Pjesa e dytë
Memorie.al / Duke parë problemet e shumta të kthimit e kompesimit të pronave si dhe proceset e shumta gjyqësore që janë zhvilluar pas viteve ’90-të, të cilat po vijojnë ende të zhvillohen për çështjet e pronave të konfiskuara shtetasve shqiptarë nga regjimi komunist, si dhe për të gjithë ata që janë konsideruar si “bashkëpunëtorët e gjermanëve dhe italianëve”, po publikojmë disa shkrime në lidhje me këtë çështje. Nga të dhënat e para, konstatohet se shumë prej pronave të bllokuara nga regjimi komunist, pas viteve ’90-të, u dolën pronarë të rinj dhe nuk përfunduan tek pronarët e trashëgimtarët e tyre. Këto prona, të patundshme ose të tundshme, kaluan përmes filtrave të falsifikimeve dhe manipulimeve në zyrat kadastrale apo në zyrat e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Në këtë shkrim, po sjellim mënyrën se si veproi regjimi komunist për sekuestrimin e pasurive për të gjithë personat e akuzuar si “ish-bashkëpunëtorë të pushtuesve”, përfshirë edhe ata që dolën publikisht kundër regjimit komunist në fuqi e vuajtën në burgje dhe internime.
-Arka e shtetit, siguroi të ardhura të mëdha nga sekuestrimet e pronave-
Procesi i nisur, duket që ka pasur vështirësi në procedimin teknik të tij, pasi mekanizmat e ngritura, nuk kishin shpejtësinë e duhur të veprimit. Më 4 tetor 1945, ministri i Financave, Ramadan Çitaku, i drejtohet Komisionit Qendror të Konfiskimit të Pasurive private, duke thënë se; në buxhetin preventiv, Ministria e Financave, parashikonte të ardhura të konsiderueshme nga këto pasuri dhe për këtë, kërkonte përshpejtimin e punës (AQSH, F.505, V.1945, D.510, fleta 43). Në këtë shkrim, po sjellim të dhëna për bllokimet dhe sekuestrimet e pasurive në Qarkun e Shkodrës, ku u ndëshkuan familjet e Ernest Koliqit, Engjëll Çobës dhe kapedanit të Mirditës, Gjon Marka Gjoni. Po ashtu, përmes të dhënave dhe dokumenteve tregohet edhe inventari i pasurisë, që shteti i mori familjes Vrioni, një ndër më të pasurat në të gjithë vendin.
Shkodër, konfiskimi i pronave të Maliq Bushatit
Më 25 tetor 1945, Komiteti Ekzekutiv i Prefekturës së Shkodrës relatonte për pasuritë e Maliq Bushatit, Ernest Koliqit, Gjon Marka Gjonit dhe Engjëll Çobës, të cilat vlerësoheshin të konsiderueshme (AQSH, F.505, V.1945, D.186, fleta 47). Më 22 gusht 1946, komisioni vendor, në bazë të Nenit 1 të Dekretligjit Nr. 249, datë 27 maj 1946, u mblodh për konfiskimin e pasurisë së Maliq Bushatit, nga Lagjja “28 Nëntori”, duke vendosur: konfiskimin e një shtëpie të lartë, ndër 72 pjesë (vetë 14) në lagjen e tij, ndërsa mobiliet, i kishte marrë Korpusi Ushtarak. Më 8 gusht 1945, për pasurinë e tij, u hartua një listë mobiliesh e sendesh shtëpiake, 182 dengje sanë (ushqim për lopët dhe bagëtitë), me nga 44 kg. secila dhe 776 me grurë si dhe 62 dengje sanë (AQSH, F.505, V.1945, D.186, fleta 277, 43).
Konfiskimi i pronave të Hasan Dostit në Tiranë dhe Gjirokastër
Komisioni vendor i Gjirokastrës, më 14 nëntor 1946, mori në shqyrtim konfiskimin e pasurisë së Hasan Dostit, mbi bazën e dokumenteve të vendosur, qysh më 18 janar 1946. Ara në Kardhiq, Plesat, korie pylli në Kardhiq. Truall 1086.54 metra katrorë, në Tiranën e Re (AQSH, F.505, V.1946, D.145, fleta 94).
Konfiskimi i pronave të Izedin Vrionit dhe Qemal Vrionit
Komisioni, më 18 nëntor 1946, mori vendimin mbi bazë të vendimit të Gjykatës Speciale, mbi konfiskimin e pasurive të të përmendurve. Më 7 qershor 1946, Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Nënprefekturës Fier, kishte sekuestruar pasuritë e atjeshme të dy personave. I gjithë kapitali i Fabrikës së Miellit “Myzeqeja” në Fier, në të cilën Qemal Vrioni ka derdhur 42 mijë franga shqiptare, me gjithë aksione, për një shumë prej 20 mijë frangash shqiptare. E mbesa e Qemalit, Mediha Libohova, është ankuar se një shtëpi në Durrës, ishte blerë nga ajo, Qemalit, më 1940, ndërsa Avroviti Naço, kërkonte 10 mijë franga, për llogari të vëllait të saj të vdekur, Kristaq Napo, i cili kishte mbrojtur Qemal Vrionin.
Konstatohej se Izedin Vrioni, nuk ishte dënuar prej gjykatës, me konfiskim të pasurisë dhe duhej urdhëruar ngritja e sekuestros së bërë, mbi pasurinë e tij. Ndërsa ajo e Qemal Vrionit, nuk kishte asnjë pengesë për t’iu konfiskuar. Konsiderohej shitje fiktive edhe ajo e Medihasë; si dhe shtëpia dhe trualli, në rrethin e Durrësit. Qemal Vrioni, i ka dhënë italianit Guabandilla, një shtëpi në Como dhe ka marrë prej tij, shtëpinë në Durrës, të cilën ia ka shitur Medihasë, e cila është regjistruar më 12 gusht 1944. Për këtë ishte vendosur ngritja e sekuestros mbi vendimin e 7 qershorit 1945, të Komitetit Ekzekutiv të Nënprefekturës Fier, mbi gjysmën e pasurisë që i takonte Izedin Vrionit. Po ashtu, konfiskoheshin të gjitha pronat e para vitit 1940, të Qemal Vrionit.
Lista ndahet në 18 zëra (2 shtëpi, njëra e haremit dhe të tjerat dyqane), 300 m2 në Durrës, pallat në Durrës (AQSH, F.505, V.1946, D.142, fleta 224-244). Më pas, tregohen edhe pasuritë e tjera; 62 dyqane, 2 magazina, 1 furrë, 1 shtëpi, 1 han, qindra troje në Fier, mbi 1 mijë dynym çiflig, kullota etj., në Mbrostar mbi 1500 dynym tokë punimi, në Koxharë, 2500 dynym pyje kullotë, 2000 tokë çajre, 650 dynym tokë e punuar, në Mbyetme, etj.
Konfiskimi i pronave të Aqif Përmetit
Aqif Përmeti kishte familjen e tij të përbërë prej tre vetash. Astriti, i biri dhe Shqipja e bija. Më 20 nëntor 1946, komisioni vendor, konfiskoi 2 toka në Selishtë të Tiranës së Re, prej 1100 m2, 2/3 e 1 shtëpie në Tiranën e Re, 6 dhoma 1 kuzhinë (AQSH, F.505, V.1946, D.144, fleta 73).
Urdhri i brendshëm në vitin 1946: “Të konfiskohen pasuritë e kundërshtarëve!”
Procesi i sekuestrimeve të pasurive, u duk qartë se ishte një proces politik, për të ndëshkuar kundërshtarët. Udhëzimi i 17 majit 1946, i firmosur nga ministri i Drejtësisë, Manol Konomi, që iu dërgua në formën e qarkores Komiteteve Ekzekutive, thotë se; “Ligji” i 15 dhjetorit 1944, mbi konfiskimet kishte karakter gjenerik dhe përfshinte, si ato të arratisur para hyrjes në fuqi dhe ato pas hyrjes në fuqi të ligjit dhe ata që nuk ishin larg, po që mbanin qëndrim armiqësor ndaj pushtetit të ri, për arsye politike”. Kjo do të thoshte se, ky proces, në të vërtetë hartohej kundër kundërshtarëve politikë dhe jo vetëm ndaj atyre, të cilët, dashje pa dashje, kishin një lidhje me periudhën e Luftës së Dytë Botërore.
Ministri Konomi, kërkonte që për personat e larguar dhe që nuk ishin kundër regjimit, të merrej mendimi i Ministrisë së Drejtësisë (AQSH, F.505, V.1946, D.142, fleta 16). Kjo qarkore, më 6 gusht 1946, u bëhet e njohur prefekturave edhe nga Ministria e Financave, por duke shtuar, edhe shpejtimin e veprimeve të personave të arratisur: “si partizanë despotikë të Zogut e, të tjerëve që janë larg Shqipërisë, por që para ose pas 7 prillit 1939, mbajnë qëndrim armiqësor”. (AQSH, F.505, V.1946, D.142, fleta 97).
Në një raport justifikues të Ministrisë së Financave, mbi krijimin e komisioneve vendore, thuhej se, kishte konfuzion në administrim dhe duheshin edhe disa vjet të mbaronte kjo punë, duke kërkuar shikimin e Ligjit Nr.40, të 14 janarit 1945, që të parashikonin krijimin e komisioneve vendore, me proregativat e Komisionit Qendror (AQSH, F.489, V.1946, D.41, fleta 9).
Më 27 maj 1946, Presidiumi i Kuvendit Popullor, nxori dekretin: “Mbi krijimin e komisioneve vendore për konfiskimin e pasurive në bazë të Ligjit Nr.40, ku parashikohej që përveç Komisionit Qendror, mund të krijonte komisione vendore në prefektura. Ligji 30 gusht 1946 (AQSH, F.489, V.1946, D.145, fleta 1). Më 24 korrik 1946, Prokuroria e Përgjithshme, kërkonte nga Ministria e Financave, zbatimin e ligjit nga Komitetet Ekzekutive, mbi sekuestrot e konfiskimet e mallrave, pasi vihej në dukje se seksionet e financës, po shisnin e po shpërdoronin, sendet e luajtshme (AQSH, F.505, V.1946, D.142, fleta 12).
Më 18 shtator 1946, iu dërgua një qarkore Komiteteve Ekzekutive të Prefekturave, me anën e së cilës kërkohej, përmbajtja ndaj dispozitave ligjore (po aty, fleta 20). Më 5 gusht 1946, Ramadan Çitaku, u dërgoi qarkore Komiteteve Ekzekutive, duke thënë se; për çdo gjë, kërkonte të dhëna të sakta (fleta 14). Ligji që miratoi Kuvendi Popullor, sekuestroi pronat e zyrtarëve të Mbretit Zog.
Lista e personave që konsiderohen “kriminelë lufte” dhe heqja e pasurive
Më 22 nëntor 1946, Presidiumi i Kuvendit Popullor, shpalli ligjin e votuar po atë ditë nga Kuvendi Popullor: “Mbi kontrollin e pasurive të vëna, gjatë regjimeve të kaluara prej funksionarëve dhe sipërmarrësve të shtetit”.
Mbi bazën e tij, të gjitha ndërtesat e ngritura ose të blera në kohën e regjimeve të kaluara, prej ministrave, deputetëve, funksionarëve të shtetit ose bashkive, si dhe prej personave që kanë qenë gjatë këtyre regjimeve, sipërmarrës të shtetit, ku nuk ishin në gjendje të justifikonin burimin e ligjshëm të tyre, deklarohej shtetëzimi, me vendim të Ministrisë së Ekonomisë, mbi propozimin e Komiteteve Ekzekutive të Këshillave Popullorë, të nënprefekturave (AQSH, F.490, V.1946, D.232, fleta 1).
Në bazë të këtij ligji, të gjithë ata persona që nuk kishin pasur fare lidhje me Luftën, por që kishin pasur poste të rëndësishme para vitit 1939, konfiskoheshin, në bazë të dëshirës së atyre që kishin ardhur në pushtet.
Konfiskimi i pronave dhe pasurive të Terenc Toçit
Komisioni vendosi, më 22 nëntor 1946, se përderisa 3 personat në ngarkim të Terenc Toçit, ishin larguar në vendin e origjinës, nuk gëzonin të drejtën e beneficës ligjore. Pasuria e Toçit, përfshin:
– 2 parcela trojesh Tiranë me 3.228.57 metra (sot vila “Bardha”) dhe shtëpia dykatëshe si dhe trualli dhe banjat e Durrësit (AQSH, F.505, V.1946, D.144, fleta 75).
Konfiskimi i pronave të Fiqri e Dilaver Dine
Më 20 dhjetor 1946, komisioni në Peshkopi, konfiskoi pronat e tij që përfshinin:
– Trojet e 1 shtëpie të djegur prej 2 dynymësh, 1 furrë buke, trojet e 1 shtëpie të djegur me 1 dynym, 1 shtëpi 2 kate me 7 dhoma. Veç kësaj edhe pasuri e tundshme 2 kuajsh, 1 viç, 2 lopë, 1 çarçaf kravate, paratë e 208 kg rrush e 76 kg mollë e 810 kg misër. 14 copë ara prej 99 dynymësh, disa vreshta prej 2 dynymësh në Pocestë, 1 pemishte 1 dynym në Trepçe (AQSH, F.505, V.1946, D.146, fleta 255).
Konfiskimi i pronave të Qazim Mulletit
Më 31 dhjetor 1946, vendoset për sekuestrimin e pronave të prefektit Qazim Mulletit, në Tiranë. Vendoset për ¾ e një shtëpie në lagjen “Sulejman Pasha” me 311 m2, truall 302.43, 4 dyqane të ngritura 1942-1943, parcelë në veri me rrugën “Çiano”. Dy baraka në rrugën “Dajti”. (AQSH, F.505, V.1946, D.144, fleta 92).
“Kriminelët e luftës”
Më 27 janar 1947, Kryeministria njoftonte Ministrinë e Financave se u ka kërkuar komisioneve vendore konfiskimin e pasurisë së kriminelëve të luftës e të armiqve të popullit që t’i përfaqësojë sa më parë veprimet e në fund të muajit të dërgojë nga një raport.
Vlora dhe Korça
Më 27 janar 1947, komisioni i Vlorës, mori vendim të gjithë personat që ishin në listat e “kriminelëve” (AQSH, F.490, V.1946, D.252, fleta 13 – 14). Vetëm Korça, kishte 350 dosje të tilla.
Shpronësimi i kunatit të Enver Hoxhës, Bahri Omarit
Më 10 shkurt 1947, kunatit të Enver Hoxhës, Bahri Omarit, i konfiskohet pasuria. Atij i merret 1/6 e 5 dyqaneve në tregun e Gjirokastrës, parcelë trualli prej 910 metrash katrorë, në Tiranën e Re. 1/3, iu la familjes në lagjen “Cfakë” të Gjirokastrës (AQSH, F.505, V.1947, D.316, fleta 15).
Raporti i Elbasanit
Më 18 shkurt 1946 komisioni i Elbasanit i dërgoi një raport për konfiskimin e pasurisë private të Prefekturës Elbasan. Thuhej se kishte edhe 38 vendime dhe gati edhe 7 dosje të tjera, duke pasur në dorë edhe 25 të tjera (AQSH, F.490, V.1946, D.252, fleta 23).
Më 21 shkurt 1947 komisioni vendor i Kukësit, i dërgoi raport Kryeministrisë, në të cilin vëreheshin mangësi veprimesh.
Konfiskimi i Abdurrahman Dibrës
Më 14 shkurt 1947 merrej vendimi i konfiskimit për Abdurrahman Dibrën në lidhje me kontrollin e pasurive të zyrtarëve të regjimit antipopullor të Ahmet Zogut. Theksohet se pasuria e tij me pajisjet moderne dhe të kushtueshme nuk kishte mundësi të ishte vënë nga shitja e ndonjë çifligu në Dibrën e Madhe, por i burimeve të jashtëligjshme dhe dallavereve. Komiteti i propozonte Ministrisë së Financave nxjerrjen e vendimit të shtetëzimit të pasurisë së tij: një ndërtesë prej 7 dhomash; afërsisht prej 200 metrash katrorë në lagjen “1 Maji” (lagjja “Abdulla bej”) e transkriptuar më 19 nëntor 1943. Vendimi doli më 14 mars 1947 (AQSH, F.505, V.1947, D.184, fleta 88).
Shtetëzimi i pronave të Pandeli Evangjelit
Më 14 shkurt 1947, komisioni i Tiranës, vendosi të propozojë shtetëzimin e pronave të Pandeli Evangjelit, ish-politikan i lartë i regjimit zogistë dhe aksioner në SITA, ‘Stamles’, ‘Maliq’, ‘Portland Çimento’, ‘Banka Kombëtare’ dhe Kinema “Majestik” në Korçë. Theksohej se, nuk kishte mundësi që një pasuri e tillë, ta kishte vënë përveçse me dallavere. Pasuria ishte 1 pallat 2-katësh në lagjen “11 Janari”, i regjistruar më 30 qershor 1928 (AQSH, F.505, V.1947, D.185, fleta 86). Vendimi u mor më 14 mars 1947.
Konfiskimi i pasurive të Kolë Thaçit
Më 14 shkurt 1947 komisioni i Komitetit Ekzekutiv të KP të Nënprefekturës Tiranë, me të njëjtën arsye, kërkoi shtetëzimin e pronave të tij që ishin një truall 1510 metra katrorë dhe dy ndërtesa mbi të, të regjistruara më 13 maj 1933 dhe 23 maj 1934. Ish-ministri i Financave ishte larguar nga politika në vitin 1939 dhe kishte vdekur më 1941-shin.
Konfiskimi i pronave të ish-prefektit të Durrësit, Zef Kadarja
Më 6 mars 1947, komisioni vendor i Qarkut Tiranë, vendosi konfiskimin e pasurisë së tij:
– Truall në Selitë Tirana e Re prej 1100 m2 truall, Tirana e re 182 m2, me shtëpi dhe një shtëpi me 8 dhoma. Pasuria e tundshme ishte shumë e madhe, përfshirë këtu gardërobën e tij, kolltukë, bibliotekë. Në Durrës Kadarja kishte një vilë dhe dy troje, ndërsa në Shkodër dy shtëpi të tjera.
Konfiskimi i pronave të Safet Butka
Komisioni vendor, pranë Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Prefekturës së Korçës, konfiskoi gjysmën e shtëpisë në Butkë, 5 dhoma, 2 divane, 2 ballkone. Pasuri e tundshme 1 ka, 5 dhen, 1 mëshqerrë (AQSH, F.505, V.1947, D.315, fleta 77).
Konfiskmi i pronave të Daut Çarçanit
Komisioni në Tiranë, më 28 mars 1947, vendosi konfiskimin e 4/5 e një trualli në “Ismail Efendi” (504 m2) dhe 4/5 e një shtëpie po aty (AQSH, F.505, V.1947, D.311, fleta 21-22).
Konfiskimi i pronave të Thoma Orollogajt
Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Prefekturës Tiranë, më 5 prill 1947, vendosi që t’i propozojë Ministrisë së Financave, konfiskimin e pasurisë pasi nuk kishte mundësi që ai: “ta kishte vënë vetë këtë pasuri”. Një shtëpi në lagjen “Ismail Efendi” (regjistruar më 1 mars 1935), një truall 1100 m2 me ndërtesë, 1/2 e një objekti në “Rrugën e Barrikadave” (regjistruar më 4 prill 1936) (AQSH, F.505, V.1947, D.186, fleta 122). Po ashtu edhe 1 shtëpi më 22 mars 1945 dhe aksionet nga Kinema “Majestik”. Më 6 qershor 1947, del edhe vendimi i ministrisë.
Konfiskimi i pronave të Faik Shatkut
Më 14 prill Komiteti Ekzekutiv e Këshilli Popullor të Prefekturës Tiranë, vendosi për shtetëzimin e pronave, pasi kishte vdekur ky person, duke kundërshtuar të venë, Razie Shatku se pasurinë, Faiku e kishte nga vjehrra, Zyhra Krifsca. Iu shpronësuan, 583 m2 truall e, shtëpia në Lagjen “Abdulla bej” (rruga “Qemal Stafa”) e transkriptuar, më 22 shtator 1942. Vendimi u mor në bazë të vërtetimit nr. 32 datë 1 prill 1947 (AQSH, F.505, V.1947, D.186, fleta 208).
Konfiskimi i pronave të Mehdi Frashërit
Më 19 prill 1947, nga komisioni i Gjirokastrës, mbi pasurinë e Mehdi Frashërit, e sekuestruar më 17 shtator 1946. Një shtëpi e djegur, gërmadhë, me një dynym në Frashër (AQSH, F.505, V.1947, D.316, fleta 155) dhe një truall në Tiranë, 1100 m2 në lagjen “9 Korriku” si dhe shtëpia me 17 dhoma e, pasuria brenda saj (AQSH, F.505, V.1947, D.311, fleta 80). Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016