng Bibë Dodës, që mirditasit, të shtyrë nga prifti Prend Doçi, në qershor, nuk mundi ta turbullonte këtë marrëveshje. (214)
Por, duke përfituar nga zhvillimi i ngjarjeve në Hercegovinë, ata i ashpërsuan tonet dhe në fillim të gushtit të vitit 1875, paralajmëruan se kishin vendosur të kapnin armët, në rast se Sulltani, nuk do t’i kthente lirinë birit të burgosur, të udhëheqësit mirditor dhe t’i jepnin atij trashëgimin princëror, të lënë nga i ati. (215)
Në dhjetor të vitit 1875, Kapidanët Gjon Doda dhe Kolë Prenga, në krye të 400 mirditorëve të armatosur, pasi pozicionohen në fshatin Naraç, i dërgojnë një ankesë me shkrim qeverisë lokale të Shkodrës, me lutje, për t’ia përcjellë Portës së Lartë. Të njëjtën kërkesë, mirditorët, ua bënë të ditur edhe konsujve të Austro-Hungarisë, Italisë dhe Francës në Shkodër. (216)
“Juve që formoni mexhlisin e Shkodrës, përshendetje nga populli i Mirditës dhe nga na jonë, kapedanët e tij: I thoni dhe lutuni qeverisë së Shkodrës dhe asaj të Sulltanit, në lidhje me çka në vazhdim ne po ju dërgojmë:
- Ne i drejtohemi në radhë të parë Sulltanit tone, që të na lërë të jetojmë në përshtatje me Kanunin tonë. Ne jemi tepër të varfër dhe duke ditur që ju nuk mund të dhuroni gjë, nuk është e nevojshme, që të shpenzoni thesaret tuaja për ne.
- Të gjithë guvernatorët që u dërguan te nem me titullin e Kajmekamitm kanë qenë dërguar kundër vullnetit dhe Kanunit tonë. Ne kërkojmë drejtësim nga padrejtësitë që pësojmëm që prej shtatë javëve nga shkaku se po mbrojmë të drejtën tonën për të hyrë në qytet.
- Ne i lutemi Zotit tonë në qiell dhe Sulltanit në tokë, të na dërgojë djalin e Bib Dodës,, e, të na japin si përfaqësues të tij, një anëtar të kësaj familjeje, që të fillojë sundimin mbi ne, sikur kemi shpresuar përherë. (217)
Porta e Lartë, me gjithë tonet pajtuese që përdorte në bisedime me krerët e Mirditës, nuk kishte aspak ndërmend ta lironte Prengë Bibdodën dhe aq më pak, të vendoste atë në krye të Mirditës. Gjithashtu ajo, pengonte me të gjitha mënyrat, vendosjen në krye të kapedan Gjon Dodës. Ndërsa zhvilloheshin bisedimet rreth kësaj çështje, sipas shtypit zyrtar të Shën Petersburgut, në shumë fshatra, nisën përgatitjet për të ngritur krye kundër pushtetit turk. Kjo, ngjalli shqetësim tek qeveria që e dinte mirë se Mirdita, ishte një faktor ushtarak i rëndësishëm dhe për më tepër përreth saj, mund të bashkoheshin edhe fiset e tjera. (218)
Më 28 prill 1886, në Shënpal të Mirditës, u organizua mbledhja e pesë bajrakëve të Mirditës, nga e cila iu dërgua një lutje Guverantorit të Përgjithshëm, në të cilën përveç kërkesave të tyre ekonomike, ngulnin këmbë në autonominë e Krahinës dhe ushqenin shpresën, se vetëm nëpërmjet saj, mund të sigurohet qetësia në Mirditë. Ata paralajmëruan se së shpejti, do të mblidheshin përsëri në kuvend, për të kërkuar emërimin e Prengë Bibë Dodës, në postin e Kapedanit. (219)
Përpjekjet vazhduan pa i humbur shpresat. Në muajin maj të vitit 1876, mirditorët i drejtuan lutje Vezirit të Madh, duke i kërkuar përherë të fundit, kthimin e Prengë Bibë Dodës në krye të Mirditës. (220) Në këtë kërkesë, shkruajnë:… “Përsa kohë që kemi pasur si administrator, Bibë Dodë Pashën, ne popullsia e Mirditës […]. Kemi jetuar në paqe e qetësi. Që prej vdekjes së Bibë Dodë Pashës, Kajmekamët e emëruar për të na administruar, nuk kanë pasur as aftësinë e duhur dhe as njohjen e zakoneve dhe të ligjeve tona, në këtë mënyrë, të gjitha punët e popullit, janë ngatërruar dhe gjendja jonë, ka shkuar keq e mos më keq, deri në këtë gjendje, shumë të mjerueshme që është sot.
Sot që djali i Bibë Dodë Pashës, me dashamirësinë e Sulltanit është rritur në Stamboll dhe ka marrë arsim në shkollat e qeverisë, ne të gjithë e dëshirojmë atë dhe do të jemi të lumtur, ta kemi midis nesh, meqenëse ai i njeh punët tona, nevojat tona dhe do ta gëzojë autoritetin e duhur. Prandaj, ne populli i Mirditës, kërkojmë të na dërgoni djalin e Bibë Dodës, si kryetarë të vendit tonë, për të siguruar qetësinë tonë”.
Kërkesa drejtuar Vezirit të madh, është firmosur nga dy kapedanët e Mirditës, Gjoni dhe Marku, nga shtatë anëtarët e Këshillit Administrativ të Mirditës: Prengë Gega, Tuç Nikolla, Ndoc Gjoni, Tuç Deda, Njac Gjoka, Gjet Ndou dhe Njac Nikolla. Nga bajraktarët e pesë Flamurëve: Nikoll Ndreca, Dedë Kola, Nikoll Deda, Nikoll Kola dhe Mark Gjeçi.
Nga krerët e Mirditës: Dodë Gega (Jusbash), Kapiten në ushtrinë osmane, Kolë Nikolla dhe Noc Ndreca mylazim dhe këshilltarë pranë qeverisë lokale dhe nga 40 krerët e Mirditës: Prengë Gjeçi, Ndoc Kola, Gjin Deda, Mark Gjergji, Ndrekë Ndoka, Kolë Ndreca, Nikoll Ndreca, Paç Nikolla, Nikoll Prenga, Gjet Prenga, Nik Biba, Ndrec Mark Pici, Ndre Marka Nika, Gjet Marku, Ndrec Marku, Kolë Biba, Gjet Marka Preni, Kol Marka, Pjetër Gjoni, Mark Kola, Prend Pal Noci, Kol Gjek Gjini, Ded Grabi, Prengë Nikolla, Marka Deda, Kol Ndreca, Nikoll Kola, Mark Tokri, Nikoll Prenga, Frrok Deda, Preng Deda, Dodë Prenga, Mark Ndoci, Prengë Marka Preni, Gjet Gjergji dhe Pjetër Prenga. Siç duket numri dhe përkatësia e firmëtarëve, Mirdita për sa i përket zgjedhjes së prijësit të saj, tashmë është e bashkuar. (221)
Edhe e ëma, Margjela, sa herë i krijohej mundësia, kërkoi pranë konsujve të Fuqive të Mëdha, kthimin e djalit në vendlindje. Po kështu, Abat Doçi, shfrytëzoi të gjithë lidhjet personale që kishte me diplomatë të huaj, për të ndërkombëtarizuar problemin e djalit të Bibë Dodës dhe kthimin e tij në Atdhe. Meritë kishin edhe krerët, të cilët nuk kishin pranuar asnjë tjetër, për Kreun e tyre. Erdhi një moment kur mirditasit, nuk ishin vetëm të paqeverisshëm, por edhe të rrezikshëm. Ata u bënë aleatë të mundshëm, me të gjithë popujt që ngriheshin kundër osmanëve.
Lufta e pritshme me Malin e Zi dhe kundërshtimi për të dërguar kontingjentin e vet të luftëtarëve, kundër malazezëve, pa u kthyer djali i Bibë Dodës, bënë që Porta e Lartë, ta kthente Prengën në atdhe dhe për ta bërë kthimin e tij, sa më dinjitoz, me dekret të Sulltanit, në korrik të vitit 1876, i jepet grada Gjeneral Brigade dhe titulli Pasha. (222)
Në pamje të pare, dukej sikur Porta e Lartë, po e dërgonte Prengën në Shqipëri ,për të marrë funksionet e babait të vet, por në të vërtetë, e mbajti gjysëm të arrestuar në Shkodër. Nën vëzhgim të rreptë, ishte dhe Pallati i tij dhe të gjithë njerëzit që shkonin ta takonin. Pas kthimit, Prenga gëzoi respektin formal, të autoriteteve osmane të Vilajetit, por nuk ishte i lirë. Këtë mungesë lirie, mirditasit e përjetonin si padrejtësi e madhe. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
201.Fondi Bibë Doda, dosja15,f.17
- Schëanke, Zur Geschichte der österreichisch-ungarischen Militärverëaltung in Albanien (1916 bis 1918), doctoral thesis, Univesity of Vienna 1982, p. 74.
- Franc Baron Nopça, Udhëtime nëpër Ballkan,… f. 472204. Schëanke, Zur Geschichte der österreichisch-ungarischen… p.449
- Fondi Bibë Doda, pa datë, dosja17,f.2
- Ndoc Nikaj, Kujtimet e nji jetës kalueme, … f.25
- Ndoc Nikaj, Kujtimet e nji jetës kalueme, … f.26
- Historia e Shqipërisë, Vëllimi II, viti 1984, f
- Ndoc Nikaj, Kujtimet e nji jetës kalueme, … f.50
- Merita Sauku-Bruçi, Elena Ghika a Girolamo De Rada, … p. 24
- HHSTA.PA.Vj.34-43, Relacion i Konsullit austriak në Shkodër, Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë, Shkodër më 3 gusht 1875.
- Kolona Çekaldi, konsull i Francës në Shkodër, Dukës Dëkaz, Ministër i Punëve të Jashtme të Francës në Paris, më 5 prill 1876, SA/LSHP/DAP, Shkodër, më 24 prill 1876, Dok. Nr.4, Ligor Mile, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet franceze, vëll. I-II, Tiranë: 1978-1979
213.. Simon Prendi, Historia: Mesjeta, Koha e re dhe e sotme, f.73
- Franc Nopça, Fiset e Malësisë…. f. 94-95
- Gazeta e San Petersburgut, Nr.203, 3 gusht 1875, shih Luigj Martini, Abati i Mirditës Prend Doçi,…f.69
- Luigj Martini, Abati i Mirditës Prend Doçi,… f.55-56
- Luigj Martini, Abati i Mirditës Prend Doçi,… f.56-57
- Luigj Martini, Abati i Mirditës Prend Doçi,… f.72
- Luigj Martini, Princi pa fron i Mirditës,… f. 168
- AMPJ. LPK. Konsullata e Francës në Shkodër, vëll. 20, f. 119-120, , Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqipatre të Prizrenit, vëllimi I
- Luigj Martini, Abati i Mirditës Prend Doçi,…, f.73-75
- AQSH, Fondi «Prengë Bibë Doda, Dosja 1, h.1; Luigj Martini, Abati i Mirditës Prend Doçi,… f.81
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016 .