Nga Dr. Nikoll Loka
Pjesa e tetë
“PRENGË BIBË DODA, DRITËHIJET E NJË BURRËSHTETASI”
Memorie.al / Libri më i ri “Prengë Bibë Doda, një fenomen në jetën politike shqiptare”, i studiuesit Nikollë Loka, jo vetëm zgjeron fushën e studimeve historike mbi Mirditën, Derën e Gjonmarkajve dhe figurën e Princit mirditor, Prengë Bibë Doda, por është edhe një kontribut, në historiografinë kombëtare. Lënda shumë e pasur arkivore, literatura e shfrytëzuar apo e konsultuar, gojëdhënat etj, e bëjnë këtë libër, një thesar të vërtetë studimor, duke i dhënë shkencës së historisë një monografi shkencore, që pasuron njohuritë tona mbi Mirditën, kapedanët e saj, traditën, historinë etj. Të studiosh një figurë sa të rëndësishme dhe komplekse, siç është figura e Prengë Bibë Dodës, është përgjegjësi e lartë shkencore që, jo çdokush e merr përsipër. Nikollë Loka, ka bërë një punë të madhe hulumtuese dhe trajtim prej studiuesi profesionist, duke na e dhënë portretin e Princit dhe gjeneralit mirditor, me konturet e vërteta. Dr. Loka, i është përmbajtur fund e krye hapësirës dhe kohës, në të cilën janë zhvilluar ngjarjet shumëdimensionale dhe protagonistët e tyre.
MONOGRAFIA “PRENGË BIBË DODA, NJË FENOMEN NË JETËN POLITIKE SHQIPTARE”, NJË STUDIM SHKENCOR ME VLERË QË PASURON FONDIN E STUDIMEVE TONA HISTORIKE
(Nga Mr. Sc. Murat Ajvazi, mars 2017, Zvicër)
- Dodë Prenga
Dodë Prenga, djali i Prengë Lleshit, vihet në krye të Mirditës pas vdekjes se të atit. Dodën, e mburrin për guximin e tij. Hecquard e ka quajtur; “prijësin më të moderuar, më njerëzor dhe më inteligjent, që kishte patur Mirdita deri atëherë”. (121)
Doda luftoi fillimisht në ushtrinë e Ali Pashë Tepelenës dhe pastaj, me atë të Bushatllinjëve. Kur Ali Pasha, mblodhi në kuvend krerët shqiptarë, për luftë kundër Turqisë, siç tregon Pouqueville, “qe i vetmi që nuk pranoi me i dalë kundër Sulltanit”. (122)
Sipas angazhimit, në krye të 2800 mirditasve, shkoi së bashku me ushtrinë e Bushatllinjëve në More. Thuhet se i famshmi Marko Boçari, u vra në çadrën e tij, nga i unxhi, Llesh Lleshi (Lleshi i Zi). Pasi kthehet nga Moreja, niset për në Dibër, sepse kjo krahinë, kishte ngritur krye kundër autoritetit të Mustafa Pashës. Pushton Dibrën dhe mban atje një autoritet absolut, për trembëdhjetë muaj. Kapidan Dodë Prenga, i kaloi ditët e fundit të jetës së tij, pasi helmohet nga një grua myslimane e Shkodrës dhe vdes në Kotorr, ku kishte shkuar me shpresën se do të gjente shërim. Helmi kishte qenë i fortë dhe pasi jetoi disa ditë, vdiq atje në vitin 1828. Mbi varrin e Dodës, qe ngritur një moment. (123)
FAMILJA E PRENGË BIBË DODËS
PRINC E KAPIDAN BIBË DODË PASHA
Fëmijëria
Bibë Doda, ka lindur në vitin 1820, në Orosh. Kishte shoqëruar babanë e tij, në luftërat kundër rusëve, në vitet 1828-1829. (124)
Pas vdekjes së Dodë Prengë Lleshit, në derën e Gjonmarkajve plasi sherri, për trashëgiminë e sundimit. Biba, të cilit i takonte, ishte i vogël. Në ato kushte, Valiu i Shkodrës, caktoi si sundimtar, xhaxhain e Bibës, Nikollë Prengë Lleshin, i cili do të kujdesej për qeverisjen e vendit, në bazë të Kanunit, deri sa të burrërohej Biba. Bibë Doda, për disa kohë u tërhoq në Shkodër, dhe kur arriti njëfarë moshe, Pashai deshi t’i jepte një bylykbash turk, me të cilin do të ndante pushtetin dhe do të marshonin bashkë, në krye të ushtrisë. Kreu Gjonmarkaj, bëri sikur e pranoi dhe, pasi lajmëroi popullin e tij, u nis për në Orosh, bashkë me njëfarë, Jusuf Abdyllah Beun, të emëruar në detyrën e re.
Me të marrë këtë lajm, mirditasit u ngritën të gjithë, morën armët dhe marshuan drejt grykës së Kreshtës, prej nga hyhet në malet e Mirditës. Kur mbërriti aty Bylykbashi i ri, ata i thanë Kapidanit se; nuk do ta pranonin bashkë me Jusuf Beun dhe do ta vrisnin këtë të fundit, nëse do të bënte vetëm një hap përpara. Jusuf Beu, u kthye në Shkodër. bashkë me zaptijet që e shoqëronin.
Në vijim të kësaj ngjarje, mirditasit u mblodhën në kuvend dhe vendosën mos të pranonin kurrë ndonjë bylykbash, meqenëse deri atëherë, Kapidani u kishte mjaftuar si drejtues i vendit. Qysh atëherë, me përjashtim të ndonjë të dërguari të Portës së Lartë, të shoqëruar nga konsujt e Francës dhe të Anglisë, asnjë nëpunës turk, nuk e ka vu më këmbën në malet e tyre.(125)
Në shtator të vitit 1839, popullsia e Prizrenit, dëboi guvernatorin Ismet Pasha. Valiu i Rumelisë i dha urdhër Kapidanit të Mirditës, që të pushtonte qytetin e Prizrenit me mirditasit e tij, për llogari të Stambollit. Kapidani nuk pranoi, dhe meqë Guvernatori nuk kishte forca të mjaftueshme, qeveria u tërhoq dhe nuk e ndëshkoi krahinën e Prizrenit e plotësoi pjesërisht kërkesat e popullsisë. (126) Në vitin 1844, kur u nënshtrua Shqipëria e Poshtme, Bibë Doda, u thirr nga Serasqeri Reshid Pasha dhe, në krye të mirditasve, që Serasqeri kishte zgjedhur si roje të tij, zhvilloi fushatën e Epirit. Bibë Doda me forcat e veta, luftoi kundër kryengritësve të udhëhequr nga Rrapo Hekali e, Zenel Gjoleka. (127)
Më vonë, edhe gjenerali Omer Pasha, që e kishte thirrur për të luftuar kundër Malit të Zi, do të vinte re guximin dhe gjakftohtësinë e Bibë Dodës, teksa ky mbulonte tërheqjen e një pjese të ushtrisë turke, duke thyer malazezët dhe mbrojtur kelmendasit, nga një shkatërrim i plotë. Kapidani Bibë Doda, mori pjesë në shtypjen e kryengritjes në Tetovë e Shkup, ku ishte mbledhur një ushtri shqiptare, prej rreth 10 mijë vetësh. Bibë Doda, i kreu shërbime të mëdha Serasqerit, i cili i fali një kordhë nderi, e një çift pisqollash. Në vitin 1849, rinjihen privilegjet e Mirditës dhe Bibë Dodës, i jepet titulli “Pasha”, me kusht që të merrte pjesë në luftë me një ushtri të parregullta, deri në 10 mijë luftëtarë. (128)
Megjithëse ishte i gatshëm të luftonte për turqit, Biba, pas vitit 1849, vendosi kontakte me përfaqësues të principatave serbe dhe malazeze, me të cilët, nëpërmes Abatit, Gaspër Krasniqi, përfundoi një besëlidhje për bashkërendimin e veprimeve kryengritëse, kundër ushtrisë osmane në Ballkan. (129) Njëkohësisht, ai mbajti lidhje me përfaqësues të Francës, Austro-Hungarisë dhe Vatikanit. Nëpërmjet Malit të Zi, kishte vendosur lidhje edhe me përfaqësues të Rusisë cariste. Sidoqoftë, Bibë Doda, iu përgjigj gjithmonë thirrjeve për fushatat e shpeshta ushtarake, që ndërmerrte Porta e Lartë në ato vite.
Në vitin 1852, në luftën kundër Malit të Zi, në krah të ushtrive osmane të komanduara nga Omer Pasha, ishin edhe 2 mijë forca nën komandën e Bibë Dodës. Forcat e Mirditës, u morën krahët malazezëve dhe mbrojtën shpinën e ushtrive turke, në tërheqje. Por, pa e marr veten nga disfata me Malin e Zi, Turqia, në aleancë me Anglinë dhe Francën, u gjet përballë rusëve. Nga krerët shqiptarë, thirrjes së Sulltanit për luftë, iu përgjigj vetëm Bibë Doda, i cili, thirri me 20 nëntor 1853, krenët në një kuvend në Shpal dhe kërkoi prej tyre, grumbullimin e forcave, që në këtë luftë, u llogaritën në 10 mijë vetë. (130)
Në fillim të vitit 1854, taborret e Bibë Dodës, mbërritën në brigjet e Danubit dhe u rreshtuan përkrah forcave të Omer Pashës, që drejtonte luftimet në atë front. Pashai turk, e udhëroi Bibë Dodën, t’i kalonte forcat në anën tjetër të Danubit. Kur lufta ishte në favorin e rusëve, vetëm trimëria dhe kurajua e forcave të Mirditës, i siguroi ushtrisë osmane fitoren. (131)
Kur Seit Beu i Matit, në vitet 1859-1860 ngriti krye, ushtria turke që shkoi për ta shtypur rebelimin, u ndihmua edhe nga pashallarët shqiptarë, në mes të cilëve Bibë Doda. Seit Beu, qe internuar në Tunis dhe në vitin 1863, ishte falur dhe kthehet përsëri në detyrë si Mydyr, në Lis.
Tregues i fuqisë së Bibë Dodës, është edhe fakti se kishte si sekretar, disa nga intelektualët e shquar shqiptarë të kohës. Për kohën e qëndrimit në Stamboll, pati sekretar Pashko Vasën, një personalitet i shquar i Rilindjes Kombëtare, që më vonë u bë “Pasha” dhe Guvernator i Libanit. Kur qëndroi në Stamboll, prej 25 qershorit të vitit 1856, deri më 23 korrik 1857, Bibë Doda, i ka dhënë Pashko Vasës, përveç pagës, edhe 13 mijë grosh shpërblim. Të njëjtën page, ua kishte dhënë edhe sekretarëve të tjerë: Gjon Melgushit e Loro Gurakuqit. (132)
Kur në Rrafshin e Dukagjinit filluan presionet ndaj katolikëve, për kthimin e tyre në myslimanë, ndryshe duhet ta linin vendin, (133)në ndihmë të katolikëve mirditas, doli Bajraktari i Gashit, Bajram Aga. (134)
Me 9 nëntor të vitit 1866, Bibë Dodë Pasha, shkoi në Prizren, por Guvernatori i Prizrenit, Nazif Pasha, deshi ta injoronte mbërritjen e tij, por me ndërhyrjen e Konsullit francez, Nazif Pasha, u detyrua t’i organizonte një pritje zyrtare. (135)
Vetë Kreu, Doda, qëndroi në Prizren, por kishte dërguar Kapidan Markun, për të parë gjendjen në fshatrat e Gjakovës,(136) ku kishte patur trazira. Me 8 dhjetor 1866, Konsulli frëng në Prizren, Krajevski, informon se; “Bibë Doda, ndodhet ende në Prizren”. (137)
Emri i Bibë Dodës, u bë i njohur në kancelaritë e rëndësishme europiane. Princi i kishte kërkuar Konsullit të Francës në Shkodër, që t’i përcillte Perandorit Napoleon III-të, dëshirën që të bëhej kumbara, në krezmim i djalit të tij të vetëm. Perandori i Francës, pranoi dhe kjo ngjarje familjare, do të bëhej burim shqetësimesh për autoritetet osmane në Shkodër, të cilat, kurdisën planin për të penguar lidhjen e kësaj kumbarie, që do të kishte pasoja të drejtpërdrejta, në marrëdhëniet që Mirdita do të kishte me Francën.
Një vizitë në Pallatin Princëror në Orosh
Henry Fanshave Tozer, që e kishte vizituar Princ Bibën në Orosh e portretizon dhe na jep një portret të plotë të tij: Bibë Doda, ishte një burrë i fuqishëm, rreth të dyzetave, me tipare të shfaqura mirë dhe shprehje jo inteligjente të fytyrës. Ata që kanë qëndruar pranë tij, shprehen se; “frika për të ishte e panjohur”.
Princi ishte dalluar në disa fushata, ku kishte luftuar përkrah forcave turke. Ai mbante veshur kostumin ushtarak të Pashait dhe për këtë, vlerësohet pak në vendin e tij.
“Ju mund t’u duket pak barbar”, – më tha zoti Finzi, është e vërtetë se Princi, nuk di të shkruajë dhe as të lexojë dhe nuk flet gjuhë tjetër, përveçse kupton italisht. (138)
Dom Nikollë Bardhi, kishte qenë kapelan i forcave të Mirditës, nën udhëheqjen e Bibë Dodës në Bullgari, në fillimet e luftës me rusët, kur ai udhëhoqi 1200 burra, në ndihmë të Sulltanit. Ndryshe nga shqiptarët e tjerë, mirditasit, nuk shërbejnë kurrë si mercenarë. Biba, ishte i pranishëm në betejën e Giurgevo-s dhe të Silistrisë, ku kujtoi kapitenin heroik, Butler. Për këto shërbime, ai kishte marrë urdhrin “Mexhidije”, të klasit III-të, që na e tregoi së bashku me fermanin e Sulltanit, të shkruar me germa të praruara dhe shprehet i mërzitur se, nuk kishte marrë një medalje angleze ne luftën e Krimesë, kur njihte të tjerë që e kishin marrë. Bibë Doda, adhurohej prej priftit që e quante; burrë të zotin. (139)
Në lidhje me Sarajet e Princit në Orosh, Tozer, shprehet: “Pallati, ose rezidenca e Oroshit, ishte ideale për një shef malor. Ndërtesa vetë dhe njerëzit që banonin në të, na çuan me mendime larg, në kohët e egra të Mesjetës. Muret janë prej guri, të gjëra dhe me vende të caktuara për mbrojtje. E gjithë struktura, formonte një zgjatim të parregullt, në fundin e të cilit, banonte Princi dhe familja e tij. Në këtë pjesë, ne nuk hymë. Për gratë, ishte një pjesë e veçantë, si në një harem turk. Pjesa tjetër, në katin e pare, kishte stalla, ndërsa shkallët e gurit, të çonin tek një dhomë e madhe, që zë një pjesë të katit të sipërm. (140)
Princ Bibë Doda, kishte tokë në Orosh dhe Kallmet, si dhe pasuri në Shkodër, Lezhë, Kallmet dhe Orosh. Por burimi kryesor i tij ishte blektoria, me numër të madh krerësh, rreth 800 gjedhe, 1.300 bagëti të imta dhe një numër kuajsh. Me rastin e një kuvendi të mbajtur në Saraje, ishin therur tre qe, disa bagëti të imta dhe ishte bërë një festë e madhe. Kjo mikpritje, ndodh gjithmonë në Saraje, madje edhe kur Princi është në Shkodër. Bibë Doda, e mban hapur shtëpinë për miqtë që i vijnë dhe në Saraje, pritet nga një bagëti e imët, për çdo ditë.
Meqenëse ne ishim ndër europianët e pakët që kishim vizituar Oroshin, u pritëm me përzemërsi të madhe. Na drejtuan në dhomën e ngrënies, ku na priti vetë Princi, për të na uruar mirëseardhjen, që e bëri me shprehjen e ndjenjave të mikpritjes dhe të kënaqësisë më të madhe. Ai na kërkoi ndjesë, se nuk mund të drekonte me ne, pasi ishte ditë feste dhe sapo u largua prej nesh, dërgoi adjutantin e tij, Ali Beun, një hungarez, të konvertuar në mysliman dhe sekretarin e tij, Dr. Teodor Finzi, një Italian, që të përkujdeseshin për ne. Ashtu si në Mal të Zi, edhe këtu patëm fatin të takoheshim, me njerëz të edukuar që mund të na jepnin, informacionin që kërkonim. Të dy këta zotërinj, flisnin italisht; Teodor Finzi edhe frëngjisht. Atë ditë në takim, merrte pjesë edhe Dom Gjergji, prifti i një fshati të afërt, që kishte ardhur për vizitë.
Në orën 10 të ditës së nesërme, hëngrëm mëngjesin me Princin, Ajdutantin, Sekretarin dhe Dom Gjergjin. Ngrënia e mëngjesit, kishte një shfaqje luftarake. Ne si miq, nuk e prisnim që ushqimet do të shërbeheshin prej luftëtarëve fytyrë vërejtur, njëri prej të cilëve, ishte prej Kapidanave, me brezin plot me pistoleta dhe me thika. Një gjerman, ishte kryetari i shërbyesve të Sarajit. Kështu që ajo dhomë, përmbante një përzierje kurioze kombesh: italian, hungarez, gjerman, anglez dhe shqiptarë. Më të vjetrit prej nesh, iu kërkua të zinte vend pranë Princit. (141)
Pallati princëror në Shkodër
Hecquardi, shkruan se; “Prijësi i mirditorëve, ka ndërtuar për të banuar vetë, një saraj të madh të tipit të shtëpive turke, të Shkodrës, të mobiluar vetëm me një tavolinë të gjatë, një kolltuk dhe disa stola prej druri. Thonë se pjesa ku rrinë gratë, është disi më e rehatshme, pra aty ka qilima dhe disa sofa. Përpara sarajeve, ndodhen dy topa të mëdhenj prej hekuri, pa shtrat, të cilët, vihen në punë në ditët e festive, ose kur mbërrin e largohet Kapidani, apo ndonjë konsull kristian. (142)
Kryengritja e Mirditës e vitit 1862
Mirditasit, ishin të lidhur me Portën e Lartë, nëpërmes një marrëveshje, sipas të cilës të dy palët, kishin të drejta dhe detyrime. Për sa kohë këto të drejta dhe detyrime respektoheshin, në Mirditë, kishte rend e qetësi dhe mirditasit i përgjigjeshin Portës së Lartë, me një kontingjent ushtarësh. Por, në të vërtetë, gjatë gjithë kohës, të dy palët nuk ishin aleatë të sinqertë. Autoritetet osmane, nuk linin rast pa shfrytëzuar, për të nxitur përçarjen dhe dobësimin e faktorit mirditas e, nga ana tjetër, Kapidanët, nuk linin rast pa shfrytëzuar, për t’u lidhur me armiqtë e Perandorisë, për të mbrojtur autonominë, realizuar projektet e veta autonomiste, që nganjëherë shkonin deri në pavarësi të plotë.
Në kuadrin e lëvizjeve nacionaliste që shpërthyen në Europë, intelektualët shqiptarë, shikuan mundësinë për të organizuar një kryengritje, sipas shembullit të revolucionit italian. U mendua të krijohet një zonë të lirë, që do të shërbente si bërthamë e shtetit të ardhshëm shqiptar, siç kishte shërbyer Piemonti, për Italinë. Këtë rol, duhet ta kryente Mirdita, duke patur parasysh se ishte një krahinë e vetëqeverisur, ku ideja e lirisë, kishte mbijetuar edhe disa shekuj pas pushtimit osman.
Mirditasit, e kishin të formuar ndjenjën e identitetit dhe e dallonin veten nga pushtuesit, që i urrenin; nuk ishin të kënaqur me statusin që kishin në Perandori dhe nën shembullin e principatës së vogël të Malit të Zi, kërkonin të jetonin të pavarur. Gjendja e tyre ekonomike, ishte shumë e vështirë. Meqenëse kishin përkatësi të ndryshme fetare nga pushtuesi, nuk kishin asnjë lidhje shpirtërore me të. Kleri Katolik, kishte ndikuar në kultivimin e vetëdijes kombëtare dhe të urrejtës ndaj turqve. Për të gjitha këto arsye, mirditasit ishin të gatshëm të luftonin.
Përgatitjet për kryengritjen e Mirditës, u bënë nën drejtimin e një grupi intelektualësh, si; Zef Jubani, Pashko Vasa, Gaspër Krasniqi, Pal Dodmasej, etj. Sipas mendimit të këtyre intelektualëve, Kapidani i Mirditës, Bibë Doda, duhet të ngrinte flamurin e kryengritjes dhe të shpallte në Mirditë, një Principatë Autonome ose të pavarur, rreth të cilës do të bashkoheshin pastaj krahinat e tjera shqiptare. Fillimisht, Bibë Doda, pranoi ta udhëhiqte kryengritjen dhe mori pjesë në organizimin e saj, por pastaj u tërhoq nga projekti për luftë, meqenëse ndihmat e premtuara nga Italia, nuk kishin ardhur.
Megjithatë, mirditasit, të padurueshëm për të luftuar kundër turqve, nuk i’u bindën Kapidanit dhe, në kundërshtim me traditën e tyre, e vazhduan luftën nën udhëheqjen e Abat Krasniqit, që hoqi veladonin e priftit dhe rrëmbeu pushkën. Pavarësisht se dështoi, kryengritja e Mirditës e viteve 1862-1863, ka rëndësi në planin mbarëkombëtar, pasi për herë të parë, u hartua një projekt, për një principatë autonome, ose të pavarur, si bërthamë e shtetit të ardhshëm shqiptar. Kjo qasje e re politike, në marrëdhënie me osmanët, nuk pati sukses edhe për shkak të ndikimit austro-hungarez që ishte angazhuar, në ruajtjen e status quo-së.(143)
Helmimi i Bibë Dodës
Në ato ditë, pashallarët e Shkodrës, në një rast festiv organizuan një gosti ku qe thirrur edhe Bibë Doda. Mbas gostisë, Kapidani, ndjeu dhimbje në gjoks. Në fillim mjekët nuk i dhanë ndonjë rëndësi, duke menduar se kishte çrregullime në tretjen e ushqimeve, por pastaj, e deklaruan të sëmurë me idropizi. Brenda tri javëve, vdiqën të gjithë shoqëruesit e Bibë Dodës. Kur ishte në shtratin e vdekjes, Princi, thirri Konsullin e Francës dhe i tha: “Ja im bir, ja dhe paret e mija. Po t’i besoj ty. Gjithçka më takon mua është në rojën tënde…”! Bibë Doda, vdiq më 28 korrik të vitit 1868. (144)
Ja çfarë shkruan Dom Ndoc Nikaj: “Në varrimin e tij, morën pjesë konsujt e Francës, Austrisë, Rusisë dhe Italisë. Shërbesa e përshpirtshme, iu bë nga Arqipeshkëvi katolik, Monsinjor Poten. Kortezhit të përmotshëm, me trupin e pajetë të Bibë Dodë Pashës, i prinin dy pashallarë, pastaj vinin xhakoj e priftërinj, që thonin uratë përshpirtënie, e mbas tyne prifti i famullisë. Më mbrapa, vinte Arqipeshëvi i Shkodrës, me dy meshtarë. Mbas tyre, vinte arkivoli i të vdekurit, i mbajtun para duarsh nga djemtë e Mirditës. Mbas arkivolit, vinin kapidanat e Mirditës me krenë e pari, të gjithë me xhurdi të zi, e me kapele të lëshuara përpara, e me pushkë të gjata nën krah, me gryka përdhe.
Në rresht pastaj, vinin kali i Bibë Dodës, një kalë i bukur, i bardhë dhe zemërak. Mbas tij, vinte shumica e popullit të Mirditës e të Shkodrës, me pari e vegjëli, muhamedanë e të krishterë. I gjithë kortezhi i përmotshëm, ishte i rrethuar nga dy rreshta ushtarë, që kishin armët në krah me grykët përdhe. Ashtu i përcjellë madhërisht, qe çuar tek vorri dhe mbasi e bekoi prifti, u fut në varr. Në atë çast, kur trupi i tij ulej drejt gropës, ushtria lëshoi një batare pushkësh, për përshendejen e fundit të një Pashe sundues, të një krahine më me rëndësi në të gjithë Shqipërinë”. (145)
Dhe më poshtë vazhdon: “Mbas varrimit të Bibë Dodës, armiqtë personal të tij, që për së gjalli nuk patën fuqi ta përballnin, natën shkuan dhe i çelën vorrin e, i muerën rrobat e pashnisë. Nuk ishte qëllim vjedhje, por patën shnderim, që deshën ti banin mbas vdekjes. Porsa u muer vesh një shënim i tillë, Konsulli i Francës, vrapoi tek Pasha i vendit dhe i dha lajmin telegrafik, Ambasadorit të Francës në Stamboll dhe Ministrit të Jashtëm të Francës. Ashtu banë edhe Konsulli i Austrisë. Të dy pashallarët e Shkodrës, shkuan në varreza dhe dhanë urdhna të forta, për të zbuluue fajtorët. U muer urdhni prej Stambollit, për ta rivarros Bibë Dodën, me nderime të mëdha e, me ba një varr monument, ku ishte shkruar në latinisht:
“Bibë Doda Oroshas, për trimni, drejtësi e fe në ma t’parët. Nderime Kreut e Princit të rritun n’madhni, që me t’turrmet në Kosovë, në Prishtinë, në Prizren, në Mal të Zi e ndër tjera vende, bashkë me ma t’naltat fuqi mbretnore, shtypi anmiqt kah kaloi e n’lumin Ister (Danub), në luftë të rusve, turiti ushtrina të panjehne”.
Jetoi 48 vjet. Diq në Shkodër më 1868 me 18 korrik. U prehtë në paqe! (146)
Për ta mbyllë këtë ngjarje të shëmtueme, konsujt e huej në Shkodër, ndërmjetësuen për të evitue vëllavrasjen, që mund të shpërthente midis Mirditës dhe Shkodrës”. (147)
Qeveria e Francës, i lidhi familjes së Princit Bibë Doda, një pension vjetor dhe e mori gjithnjë në mbrojtje, në të gjitha situatat e trazuara, që kjo familje kaloi. Politika franceze ndaj Mirditës, nuk u kushtëzua thjeshtë nga mbrojtja e interesave të saj, por edhe nga detyrimi për ta mbrojtur familjen e Bibë Dodës. Këshillat e konsujve të Francës, kanë ndikuar shumë në sjelljen politike të Prengës. Ai dhe familja e tij, në kohë të vështira, panë te ky shtet aleatin e tyre të natyrshëm. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
- Hyacinthe Hecquart, Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose i Gegërisë,…. f. 224
- Zef Marka Harapi, Mirdita në histori e gojdhanë deri n’vjetë 1929, Hylli i Dritës, vjeti VII, Nr.3, f.162
- AQSH, Fondi Bibë Doda, Dosja 16, f.4
- Zhan Klod Faverial, Historia (më e vjetër) e Shqipërisë, f.443
- Henry Fanshave Tozer, Reasearches in Highlands of Turkey 2004, f.227-228
- Kahreman Ulqini, Struktura e shoqërisë tradicionale shqiptare, …f.24.
- Hecynthe Hecquard, Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose Gegërisë,…. f. 243-245.
- AQSH, Fondi Bibë Doda, Historia e Shqipërisë, Vol.II, Tiranë 1965, f.63
- Zef Marka Harapi, Mirdita në histori dhe gojdhana deri n’vjetë 1929, Hylli i Dritës,Nr.4,vjeti VII, 1931,f. 229
- Zef Marka Harapi, Mirdita në histori dhe gojdhana deri n’vjetë 1929, Hylli i Dritës,Nr.4,vjeti VII, 1931,f. 229
- Zef Marka Harapi, Mirdita në histori dhe gojdhana deri n’vjetë 1929, Hylli i Dritës,Nr.4,vjeti VII, 1931,f. 233
- AQSH, Fondi Bibë Doda, dosja 8, dok. Nr.1 dhe 2
- Korespondenca të konsujve frëngë dhe gjermanë për çështjen shqiptare gjatë viteve 1860-1870, përagtiti Ismail Ismaili, Agjensia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, Prishtinë 2011,f. 65.
- Korespondenca të konsujve frëngë dhe gjermanë për çështjen shqiptare gjatë viteve 1860-1870…,f. 62.
- Korespondenca të konsujve frëngë dhe gjermanë për çështjen shqiptare gjatë viteve 1860-1870,…, ,f.58.
- Korespondenca të konsujve frëngë dhe gjermanë për çështjen shqiptare gjatë viteve 1860-1870, … f.81
- Prizren, me 19 shtator 1870, Letër e Konsullit për shkëlqesinë e tij, Kontin F. de Beust, këshilltar intim, Cambellan, Ministër i Shtëpisë Mbretërore dhe i Punëve të Jashtme Vjenë
- Henry Fanshave Tozer, Reasearches in Highlands of Turkey,… f.302-306
- Henry Fanshave Tozer, Reasearches in Highlands of Turkey…, f. 295
- Henry Fanshave Tozer, Reasearches in Highlands of Turkey,… f. 300
- Henry Fanshave Tozer, Reasearches in Highlands of Turkey…, f. 301-310
- Hecynthe Hecquard, Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose Gegërisë,…., f. 210
- Nikollë Loka, Kuvendi i Fanit dhe pamundësia e Piemontit shqiptar, botimet “Ihpvk”, Tiranë, 2011, f. 49-52
- Zhan Klod Faverial, Historia (më e vjetër) e Shqipërisë, p.440
- Dom Ndoc NIkaj, Kujtime të një jetës…,f.18-19
- Zef Marka Harapi, Mirdita në histori dhe gojdhana deri n’vjetë 1929, Hylli i Dritës, viti 1931, vjeti VII, Nr.4, f. 232-233
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016