Nga Petro Marko
Pjesa e gjashtë
Memorie.al / Rrëfimet e shkrimtarit të njohur Petro Marko, ish-luftëtari i Brigadave Internacionaliste në Luftën e Spanjës në vitin 1936, dhe më pas edhe i rezistencës antifashiste në Tiranë, tregon prapaskenat e asaj që njihet si Lufta Nacionalçlirimtare dhe pse Koçi Xoxe urrente Enver Hoxhën?! Porosia e Sejfulla Maleshovës: “Kjo është parti terroriste, mos hap gojën, se do e pësosh…”! Përse u dënua Petro Marko dhe kush ishin ata që i’a përgatitën arrestimin dhe kush e ndihmoi pas daljes nga burgu, etj. Pjesë të zgjedhura nga libri “Intervistë me vetveten”, i shkrimtarit të njohur shqiptar Petro Marko, i botuar në fillim të viteve ’90-të pas shembjes së regjimit komunist, libër i cili pati një jehonë të madhe në shtypin e kohës, pasi u botua dhe ribotua disa herë, duke shënuar një rekord shitjesh.
NISI KALVARI
PAS LETRËS SË HAPUR TË PARTISË
Letra e Hapur e Partisë, nxiti shumë mbledhje dhe diskutime. Edhe në Dhërmi, u mblodh fshati për të diskutuar “lirisht”. Duheshin vënë në dukje të metat dhe duheshin demaskuar dallaveraxhinjtë, që në emër të Partisë, spekulonin dhe shfrytëzonin, si dhe reaksionarët. Në mbledhjen e madhe që u bë, shkova dhe unë dhe më vunë në presidium.
I pari që e mori fjalën, ishte Thimio Milo, djali i doktorit. Ai tha: “Nëse Shqipëria u çlirua më 29 nëntor 1944, Dhërmiu u çlirua tani…”!
Filluan të kritikonin shumë, sidomos drejtorin e kampit të pushimit, që prodhimet e kooperativës së fshatit, i dërgonte me shoferin e tij në Vlorë e në Tiranë, tek të gjithë kuadrot e Partisë, që gjatë verës pushonin në vilat e kampit. Këtë e vërtetoi edhe shoferi. E vërtetuan edhe shumë gra e burra, që gjithë ditën zgjidhnin portokallet më të mira, limonët më të mirë, mjaltin, gjalpin, arrat, verën, rakinë. Të gjitha llojet e prodhimeve të kooperativës, shkonin pa para tek ata me të cilët ai kishte lidhur fije të forta, të padukshme për interesat e tij.
Tani erdhi ora dhe fshatarët e shkretë, nisën të flisnin. U fol për shpërdorime, për veprime të pamoralshme, edhe për përdhunimin e një vajze të mitur, nga një njeri me triskën e partisë në xhep. Këto gjëra, sidomos kjo e fundit, e tronditën gjithë fshatin. Më tepër nga të tjerët, u trondita sidomos unë, që i dëgjova të gjitha këto.
Mbledhjet vazhduan disa ditë dhe unë mbaja kontakt të përhershëm, me Sekretarin e Partisë të fshatit, duke u munduar të gjenim rrugën, për të dalë nga kjo gjendje. Por njerëzit e përlyer në fshat, të cilët ishin anëtarë partie, i kishin marrë masat. Kishin njoftuar Partinë në Vlorë, e cila nga ana e saj njoftoi Tiranën, duke kërkuar ndihmë, pra duke pyetur se; çfarë duhej bërë, për t’i mbyllur këto gjoja “thashetheme”.
U provokua një tjetër mbledhje në fshat, nën ullinjtë e Dunit, ku e detyruan tërë fshatin, burra e gra, që të mblidheshin me urgjencë. U vendos tryeza me bezen e kuqe, kishte ardhur edhe vetë anëtari i Komitetit Qendror, Peti Shamblli, kishte dhe të deleguar të Partisë nga Vlora.
Unë isha aty me gjithë familjen dhe bashkë me një prokuror, nga Tirana. E ndjeva se diçka jo e mirë do të ndodhte, kurse tërë njerëzit e fshatit, ishin të bindur për të kundërtën. Dhe ndodhi pikërisht ajo që mendova unë: Partia, po u vinte kapak të gjitha fëlliqësirave, që kishin dalë në shesh, pas Letrës së Hapur. U kritikua i tërë fshati, si një fshat i predispozuar, për të rënë në prehrin e reaksionit.
Nuk u mor në mbrojtje, vajza e mitur dhe familja e saj, barinj me bërruc, por u mbrojt njeriu i Partisë me kasketë, që rrinte krenar në rrëzë të ullirit, anëtari i partisë. Asnjë nga fshatarët, nuk e hapi më gojën. Heshtje varri. U tha se të gjitha “thashethemet” që qarkullonin, ishin shpifje të reaksionit, i cili “gëlonte” në fshat, për të denigruar Partinë, nëpërmjet njerëzve të saj. Anëtari i Komitetit Qendror më kritikoi edhe mua, duke thënë se; “ne dërguam këtu Petro Markon, për të punuar në frymën e Letrës së Hapur, kurse ai u bë pre e reaksionit të egër në fshat. Shkrimtari i dëgjuar Petro Marko doli mbi Partinë. Dhe tani, ja se cilët janë armiqtë që e çoroditën fshatin”.
Dhe atëherë u panë disa djem të ardhur, të cilët nxorën litarët. U thirrën tre emra: Thimio Milo, Llambro Dede dhe Karavella. (Llambro Dede, peshkatar, i persekutuar, pasi i vëllai ishte arratisur, ishte njeriu më i dashur për djalin tim, i cili e adhuronte si peshkatar, pasi ai e mësoi të peshkonte, të njihte llojet e peshqve. Për djalin tim të mitur, kjo ishte një ngjarje e tmerrshme).
Ua lidhën duart me litar, njëri pas tjetrit me një metër distancë. Asgjë nuk pipëtinte. Dukej sikur gjithçka shtangu. Unë nuk e hapa gojën, sepse dy ditë më pare, kishte ardhur nga Tirana një “Xhip”-s me një shok, apostafat për mua, i cili më tha: “Më ka dërguar shoku Mehmet, i cili më porositi që, po të bëhet ndonjë mbledhje e hapur në fshat, ti nuk duhet të flasësh fare edhe sikur të të akuzojnë…”! Po atë pasdite, gjetëm një makinë dhe u nisa me familjen për në Tiranë.
VAZHDOJNË PERSEKUTIMET
Siç duket, kërkonin me çdo kusht, që unë të mos shkruaja më. Dhe e gjetën mënyrën. Sa mënyra dhe forma ka inkuizicioni?! Pas ngjarjes në Dhërmi, isha në Kafe “Tirana”, me Shevqet Musarajin, kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve, shokun tim të vjetër. Ai rrinte pak i zymtë. Pasi pimë kafen, u ndamë. Pas një ore më mori në telefon Luigji, sekretari i Lidhjes, dhe më tha se, më kërkonte kryetari për një njoftim.
– Po unë me kryetarin isha! Ç’njoftim të ri do të më komunikojë? – I habitur, shkova dhe e gjeta në zyrë. Nxinte. Më dha një shkresë. E lexova:
“Shoku Petro Marko, bashkë me familjen e tij, të paraqitet sa më parë në Komitetin Ekzekutiv të Elbasanit…”! – Lexoj: zyra sekrete e Komitetit Qendror, zyra sekrete e Kryeministrisë, zyra sekrete e Ministrisë së Arsimit…! (Atë shkresë, për çudi, ende e kam.) U habita dhe i thashë Shevqetit:
– Po pse nuk ma the në kafe?
– Këto janë shkresa rezervate…! Prandaj sa më parë merr familjen dhe nisu për në Elbasan. Mos e bëj të gjatë, o Petro!…
– Unë nuk e di, nëse do të nisem për në Elbasan…! Ti detyrën tënde e bëre, shkresën ma dhe. Më urdhërove… dhe mbeç me shëndet, Shevqet, – … dhe dola.
Edhe kjo më duhej. Internimi. Po pse? Me gruan, qamë hallin tonë të zi. Menduam e menduam ,çfarë mund të bënim, dhe vendosa që t’i bëja një letër Hysni Kapos. Ia shkrova. Me sinqeritet i tregova se si rrodhën ngjarjet në fshat, si dhe përfundimin. Letrën i’a dhashë Mafuz Lazes, një shokut tim të vjetër, që të mundohej, t’ia jepte në dorë Hysniut…! Dilja përjashta në rrugë dhe shokët e Lidhjes, më shmangeshin.
Pas një jave, Hysniu i telefonoi Kryesisë së Lidhjes dhe pikërisht Shevqetit, duke i thënë: “Lëreni rehat Petron, të shkruajë e të krijojë, e mos i bini në qafë”!
Pak ditë më vonë, duke ngrënë, ishim në tryezë bashkë me fëmijët, trokitën në derë. E hapi Safoja dhe hyri brenda Pipi Mitrojorgji, me një zarf të bardhë në dorë, me tri viza të kuqe dhe me fytyrë që i shndrinte nga gëzimi:
“Petro! Shpëtove!” – dhe më përqafoi.
Hapa zarfin dhe lexova: “Anulohet vendimi i Komitetit Qendror nr. kaq e aq, data kaq, ndaj jush. Duhet të niseni urgjentisht në rrethin e Tiranës, për të bërë një roman, me temë kolektivizimin”. U çmendëm nga gëzimi. U përqafuam. Shpëtuam!
Gjeta një valixhe të vogël prej dërrase, futa makinën e shkrimit, letër daktilografimi, një këmishë e ca ndërresa dhe të nesërmen, u nisa për në zonën e Shëngjergjit. Romanin “Ara në mal”, e shkrova me shumë vështirësi, sepse isha së bashku me një ekip, i cili mundohej të bindte fshatarët, të krijonin kooperativën. Po nuk besonte njeri dhe asnjeri nuk “vinte gishtin” në deklaratë, vullnetarisht, që të futej në kooperativë.
Unë gjeta një temë interesante: Arën e Gjaqeve, të Zan Erzenit, dhe në këtë bosht, shtjellova skena reale dhe ireale, se e vërteta është që; asnjë nuk u fut vullnetarisht në kooperativë. Unë mora fshatin e fundit të Shënpalit, që u kandis me shumë presion, të bëhej kooperativa e fundit e Shqipërisë. Me romanin “Ara në mal”, mora përsëri çmimin e Republikës.
VËSHTIRËSITË E BOTIMEVE TË MIA
Pyetje: – Pse nuk u botua romani; “Beteja për foletë e bardha?!
Përgjigje: – Kur ra tërmeti në Dibër, Librazhd, Maqellarë, vajta edhe unë nga rruga e Librazhdit. Shëtita të gjitha vendet e goditura nga tërmeti dhe vura re një gjë: gjithë populli shqiptar, kishte marrë pjesë në ketë fatkeqësi, të asaj krahine. Me mijëra e mijëra vullnetarë, ngrinin shtëpitë e rrëzuara, me qindra makina, vinin me ushqime… shumë rini, shumë mjeshtër ndërtues.
Unë kalova shumë herë nga Golloborda, nga fshatrat të cilat vetëm një vijë e vogël uji, i ndan si kufi me Jugosllavinë. Asnjë i ri, asnjë punëtor, nuk u hodh përtej, megjithëse kufiri ishte fare pranë. Kjo fatkeqësi e rëndë, i bashkoi të gjithë njerëzit e ardhur, nga të gjitha anët e Shqipërisë, si në një betejë me një armik, që u shembi foletë vëllezërve të tyre dibranë. Kjo luftë, mbizotëroi në mendjen dhe në zemrën e të gjithëve.
U ktheva në Lunik dhe aty me arsimtarët, bisedoja dhe bashkëjetoja, duke grumbulluar lëndë për një roman. Gjetëm shoferët të bllokuar, në makinat që sillnin materiale ndërtimi, të mbuluara nga dëbora në mal, dhe mezi i nxorëm të gjallë. Tërmeti ishte një katastrofë e vërtetë, por që kaloi, me ndihmën e të gjithë atyre që morën pjesë vullnetarisht. I frymëzuar nga ky solidaritet i paparë popullor, vendosa të shkruaja një roman. Mendova se kështu do të kontribuoja edhe unë si krijues, duke u munduar të hidhja në letrat e bardha, atë gjendje të jashtëzakonshme njerëzore, të cilën e pashë dhe e jetova.
Ata njerëz, ndërtuan në një kohë rekord, në kushtet e rënda të dimrit të egër, shtëpitë – fole i quajta unë – për vëllezërit e tyre, të rënë në fatkeqësi. Pati edhe drama dhe heronj, midis tyre. I vura titullin “Beteja për foletë e bardha”. (Shumë miq të mi, shkrimtarë e poetë, kur mbarojnë veprën e tyre, vijnë dhe më kërkojnë, si kumbar (nun), për të caktuar titullin e veprës.)
Kur e shkrova romanin, të cilin dëshiroja ta shihja të botuar sa më parë, që ata që fituan betejën, të gjenin aty heroizmin e tyre, e çova në Ndërmarrjen e Botimeve. Ata, si zakonisht, ua dhanë dy recensentëve, të cilët bënë vërejtje skematike, ashtu siç ishte kritika: shumë skematike. Pra, pas disa ditësh më thirrën në redaksinë e romanit dhe redaktorja, që ishte e ngarkuar për të dhënë një mendim, më thoshte:
– Këto faqe shkurtoi…! Këto faqe hiqi. Ky kapitull, duhet të shkurtohet, se merret shumë me dialogë, ndërmjet të rinjve…! Ky kapitull, duhet të hiqet fare…! Pastaj titulli i romanit nuk shkon fare…!
Nuk janë zogj ata, që të ngrenë foletë, por janë ustallarë, që ndërtojnë banesa…! Dhe kryesorja: ju e keni zbehur krejtësisht rolin e Partisë, në këtë “betejë”.
– Nuk ju kuptoj…! Ju e keni lexuar romanin? – e pyeta. – Nuk ka nevojë që ta lexoj unë, por e kanë recensionuar dy kritikë kompetentë.
Atëherë unë u preka; nuk e kisha menduar se do të më prisnin përsëri kështu. Gabova, u nxitova që e çova, por entuziazmi im, për atë që pashë dhe jetova, më bëri që të harroja censurën. Mora romanin nën sqetull, shumë i trishtuar, dhe thashë me vete: “Ah! O Petro! Si nuk vure mend?! Gjithmonë shpreson dhe harron se, krijimet e tua, nuk mund të kalojnë kufirin e vendosur rreptësisht, për të gjithë artistët. Prandaj edhe kjo vepër, e shkruar me ndjenjë, do të mbetet e burgosur, pranë dorëshkrimeve të tjera”.
Këtë trishtim në ato çaste, nuk e mbaja dot vetëm, ndaj këmbët, më shpunë drejt Klubit të Gazetarëve, ku pija kafen. Po aty, çdo të bëja? Do të pija një kafe dhe do të qepja gojën, me këdo që do të më afrohej. Atëherë u ktheva në shtëpinë time, me gjithë roman. Si gjithmonë, edhe kjo disfatë, vetëm aty mund të diskutohej. Kështu ndodhi. Dhe kjo vepër, zuri vend krahas dorëshkrimeve të tjera.
Pyetje: – Çfarë shkrove pas kësaj?
Përgjigje: – Botova romanin “Halimi” për jetën revolucionare të njërit prej djemve të Labërisë, politikanit demokrat dhe patriotit të shquar, Halim Xhelo nga Tërbaçi. Unë trajtova vetëm një pjesë të jetës së tij: ardhjen ilegale në Shqipëri…!
Botova romanin “Ultimatum”, për luftën e 1920-ës në Vlorë. Me shkurtimet dhe redaktimet që iu bënë, vend e pa vend, patjetër që romani, ashtu si romanet e tjera, përveç: “Qytetit të fundit”, ka humbur shumë vlera. Edhe kjo gjë më hidhëroi.
Nga “Ultimatumi”, mora një kënaqësi, në një ditë plot trishtim, kur udhëtoja me tren, nga Tirana për në Fier, për të shkuar pastaj drejt Ballshit me autobus, në burgun e Ballshit, ku kryente dënimin, djali im Jamarbër, mbas burgut të Spaçit. Në vagon, ulur në sedilje, ishim unë, Safoja dhe vajza jonë Arianita. Poshtë sediljeve, kishim futur çantat dhe trastat me ushqime e ndërresa, për djalin. Këtë rrugë, e bënim një herë në muaj. Treni ecte dhe asnjeri nga ne nuk fliste. Mundoheshim të dukeshim, si udhëtarë të zakonshëm, që mundësisht të mos e kuptonte njeri, se ku po shkonim. Gjatë gjithë muajit, përpiqeshim të siguronim mundësinë, për t’i mbushur ato çanta me ushqime, duke ia kursyer vetes.
Ishte një ditë e bukur me diell. Të mbjellat gjelbëronin. Në tren bisedohej. Befas pranë nesh, u afrua një vajzë e re, flokëverdhë dhe me druajtje e shumë respekt, iu drejtua Safos: –
Më falni që guxoj t’ju pyes, shoku është shkrimtari Petro Marko, në mos gaboj?
Safoja iu përgjigj:
– Po, – shkurt. Vajza jonë mundohej që t’i fshihte me këmbë çantat edhe më shumë poshtë sediljeve. Unë e dëgjova që pyeti për mua, dhe ula kokën. Dëgjova përsëri vajzën flokëverdhë, që e pyeti Safon:
– A mund t’i jap dorën, se kam shumë respekt për të si shkrimtar?
Atëherë Safoja sikur shkriu dhe i tha:
– Posi jo – U kthye nga unë: – Petro, shoqja dëshiron të të takojë. – Ngrita sytë, e vështrova dhe ajo më dha dorën me shumë emocion. Pak a shumë tha:
– Shoku Petro, jam shumë e lumtur që po ju takoj, se kam një porosi nga gjyshja ime shumë e vjetër, së cilës i kemi lexuar me zë, romanin tuaj “Ultimatum”, ku keni përshkruar me shumë vërtetësi dhe art, heroizmin e burrit të saj, Zigurit, deri në vrasjen e tij. Ajo ëndërron që t’ju takojë dhe thotë: “Ku ta gjej e t’i puth dorën për atë penë të florinjtë, që ka shkruar historinë e Luftës së Vlorës”!
Ja ku e solli fati, që unë t’ju takoj dhe t’ju komunikoj dëshirën e saj. Unë vetë jam arsimtare. Ai atje, – dhe tregoi me dorë një burrë të gjatë që rrinte më këmbë, – është vëllai im. Nëna dhe babai ynë, kanë qenë të dy partizanë dhe im vëlla, ka lindur në mal. E ka emrin Partizan. A pranoni që edhe ai t’ju takojë, se ka shumë dëshirë?
Ktheva kokën, pashë njeriun që rrinte më këmbë dhe thashë:
– Pse jo?- Atëherë ai u afrua dhe më përqafoi, si të ishim të njohur. Biseduam për veprat e mia; ata më ngritën në qiell dhe vërtet ishin të lumtur, që po më takonin. Ishte një gjë e jashtëzakonshme për ne, që po shkonim për në burgun e Ballshit. Nuk na pyetën fare, se ku po shkonim. Kur po i afroheshim stacionit të Fierit, u përshëndetëm dhe u ndamë.
Ata zbritën të parët nga vagoni. Ne pritëm që të largoheshin, dhe, kur u siguruam për këtë, nxorëm me të shpejtë trastat dhe çantat, ngaqë na duhej të nxitonim për të arritur autobusin e Ballshit. Thamë që të tre njëherësh: “Shyqyr që shpëtuam, nuk dinin gjë të shkretët se ku po vemi”! Mirëpo, në ato çaste u shfaq mësuesja bashkë me të vëllanë, m’i morën nga duart të dy çantat e rënda e thanë:
– Shpejt! Se mos ju ikën autobusi i Ballshit! – Ne nuk folëm asnjë fjalë. Na përcollën deri te dera e autobusit dhe mësuesja tha: – Ne e dimë. Na vjen shumë keq që e keni djalin në burg, shoku Petro, po ju lutem mos u mërzitni. Këto gjëra ndodhin.
Nuk mund të rrija pa e shkruar këtë episod, kur shumë miq e shokë, madje edhe banorët e pallatit ku jetonim, as që na përshëndetnin. Pra, po e shkruaj këtë ngjarje në biografinë time të shtrirë në shumë vjet, duke e zgjedhur midis shumë episodesh, të tjera të këtij lloji. Njerëzit e duan letërsinë. E duan edhe shkrimtarin.
Punova gjatë për romanin “Vatër e blinduar”, kushtuar Shqipërisë, por me recensentët, me redaktorët, hoqa shumë, ai u shkatërrua; mbajta vetëm skicë-idenë e romanit, i cili u botua me titullin ‘Të thjeshtët”. Në këtë roman të botuar, nuk është as një e katërta e idesë dhe e shtrirjes së ngjarjeve e të personazheve. Forma është masakruar. E kam në shtëpi, me titullin: “Vatër e blinduar”. Kështu që për mua, mbetet thuajse i pabotuar. Pas daljes nga shtypi, kur e lexova, buzëqeshja hidhur. U pendova që këtë vepër, e dhashë për botim! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm