Nga Dr. Nikoll Loka
Pjesa e pestë
“PRENGË BIBË DODA, DRITËHIJET E NJË BURRËSHTETASI”
Memorie.al / Libri më i ri “Prengë Bibë Doda, një fenomen në jetën politike shqiptare”, i studiuesit Nikollë Loka, jo vetëm zgjeron fushën e studimeve historike mbi Mirditën, Derën e Gjonmarkajve dhe figurën e Princit mirditor, Prengë Bibë Doda, por është edhe një kontribut, në historiografinë kombëtare. Lënda shumë e pasur arkivore, literatura e shfrytëzuar apo e konsultuar, gojëdhënat etj, e bëjnë këtë libër, një thesar të vërtetë studimor, duke i dhënë shkencës së historisë një monografi shkencore, që pasuron njohuritë tona mbi Mirditën, kapedanët e saj, traditën, historinë etj. Të studiosh një figurë sa të rëndësishme dhe komplekse, siç është figura e Prengë Bibë Dodës, është përgjegjësi e lartë shkencore që, jo çdokush e merr përsipër. Nikollë Loka, ka bërë një punë të madhe hulumtuese dhe trajtim prej studiuesi profesionist, duke na e dhënë portretin e Princit dhe gjeneralit mirditor, me konturet e vërteta. Dr. Loka, i është përmbajtur fund e krye hapësirës dhe kohës, në të cilën janë zhvilluar ngjarjet shumëdimensionale dhe protagonistët e tyre.
MONOGRAFIA “PRENGË BIBË DODA, NJË FENOMEN NË JETËN POLITIKE SHQIPTARE”, NJË STUDIM SHKENCOR ME VLERË QË PASURON FONDIN E STUDIMEVE TONA HISTORIKE
(Nga Mr. Sc. Murat Ajvazi, mars 2017, Zvicër)
Gjomarkajt e “tetëdhjetë shpive”, u bënë Kapidana, të “pesëdhjetë shpitë”, u kompensuan me Plakun e Parë. Pra në Orosh, paria është lëvizur nga nevoja për të ruajtur ekuilibrat shoqërore. Kur iu dha Derës së Gegë Dodës, funksioni i Kreut (Qefalisë) që i thonë ndryshe dhe Vojvodë, mori me siguri të drejtën e prijes, në Orosh. Duket se zgjedhja e Gegëdodajve, të fisit Marpepaj, si Qefali në vend të Gjomarkajve të fisit Markolajve, që u bënë Kapidana, ishte një marrëveshje midis dy tarafeve.
Dera e Gegë Dodës, mbeti rivale e Kapidanit dhe konsiderohej shtëpi e mirë, por nuk arriti të ndikonte me asgjë, mbi Mirditën, pasi në këmbim të posteve, u vu pa kushte në shërbim të autoriteteve osmane, të Vilajetit të Shkodrës.
Vllazëria Markolaj, herët ishte e ndarë në një familje të pleqve të fisit, shpia e Bushit, dhe në dy familje të stërpleqëve: shpia e Lulit dhe e Mar Përndrecës, që më vonë mori titullin e Bajraktarit dhe hyri në krerët e mëdhenj të Mirditës.(67) Në ditët e sotme, Markolajt, ndodhen në Grykë Orosh, Bulshar dhe Ndërshenë, ndërsa dega e Gjonmarkajve të këtij fisi, është shtrirë dhe në Oroshin e Poshtëm: Ndërfushaz, Qafë Mollë dhe Livadhëz. Me lëvizjen e lirë të pas viteve nëntëdhjetë, Markolajt, janë shpërndarë në shumë vendbanime brenda dhe jashtë Atdheut.
ORIGJINA E GJONMARKAJVE
Gjonmarkajt e Mirditës, si çdo familje tjetër fisnike, kanë qenë të interesuar që ta çojnë prejardhjen e tyre, sa më larg në kohë dhe të lidhur me familje të rëndësishme fisnike. Ndërkohë ka gojëdhëna të tjera, që dëshmojnë se kjo familje, mori rëndësi në shekullin XVII-të, kur dalin dhe në burimet historike. Është një kohë kur historia takon gojëdhënat, që fitojnë besueshmëri, përmes burimeve historike. Në mes të gojëdhënave, studiuesit janë të prirur, t’u besojnë atyre që verifikohen përmes dokumenteve historike.
Me interes për prejardhjen e Gjonmarkajve, është një shkrim i Pashko Vasës, dikur sekretar i Bibë Dodës:
“Gega Llesh, Gegë Dodë, Gega Tanush dhe një Gegë tjetër, emrin e të cilit se mbaj mend, lanë malet e Pashtrikut, pa i jetësuar dhe çeduar për të shkuar e për t’u vendosur në Mirditë.
Ky dokument, që u përkiste stërgjyshërve të kryetarit të Mirditës, Bibë Dodë Pasha, ishte në posedimin e tij, i cili para se të vdiste, na e kishte treguar e na e kishte kënduar (lexuar) dhe jemi të sigurt se i biri i tij, Prengë Pasha, duhet ta ketë në dorë akoma” (68).
Nga çfarë shkruan, duket se Pashko Vasa, e kishte parë vetëm një herë atë dokument. Nga ana e tij, Kapidan Biba, që vendos të bëjë të njohur atë dokument, i beson atij, se në rast të kundërt, nuk kishte pse ta bënte të njohur te njerëzit e tjerë. Sipas këtij dokumenti në fjalë (po t’i besojmë Pashko Vasës), Gjonmarkajt, i përkasin aristokracisë së meritave. Ata u formësuan si familje e madhe, në harkun kohor të dy shekujve e gjysëm.
Dokumentet historike, na vijnë në ndihmë të tezës se Gjonmarkajt, nuk e trashëguan pushtetin, pra nuk ishin në kulmet e pushtetit dhe të fuqisë që në fillim të herës, por ata u formuan vetë dhe u fuqizuan gradualisht. Po ta ndjekim ngritjen e tyre del se fillimisht, ata nuk ishin as të parët e Oroshit. Në Orosh qëmoti, si plak i pare, ka qenë shtëpia e Qefalisë.(69)
Në vitin 1602, në Kuvendin e Dukagjinit, që mendohet se është mbajtur te Kisha e Shllezhdërit në Nënshejt të Oroshit, në mes të krerëve të tjerë, nënshkruan edhe Gjon Qefalia, që ka shumë mundësi, të ishte i pari i Oroshit. Në vitin 1648, forcave kryengritëse të Oroshit, u prin Bibë Gjoci,(70), edhe ky i oroshas.
Nuk dihet se kur, shtëpia e Qefalisë, e kishte humbur të drejtën e parisë në Orosh?! Dihet vetëm se 130 vjet më vonë, në burime historike, si qefali i Oroshit, nuk përmendet më ajo shtëpi (që tani në Orosh hyn në fiset e dyta), por Marka Kolë Gjoka, i Markolaj. Është pikërisht Marku, që mori së pari titullin Kapidan. (71)
Që nga ajo kohë, Dera e Kapidanave, pasqyrohet gjerësisht në dokumentet historike të kohës dhe shohim se me kalimin e viteve, falë forcës së armëve të mirditasve dhe aftësisë së tyre për të udhëhequr në luftë, e për të bërë politikë, shkon gjithnjë në ngjitje, për të kulmuar me Prengë Bibë Dodën, që arriti të jetë kandidat zyrtar, për Fronin Mbretëror të Shqipërisë dhe Zëvendëskryeministër.
Po Gjonmarkajt, çfarë ishin në raport me banorët e tjerë të Oroshit, njëri prej tyre, apo të ardhur për të sunduar? “Në fiset e Oroshit, Markolajt janë fis i parë. Në këtë fis, bëjnë pjesë Gjonmarkajt dhe Permarkajt .(72)
Po kështu në Markolaj, hyn shtëpia e Bushit dhe shtëpia e Lulit.(73)
Trajtimi i gojëdhënave nën dritën e të dhënave historike, apo mënyra si sillen sot njerëzit me këto gojëdhëna, është burim me vlerë, për të zbuluar pjesë të së vërtetës së pa dokumentuar akoma. Në fakt sipas gojëdhënave, të gjitha fiset e Oroshit, e kanë prejardhjen nga Pashtriku. Si të gjitha fiset e tjera edhe Markolajt, ku hyn barku i Gjonmarkajve, janë prej andej dhe këtu nuk kemi asgjë që nuk shkon. Kemi lexuar shumë artikuj të autorëve të ndryshëm, që i bezdis ideja e lëvizjes së popullsisë nga një vend në një tjetër. Dihet nga historia se pas vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, për dyqind vjet rresht, në Dukagjin dhe sidomos në territoret që i përkasin Mirditës së sotme, pati luftëra dhe njerëzit për të shpëtuar nga tmerret e tyre, lëviznin nga njëri vend në tjetrin.
Nuk janë pak, por dyqind vjet luftë e vazhdueshme, që kishte koston e saj. Njerëzit, kanë ikur dhe ardhur sipas rastit, janë larguar për pak kohë, sa të kalonte rreziku, por ndodhte që të jenë ambientuar me mjedisin e ri dhe nuk janë kthyer më. Ndërkohë, të tjera familje të ikura prej diku tjetër, janë vendosur edhe ato fillimisht për pak kohë në territoret e Mirditës së sotme dhe mund të kenë mbetur këtu përgjithnjë.
Kështu, gjatë kësaj periudhe dyqind vjeçare të ekzistencës në kushte luftërash shfarosëse, ka ndodhur përzierje të popullsive. Fshatrat, janë krijuar më shumë si bashkësi territoriale, ku krahas fiseve vëllezër, ka dhe fise që lidhin martesa ndërmjet tyre. Ato familje që kanë patur prejardhje të përbashkët, e kanë ruajtur ndjenjën e afërsisë dhe nuk janë martuar në mes të vetes. Kështu ka ndodhur edhe me fiset e Oroshit, ku Markolajt, pra dhe Gjonmarkajt, si pjesë e tyre, janë shokë me fiset e tjera dhe as nuk japin e as nuk marrin. Sipas vetë banorëve, janë oroshas autoktonë, aq sa oroshasit e tjerë.
Një gojëdhënë tjetër sjellë Zef M. Harapi. Kjo bëhet më serioze, pasi aty përmenden emra fisesh, që njihen nga njerëzit. Edhe ai e sjell prejardhjen e Gjonmarkajve prej Pashtrikut të Hasit, ku sipas tij, Gjonmarkajt kanë fisin e vet, me pjesëtarë të cilët kanë shkuar dhe ardhur. Është e mundur që këto dy gojëdhëna, të përmblidhen ne një të vetme, pasi i bashkon vendi i njëjtë i origjinës, – Pashtriku i Hasit.
Zef M. Harapi, shkruan: “Thuhet se i pari i shpisë së Gjonmarkajve, ka ikë prej Pashtrikut të Hasit, larg Prizrenit 6 orë, vend krejt pyll, e masi kjo falë, nisi me u nda n’shej për trimni … në Pashtrik, Gjonmarkajt kanë fisin e vet që thirret Marosh e, asht nji familje e pasun, krejt muhamedane. Gjindt e atij fisi, kanë kenë tash vonë, në shpi të Gjonmarkajve n’Orosh, që i ka pritë e qitë për shokë fisi, edhe Gjomarkajt kanë ndenjtë nja tri ditë në shpi të Maroshëve, ma si ke Sherif Maroshi, si t’u gjaku i vet, n’vjetë 1921” (74).
Ndërkohë me interes, është edhe teza tjetër që i quan Gjonmarkajt, si familje e vjetër fisnike, e prejardhur prej Pal Dukagjinit. Këtë mit të prejardhjes së tyre, Gjonmarkajt, e kanë përhapur ku kanë mundur dhe duhet thënë se kjo tezë e tyre, është mirëpritur dhe propaganduar, pa i hyrë hollësisht një analize për të ditur saktë, a janë Gjonmarkajt me të vërtetë dukagjin?! Një analizë e kujdesshme e mitit Gjonmarkas, për Dukagjinët, tregon se nuk kemi një përputhje midis gojëdhënës dhe fakteve.
Le të shohim se çfarë na shkruan Mark Marleku, autori që citohet shumë për prejardhjen e Gjonmarkajve. Sipas Marlekut, që ka intervistuar Ndue Gjonmarkajn në Nju Jork, prejardhja e Gjonmarkajve, është nga familja e Dukagjinëve, pikërisht nga Pal Dukagjini. Mark Kolë Pali, zuri vend në Orosh. Ai pati djalë Gjonin (Gjon Mark Kolë Palin). Sipas tij, Kolë Pali i Dukagjin, ka qenë internuar prej Venedikut, në Padova të Italisë. Ja si trajtohet më gjatë: Gjon Marku I-rë (Gjon Mark Kolë Pali), është personi që i jep emrin Derës së Gjonmarkajve.
“Tue mos mbërrijtë Turikija, me e nënshtrua Mirditën me forcë, u shërngue me ranë marrëveshje me Gjon Markun e I-rë, vjeti (1468). Marrëveshja përmblidhet në këto pika:
- Turkija, kondenohet qi Mirdita të njohë vetëm autoritetin nominal të Sulltanit.
- Mirditës, i njihet e drejta e lirisë juridike, civile e fetare.
- Mirdita, përjashtohet nga çdo taksë shtetërore, nuk paguen as të dheta e as xhelep.
- Mirdita, rregullohet si mbas Kanunit, ligj i natyrshëm dhe tradicional i saj, i ushtruem prej krenëve të vendit dhe i zbatuem prej Gjonmarkut, i cili njihet autoriteti ma i naltë i Kanunit.
- Mirdita, do të japë ushtarë vullnetarë në kohë lufte, për një kohë të caktueme. Kjo ushtri, do të prihet prej krenëve tradicionalë të vendit dhe do të komandohet prej Kapidanit, ose Princit të vet. Ushtria e Mirditës, do të shkojë në luftë me kostumin kombëtar.(75)
Jo gjenealogjia, por disa të drejta kanunore, dëshmojnë se Gjonmarkajt, vijnë si familje aristrokrate e trevës pas Dukagjinëve. Edhe Gjonmarkajt, u formuan si Derë sunduese, në një pjesë të territorit të ish-Principatës së Dukagjinëve. Ashtu si Dukagjinët edhe Gjonmarkajt, u dalluan në fushën e betejës, si komandantë të zot dhe sakrifikuan shumë, për të mbrojtur detyrimet që rrjedhin nga marrëveshje për imunitetet e Mirditës. Nga ana tjetër, Gjonmarkajt, janë interpretuesit e Kanunit të Lekë Dukagjinit, çfarë u ka dhënë një autoritet moral, në të gjithë territoret ku zbatohet ky Kanun, që përkon me territoret e Principatës së dikurshme, të Dukagjinëve.
Si provë tjetër prejardhje e Gjonmarkajve nga Dukagjinët, përmendet një kryqe, ku është shënuar; “Pal Dukagjini, ka qenë princ i trevës, së quajtur Dukagjin. Sundoi prej vitit 1444, deri në vitin 1458”.(76)
Prania e kryqes së dhuruar nga Pal Dukagjini, nuk mjafton për të dëshmuar se ai ishte banor i Oroshit, mund të jetë, por edhe mund të mos jetë. Dihet me siguri se ai, është pjesëtar i familjes, që e kishte edhe Oroshin në zotërimet e veta.
Marleku, shkruan se; “Marka Kolë Pali (Dukagjini), u vendos në Orosh dhe djali i tij Gjoni, ose siç quhet Gjon Marku i I-rë, bën marrëveshje me turqit në vitin 1468…”! Por ky vit, është viti i vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe Lekë Dukagjini edhe për 11 vjet të tjera, e mbajti Arbërinë të pa pushtuar, deri në vitin 1479. Në asnjë dokument osman, apo dokumente të tjerë të kohës, nuk përmendet ndonjë marrëveshje e bërë midis dikujt nga princat arbër me turqit, deri në vitin 1468.
Gjithashtu, po të marrim pikat e marrëveshjes që Porta e Lartë paska bërë me Gjon Markun e I-rë, pika e pare, nuk është e saktë, sepse Mirdita, nuk ka qenë e detyruar të njohë vetëm autoritetin nominal të Sulltanit, por edhe të Valiut të Shkodrës, i cili fillimisht, kishte të drejtë t’ia komunikonte urdhrat Kapidanit dhe në një fazë të dytë, Kapidani u emërua prej tij si Kajmekam, duke e bërë funksionin e Kreut të Mirditës, më të pranuar për strukturat administrative të shtetit osman. Puna shkoi deri aty, sa mirditasit të mos kundërshtonin që Kapidani i tyre, të quhej edhe Kajmekam, por kërkonin që të dy funksionet të përputheshin, pra Kapidani trashëgimtar, të njihej zyrtarisht si i parë. Po kështu Mirdita, ka qenë e detyruar të paguajë një taksë prej 100 pare për shpi (që nuk lahej kurrë, por ishte e shkruar ndër regjistrat e Perandorisë).(77)
Vërtetë mirditasit kishin liri në vendin e tyre, që t’i rregullonin punët e veta, sipas të drejtës së tyre zakonore, por ata, si të gjithë jomyslimanët, ishin qytetarë të rangut të dytë dhe gëzonin statusin e popullsive të krishtera, me disa të drejta, që i kishin fituar për shkak të marrëveshjeve me Portën e Lartë.
Dihet se Dukagjinët, kishin stemën e tyre, me një shqiponjë të bardhë njëkrenore. (78)
Ndërsa Gjonmarkajt, kanë shkabën dy krenore me rrezet që dalin nga trupi i shqiponjës dhe shpërndahen në të gjitha anët. (79)
Në këtë rast, nuk kemi trashëgim të stemës së familjes princërore, nga Dukagjini tek Gjonmarkajt. Dihet se stema është një element i rëndësishëm i fisnikërisë dhe një shenjë e rëndësishme identiteti. Është ajo stemë që e materializon prejardhjen dhe vijimësinë e një dere fisnike. Pavarësisht nga rrethanat që mund t’i krijoheshin edhe në kushtet e konfliktit me autoritetet turke, apo në marrëveshje me ta, Gjonmarkajt, mund ta ruanin stemën e paraardhësve të vet.
Por duhet pranuar se, kur një degë e familjes së shquar e vazhdonte shkëlqimin e vet, kishte prirje për t’u identifikuar ndryshe nga familjet e afërta dhe për ta bërë këtë, krijonin një stemë të re. Gjonmarkajt, nuk kanë trashëguar dokumente nga Dukagjinët, kur dihet një fakt se; princat Dukagjinë; kishin kancelari, nga dilnin dokumente të shkruara, marrëveshje, traktate, etj. Një kryq i Pal Dukagjinit, thotë shumë pak për të pretenduar prejardhjen prej tij.
Sikur Gjonmarkajt, të ishin Dukagjinë, nuk kishin pse ta ndryshonin mbiemrin, përderisa u futën në gjirin e një zone të lirë dhe kryengritëse, që mbrohej me forcën e armëve të veta.
Kujtojmë se Nikollë Mejkashi, u fsheh disa vjet në territoret e Mirditës së sotme, pa e ndryshuar emrin dhe turqit nuk mundën ta zinin. Por edhe sikur emri të ishte ndryshuar vërtetë, për t’u fshehur nga turqit, pas marrëveshjes me ta, nuk do të kishte arsye për të mos e shpallur veten, siç ishin në të vërtetë “Princët Dukagjinë”, duke mos u kënaqur me titullin “Kapidanë”, kur ishin “Princër”. Titulli, në fakt grada “Kapidan”, u jepej zakonisht komandantëve të reparteve të vogla ushtarake, në Europën e krishterë. Në Mirditë, rëndësia e kësaj grade, u rrit shumë dhe ajo tregonte një komandant të madh, prijës, apo kreun e Krahinës.
Po të shihet edhe procesi i zgjerimit të sundimit të Gjonmarkajve, del se ai, nuk ka ardhur si rezultat i rivendikimit të tyre, për të drejtën e sundimit mbi ato territore që dikur “i kishin patur”, por, është bërë kryesisht nëpërmes luftërave. Në marrëveshjen e parë të bërë me autoritetet turke, apo edhe më vonë, Gjonmarkajt, nuk e kërkuan zyrtarisht sundimin jashtë Mirditës, trebajrakëshe.
Zgjerimi në pesë bajrakë, tetë dhe pastaj dymbëdhjetë bajrakë, është bërë gradualisht në një evolucion, që ka zgjatur në kohë nga Gjon Marku, tek Prengë Bibë Doda. Jashtë sferës së sundimit të Gjonmarkajve, mbetën treva mjaft domethënëse të Principatës së Dukagjinëve, me popullsi kryesisht katolike, si Malësia e Shkodrës dhe e Pukës.
Krerët e këtyre malësive, as herët dhe as vonë, nuk i’u bashkuan Mirditës, pavarësisht se shikonin me simpati nga ajo dhe vendimet e tyre, donin t’i përputhnin me vendimet e mirditasve. Madje Prengë Bibë Doda, në vitin 1903, kur ishte i internuar në Turqi dhe mendonte për të fituar përkrahjen e malësorëve, u lidh me Albert Gjikën, i cili do të ndikonte te krerët e Hotit, Grudës, Kelmendit e Kastratit, që shqiptarët, t’i ngjeshin armët porsa të jepej kushtrimi i parë. Kjo tregonte se ndikimi i Prengës në këto malësi, nuk ishte i madh. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
- Luigj Martini, Bibë Doda… f. 39
- Pashko Vasa, E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët f. 87
- Das Land der Mirditen in Daus Ausland, Wien 1890. f.450
- Pal Doçi, Mirdita vatër e qëndresës antiosmane: vështrim etnologjik dhe historik, shtëpia botuese “Mirdita”, Tiranë 1999,f.131
- Simon Prendi, Historia : Mesjeta, Koha e re dhe e sotme, në Mirdita, njohuri për vendlindjen, AEDP, Shtëpia botuese “Mirdita”, Tiranë 1999, f.59
- Nikollë Doda, Prengë Marka Prenga, Bajraktari i Oroshit, shtëpia botuese “Mirdita”, Tiranë 1998, f.58
- Revista «Shejzat, Nr.XVII, viti 1973, f.58-61
- Zef Marka Harapi, Mirdita në histori dhe gojdhana deri n’vjetë 1929, Hylli i Dritës, Nr.1, viti 1931, f.41
- Mark Marleku, Principata e Mirditës, Dera e Gjomarkajve-Kapidani, Prishtinë 1999, f.1976. Revista « Shejzat, Nr.XVII, viti 1973, f.145
- Ndoc Nikaj, Kujtimet e nji jetës kalueme, botimet «Plejad», Tiranë 2003, f.23
- Theodor Ippen, Shqipëria e Vjetër, Tiranë 2002, f.201
- Zef Përgega, Sarajet, pa shtëpi botuese, Detroit 2008, f.43
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016