Nga Pjetër Pepa
Pjesa e dytë
Memorie.al / “11 dhjetor 1946 – Zbulohen “Armë në Kishë“; Sekuestrohet Kuvendi Franceskan! Arrestohen e torturohen: 1. Imzot. Frano Gjini; 2. Imzot. Nikoll Deda; 3. Patër Mati Prendushi; 4. Patër Çipirian Nikaj; 5. Patër Pal Dodaj; 6. Dom Tom Laca; 7. Dom Ndoc Sahatçija; 8. Patër Gjon Karma; 9. Dom Nikoll Shelqeti; 10. Patër Mhill Miraj; 11. Fra Zef Pllumi etj. Sigurisht, që kemi të bëjmë me një shtet diktatorial të specializuar, për të shpifur e për të ndryshuar të vërtetat, por edhe për të përzgjedhur, ndryshuar, e transformuar dokumentet. Dëshmitarët e ditëve të para të përmbysjes së diktaturës, e kanë parë me sytë e tyre, se si u dogjën Komisariatet e Policive dhe Degët e Punëve të Brendshme, aq tabu e te paprekshme, deri ditët e mëparshme…!
Pra, le të ecim më tej mbi faktet e historisë, e do të gjendemi kështu nën sundimin turk. Mesazhi vazhdon: Edhe në atë kohë, kur prej qindra vitesh, nuk mund të shkruhej asnjë fjalë shqip prej tjetërkujt, nga klerikët katolikë, ipeshkvinjë, priftërinj apo fretër, po, megjithëse reprezaljet e kërcënimet, përndjekjet e salvimet, nuk ju ndanë asnjëherë Kishës nën dhè e mbi dhè. Ndeshemi pikësëpari, me fjalinë e parë shqipe: Formula e pagëzimit, 1462, nga Ipeshkëvi Pal Ëngjëlli dhe me librin e parë shqip, të vitit 1555, ku autori haptas do të shprehej: “Unë Gjon Buzuku, tue mos gjetë nga shkrimet shenjtë, kurrgjë në gjuhën teme, i shtymë nga dëshira për atdhè temin, u mundova…e veprën teme, e mbarova me 5 kallnuer 1555”. Pra Buzuku, një prift katolik nuk ka aspak frikë të deklarojë se është i shtyrë nga dëshira për Atdhè.
Le të ecim një hap më tej, e do të ndalemi tek matjani Pjetër Budi, Ipeshkëv i Zadrimës (1566-1623), i cili gjithashtu nuk trembet, kur shkruan në Doktrinën e Krishterë, se: “Zoti nuk i ndigjon uratët e atyne që luten në gjuhë të huaj, për pa kuptue vështrimin e fjalës që thotë”. E në shtojcën e këtij libri, do të gjejmë edhe poezitë e një tjetri frat shqiptar, Pal Hasit, nga Kosova. Pra nga Mati tek Kosova, të dy krahinat aso kohe të krishtera, të dy për gjuhën e atdheun e shqipes, nuk marrin parasysh kërcënim as rrezik. Takohemi me autorin e fjalorit të parë latinisht-shqip, Frang Bardhin, 1635, Ipeshkëv i Zadrimës, që në parathënien e tij, sjell arsyen thjeshtë patriotike, për të cilën e shkroi atë vepër: “… me ndihmuom gluhën tane, që po bdardhet e po bastardohet sa më parë të ve”. Diçka më tej na pret një tjetër kosovar i përmendur, është Pjetër Bogdani, për 21 vjet, Ipeshkëv i Shkodrës dhe i Shkupit, që do të quhet themeluesi i prozës letrare shqipe, e që parathënien e tij, e shkruan shqip.
E nuk duhet harruar as arqipeshkvi tjetër i Shkupit, Gjon Gazulli (1702-1753), gjithashtu nga Gjakova, përherë shqiptare, doktor në filozofi e teologji, që boton në Romë në vitin 1743, librin e tij shqip, në dialektin e Gjakovës. Për të përfunduar tek Gjon Françesk Albani, ose Papa Klementi XI-të, që do të themelonte edhe kolegj për shqiptarët, duke pranuar jo pa krenari, që i përket racës shqiptare. E po të duan, le të kërkojnë e do të shohin, se tek shkolla e parë shqipe, fillore apo e mesme, revista e parë, teatri i parë, stacioni i parë meteorologjik etj., etj., do të gjejnë klerikët, djersën e talentin e tyre, disa prej të cilave patëm rastin t’i përmendim në hyrjen e këtij libri. Do të shohim se që në vitin 1493, përmendet Shtypshkronja e Obotit, me librat e shtypura aty, ndërsa në vitin 1563, ajo e Shkodrës. (Narodna Enciklopedia – Zagreb 11929; vr. “Hylli i Dritës”, 1930, f.383).
Do të shohim se, vetëm gjatë pushtimit osman, domethënë deri në vitin 1911, janë hapur 47 shkolla shqipe, nga të cilat 10 për vajza (Patër Donat Kurti, ‘Albanian Catholic Bulletin’ 1993, vol. XIV, f.202), dhe do të njihet me shkollën e Pllanes, të Blinishtit, apo të Shkodrës, që në vitet 1638-1698. Do të shohim se, që më 20 prill 1711, nxitur prej Papës shqiptar, Klementi XI-të), është hapur Katedra e Gjuhës Shqipe (në Kuvendin e Shën Pjetrit – Montorio, Romë). E do të gjejmë gjithashtu, që më 1881-in, botimin e Patër Leonardo de Martinos “L’Arpa di un italo-albanese”, ku i shkruante mikut të tij, një dijetari të përmendur, ndër të tjera, vargjet: “In man la spada d’atro sangue tinta/ L’ombra di Skanderbeg sdegnosa rugge/ Ah, ingrata Europa… é tua la colpa e il torto”.
Me gjak mizor përlyer shpat’n e zymtë në dorë/ Fantazm’ e Skënderbeut e përbuzshëm vrumbullin/ Ah! Ti Europë bukëshkalë, faj e mynxyrë ke bashkë” (Përkthyer: Rudolf Marku). Do të gjejmë: – Bandën e parë muzikore, të At Tom Markozzit (1882) dhe orkestrën e korin e përkryer të Patër Martin Gjokës (1917). – Shfaqjen e dramës së pare, në gjuhën shqipe nga Patër Leonardo de Martino (1880). – Shoqërinë “Bashkimi”nga imzot Prenk Doçi, më 1899, “Agimi” nga D.Ndre Mjeda – 1901, “Klubi Gjuha Shqipe” – 1911, Shoqëria “Rozafa” – 1918, “Bogdani” – 1919, “L.E.K.A” – 1929, etj. – Muzeumet dhe Pinakotekat e Jezuitëve e, të Françeskanëve dhe vlerat e mëdha arkeologjike të At Shtjefën Gjeçovit. – Kinematografinë e parë, në Kolegjin Françeskan – në vitin 1912 dhe më vonë në shtëpinë e piktorit e arkitektit, Kol Idromeno, natyrisht film pa zë.
Por le të kalojmë tek një tjetër periudhë e rëndësishme e përsëri e rrezikshme; është periudha e Lidhjes së Prizrenit. Do të na dalë menjëherë para, një figure e njohur në fushën patriotike; është Prenk Doçi, kreshniku i Mirditës, që së bashku me Prenk Bib Dodën, do të organizonte kryengritjen kundra Turqisë, ose Lëvizjen e Mirditës, më 1877-ën, për të cilën do të arrestohej e do të internohej. Por natyrisht, kishte pasur fat që arrestohej nga turqit, se po të kishin qenë që atëherë komunistët shqiptarë, do të merrte tjetër ndëshkim, e nuk do të mund të themelonte e të drejtonte më vonë; “Shoqërinë Bashkimi“ për të na lënë trashëgim, alfabetin e gjuhës shqipe, me të cilin jemi ende sot. Le të ecim më tej; Do të gjendemi në periudhën ndërmjet Lidhjes së Prizrenit e Kuvendit të Manastirit, e s’ka se si të mos përshëndetemi, me dy kolosët, poetët e mëdhenj, poezitë e të cilëve, i rreshtuan në Olimpin e pavdekshëm shqiptar, pra më Fishtën e Mjedën.
Është koha kur, në nëntor të 1908-ës, në Kongresin e Manastirit, do të fitonte kultura perëndimore dhe “gjuha shqipe, vojt kah Perëndimi” do të thoshte gjithë gëzim, kryetari i Komisionit të alfabetit në atë Kongres – At Gjergj Fishta. Gëzohej pse me veprën e tij, kishte realizuar aspiratën mbarëshqiptare dhe ëndrrën e Naimit të madh: “Diell që lind, andej nga perëndon”. E do të kuptojmë edhe se, më vonë, dy figurat kombëtare aq të zgjedhura, të Marash Ucit e Oso Kukës, nuk janë të rastit. Programi i klerit dhe i gjithë kristianizmit, ishte: “Bashkë me vëllezërit myslimanë, për një Shqipëri të lirë”. Kjo ishte në zemrën, pra, edhe në veprën e tyre. E shembuj e fakte në këtë drejtim ka mjaft.
Duke kapërcyer pragun e 1912-ës, nuk duhet të çuditemi, nëse Bajram Curri, gjatë kryengritjeve të mëdha anti-osmane, do të akuzohej nga një farë Sulejman Kulsit – tetovas, si agjent i paguar i katolikëve, se vërtet, mësimet atdhetare i merrte nga goja e Dom Tom Berishës dhe ishte një nga mbrojtësit më të sigurt, të katolikëve të Kosovës. E jo rastësisht, në qeverinë e parë shqiptare të Vlorës, më 1912-ën, nga vetë Ismail Qemali, do të zgjidhej si nënkryetar, Monsinjor Nikoll Kaçori. Pra një prelat katolik, i zgjedhur me dëshirë të plotë, si krah i djathtë nga Ismail Begu. E pas shtatë vitesh, përfaqësues të Shqipërisë, në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919-ën, do të ishin Imzot Luigj Bumçi, Pater Gjergj Fishta e, Luigj Gurakuqi. Është me vend të përmendet këtu, përgjigja madhështore historike që imzot Bumçi do t’i jepte atyre që mendonin se, duke qenë në pakicë, katolikët, s’kishin ç’të bënin në Shqipëri, ndaj do të ishte më mire, të iknin e ta linin atë.
E përgjigja: “Unë po ju dëshmoj si Ipeshkëv Katolik, se e mbaj vedin vëlla me muhamedanët shqiptarë e çka ju duhet ju kur unë në këtë gjendje, due me jetue me ta”?! A duhet koment për këtë postulat, me domethënie kaq të madhe historike?! Ndërsa kur do të pyetej Gurakuqi, nëse besonte se mund të bashkoheshin toskë e gegë e, muhamedanë e kristianë, menjëherë do të përgjigjej: “Po mos ta kishim këtë bindje, do të niseshim me vaporin ma të pare, për mos me u kthye ma kurrë, në këtë vend”. Pra s’duhet të harrojmë se, as 15 shekujt e krishtërimit dhe as 5 shekujt e myslimanizmit, nuk mundën të këpusin tek shqiptarët fijet që e lidhin atë me familjen e madhe indo-europiane. Por, le të kalojmë edhe dy vjet më tej e, të futemi në Parlamentin e parë shqiptar. Pas zgjedhjeve të para të 6 qershorit 1921, si deputetë të Prefekturës së Shkodrës, do të gjejmë sërish dy korifenjtë, Mjedën e Fishtën, madje këtë të dytin, si zëvendëskryetar të atij Parlamenti të nderuar, e të zgjedhur.
E, besoj se me këtë rast, s’është pa kuptim të kujtojmë atë që sekretari i ambasadës hungareze në Romë, do t’i thoshte një vit më vonë, Patër Pal Dodës: “Ju keni disa deputetë në Parlament, që do të lenin nderë edhe në Odën e Komunave të Londrës”; mos të harrojmë se, veç dy të mësipërmve, ishin edhe Luigj Gurakuqi, Riza Dani, Hilë Mosi, Fan Noli e, sa e sa burra të tjerë që, peshonin njëri më rëndë se tjetri. “Katoliçizma – thoshte Imzot Noli, nga njëra anë i jepte Shqipërisë bashkimin, që i mungonte si shtet, dhe nga ana tjetër, e lidhte me botën e krishterë europiane” (F.Noli – Tiranë 1989, Vepra 4, fq.490). Vijmë kështu në vitet 1932-1933 në mbylljen e shkollave dhe instituteve katolike vetëm sa për të kujtuar që ndër kolegjet që po mbylleshin ishin shkolluar shkrimtarë dhe atdhetarë të tillë të shquar si Konica e Koliqi, Prendushi e Gurakuqi, Nikaj e Bumçi, Mjeda e Camaj që do të mbeteshin vlera e ndera e Shqipërisë për të gjitha kohërat. Nga sa parashtruam gjer këtu a mund të quhet antikombëtar e reaksionar Kleri Katolik Shqiptar?! A po ndoshta është Kleri më heroik, në rrugën e historisë 2000 vjeçare, pse mbas 500 vjetësh robërie turke, prej vitit 1912 deri në vitin 1944 janë vetëm 30 vjet e në kaq pak kohë e mundësi, Ai, nxori aq heronj sa asnjë kler tjetër në botë.
E tani, duke u futur në periudhën e zezë të pasçlirimit, le të shohim: Pse ishte kaq e tërbuar furia komuniste kundër Klerit Katolik? Vërtetë mëria kundër Klerit e të krishterëve, ishte shumë e madhe e, me përjashtim të atyre që nuk duan t’a dinë, të gjithë e kanë të qartë se; rrënjët historike të kësaj urrejtjeje, nuk u gjetën kurrë, në dasitë fetare brenda Shqipërisë, por diku më larg, jashtë saj. Ishin miqësitë e reja, interesat dhe synimet e “miqve” ndaj Shqipërisë dhe kombit shqiptar, ata që kërkonin në mënyrë të veçantë për të pastruar elitën patriotike shqiptare. Ishte diktatura komuniste, që kërkonte të vendosej dhe që tek Klerikët Katolikë, shikonte armiqtë e saj. Ishte doktrina ateiste e komunizmit, që e kërkonte “sine qua non”, diçka të tillë. E kjo kishte natyrisht, shkaqet e veta historike. Që në Luftën e Parë Botërore, madje edhe para Kongresit të Berlinit, nacionalistët shqiptarë, ishin në luftë për ruajtjen e tërësisë së trojeve amtare.
Me fitoren e aleatëve ballkanikë, Serbi, Greqi, Bullgari e Mali i Zi, kundër Turqisë, më 1912-1913, u paracaktua fati i keq i Shqipërisë: Ajo do të copëtohej ndërmjet fqinjëve, çka do t’i hapte rrugën për në Adriatik serbëve, e mikes së madhe të tyre, Rusisë. E nëse kjo nuk ndodhi, natyrisht, veç faktorëve të brendshëm ishte edhe ndihma e Austro-Hungarisë që, siç dihet, për të shpëtuar Shkodrën, ishte gati të nisë luftën. Pra edhe pse ashtu e gjymtuar dhe e sakatosur Shqipëria, Shkodra, u shpëtoi nga duart e natyrisht, kjo jo rastësisht. Veç faktorëve të mirëfilltë politikë, si mbrojtëse e vjetër e katolikëve shqiptarë, që në paqen e Karlovicit, viti 1699, Austro-Hungaria, nuk mund ta linte atë në duart e malazezëve.
Nga ana tjetër, përmes këmbënguljes së Imzot Bumçit, kleri katolik kishte luajtur gjithnjë një rol të madh në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, e kishte penguar shtyrjen e tyre në bregdet. E duhet ta theksojmë më të madhe se, pa asnjë dyshim, në një mendje e në një zemër me të, kudo e kurdo, kanë qenë edhe të gjithë patriotët e vërtetë shqiptarë, edhe të feve të tjera. Greqia e Roma, këta dy popuj të lashtë e të mëdhenj, në kulmin e fuqisë së tyre, në shkallën më të lartë të madhështisë e të organizimit, ngjitur me aeropagun dhe senatin, patën edhe tempullin e altarin dhe krahas me sunduesit, nderuan edhe perënditë, duke u përmbledhur të gjithë thesaret dhe idealet e tyre, në vetëm dy fjalë: “Pro aris, et focis -për altar e vatër. “Fe e Atdhe“! përbënë pra kurdoherë një ideal të vetëm, që jo vetëm janë të natyrshëm, por edhe pajtohen fare mirë.
Që nga lashtësia e deri më sot, nuk do të gjendet një popull pa perëndi, një shoqëri pa besim, një komb pa kult. Do të gjenden po, periudha lufte kundër fesë, por zhdukje të përhershme të besimit, tek asnjë popull nuk do të gjendet kurrë. Prandaj gabon rëndë ai, që shikon besimin si një cënim të atdhetarizmit, pse atdhetarizëm do të thotë dashuri për njerëzit, e feja mbjell pikërisht vëllazërimin në mes njerëzve. Ndoshta është vendi të kujtojmë këtu dëshmitarët, që e provojnë më së miri gjithë sa thamë më sipër: Zhan D’Arc në Francë, Hoffer në Austri, Vilhelm Tel në Zvicër, etj. Kur një luftëtar veteran, e paditën se po cënonte lirinë e madhështinë e atdheut, ai përnjëherësh zbuloi gjoksin, shpërvjeli këmishën dhe tha: Ja! Këto plagë që parzmi im ka marrë në luftë, për të mbrojtur e shpëtuar atdheun, le të flasin për mua. E, natyrisht, askush më mirë se gjaku i derdhur, nuk mund të flasë edhe për atdhetarizmin e fetarëve dhe besimtarëve shqiptarë.
Në Deçiq e Kaçanik, trimat e Selanikut e të Kosovës, luftuan për Shqipërinë dhe besuan në Perëndinë. Ded Gjo Luli e Isa Boletini, Themistokli Gërmenji e Shtjefën Gjeçovi, qenë besimtarë dhe fetarë; Thimi Mitko e Papa Kristo Negovani, Sali e Gani Butka, nuk qenë ateistë e, megjithatë luftuan dhe dhanë kaq shumë për atdheun e tyre. Jo besimi, përkundrazi materializmi, e dobëson dhe e ligështon njeriun. “Një komb duhet të jetë i virtytshëm, po të dojë që të jetë i lirë”, thoshte Xhorxh Washington. Ndaj edhe Skënderbeu, qe quajtur “Pater Patrie” – babai i Atdheut, por edhe “Miles Christi”, – ushtar i Krishtit. Por, le të vazhdojmë më tej e, do të ndeshemi në përpjekjet e fundit, 1919-1921, për të shtënë në dorë Shqipërinë e Veriut, deri në Drin e Mat. Një pjesë, ishte marrë që më 1880-ën e, tashti përsëri këndohej kënga tashmë e njohur: “Ot Bregmata, do Kotora eta zemla Cërnagora – nga Bregu i Matës deri në Kotor, është tokë e Malit të Zi” e, që përfundoi pa sukses e në dështim të plotë. Por ja së fundi, erdhi dita. Viti 1944, po e bënte Shqipërinë kafshatë të Beogradit. O tash o kurrë, mund të laheshin haqet e vjetra.
O tash o kurrë, mund të gjente shfrim urrejtja e grumbulluar prej kohësh. Kalaja e fortë e patriotizmit Katolik, ishte tashmë në dorën e tyre e do të dinin, siç dinë ata, t’a shkallmonin kulm e themel. Do të vepronin pra në atë mënyrë, që mos të formohej kurrë një elitë tjetër patriotësh, si ajo që ishte formuar prej shekujsh dhe i kishte sfiduar gjithnjë. E një koincidencë e dhimbshme: “Mjer krishtërimi, se i humbi spata dhe mburoja”, kishte thirrur gjithë gëzim Sulltan Mehmeti, kur dëgjoi vdekjen e Skënderbeut, më 1468-ën e, “mjer krishtërimi…”, do të thërrisnin gjithë gëzim shovinistët serbë, pas afro 500 vjetësh, më 1944-ën.
Ja sepse gjatë një periudhe 5 vjeçare, 1944-1949, ngjau ajo që nuk kishte ngjarë asnjëherë tjetër. Filloi ajo tragjedi e masakër, që siç do të shprehej zoti Sami Repishti: “Për katolikët shqiptarë, nuk merr kuptimin e vërtetë e të plotë nëse, nuk pohohet publikisht, nga të gjithë e me bindje se, nga 94 famullitarë të rregullt e, 93 ndihmës – gjatë viteve 1944-‘49 u vranë, u torturuan e u burgosën 7 ipeshkvinjë, 4 monsinjorë, 56 famullitarë, 30 etër françeskanë, 13 etër jezuitë, 10 seminaristë etj”. Pra, vazhdon zoti Repishti, “tortura nuk ka kuptimin e plotë, në qoftë se nuk kujtohen fjalët që tha në burg Pandi Kristo: “Ato Lleshrat e Prengrat, i kemi vrarë faj e pafaj vetëm sepse kanë qenë katolikë. Ata po, kanë të drejtë të ankohen”.
E pra nuk bëhej fjalë për Lleshra e Prengëra, dosido, por për burra mentarë e, patriotë, si; Llesh Marashi e Preng Cali, që kishin bërë aq shumë për fatin e vendit të tyre, për Shqipërinë. Thamë ne fillim se, kjo dramë sa e rëndë dhe shkatërruese, pati dy akte, sepse nuk kaluan as edhe dy vite dhe u burgosën edhe ata që kishin ndihmuar, në organizimin e vënien në jetë të këtij skenari. E vërteta nuk vonon të dalë në dritë: Më 28 korrik 1948, arrestohet aspirant në seksionin e Sigurimit Shkodër, Pjerin Kçira, me katër të tjerë të krishterë, 20-24 vjeçarë. Akuzohen si; “antarë të një organizate të fshehtë, që ka marrë vendime për atentate kundër funksjonarëve të Partisë e Pushtetit” (organizatë e formuar gjoja, dhjetë ditë më parë).
Me dt. 28.5.1949 gjykata hap procesin ndaj tyre dhe me 10 qershor, dënon kryetarin, Pjerin Kçira e Nush Simoni, me 20 vjet burg. Për të pastruar ndërgjegjen apo nga inati i atij dënimi, Pjerin Kçira, replikon me kryetarin e gjykatës, ku ndër të tjera i thotë: “Mos mendon se ban me mua, atë që kemi bë me Klerikët Katolikë, duke ja futur armët në Kishë, e duke i detyruar përmes torturave çnjerëzore, të pranojnë se janë të tyre. Për të mbuluar poshtërsitë tuaja dhe të Enver Hoxhës, ju doni të dënoni njerëz të pafajshëm”. Kryetari i gjykatës i shokuar, mbyll menjëherë seancën gjyqësore. Të nesërmen, më 11.6.1949, gjykata e dënon me vdekje! Janë të shumtë dëshmitarët që flasin e tregojnë, për këtë ngjarje të shëmtuar.
Po rendisim të parin, Fra Ndue Vila, portjeri i kishës që ngaqë nuk pranoi të dorëzojë çelësat e të hapë portën për të futur armët e reja e pa pluhur, pushkët e gjata e mauzerët e lustrosura, rreth orës 4.30 të mëngjesit të asaj dite, e masakruan si mos më keq. Fra Ndue Vila, ishte i biri i Prendit dhe Davës Dedëgjoka, lindur në Orosh – Abacia e Mirditës, më 24 Qershor 1879. Ka shërbyer në Kishën Françeskane. E arrestojnë se nuk pranon të dorëzojë çelësat e Kishës, për të futur armët. Mbas sa muajsh tortura, bën disa vite burg e sa del, dërmuar nga torturat, vdes me 4 maj 1956, në Kuvendin franceskan – Arra e Madhe. Thonte gjithnjë edhe më vonë: “Armët në Kishë, i kanë futë vetë, se më kanë kërkue çelësat mu…”!
Le ta përcjellim atë më në hollësi, nga dëshmitari që mbet gjallë prej diktaturës, Patër Zef Pllumi.
Dëshmi: I mbështetur në shpalljen qeveritare, për dorëzimin e armëve, gardiani i Kuvendit, Atë Çiprian Nika, lajmnoi se kishte në Muzeumin e Françeskanëve, 3 copë armë dhe në Kuvendin Franceskan, nji armë gjuetie, me tri gryka, që dikur e kishte pasë në përdorim në Kep të Rodonit, Fr. Zef Hajmeli, i fundit frat atje, deri në vitin 1929-ën. Po në atë kohë, ishte tue u vue në veprim e quajtuna ‘Reforme Agrare’ dhe kështu tokat e Kishës Franceskane në Lezhë, ishin shtetëzua, ashtu edhe ata të Kuvendit të Troshanit. Atë Çipriani, u nis për Tiranë, me kërkue kthimin e këtyne pronave, mbasi franceskanët, nuk kishin mundësi jetese pa to. Posa u kthye prej Tirane, n’oborr të Kuvendit, rrijshin tue e pritë oficerët e arrestimit: i vunë prangat në duar e menjëherë i kërkuen armët, për të cilat ai kishte lajmue…!
Me dt. 14 nandor 1946, Kuvendi Franceskan i Gjuhadolit, u gjet i rrethuem që në orët ma të para. Kur, Atë Ferdinand Pali, e fra Ndou, deshtën me hapë dyert, gjetën rojet partizane, të cilat nuk i lanë me dalë, as me i hapë dyert. Para orës 8, erdhi Dul Rrjolli me nji skuadër ushtarakësh. Na urdhënuen me u mbledhë të gjithë në mensë. Ata filluen me kontrollue Kuvendin. Na urdhënuen, mos me dalë prej mense pa leje, as për nevoja personale. Në derë të mencës, vunë një roje dhe nji tjetër në korridor…! Gjyqi u ba në Redaksinë e “Hyllit të Dritës”. Me dt. 13 janar, me prunë akt-akuzën. Kjo ishte e formulueme e njajtja për 10 persona. Akt-akuza, përbëhej prej 14 pikash, të cilat pak a shumë, kishin këtë përmbajtje: – Të gjithë këta, janë klerikë të Kishës Katolike, qendër e obskurantizmit botnor, gjatë gjithë historisë. – Se i kanë shërbye skllavopronarëve e gjithë monarkëve të shekujve.
-Se kanë shkaktue shumë lufta fetare, kryqëzatat anti-islamike, por kanë përgatitë edhe natën e Shën Bartolomeut në Francë. -Se kanë pengue shkencën dhe kanë persekutue shkencëtarët, tue i djegë së gjalli, si Galile Galilein e Xhordano Brunon. -Se kanë bashkëpunue aktivisht, me të gjitha perandoritë për shtypjen e popujve. -Se kanë bashkëpunue me perandorinë turke, në dam të popullit shqiptar. -Se kanë bashkëpunue me perandorinë Austro-Hungareze dhe kanë përgatite ardhjen e saj. -Se kanë përgatitë ardhjen e fashizmit. -Se kanë bashkëpunue me Mbretin Zog, për shtypjen e popullit shqiptar.
-Se kanë përgatitë okupacionin Italian, të 7 prillit 1939. -Se kanë luftue Lëvizjen Nacinal-Çlirimtare. -Se kanë dashtë me përmbyse Pushtetin Popullor etj.! Gjatë kohës që po shqiptoheshin fjalët e mbrame, në dhomën e gjyqit, hini nji oficer, ai pruni nji zarf të mbyllun, i a dha kryetarit të Gjykatës. Kryetari e hapi dhe e lexoi vetë, ua dha edhe shokëve të vet, ndërsa na po flitshim. Mandej duelën jashtë të gjithë. Në orën 14, jepej vendimi: Ashtu u bë. Na pritëm aty si më thanë nja 20 minuta, të ruejtun nga ushtarakët, që mos të flitshim kurrë nji fjalë. Kur hyni trupi gjykues, bashkë me atë majorin që pruni letrën, ata në kambë edhe na u çuem në kambë të gjithë, përveç Dom Anton Muzajt.
U lexue prej Kryetarit, vendimi i formuluem gjatë e stërgjatë, me provat bindëse, që zakonisht, bien të gjithë xhelatët në botë: 1- Imzot Frano Gjini – me vdekje pushkatim; 2- Atë, Mati Prendushi – me vdekje pushkatim; 3- Imzot, Nikoll Deda – me vdekje pushkatim; 4- Dom Tom Laca – me burgim të përjetshëm; 5- Atë Dionat Kurti – me burgim të përjetshëm; 6- Dom Ndoc Sahatcija – me 15 vjet burg; 7- Atë Mhill Miraj – me 10 vjet burg; 8 – Dom Mark Hasi – me 7 vjet burg; 9- Zef Haxhia – me 5 vjet burg; 10- Dom Nikoll Shelqeti – me 3 vjet burg; 11- Frat Zef Pëllumbi – me 3 vjet burg; 12- Dom Anton Muzaj – me lirim me kusht.
Për pak sekonda, nji heshtim i plotë. Atëhere, Atë Mati Prendushi, foli: -Zotni gjykatës, mbasi na nuk do të shifemi ma ndërmjet vedit në këtë jetë, me këta vëllazën e shokë, a na lejoni të përshëndetemi e, t’ia marrim hallallin shoqi shojt? -Vetëm 5 minuta – tha kryetari i Gjyqit. Kam përshtypjen se këto pesë minuta, janë unike në historinë e njerëzimit. As në kohën e martirizimit të krishtenëve, vështirë se u zhvilluan pamje si ato që pashë unë me sytë e mi, me 16 janar 1948. Atëherë, ndër sy të gjithëve, Atë Mati Prendushi, iu drejtue të parit Dom Ndoc Sahatçisë: -Dom Ndoc, unë jam tue të falë më gjithë zemër, për të gjitha shpifjet që ke bë kundër meje dhe të tjerëve. Edhe do t’i lutem Zotit, që të ketë mëshirë për ty, e të falë Zoti, ashtu si po të fali unë! – dhe mandej shkoi e u përqafue me atë të parin. Na të gjithë, u përqafuem me lot ndër sy, me shoqi shojnë, me ata që u dënuen me vdekje – (Patër Zef Pllumi, Rrno për me tregue’ Vëllimi i I-rë, fq. 201)
Kjo ishte situata kur u bë “zbulimi“ i famshëm i armëve në Kishë. Ky ishte skenari makabër, që mbyllte këtë vit të rëndë 1946. Ishin kaq të shumta viktimat, kaq të shumta goditjet, kaq të shumta informacionet e dëshmitë e trishta, për të cilat, do të flasim kur të përshkruajmë atë të zezë që ndodhi dy vjet me pas, në vitin 1948, pas torturash, tmerresh, dënimesh e pushkatimesh në masë. Pra tashti, kësaj radhe, po ndalemi tek ky fund-viti 1946, duke ju siguruar se jehona e këtyre arrestimeve të pafund, të këtij viti, do të ndjehet më vonë edhe në të gjithë Shqipërinë. Vendosëm t’i lemë ashtu siç rrodhën ngjarjet…në kohën e vet. Memorie.al